Tiranë, 24 dhjetor 2020: Në librin “Pacienti ynë i veçantë” që ka dalë këto ditë në qarkullim në Shqipëri, mjeku kardiolog Ahmet Kamberi rrëfen përvojën e tij nga pozitat e një profesionisti të përzgjedhur për të kuruar dhe mjekuar zemrën e Enver Hoxhës. Po aty, në kopertinën ballore, është nënvizuar: “Rrëfime të një anëtari të Ekipit Mjekësor të Enver Hoxhës”.
Në faqen e parë të librit autori na jep një definicion për të treguar se ç’është shëndeti sipas tij. Veç kumtit të parë për nocionin e plotë të fjalës “shëndet”, pasi e lexon, kupton se kemi të bëjmë me një term që përmbledh një sistem të tërë, sa kompleks, aq edhe i ndërlidhur e i ndërvarur nga faktorë të tjerë natyrorë dhe shoqërorë bashkë. Madje, këto të fundit, shpeshherë, duket se janë edhe më përcaktues në shëndetin e njeriut. Siç duket, pikërisht për këtë arsye, edhe autori Prof.dr.Ahmet Kamberi ka zgjedhur ta hapë librin me këtë paradigmë sintezë: “Shëndeti është ndjesia e të qenit mirë, që buron nga përmbushja e detyrimeve dhe përgjegjësive komplekse ndaj vetvetes dhe atyre të ndërsjellta ndaj të tjerëve, në përkatësi me formën, madhësinë dhe cilësinë e strukturës jetësore funksionuese (trupit). E po ashtu edhe në përkatësi me gjendjen ekonomike e sociale, në një kohë të caktuar dhe në një mjedis social, fizik e gjeografik të dhënë. Burimi i tij është energjia potenciale biologjike celulare, mjaftueshmëria dhe frytshmëria e së cilës e bën njeriun të mësojë të veprojë, të ndërveprojë, të përmbahet, të tërhiqet, të përgjithësojë dhe të përshtatet.”. Bashkë me nocionin për “shëndetin” dhe “sëmundjet kronike” e “çaftësimin fizik” që derivojnë prej tij, autori ka parashtruar qysh në faqet e para, edhe historinë, ose thënë me terminologjinë mjekësore: “anamnezën” politike të pacientit të tij të veçantë. Strukturimi në këtë mënyrë i librit duket i logjikshëm dhe, kalimi pastaj tek faqet “Një shpjegim i nevojshëm”, është një përcjellje e arsyeshme (nga ana kompozicionale) për te kujtimet e tij.
Pacienti përballë tij ishte ai që: “kishte udhëhequr Luftën heroike Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashisto-nazistë, …”.
Prandaj Ahmet Kamberi ka gjykuar të renditë të gjitha kontributet dhe meritat historike të këtij pacienti të veçantë, që ishte njëherazi edhe “Udhëheqësi i fuqishëm, i padiskutueshëm i Shqipërisë për gati gjysmë shekulli”. Në këto faqe autori flet gjithashtu edhe për disa “kufizime” apo “mosrealizime” që e bëjnë apo e nënkuptojnë disi përgjegjës Enver Hoxhën… Por më shumë flitet për meritat, dhe të gjitha ato, autori i rendit e i analizon si një analist profesionist, me kujtesë të pacenuar nga ideologjizmat. Ahmet Kamberi, ashtu siç pranohet botërisht nga autoritetet shkencore për kompetencat sipërore në fushën e mjekësisë, edhe në këto faqe, shfaqet e dëshmohet si filolog i klasit të parë.
Fjalëkursyer, por plot e përplot me guxim prej intelektuali, Ahmet Kamberi, ndoshta i vetëdijshëm për t’u keqkuptuar nga shumëkush, ka shpërfillur çdo tabu të këtij realiteti që jetojmë sot për t’iu qasur e për të prekur këtë temë. Në katër faqe, ai fton me guxim e ndershmërisht lexuesin për ta parë (si ai) në sy e me gjakftohtësi historinë e atij gjysmë shekulli dhe që në fillim, thotë një të vërtetë (të gjithëpranuar) për Enver Hoxhën: “Kishte udhëhequr rimëkëmbjen e Shqipërisë së rrënuar nga lufta. Kishte vendosur diktaturën e proletariatit në Shqipëri. Kishte udhëhequr ndërtimin e një Shqipërie sipas modelit socialist, të krijuar nga Lenini dhe Stalini, pa elasticitet të dukshëm.”.
Më pas rendit një për një reformat e udhëhequra prej Enver Hoxhës dhe e nis duke përmendur së pari atë për “zhdukjen e analfabetizmit, zakoneve të prapambetura e të papajtueshme me përparimin e vendit.” Pastaj përmend “udhëheqjen për emancipimin e gruas shqiptare, ngritjen e një sistemi arsimor të përparuar e të institucioneve kulturore, kërkimore e shkencore nga asgjëja”, produkt, objekt dhe subjekt i të cilit është edhe vetë Prof. dr. Ahmet Kamberi – (shënimi I.M.)… “Kishte udhëhequr zhvillimin modern të bujqësisë dhe industrializimin e vendit. Kishte udhëhequr ngritjen e institucioneve kulturore.” Më tej autori kujton se: “Kishte udhëhequr zhvillimin e një sistemi shëndetësor efektiv të shtrirë anekënd vendit, i cili mundësonte përfitimin me lehtësi të kujdesit mjekësor nga cilido qytetar. Dhe ia kishte dalë të çrrënjoste sëmundjet epidemike dhe endemike, si edhe të kontribuonte në dyfishimin e jetëgjatësisë së pritshme, nga 38 vjeç që ishte në vitin 1938.”
Më pas shkruan: “Kishte siguruar përfundimisht dhe në mënyrë të patundshme ekzistencën e shtetit shqiptar… “… Këtu, po të ishte se do t’i kisha lexuar në dorëshkrim këto faqe, do të guxoja t’i sugjeroja autorit që të kishte gjetur vend të përmendte edhe kontributin e Enver Hoxhës në krye të PKSH në luftën për zhdukjen e gjakmarrjes. Harresa për të përmendur atë arritje atëherë dhe situata e tmerrshme e rikthimit të kësaj plage në shoqërinë shqiptare sot, më bën ta cilësoj si një mangësi të analizës në fjalë nga autori. Po ashtu, për mbështetjen që iu dha Kongresit të Drejtshkrimit dhe arritjes së njësimit të Gjuhës Letrare Shqipe më 1972-shin, mendoj se Enver Hoxha ka një kontribut të pamohueshëm me vlerë mbarëkombëtare. Edhe për këtë, ndoshta duheshin thënë dy fjalë…
Siç thashë më lart, autori, në hyrjen “Një shpjegim i nevojshëm” nuk ka neglizhuar të shkruajë (me një stil tejet neutral) edhe disa radhë me rezerva për qëndrimet e pacientit të tij të veçantë Enver Hoxha: “Po ashtu, ai kishte udhëhequr sjelljen me ashpërsi ndaj pjesëtarëve të klasave të përmbysura, kishte udhëhequr luftën e rreptë të klasave, duke e shtrirë atë edhe brenda Partisë… Kishte qenë në krye të kufizimit të lëvizjes së lirë brenda e sidomos, jashtë vendit. Kishte udhëhequr kufizimin e lirisë së fjalës, si edhe atë të besimit…”.
Dhe, në fund, e mbyll kështu këtë paragraf: “Nuk ia kishte dalë të mënjanonte dështimin e përmbushjes së qëllimit strategjik të Partisë së tij, për përmirësimin e pandërprerë të mirëqenies materiale dhe kulturore të popullit. Vetëm këto të fundit i zihen sot atij në hesap…”… Këtu mund të ndalemi pak e t’i drejtojmë ndonjë pyetje autorit: Pse nuk ia doli ta mënjanonte këtë dështim? A mos vallë përmbushja e qëllimit strategjik të Partisë së tij, për përmirësimin e pandërprerë të mirëqenies materiale dhe kulturore të popullit u vendos në kandar me ndonjë interes për pushtet personal?… A ka lidhje, apo kolaudohet, ky dështim me qëndrimin e sjelljen ndaj aleancave?
Në paragrafin që bën fjalë për aleancat, lidhjet e sidomos zgjidhjet e tyre me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, autori konkludon se Enver Hoxha, zgjidhjet e aleancave i bëri pasi: “kishte gjykuar se qëllimet (e tyre) binin ndesh me ato të vendit të vet.”. Ndërsa, dikush që mund të ketë lexuar Gabriel Partosh-in (në mos gaboj) e ka të vështirë të besojë plotësisht këtë arsye që paraqet Ahmet Kamberi. Partosh qysh më 1991 vërente se: “Enver Hoxha i prishi të gjitha aleancat me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik e Kinën në momentin (respektivisht më 1948, 1961, 1976) kur ato kishin ndërmarrë hapa drejt Perëndimit.”. “Enver Hoxha”, sipas tij, “kishte frikë hapjen, se ajo do të sillte demokratizimin e vendit dhe të Partisë dhe, demokratizimi i tyre pastaj, do të sillte rrezikimin e pushtetit të tij personal”. Kjo tezë mua nuk më duket e lehtë për t’u kundërshtuar,.. Po të mos harrojmë se këtë e dëshmonte edhe mbyllja, kufizimi i lëvizjeve jashtë shtetit, ndalimi i përdorimit të antenave televizive për të ndjekur kanalet e huaja. Po të përdorja terminologjinë e mjekësisë do të guxoja të shprehja dyshimin tim se kardiologu Ahmet Kamberi, është tejet i besueshëm në paraqitjen e anamnezës politike të pacientit të tij Enver Hoxha, por jo fort i zellshëm kur vjen radha për ta diagnostikuar atë.
Më poshtë, në paragrafin e fundit të këtyre katër faqeve, autori shkruan këto radhë: “Epoka e Enver Hoxhës mund të quhet një eksperiment social-ekonomik për kalimin e Shqipërisë nga feudalizmi në socializëm, eksperiment, i cili, në të vërtetë, i hapi rrugën kalimit drejt kapitalizmit në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Ky eksperiment është absolutisht i papërsëritshëm, sepse nuk mund të krijohen më të njëjtat kushte historike. Studimi i këtij eksperimenti ia vlen që të nxirren mësime për të mos bërë atë që u bë keq dhe për të çuar përpara atë që u bë mirë. Përpjekja për ta konsideruar zero atë epokë historike ekonomike nuk është më pak se trushkuluri. Përpjekja për ta konsideruar zero atë epokë sociale e kulturore nuk është më pak se marrëzi. Por nuk është puna ime të merrem me këtë. Mua më takon të tregoj punën time së bashku me kolegët e mi për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të këtij personaliteti të fuqishëm poliedrik, i cili udhëhoqi atë eksperiment social-ekonomik epokal. Puna jonë ka kërkuar përkushtim profesional e njerëzor, përballim vështirësish dhe rreziqesh, sakrifica vetjake e familjare. Ashtu si i bëmë. Në atë kohë. Ashtu si qe ajo. Ashtu si qe ai. Ashtu si qemë ne. Pavarësisht nga gjykimet e paragjykimet e sotme, të cilat kanë lirinë e vet. “…
Fjalia e fundit: “Pavarësisht nga gjykimet e paragjykimet e sotme, të cilat kanë lirinë e vet.”, më shumë se ofron tolerancë për gjykim alternativ nga autori, druaj se reflekton disi pagatishmërinë e tij për të trajtuar me të njëjtin zell (siç bën për meritat) edhe pjesët kritike për pacientin e tij të veçantë. Gjithsesi, admirimi dhe mirënjohja për një person(alitet), në kushtet dhe raportet e veçanta të autorit të librit me të, edhe mund ta justifikojnë deri diku këtë lloj qasjeje. Në këtë analizë, Ahmet Kamberi, duket se, me instinktin e lindur të një fisniku që e ka të shenjtë institucionin e mirënjohjes, jo vetëm e ka pasur të vështirë të jetë i rreptë në kritika dhe i baraslarguar nga ndjenjat admiruese për Pacientin, por, duket se e ka gati të pamundur të qenit deri në fund i imunizuar nga një dozë jo e vogël subjektivizmi… Megjithatë, duke e “harruar” (qëllimisht) pa kyçur mirë atë portë që të drejton te gjykimet me sens kritik (ndonjëherë fatale për mendimin tim (I.M.)) të Enver Hoxhës, si, edhe stili i tij tangjent e neutral në ato raste, edhe mund të mirëkuptohet. Zemra e kardiologut Ahmet Kamberi duket e pafuqishme të jetë më e rreptë dhe, bash për këtë, kuptohet pse ka lënë të tjerë ta shtyjnë atë portë… Dhe mirë ka bërë. Duke mos e mbyllur portën e “lirisë së gjykimeve ndryshe”, mu si një ushtrues i ndershëm i zhanrit të historiografisë, autori i tekstit të “Një shpjegim i nevojshëm” e ka lënë hapur atë për të hyrë e eksploruar kushdo që ka interes…
Për sa thashë e citova më lart, po ju kujtoj se në librin “Pacienti ynë i veçantë”, hyrja e tij “Një shpjegim i nevojshëm” nuk zë më shumë se 4 faqe. Ato, më tepër se vijojnë lidhjen logjike që autori jep më parë për “shëndetin”, kryejnë lidhjen organike me shpjegimin (mëse) të nevojshëm të mjekut Ahmet Kamberi për anamnezën politike të pacientit Enver Hoxha. Gjithçka që shtjellohet në librin “Pacienti ynë i veçantë” ka të bëjë në thelb me atë që shkruhet në kopertinën ballore të tij: “Rrëfime të një anëtari të Ekipit Mjekësor të Enver Hoxhës”. Në përmbi 250 faqe lexuesi do të njihet me përjetimet nga komunikimet e drejtpërdrejta me “Pacientin” e veçantë. Historia e Ekipit Mjekësor, komunikimet me të dhe të tjerë pranë tij, ndjeshmëritë, humori, morali, sjelljet dhe qëndrimet krejt spontane, etj., janë treguar me detaje në këto faqe. Në libër janë paraqitur edhe disa foto të ndryshme të autorit, të Enver Hoxhës mes njerëzve, familjarëve, mjekëve, faksimile, etj.. Por ajo që të bie në sy është mungesa e një fotoje e autorit të librit me Pacientin të cilit i shërbeu për 10 vjet?! Ahmet Kamberi nuk ka asnjë të tillë. Në libër shkruan se më 29 Nëntor 1984 u bënë fotografi në shtëpinë e Enver Hoxhës me punonjësit dhe me ata që u ndodhën atë çast aty, por,.. Ahmet Kamberi kujton: “Unë isha përgatitur për këtë, por nuk më ftoi kush”…
Pra, as fotografi të Ahmet Kamberit me Enver Hoxhën nuk ka dhe as intimitete për të shuar kureshtjen meskine apo shpërdorim të konfidencialitetit në këtë libër nuk keni për të gjetur. Harrojeni! Në kujtimet e tij, autori i librit është treguar shumë i kujdesshëm që të mos shkelë jo vetëm betimin e Hipokratit, por edhe besimin e atij që e ka futur në shtëpi…
Ky libër e pasuron bibliotekën tonë kombëtare dhe fondin e saj të letërsisë së kujtesës në veçanti. Vendosja e tij tek rafti i letërsisë dokumentare mund të mos duket shumë precize, por, gjithsesi, “Pacienti ynë i veçantë” duket se ndjehet më komod aty, se tek ato të zhanrit të memuareve, mbushur jo rrallë me faqe abuzive e spekulative…
Me këtë dëshmi autentike, prej një këndvështrimi të veçantë human të këtij personaliteti shumë të debatuar, historiografia jonë del më e pasur. Për këtë, libri “Pacienti ynë i veçantë” është i mirëseardhur dhe duhet falënderuar sinqerisht autori i saj Prof. dr. Ahmet Kamberi.