Durrës, 10 janar 2021: Unë, Gjokë Kolë Dabaj, nga komuna e Tivarit, aktualisht banues në Bashkinë e Shijakut, formuloj deklaratën time, personale dhe solemne, si shqiptar dhe si intelektual i Kombit Shqiptar, se nuk kam pranuar, nuk pranoj dhe nuk do të pranoj asnjëherë në çfarëdo rrethanash, kurrfarë kufiri tjetër detar, përveç kufirit që na e ka lënë trashëgim Rilindja Kombëtare Shqiptare:
“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
gjithkund l‘shon dielli vapë edhe rrezë,
asht tokë e jona, t’par’t na e kanë lanë,
kush mos t‘na e preki, se desim të tanë!”
Asnjë komision, shtetëror apo ndërshtetëror, asnjë gjykatë kushtetuese, asnjë gjykatë ndërkombëtare dhe asnjë qeveri apo kryetar qeverie, nuk ka të drejtë dhe nuk do të ketë kurrë të drejtë, të vendosë kufij të tjerë, përveç këtyre të përcaktuar këtu, thjeshtë, qartë dhe parrëzueshëm nga askush, përveçse me dhunë!
Këta kufij i ka përcaktuar, jo artificialë por krejt të natyrshëm, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në vitin 1878 e në vazhdim! Këta kufij i ka ripërcaktuar Kuvendi Kombëtar Shqiptar i Vlorës në vitin 1912 dhe askush nuk ka të drejtë legjitime të shkelë sipër vendiimevet, as të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, as të Kuvendit Kombëtart Shqiptar të Vlorës!
Çdo kongres, kuvend apo konferencë tjetër, e Londrës, e Parisit apo e cilitdo vend tjetër, që i ka shkurtuar këta kufij bregdetarë e detarë të Shqipërisë, ka qenë i njëanshëm, i dhunshëm dhe logjikisht i përkohshëm, prandaj unë, si shqiptar nuk jam i detyruar të pranoj asnjerin prej tyre!
Rrjedhimisht, as përpjekjet e sotme për të sajuar e kurdisur ca kufij në veri të Korfuzit, që e shkelin maksimën tonë të shenjtë “Qysh prej Tivarit deri n‘Prevezë” nuk kanë e nuk do të kenë fuqi vendimore, përveç asaj të dhunshme jodemokratike! As Tirana, as Athina, as Haga e asnjë autoritet tjetër, për mua jolegjitim, nuk ka fuqi, as ligjore, as morale, që të shkelë mbi të drejtën e Kombit Shqiptar për kufij të natyrshëm midis Shqipërisë dhe vendevet që kufizohen me Shqipërinë!
Çdo përpjekje tjetër, e kujtdoqoftë, është destruktive dhe shkatërruese, si për ne shqiptarët, ashtu edhe për grekët dhe sllavët! Lakmitë artificiale të grekëvet janë antigreke dhe lakmitë artificiale të sllavëvet janë, në thelbin e vet, antisllave! Forcat progresive, greke dhe sllave, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë që, çdo joshje me zgjerim mbi tokat e Shqipërisë, çdo nxitje për të hyrë shtetërisht në tokën e shqiptarëvet, ka qenë dhe është me prapavijë keqdashëse, në dëm deri në shkatërrim, edhe të grekëvet, edhe të të sllavëvet të Jugut!
Mbështetur në sa shkrova, unë po u drejtohem të gjithë shqiptarëvet, që, nëse janë të një mendimi me mua, ta përkrahin këtë deklaratë timen, personale dhe solemne, në mënyrë që zëri i Kombit Shqiptar të jetë i harmonizuar dhe qartë i artikuluar. Interesi i Kombit, por edhe i kombevet fshinjë, siç u shpreha më lart, e kërkon që të pozicionohemi, si dhe në të shkuarën, kundër çdo lloj shtrembërimi, naiv, shkurtpamës, konjukturor e deri edhe djallëzor, antishqiptar, antigrek e antimalazias!
Portali “pashtriku.org” është organi që unë e zgjodha, jo rastësisht, për të shpallur qëndrimin tim individual. Kuptohet që, më vonë, do të kërkojmë publikimin e këtij qëndrimi në të gjitha mediat shqiptare dhe joshqiptare.
Dihet që, çfarëdo mendimi e çfarëdo qëndrimi individual, është i pafuqishëm dhe thuajse i paefektshëm. Prandaj do të ishte mirë që, këtij zëri, nëse do të konsiderohet i drejtë dhe i arsyeshëm, t’i bashkohen të gjithë shqiptarët e kthjellët. Them: shqiptarët e kthjellët!
Individualisht apo të organizuar, si fshatra, si lagje qytetesh, si bashkësi fetare, si organizata joqeveritare, si institucione shtetërorë, lokalë apo qendrorë, brenda Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikës e Maqedonisë Veriore, në shtetin grek, në Turqi dhe kudo ku jetojnë shqiptarë nëpër botë, është e nevojshme të prononcohemi, madje është e domosdoshme të pronocohemi, që shqiptarët nuk pranojnë me dëshirë kurrfarë kufiri tjetër detar e bregdetar, përveç atij që na e ka përcaktuar, krejt natyrshëm, Rilindja Kombëtare Shqiptare:
“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
gjithkund lshon dielli vapë edhe rezë,
asht tokë jona, t’par’t na e kanë lanë,
kush mos t’na e preki, se desim të tanë!”
Le ta përkrahim solemnisht përcaktimin e Rilindjes sonë Kombëtare, shprehur me gojën dhe penën e Pashko Vasë Shkodranit, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund ta quajmë veten trashëgimtarë të denjë të rilindësvet tanë të madhërishëm! Nuk duhet të harrojmë që rilindësit tanë të madhërishëm nuk e kishin shtetin e vet dhe megjithatë guxuan ta thonë fjalën e vet. Le të ecim, pra, në rrugën e tyre, sepse vetëm ashtu do të meritojmë të quhemi pasardhës të tyre!
I lutem “Pashtrikut” të marrë përsipër udhëheqjen mediatike të kasaj nisme, të domosdoshme në këta çaste! Kombi shqiptar duhet të flasë! Kombit Shqiptar nuk i lejohet ta mbyllë gojën kaq tragjikisht, as për detin, as për tokën, as për Jugun, as për Veriun!
Gjokë Dabaj, Durrës 10 janar 2021