ELIFE PODVORICA JASHARI: LUTJA PËR TË RËNËT, NË DITËN E PARË TË KËTIJ VITI!

Prishtinë, 2 janar 2021: Teksa zbrisja tatpjetës së rrugës gjarpërore të Velanisë, mbresa e parë që të mbërthente në këto çaste të hershme të një dite të re, ishin gëzhojat e shumta të fishekzjarreve me të cilat njerëzit mbrëmë kishin shënuar lamtumirën e vitit që shkoi dhe ardhjen e vitit të ri!
Dielli kishte përqafuar lagjen e qytetit që kisha përballë! Këtë vit bora ishte vizitorja më e padukshme në vendin tonë!
Të heshtura në përjetësinë e tyre, ishin edhe varrezat e hebrenjëve në Velani, të cilat nën rrezet e diellit vinin në shprehje mbishkrimet karakteristike të gjuhës hebraishte! Pasi desha ta vazhdoja rrugën për ku isha nisur, u ktheva prapa dhe hyra në lëndinën kodrinore në të cilën ishin të ngulitura shumë varre të hebrenjëve!
U luta për shpirtin e tyre dhe ju “urova” këtë ditë të re të një viti të ri! E sa vite kishin kaluar që nga momenti i përshëndetjes së tyre nga kjo botë! Nga ky vend që nuk ishte Atdheu i tyre! Ku i kishte katandisur fati ato qenie njerëzore! Në një kodrinë Prishtine e rrethuar mirë me grilat anekënd varrezës, në të cilën në mënyrë simetrike ishin gurët e varreve.
Duke qenë e knaqur me vendimin që të ndalesha dhe t’u përkushtoja ca çaste nderimi këtyre njerëzve “jabangji”, shpreha dëshirën time që ata të preheshin të qetë në tokën që u kishte krijuar prehjen e Amshimit!
Pasi kreva ecjen e mëngjesit dhe takova shumë njerëz në udhëzat e malit të Gërmisë, vendosa që të vizitoja edhe varrezat e Dëshmorëve në Qytetin tonë! Nuk kisha as lule dhe asgjë për ti nderuar, por mundova që me fjalën e shpirtit t’i falenderoja për këtë ditë të re, për këto rreze mëngjesi që më ngrohnin fytyrën time!
E ata , ishin të heshtur në përjetësinë e tyre! U ktheva shpinën me ndjesinë e fajit që nuk kisha një lule të freskët në shenjë nderimi për ditët që ne gëzojmë duke festuar, duke ecur e shëtitur lirshëm kudo që na teket nëpër rrugët e Prishtinës, të cilat njëherë e dikur, ishin të mbushura me helmeta të helmëta të atyre që menduan se këto troje do t,i bënin plaqkën e tyre ashtu siç ishin mësuar çdoherë nëpër shekuj!
Por, jo! Falë këtyre djemëve të rinjë që rrijnë të heshtur nën varret e tyre, por që zëshëm luftuan zingjirët e robërisë para 20 vjetësh, unë sot rri e i sodis dhe thurë fjalët më të bukura në gjithë qenien time!
Lavdi o çuna!

..U thashë në heshtje duke u munduar që mos t’u prishja qetësinë e këtij mëngjesi të larë nga rrezet e diellit të ngrohtë!
Heshtja ishte velloja që i mbulonte të dy varrezat! Edhe ato hebreje, por edhe këto të Dëshmorëve shqiptar! Kishte edhe një gjë shumë të përbashkët: zbrazëtia e hapësirës pa një dru të mbjellur rishtas, që do të zbukuronte ambientin rreth tyre! Sidomos në varrezat e hebrenjëve – as edhe një shelg që rritet pa kurrëfar kujdesi të veçantë! Përveç që mbjellja e drunjëve do të ishte një shenjë respekti ndaj atyre varreve, drunjët e mbjellur do të ishin edhe një oazë e vockël ku do të trembej ajri i stërndotur i kreyqytetit të shqiptarëve në Kosovë!
Besoj që me një mobilizim të vockël të një ideje që nxënësit e shkollave të shumta të qytetit, të bënin mbjelljen e fidaneve në këto varreza, do të ishte ora më e paharruar e një historie me të cilën ata është obligim kombëtar të takohen! Apo, kryetari i qytetit sikur ndonjë ditë të kujtohej të vinte atypari me fëmijët e tij dhe tu tregonte historinë e qytetit ku ata rriten e edukohen! Mesiguri se do t’i zinte syri shkretëtirën në hapësirën ku në paqen e amshimit, rrinin të heshtura varret e hebrenjëve, të cilët me ekzistencën e tyre aty, flisnin për një epokë ku fisnikëria shqiptare ishte treguar më ndryshe nga të gjithë vendet tjera ballkanike e europiane, duke u siguruar atyre strehim dhe konak në gjeografinë shqiptare!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura