XHELAL ZEJNELI: POLITIKA E KRIZËS DHE E DESTABILIZIMIT NË MAQEDONI

Shkup, 26. 04. 2014 – Thelbi i politikës së VMRO’së është: Maqedonia është shtet kombëtar i maqedonasve, shqiptarët ndërkaq, nuk janë veçse minoritet, me të drejta qytetare të caktuara. Ajo pandeh se çdo e drejtë politike që do t’u njihej shqiptarëve, pashmangshëm shpie në federalizmin e vendit. Për t’iu shmangur federalizmit, ajo zbaton një strategji sipas së cilës ndjek ndaj shqiptarëve:
– politikë restriktive, diskriminuese dhe represive;
– politikë divido et impera.
Synimet e VMRO’së janë në kundërshti me realitetin e brendshëm dhe bien ndesh me tendencën historike. Si të tilla, ato janë antihistorike. Ajo nuk mund ta shpërfillë faktin se të drejtat e shqiptarëve mbështeten: në argumentin historik, të bashkëkohësisë dhe në atë hipotetik.
– argumenti historik – shqiptarët si popull autokton, jetojnë në trojet e veta etnike;
– argumenti i bashkëkohësisë – shqiptarët paraqesin potencial demografik, shoqëror, ekonomik, intelektual, kulturor, prodhues, riprodhues dhe mbrojtës;
– argumenti hipotetik – duke vepruar me mjete politike dhe demokratike në kuadër të institucioneve të sistemit, ruajnë stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit.
***
Përkundër argumenteve të sipërthëna, zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni nuk është punë e thjeshtë, pikërisht për dy arsye:
– e para, pas shpërbërjes së amalgamës jugosllave, sllavo-maqedonasit e konsideruan veten trashëgues të vetëm të shtetësisë së Maqedonisë;
– e dyta, pas shpalljes së pavarësisë më 1991, sllavo-maqedonasit e konsideruan veten mbartës të vetëm të shtetësisë.

