Tomë V.Gashi: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është proces natyror, s‘ka fuqi që ta ndalë

Prishtinë, 27 dhjetor 2020: Bashkëbisedim me Tomë V. Gashin, avokat i përmasave europiane, aktivist kombëtar, jurist i zellshëm dhe i suksesshëm
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë.

Ishte viti 1992, kur përfundimisht u larguan pothuaj se të gjithë shqiptarët nga gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, ngase, kërkohej nga ata që për ta vazhduar punën e tyre si gjyqtarë dhe prokurorë, të shkojnë në Beograd për ta bërë betimin, pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës, gjë që shumica absolute e tyre nuk shkoi, sepse ata nuk e pranuan një gjendje të tillë! Edhe Toma me kolegët e tij, ishin të zgjedhur si gjyqtarë e prokurorë, para heqjes së autonomisë së Kosovës, nga institucionet e Kosovës e, jo të Serbisë dhe, për këtë arsyje ata refuzuan që ta vazhdojnë punën e tyre, në ato kushte.

Z. Gashi, si shkuan punët në drejtësinë e shtetit të Kosovës, mbas lufte dhe si u radhitët ju, që e kundërshtuat sundimin e Serbisë në Kosovë dhe ata, që pranuan të punonin me masat e dhunshme serbe?
Tomë V. Gashi: Një pjesë e vogël e shqiptarëve, që shkoi në Beograd, vazhduan punën si gjyqtarë dhe prokurorë, e, që është më e çuditshme, të njejtit pas lufte u avansuan edhe më shumë e më mirë në drejtësinë e Kosovës, sepse ata ishin të dëgjueshëm! Sikur i konvenoi UNMIK-ut, pastaj EULEX-it dhe udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, që ata të janë të preferuarit e tyre dhe të privilegjuar! Të gjithë atyre që erdhën në pushtet pas luftës edhe ndërkombëtarëve, sikur iu konvenoi për t‘i kryer punët e tyre, që shumë herë ishin të ndyta, i afruan ata dhe iu dhanë pozita të mira! Ndërsa, ne që i kundërshtuam masat e dhunshme të Serbisë, atëherë, u kuptua se nuk e kemi besimin e duhur, por tani që e kemi shtetin tonë, nuk e besonim se do të ndodhte kjo! Jo, që nuk është e ndershme, por edhe e turpshme është kjo. Nuk udhëheqet shteti me njerëz të pandershëm, sepse ata i bëjnë edhe punë të pandershme dhe e humbim besimin te populli e te Bashkësia Ndërkombëtare.
Kjo është vetëm njëra nga arsyjet, që sistemin juridik e kemi katastrofal, edhe pse kanë kaluar 21 vite pas çlirimit nga okupimi i Serbisë!
Pas luftës së Kosovës, institucionet e UNMIK-ut në bashkëpunim me OSBE-në, filluan krijimin e gjykatave dhe prokurorive, në një sistem krejt tjetër, që unë dhe të gjithë kolegët e mi, të cilët na larguan pa të drejtë nga puna në vitin 1992, na kontaktuan dhe një pjesë e tyre u kthyen në sistemin juridik të Kosovës, nën UNMIK, duke u bërë përsëri gjyqtarë dhe prokurorë! Mua m‘i afruan të gjitha pozitat e mundshme si gjyqtar, prokuror dhe udhëheqës i një pjese të instsicioneve të reja të drejtësisë, në bazë të përvojës që kisha! Por, nuk pranova asnjë pozitë, për shkak që e kuptova se shefat e mi do të jenë të dëgjueshmit dhe thjesht, nuk mund të pranoja të punoja sipas diktatit të UNMIK-ut dhe të tjerëve, që ndoshta me kohën do të isha adaptuar që ta ha bukën e turpit! Por, bëra mirë që nuk u kyça! Vazhdova me dinjitet, ta bëj punën e avokatit dhe jam krenar që me nder e kryej.
Para përfundimit të luftës isha i angazhuar si avokat, në mbrotjen e disa, prej figurave shumë të respektura dhe të larta të UÇK-së dhe, vazhdova menjëherë pas luftës, kur kam qenë avokat mbrotjës i shumicës së komandantëve të UÇK-së! Pothuaj se të gjithë komandantët e të gjitha zonave të UÇK-së, i kam përfaqësuar.
Po ashtu isha avokat në Tribunalin e Hagës, për ish-Jugosllavi, në ekipin mbrojtës të z. Ramush Haradinaj, avokat mbrojtës në rastin e z. Fatmir Limaj dhe i kam mbrojtur edhe komandantët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Zoti avokat, cila është gjendja shoqërore, politike e kombëtare, shqiptare?
Tomë V. Gashi: Shqiptarët kudo që jemi, jemi në pozitë shumë të favorshme në përgjithësi, ngase duket se ky shekull është i yni për shkak se tani më Kosova është shtet i pavaruar, Shqipëria është shumë më mirë se më herët dhe tani i kemi dy shtete shqiptare, të cilat sigurisht që në të ardhmën do të bashkohen, sepse Kosova është një nga katër vilajetet e Shqipërisë. Duket, sikur shqiptarët janë në një gjendje depresive e korruptive! Por, herëdokur, ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe t’i çojmë proceset përpara, sepse bota është duke përparuar me shpejtësinë e dritës e, ne shqiptarët bëjmë politikë nëpër kafene e në Fejsbuk, kurse politikanët e vjedhin shtetin e popullin e tyre dhe, para kamerave televizive, e bëjnë shqipen me duar dhe shesin patriotizëm falco r, në anën tjetër shahen në mes vete, sikur të janë adolishetë të dehur nga alkoholi.
Shqiptarët e Kosovës i bënë dy gabime katastrofale, pas shpalljës së pavarsisë; votuan Marrëveshjën për Zajednicën, komunat me shumicë serbe, të cilën e kishte nënshkruar në vitin 2013, Hashim Thaci dhe paoshtu në vitin 2015 Isa Mustafa dhe, gabimin tjetër, që e bëri, ishte votimi i Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015.
Ndërsa shteti i Shqipërisë, që në fill, e humbi hapin! tri partitë: PS, PD, e LSI të themeluara e të udhëhequra nga Partia e Punës, sikur ua ka lënë një fije të keqe në dorë dhe, të gjitha punët, sikur nuk po shkojnë përpara! Aty nuk bëhet luftë se cila parti të jetë më e mira dhe më e sukseshmja, por duke bërë luftë të pakompermis, jo që nuk janë duke i çuar përpara proceset, por ato kanë stagnuar e, nga njëherë edhe mbrapa janë duke shkuar! Shqipëria, jo vetëm që ka stagnuar në integrimet europiane, por sikur është duke u larguar! Për të gjitha këto të këqia, fajtorë janë udhëheqësit e tri partive kryesore, që janë duke e udhëhequr shtetin, që kanë lulëzuar; korrupsioni, familjarizmi dhe kriminaliteti, brenda shtetit shqiptar.
A kemi njerëz të aftë dhe personalitete kombëtare, që mund ta udhëheqin këtë popull, në këtë kohë kaq të rëndë dhe kush janë, ata?
Tomë V. Gashi: Sigurisht që kemi personalitete kombëtare, që do ta udhëheqin Kosovën me dinjitet në të ardhmen dhe padyshim se tani është Albin Kurti, ndërsa si udhëheqje politike do të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Korrupsioni, familjarizimi dhe krimi i organizuar, janë aq të shprehura në Kosovën e pasluftës, sa që për t‘i mbrojtur këto antivlera, të gjitha partitë, të cilat kontribuan për 21 vite që Kosova të mbetet kaq mrapa si shtet, u bashkuan, për ta rrëzuar qeverinë më të mirë që pati Kosova pas vitit 1999, qeverin e Albin Kurtit. Por, as qeveria e tyre djallëzore, nuk e mbajti gjatë pushtetin dhe, e humbi atë.
Si qëndron puna, zoti Gashi, me mediet shqiptare; gazetarë e analistë?
Tomë V. Gashi: Sa i përketë mediave, shumica prej tyre janë të blera, dhe të shantazhuara nga partitë që e shkatërruan Kosovën për 21 vite pas çlirimit e, Shqipërinë që 30 vite, pas rënies së diktaturës! kemi shumë gazetarë, që janë të ndërlidhur me parti politike dhe udhëheqës politik dhe shtetëror, që i kanë bërë shumë dëme të dy shteteve shqiptare, por jo të gjithë. Kur i shoh disa si-gazetarë e si-analistë, në televizionet shqiptare, turpërohem, nga sjellja e tyre dhe fjalët ofenduese e sharjet që i bëjnë.
Cili është niveli i besës dhe nderit, ndër shqiptarë, në këtë kohë?
Tomë V. Gashi: Për shkak të vjedhjës, të të gjithëçkaje që ishte e përbashkët, si në shtetin e Kosovës edhe të Shqipërisë, ku një pjesë e madhe e udhëheqëseve shtetërorë, zyrtarë të lartë të partive politike, në të dy anët e kufirit, përveç Vetëvendosjës, privatizuan çdo gjë, me çmime qesharake, shkatrruan në tërësi ekonominë e vendit dhe, turqve ua falën asetet më strategjike, siç janë: aeroporti e trasmesioni i energjisë elektrike, duke iu dhënë me konsision dhe shitur me çmime qesharake, për shkak se ata ditën t‘i korruptojnë politikanët tanë deri në atë masë, sa që dhënia e këtyre aseteve, kompanive truke, lirisht mund të konsiderohet tradhëti kombëtare.
Cili është mendimi i juaj, për formimin e Gjykatës speciale dhe punën e saj?
Tomë V. Gashi: Gjykata speciale, pas Zajednicës, është gjëja më e keqe, që deputët e Kuvendit të Kosovës i kanë bërë kombit shqiptar dhe Kosovës si shtet.
E paqartë është ta kuptuojmë saktësisht, se kush e inicoi këtë dhe se pse u formua Gjykata Speciale! Por, se pse u votua nga një pjesë e Komandanëve të UÇK-së, është kontraverse! Shumë prej tyre, besuan se atje do të shkojnë vetëm disa nga shokët e tyre, por jo edhe vetë, ata! Mirëpo, gjërat ndryshuan dhe fatkeqësisht tani në burgun e Gjykatës Speciale në Hagë i kemi 7 pjesëtarë të UÇK-së, që në mesim e tyre e kemi edhe kryetarin e shtetit, z. Hashim Thaçi, ish-drejtorin politik të UÇK-së, kryetarin e partisë më të madhe të opozitës z. Kadri Veseli, që deri dje ishte mazhurancë dhe z. Rexhep Selimin, në VV.
Hashim Thaçi, i ka mëketet e veta për përkrahjen e Gjykatës Speciale, por asnjë shqiptar nuk do të dëshironte, që ai të jetë i akuzuar në Hagë në cilësinë e ish-drejtorit të UÇK-së dhe Presidentit të Kosovës! Disa mendojnë e disa thonë se s’ka rëndësi akuza me ish-udhëheqësit e luftës dhe shtetësinë e Kosovës. Por, dardha e ka bishtin mbrapa, thotë populli! Nëse këta dalin të fajshëm, në bazë të akuzave të Serbisë dhe disa kolaboracionistëve e veglave serbe, do të dëmtohet rëndë lufta e fundit e Kosovës, imigji i saj dhe ruajtja e shtetësisë së Kosovës. Serbia është duke punuar ngusht me Rusinë, Kinën dhe vendet mike të tyre! Ndërsa, Kosova e Shqipëria, dy shtete të një kombi, nuk janë duke i kushtuar aq shumë rëndësi, ruajtjes së shtetësisë së Kosovës dhe Bashkimit Kombëtar! Kjo është absurde.
Cili është mendimi i juaj për operimin e shërbimeve informative: serbe, greke e turke, në trojet gjithëshqiptare dhe në involvimin e pothuaj, të gjitha partive shqiptare? Dhe, a ka mundësi që t‘i pengojnë shqiptarët, sado pak, ato? UDB dhe ekstremizmi islamik, janë me sukses duke vepruar me ndihmën e aktivistëve të tyre.
Tomë V. Gashi: Sigurisht qe sherbimet, serbe, turke dhe greke, janë të njejta, por ato turke dhe serbe janë tepër të dëmshme për ne shqiptarët kudo që jemi, ndërsa ai grek, brenda shtetit shqiptar. Turqit nuk mund të na okupojnë, me armë dhe ushtri, por me ideologjinë e kulturën e tyre mesjetare, s‘kanë hequr dorë! Me shpenzimin e qindra milionave që i bëjnë për të na ndryshuar identitetin tonë, përmes kulturës dhe religjonit të tyre. Po ashtu edhe grekët, me anë të kishës ortodokse, në Jug të Shqipërisë. Ndërsa, shërbimi informativ serb, i përkrahah që të dya këto; truke e greke dhe me sukses arrijnë për t‘i përçarë shqiptarët e mjerë, në çdo aspekt.
Zoti avokat, a e besoni se disa liderë politikë, janë pasuruar aq shumë, sa që e kanë siguruar ekzistencën e familjeve të tyre për dhjetëra breza? A është e ndershme kjo punë dhe se a mund të vijë një ditë, kur do t’ua bllokojnë kontot, në bankat e ndryshme të botës dhe as shteti i tyre as familjet e tyre, nuk do t’i gëzojnë ato para të ndyta?
Tomë V. Gashi: Pasurimi i shumicës së liderve politikë shqiptarë në të dy anët e kufirit, duke e vjedhur vendin e tyre nuk duhet dhe nuk mund të ketë përfundim të mirë për ta! Me nxjerrjen e ligjit anti-mafia, fare lehtë do të idnetifikohen hajnitë e tyre dhe pasuria e tyre do të konfiskohet, edhe pse dëmi tash më është bërë.
Z. Tom V. Gashi, a mendoni se shqiptarët, edhe në këtë herë janë vonuar në integrimet europiane dhe ku është gabimi?
Tomë V. Gashi: Ne shqiptarët jemi të vonuar për çdo gjë, edhe në integrimet europiane, falë politikanëve tanë të paaftë dhe të korrupruar, që i kemi. Gabimi është tek udhëheqja e gabuar, duke menduar politikanët tanë, se shteti është pronë e tyre familjare, e miqve dhe dashnoreve të tyre.Tani jemi në prag të vitit 2021 dhe, sidomos ne shqiptarët e Kosovës jemi, të mbyllur hermetikisht pa viza, sepse kështu na duan politikanët tanë, në mënyrë që të na kontrollojnë, mashtrojnë e vjedhim, më leht.
Zoti avokat, na tregoni se a ka ardhur koha që të punohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Kush mund t’i dalë në ballë këtij populli dhe cila është rruga e mundshme, sepse motorri i ndarë nga karroseria, nuk e shtynë në lëvizje automobilin?
Tomë V. Gashi: Bashkimi i Kosovës me Shqipërin është proces natyror – s‘ka fuqi që ta ndalë! Kjo lehtësisht dhe natyrshëm do të vije! „Kur të bashkohen kokat, bashkohen edhe tokat!“, është fjala e urtë.
Z. Tomë V. Gashi, na tregoni, ju lutem se cili është mesazhi i juaj, për shqiptarët në përgjithësi e, në veçanti, për ata të Kosovës, që ende jemi në formim të shtetit?
Tomë V. Gashi: Shqiptarët, kudo që janë, duhet vetëdijësuar, që t’i denojnë politikanët e korruptuar e të zhytur në kriminalitet, me anë të votës së tyre! Nuk duhet t‘i votojnë kurrë më ata, që na udhëhoqën e na vodhën! Duhet të vijnë forca të reja, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë! Ta provojë votuesi i Kosovës, Lëvizjen Vetëevndosje në krye me Albin Kurtin, sepse unë besoj që ky do ta ndryshojë Kosovë, dhe të ardhmën e këtij populli, që nuk e ka merituar gjithë këtë nënçmim! Pastaj, ta kemi një shtet me funksionim ligji dhe të dinjitetshëm, në mënyrë, që edhe Bashkimi Europian të ketë respekt dhe të na pranojë në gjirin e tij.
Në fund, ju falënderoj për kohën që keni marrë për të bashkëbiseduar, z. Gashi dhe ju uroj shëndet dhe suksese në punën, të cilën e bëni me përkushtim dhe nder.
Tomë V. Gashi: Kjo ishte intervista ime per ju, z. Bytyçi, dhe natyrisht, që çdo prononcim timin, publik, mund ta përdorni në shkrimet e juaja dhe ju falënderoj nga zemra.
Bashkëbisedoi: Isuf Bytyçi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura