Pashtriku, 5 tetor 2020:
Fjalë promovuese për librin e Mehmet Hajrizit: “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”
Prishtinë, më 25 prill 2008
***
Këto ditë, doli nga shtypi vepra më e re e Mehmet Hajrizit: “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”. Për organizatat ilegale të shqiptarëve të Kosovës, për Pranverën Studentore të vtit ’81, për të cilën, ndoshta më drejt do të ishte të thuhej: Lëvizja për Republikën e Kosovës, Republikë që e mundësoi të jetësohet vetëm Lufta çlirimtare e UÇK-së, janë shkruar disa libra, ndonëse jo në masën që e meriton ajo kohë e lavdishme e historisë sonë më të re. Libri i Mehmet Hajrizit është maja më e lartë e të gjithë librave që janë shkruar deri më tani për atë periudhë të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Është maja e tyre si për nga shtrimi e gjerësia e temës, për trajtimin shkencor që i bën asaj, për nga shumanshmërinë e çështjeve që shtjellon, për shumëllojshmërinë e burimeve që shqyrton, për analizën dhe përfundimet që i arrin në fund, përfundime dhe vlerësime të matura në peshore argjendari. Është libër me infrastrukturë të pasur shkencore, që duhet pasur zili edhe historiani më profesionist dhe jo vetëm për ketë. Libri nga fillimi e deri në fund është shkruar me përkushtim për një periudhë historike që është taban i fuqishëm i gjithë zhvillimeve politike të dy dekadave të fundit, i dekadës së dhjetë të shekullit XX dhe i dekadës së parë të shekullit XXI. Ajo ishte koha më e artë e edukimit politik, revolucionar, atdhetar dhe demokratik të një gjenerate me gatishmëri të lartë guximi, angazhimi e flijimi për liri, për komb e për atdhe. Të një gjenerate që e “bënte vdekjen si me le”, si do të thoshte artisti popull. Edukimi i anëtarëve të organizatës, sipas autorit, bëhej me moton: “Çdo gjë për çështjen, asgjë mbi çështjen”. Këtu çështja është Atdheu, është liria, është çlirimi e bashkimi i kombit. Mbi të cilat, Lëvizja Kombëtare e shqiptarëve të Kosovës nuk vente asgjë. E veçanta tjetër e këtij libri është gjuha e pastër, e kuptueshme për shtresa të gjëra lexuesish, e thellë në trajtim për elitat e shkencës, veçmas për të gjithë ata që dëshirojnë ta trajtojnë shkencërisht historinë moderne të Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Libri është i ndare në tetë kapituj që secili e plotëson tjetrin duke e bërë librin aq voluminoz, një tërësi të këndshme e të lehtë për lexim. Autori, jo pa qëllim, në fillim të librit ka vendosur një citat të Ciceronit, i cili thotë: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”. Autori kësaj edhe i ka qëndruar besnik, por nuk e di sa është dëmtuar e vërteta nga autocensura, por edhe kjo është me masë. Si bukës që i duhet kripa, kripa me karar do të thoshte populli.
Autori, më ketë libër ka për qëllim të shkruajë për historinë e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, rolin e saj në luftën për Republikën e Kosovës. “Kosova, – thotë autori, nuk duhet ta heshtë historinë e vet, sepse e ka të pastër dhe të bujshme”. Dhe vërtet, historia e popullit shqiptar të Kosovës është e pastër si loti sa edhe ardhmëria e saj e sigurt. Tema, boshti kurrizor i këtij libri është historia e Grupit Revolucionar të Kosovës i cili më vonë do të shndërrohet në GMLK e më pastaj në Organizatë Marksiste Leniniste të Kosovës. Edhe autorë të tjerë kanë shkruar për këtë Organizatë atdhetare të ilegales, por në mungesë të fakteve nuk kishin arritur të thonë gjithë të vërtetën. Autori ka arritur me sukses të na japë historinë më autentike e më të plotë të kësaj Organizate që jo pak herë deri më sot janë përpjekur ta zhveshin nga karakteri çlirimtar e demokratik, duke i lënë vetëm skeletin ideologjik që në një masë edhe nuk i mungon. Ideologji mbi ideologji për organizatat ilegale të para luftës çlirimtare ishin: liria, çlirimi dhe bashkimi. Ideologjia që është përdorur nga ajo Organizatë, fillim e mbarim ka qenë në shërbim të çlirimit e të bashkimit të kombit që më 17 shkurt 2008 rezulton me Deklaratën e Pavarësisë. Jeta dhe peripecitë e shumta që i përjetoi autori, mbi 40 vjet veprimtari politike atdhetare, e edukuan për ta dashur të vërtetën, prandaj ajo (e vërteta) është e vetmja meritë që i jep dinjitet dhe vlerë historisë se gjeneratës së tij. Në hyrje të librit, autori me modesti thotë se GRK lidhet më emrin e atdhetarit të dëshmuar – Kadri Zeka, por e vërteta është, se emri i GRK e më vonë OMLK-ja, kanë qenë të lidhura ngushtë me emrat e Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Kadri Zekës, Kadri Osmanit, Xhafer Shatrit, Gani Sylës etj.
Në pjesën e parë të librit autori kryesisht merret me padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Traktati i fshehtë i Londrës, Konferenca e Versajës etj. Për ketë autori sjell dëshmi e argumente të shumta, të cilat i analizon me kujdes e përkushtim. Këto konferenca e traktate, kishin arritur të shkëpusin nga trungu i Shqipërisë Londineze më shumë se gjysmën e tokave të Shqipërisë, kur më shumë se gjysma e popullit shqiptar u detyrua të vazhdonte jetën nën kushtet e rënda të një robërie të re, më të egër se ajo nën Perandorinë Osmane. Populli shqiptar i trojeve të pushtuara, në asnjë kohë nuk u pajtua më robërinë e re. Ai kurrë nuk e ndali organizimin për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të pushtuara me atdheun mëmë – Shqipërinë. Shqipërisë dhe popullit shqiptar u ishte bërë një padrejtësi e madhe dhe historike, të cilën pjesërisht do të përpiqet ta korrigjojë në bisedimet e Vjenës edhe Presidenti Ahtisari në Dokumentin e tij Gjithëpërfshirës.
Në pjesën e radhës, autori merret kryesisht me historinë e organizimit të organizatave ilegale të pas viteve ‘60, e me përqendrim të shtuar te Grupi Revolucionar i Kosovës, anëtar e udhëheqës i të cilit ishte edhe vetë. Nga ky autor për herë të parë, në mënyrën më të plotë, më besnike e më të argumentuar arrijmë të mësojmë për mënyrat dhe format e organizimit të fshehtë revolucionar të pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Arrijmë të mësojmë për mënyrat e organizimit të propagandës së fshehtë me gojë dhe shkrime, për mënyrën e organizimit si edhe atë të qëndrimit nëse veprimtari do të zbulohej nga armiku. Shikuar në këtë aspekt, libri i Mehmet Hajrizit u shërben jo vetëm studentëve të shkencave humanitare, por edhe studiuesve të këtyre shkencave. Të gjitha organizatat në programet dhe statutet e tyre, në mënyrë të qarte shkruanin për qëllimin e tyre të organizimit dhe mënyrat si do ta realizonin qëllimin e tyre. Në ketë plan, të gjitha organizatat ilegale në Kosovë udhëhiqeshin nga Programi dhe Statuti i Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve, të projektuar nga udhëheqësi i saj – Adem Demaçi. Në nenin 2 të Statutit ai shkruante:” Lëvizja jonë, për më mbërrijtë qëllimin e naltpërmendun (bashkimin kombëtar), ka me përdor të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore, prej atyne politiko-propagandistike, mjete paqësore e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore, mjete jopaqësore”. Ngjashëm më këtë do të shkruhet edhe në faqen e parë të “Zërit të Kosovës” – organ i GRK, ku thuhet: “… Përmes tij (Zërit të Kosovës), do të përpiqemi t’i përgjigjemi flakë për flakë edhe përmes shtypit, luftës sonë të shenjte për çlirimin tonë kombëtar dhe bashkimin me atdheun tonë të dashur (Shqipërinë-vërejtja ime)…”. Ky ishte qëllimi politik i Lëvizjes atdhetare të shqiptarëve të Kosovës në kontinuitet, krejt deri në vjeshtën e vitit 1998, kur u shtrënguam nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm të përqendroheshim në kufijtë administrativë të Kosovës. Kjo nuk ishte hera parë, që Lëvizja Kombëtare po e reduktonte kërkesën e saj të bashkimit kombëtar.
Kapitulli i Tretë përqendrohet në rrethanat që i detyruan udhëheqësit e GRK të ndryshonin emrin në GMLK, përkatësisht në OMLK dhe në gjithë veprimtarinë e Organizatës. Risi në këtë libër kemi edhe tekstin, ndonëse jo të plotë, të betimit të cilin ishin të obliguar të bënin anëtarët e GRK-së e më vonë të OMLK-së, ku thuhet: “ Betohem para flamurit kombëtar dhe shokëve se do të jem anëtar besnik i radhëve të organizuara dhe luftëtar i devotshëm e i papërkulur deri në vdekje i çlirimit dhe i bashkimit të atdheut, do të zbatoj rregullat, disiplinën dhe konspiracionin, si dhe do të kryej me nder të gjitha detyrat që më besohen. Në qoftë se e tradhtoj Organizatën dhe idealet e lirisë, mos i shpëtofsha dorës së pamëshirshme të shokëve të mi”. Autori me të drejtë, në këtë kapitull e shpjegon arsyen e përdorimit të ideologjisë marksiste-leniniste nga organizatat atdhetare për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve. Autori shkruan: “ Lëvizja Kombëtare e Kosovës, ideologjinë marksiste që ishte në modë atëherë, e ka përdorur si kulturë dhe mjet për çlirim … Ta quajmë, marksizmi i Lëvizjes kishte karakterin njerëzor dhe çlirimtar, kurse marksizmi i pushtetit kishte karakterin sundues dhe totalitarist, që shkonte deri në fashizëm”. Te popujt që vuanin nga pushtues të ndryshëm kolonialë, siç vuante edhe populli ynë nga një pushtues klasik dhe i egër, orientimi në literaturën marksiste-leniniste ishte domosdoshmëri, se aty gjendej ushqimi shpirtëror i lirisë, se vetëm aty gjendej teoria dhe praktika më e mirë e organizimit revolucionar e nacionalçlirimtar. Në fund të fundit, shumica e shteteve të pavarësura pas Luftës së Dytë Botërore, janë udhëhequr e frymëzuar, në një formë a tjetër nga ajo ideologji. Në organizimin ilegal kishte disiplinë e vetëdisiplinë, kishte guxim e kulturë, kishte vendosmëri deri në vetëflijim, kishte moral e përgjegjësi, kishte konspiracion e ngritje të vazhdueshme intelektuale, teorike e praktike, kishte gatishmëri të vdisej për liri. Ja si deklaronte para gjyqit të armikut më 8 korrik 1982, më i riu i OMLK-së, Kadri Luzha: “ Dua të deklaroj para trupit gjykues që unë jam anëtari më i ri në moshë i kësaj Organizate, prandaj nuk kam shumë përvojë veprimtarie, por ju siguroj juve dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, se ju urrej thellë në zemër që nga fëmijëria ime dhe ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën”. Ky ishte ideali i gjeneratës që nisi luftën për liri, për çlirim e bashkim, ky ishte brezi që ndezi flakë ndjenjat e qindra e mijëra të rinjve që na sollën lirinë, pavarësinë e demokracinë, pas luftës së lavdishme çlirimtare të udhëhequr nga Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Adem Jashari.
Auditorium i nderuar
Keni parasysh, fjala e Kadri Luzhës, në gjykatoren e Qarkut të Prishtinës, u drejtohej: udhëheqësve politikë të kohës, hetuesve, prokurorëve, gjyqtarëve që i shërbenin me besnikëri pushtuesit të egër e barbar. Është për t’u habitur, se ata që në vitet ’80 ishin në krye të politikes kolaboracioniste, nuk arritën të shkëputen as pas 25 vjet. Ata asnjëherë nuk jetuan në kohën dhe hapësirën e duhur. Prandaj, mjerimi i përcolli kudo. Në kapitullin në vazhdim autori analizon shumë mirë ketë fenomen të çuditshëm.
Një kapitull i veçantë që mund të ishte edhe libër i veçantë është ai për Demonstratat e vitit 1981. Kërkesë bosht e këtyre ngjarjeve të mëdha të popullit shqiptar të Kosovës ishte Kosova Republikë, e cila në formë paksa më të zbehtë ishte shfaqur në Demonstratat e vitit 1968. Edhe për Demonstratat e vitit 1981, në asnjë rast tjetër deri me tani, nuk ka pasur një trajtim kaq serioz, argumentues, përmbajtjesor e analitik, siç i bën Mehmet Hajrizi – Pranverës Shqiptare të vitit 1981. Kur njeriu e lexon këtë vepër dhe ndalet e vështron shumë zhvillime të kohës sonë, prej atyre që përpiqen ta përvetësojnë, privatizojnë e personalizojnë a t’ia veshin dikujt për përfitime politike, deri te ata që shtetin e ri – Republikën e Kosovës e quajnë lindje bastarde, që do të thotë: lindje jashtë mitrës së saj të natyrshme – jashtë kombit shqiptar të Kosovës, s’ke si mos të mbushesh vrerë për këtë shkallë të papërgjegjësisë e të meskinitetit te një pjesë e “politikës” dhe të “inteligjencies” shqipfolëse në Kosovën e sotme. Kjo po të përkthehet shqip do të thotë: Vetë e keni fajin që po e njihni shtetin e Kosovës, “ketë fëmijë bastard”, të panatyrshëm dhe se Kosova s’kishte nevojë për të, apo qëndrimi tjetër se gjithçka fillon me ne, se pa ne nuk do të kishte pavarësi etj. Se historia jonë fillon pas viteve ’90. Këtu dua të theksoj fuqishëm se asnjë shtet në Botë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur lindje më të natyrshme, më të vështirë e më të gjatë se e Kosovës. Kosova dje i kishte luftëtarët e saj të shtetbërjes, ashtu si i ka sot edhe bërësit e shtetndërtimit demokratik, ndonëse jo pa të meta e vështirësi. Një rrugë të mirë të shtetbërjes e gjejmë te libri i Mehmet Hajrizit, tjetrën e dimë dhe po e shohim të gjithë.
Këto qëndrime e këtë politikë të personalizuar e në ndonjë rast dhe antikombëtare, me fakte, me dëshmi autentike, me analiza e krahasime shkencore e demanton bindshëm autori i librit që po e promovojmë sot, në Ditëlindjen e veprimtarit të dëshmuar, në ditëlindjen e Kadri Zekës. Edhe kjo është simbolikë e fuqishme, në nderim të njeriut që bëri shumë për Kosovën. Të njeriut që në ditë të vështira arriti dhe diti të mobilizonte diasporën tonë për liri, për çlirim e bashkim.
Demonstratat e vitit 1981 patën jehonë të madhe kudo në Botën demokratike. Në libër gjejmë komente të shkurta nga shtypi botëror. Unë i shkëputa vetëm dy shembuj nga libri në fjalë. Gazeta frënge ”Lë Kotidie dë Paris”, në mes të tjerave shkruante: ”… shkaqet që shkaktuan krizën ishin gjendja ekonomike, bashkë me ekzistencën e një problemi historik asnjëherë të zgjidhur në Kosovë…”. Me një gjuhë të ngjashme, por edhe paralajmëruese, tërhiqte vërejtjen edhe gazeta greke “Tovina”, e cila shkruante: “…Fakti është se autoritetet jugosllave nuk i kursejnë mjetet e tyre mbytëse. Këto telashe përbëjnë një paralajmërim serioz”. Të gjithë e shihnin rrezikun, vetëm një pjesë e udhëheqjes jugosllave dhe kosovare nuk dëshironin ta shihnin atë. Jehona e ngjarjeve të Pranverës Shqiptare në Kosovë përhapej nga mjetet e informimit publik të Shqipërisë. Por roli i Shqipërisë ishte më shumë se kaq. Ajo ishte promotor i ruajtjes së frymës çlirimtare te populli i Kosovës. Për këtë çështje, kujdesej gjithë aparati propagandistik i shtetit, përfshirë këtu edhe kreun e shtetit shqiptar të kohës.
Pas shpërthimit të demonstratave, OMLK e pa nevojën e bashkimit të të gjitha organizatave ilegale që po vepronin në Kosovë dhe diasporë. Në rrethana të tilla u përgatitën Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës. Në këtë kohë, Kadri Zeka në Zvicër po thoshte fuqishëm: “Kosovës i duhet një zë i vetëm i fortë e kumbues dhe jo disa zëra të mekur”, që shqiptarët të bashkoheshin kudo ishin rreth Frontit të Republikës. Më shumë për Tezat e Frontit kemi në kapitullin, Fronti për Republikën e Kosovës.
Zonja dhe zotërinj
Me një fjalë si kjo imja, ishte e pamundur që t’ju ofroja gjithë thesarin e dijeve, fakteve dhe analizave që sjell autori në librin e tij shumë përmbajtjesor. Ju kisha preferuar ta lexoni ketë libër se nuk gaboni, sa do të çmuar ta kini kohën. Njeriu në çdo moshë duhet të gjej kohë për dije të reja.