GJOKË DABAJ: DELI ZOT VETES, SE NATO-ja TË LË NË BALTË!

(Durrës, 06. 12. 2012) – U bë e njohur që Franca paska propozuar që NATO-ja të tërhiqet nga Rep.e Kosovës. Themi Franca, por dreqi e merr vesh kush qëndron nën hijen e asaj France! Propozimi përhapet. E pranojnë edhe të tjerët. Më në fund, del që NATO-ja dashka vërtet të tërhiqet dhe “përgjegjësinë” për sigurimin e Rep.së Kosovës ta marrë përsipër Europa.
Çfarë do të thotë kjo, që përgjegjësinë për sigurimin e Rep.së Kosovës ta marrë përsipër Europa? Në radhë të parë, kjo do të thotë që Mitrovica e Veriut të jetë e siguruar për t’u qeverisur prej Rep.së Sërbisë. Në radhë të dytë, Rep. e Kosovës të mos manifestojë kurrfarë përkrahjeje për Kosovën Lindore, sepse ashtu “destabilizohen” Ballkani dhe Europa. Në radhë të tretë, manastiret mesjetarë e antikë të Dardanisë të shndërrohen, pa u vënë re, në depo armatimesh mbushur me armë më modern të sërbisë. Dhe, në radhë të katërt, Naçertania të vazhdojë punën e vet, në rrethana të reja.
Franca të kënaqet me diplomacinë e vet, deri sa në Europë të shfaqet ndonjë Hitler i Ri dhe ndonjë Vishi. Hitleri i Ri mund të mos jetë gjerman as austriak. Ai, fare kollaj, mund të jetë një Millosheviq tjetër, më i kualifikuar, ndonjë Nikollaj, ndonjë Putin më radikal, ndonjë Franko. Asgjë nga këto s’ka rëndësi. Rëndësi ka që Franca, me të këtilla akrobacira mbi kurriz të shqiptarëvet, ia përgatit edhe vetes një Vishi shumë më “komod” se Vishia e mesit të sh XX. Napoleonë, po dihet, Franca s’ka për të pasur kurrë më.

Po për shqiptarët, cili është mësimi?
Për shqiptarët mësimi është ky: Deli zot vetes, or bacë, se NATO-ja të lë në baltë! Armatosu vetë, që nga diplomacia, e zgjuar, vetëmbrojtëse, deri te kokrra e fishekut! Armatosu vetë, sepse Sërbia t’i ther fëmijët dhe t’i përdhunon vajzat e nuset në rastin më të përshtatshëm për të!
Ndërsa, deri sa s’kanë mbaruar ende tratativat, kërko që përgjegjësinë për sigurinë e Rep. së Kosovës është më mirë ta marrë SHBA-ja, sesa BE-ja. BE-ja le të mbajë “sigurinë” e Bosnjës, SHBA-ja sigurinë (pa thonjëza) të Rep.së Kosovës! Nëse ikën NATO-ja, të paktën SHBA-ja të mos na braktisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura