TEUTA KAMBERI’LLALA: DISKRIMINIMI ETNIK NË LIBRAT SHKOLLOR

Tetovë, 10. 12. 2012 – (Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës së të Drejtave të Njeriut) – Sot, në shek.21 në R.M ende vazhdojnë të botohen libra nga qeveritë që nxisin urrejtjen etnike midis popujve në këtë republikë multietnike. Diskriminimi dhe ofendime më i lartë i bëhet shqiptarëve dhe etnive josllavo-maqedonase nga Akademia e Shkencave, ku famëkeqja Enciklopedi e financuar nga taksapaguesit ofendon vend e pa vend etnitë josllave. Edhe pse ka patur kritika të forta qeveria dhe Akademia vazhdojnë me krenari ta qarkullojnë zyrtarisht këtë libër edhe jashtë vendin.
Por çfarë thotë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve në lidhje me arsimin dhe kulturat e popujve?
Kushtetuta e Republikës së Maqedoni në nenin 9 thotë: Qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve. Ndërsa AMENDAMENTIN VIII thotë: Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë lirisht ta shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin dhe veçoritë e bashkësive të tyre dhe t’i përdorin simbolet e bashkësisë së tyre. Republika ua garanton të gjitha bashkësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar. Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore, artistike, arsimore, si dhe shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre. Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Në të vërtetë sa e respektojnë Kushtetutën Qeveria dhe Ministria e Arsimit në drejtim të së drejtës së arsimit të etnive në gjuhët e tyre kombëtare, në këtë rast të etnisë shqiptare?
Për diskriminimin në arsim ne do të sjellim fakte të teksteve shkollore të botuara nga Ministria e Arsimit.
Në vitin 2010-2011 në ciklin e ulët mungonin tekstet në gjuhën shqipe për lëndët gjuhë angleze, gjuhë maqedonase, gjuhë shqipe, njohja e mjedisit, arsim muzikor, arsim figurativë, arsim fizik dhe shëndetësor, shkencat natyrore. Diskriminimi në Komunën e Tetovës atë gjeneratë shkollore nuk ishte vetëm për nxënësit shqiptar, por edhe ata që e ndiqnin mësimin në gjuhën turke si p.sh në shkollën Istikball dhe Migjeni, mungonin tekstet shkollore në gjuhën turke. Po atë gjeneratë kishte mungesa të librave në gjuhën shqipe për ciklin e lartë në lëndët matematikë, gjuhë maqedonase, gjuhë angleze, gjeografi, kimi, biologji. Në shkollën e mesme Ekonomike janë shpërndarë libra vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase për paralelet ku mësonin nxënësit të etnisë shqiptare.
Në shkollën e Gjimnazit libri i gjeografisë, historisë dhe gjuhës shqipe për vitin e II kishte probleme përmbajtësore dhe përkthimi ishte shumë i dobët. Libri i Gjeografisë na paraqiteshin harta dhe toponime në gjuhën sllavo-maqedonase dhe kishte të meta në terminologjinë për vendbanimet shqiptare. Libri i Historisë nuk kishte asnjë rresht ku të përmendej historia e popullit shqiptar, territoret, kultura, tradita, doket, etj. Në shkollën e Mjekësisë libri i kimisë analitike, biokimia, baza e përkujdesjes, janë në gjuhën sllavo-maqedonase në paralelet ku mësojnë fëmijët e etnisë shqiptare dhe turke. Në shkollën e mesme Teknike kishte mungesë të teksteve profesionale në gjuhën shqipe.
Për këto shkelje të rënda nga ana e Ministrisë së Arsimit edhe pse pati denoncime publike nga sektori i arsimit pranë Komunës së Tetovës, ministria në fjalë vazhdoj me avazin e vjetër edhe për gjeneratën e vitit shkollor 2012-2013. Në gjeneratën e këtij viti që jemi librat “Natyra” për klasën e katërt, “Historia” për klasën e gjashtë dhe të tetë , “Gjeografia” për klasën e gjashtë, “Arsimi muzikor” për klasën e pestë etj., vazhdojnë të jenë nga autor sllavo-maqedonas dhe me përmbajtje fyese për shqiptarët. 1
Libri Natyra për kl.IV në gjuhën shqipe ka shumë faqe që janë në gjuhën turke, ky është një atentat i hapët që i bëhet mësimit në gjuhën amtare për nxënësit shqiptar.2
Libri i Historisë për kl.VIII shtrembëron mbiemrin e gjuhëtarit Aleksandër Xhuvani në Aleksandër Huvanji, ky është një ofendim i rëndë që i bëhet këtij personaliteti shqiptar. 3
Në tekstet shkollorë vërehet një fenomen i çuditshëm ku tekstet në gjuhën shqipe që mësojnë nxënësit shqiptar janë përkthyer nga sllavo-maqedonasit, pra jo nga profesor shqiptar, këto përkthime janë shumë të dobëta, jo cilësore. Libri i Muzikës, Njohja e mjedisit, Arsimi figurativ, Gjeografia, Matematika, Historia etj., janë libra që për autor kanë kryesisht sllavo-maqedonasit si dhe me përmbajtje të kulturës sllave, pra nxënësve shqiptar nuk u lejohet në këtë mënyrë të mësojnë kulturën e tyre kombëtare të cilën e garanton Kushtetuta e Maqedonisë.
Diskriminimi më racistë që po njeh historia e shek.21 në lidhje me tekstet shkollorë u është bërë nxënësve shqiptar të cilëve u është hequr e drejta për të mësuar me Abetaren e gjuhës shqipe, pra prej disa vitesh Ministria e Arsimit ka zhdukur termin ABETARE për shqiptarët në Maqedoni. Ky është një rast flagrant ku janë shkelur rëndë të drejtat e njeriut.
Abetarja është tekst mësimor i lidhur kaq gjatë dhe ngushtë me historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare. Kjo, padyshim, është si rrjedhojë e funksionit dhe rolit që luajti në Rilindjen Kombëtare në luftën për çlirimin kombëtar nga errësira e pushtimit të gjatë osman.
Sot ky libër ashtu si në shek.XIX është i ndaluar në Maqedoni për nxënësit shqiptar, pra me një taktikë diskriminuese e qeverive sllavo-maqedonase e kanë hequr nga qarkullimi librin e Abetares pa të drejtë. Kjo vetëm për nxënësit shqiptar në Maqedoni të cilët me Kushtetutë të Republikës së Maqedonisë janë pjesë e kombit shqiptar.
Diskriminimi gjuhësor vazhdon të bëhet edhe nga kompanive të ndryshme private të cilat nuk i botojnë broshurat e tyre edhe në gjuhët që njihet dhe mbrohen zyrtarisht me Kushtetutë në Maqedoni. Ne sot do sjellim vetëm faktin të kompanisë së madhe energjetike EVN e cila faturat për pagesë i sjellë nëpër shtëpitë dhe objektet e biznesit vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase, ndërsa broshurat e propagandës, tabelat se ku bëhen pagesat i shkruan edhe në gjuhët e etnive të tjera. Kjo lloj praktike është ironike, tallje me gjuhët që flasin dhe shkruajnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.
Në fund lind pyetja nëse mundet të bëhen korrigjimet, të respektohen të drejtat e njeriut, në rastin tonë për respektimin e gjuhëve që flasin shtetasit e Maqedonisë. Patjetër se mund të fitohet e drejta që mbrohet me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, por duhet në fillim vullnet dhe bashkëpunim midis qeverisë, institucioneve shtetërore me qytetarët, organizatat joqeveritare. Por siç shihet ky shtet ngre struktura raciste dhe vepron me dhunë ndaj etnive josllave duke i shtypur me mënyra të ndryshme, duke ndalur zhvillimin kulturor dhe arsimor, duke përdorur shpeshherë edhe dhunën policore kur grupe të ndryshme të qytetarëve protestojnë paqësisht për të drejtat e tyre.
___________________
Bibliografia:
1. KOHA, Shkup, 14.11.2012, fq.4
2. Natyra për kl.IV, Shkup, 2009, fq.25, 28, 29, 32, 49, 52,53, 56, 65, 68, 69, 72
3. Historia për klasat e VII, fq.41.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura