Gjakovë, 4 janar 2021: Kështu po e nisi urimin për 30 vjetrorin e lindjes së Frontit të Rezistencës.
Më 11 nëntor 1990, në Gjakovë u themelua organizata ushatarako-politike e emërtuar “Fronti për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar” (FRBK). Themelimit të organizatës i paraprinë shumë aktivitete lokale, qendrore dhe mbarëkombëtare. U mbajtën një numër i konsiderueshëm takimesh me individ të caktuar, që më vonë do të bëhen bartës kryesor të detyrave me rëndësi në kuadër të Frontit. Në veçanti duhet përmendur takimi i organizuar në fshatin Arbana të Prizrenit, që ishte takim përgatitor për Kuvendin Themelues në Gjakovë. Në Kuvendin Themelues morrën pjesë këta përfaqësues të trojeve shqiptare:
1. Afrim Morina – Therandë
2. Avdyl Krasniqi – Drenoc, Malishevë
3. Avdullah Hasanmetaj – Deçan
4. Çerkin Peci – Mitrovicë
5. Enver Haliti – Drenicë
6. Fadil Curri – Shkup
7. Fatlik Lila – Gjakovë
8. Fatos Aliu – Prishtinë
9. Halil Koliqi – Drenas
10. Hamëz Jashari – Prekaz, Skenderaj
11. Hamdi Ajdini – Preshevë
12. Ismet Kryeziu – Prizren
13. Mentor Kaqi – Gjakovë
14. Naim Krasniqi – Prizren
15. Palush Palushi – Gjakovë (nikoqir)
16. Sokol Dobruna – Gjakovë
Dhe mysafirë nderi:
• Ali Aliu – Prishtinë
• Hyda Dobruna – Gjakovë
Prej dhjetorit të vitit 1990, pos detyrave që ishin kryer deri atëherë lidhur me shtrirjen nëpër njësi me shtabe lokale dhe rajonale, bëhet ndarja në shtatë zona ushtarake në Kosovë dhe dy në Maqedoni të Veriut. Ngritet edhe Shtabi Kryesor (Kryesia) e Frontit. Fillojnë trajnime (stërvitje ushtarake) në Drenicë, në Prizren (male të Kabashit dhe në Vrri) e në Gjakovë (Rekë e Keqe, Ramoc dhe qytet). Vazhdon zgjerimi i Frontit me inkuadrimin e rinisë studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe disa sindikatave të punëtorëve.
Bëhen marrëveshje me disa ndërmarrje prodhuese dhe tregtare nga Gjakova për transportimin e mallrave drejt Shqipërisë, nëpër vende të caktuara, aty ku duhej të mbaheshin stërvitjet ushtarake nën mbikqyrjen e ushtarakëve të karrierës, me të cilët kishim rënë në ujdi që më parë.
Zhvillohen negociata me personat kompetent të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë edhe Presidentin e vendit (Ramiz Alija), për mundësinë e sigurimit të armatimit dhe shfrytëzimin e kazermave të boshatisura.
U bashkëbisedua edhe me ushtarak shqiptar që jetonin dhe vepronin jashtë Kosovës.
U bë inçizimi i brezit kufitar me Shqipërinë, për t’i identifikuar dhe siguruar vendkalimet së bashku me ekipet që do t’i kryenin këto detyra.
Pas kryerjes së tyre, më datë 24 gusht 1991, në fshatin Nasheci Plak të Prizrenit, u mbajt një takim i rëndësisë së veçantë pasi që aty u miratua skema definitive e organizimit ushtarak të Frontit, e punuar nga ekspertët e fushës.
Me ngritjen dhe funksionalizimin e organizatës në fjalë, filloi edhe qepja e uniformave ushtarake, numri më i madh i të cilave u sekuestrua nga ana e sigurimit serb me rastin e arrestimit të disa prej anëtarëve të Frontit në Gjakovë, më datë 14 dhjetor 1991.
***
Kësaj rradhe vetëm kaq sa për shënimin e tridhjetë vjetorit të lindjes së Frontit dhe për ata që dhanë jetën për lirinë e vendit. Rezistuan, rezistuam dhe do të rezistojmë ndaj çdo të keqe ngado që na vjen.
Më poshtë po postoj fotot e dy kompleteve të uniformave ushtarake të asaj kohe që arritën të mbijetojnë deri në ditët e sotme, së bashku me logon e Frontit.
Autor: Fatlik Lila, botuar në rrjetin facebook, më 11 nëntor 2020