Pashtriku, 18 prill 2021: 2. Islamizmi ishte sintezë e religjioneve ekzistuese në Arabi, si judaizmi, krishterimi dhe paganizmi arab.
Gjendja e përgjithshme në shekullin VI
Që nga kohërat prehistorike arabët jetonin në gadishullin Arabik, që njihet si atdhe i semitëve. Tek arabët zbutja e deves duke filluar nga mileniumi II p.e.s. ndikoi në zhvillimin e tyre të gjithëmbarshëm. Deveja përdorej për qumësht e mish, për leshin e saj me të cilin bënin veshjet dhe shatoret, si dhe për udhëtim dhe bartje. Që në prehistori arabët ndaheshin në sedentarë dhe nomadë. Arabët sedentarë banonin në bregdetin perëndimor të gadishullit, në krahinat Nabatea, Hixhas, Asir dhe Jemen. Këta merreshin me bujqësi, dhe gradualisht u bënë edhe tregtarë. Arabët nomadë jetonin në shkretëtirë, dhe merreshin me rritjen e deveve, kuajve, me gjueti, plaçkitje dhe tregti. Që të dyja këto kategori jetonin në sistem fisnor. Si rrjedhojë edhe plaçkitjet e ndërsjellta dhe gjakmarrjet ishin të përhapura, e sidomos tek nomadët. Gjithashtu tek këta arabë ishte shumë e përhapur poezia popullore.
Arabët në shekullin VI sulmuan dhe kolonizuan kah veriu: në Levant u vendosën Ghasanidët dhe në Mesopotami u vendosën Lakhmidët. Në këtë kohë arabët ishin në fqinjësi me Bizantin dhe Perandorinë Persiane. Etnitë që kufizoheshin me arabë ishin egjiptasit, hebrenjtë, aramejtë, grekët, dhe persianët. Arabët e shekullit VI kishin kryesisht këto katër religjione: arabë judaistë, të krishterë, zoroastrianë dhe paganë. Krishterimi përveç trajtës ortodokse në Bizant, paraqitej edhe në forma tjera si doketizëm, arianizëm, nestorianizëm, etj.
Arabët kishin njohur një zhvillim të theksuar ekonomik në kohën antike, falë tregtisë së themjanit i cili prodhohej në masë të madhe në Arabi dhe shërbente në Evropë për ritualet e varrimit tek popujt e ndryshëm paganë. Me përhapjen e kristianizmit e sidomos në shekullin e katërt me legalizimin e këtij religjioni, evropianët tashmë varroseshin me rituale të reja ku themjani nuk përdorej. Rënia e tregtisë së themjanit solli krizë ekonomike dhe sociale mes arabëve. Nga kjo kohë ata ishin të përçarë në fise dhe komunitete fetare që luftonin mes vete. Lufta e vazhdueshme mes fiseve nuk sillte asnjë fryt civilizues. Gjatë kësaj kohe janë shfaqur dhe zakone të egra patriarkale si p.sh. etërit nuk donin vajzat e posalindura dhe i varrosnin ato për së gjalli, sepse donin vetëm meshkuj pasi këta trashëgonin familjen. Me këtë krizë ekonomike-sociale duhet të lidhen edhe dyndjet e arabëve në vende tjera, që kishin filluar qysh para shfaqjes së islamizmit. Është kjo gjendje demoralizuese që e ka shtyrë Muhamedin të krijojë fenë e re. Natyrisht që duhet të ketë patur dhe ambicie personale për pushtet, por ambiciet e tilla realizohen në mënyra të lloj-llojshme, ndërsa ne na intereson fakti se pse Muhamedi zgjodhi pikërisht këtë mënyrë, dhe mendimi jonë është që kjo zgjidhje u jepte fund problemeve të shoqërisë arabe.
Tabloja e mësipërme na mundëson që të hulumtojmë në drejtimet e duhura për të kërkuar rrënjët e fesë islame. Tani shqyrtojmë religjionet e atëherëshme një nga një dhe elementet që kanë hyrë në Islam, prej këtyre religjioneve.
Trashëgimia judeo-kristiane
Trashëgimia më e fortë në islamizëm është ajo judeo-kristiane. Në bazë të kësaj Islamizmi klasifikohet si religjion abrahamik.
Gjërat e përbashkëta me judeokristianizmin janë si në vijim: Monoteizmi, besimi në një zot të vetëm, ka më tepër afërsi me judaizmin dhe me disa herezi krishtere mesjetare, sesa me krishterimin nikean i cili mbron idenë e Trinisë së Shenjtë. Engjëjt, e përbashkët me ndryshime të vogla në emër si Gabriel – Xhebrail, i cili si në kristianizëm ashtu edhe në islamizëm ka po të njëjtin funksion, si i dërguar i zotit tek njerëzit ose tek profetët, Mikael – Mikail, Rafael që në fenë islame quhet Israfil, Azrael – Azrail, Profetët, janë po ata të njëjtit sikurse në judeo-kristianizëm, si p.sh. Adam – Adem, Noea – Nuhu, Abraham – Ibrahim, Jozef – Jusuf, Jesus – Isa, etj. Ngjarjet janë thuajse krejtësisht të njëjta, me përjashtim të ndonjë detaji. Kështu, kur vëllezërit e Jozefit në Bibël shkojnë në Egjipt për të kërkuar drith, shkojnë me gomarë, kurse në Kuran për të njëjtin udhëtim thuhet se e kanë bërë me deve. Kjo tregon ndikimin që ka ushtruar kultura arabe në fenë e re, pasiqë arabët nuk merreshin me gomarë, por mbanin kryesisht deve. Megjithatë Islamizmi ka një profet më shumë, që është profeti i ri, Muhamedi. Librat e shenjtë, janë po ata të njëjtit sikur për judeo-kristianizmin, si Zeburi i Davidit, Dhjata e vjetër dhe e re, që në fenë islame njihen si Tevrati dhe Inxhili. Emri i parë vjen nga hebraishtja Torah, kurse i dyti nga fjala Ungjill. Më pas islamizmi ka dhe librin e vet i cili abrogon librat e mëhershëm, por vetë ideja e të pasurit një libër, duhet të jetë ide judeo-kristiane pasiqë në trevat evro-mesdhetare të vetmit libra fetarë të këtij lloji, ishin librat e judaizmit dhe të kristianizmit. Besimi në Kiametin, është e njëjta ide që e gjejmë edhe tek judeo-kristianizmi si ideja për Apokalipsën. Skenari është thuajse i njëjtë: bota shkatërrohet, njerëzit vdesin të gjithë pastaj gjykohen nga zoti, dhe sipas veprave të tyre shpërblehen me parajsë apo dënohen në ferr. Ferri në judaisht quhet Gehinom, kurse në arabisht Xhehenem.
Arabët kishin më tepër kontakt me disa herezi të caktuara të krishterimit, si bie fjala me arianizmin, nestorianizmin, doketizmin dhe monarkianizmin.
Në bazë të ngjashmërive të konceptit islamik mbi zotin dhe Krishtin, del se feja islame në këtë çështje ka huazuar nga katër herezitë e lart-përmendura.
Kështu për kryqëzimin e Krishtit në Kuran shprehet e njëjta ide sikurse e doketizmit. Doketizmi ishte një herezi e krishterë që datonte nga kohërat apostolike, sipas së cilës natyra trupore apo njerëzore e Krishtit nuk ka qenë reale por njerëzve vetëm u është dukur. Përndryshe, sipas kësaj pikëpamjeje Krishti ka qenë hyjni apo me natyrë hyjnore, kurse trupi nuk ka ekzistuar fare por vetëm u është dukur njerëzve. Ngjashëm me këtë, njerëzve vetëm u është dukur gozhdimi apo kryqëzimi i Krishtit, por nuk ka ndodhur me të vërtetë. Nga fjala “duket, dukje” në greqisht dokeo, vjen emri i herezisë doketizëm.
Natyrisht që doketizmi dhe islamizmi kanë dallime të mëdha, por janë të njëjtë në shpjegimin e çështjes së kryqëzimit të Jezu Krishtit. Pra elementi doketist i fesë islame fokusohet vetëm tek çështja e kryqëzimit. Kështu në Kuran (En Nisaë, 157) thuhet:
“…Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan, por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth tij, janë në dilemë për të e nuk kanë për të kurrëfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë.”
Islamizmi ka diçka të përbashkët me arianizmin në idenë mbi Zotin dhe mbi natyrën e Krishtit. Arianizmi u shpik nga peshkopi Arius në Aleksandri në shek. IV. Doktrina e arianizmit e shihte Krishtin vetëm si njeri dhe jo si zot, dhe për rrjedhojë e mohonte edhe ekzistencën e Trinisë së Shenjtë. Që të dyja vlejnë edhe për fenë islame, ku Krishti është vetëm një njeri-profet dhe gjithashtu mohohet ekzistenca e Trinisë në favor të monoteizmit të pastër. Këto i gjejmë në Kuran (Suretu en Nisaë, 171):
“O ithtarë të librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për Allahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i Allahut. Ishte fjalë e tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga ai. Besonie pra Allahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: ‘Tre’…”
Më pas në një vend tjetër në Kuran, krishterimit i bëhen po të njëjtat kritika që i bënte edhe herezia ariane, (Suretu el Maide, 72-73):
“72. Bënë kufr ata që thanë: ‘Allah është ai, Mesihu, bir i Merjemes’. E vetë Mesihu, tha: ‘O beni israilë, adhuronie Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.
73. Gjithashtu bënë kufr ata që thanë: ‘Allahu është i treti i treve’. S’ka në gjithësi tjetër pos një Allahu, e nëse nuk pushojnë nga ajo që thanë (tre zotëra), do t’i kapë dënim i dhëmbshëm, ata që nuk besuan prej tyre.”
Siç shihet në këto vargje kritikohet ideja se Krishti ishte zot, si dhe ideja e Trinisë. Kritika të tilla, pamë se ishin në thelb të dogmës së arianizmit.
Gjatë shekullit V përhapje të madhe shënoi nestorianizmi, një lëvizje e re e themeluar nga Nestori, patriark i Kostandinopojës. Sipas kësaj herezie Krishti kishte dy natyra njërën njerëzore dhe tjetrën hyjnore, ku natyra njerëzore dominonte. Këtu nuk ka asgjë të përbashkët me fenë islame, por ngjashmëria konsiston në faktin që Maria njihej vetëm si “nënë e njeriut Jezu” dhe jo “nëna e zotit” siç e njihnin të krishterët tjerë. Nestorianizmi u përhap në Siri, Mesopotami dhe Persi.
Islamizmi e ka të përbashkët me monarkianizmin idenë e një zoti të vetëm. Monarkianizmi ishte një lëvizje heretike e shek. II dhe III, që pretendonte se Zoti ishte një dhe i vetmi sundues i gjithësisë.
Të gjitha këto herezi kishin një shtrirje bukur të gjerë në Lindjen e Afërme, dhe ishin në kontakt me botën arabe, ekzistonin që para krijimit të fesë islame, ndërsa për ngjashmëritë me fenë islame tanimë u fol, prandaj për mendimin tonë krejt këto ide kanë ndikuar në formimin e idesë islamike për Zotin dhe për natyrën e Jezu Krishtit.
Kultura judeo-kristiane ndikoi edhe në mënyrë indirekte përmes të ashtuquajturëve hanifë. Hanifët ishin arabët e periudhës para-islamike të cilët nuk ishin as krishterë, as çifutë, por nën ndikimin e këtyre religjioneve besonin vetëm në një zot, ishin monoteistë. Në mesin e hanifëve ishin gjashtë prej tyre që kishin shoqëri me Muhamedin dhe kishin pasur ndikim të fuqishëm tek ai.
Mendojmë se arsyet përse judaizmi dhe kristianizmi ndikuan në fenë islame, duhet të kërkohen sa tek afërsia e arabëve me hebrenjtë, sepse i përkasin së njëjtës familje popujsh, po aq edhe tek përhapja e këtyre feve sa në mesin e arabëve sa në popujt fqinjë.
Trashëgimia pagane
Studiuesit islamikë nuk i përmendin asnjëherë ndikimet arabe pagane në islamizëm, por përqëndrohen më tepër tek dallimet. Këtë e bëjnë nga fakti se islamizmi që në fillet e tij është paraqitur si një lloj ndryshimi i gjendjes ekzistuese, si shkatërrues i idhujtarisë, si zëvendësim për fetë e mëhershme. Ne këtu do të merremi pikërisht me ngjashmëritë që islamizmi i ka me paganizmin.
Shtylla qendrore e besimit islam, Allahu, më parë kishte qenë perëndia supreme pagane e panteonit arab, ashtu siç ishte p.sh. Jehova tek çifutët politeistë, Zeusi tek grekët ose ilirët, Jupiteri tek romakët, etj. Vetë gjyshi i Muhamedit quhej Abdullah që d.m.th. “adhurues i Allahut” në një kohë kur islamizmi si religjion ende nuk ishte krijuar.
Allahu kishte edhe tri vajza të cilat ishin Allat, Al-Uza, dhe Manat. Por meqenëse islamizmi kishte marrë rrugën monoteiste, kjo gjë u denoncua në Kuran (Suretu en Nahl, vargu 57):
“Ata i përshkruajnë Allahut vajzat. I pastër është ai nga ajo! Ndërsa vetes tyre (i përshkruajnë) çka ua ka ënda (djemtë).”
Siç shihet kjo është një reformë religjioze, që fuqizohet duke kritikuar traditën shekullore, si një besim të gabuar. Pas eliminimit të kulteve dhe perëndive tjera, mbeti vetëm Allahu si zot i vetëm.
Arabët paganë besonin edhe në engjëj, madje dhe engjëj të rënë në tokë, dhe engjëj që kontaktojnë me njerëz. Nuk dihet shumë për natyrën e këtyre besimeve, por dihet se ka ndryshime mes konceptimit të engjëjve nga kristianizmi dhe nga islamizmi, prandaj ky i fundit do ketë trashëguar diçka nga besimet pagane mbi engjëjt. Por Islamizmi nuk pranon idenë e një engjëlli që martohet me një grua. Kështu, fisi arab Xhurhum kishte një legjendë për prejardhjen e vet sipas së cilës stërgjyshi i tyre Xhurhumi ishte i biri i një engjëlli dhe një gruaje. Më pas me ardhjen e islamizmit, kjo gjë u ndryshua, dhe tanimë thuhej se Xhurhumi i ishte i biri i Ismailit birit të Ibrahimit.
Haxhillëku është shembulli më i përkryer i elementeve pagane në islamizëm. Meka ishte vend i shenjtë i arabëve paganë që në kohëra të hershme. Aty ishte Kaba një ndërtesë e shenjtë në formë kubike me ngjyrë të zezë, si dhe një gur i zi, me gjasë meteorit. Për çdo vit aty kryhej pelegrinazhi së bashku me ritualet përkatëse si p.sh. sjellja rreth Kabës. Këtu i vetmi ndryshim që bie në sy është reduktimi i skajshëm, nga një mori perëndish në një perëndi të vetme.
Megjithatë Muhamedi në fillim kishte Jerusalemin si pikën kah duheshin kthyer besimtarët për t’u lutur. Këtë e kishte bërë sepse në këtë mënyrë do t’i bënte për vete arabët krishterë dhe judaistë. Megjithatë pasi kishte kaluar këtë provë, ai e transferoi këtë pikë në Mekë, për t’i bërë për vete paganët. Përndryshe të gjitha zakonet pagane të arabëve u kopjuan dhe u futën në fenë islame si p.sh.: vizita e të gjitha shenjtëroreve në Kaba, mbajtja e ihramit, tavafi, goditja e djallit me gurë, flijimi i kafshëve apo festa e Kurban-Bajramit, puthja e gurit të zi, prekja me dorë e Kabës, rrotullimi rreth saj, parakalimi mes dy kodrave, ishin praktika të arabëve paganë. Kështu në një rast Omeri duke u treguar besimtar i devotshëm i drejtohet gurit dhe i thotë: “Unë e di që ti je një gur, që as nuk më ndihmon as nuk më lëndon, dhe sikur të të mos puthte profeti i zotit, nuk do të puthja as unë”.
Kalendari islamik
Kalendari islamik është kalendari me bazë hënore që përdorin besimtarët muslimanë. Ky kalendar ka rrënjë pagane, përkatësisht rrjedh nga kalendari arab pagan. Që në kohërat paraislamike, ishte traditë që muaji të fillojë me hënë të re, dhe të përfundojë gjithashtu me hënë të re. Prejardhja pagane e kalendarit islamik do të vërtetohet në vijim ku siç do të shohim ndryshimi është i vogël. Kalendari islamik është lunar, bazohet vetëm në lëvizjet e hënës, dhe në këtë mënyrë secili muaj ose festë për çdo vit ndryshon datën, dhe nuk i bie asnjëherë në të njëjtën stinë. Nëse i analizojmë emrat e muajve të kalendarit islamik do të shohim se ata kanë të bëjnë me stinët, dhe janë muaj të një kalendari luni-solar. Kështu muaji i dytë Safar ka kuptimin “fishkëllima e erës”, muaji i tretë Rabi’ al-awwal do të thotë “pranvera e parë”, muaji i katërt RabÄ«` al-Thani do të thotë “pranverë e dytë”, muaji i pestë dhe i gjashtë, Jamad al-Awwal dhe Jamad al-Thani rrjedhin nga fjala Xhamad që do të thotë thatësi dhe mungesë e shiut, muaji i tetë Shaban do të thotë “ndarje”, pasiqë arabët paganë shpërndaheshin në kërkim të ujit, muaji i nëntë Ramazan që do të thotë “me djegë” për shkak të vapës, muaji i dhjetë Shawal do të thotë “me bartë” pasiqë deveja mbetej me barrë në këtë kohë, muaji Dhul Hixhe gjatë të cilit i bie festa e Haxhit, korrespondon me festën pagane të vjeshtës tek popujt e ndryshëm semitikë; madje haxhi korrespondonte me festën çifute ‘hagg’, por sidoqoftë është shpjeguar si festë e proveniencës pagane. Siç shihet këta emra muajsh kanë të bëjnë me stinët, dhe kjo apriori nënkupton se janë përsëritur afërsisht në të njëjtën kohë brenda vitit diellor apo solar, ndërsa në ditët e sotme të njëjtit muaj për çdo vit të ardhshëm shfaqen nga 11 ose 12 ditë më herët. Për t’i ikur kësaj shmangieje që në kohërat e lashta është praktikuar interkalacioni, ashtuqë çdo dy-tri vite është shtuar nga një muaj më tepër, për të bërë vitin e plotë. Vite të tilla ishin me 13 muaj. Por interkalacioni është ndaluar me Kuran, duke e kthyer kalendarin e atëhershëm në kalendar të pastër hënor, në vitin 632. Kështu në Kuran (Suretu et Tewbe, vargu 37) thuhet:
” E shtyrja (e një muaji në vend të një tjetri) nuk është tjetër vetëm se një rritje e mosbesimit, që me të edhe më shumë humbin ata që mohuan, pse në një vit e bëjnë të lejuar atë (muajin e shenjtë), e në një vit të ndaluar (të shenjtë), e për të përputhur numrin që All-llahu i bëri të shenjtë dhe me atë e bëjnë të lejuar atë që All-llahu e ndaloi”.
Kjo është ndalesa shprehimore e interkalacionit, kurse në një varg para tij gjithashtu ka referime të tërthorta, si p.sh. (Suretu et Tewbe, vargu 36):
” Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën…”
Kjo ndalesë e pamundësoi që viti të ketë edhe një muaj të trembëdhjetë, në vite të caktuara, duke bërë kështu që të njëjtit muaj të vendosën në data më të hershme për çdo vit pasues.
Sheriati
Sheriati përndryshe ligji islamik që bazohet në Kuran e pjesërisht në hadithet e profetit, është gjithashtu produkt i traditës arabe dhe njëkohësisht i ndikimeve shekullore nga jashtë. Nga sa do të shohim ndikim më të madh këtu kanë luajtur e drejta romake, dhe e drejta zakonore arabe.
Në lidhje me të drejtën romake do të japim një shpjegim të shkurtër. E drejta romake ndahet në tri faza zhvillimi: faza e parë që është një fazë më primitive e sistemit skllavopronar, e kombinuar me mjaft elemente të bashkësisë fisnore; faza e dytë, e njohur si sistem klasik skllavopronar, nga viti 242 p.e.s. deri më 212 e.s.; dhe faza e tretë, apo sistemi skllavopronar postklasik, që fillon nga viti 212 e deri në vdekjen e Justinianit. Është pikërisht kjo periudha e fundit apo postklasike, dhe më pak ajo klasike, kur arabët kanë rënë më së shumti në kontakt me shtetin romak, përkatësisht në vitin 63 p.e.s. arabët e Nabateas, në Jordanin e sotëm me disa vise në jug dhe perëndim, u bënë klientë të Romës, por vetëm në vitin 106 të e.s. ky territor iu aneksua Romës; arabët përmenden si popullësi dominuese në disa pjesë të Levantit që në vitin 272 të e.s. Si shembuj të mirë të marrëdhënieve arabo-romake në periudhën postklasike mund të konsiderohen Mark Jul Filipi, i lindur në provincën romake të Arabisë, i cili u zgjodh august mes viteve 244 dhe 249, dhe Ghasanidët të vendosur në Levant, të cilët ishin konvertuar në të krishterë dhe ishin bërë aleatë të Romës kundër persianëve.
Duke pasur parasysh këtë tablo, do të analizojmë një nga një ngjashmëritë mes së drejtës romake, dhe sheriatit.
Në të drejtën statusore ka ngjashmëri sa i përket trajtimit të skllevërve. Fiset beduine vazhdimisht rrëmbenin robër si nga njëri tjetri ashtu edhe nga popujt jo-arabë. Por lirimi i skllevërve në të drejtën e sheriatit u huazua nga e drejta romake. Në periudhën postklasike në perandorinë romake u shfaq institucioni i pekulit. Pekuli ishte një pasuri, që i lihej në dorë skllavit, që të ushtronte veprimtari të pavarur ekonomike, t’i ndante frytet me skllavopronarin, ndërsa kishte edhe mundësi të blinte lirinë e vet me fitimet e kursyera ndër vite. Pekuli mund të ishte një copë tokë, shumë të hollash, anije, ekonomi e vogël tregtare ose zejtare.
Ky rregull i lirimit të skllavit gjendet edhe në Kuran (Suretu en Nurë, vargu 33):
“…E ata që i keni në pronësinë tuaj dhe kërkojnë prej jush t’i lironi në bazë të kompenzimit, atëherë ua bëni këtë të mundshme me marrëveshje, nëse e dini se janë të besueshëm dhe jepnu nga pasuria që u ka dhënë Allahu juve…”
Këtu kemi të gjitha elementet që i gjejmë tek lirimi i skllavit në botën romake. Kështu fjala “marrëveshje” që përmendet në këtë varg kuranor është pikërisht institucioni i pekulit, “kompenzimi” nënkupton çmimin në të holla me të cilat skllavi blen lirinë e vet, kur thuhet “nëse e dini se janë të besueshëm” ka fjalën për besimin që duhet të gëzojë skllavi që merr në duar të veta drejtimin e një pasurie siç është pekuli, ndërsa kur thuhet “jepnu nga pasuria që u ka dhënë Allahu juve”, e ka fjalën për pjesëmarrjen e skllavit në ndarjen e fryteve të nxjerra nga pekuli.
Në të drejtën martesore, sa i përket çështjes se me vullnetin e kujt bëhej martesa, e drejta romake kishte pësuar një evolucion të këtillë: në të drejtën e hershme ishin prindërit që caktonin fatin e fëmijëve dhe i martonin ata, në të drejtën klasike nevojitej pëlqimi si i prindërve ashtu edhe i bashkëshortëve të ardhshëm, ndërsa në të drejtën postklasike mjaftonte marrëveshja mes bashkëshortëve. Pikërisht kjo e fundit haset në të drejtën islamike: “Juristët islam (sic) e definojnë martesën si kontratë martesore të arritur në mes burrit dhe gruas me ç’rast fitojnë të drejtën ligjore të jetojnë në marrëdhënie intime”. Kjo shihet edhe në një varg kuranor, (Suretu en Nisa, vargu 3):
” …martohuni me ato gra që ju pëlqejnë..”
Në të drejtën trashëgimore, të transformuar gjatë periudhës klasike e më pas në atë postklasike, e drejta romake filloi t’u njohë edhe femrave të drejtën trashëgimore, gjë që u arrit, kur të afërmit agnatë (ata që jetonin nën një kulm me trashëgimlënësin) humbën të drejtën e trashëgimit në favor të të afërmve kognatë apo të afërmit nga gjaku. Pjesëmarrja e femrës në trashëgim ishte krejtësisht e huaj për popullatën beduine patriarkale, por në qytetin e Mekës duket se femra kishte të drejtë të trashëgonte dhe të mbante pronë private në mënyrë të pavarur, siç ishte rasti i Hatixhes, e cila më vonë u bë gruaja e Muhamedit, dhe pikërisht ky është rasti ku mund të vërehet huazimi i këtij rregulli nga bota romake në atë arabe, pasiqë Meka ishte qytet tregtarësh, të cilët kishin lidhje të vazhdueshme me Perandorinë Romake.
Në të drejtën penale bie në sy ngjashmëria në dënimin që u jepej vjedhësve. Në të drejtën romake, në kohën e Justinianit, vjedhësi kur vidhte për herë të parë nëse ishte i pasur kthente dyfishin e gjësë së vjedhur, ndërsa nëse ishte i varfër rrihej dhe dëbohej. Mirëpo kushdo që vidhte për herë të dytë i pritej dora. Pikërisht dënimi me prerje të dorës aplikohet në të drejtën islamike, madje edhe kur vidhet për herë të parë. Në Kuran gjejmë një varg të posaçëm për këtë çështje (Suretu el Maide, vargu 38):
“Vjedhësit dhe vjedhëses preniu duart, si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i fuqishëm, ligjdhënës i urtë.”
Duket se ndikimi i së drejtës romake ka qenë i fortë, për faktin se arabët nuk kishin shtet të vetin, gjatë kohës kur filluan kontaktet me romakët, por vetëm në shekullin VI filluan procesin e shtetformimit, dhe në këtë kohë u nevojiteshin ligje shtetërore të ndryshme nga e drejta zakonore. Këto ligje u gjetën të gatshme në të drejtën romake, që ishte në fuqi në Perandorinë romake lindore.
Megjithatë në të drejtën islamike është trashëguar shumëçka nga e drejta fisnore beduine. Kështu p.sh. skllavëria ishte mjaft e përhapur tek arabët para-islamikë. Arabët vazhdimisht rrëmbenin si meshkuj ashtu edhe femra, si nga fiset tjera arabe e më tepër nga popujt jo-arabë, të cilët më pas i lironin në shkëmbim të parave ose i mbanin si skllevër pune. Gjithashtu femrat skllavëresha mbaheshin si gra, madje në Arabinë para-islamike kishte filluar edhe procesi i amalgamimit të arabëve me të huaj, pikërisht në saje të këtyre martesave.
Konkluzion
Në bazë të elaborimit të mësipërm nxjerrim këto përfundime:
1. E tërë ajo lëvizje fetare që pati si rezultat religjionin islam, i ka rrënjët tek kriza që u shkaktua në botën arabe për shkak se evropianët e ndërprenë importin e themjanit.
2. Islamizmi ishte sintezë e religjioneve ekzistuese në Arabi, si judaizmi, krishterimi dhe paganizmi arab.
3. Qëllimi i Muhamedit ishte bashkimi i arabëve, ashtuqë fuqia e tyre të mos shterrohej duke luftuar mes vete, por të drejtohej jashtë, ashtuqë arabët të faktorizoheshin. Vetë koha e vërtetoi këtë, ndërsa islamizmi në këtë vështrim na paraqitet si një lloj zgjimi i vetëdijes kombëtare të arabëve, ngjashëm sikurse judaizmi që ishte bartës i nacionalizmit çifut, pavarësisht dallimeve mes këtyre feve në lëmi të tjera.
4. Kalendari islamik është një shembull i përkryer i trashëgimisë pagane në fenë islame.
5. E drejta islamike është në thelb kombinim i së drejtës fisnore arabe me të drejtën romake, e cila arriti tek arabët përmes fqiut të tyre Perandorisë romake lindore.
6. Sistemi ekonomik-shoqëror i mbështetur nga e drejta islamike, është në fakt sistemi skllavopronar postklasik, njëjtë sikur në Perandorinë e vonshme romake.
__________________________
ÇKA ËSHTË KOMBI E ÇKA NACIONI?
Nga Genc Kastrati
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1478
Postime të Lidhura
BAFQAR NUREDINI: DELEGATËT E SHQIPËRISË LINDORE (MAQEDONISË VERIPERËNDIMORE) NË KUVENDIN E VLORËS (28 NËNTOR 1912)
Gostivar, 27 nëntor 2017: (Në 105 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë etnik) – Kontributi…
ZËVENDËS – KONSULLI FRANCEZ NË MANASTIR – MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË FRANCËS (1913) : ‘ISA BOLETINI, ME 15 MIJË LUFTËTARË, KA HYRË NË DIBËR. GARNIZONI SERB KA PËSUAR HUMBJE TË RËNDA.’
Francë, 25 Qershor 2018: Në në faqen n° 236 të dokumentit me titull “Documents diplomatiques français, 1871-1914. Série…
FLAMURI HISTORIK I ISMAIL BEJ VLORËS
Në 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë FLAMURI HISTORIK I ISMAIL BEJ VLORËS Nga Sheradin Berisha Kush e…
FAHRI DAHRI: LASHTËSIA E RRËNJËVE TË FISIT ÇAM TË ÇAMËRISË
Itali, 1 mars 2019: I.- Tetë njësitë administrative të Thesprotisë. Është një e drejtë dhe e arsyeshme përgënjeshtrimi…