Durrës, 15 gusht 2020: Po shohim këto ditë me kilometra radhë makinash të shqiptarëvet, për të hyrë në shtetin grek. Të zotët e makinavet, shqiptarë, rrinë si delet. As sa macet nuk mund të mjaullijnë: “Na ikën puna!..” “Mbetemi pa punë!..” Komb i mjerë! Komb shkurtpamës!
I kishim fabrikat! E kishim punën! E kishim bujqësinë sa çuditej bota! E kishim tregtinë, tonën!
I lamë të shkatërroheshin që të gjitha! Madje, i shkatërruam vetë! Nuk ngopeshim duke thyer xhamat e trenavet, xhamat e seravet, xhamat e shkollavet e të bibliotekavet! Dhe duke djegur librat nëpër sheshe!
Oxhakët e fabrikavet i dënuam të mos nxjerrin tym kurrë më! Mbetën, për t’i fotografuar turistët! Minierat i lamë t’u shemben galeritë dhe të na mbushen me ujë. Magazinat, plot me mall, me ushqime sa për tre vjet, me tekstile, me enë kuzhine, me pjesë makinash, i shpërthyem, i plaçkitëm, i rrënuam dhe u nisëm me vrap drejt Greqisë e drejt Italisë, duke mallkuar pushtetarët tanë, që s’i kishin hapur kufijtë me kohë.
Ja ku i kemi tani fqinjët, që po na i mbyllin të gjithë llojet e kufijvet! Vetëm kufijtë, për të hyrë ilaçet e tyre të skaduar, mielli i tyre i dyshimtë dhe domatet e tyre të stërfryra, nuk po mbyllen!
Nuk na pranonte kush me letra, as në Kakavijë, as në Kapshticë! As në Bari, as në Brindizi e as në Ankona! Duhej të ishim refugjatë, mjeranë, që dikush të na jepte një copë punë e një copë bukë! Duhej të kapërcenim Gramozin, rrugë pa rrugë, nëpër shi e borë, që të mund të arrinim PARAJSËN: një copë shërbëtori te një plak apo plakë e Greqisë, që edhe vetë i kishin fëmijët e tyre refugjatë! Duhej të rrëzikonim jetët, me skafet që niseshin nga brigjet tanë dhe s’dihej, mbërrinim apo s’mbërrinim gjallë matanë! Aq sa edhe sot, nënat plaka, po shpresojnë se i kanë diku bijtë e tyre të humbur!
Shqiptarë mjeranë, që dheun e vet e lanë të shëmtohej dhe shkuan të qerdhesin afendikonjtë, duke ndërruar edhe emrat! Emra, vënë prej prindërish qorrçe dhe braktisur prej vetë nesh, edhe më qorrçe! Sepse ashtu po e kërkoka punëdhënësi apo një qurrash, lëshues dokumentesh!
Kush jam unë, që ti kërkon të ma ndryshosh emrin?!Kush jam unë, që ti kërkon ta quah Greqi krejt Jugun e Shqipërisë?! Kush jam unë, që ti ma quan Sërbi gjysmën tjetër të Shqipërisë?!
Qesharakë, deri përtej çdo lloj komedie e farse! Del atje, te rreshti 5 apo 6-kilometërsh i makinavet, një ministre e mbrojtjes!.. Mirë që s’kish ngjeshur një shpatë e s’kish marrë një shqyt me vete, apo një kallash, nga ata që i patëm hedhur rrugëvet!.. Dhe zëri i saj s’ish aspak më i fortë se zëri i një mize! Madje, as mizë kali, por mizë krejt e zakonshme, nga ato që vijnë vërdallë hirrës!
Të mos e zemërojmë Grekun, se na e mbyll derën për në BE! Një Grek, një anëtar BE-je, i cili s’ka hapur as edhe një shkollë shqipë ndër shqiptarët ortodoksë të Çamërisë, në një kohë kur një Tito i keq lejonte universitet në gjuhën shqipe! Një i tillë Grek paska në dorë të na e mbyllë apo hapë derën e Evropës?! Kurr mos u haptë!
…Ç’është kjo ditë e keqe për ne shqiptarët?! Ç’do t’u thonë fëmijëvet të vet këta që po i gdhijnë e po i errin ditët, duke pritur mëshirën e një doganieri brekëqelbur, për të hapur qoftë edhe një sportel më shumë?! A kështu do t’i mbrojnë shqiptarët vlerat e vetëvetes, duke ia lënë fajin një virusi dhe duke harruar që, po ato dyer, na janë mbyllur sa herë i është tekur cilitdo prej fqinjëvet tanë?!.
Por jo për fajin e tyre!
Për fajin tonë, shekull mbas shekulli, sepse jemi një komb i krimbur! Një komb i krimbur, i cili, doemos, duhet ta gjejë një rrugë, për t’i pastuar krimbat prej vetëvetes! Ndryshe, dinjiteti ynë mbetet përgjithmonë një copë leckë.
Gjokë Dabaj, Durrë – 15 gusht 2020.