– Nikolla Gruevski, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti –

Shqiptarët në këtë kohë nuk kishin potencial të duhur politik dhe intelektual për të qenë edhe ata trashëgues dhe mbartës të shtetësisë. Duke qenë të tillë, ata mbetën në margjinat e politikës së krijimit të shtetit. Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) sakaq u shndërrua në instrument të faktorit politik sllavo-maqedonas, në funksion të krijimit të shtetit unitar, monoetnik dhe centralist. Zotër të shtetit u bënë sllavo-maqedonasit, shqiptarët ndërkaq dukeshin si qiraxhinj në tokë të vet.
Politika kundërshqiptare e VMRO’së e viteve 2006-2014 dëshmon se çështja shqiptare në Maqedoni nuk është zgjidhur drejt as me Marrëveshjen e Ohrit, dokument ky që rezultoi nga lufta e 2001’shit. Kjo marrëveshje, ose është jo e plotë, ose keqinterpretohet, ose nuk u zbatua deri në fund. Për të qenë në krye të përgjegjësisë historike, faktori politik shqiptar duhet të veprojë politikisht. Për veprim politik nevojitet potencial politik dhe jo folklorik apo euforik. Një faktor politik që mban në radhët e veta diletantë, nuk mund të ballafaqohet lehtë me ideologjinë dhe politikën bizantine të VMRO’së.
Mossuksesi i faktorit shqiptar gjatë viteve 2006-2014 nuk është punë e rastit. Më 1991, shqiptarët u vonuan. Në vitin 2006, partitë shqiptare rendën të hyjnë në qeveri pa ndonjë marrëveshje konkrete me VMRO’në. Si pasojë, shqiptarët u defaktorizuan. Vonimi i shqiptarëve është pjesë thelbësore e strategjisë sllavo-maqedonase.
Një faktor politik serioz, fajin dhe përgjegjësinë për ngecjen e proceseve, së pari e kërkon në vetvete, pastaj te kundërshtari dhe armiku. Historia e dëshmon se një kauzë kombëtare nuk zgjidhet lehtë edhe kur je unik dhe i bashkuar, e lëre më kur je i përçarë. Po qe se faktori politik shqiptar edhe këtë herë do ta përsëris gabimin e pafalshëm të vitit 2006, atëbotë kauza shqiptare do të pësojë një goditje akoma më të rëndë.
Rendja e partive politike shqiptare për t’u bërë me çdo kusht pjesë e qeverisë, e shtyn palën sllavo-maqedonase të mendojë se shqiptarët janë të etshëm për pushtet. Rendja pas pushtetit, pa një platformë politike konkrete paraqet degradim për shqiptarët. Nga vrapimi pas pushtetit pa pushtet, pala tjetër do të vinte në përfundim se faktori politik shqiptar është e zhveshur nga çdo ideologji kombëtare. Veprimet johistorike i ndëshkon historia. Të tillat veprime janë të pafalshme para historisë.
***
Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike, me dimension të thellë social. Ana sociale e saj e pengon të vepruarit dhe të gjykuarit politik. Zgjidhjet politike kërkojnë nivel politik dhe historik. Një shoqëri që ballafaqohet me probleme sociale nuk mendon dhe nuk vepron politikisht. Si e tillë, ajo nuk ka kapacitet të imponojë zgjidhje kërkesash politike. Një shoqëri që përballet me çështje ekzistenciale, vështirë e ka të arrijë rezultate politike.
Gruevski synon t’i kthejë shqiptarët në fillim të viteve ‘90. Pas luftës së 2001’shit dhe me dy universitete shqiptare, kthimi në kohën e PPD’së, është i pamundur. Rrota e historisë nuk kthehet prapa.
Qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina si dhe faktori ndërkombëtar influent duhet ta dinë se një politikë e instrumentalizuar nuk paraqet politikë konstruktive. Një politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese e shqiptarëve, për të ndërtuar një Maqedoni unitare dhe një-etnike sllavo-maqedonase, me shqiptarët të diskriminuar, nuk është konstruktive. Përkundrazi, është destruktive dhe tradhti e lartë.
***
Veprimi jashtë institucioneve të shtetit, po ashtu është pjesë e demokracisë. Por, në shtetet dyetnike siç është Maqedonia, një veprim i tillë mund të gjenerojë në sistem paralel. Po qe se pala sllavo-maqedonase do t’i refuzonte kërkesat politike të shqiptarëve, faktori politik shqiptar do të mund të vepronte edhe në mënyrë jashtinstitucionale:
– në hapësirën politike shqiptare do të krijonte kuvendin shqiptar;
– lidhur me veprimin jashtinsitucional do t’i njoftonte qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën, si dhe faktorin ndërkombëtar influent – Uashingtonin dhe Brukselin;
– do t’i refuzonte detyrimet ndaj pushtetit qendror;
– do të organizonte mosbindje civile pasive, e cila mbase do të shkallëzohej në mosbindje civile vepruese.
Veprimi politik jashtinstitucional do të çonte në krijimin e sistemit paralel. Si pasojë, Maqedonia do të ballafaqohej, jo me krizë politike, por me krizë ndëretnike, që do të kishte reperkusione për mbarë rajonin. Veprimi politik jashtinstitucional i faktorit politik shqiptar do të kishte forcë tërmetore sikur subjektet politike shqiptare të vepronin në mënyrë të bashkuar.
***
Përkundër ngecjes së proceseve, Gruevski në politikën shqiptare, pa kurrfarë të drejte, vëren radikalizëm. Politika e faktorit shqiptar në Maqedoni nuk është radikale. Faktori politik shqiptar nuk kërkon territore. Po të ishte vetëm një fije radikale, gjuha shqipe, të paktën në rajonet me shumicë shqiptare, do të ishte gjuhë zyrtare, ndërsa nxënësit sllavo-maqedonas do ta mësonin nëpër shkolla, që në klasë të tretë. Ka një mori argumentesh që dëshmojnë se politika e faktorit shqiptar nuk është radikale. Sikur të ishte vetëm pak radikale, Shkupi 2014 nuk do të ishte realizuar, ndërsa buxheti i shtetit do të ndahej me drejtësi. Politika e faktorit shqiptar i duket Gruevskit radikale për arsye se VMRO’ja e tij ende ndodhet në shekullin XIX, kurse vetë ai, ndaj shqiptarëve ndjek politikë joreale, restriktive, diskriminuese dhe johistorike. Faktori politik shqiptar nuk ka kërkuar ndryshim kufijsh për t’u cilësuar si radikale. Përkundrazi, kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni janë primordiale.
Është pikërisht ideologjia e VMRO’së ajo që shpie në krizë, me pasoja për paqen dhe stabilitetin në gadishull, në një kohë kur vendet e rajonit, diskursin e konfliktit janë duke e zëvendësuar me dialog racional, që ua çel rrugën drejt Brukselit.
E mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe – Niçe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura