Prishtinë, 7 shator 2020:
Prejardhja
Prejardhja e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë është një kapitull tejet i rëndësishëm për të kuptuar tërë filozofinë shpirtërore të saj. Nuk thuhet pa të drejtë se djepi i familjes, rrënjët e familjes, e të parëve janë ndër faktorë vendimtar të edukimit, frymëzimit, formësimit dhe zhvillimit të personalitetit të secilit njeri. Në këtë drejtim, në radhë të parë, madje edhe sipas traditës së vjetër shekullore shqiptare, familja, rrethi familjar, edukata familjare e influencuar nga babai, nëna, gjyshja, gjyshi, dhe të afërmit tjerë, janë një nga pikat qendrore të cilat ndikojnë në formësimin e secilit personalitet. Ndaj, që tani mund të konstatojmë se, rrethi familjar në të cilin u lind dhe u edukua Nëna Terezë, ishte me rëndësi ndoshta vendimtare për formësimin e personalitetit të saj humanitar. Dashuria që asaj iu dha në familje, veçmas nga babai Kola dhe nëna Drana, nga vëllau Lazri dhe motra Ageja, ishin vendimtare që Gonxhe Bojaxhiu të niset rrugës së Zotit ti shërbej atij dhe njerëzimit mbarë. Sigurisht se shumë historian dhe jo vetëm biografë të Ganxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, do të gjurmojnë detajisht dhe do t ‘i analizojnë rrethanat historike dhe ato shoqërore e kulturore, shpirtërore në të cilat u lind dhe u edukua ajo. Nga ato hulumtime do të dalin detaje të reja të cilat do të pasurojnë njohuritë për ndikimet e rrethanave familjare në edukimin humanist të Gonxhe Bojaxhiut. Që tani ndërsa mund të themi, se fal besimit të madh tek Zoti të cilin e mbante, kultivonte familja e Age Bojaxhiut, edhe vet shpirti humanist, bamirës i prindërve të saj ishin ndër faktorët kryesorë që Age Bojaxhi – Nëna Terezë të merrte rrugën e Zotit. Në literaturën e shumtë, të shkruar për jetën dhe veprën e Nënës Terezë, pra në gjuhët botërore nuk ka shumë të dhëna lidhur me prejardhjen e saj, për rrethanat familjare, shpirtërore, arsimore, edukative, dhe përgjithësisht kulturore në të cilat ajo u rrit dhe u edukua. Mund të konstatojmë se, të dhënat më të plota lidhur me këto rrethana të cilat influencua në formësimin e shpirtit humanist dhe bamirës të Age Bojaxhiut i gjejmë në librat dhe botimet e shumta të biografit të saj më të njohur dhe më autentik shqiptar, Dr. don Lush Gjergji, i cili sipas shkrimeve të tij na del se ishte personaliteti më i afërt shqiptar i Nënës Terezë. Ndërkaq, qëndron e dhëna se shumë shkrues ndërkombëtar të jetës dhe veprës së Nënës Terezë, nuk ndalen në fëmijërinë e saj, në rininë e saj, në vitet e edukimit të Gonxhe Bojaxhiut, dhe aq më pak në rrethanat shoqërore, historike, kulturore dhe shpirtërore në të cilat u lind dhe u edukua ajo. Kjo ndoshta ka ndodhur për arsye të shumta dhe të ndryshme, por ne mund të supozojmë se në këtë ka ndikuar edhe vet fakti se shkruesit shqiptarë, nuk kishin gjurmuar sa duhet për origjinën e familjes së Nënës Terezë, për prejardhjen e saj familjare, për edukimin e saj nga nëna e baba dhe përgjithësisht familja Bojaxhiu. Sot, nga kjo distancë historike ne mund të ngrejmë edhe supozime të tjera lidhur me mungesën e shënimeve, të dhënave dhe fakteve të shumta të prejardhjes së Ganxhe Bojaxhiut dhe veçmas viteve të hershme të edukimit të saj. Ndër këto supozime mund të jenë edhe fakti se shkruesit ndërkombëtar, qëllimisht kanë qenë të pa interesuar për prejardhjen dhe origjinën familjare dhe kombëtare ( etnike) të Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Terezë. Mund të ketë edhe faktorë të tjerë ndër të cilët edhe e dhëna se personalisht vet Nëna Terezë, nuk ka pasur pasion të flet për fëmijërinë, origjinën, prejardhjen e saj. Ndonëse, sa herë që i është dhënë rasti ajo megjithatë, me modesti ka theksuar se është shqiptare.
