Prishtine, 9 janar 2021: Në shenjë të 22 vjetorit të themelimit të Radios “Kosova e Lirë”
Nga pika ku u desh t’i lëmë veturat e deri në bunkerin që ndodhej në Majën e Pallanikut, ecëm së bashku rreth 40 minuta. E gjithë rruga në Malet e Berishës, përveç se lloç, ishte përpjetë e terren goxha i vështirë. Të gjithë këtë rrugë, Nusret Pllana dhe ekipi i Radios “Kosova e Lirë” në vitin 1999, e bënë çdo ditë për 3 muaj, duke bartur gjenerator e pajisje të radios, të cilat peshonin disa dhjetëra kilogram. Para kësaj, ky ekip, çdo ditë raportonte në lëvizje.
Ajo çfarë ishte më e rëndë se vet rruga, ishte pamja e bunkerit të radios. Të hyje në të, tashmë ishte e pamundur, ani pse brenda tij më parë ishte një radio e tërë, ku lehtë hynin deri në pesë persona.
Vendi tashmë ishte shndërruar në një strofull të kafshëve.
-Brenda mund të ketë ndonjë ari…ose ujk…ose ndoshta ndonjë dhelpër që është strehuar nga i ftohti i dimrit – bisedonim mes vete. – Është me gjethe brenda, se bunkeri është i madh, deri në katër metra – fliste me nostalgji Nusreti, teksa përpiqej me një dru ta hapte sadopak hyrjen, që të paktën, të dukej më mirë përmes kamerës. Ani pse nuk ishte përgjegjësi e tij të kujdesej për të, i vinte turp ta shihte shikuesi të lënë në atë gjendje. Ai edhe buzëqeshi pak në njëorëshin e qëndrimit pranë bunkerit, se ndoshta nuk i besohej që një vend me peshë kaq të madhe në historinë tonë, është lënë nën përkujdesjen e kafshëve të egra të malit.
Për çdo metër vend aty, Nusreti kishte nga një tregim.
Por, këto tregime nuk do t’i dëgjojnë ndonjëherë vizitorët. Aty s’ka ndonjë ciceron t’ua shpjegojë atyre këto gjëra, kjo pasi atje nuk shkon më askush. Të shkohet atje, është thuajse e pamundur. Bunkeri që dikur fliste për tërë Shqipërinë, sot është harruar nga Kosova.
Fidan Zejnullahu, gazetar/ T7