Prishtinë, 11 shtator 2020: Një jetë me Zotin
Pas afro njëzet vjet pune si misionare, atëherë kur emri i Nënës Terezë ishte bërë i njohur edhe jashtë Kalkutës dhe Indisë, kur veprat e bamirësisë po pushtonin zemrat e njerëzve, kur gjithnjë e më shumë, po bëhej e qartë se njeriu për njeriun nuk duhet të jetë më ujk, por të afrojë ndihmë dhe dashuri vëllazërore, përkushtim dhe gatishmëri për sakrificë ku lumturia e secilit do të jetë kusht për lumturinë e tjerëve, në mënyrë spontane lindi dhe u rrit noviciati i parë. Nëna Terezë kishte nderin që të ishte magjistra – mësuesja e parë e këtij noviciati.
Pikërisht në këtë kohë, Nëna Terezë e ndërmori edhe një hap të rëndësishëm, kolosal për humanizmin njerëzor. Ajo doli në mbrojtjen e mjerimit, për të luftuar dhe për tu angazhuar për një botë të re, më të mirë seç ishte ajo e kohës së atyre viteve. Ajo konsideronte se është edhe në filozofinë e thirrjes së Zotit që tu dilet në ndihmë të varfërve, të pafatve, të lënëve rrugëve të jetës e të botës, të harruarve nga shoqëria. Sepse, sipas Nënës Terezë të gjithë njerëzit në këtë botë janë të barabartë para Zotit dhe meritojnë respektin, dashurinë e tij. Mesazhi i saj për barazi sociale me njerëzve në mbarë botën ishte shumë kuptimplotë:”.. Padrejtësia më e madhe kundër të varfërve është jo respekti, përbuzja jonë…Vetëm atëherë kur të pasurit ndajnë pasurinë e tyre me të varfëritë, ata do të jenë edhe vetë të lumtur dhe të qetë…Zoti nuk e ka krijuar varfërinë, ne jemi ata që e kemi krijuar: përpara Zotit të gjithë ne jemi të varfër”. Prandaj, Nëna Terezë ngiste zërin e drejtësisë dhe paqes në këtë botë:” Atje ku gjenden të varfër duhet të jemi ne. Ne të gjithë duhet të ndihmojmë të varfëritë, të pafuqishmit e botës, për të cilët ne nuk duhet të japim vetëm ndihmë materiale, por, mbi të gjitha, dashurinë tonë, vete tonë, interesimin tonë për jetën e tyre”. Ata, sipas saj kanë nevojë për shpresën e re për jetë dhe për guximin para skamjes, varfërisë, madje edhe para vdekjes. Sa kuptimplote ishte thënia e saj dhënë në ato vite :“Shërbimi i të varfërve ndër më të varfrit, të gjitha klasëve dhe feve…Në ta lypset njohur Zotin i cili vuan…”.Që në ato vite, në shpirtin e Nënës Terezë, kishte diçka të veçantë sa i përket filozofisë moderne të njeriut bashkëkohor i cili po vuante jo vetëm në aspektin ekzistencial. Ajo e ndjente fuqishëm se dhimbja, vuajtja më e madhe e njerëzimit nuk ishte vetëm mjerimi social, vetëm varfëria, vetë, sëmundjet siç ishte edhe gërbulja, por se botën dhe njerëzimin po e mundonte edhe vuajtja shpirtërore, veçmas ndjenja e të qenurit i dëbuar dhe i përbuzur nga vetë njeriu. Sidomos ata persona që ishin të dëbuar nga vetë familja, shoqëria, që u mungonte dashuria elementare njerëzore, e njeriut për njeriun. Edhe në këtë kuptim, Nëna Terezë me filozofinë e saj thellësisht të re dhe universale e kishte ri ngritur dilemën hamletiane : Të jesh ose të mos jesh, në një botë të tillë, kur të pasurit po pasuroheshin e të varfëritë po varfëroheshin, kur të parët po i lenin në harresë dhe në vetmi e mjerim këta të dytët vetëm e vetëm pse nuk ishin të pasur si ata vetë. Prandaj, Nëna Terezë me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt e ngrit zërin e ndërgjegjes së njerëzimit:” Nuk duhet të lejojmë që askush të ndahet prej nesh pa e pas ndie veten si më i lumtur, më i mirë. Ndër të sëmurë ne do të jemi si rreze e mirësisë së Zotit. Buzëqeshja e jonë duhet të jetë gjithmonë e gatshme për çdo fëmijë që e pranojmë, i ndihmojmë, për çdo të sëmurë apo të lërë anësh….Tepër pak, asgjë s’do t’ishte t’iu japim atyre vetëm mjekime: ne do t’ju japim atyre zemrën tonë”. Ajo ishte edhe më ekskluzive kur shprehej:”…Në Kungim Jezu Krishti e ka trajtën e bukës, ndërsa në botën e mjerimit, ku njerëzit janë plot varrë, vuajtje, ne e njohim Krishtin, e prekim, e lajmë, i shërbejmë në këta njerëz…Të varfëritë janë për ne dhuntia e Zotit; ata janë dashuria e jonë…”. Për Nënën Terezë dhe pikëpamjet e saj në këtë botë “ Ka shumë lloje varfërie, edhe më e vështirë është varfëria shpirtërore, që e takojmë në Evropë, në Amerikë…”.
Në të vërtetë, duke mos dashur të imponohej, Nëna Terezë proklamonte modestinë e jashtëzakonshme, hyjnore për të treguar se ajo nuk bën asgjë të veçantë veçse është në shërbim të Zotit:”Unë nuk bëj gjë. Është Zoti ai që i bën të gjitha. Është Ai që përdor varfërinë time për të treguar begatinë e vet, jetën time për të dhuruar jetën e vet, dashurinë e Tij të madhe për të gjithë, sidomos për ata që vuajnë”. Dhe, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë :”Njeriu nuk mund ta dojë Zotin pa mund, sepse çdo dashuri e vërtetë na bën të vuajmë. Njeriu nuk mund ta dojë Zotin nëse kjo nuk bëhet në vetëflijim”.
S’ka dyshim se, me një filozofi të tillë Nëna Terezë u ngrit në një personalitet madhor të kohës dhe epokës në të cilën jetoi. Ajo, përhapi vizionin e ri për një botë të re, me më pak vuajtje, luftëra, padrejtësi, me më pak dallime sociale klasore Ajo dëshmoi se liria e njerëzimit dhe dashuria njerëzore janë qëllime themelore të njeriut. Nga ana tjetër, me fjalët, veprat dhe porositë dëshmoi se çfarë në të vërtetë do të thotë të jetojmë me Zotin dhe pranë tij, pra gjithnjë në dobi të njeriut pa dallim feje, race, klase, ngjare, ideologjie, krejt kjo në shërbim të njeriut. Ajo mësoi si duhet tjetri më tepër se vetja, si bëhet flijimi për të tjetër, për të mirën dhe për lumturinë e tyre. Misioni i saj vërtet ishte i jashtëzakonshëm, sepse u përpoq që edhe dallimet në shoqëri të zvogëloj, që me këtë të mbronte dinjitetin e nëpërkëmbur të njeriut bashkëkohor. Ajo mbronte pikëpamjen se gjithmonë para njerëzimit paraqiten sfida të mëdha në fushën e dashurisë njerëzore dhe të dashurisë dhe të devotshmërisë ndaj njëri tjetrit se njerëzimit i duhet energji e jashtëzakonshme e njeriut për njeriun, që ideali i njeriut të mos bie në errësirë, por që këtë gjithnjë e më tepër dëshmitarë të ri dhe të shumtë. Prandaj, Nëna Terezë, në të gjitha periudhat e veprimtarisë së saj u ngrit si një apostull i vërtetë i vëllazërimit dhe i pajtimit të njerëzve anë e mbanë botës. Nëna Terezë jetoi dhe veproi në një shoqëri e cila tmerrësisht ishte dhe është e mbështetur në zotërimin tiranik të të hollave. Ajo i tregoi botës, njerëzimit se nuk është e drejtë që problemi i zhvillimit, përparimit të shoqërisë bashkëkohore dhe i njerëzimit mbarë të shikohet vetëm nga aspekti financiar. Nëna Terezë sa e sa herë i kishte bërë të ditur njerëzimit se, baza e paqes është në drejtësi, por edhe drejtësia duhet të jetë e përcjellë nga dashuria dhe se vetëm drejtësia pa dashuri njerëzore, pa dashuri dhe besnikëri ndaj Zotit nuk mjafton, se, gjithnjë sipas Nënës Terezë “…sëmundja më e rëndë është ajo se njerëzit nuk e duan më njëri tjetrin…”. Ndërsa, kur i kërkonin të fliste për fuqinë e humanizmin të saj, ajo, ishte skajshmërish modeste :” Unë nuk jam asgjë, askush, por dua ta marr dashurinë e Zotit dhe solidaritetin e tij në botën e mjerimit, vuajtjes dhe harresës”.
Viti 1975 paraqet edhe një vit kthese për aktivitetin bamirës të ”Misionareve të Dashurisë”, sepse ato e fituan edhe një shtëpi për aktivitetin e tyre humanitar. Këtë ndihmë ua kishte dhënë vet qeveria lokale në Kalkutë, përfaqësuesit e të cilës më në fund kishin kuptuar qartë se në shtëpitë e “Misionareve të dashurisë” po vepronte një hyjneshë e gjallë – Nëna Terezë. Nëna Terezë, duke mos u mjaftuar vetëm për ndihmat dhe kujdesin për të varfëritë, për ata që i kishin humbur të gjitha shpresat e kësaj bote, i kishte hyrë misionit të ri, përkatësisht themelimit të shtëpisë për fëmijët e përjashtuar nga familjet dhen nga shoqëria, për fëmijët jetimë, pastaj për fëmijët e hendikepuar, pra përgjithësisht për ato kategori të fëmijëve për të cilët askush nuk kujdesej. Shtëpia e re, e cila iu ofronte jo vetëm kujdes shëndetësor, social por edhe dashuri njerëzore u hap me emrin “ Shishu Bhavas” ( Shtëpi për fëmijë). Ishte viti 1955, kur nis punën kjo shtëpi e fëmijëve në të cilën gjeten strehim madje edhe foshnjat e porsalindur të braktisura nga prindërit e tyre të cilët i deklaronin fëmijët e tyre të porsalindur si të padëshiruar. Nëna Terezë me bashkëpunëtoret e veta, motrat – misionare vizitonte rrugë të tëra të qytetit dhe mblidhte fëmijë të braktisur, ndër të cilët kishte pasur edhe raste që ishin gjetur nëpër kontinier bërllogu. Në fakt, me këtë mision të jashtëzakonshëm dashuria njerëzore dhe dashurie të Zotit, Nëna Terezë po ngrihej kundër imoralitetit dhe pa shpirtësis së skajshme të kësaj bote, që po e injoronte vet njeriun, të sapolindurin dhe po e hidhte nëpër kontenijer bërlloku! Shtëpitë e fëmijëve, kështu u shndërruan në çerdhe të dashurisë. Prandaj Nëna Terezë, duken i pasur gjithmonë në zemër e në shpirt vuajtjet e këtyre kategorive të fëmijëve, jetima për dashuri, thoshte :”Gjithmonë e kemi të gatshëm edhe një vend, edhe një shtrat edhe për një fëmijë”! Mision po aq humanitar dhe i shenjtë Nënës Terezë ishte edhe lufta kundër sëmundjes së quajtur gërbul (sëmundje që shëmton njeriun, shfrytëzim ) dhe kujdesi për këtë kategori të të sëmurëve. Sëmundja e gërbulës në veçanti është e përhapur në Indi dhe sipas disa statistikave vetëm në këtë vend ka mbi 4 milionë të sëmur nga gërbula, ndërsa numri i të sëmurëve nga kjo sëmundje në mbarë botën llogaritet të jetë mbi 20 milionë veta. Aktiviteti humanitar i Nënës Terezë dhe i bashkëpunëtoreve të saj në këtë fushë filloi që në vitin 1957 dhe llogaritet se,vetëm në Indi janë shëruar mijëra persona duke kaluar nëpër afro 80 qendra të mëdha për rehabilitimin e kësaj sëmundje. Një fushë tjetër e aktivitetit humanitar të Nënës Terezë ishte lufta për lindjen e njeriut të ri, ose siç do të thoshim lufta kundër abortusit. Nëna Terezë e cila shpesh kishte thënë se “Abortusi është fillimi i të këqijave në botë”, ishte ngritur me tërë shpirtin e saj kundër mospranimit të jetës ( dështimit), mbytjes së fëmijëve të pa lindur. Ajo e kuptonte se industrializimi dhe zhvillimi i jashtëzakonshëm tekniko – teknologjik i njerëzimit bashkëkohor, këtij po i sjell edhe shumë pasoja dhe dëme shpirtërore, që në esencë po e degjenerojnë njeriun bashkëkohor dhe po e largojnë gjithnjë e më tepër nga Zoti dhe nga dashuria për njeriun. Ndaj, ajo, e cila me gjithë shpirt ishte në shërbim të dashurisë dhe kujdesit për të varfëritë, të sëmurët, të lënët në harresë e në vetmi, u deklaruar kundër abortit dhe për të drejtën e fëmijëve të pa lindur në jetë. Ajo e shpalli botërisht se aborti është vrasje e fëmijëve, vrasje e ardhmërisë së njerëzimit bashkëkohor, se është sëmundja dhe varri i shekullit XX. Abortusi, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë paraqet padrejtësi të madhe ndaj vet njeriut të pa lindur, dhe rrezikun e madh për njerëzimin, për shkatërrimin dhe degjenerimin e tij. Në prill të vitit 1977 kishte deklaruar :” …Abortusi është vrasje në kraharorin e nënës, është një mëkat i rëndë kundër urdhrit të pestë “Mos vra!” Nëna Terezë kritikonte hapur ato shoqëri moderne të cilat kishin legalizuar, institucionalisht abortusin. Prandaj, qeverive të atyre vendeve dhe mendjeve të atyre kombeve iu tërhoqi vërejtjen me fjalët:” Abortusi është një shenjë e qartë se vendi që e pranon dhe njerëzit e tillë që e bëjnë janë të varfër në shpirt, që dmth. Se njerëzit kanë frikë për të ushqyer edhe një fëmijë, prandaj më parë se të lindin e mbysin”. Ishte ky nderim për jetën, ishte kjo filozofia e Nënës Terezë se njeriu i sapolindur është dhurata më e madhe që Zoti i jep njerëzimit Dhe, edhe në një fjalim të saj të mbajtur në Milano, në stadiumin San Siro, para më se 100. 000 të pranishme ajo riperseriti:”Jeta e fëmijës së pa lindur është një dhuratë e Zotit, dhurata më e madhe që Zoti mund t’ia bëjë një familje njerëzore. Sot ka shumë vende në botë që e përdorin abortusin, sterilizimin dhe mjetet tjera për t’iu shmangur jetës, për ta mbytur jetën në fillimet e saja: kjo është shenja më evidente se këta janë popujt më të varfër ndër të varfëritë, sepse nuk kanë guxim ta pranojnë edhe një jetë më tepër”. Duke i bërë thirrje njerëzimit edhe për një jetë më tepër, pra kundër abortusit, Nëna Terezë shprehej :” Jo, unë nuk mund të shukatem, por do t’i them dy gjëra: e para është kjo: jeta është dhuntia e Zotit dhe e dyta që abortusi është vrasje”.
VIJON…
____________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (IV)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10472