Lidhur me datat e lindjes së Nënës Terezë, hasim në dy data. E para datë është data e lindjes më 26 gusht 1910 në Shkup, kurse data e dytë është data 27 gusht po ashtu 1910 në Shkup. Biografi i saj shqiptar, Dr. don Lush Gjergji në të gjitha botimet e tij shkruan se Gonxhe Bojaxhiu ka lindur më 27 gusht të vitit 1910 në Shkup. Por, cila ishte familja Bojaxhiu nga e cila rrjedhë ganxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë?
Së pari duhet konstatuar se familja e Nënës Terezë, mbiemrin Bojaxhiu e ka marrë nga trashëgimia e lashtë historike shqiptare e familjes Bojaxhiu. Fjala bojaxhi ka disa kuptime dhe ndër to veçohen: a. bojaxhi – molerë, ata pra që janë marrë me lyerjen e shtëpive; b. ka supozime se familja Bojaxhiu historikisht kishte qenë një familje luftëtare, trime, ndaj ajo ka derdhur gjakun si “ boja”; c. Familja Bojaxhiu ishte marrë me tregti, me shitjen mallrave të ndryshme dhe ndër të tjera edhe me shitjen e ngjyrave që me gjuhën e atëhershme të popullit u kanë thënë “ bojna – ngjyrëra”.
Kujtimet e hershme për prejardhjen e familjes së Nënës Terezë, Bojaxhiu dëshmojnë se familja e ngushtë e Ganxhe Bojaxhiut, pra nga babai dhe nëna ishte nga Prizreni. Në fakt, legjenda për familjen Bojaxhiu, dëshmon se kjo familje ishte marrë me tregti dhe kishte qenë shumë e njohur. Të parët e familjes Bojaxhiu, gjithnjë nga Prizreni, zejen e tregtisë e kishin zhvilluar, përhapur deri në Egjipt, pastaj në Shkodër ku ishin vendosur edhe me vendbanime, dhe natyrisht në Prizren ku e kishin qendrën. Vëllau i Gonxhe Bojaxhiut, lari duke shpallur kujtimet lidhur me origjinën e familjes Bojaxhiu dëshmonte:” Familja jonë ka qenë prore e sigurtë dhe e bindur se vendi i origjinës së saj është Prizreni…Kujtimin për Prizrenin u mbajt gjithmonë i gjallë”.
Gjithashtu, ka disa shpjegime edhe lidhur me arsyet se përse kjo familje e madhe shqiptare kishte bërë aq shumë shtegtime. Ndër arsye përmenden, interesimet e të parëve të Bojaxhive për të bërë sa më shumë tregti, pra në vende të njohura tregtare, pastaj arsyeja e shtegtimeve se në vitet 1850 – 1855 Prizrenin e kishte përfshirë sëmundja e kolerës, dhe ndër faktorët tjerë të shtegtimeve të kësaj familje përmendet persekutimi që regjimi pushtues Osman ju kishte bërë shqiptarëve të besimit katolik.
Është e mundur që, pikërisht për arsye të çështjeve tregtare, familja e Age Bojaxhiut – Nënës Terezë të jetë shpërngulur nga Prizreni në Shkup pra diku në fillim të shek. XX. Lazër Bojaxhiu, vëllau i Nënës Terezë, rrëfente se së bashku me familjen e Kolë Bojaxhiut në Shkup ishte shpërngulur edhe e ëma e Kolës, Çeçile ( gjyshja Cilja). Ajo fillimisht m kishte ndihmuar Kolën, në fushën e tregtisë sepse ai ishte ende i ri dhe i pa përvojë. Lazri kujton:”…menjëherë pas arritjes në Shkup, Gjyshe Çilja bleu një shtëpi. Nëna e babait tim, gjyshe Çilja ishte tregtare, sikurse i shoqi i saj Lazri…derisa gjyshja përkujdesej për punë të biznesit…”.
Shkupi, në fillim të shekullit e nëntëmbëdhjetë ishte një qendër e njohur administrative, kulturore dhe tregtare e shqiptarëve. Kjo pavarësisht se në ato vite Shkupi ishte nën sovranitetin e Perandorisë pushtuese Osmane, ky qytet ishte shndërruar në qendër të rëndësishme të kulturës, tregtisë dhe traditës shqiptare. Në Shkup ishte qendra e arqipeshkvisë e cila qendër ishte mjaft aktive në jetën kulturore, fetare dhe atdhetare të popullit tonë. Ndryshe edhe gjyshja dhe gjyshi i Age Bojaxhiut kishin qenë tregtarë. Me të arritur në Shkup, babai i Ganxhe Bojaxhiut, Kola, kishte blerë një shtëpi për familjen.
Kolë Bojaxhiu (1875 – 1819) me të arritur dhe me tu vendosur me familje në Shkup, kishte vazhduar traditën familjare në tregti. Madje thuhet se Kolë Bojaxhiu kishte qenë një tregtar në zë, i cili në fushën e tregtisë kishte bashkëpunuar edhe me një mjek të njohur shkupjan, në shitjen e barërave. Kolë Bojaxhiu kishte bashkëpunuar ngushtësisht, në fushën tregtisë edhe me një tregtar italian i cili ishte nga Venediku. Ai kishte udhëtuar shumë dhe kishte vizituar shumë vende të Evropës. Sipas kujtimeve të Lazër Bojaxhiut, vëllait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, del se Kolë Bajaxhiu kishte qenë një burrë shqiptar me shpirt fisnik, njëherit shpirt atdhetar. Ai kishte pasur një afërs më të madhe me të bijën e tij të parë, Agëjen, kurse e ema e Age Bojaxhiut, Dranja ishte më e afërt me Gonxhen dhe me Lazrin. Kolë Bojaxhiu kishte qenë një personalitet i nderuar, shumë i përkushtuar familjes nga e cila kërkonte shumë. Ai shquhej për bujari dhe krenohej me traditën e të parëve të familjes Bojaxhiu. Ndaj shpesh e kishte zakon tu thoshte fëmijëve: “Kujtoni se bijtë e kujt jeni”! Bujaria e tij shquhej në ato rrethana historike ku mbretëronte skamja. Kolë Bojaxhiu, aso kohe tregtar i pasur i ndërgjegjshëm se nuk i mjafton vetëm lumturia e tij, shpesh ju shpërndante ndihma, madje edhe në të holla, ushqime etj, më të varfërve, skamnorëve. Është më se e saktë se familja e Kolë Bojaxhiut ishte jo vetëm ekonomikisht e fuqishme, por para së gjithash shpirtërisht, duke qenë shtëpi e hapur dhe e përbashkët edhe për të varfrit dhe skamnorët. Fëmijët, Agen, Lazrin, dhe Gonxhen i kishte edukuar në frymën e humanizmit të thellë njerëzor duke ju thënë që secilin skamnor që troket në dyert e familjes Bojaxhiu ta presin mirë, me dashuri dhe me respekt. Pra, Gonxhe Bojaxhiu pati fatin që nga fëmijëria e saj e hershme të edukohej në frymën e traditës dhe të bujarisë së lashtë shqiptare që të ndihmonte secilin, në veçanti ata që janë të varfër, jetima, të lënë në harresë të familjes, të afërmëve, të shoqërise, pra përgjithësisht ata që vuajnë materialisht dhe shpirtërisht.
Do të kalonin vite dhe vite, e Nëna Terezë, pasi ishte bërë emër dhe sinonim i Nënës së të varfërve, e kujtonte porositë e babait të vet:” Baba Kolë më thoshte: Bija ime, kurrë mos e shtie as një kafshatë në gojë pa e nda me të tjerët”. Kurse i vëllau i saj Lazri poashtu, duke i kujtuar udhëzimet e babait të tij, atëherë kur atij i jepte para, veshmbathje apo ushqime për skamnorët, kujton ti ketë thënë: “Shko tek kjo familje. Mos të shohë askush. Nëse e gjen dritaren e hapur, hidhi gjërat brendë dhe ikë me të shpejt” Ai tregon se këto veprime humanitare dhe bamirëse , së bashku me motrat Agen dhe Gonxhen i kishte bërë shpesh herë. Sigurisht se, shembujt e tillë dhanë frymëzim shpirtëror Nënës Terezë, asaj Gonxhe Bojaxhiut të re e cila thellë në shpirt e ndjente dashurinë për skamnorët, për të pa shpresët, për të vuajturit e kësaj bote.
Kuptohet familja e Gonxhe Bojaxhiut gjithmonë kishte qenë e lidhur ngushtë me kishën, ma famulli, pran të cilës ndodhej edhe shtëpia e Kolë Bojaxhiut. Lazër Mjeda, i cili nga viti 1909 e kishte drejtuar Arqipeshkvinë e Shkupit – Prizrenit, por edhe don Zef Ramaj famullitar ishin mysafirë të shpeshtë të familjes Bojaxhiu. Sipas kujtimeve të fëmijëve të Kolë Bojaxhit, ai kishte qenë një besimtar i devotshëm, fetar i denj dhe shumë i zellshëm e i përkushtuar për Kishën katolike. Sigurisht se në rrethanat e një dashurie të madhe pridnore, familijarem njerëzore dhe dashurie të Zotit, edhe Ganxhe Bojaxhiu i mori frymëzimet e para dhe shumë besnike për rrugën e bamirësisë, rrugën e mëshirës, rrugën e Zotit. Shumë vite më vonë ajo, duke kujtuar ato vite të herëshme të frymëzimit me dashurinë në Zotin dhe në njeriun, kujtonte:” Kemi qenë një familje tejet e lumtur, me plot gëzim dhe dashuri, me një fëmijëri të qetë. Edhe pse e kam vijuar një shkollë jokatolike, familja dhe më vonë famullia ma ka dhënë një edukim të shëndoshë dhe të thellë fetar”. Edhe i vëllau i Nënë Terezë, Lazri ruante kujtimet e këndshme për ngrohtësinë familjare :” Një familje e qetë, e lumtur, e gëzueshme. Kurrë nuk kam parë apo ndie hidhërime, bërtimë. E kemi dashur shumë njëri tjetrin…”.
Kolë Bojaxhiu ishte shquar edhe për ndjenjën dhe shpirtin atdhetar. Ai i përcillte lëvizjet politike kombëtare të kohës, përpjekjet për çlirim nga sundimi Osman dhe për themelimin e shtetit shqiptar. Në vitin 1912 kishte pasur rastin që ë shtëpinë e tij të, priste disa nga krerët e Lëvizjës sonë kombëtare për çlirim, e të cilët kishin marrë pjesë në çlirimin e Shkupit, Bajram Currin, Zefin e Vogël dhe patriotë tjerë.
Kolë Bojaxhiu kishte ndërru jetë, pas kthimit nga një takim në Beograd, pra në vitin 1918 ku kishte marë pjesë së bashku me parinë e Shkupit. Ishte kthyer i sëmurë, të nesërmen i ishe nënshtruar një intervenimi kirurgjik kurse një ditë më pas kishte ndërru jetë. Kishte vdekur nga emoragjia dhe vdekja e tij gjithmonë kishte sjellur dyshime.
Nëna e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, Drane Bojaxhiu ( 1885 – 1972 ) pas vdekjes së të shoqit, Kolës, ngeli e vetme të kujdesej për tre fëmijët. Agëja, bija më e madhe kishte 14 vjeç, Lazri i biri kishte 11 vjeça dhe Gonxhja ishte 8 vjeç. Gjithsesi nuk ishte e është të përballonte stuhitë e jetës, në ato rrethana, por Drane Bojaxhiu, një bashkëshorte e mrekullueshme, nënë shumë e kujdesshme dhe e dashur, gruas me tipare të traditës shqiptare ia doli të mbijetonte dallgët e jetës. Sigurisht, e pajisur edhe me filozofinë krishtere, e vazhdoi jetën me tre fëmijët jetimë, duke punuar ditë dhe natë për një të ardhme më të mirë të tyre.
Emri Drane është emër i femrës shqiptare dhe ky emër edhe sot gjendet te shqiptarët e besimit katolik. Në fakt emri i Dranes në pagëzim është Roza Bernaj, ndaj emri Drane ishte emër me të cilin e kishin pagëzuar prindërit e saj. Gjithsesi emri Drane është absolutisht emër autokton shqiptar.
Drane Bojaxhiu, e cila siç dihet kishte pasur ndikim të madh në edukimin shpirtëror të Gonxhes, ishte me nga familja Bernaj nga Prizreni, familje kjo e cila e kishte prejardhjen nga Fshati i Ri afër Gjakovës. Në kujtimet e të birit të saj të vetëm, Lazrit , Drane Bojaxhiu na paraqitet si një figurë markante e gruas shqiptare, një nënë e devotshme:” ishte një grua e qëndrueshme, aktive, shumë e fortë, e pathyeshme. E butë, e dashur, shumë bujare, zemër për të varfër, tejet e dëvoçme. Më duket se Gonxhja është shumë e ngjashme me Nënën Loke. Gjithnjë e zbuloi si nënë të vërtetë. Ishte shumë serioze, me plot disiplinë, dinte, ta mbajë rregullin në shtëpi…Na ka edukuar shumë mirë, me pak fjalë, por me jetë, me shembull. Asgjë nuk na ka lënë t’ na mungojë kurrë. Posaçërisht më kujtohet përshpirtshmëria e saj. Për çdo mbrëmje të gjithë ishim të bashkuar në lutje – uratë. Në muajin e majit të gjithë së bashku shkonim në kishë, në mbrëmje, për ta thënë pjesën e rruzarës dhe për litani”. Drane Bojaxhiu, gjithashtu kishte një shpirt të dlirë dhe shumë njerëzor, që rrezatonte me butësi dhe dashuri ndaj njeriut e ndaj Zotit. Ajo, sipas kujtimeve të Lazrit, ishte shumë e ndjeshme ndaj të varfërve, prandaj i porosiste fëmijët e vet:”Dhe nëna, me gjithë punët e shtëpisë, gjente kohë edhe për të shkuar e për të vizituar të sëmurët në qytet, për t’u çuar veshje të varfërve. Shpesh shkonim edhe ne fëmijët Ju jeni me fat. Keni shtëpi të bukur, bukë e veshje, po nuk duhet të harroni se ka shumë njerëz që vuajnë për bukë dhe fëmijë që nuk kanë me se të vishen dhe kur sëmuren nuk kanë as barna për tu shëruar”.
Sidomos ishte i veçantë kujdesi i madh i Drane Bojaxhiut ndaj të varfërve. Lidhur me kujdesin e saj ndaj skamnorëve, Nëna Tereze kishte thënë:” Shumë të varfër të Shkupit apo të rrethinës e dinin derën tonë. Kurrë nuk ka dalur askush duar zbrazët. Çdo vit vinin para sille ose mbas dhe hanin bukë tek ne. Në fillim unë e pyesja Nënën Loke: kush janë këta njerëz? Ajo më përgjigjej: disa të afërm tanë, disa dajë. Pak më vonë, kur u rrita, kuptova se këta ishin njerëz të varfër, s’ kishin asgjë, pra Nëna Loke iu bënte gati ushqimin…”. Dhe, siç i kujtohej Nënës Terezë, ky kujdes i madh i Drane Bojaxhiut ndaj skamnorëve, ndodhte çdo ditë. Nga ai kujdes, nga shembujt e tillë të bamirësisë u frymëzua, shpirtërisht u edukua edhe Gonxhe Bojaxhiu. Por, e mira e saj ishte fare modeste, ajo nuk dëshironte që për atë të merrte lëvdata. Prandaj, edhe Gonxhe Bojaxhiut, të bijës së saj të vogël shpesh i kishte thënë se duhet bërë të mirën duke mos kërkuar shpërblim. Në këtë kontekst, me të drejtë biografi i Nënës Terezë, Dr. don Lush Gjergji konstaton se :”…tharmin, farën e thirrjes për të varfër, për të mjeruar, ajo e mori në gjirin familjar, bashkë me qumështin e Nënës, u rrit në fe dhe në dashuri”. Del qartë se, edukimi shpirtëror i Nënës Terezë, ka buruar nga edukata në familje, nga fjalët dhe veprat e bamirësisë së nënës së saj, Dranes. Për këtë na dëshmon edhe kujtimi i Lazrit:” Ishte shumë fetare. Mendoj se Gonxhja i ngjan shumë. Gjithmonë gjej tipare dhe veçori të përbashkëta”.
Drane Bojaxhiu e përkushtuar mirësisë së Zotit, bekimit të tij, për çdo vit i merrte tre fëmijët dhe shkonin së bashku te shenjtërorja e Letnicës, Zonja Cërnagore. Gëzimi i familjes Bojaxhiu, të prirë nga nëna Drane, kur e prisnin festën e Zonjës ishte i jashtëzakonshëm, sepse me atë rast edhe një herë ata ishin së bashku. Gonxhe Bojaxhiu, ndërsa shpeshherë edhe e zbathur, shkonte dhe përulej para trupores së Zonjës Cërnagore.
Stuhitë e jetës, edhe për familjen Bojaxhiu ishin të vështira dhe shpesh herë të pamëshirshme. Nuk kaluan shumë vite dhe Drane Bojaxhiu ngeli të jetonte vetëm me Agën, të bijën e madhe. Lazri, i biri më 1924 shkoi për studime në Grac të Austrisë, Gonxhja në vitin 1928 u nis për në Indi, në misionin për motër – murgeshë. Në vitin 1932 Agëja shkoi në Shqipëri ku sapo ishte kthyer nga Graci edhe i vëllai Lazri. Jeta e familjes Bojaxhiu po përplitej me sfida të reja. Agëja dhe Lazri duke parë se nëna Drane kishte ngelur e vetme në Shkup insistuan që edhe ajo të shkonte në Shqipëri. Në vitin 1934 Drane Bojaxhiu iu bashkëngjit Ages dhe Lazrit në Tiranë. Lazri, shumë vite më vonë pasi do të kalonte në Itali kujtonte:” …Kur e pashë prej së largu, vrapova, e gusha me mall dhe dashuri…”. Sipas rrëfimit të tij, Dranja, pas arritjes në Shqipëri ishte lumturuar për dy gjëra: për arsye se ishte bashkuar me të birin dhe me të bijën e madhe dhe për arsye se, bija e saj e dytë, Gonxhe Bojaxhiu ishte bërë murgeshë. Por, do të kalonin shumë e shumë vite të përziera me mall dhe me vuajtje e Drane Bojxahiu kurrë më nuk do ta shihte Gonxhen e vogël, Nënën Terezë, e cila u bë Nënë e gjithë të vuajturve të botës! Drane Bojaxhiu, ndërroi jetë në Tiranë, në vitin 1972 në kushte jashtëzakonisht të mjerueshme. Të kota kishin qenë lutjet e saj që ti lejohet të del jashtë atdheut komunist dhe ateist për ta parë vetëm një herë Gonxhen.
VIJOIN …
_________________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (I)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10437