DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: ZHVILLIMI I BUJQËSISË NË KOSOVË GJATË MESJETËS (I)

Mitrovicë, 12 mars 2021:
Abstrakt

Ambienti gjeografik ka qenë objekt kryesor për të cilin është interesuar njeriu gjatë historisë së tij, që nga kohët më të lashta në epokën parahistorike, e deri tash. Kjo, është fare e kuptueshme, sepse të gjitha të mirat materiale që i ka njeriu, i ka marrë nga natyra, në saje të punës së tij fizike dhe mendore. Veprimtaria kryesore ekonomike gjatë mesjetës në Kosovë ishte bujqësia. Themi kështu sepse pothuajse çdo familje merrej me njëren nga degët e bujqësisë si; me lavërtari, blegtori, pemëtari, bletari, ujitjen e tokës e kështu me radhë. Por të shkruash për bujqësin në këtë periudhë (mesjetë), kemi mungesë të të dhënave të drejtpërdrejta, të cilat janë fragmentare dhe të tërthorta.
Fjalet kyqe: Bujqesi, zhvillim, mesjetë, farërat, lavërtari, bletari.
‘’’

1. Kosova, pozita gjeografike, relievi, klima, ujërat

Kosova shtrihet në pjesën më të madhe të Dardanisë së dikurshme. Ajo gjendet në qendër të pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik.
Kosova përbëhet prej dy tërësive të dalluara relievore: Rrafshi i Kosovës (6.567 km²) dhe Dukagjini (4.320 km²). Në kuadër të këtyre dy tërësive morfologjike relativisht të mëdha veçohen njësitë morfologjike më të vogla – regjionet: i Sharrit, Kopaonikut dhe i Bjeshkëve të Namuna (Alpet shqiptare), pastaj regjioni i Drenicës, i Novobërdës dhe i Moravës së Epërme.

Kushtet morfologjike të territorit i orientojnë në mënyrë të natyrshme lidhjet e komunikacionit. Një ndër rrugët kryesore nga koha e romakëve e lidhte Nishin (Naissus) me Lezhën (Lissus) në Shqipëri. Në verilindje, kjo rrugë kalonte diku midis Kurshumlisë dhe Podujevës (Llapit), vazhdonte nëpër Therandë, përgjat bregut të majtë të Drinit, shpiente në drejtim të Lezhës dhe të bregdetit të Adriatikut.
Rruga e dytë për kah rendësia ishte ajo që nisej nga veriperëndimi – si besohet, nga Novi Pazari – nëpër malin Rruga Lissus – Naissus. Rogozna, kah lugina e lumit të vogël. Banjska, e prej këndej dilte në pjesën kufitare të Kosovës, në një lokalitet të vogël antik afër Mitrovicës. Në këtë vend rruga e kalonte Ibrin dhe vazhdonte në drejtim të jugut, duke mos u larguar prej kodrave, larg terreneve të shumëta moçalike në pjesën qëndrore të luginës së lumit Sitnica, nëpër Ulpianë dhe Grykë të Kaqanikut në drejtim të Scupit.
Në mesjetë, me zhvillimin e xehtarisë e cila ka traditë qysh nga ilirët dhe romakët, ka rëndësi të madhe rruga Shkodër – Kosovë, e cila i lidh qendrat xehtare Novobërdën, Janjevën dhe Trepçën me qendrat e rendësishme tregtare me këtë magjistralë . Këto rrugë kishin në kohën e romakëve më tepër karakter ushtarak, kurse në mesjetë morën funksion të rendësishëm tregtar.

Klima – veçoritë klimatike të Kosovës janë të caktuara nga pozita e saj gjeografike, nga largësia prej detit dhe nga reliefi.
Rrafshi i Kosovës kryesisht i nënshtrohet ndikimit të klimës së mesme kontinentale. Ndërsa Rrafshi i Dukagjinit është nën ndikimin e masave ajrore, maritime nga Deti Adriatik nëpërmes luginës së Drinit të Bardhë.
Pozita, Reliefi, Klima – dhe faktorët e tjerë kanë kushtëzuar një sasi të bollëkshme të ujit – rrjet tejet të zhvilluar të lumenjve në pjesën perëndimore me Drinin e Bardhë me degët e tij, Lumbardhi i Pejës, Deçanit, Prizrenit, Ereniku, Mirusha, Lumi Klina etj, si dhe
pjesën Lindore të Kosovës me lumenjtë Ibri, Sitnica, Lushta, Morava e Binçit, Llapi dhe Lepenci.

2. Bujqësia si faktor ekonomik

Me faktor ekonomik kuptojm pjesmarrjen relative të sektorit primar (parësor), sekundar (dytësor), dhe terciar (tretësor).
Ekonomia e Kosovës në shek. XII – XV në periudhën e feudalizmit të zhvilluar në pjesën dërmuese të saj ishte agrare, përveç përreth disa qendrave industriale të shpërndara në Kosovë. Përkundër kësaj, bujqësia hynte në radhën e degëve më të zhvilluara.
Giom Adam arqipeshkopi i Tivaritr në vitin 1332 shkruan se në Kosovë mbretëron lumturia (unum jocela), e pasur me drithëra, verë, yndyrëra, mishëra, tokë pjellore nëpër të cilën gravitojnë burimet e ujërave, e pasur me të gjitha llojet e shtazëve, të egëra, dhe me argjend, ku punonin xehtarët pa ndërprerë.
Pozita gjeografike relievi, klima, hidrografia etj, Kosovën e bënë të kishte të zhvilluar jo vetëm bujqësinë si faktor primar për ekonomi por edhe xehtarinë, zejtarinë, transportin e degë të tjera. Duke u nisur nga Rrafshi i Kosovës, pjesa veriore e tij, gjegjësisht Shala e Bajgorës si vend kodrinor – malor më tepër kishte përhapje xehtaria dhe blegtoria se sa lavërtaria apo vreshtaria a degë të tjera të bujqësisë. Qendra kryesore e xehtarisë ishte Trepça, ndërsa vende të tjera ku është shfrytëzuar xehja janë edhe Vllahia, Ceraja, Ziaça, Mazhiq, Melenicë, Gumnishtë dhe Maxherë, gjë që shihet prej mbeturinave të shumëta të galerive, të minjerave, ndërsa në fshatin Kelmend (Lipë) karakteristikë janë edhe disa gurë të gdhendur në formë të koritave, me vrima të shpuara që janë shfrytëzuar për shkrirjen e xehes që nga koha ilire dhe gjatë sundimit romak, por edhe më vonë. 

Korita guri ku është shkrir xeheja

Fotografi nga P. Hajzeri, fig. 1 

Fotografi nga P. Hajzeri, fig. 2

Në Shalë të Bajgorës përveç xehtarisë, blegtorisë, ka gojëdhëna se popullsia e kësaj treve kanë qenë shumë të zotët edhe si drugdhendës, gurgdhendës etj.
Kushtet për rritjen e bagëtisë ishin shumë të favorshme në çdo fshat të Shalës, e atë e bënë të mundur kullotat e shumëta livadhore, kullotat malore.
Jo vetëm në pjesën veriore të Kosovës, por edhe në atë perëndimore në Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nâmuna), atë jugore Malet e Sharrit, terrenet e vështira, ku është gati i pamundur kultivimi i bimëve të tjera, atëherë kullosat ishin mjaft të përhapura. Për shkak të relievit të thyer malor, pjesa më e madhe e popullsisë së këtij rajoni është marrë tradicionalisht me blegtori, ndërsa drithërat dhe produktet e tjera bimore i ka siguruar në tregjet e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës.
Duke ju nënshtruar temperaturave të ulëta e sidomos gjatë dimrit ku temperaturat arrijnë nën 0ºC, vegjetacioni nëpër kullosa malore është mjaft i ndjeshëm bari i kullosave nuk arrin lartësinë më të madhe se 10 – 20 cm e nëpër vendet e ulëta si në Rrafshin e Kosovës dhe të Dukagjinit bari arrin gjatësinë shumë më të madhe.
Pjesët e ulëta të Kosovës kishin kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë me të gjitha degët e saj, lavërtarinë, kultivimin e drithërave si; gruri, elbi, thekra, tershëra dhe meli.
Për kultivimin e drithërave në rrafshin e Kosovës mësojmë edhe me diplomën apo kartën e mbretit Stefan Dushanit të hartuar në Nerodime, d.m.th. në territorin e sotëm të Kosovës më 1332, mbreti Dushan u garantonte tregtarëve raguzas lirinë e blerjes së drithit nëpër fshatra e qytete të Serbisë (Kosovës, vërejtja jonë). Meqë teritori i përmendur ishte në zë për kultivimin e drithërave atëherë, sipas të gjitha gjasave edhe tregëtarët raguzas kalonin mjaft kohë në territorin e Kosovës rreth blerjes së tyre.
Ndërsa, për kultivimin e drithrave në Dukagjin mësojmë edhe nga Zia Shkodra në Esnafet shqiptare nga një shkrim i Marin Bicit, ku thotë se pas Shkupit, Prizreni ishte qyteti më i madh në Kosovë. Përveç shtëpive të mëdha secila me oborr e kopsht, këtu kishte edhe 300 mullinj bloje në shërbim të popullsisë së kësaj zone pjellore dhe të pasur, me drithra të shumëta, ndërsa Peja kishte 21 mullinj bloje.
Në gjysmën e parë të shek. XIV, Prizreni ishte ndejë e kolonisë raguzase. Qeveria e Raguzës në vitin 1332 e caktoi në këtë qendër konzullin e përgjithshëm për të gjithë qytetarët e saj që gjendeshin në territorin e Kosovës.
Në këtë qytet raguzasit kishin dy kisha: kishën e Shën Mërisë dhe të Shën Pjetërit. Në duart e tyre gjendej tregu dhe dogana.
Në shek. XVI, Prizreni shënon përparim edhe në tregëti, në zejtari dhe në jetën kulturore arsimore. Në fillim të shek. XVII, Prizreni llogaritet në radhën e qyteteve më të mëdha të Gadishullit Ballkanik, si dhe qendër e rëndësishme për blegtori dhe prodhimet blegtorale, posaçërisht me lesh dhe përpunimin e lëkurës, e cila eksportohej madje edhe në Gjermani. Prizreni kishte të përhapur vreshtarinë, pemëtarinë, bletarinë, peshkatarinë dhe zejtarinë.
Prodhimet cilësore blegtorale të Prizrenit, vijnë kryesisht edhe nga rrethet e tij e gjegjësisht nga Malet e e Sharrit, ku vegjetacioni livadhor dhe i kullosave i cili shtrihet në lartësi mbidetare rreth 1500 m. mbi nivelin e detit e vazhdon deri në majat më të larta, është shumë i llojllojshëm, ku i kontribon përhapjes së blegtorisë dhe përfitimeve të mëdha nga kjo degë e bujqësisë.
Bujqësia luan rol ekonomik edhe në qytetet mesjetare. Këtu rol më të rëndësishëm kishte bujqësia e specializuar: kopshtaria e vreshtaria, sesa bujqësia e arave dhe e kullotave.
Krahas bujqësisë si kudo në vendet e Ballkanit, peshë jo të vogël kishte blegtoria. Nuk kishte asnjë fshat që të mos kishte të ardhura nga bujqësia dhe nga blegtoria.
Në fshatrat e kësaj periudhe vendin kryesor e zinin kulturat e arave. Mbillej grurë, thekër, mel, tërshërë etj. Peshën më të madhe ekonomike në sigurimin e bukës së popullsisë e kishte gruri, në fshatrat kodrinor e gjysëm malorë, pastaj meli në fshatrat fushorë e në ata të luginave të lumenjve, dhe thekra në zonat malore dhe kodrinore. Në pemishte rriteshin; molla, dardha, kumbulla, arra, gështenja etj.
Ekonomia e fshatit mesjetar mbështetjen kryesore e kishte mbi prodhimet e tokës. Aktiviteti kryesor prodhues në fshat është ai bujqësor. Fshatrat dallohen jo vetëm nga qyteti, por edhe në mes tyre. Ky dallim varet shumë nga faktorët natyrorë por në disa raste edhe nga ata shoqërorë, madje edhe brenda kufijve të një vendi mund të ketë tipa të ndryshëm të fshatrave.
Bujqësia përbënte degën më të zhvilluar për pjesën dërmuese të vendbanimeve fshatare. Sipas të dhënave të regjistrave kadastralë, nuk ka pasur asnjë fshat që në një masë më të madhe apo më të vogël, të mos ushtronte bujqësinë. Të ardhurat më të shumëta klasa sunduese i nxirrte nga prodhimet e tokës.
Në mesjetë, ashtu edhe më vonë, tokat ishin burim i të gjitha të mirave materiale. Nga prodhimet e tokave bujqësore priste sigurimin e jetës bujku dhe familja e tij, prej saj sigurohej ushqimi për kafshët e trasha , nga ushqimi natyror, që sigurohet prej tyre mbaheshin gjallë e shtoheshin bagëtitë e imta dhe prej tyre sigurohej pjesa dërmuese e lëndës së parë për funksionimin e zejtarive të kohës, në qytet e në fshat.
Prodhimet bujqësore përveç ndërrimit me tramp, mall për mall, ata shiteshin edhe në tregjet e qyteteve me valuta monetare të kohës.
Po japim disa të dhëna për çmimet e disa produkteve bujqësore në shek. XVI në akçe në disa qytete si: Prizreni, Shkodra, Ohëri, Peja.

3. Kategorizimi pronësor

3.a. Bashkësia fshatare shek. IV – VIII
Në këtë periudhë bashkësia fshatare, përsa i përket organizimit të brendshëm, ruante mjaft elemente të vetorganizimit. Ajo zgjidhte kryeplakun e persona të tjerë të nevojshëm, si; mbikqyrësin e digave, kontrolluesin e shpërndarësit të ujit etj.
Mbledhësi dhe kryeplaku përgjigjeshin para shtetit për vjeljen e tatimeve dhe për plotësimin e detyrimeve. Tatimi kryesor ishte detyrimi për tokën.
Në mjaft bashkësi fshatare, qysh në shek. VIII, kishte mjaft pjesëtarë që vazhdonin akoma të punonin me forcat dhe me mjetet e veta ngastrat e tyre. Kishin dalë nga njëra anë familje të pasura dhe nga ana tjetër fshatar të varfër të varur si: Aporë, Mortitë, e Mistotë .
Me që tokat ishin pronë e bashkësisë, pjesëtarët e bashkësive kishin mundësi të rritnin sipërfaqet e tokave të punueshme, për ta rritur prodhimin bujqësor e blegtoral, pa i blerë ato. Zhvillimi i forcave prodhuese përgatiti kushtet për lindjen e marrëdhënieve feudale në tokat shqiptare.
Kështu, bashkësitë fisnore dhe fshatare bënë njëkohësisht edhe bashkësi fiskale. Shteti caktonte një shumë taksash dhe ajo përgjigjej kolektivisht për pagesën e rregullt të krejt shumës .
Edhe me vendosjen e popullsive ,,barbare”, në Gadishullin Ballkanik, forma kryesore e organizimit shoqëror ishte bashkësia fshatare ⁴⁸. Në gjirin e bashkësive fisnore, lidhjet e gjakut që i mbanin njërin pranë tjetrit në ekonominë e përbashkët vazhduan të dobësohen. Me dobësimin e këtyre lidhjeve, me largimin e këtyre pjestarëve nga bashkësia dhe me rëndësinë që merrte në marrëdhënjet midis tyre fqinjësia territoriale, Bashkësia Fisnore kthehej kështu në Bashkësi Fshatare, si rrjedhim edhe Katuni në Fshat . Ata paraqiteshin si një fshat i madh me territorin e vet, bashkë me tokën e tyre .
Gjendjen e bashkësive fshatare në këtë pjesë të mesjetës, na e pasqyron deri diku “Ligji bujqësor” (neomos georgikos). Ky ligj përmban të drejtë zakonore bizantine, që mendohet se është kodifikuar rreth mesit të shek. VIII. Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine, dhe në këtë kuadër, edhe për trevat shqiptare .
Fshatarët të cilët që jo rastësisht quheshin aty “zot” (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare .
Në këtë ligj janë pasqyruar ndryshimet që po ndodhnin në shek. VIII, në gjirin e bashkësive fshatare. Aty thuhet se tokat e braktisura prej zotëruesit duhet t’i ktheheshin përsëri bashkësisë. Nga regjimi i vjetër i pronësisë së përbashkët ishte ende në fuqi sistemi i arave të hapura, sipas të cilit pjesëtarët e bashkësisë kishin të drejtë t’i kullotnin bagtitë e tyre në të gjitha arat e veçanta të familjeve, sapo këto të kishin përfunduar korrjen.
Në ligjin agrar del qartë se prona e përbashkët Kujria – që ishte bazë e regjimit të bashkësisë qysh në shek. VIII kishte filluar të pakësohet. Aty shihet se jo vetëm shtëpitë, bagëtitë, kopshtet, vreshtat, por edhe një pjesë e arave ishte kthyer në zotërim privat të familjeve. Këto familje tani kishin të drejtë që arat e tyre t’i trashëgonin, shkëmbenin ose edhe t’i jepnin tjetërkujt me qira, por ende nuk kishin të drejtë t’i shitnin .
Në këtë ligj del se disa pjesëtarë të bashkësive ishin kthyer në Aporë (fshatarë të varfër). Këta ishin të detyruar për mungesë mjetesh pune, t’i linin bashtinat e tyre dhe të shkonin në vende të tjera. Në bashkësitë fshatare barazia e dikurshme e pjesëtarëve në shek. VIII, kishte filluar të lëkundej në një shkallë të thekësuar. Brenda bashkësisë tani praktikohej edhe marrja e tokave me qira.
Në ligjin agrar përmenden fshatar qiramarrës ose Mortitë, të cilët punonin në ngastrën e manastirit, duke i paguar atij si qira të dhjetën (1/10) e prodhimit ose Mortën.
Në ligj përmenden edhe argatët me meditje ose Mistotët, të cilët juridikisht ishin të lirë, por ekonomikisht ishin të varur nga fshatari i pasur, te i cili punonin kryesisht si barinj – rrogtarë. Në ligj përmenden në fund edhe skllevër .
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dëmtime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës . S’ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V – VII.
Ligji agrar (bujqësor), na tregon edhe për pronat private për ngastrat, arat, livadhet, kopshtet etj, por edhe ndëshkimet e tyre që dëmtojnë ose dhunojnë pasurinë, e tjetrit. (Neni 42) thotë: Në qoftë se ndonjëri, duke dashur të vjedhë një ka, nga një kope, bën që kopeja, duke u shpërndarë, të bëhet pre e bishave, (ai) të verbohet. (Neni 44) Në qoftë se ndonjëri gjen në pyll një ka e therrë atë dhe e merr mishin e tij, t’i priten duart. (Neni 46) Në qoftë se një shërbëtor, duke dashur të vjedhë natën, largon prej kopesë bagëtitë, duke i dëbuar nga vathi dhe (ato) humbasin ose i hanë bishat, të ngulet në hu si vrasës. (Neni 64) Ata që vënë zjarr në lëmë ose në qipitë (e grurit) për hakmarrje kundrejt armiqve, le të digjen në zjarr .
Me këtë nuk do të thotë vetëm ndëshkimi, por mbrojtja e pronës dhe pasurisë së tjetrit që gjithashtu dimë nga Ligji i bujqësisë.
Çdo fshatar kishte ngastren e vetë (neni 1) me kufij të përcaktuar mirë, shkelja e të cilave shkaktonte faj dhe ndëshkohej me dënime të ndryshme sipas rastit.
Pronari i tokës kishte të drejtë ta detyronte fqinjin e vet t’i priste degët e pemës, kur ato shtriheshin mbi token e tij (neni 33), të mos lejonte kalimin përmes tokës së tij as ujin e mullirit të një fshatari tjetër (nenet 83-84). Pronësia private shtrihej gjithashtu mbi kopshtin (neni 31), vreshtën (nenet 21,59,80), bagëtinë (nenet 23 – 29), mbi pyllin (nenet 20 – 57) etj .
Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në “Ligjin bujqësor”, u futën në të drejtën dokesore (zakonore), dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar .
Këto diferencime shoqërore në Perandorinë Bizantine, e edhe në trojet shqiptare janë ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm, siç ishin humbja për Perandorinë Bizantine e Egjiptit, Mesapotamisë etj. që ishin hambar të perandorisë. Këto humbje sollën pakësimin e të ardhurave të shtetit bizantin në kohën kur ajo duhej të mbante në këmbë një ushtri të forte për t’i bërë ballë pushtimeve arabe. Për këtë arsye u ngritën taksat. Këto kërkesa të mëdha fiskale të shtetit shpejtuan diferencimin e fshatarëve. Mbi bashkësitë është ushtruar një presion i madh edhe nga institucionet kishtare e manastirore, të cilat ishin bërë në këtë kohë pronare të mëdha tokash.
Prandaj, në bashkësit fshatare të viseve fushore, qysh në shek. VIII kishin dalë në njerën anë familje të pasura, e në anën tjetër fshatarë të varfër e të varur, si: mortitë dhe mistotë, të cilët shfrytëzoheshin pa mëshirë nga familje të pasura. Kështu është çthurur rendi i bashkësive .

3. b. Stratiotika
Megjithëse tek bizantinët ekzistonte ligji që ushtarëve t’u jepej ushqim dhe rrogë, ky perandor, (Manuel I Komneni), mbasi ua shkurtoi këto ushtarëve, rregulloi që ata të kenë [sendet] e nevojshme në sasi të mjaftueshme nga proniet ushtarake .
Në kohën kur në Bizant sunduan perandorët e “dinastisë maqedone”, shek. IX – XI, njohën një përhapje të gjërë të të ashtuquajturave “ngastra ushtarake” (stratiotika ktemata). Këto, shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin ushtarak .
Ushtari (stratiot), është një luftëtar me kali dhe shoqërohet nga një trupë e armatosur, madhësia e së cilës varet nga madhësia e feudit që ai ka marrë në pronie , ku shërbimi ushtarak kryhej me shpenzimet e tyre .
Sistemi i pronave ushtarake, njohu përhapje të gjerë në kohën e riorganizimit politiko – administrativ të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut – ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë bizantine .
Po edhe fshatarët stratiotë, nuk mund t’i shpëtonin varfërimit, prandaj me kohë filluan edhe ata t’i shisnin ngastrat e tyre e të kalonin në një gjendje varësie e shfrytëzimi nga dinatët ushtarakë ose civilë të cilëve u kishin dorëzuar tokat e tyre .
Shërbimi ushtarak, që kryente me shpenzimet e veta, përbënte, një lloj rente, që i lahej shtetit duke sjellur çlirim nga disa detyrime të tjera. Pra, ishte i liruar nga një pjesë e tatimeve që edhe ashtu ishin të shumëta ndaj shtetit.
Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kunddrejt kryerjes së shërbimit ushtarak .
Duke marrë pronën, zotëruesi i saj feudal, proniari fitonte të drejtën të vilte nga ekonomitë fshatare që ndodheshin brenda saj një numër të caktuar detyrimesh nga të cilat hiqte dorë tani arka qendrore .
Proniet lidheshin ngusht me personin të cilit i jepeshin; ky e mbante pronien sa kohë që kryente detyrimet e tij, përndryshe ajo mund t’i merrej .
Proniari nuk mund ta shiste ose ta dhuronte pronien, bile nuk mund ta linte trashëgim pa aprovimin e pushtetit qendror .
Në fund të shek. XIV, e gjatë gjysmës së parë të shek. XV, pati një shpërndarje masive proniesh. Kjo dokumentohet më mirë për rrethin e Shkodrës. Kështu, më 1416 nga 116 fshatra të Shkodrës, 32 ose 38% ishin pronie. Në shumicën e rasteve, ato përbëheshin nga një fshat. Nuk mungojnë rastet kur një pronie ishte e shpërndarë në tri fshatra. Proniet nuk përbënin gjithmonë një territor kompakt. Tetë hotianë kishin një pronie, fshatin Podgorë .
Me kohë proniarët filluan të merrnin të drejta më të gjera eksklusive siç i patën gëzuar më parë vetëm institucionet kishtare në zotërimet e tyre. Proniarët filluan bile të krijonin një aparat të vet nëpunësish, rojesh personale, ushtarësh etj . Përhapja e pronies, jo vetëm pasqyronte shfaqjen dhe zhvillimin e tipit të ri të pronësisë, por edhe ndryshime në tërësi të sistemit të pronësisë bizantine .
3. c. Bashtina
Krahas ngastra ushtarake ndonëse në një shtrirje jo kaq të gjerë e me një peshë specifike jo kaq të madhe, ekzistonte një kategori tjetër e pronës feudale, bashtina .
Bashtina ishte pronë e plotë, e përjetshme dhe e pakushtëzuar. Ajo mund të shitej, të dhurohej, të trashëgohej. Ato ishin krijuar me atë të përvetësimit të tokave të anëtarëve të bashkësisë me blerje, me grabitje, ose me dhurime nga pushteti, ndërsa toka e bashtinës fshatare punohej nga anëtarët e familjes së mbajtësit të saj, bashtina feudale, ashtu si edhe pronia, mbështeteshin krejtësisht mbi shfrytëzimin e punës së fshatarëve të pavarur .
Shek. XIV u bë periudha që shënoi një moment kthese. Në këtë kohë vihet re një sulm i gjerë i feudalëve për të shtënë në dorë tokat që nuk kishin rënë nën pronësinë feudale. Objekt sulmi u bënë kullotat malore ose “bjeshkët”. Ata niseshin nga parimi se malet i përkasin atij, në tokat e të cilit gjenden. Ky parim ishte shprehur edhe në kodin e Stefan Dushanit. Malet konsideroheshin pronë ekskluzive e feudalëve. Ato u bënë të tilla, duke përdorur edhe dhunën.
Rrugë të tjera veç marrjes me dhunë ishte blerja e detyruar ose fiktive “dhurimet” kinse vullnetare të fshatarëve të varfëruar etj.
Nëpër këto rrugë u zgjeruan bashtinat në formën e uniteteve ekonomike – territoriale të mëdha e kompakte. Në disa raste arrinin deri në mijëra hektarë . Proniet e bashtinat ndodheshin jo vetëm në duart e dinatëve feudalë shekullarë, por edhe të feudalëve kishtarë të manastireve, të kishave dhe të peshkopatave .

3. d. Pronat kishtare
Pronat e institucioneve kishtare u rritën më shpejt se ato të feudalëve. Kjo duket në rritjen e pronave të kryepeshkopatës së Ohrit. Në shek. IX ajo zotëronte disa ndërtesa kishtare e manastirore e disa pallate të dhuruara nga mbretërit bullgarë në Devoll e Gllavinicë , dhe në fillim të shek. XI nuk kishte më tepër se disa qindra parikë, në fillim të shek. XII kryepeshkopata në fjalë zotëronte disa qindra fshatra si pronie e bashtina, të shpërndara në Shqipëri e Maqedoni, në të cilat gëzonte imunitet . Ajo ishte pronare kullotash, mullinjsh dhe dajlanesh , asaj i përkiste e drejta e peshkimit në gjithë liqenin e Ohrit. Nga të gjitha këto ajo kishte të ardhura të mëdha .
Rrugët e përvetësimit të tokave ishin blerja, akoparimet, dhurimet e perandorëve dhe të besimtarëve të pasur , ndërsa prona e grumbulluar nga feudalët shekullarë ndahej shpeshherë nga trashëgimtarët, kontestohej nga kundërshtarë ose kthehej në fondin shtetëror, me rastin e vdekjes ose të vrasjes së pronarëve të saj. Prona kishtare kishte stabilitet më të madh dhe gëzonte siguri pak a shumë të plotë. Për këtë arsye shumë feudalë shekullarë themelonin manastire dhe u dhuronin atyre pronat e veta, duke i lënë vetes, anëtarëve të familjes të drejtën e ktitorit (themeluesit), gjë që u lejonte të gëzonin të ardhurat e tyre në mënyrë më të siguruar .
Manastiret dhe kishat u pajisën me dhurata të mëdha tokash e fshatrash. Kështu, më 1426, Gjon Kastrioti i dhuroi manastirit të Hilandrit në malin Atos dy fshatra në Dibër .
Në fillim të shek. XIII, në Kosovë, ky manastir kishte vetëm 9 fshatra, një treg dhe 4 stane bletësh. Pas një shekulli e gjysmë ai zotëronte 190 fshatra e 14 male ose bjeshkë midis Dibrës e Prizrenit.
Manastiri i Deçanit kishte 151 fshatra dhe 18 bjeshkë. Tokat e tij llogariteshin në 20.000 ha. tokë me 15.500 banorë që kapnin një krahinë të tërë e kompakte që quhet Rrafshi i Dukagjinit . Një Llambadar në këtë manastir është eksponat i dhuruar nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu .
Në vitin 1280, në fshatin Potgorë të rrethit të Shkodrës kishte vetëm 4 ekonomi fshatare, pronë e manastirit të Vraninës. Pas disa dhjetëra vjetësh kjo pronë kishte përfshirë gjithë fshatin. Manastiri i Tetovës, nga pronar i disa arave, më 1338, ishte bërë pronar i gjithë fshatit Trakovec .
Më 1348 manastiri i Prizrenit kishte 76 fshatra e 23 kullota malore e shumë shtëpi. Një pjesë e mirë e këtyre pronave ishin larg Prizrenit, në Pult, në Danjë, Gjadër, Koplik, Shkodër etj .
Manastiret u jepnin zotërimet e tyre qiramarrësve të mëdhenj. Ata, ua shpërndanin tokat qiramarrësve të vegjël. Kështu rritej pagesa e qirasë dy herë. Kjo dëshmonte për lindjen e formave fillestare karakteristike për marrëdhëniet parakapitaliste .
Në fillim të shek. XIV, siç na mëson krisobula e Shën Shtjefnit – Banjskës (e cila u shkrua, me sa duket, gjatë viteve 1313 – 1316), Llapi i Poshtëm dhe Llapi i Epërm – “Obema Laboma”, zihen n’gojë si prona të manastirit të Banjskës . Po ashtu edhe fshati Barilevë ishte pronë e këtij manastiri.
Kështu, në vitin 1419 (1414) me rastin kur sunduesi në fjalë (Gjuragj Brankoviqi), manastirit të Shën Pantelejmonit në Malin e Shenjtë ia bashkangjet dy fshatra, njëri prej tyre ishte Vranidolli, fshat buzë Llapit
– VIJON –

_______________________

DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: ZHVILLIMI I BUJQËSISË NË KOSOVË GJATË MESJETËS (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10999

***
DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: ZHVILLIMI I BUJQËSISË NË KOSOVË GJATË MESJETËS (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=11002

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura