GJOKË DABAJ: NËSE KOSOVA DËSHIRON T’I DALË ZOT VETES

Pashtriku.org, 15. 12. 2012- (Platformë e një veprimtarie gjithpopullore) – Do të mund të thoshim edhe: Nëse Shqipëria, përfshirë aty edhe Kosovën, dëshiron t’i dalë zot vetes. Por, meqë të quajturit bisedime po zhvillohen midis Rep.së Kosovës dhe Rep.së Sërbisë, e konsiderova më të përshtatshme të them: Nëse Kosova… Veç kësaj, e gjithë veprimtaria në lidhje me këtë çështje, që realisht është problem i të gjithë shqiptarëvet, duhdet të zhvillohet krejtësisht në territorin e Rep.së sotme të Kosovës.
Pra, nëse Kosova dëshiron t’i dalë zot vetes, ajo nuk ka asnjë arsye të presë që problemet t’ia zgjidhin të tjerët. Ajo nuk duhet, asaj madje nuk i lejohet, as të presë, as të pranojë nënshtrueshëm, që problemet t’ia zgjidhin të tjerët.
Një nga format, midis 2, 3 apo disa formave të mundshme, do të ishte edhe kjo: Të krijohet një organizëm civil, jashtëqeveritar, i përkohshëm, me emërtimin KOMISIONI POPULLOR I BISEDIMEVET ME SËRBINË.
Nuk po them ndonjë gjë të re lidhur me praktikën e manifestimevet që ka Kosova. Kosova ka traditë të shkëlqyer në këtë loj organizimesh. Prizreni i vitit 1878, Juniku, Verrat e Llukës, viti 1968, viti 1981, manifestimet gjakpajtues me Anton Çetën, marshimet në drejtim të Trepçës, varrimet e dëshmorëvet me mijëra pjesëmarrës. E vetmja e re që pretendoj të them, është se një i këtillë demonstrim nuk do të shkonte kundër qeverisësvet aktualë të Kosovës. Përkundrazi, ai, sado që do të dukej si veprimtari opozitare, do t’i ndihmonte shumë negociatorët qeveritarë në punën e tyre tepër të vështirë.

Gjokë Dabaj – autori i kësaj platforme.

………………………………………………………..

Në krye të këtij KOMISIONI (eventual), duhet të vihet një kryesi, e përbërë si më poshtë: 
KRYETAR KOMISIONI, një veprimtar i të Drejtavet të Njeriut. Nëse, midis veprimtarëvet zyrtarë të të Drejtavet të Njeriut nuk gjendet dikush (për shkak të rrogavet që marrin ose për ndonjë arsye tjetër), atëherë Kosova ka plot njerëz, të devotshëm dhe të nderuar, të cilët nuk hezitojnë për t’i dalë zot vendit të vet.
NËNKRYETAR KOMISIONI, një veprimtar tjetër me autoritet, nga shoqëria civile (pra nga populli), nga forumet e gravet, nga profesorati etj. Edhe këtu mund të gjendet një njeri, i cili i ka vënë interest e Atdheut të vet përmbi gjërat e tjera, qoftë të mëdha, qoftë vogëlsira.
ANËTARËT E ATIJ KOMISIONI do të ishin:
1. Një interpretues juridik, zgjedhur midis juristëvet, gjegjësisht avokatëvet më të mirë.
2. Një njohës i mirë i historisë.
3. Një koordinator organizues i veprimtarivet.
4. Një koordinator dhe përgjegjës i financavet.
5. Një koordinator mediatik.
6. Një organizues dhe drejtues i veprimtarivet dhe ceremonivet.
Ky KOMISION, i përkohshëm, duhet të ketë edhe një ADMINISTRATË të vetën, gjithkështu të përkohshme.
Administrata në fjalë do të përbëhej:
1. Një grup shkruesish, kompjuterues, printues, komunikues në rrjetet e internetit etj, të gjitha në funksion të KOMISIONIT.
2. Një grup përkthyesish, e pakta për gjuhën angleze dhe për gjuhën sllavojugore qendrore (ku bën pjesë edhe gjuha sërbe).
3. Një grup operatorësh televizivë dhe korrespondentësh, gazetarë, kameramanë, fotografë, edhe këta, të angazhuar përkohësisht vetëm në shërbim të KOMISIONIT.
4. Një shërbim postar për nevojat e KOMISIONIT.
5. Shërbimi vetjak i rendit dhe i sigurisë.
6. Shërbimi i transportit dhe i akomodimit (bujtjevet).
7. Shërbimi i financës dhe i ekonomatit.
8. Grup recituesish, aktorë, vajtore tradicionale. (Këto të fundit, edhe nga Mirdita, Labëria, Malësia e Madhe, Lezha etj).
Në mbështetje të krejt veprimtarisë së KOMISIONIT, aq kohë sa të zgjasin veprimtaritë: parlamentarë, politikanë, pushtetarë, të zgjedhur të organevet lokalë, historianë, gjuhëtarë, gjeografë, etnologë, arkeologë, arkivistë, juristë, mjekë, arsimtarë, komentatorë mediatikë, organe të rendit dhe forca përkatëse të policisë, të gjithë këta, sipas rastit dhe vendit, atje ku KOMISIONI zhvillon veprimtarinë.
PLANI I VEPRIMTARIVET I KOMISIONIT POPULLOR TË BISEDIMEVET ME SËRBINË:
I. Këto veprimtari duhet të zhvillohen në bazë komunash. Në secilën komunë veç e veç dhe me radhë, duke filluar, ta zëmë, nga komuna e Kaçanikut.
II. Në ditët kur zhvillohen veprimtaritë në një komunë, koordinatori organizues përgatit veprimtarinë në komunën tjetër. Merr leje nga organet përkatës, kontakton me kryepushtetarët e komunës, me personalitete e intelektualë të komunës, me kryesi shoqatash, me kryesi degësh të partivet, me biznesmenë (për të siguruar jo vetëm përkrahjen morale, por edhe ekonomike e financiare), me familje të masakruarish, me familje të dëmtuara nga Lufta, me familje dëshmorësh etj. (Vetëkuptohet, këto punë përgatitore janë kryer në komunën filluese qysh më përpara.)
III. MOTOJA e këtyre veprimtarive, të cilat duhet të zgjasin nga disa ditë në secilën komunë, është kjo: Ne shqiptarët jemi për bisedime me Rep.e Sërbisë, jemi edhe për marrëveshje të të gjithë llojevet me Rep.e Sërbisë, por para se të bëhen bisedimet dhe para se të lidhet çfarëdo marrëveshje, është e domosdoshme të bëhen disa sqarime.
Kjo është motoja, ky është principi bazë i çdo lloj bisedimi dhe këtë princip, këtë parim, nuk ka të drejtë askush, as ta neglizhojë, as ta hedhë poshtë, as ta pengojë ose ndalojë. Prandaj edhe Kosova, nëse dëshiron t’i dalë zot vetes, është e thirrur (prej brezash që do të vijnë, prej ende të palindurvet), madje Kosova është e detyruar, historikisht dhe moralisht, që ta kryejë këtë punë para se, ajo dhe krejt Shqipëria, të jenë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.
IV. Po përshkruaj tani MËNYRËN se si do të duhej proceduar në njërën prerj këtyre veprimtarive, procedurë, e cila do të duhej përsëritur thuajse e njëjtë në të gjitha komunat.
1. Shkohet pranë njërës prej përmendoreve apo në njërën prej varrezave, ose edhe te një varr i vetëm, sipas rastit. Ambienti është i dekoruar me flamuj kombëtarë, me fotografi dhe me transparente (Transparentet të mos jenë provokues, por dëshmues).
2. Veprimtarë të Të Drejtavet të Njeriut, përfaqësues të veteranëvet, përfaqësues të të masakruarvet, përfaqësues të dëshmorëvet, familjarë, përfaqësues të partivet, pushtetarë të komunës, delegatë nga Rep.e Shqipërisë, delegatë nga Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë etj. etj. (që të gjithë mbi baza vullnetare, por që ta kenë lajmëruar ardhjen me kohë), vendosin tufa lulesh dhe kurora.
3. Recituesit deklamojnë krijime që lidhen me ngjarjet e atyshme. Vajtorë dhe vajtore, sipas traditës që e kanë shqiptarët, trashëguar qysh prej Antikitetit, kryejnë ritin e të vajtuarit, sipas rregullavet që ata vetë i dijnë. Të gjithë të pranishmit i dëgjojnë recitimet dhe vajtimet. Shërbimi i mediavet bën punën e vet.
4. Pas këtij riti të përmortshëm, i përsëritshëm vit pas viti, tërhiqet gjithë procesioni dhe, njerëzit që janë vetëlajmëruar, caktuar ose thirrur, mblidhen në njërën nga sallat e kryeqendrës së komunës, për të lexuar dëshmitë, pa të cilat nuk ka e nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh me gjakësit.
5. Të parët që lexojnë e kumtojnë, janë të afërmit e të vrarëvet dhe të të zhdukurvet, ish-të burgosurit politikë, ish të dëbuarit, dëshmitarët e përdhunimevet, të zotët e shtëpivet të djegura e të rrënuara, të zotët e pasurivet të plaçkitura. Në të gjitha këto deklarata, me sa më pak komente dhe me sa më shumë fakte. Atje ku është e mundur, jepen edhe emrat e kryerësvet të krimevet. Pas çdo kumtimi, natyrisht, të shkruar, i dorëzohen KOMISIONIT edhe fotografi apo dëshmi të tjera, të çfarëdo lloji qofshin. Që të gjitha, sipas rregullavet përkatëse, në mënyrë që ato të mund t’u kthehen përsëri zotëruesvet.
Të dytët janë ata që japin shifrat përmbledhëse të të masakruarvet, të të zhdukurvet, të ish-të burgosurvet politikë, të ish-të dëbuarvet, të femravet të përdhunuara në shkallë komune, të shtëpivet të djegura e të rrënuara dhe të pasurivet të plaçkitura. Lexohen edhe të gjithë materialet e botuar më parë në libra e në gazeta, që i takojnë kësaj komune.

Në vazhdim jepen dëshmi mbi masakrat, vrasjet, plaçkitjet, dëbimet, shpërnguljet, dhunimet, burgimet, shpronësimet, kolonizimet, që sllavët i kanë kryer në vendin tonë në periudha të ndryshme:
1. Në vitet pas Luftës II Botërore.
2. Në vitet e Luftës II Botërore.
3. Midis 2 Luftërave Botërore.
4. Në Luftën I Botërore.
5. Në Lutën II Ballkanike.
6. Në Luftën I Ballkanike.
7. Në vitet 1877-1878.
8. Në shekujt XII-XIV.
Merren dëshmi, aty ku ka, edhe mbi të këtilla ngjarje e përgjakje në ato pjesë veriore dhe lindore të Kosovës, që sot ndodhen jashtë kufijvet të Rep.së Kosovës. Dëgjohen dëshmitë e nipërvet të të shpërngulurvet të atëhershëm nga ato treva që sot banohen prej sllavësh.
Jepen, në fund, edhe të dhënat historike, nëse ka banorë sllavë në komunën përkatëse dhe kur kanë ardhur ata në territoret e komunës përkatëse. E gjithë kjo pjesë veprimtarie dëshmuese, mund të zgjasë 1 ditë, 2 ditë 3 ditë apo edhe më shumë. Asgjë nuk duhet lënë pa u thënë, pa u arkivuar dhe pa u publikuar. Në çdo paraditë bëhet nga një vizitë në vendet ku ka lapidarë apo varreza dhe çdo vizitë shoqërohet me ritet përkatës, të cilët kanë shumë rëndësi të pasqyrohen në media.
6. Mbi bazën e dëshmivet të grumbulluara, juristët e KOMISIONIT hartojnë denoncimet përkatës për Prokurorinë e Rep.së Kosovës, për Prokurorinë e Rep.së Sërbisë, për Prokurorinë Ndërkombëtare të Hagës dhe, nëse shihet e nevojshme, edhe për instanca të tjera të drejtësisë europiane e botërore. Denoncime, atje ku ka raste konkretë, duhet t’i paraqiten edhe Prokurorisë së Rep.së Malit të Zi, për arsye se në Kosovë kanë vepruar edhe një numër jo i vogël kriminelësh malazezë. Denoncime, atje ku ka raste konkretë, duhet t’i paraqiten edhe Prokurorisë së Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë, sepse edhe nga ai krah ka veprime me të cilët duhet të merren gjykatat.
7. Hartohet edhe një PROKLAMATË, jo e përgjithshme, por prej secilës komunë veç e veç, drejtuar pjesës jokriminale të popullit sërb. Në atë proklamatë njoftohet ajo pjesë e popullit sërb, që nuk është përzier në krimet ndaj popullit të Kosovës, mbi krimet që bashkëkombësit e saj i kanë kryer në Kosovë. Me anë të asaj proklamate i kërkohet asaj pjese të popullit sërb që, jo vetëm të solidarizohet me popullin shqiptar, por edhe t’i kërkojë ata kriminelë, t’i gjejë dhe t’i denoncojë në organet përkatës të drejtësisë.
8. Nga një apel i veçantë, me argumente të fortë shkencorë, prej secilës komunë, i duhet dërguar Akademisë Sërbe të Shkencavet dhe Artevet, me kërkesën që ajo Akademi të mos vazhdojë më të jetë faktor dezinformimi të kombit të vet kundër shqiptarëvet. Në atë apel duhet të jenë qarta kërkesat që ajo Akademi t’i hyjë punës për ta ndryshuar historiografinë mbi bazën e faktevet shkencorë e jo mbi euforitë aventurore nacionaliste. Lidhur me shprehjen “mbi euforitë aventurore nacionaliste” duhet sqaruar pozicioni ynë, që ne nuk jemi kundër nacionalzmit sërb në kuptimin pozitiv të asaj fjale, por jemi kundër kultivimit të çdo nacionalizmi që dëmton të tjerët.
Me një vëmendje të mirëpërcaktuar duhet t’u vihet në dukje Akademisë Sërbe dhe organevet të tjerë kulturorë e arsimorë, sidomos në lidhje me hartimin e tekstevet shkollorë. Në tekstet shkollorë të Rep.së Sërbisë ka shumë pasaktësira dhe të pavërteta historike. Psh. ekspeditat e ushtrivet sërbe mbi territoret e shqipërisë janë emërtuar si ndërmarrje çlirimtare. Akti i pushtimit është emërtuar me fjalën osllobogjenje, çlirim. Një e tillë fjalë e dëmton rëndë ndërgjegjen e fëmijës, i cili, kur të rritet, është i gatshëm të bëhet kriminel “në emër të atdheut”. Kjo duhet të korrigjohet njëherë e mirë. Kosovën nuk e ka çliruar ushtria sërbe, por e ka pushtuar.
Konceptet që “Kosova është Jerusalemi i Sërbisë”, “Kosova është Sërbia e Vjetër” dhe të ngjashëm me këta, janë koncepte të kultivuar gabim dhe ata duhet të çrrënjosen nga mentaliteti i kombit sërb. Duhet të çrrënjosen, sepse ushqejnë ndjenja ekspansioniste, të cilat dëmtojnë në radhë të parë bartësit e të tilla ndjenjave. Është njëlloj sikur në Angli të kultivohej koncepti se “Hongkongu është Jerusalemi i Anglisë”, apo “Australia është Anglia e Vjetër”. Detyra për t’i çrrënjosur këta koncepte, i takon Akademisë Sërbe të Shkencavet dhe Artevet. Ajo i ka kultivuar dhe asaj i takon tani që t’i shkultivojë.
9. Doemos, aty ka detyrë edhe Kisha Pravosllave Sërbe, natyrisht, nëse pretendon të jetë një institucion i mirëfilltë fetar. Rrjedhimisht, edhe asaj i duhet dërguar apeli përkatës qëllimmirë, prej secilit tubim. Eshtrat e Stefan Nemanjës janë çuar në Zhiçë. Patriarkana e Pejës është themeluar në një tokë josërbe. Manastiri i Deçanit është ngritur mbi themelet e një manastiri josërb. Përse iu dashka kushtuar një vëmendje kaq e madhe manastirevet të quajtur sërbë e në fakt josërbë të Kosovës? Sigurisht, jo për qëllime të fesë.
Në anë tjetër, nëse duhet të kujdesemi për tempujt e shenjtë të së kaluarës, kemi ne shqiptarët shumë më tepër arsye t’i shpallim si vende pelegrini Sirmiumin e dikurshëm, Sremin e sotëm, Singidunin, Beogradin e sotëm, Naissusin, Nishin e sotëm, vendlindjen e perandorit tonë, Shën Konstantinit të Madh. Prandaj ne e konsiderojmë themelisht të njëanshme Pakon e z.Ahtisari, rrjedhimisht të papranueshme, derisa aty nuk janë përcaktuar edhe të drejtat e shqiptarëvet mbi tempujt që përmendëm, si dhe mbi vendndodhjet e varrezavet tona, qoftë tumulare, qoftë edhe të kohëvet më të vona, në Prokuple, në Kurshumli etj.
Të gjitha këto, ne populli shqiptar i Kosovës, dëshirojmë të shikohen realisht dhe të mos bëhen gabime që do t’i mbanin 2 popujt tanë në armiqësi permanente.
10. Apele me të njëjtin sens dëshire për fqinjësi të mirë u duhen dërguar edhe asociacionevet të artit, të kulturës dhe të mediavet në Rep.e Sërbisë: shkrimtarëvet, piktorëvet, muzikantëvet, këngëtarëvet, kineastëvet, publicistëvet, që në veprimtarinë e tyre, pa e cënuar kurrsesi atdhedashurinë, të mos hedhin zjarr mbi benzinën e shqiptarofobisë. Përkundrazi, secili të përpiqet që, atje ku duhet, fajin t’i hedhë palës së vet, sepse vetëm ashtu e ngrejmë veten mbi nivelin e lloj-lloj krijuesve meskinë. Krijuesit meskinë i dëmtojnë shumë rëndë marrëdhëniet midis kombevet. Ne do të mund të sillnim aty disa nga shembujt e krijuesvet jokorrektë në këtë pikëpamje, të cilët, nisur nga kushdi çfarë motivesh, i kanë dëmtuar rëndë artin dhe kulturën ballkanase: B.Nushiqi, M.Rakiqi, I.Andriqi, D.Qosiqi, M.Llaliqi e shumë, vërtet shumë të tjerë. Nëse ka edhe në anën tonë të tillë dëmtues, sigurisht që gjithkush është i lirë t’i thotë.
11. Në të shkuarën, propaganda jorealiste dhe johumane sërbe e ka etiketuar popullin tonë, ose pjesë të këtij populli, me disa emërtime me frymë akuzuese. Ne dëshirojmë që opinioni sërb dhe ai botëror t’i rishikojë ata emërtime dhe t’u bëjë atyre rivlerësimet që u takojnë. Jemi quajtur irredentistë dhe jemi akuzuar si të tillë, në një kohë kur irredentizmi ynë ka qenë plotësisht i justifikueshëm. Jemi quajtur separatistë dhe jemi akuzuar si separatistë. Por edhe separatizmi ynë ka qenë plotësisht i justifikueshëm, sepse shqiptarët kishin të paktën po aq të drejtë të shkëputeshin prej Jugosllavisë, sa edhe sllovenët apo kroatët. Separatizmi ynë nuk ka qenë dukuri negative dhe ne dëshirojmë që populli sërb ta pranojë këtë të vërtetë. Jemi akuzuar edhe si terroristë. Ne kërkojmë që përfaqësuesit e kombit sërb të dalin me deklarata, që një i tillë etiketim ka qenë për ne tepër ofendues. Nuk kemi shpërthyer asnjë bombë në stacionet e trenit, apo në stacionet e autobusëvet, apo në stadiumet, apo në teatrot, apo në shkollat, as në Beograd, as në qytete të tjerë të Sërbisë. Si mund të quhet terrorist një popull që nuk bën terror?!
Ndërsa lidhur me emërtimin terroristë, që u është vënë pjesëtarëvet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne po bëjmë vetëm 2 pyetje: A ishin terroristë kryengritësit e Gjorgje Karagjorgjeviqit? A ishin terroristë kryengritësit e Millosh Obrenoviqit?
Prandaj është e nevojshme që zyrtarisht, në parlamentin tuaj, të dilet me një rezolutë, ku etiketimet irredentist, separatist dhe terrorist, që u janë adresuar shqiptarëvet, të demantohen publikisht.
12. Në opinionin sërb është përhapur, me qëllim armiqësimi midis popujvet, mendimi sikur gjoja shqiptarët e Kosovës janë islamikë, dhe, me emërtimin islamik është nënkuptuar jo feja normale myslimane, por islamizmi ekstremist. Ne shqiptarët dëshirojmë ta sqarojmë popullin sërb si vijon: Është e vërtetë që një pjesë e shqiptarëvet janë të besimit mysliman, për shkak të rrethanavet historike, nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë, mirëpo, islamizmi ekstremist nuk është kurrsesi pjesë e mentalitetit tonë. Ne e luftojmë vetë një të tillë dukuri dhe fqinjët tanë duhet të jenë të bindur që, në besimin tonë fetar nuk kanë dhe nuk do të kenë vend kurrfarë teorish ekstreme, që sot po e trondisin Botën Islame.
Fqinjët tanë sërbë duhet ta dinë që në Kombin Shqiptar ka gati 200 vjet që është vendosur mirëkuptimi midis konfesionevet të ndryshëm fetarë. Ne, ndonëse kemi besime të ndryshëm, nuk urrehemi njëri me tjetrin. Përkundrazi, qenia kombëtare është për ne shumë më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me gjuhën, me genin, me prejardhjen, ndërsa besimin mund ta ketë secili sipas bindjevet të veta. Në fund të fundit, ky është tipari më i qenësishëm i botës së sotme.
Ndërkohë, jemi të detyruar të pohojmë që, në kombin sërb, akoma edhe sot, në fund të sh XX dhe në fillim të sh XXI, ka të atillë ekstremizma, sa ata shkaktuan gjakderdhje të mëdha anembanë Bosnjës. Lufta që bëtë ju në Bosnjë, ishte një luftë fetare, dhe kjo e çon kombin sërb shumë shekuj prapa kombevet të tjerë të Evropës dhe të Amerikës.
13. Në opinionin sërb është përhapur mendimi sikur ne shqiptarët jemi edhe shovinistë. Sapo dikush prej nesh të përmendë çështjen tonë kombëtare ose gjuhën tonë, ose traditat tona, qarqet shovinistë të kombit tuaj nxitojnë për të na quajtur ne nacionalistë e shovinistë. E vërteta është krejt ndryshe: Shovinizmi nuk ka gjetur dhe nuk mund të gjejë kurrë terren në mentalitetin e shqiptarëvet. Ne jemi popull i lashtë dhe cilësia e popujvet të lashtë është që ata janë shumë tolerantë ndaj çdo kombi, ndaj çdo etnie dhe ndaj çdo race. Ne kemi kultivuar dhe do të vazhdojmë të kultivojmë në popullin tonë një ndjenjë kombëtare sa më të arsyeshme dhe sa më humane, dhe kjo kurrsesi nuk mund të quhet shovinizëm.
14. Sa i përket Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tendencës ndër banorët sërbë për t’u shkëputur nga Republika e Kosovës, kjo prapë ka të bëjë me një prapambetje të madhe në kulturë dhe në mentalitet. Nuk është sot shekulli i ndarjes si me thikë midis kombevet. Shikoni SHBA-në, shikoni Mbretërinë Bashkuar, shikoni Zvicrën! Sot është koha kur kombet janë luajalë ndaj shtetevet ku historia i ka qitur. Sërbët e Mitrovicës së Veriut, të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, e dinë që ndodhen në tokën shqiptare. Shumë prej tyre dinë edhe kohën kur kanë ardhur aty. Madje edhe sërbët e Prokuples, Kurshumlisë, Toplicës e Leskovcit, e dinë që janë të ardhur dhe që jetojnë në tokën e Shqipërisë. Megjithatë, ne nuk po kërkojmë që ata të shpërngulen tash prej andej dhe t’ia lëshojnë ato toka Rep.së Kosovës.
Nëse një ditë do të kërkohen ndryshime kufijsh, i vetmi ndryshim që mund dhe duhet të bëhet, është ai i Anamoravës. Anamorava duhet t’i bashkohet Republikës së Kosovës, sepse, edhe banorët, edhe toka, janë shqiptare. Ndërsa në Kosovën Veriore vërtet ka banorë sërbë, por toka nuk është e Sërbisë, kështu që nuk mund të bëhet kurrfarë tkurrjeje në dëm të Rep.së Kosovës. E drejta gjeografiko-historike do të kërkonte vetëm shtyrje të kufijvet drejt lindjes e drejt veriut e kurrsesi drejt jugut.
15. Ne shqiptarët e dimë (do të thuhej në letrat që do të shkruheshin), që historiografia sërbe është e mbushur me pohime mbi shpërnguljet e sërbëvet nga Kosova, që nga ajo e vitevet 1689 deri te Lufta II Botërore dhe vitet 1970 e këndej. Ne nuk jemi kundër edhe të këtillë njoftimeve, por në secilin rast është e domosdoshme të vihet në dukje, KUR KANË ARDHUR ata sërbë në Kosovë. Pra, KUR KANË ARDHUR? Kjo është shumë e rëndësishme të thuhet.
Në anë tjetër, në historiografinë tuaj do të gjenden edhe pohime që, një shumicë shqiptarësh, kanë zbritur në rrafshet e Kosovës (Kosmetit, siç thoni ju), nga Alpet e Shqipërisë. Me këtë rast, është e domosdoshme të pohohet që ata malësorë, të cilët mund të kenë lëvizur prej malevet në fushë, gjithsesi nuk kanë dalë jashtë arealit të vet etnonacional. Ata kanë lëvizur BRENDA TOKËS SË VET. Populli sërb ka shumë nevojë të sqarohet për të këtilla të vërteta historikoetike. Dmth, për të këtilla të vërteta historikomorale.
16. E gjithë lënda, e shkruar dhe e filmuar, duhet të përkthehet në gjuhën angleze dhe në gjuhën sërbe, dhe t’u postohet, secilit në gjuhën e vet:
a) Prokurorivet përkatëse (siç e thamë),
b) Zonjës K.Eshton, si ndërmjetëse e bisedimevet,
c) Kryetarit të delegacionit të Rep.së Kosovës,
ç) Kryetarit të delegacionit të Rep.së Sërbisë,
d) Emnisti Internejshnëllit,
h) Kryekomisionerit të BE-së,
e) Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së,
ë) Organevet kryesorë të shtypit dhe të mediavet elektronike.

Për dijeni, për korrektësi dhe për sensibilizim të politikës dhe diplomacisë botërore, e gjithë kjo lëndë, ndoshta jo në letra të shkruara, por e incizuar në CD, duhet t’u dërgohet: Presidentit të SHBA-së, Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Presidentit të Rusisë, Presidentit të Rep.së Kinës, Kancelares së Rep. së Gjermanisë, Presidentit të Brazilit, Kryeministrit të Indisë, Papës së Kishës Katolike në Vatikan, Kryepatriarkut të Kishës Ortodokse në Konstantinopojë, Kryeministrit të Rep.së Italisë, si dhe të gjithë shtetevet që nuk e kanë njohur ende Rep.e Kosovës.
PËRMBYLLJE
Me një të këtillë veprimtari, shprehur në ceremonialet dhe në manifestimet popullorë gjithpërfshirës, pasqyruar në sa më shumë media, adresuar gjithkund ku duhet, në mënyrën më të qytetëruar të mundshme, s’ka si të mos ia arrihet që opinioni europian e botëror të marrë vesh edhe njëherë që Rep.së Kosovës, dhe shqiptarëvet në përgjithësi, u është bërë një padrejtësi e madhe dhe se kjo padrejtësi nuk mund dhe nuk duhet të kalohet sikur s’paska ndodhur asgjë. Kjo padrejtësi nuk mund dhe nuk duhet të kalohet pa u ndëshkuar kushdo që ka bërë krime. Në këtë pikë, në pikën e kërkesës sonë për t’u ndëshkuar kryerësit e krimevet, të cilitdo lloj qofshin, ne, kërkuesit e zbardhjes së të vërtetavet, duhet të jemi të qartë që nuk jemi për kurrfarë ndëshkimesh kolektivë. Përkundrazi, jemi për gjurmimin dhe gjetjen e kriminelëvet individualisht. Vetëm nëse ata popuj nuk u përgjigjen kërkesavet tona, ne do të jemi të detyruar të mbajmë edhe qëndrime përgjithësues.
Nuk është e mundur të bisedojmë me Sërbinë, duke bërë sikur s’ka ndodhur asgjë. Nuk është e mundur dhe nuk është e lejueshme, sepse ka së paku 2 të këqia:
1. Në palën sërbe kjo gjë shkakton cinizëm, tallje e poshtërim.
2. Palën shqiptare e paraqet mospërfillëse ndaj gjakut që është derdhur, gjë që do të thotë, se ne bëhemi palë me kriminelët. Ne nuk dëshirojmë që përfaqësuesit tanë në ata bisedime, as të dalin të poshtëruar, as të dalin si miratues të krimevet që janë bërë.
Në këtë mënyrë, me një të këtillë veprimtari, të ngjashme me atë të studentëvet të dikurshëm, që njihet si Aksioni i Anton Çetës për Pajtimin e Gjaqevet, ne ndoshta do të mund të arrinim një lloj pajtimi edhe midis kombevet shekullisht të përgjakur. Në anë tjetër, nëse nuk do të kryhej një e këtillë veprimtari, siç edhe ka gjasa, shtegu mbetet i hapur, jo vetëm për të na poshtëruar me kësi lloj negociatash, por edhe për të na vrarë e masakruar edhe në të ardhshmen, më keq se në të kaluarën.
Gjokë Dabaj – Durrës, 7-14 dhjetor 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura