Musa Sabedini: Jeta në mesin e të barabartëve dhe këshillat e Anthony Fauci

Prishtinë, 30 shtator 2020: Pandemia e njohur si COVID 19 na ka dhënë shumë shembuj dhe përvojë se jeta është e tillë për aq sa ke hapësirë veprimi e jetese. Tashmë jemi të gjithë të barabartë, sepse virusi po godet të gjitha shtresat. Pse janë të logjikshme deklarimet e Anthony Faucit dhe pse mediat duhet të jenë të kujdesshme në raportimet e tyre. Vjeshta dhe dimri mund të jenë edhe më sfiduese për mediat kosovare, sepse termet e raportimit kërkojnë logjikë të shprehjes. Mediet e kanë lodhur publikun duke ofruar lloj-lloj eksperti e duke krijuar konfuzione të çuditshme. Fauci lehtësisht e ka ndryshuar qëndrimin e tij profesional nga “Vala e dytë” në “Sfidë”. A duhet mediat kosovare të ndjekin këshillat e Faucit?!
Kur doli në skenë virusi vdekjeprurës me shumë të panjohura, ishte një sfidë e re edhe për të gjitha shtresat dhe kategoritë brenda popullit. Tashmë po mësohemi të jetojmë e veprojmë në kushte të barabarta. Virusi nuk po njeh as paranë, as miliarderë, as milionerë, as pushtet e as presion. Gati veçse jemi mësuar të jetojmë në mesin e të barabartëve dhe kjo do të jetë një përvojë e mirë për shekujt vijues.
Pandemia na dha mundësi të njohim ekspertë, virologë, infektologë, epidemiologë, mikrobiologë, kimistë, farmacistë, politikanë, të gjithë në stilin e tyre duke dhënë vlerësime e duke ofruar alternativa. Shumica pothuajse kanë dështuar, sepse realisht virusi nuk linte asnjë mundësi për ndonjë parashikim emergjent.
Këta ekspertët tanë realisht vetëm munden me u marrë me statistika se sa dhe kush po vdes gjatë ditës, sepse për të pasur ndonjë rezultat studimor, duhet të rrinë larg politikës e larg konferencave të shtypit.
T`i kthehem asaj çfarë do dua të them me pak fjalë rreth autoritetit të ekspertit të lartë të sëmundjeve infektive Anthony Fauci. Edhe ky ekspert bëri jo pak herë deklarata të pamatura dhe shpesh të nxituara, por megjithatë bota dhe Trump shpresat i kishin tek versioni i tij, i cili shpesh konsiderohej edhe ekstrem.
Fauci duke parë ndjeshmërinë që kanë deklaratat e njerëzve kompetent në stilin:”Vjeshta nis me fazën e dytë të pandemisë”, ose “Vendi po përgatitet për valën e dytë” e shumë tituj të tillë të ngjashëm, të cilët po e terrorizojnë publikun, vendosi që të bëjë një hap para në deklarimet e tija publike. Fauci po sugjeron që në vend se të thuhet “Vala e dytë” të zëvendësohet me termin: ”A jemi të përgatitur për sfidën e vjeshtës dhe dimrit?”.
Realisht deklarata e Faucit i përshtatet shumë medieve dhe raportimeve të tyre shpesh herë të ngutshme dhe neveritësese. Mediet online, në veçanti duhet të mësojnë, të edukohen, të përshtaten me realitetin që është krijuar tash e gjashtë muaj. Mediet duhet të kujdesën për shëndetin e popullatës më shumë se mjeku dhe sfera shëndetësore. Publiku shpesh ka nevojë edhe për ndonjë tekst të butë, të drejtë, këshillëdhënës, edukues gjithsesi, këshilla profesionale, sesa tekste dhe tituj bombastik që ndikojnë negativisht në psikikën e qytetarëve.
Media në përgjithësi duhet të përzgjedh fjalorin gjatë raportimit, duhet të ketë kujdes maksimal nga ajo që publikohet dhe thuhet, është urgjente që media të krijojë një agjendë për mënyrën e raportimit, duke respektuar kriteret dhe standardet aktuale të mënyrës së raportimit.
Ne shpesh mendojmë se ekspertët tanë ose ata që janë të thirrur të japin konstatime profesionale janë të përgatitur dhe të sinqertë në atë që e thonë, por në fakt ka prej kësaj kategorie që shpesh ua kanë huqur në ekstrem. Aty ku për virusin mediet citojnë infermieret dhe politikanët, aty s`ka bereqet.
Pra, media ka obligim të jetë e përgjegjshme, e përgatitur në maksimum që sfida e vjeshtës dhe e dimrit të jetë më e lehtë dhe më shumë aktive në raportimet e drejta.
Kur media raporton drejtë, saktë, dhe në mënyrë objektive, i mbetet publikut pastaj ta vlerësojë se çfarë duhet të përzgjedhë. Ne edhe në kohën e pandemisë kemi krijuar diferenca gjatë raportimit. Qytetarët shpesh bëhen nervozë, reagojnë në mënyrë të ndryshme për raportimet tona dhe ata shpesh detyrohen që t`i përzgjedhin qoftë portalet, gazetat apo TV e Radiot si mjete të informimit dhe komunikimit.
Pse, sepse shpesh disa media online i kanë tejkaluar kufijtë e etikës dhe ndërgjegjes profesionale. Pra, bëhuni pjesë e raportimit profesional, bëhuni pjesë e raportimit të shëndoshë dhe të “ëmbël” e të saktë për publikun dhe lexuesin tuaj.
– Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura