HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE ( 21 )

HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE ( 21 )

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 16 Korrik 2021

HALILI SHOK I DASHUR, TRIM DHE BESNIK

Duke u kthyer nga Gërmia, më 21 korrik 2004, në autobus takova z. Fehmi Breznicën, të cilin e pyeta se ç‘mendim dhe përshtypje kishte për shokun e klasës së vet z.Halil Alidemën. Me këtë rast ai më tha:

“Me Halil Alidemën kam qenë shok klase disa vjet, prej klasës së dytë e deri në klasën IV të Normales së Prishtinës të vitit 1959-1960.

Halili ka qenë shok i mirë dhe i dashur. Shok besnik dhe trim. Ishte patriot i madh dhe i patrembshëm. Shqiptar i mirë dhe shok i sinqert. Ishte komunikativ me shokë. Luante shumë mirë hendboll. Me të luanin edhe dy vëllezërit bineq Hasan dhe Hysen Breznica. Me ne ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Teuta Kryeziu, e cila e dashuronte Halilin me gjithë zemër dhe u martua për të. Ajo madje pati kcyer prej katit të katërt, ndonëse e theu kmbën, nuk hoqi dorë nga Halili. U martua për të dhe kurrë nuk iu nda deri në vdekje. Ajo ishte krah i fortë i Halilit. Një çift bashkëshortorësh me ide dhe mendime identike patriotike, besnik ndaj njëri –tjetrit deri në vdekje, jetën e tyre ia kushtuan çështjes kombëtare.

Halili ka lënë kujtime të mira, njeri i përzemërt dhe bamirës e guximtar. Sa herë e kujtoj, e kujtoj si shok të mirë, patriot dhe mbrojtës të çështjes kombëtare. Për të, unë si shok shkolle kam vetëm fjalë të mira. Gjithmonë do ta kujtoj me nder e respekt si shok të mirë e besnik, mikpritës e bujar dhe sakrifikues në çdo situatë për t’i mbrojtur shokët e vet. Edhe profesorët dhe edukatorët i kemi pasur shumë të mirë, si: Sali Nushin, Abdullah Zajmin, Demush Shalën, Murteza Luzhën, Vahide Hoxhën e shumë të tjerë. Ata na kanë edukuar dhe mësuar mirë, ndaj gjithmonë do t’i kujtoj me admirim e pietet të lartë. Lavdi u qoftë për jetë e mot!”

Fehmi BREZNICA – Prishtinë, më 21 korrik 2004,            

HALILIN E NJOFTA SI SPORTIST

Për Halil Alidemën meriton të shkruhet, jo vetëm kujtime, por edhe monografi. Unë Halilin e kam njohur mirë. Ai ka qenë një nxënës fatkeq dhe i torturuar nga pushteti monist. Ëshë marrë shpesh edhe në pyetje dhe është arrestuar. Më kujtohet njëherë, aty kah viti 1959 kur e takova ndërmjet fshatrave Kllokot dhe Pozheran, ai kishte qenë duke udhëtuar këmbë, unë u ndala dhe e mora në veturë. Ishte diç i dëshpëruar dhe i pakënaqur me gjendjen faktike politike të popullit të vet. E kishte shpinën vred, krejt njolla edhe të pashëruara nga rrahjet dhe torturat që kishte pësuar në burg. U ndalëm me të në një livadh dhe pushuam një kohë të shkurtër. Halili e ka dashur popullin e vet, por nuk ka urrejtur të tjerët. Ka qenë njeri i vendosur dhe trim, i afërt dhe i dashur për shokët, komunikativ, i sinqertë dhe besnik, guximtar dhe i vrullshëm, i ndjeshëm dhe emocional. Ai ka ndjerë shpirtërisht vuajtjet e popullit të vet. Pakënaqësia dhe vuajtjet e popullit të vet, janë reflektuar në unin e tij. Unë Halilin e kam njohur si sportist të përkryer, veçanërisht ai është marrë me hendboll. Nën ndikimin e tij, aftësitë dhe shkathtësitë e tij Klubi “Normalisti” atëbotë u bë i famshëm në tërë Kosovën. Ai ka qenë një hendbollist shumë i zhdërvjelltë, ka zotëruar një stil të veçantë dhe karakteristik, sepse i jepte golat nga prapa, duke i mashtruar dhe manevruar me lojëtarët kundërshtarë. Dhe, merre me mend, në atë kohë shi për këtë metodë të dhënies së golave, kur pat luajtur njëherë në Leskovc i bënë shpifje dhe trillime, duke e shpallur nacionalist. Po, kjo ishte një shpifje e kurdisur dhe e pakuptimtë. Si mund mjeshtria dhe aftësia për të zotëruar një metodë të përkryer në dhënien e golave të shpallet nacionaliste e shoveniste?!

 Mirëpo, pikërisht për këtë arsye ne e donim dhe e mbronim Halilin si të këtillë, sepse ai na përfaqësonte në mënyrë të denjë edhe në fushën e sportit. Hendbolli kosovar, në kohën e Halil Alidemës pati përjetuar një ngritje dhe ngjitje cilësore në Kosovë. Halilin e kam çmuar si sportist, si njeri dhe shok, por mbi të gjitha si atdhedashës të flaktë. Ai në fund magjistroi në fushën e historisë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për Të!

Gani Ajeti Prishtinë, më 10 gusht 2004

DY FJALË E NJË POEZI PËR HALIL ALIDEMAJN

Në vitin 1954 u regjistrova në vitin e parë të Shkollës Normale në Prishtinë. Për shkollim në Shkollën Normale kishin ardhur të rinj nga të gjitha viset shqiptare, ku nuk kishte mundësi për shkollim në gjuhën shqipe.

Në fillim rrinim në grupe sipas viseve nga kishim ardhur. Ndër ato grupe binin në sy 5-6 djelmosha të veshur me tesha të reja ngjyrë të zezë, që rrinin shumë bukur. Ishin këta djelmosha nga Pozherani i Vitisë, ndër të cilët shquhej njëri me trup të zhvilluar, i zeshkët, me sy të mëdhenjë i buqëqeshur, gojëmbël dhe i shoqërueshëm. Ishte Halil Alidemaj. Njohja ime me këtë grup ndodhi vetvetiu, sepse kishin sjellje e temperament të ngjashëm. Qysh në fillim kisha kuptuar se Halilin e mundonte diç nga brenda, diç e madhe dhe e dhembshme. Babain ia kishin vrarë serbët dhe xhaxhai i tij memzi i kishte shpëtuar vdekjes dhe ishte vendosur në Gjermani. Edhe pse i ri kisha dëgjuar e lexuar shumë për krimet që kishte bërë regjimi serb në Drenicën time dhe në viset tjera shqiptare. Këtu puqeshin mendimet e mia me ato të Halilit dhe kjo ishte ajo që na lidhte me Halilin.

Halili ishte i shëndoshë dhe sportist i fortë. Në Shkollën Normale zhvilloheshin të gjitha sportet, e sidomos hendbolli. Me një ekip të quajtur NORMALISTI. Rivali kryesor i Normalistit ishte ekipi “Kosovo” i Shkollës së Mesme të Fiskulturës, të cilin e përbënin lojëtarë serbë nga vise të ndryshme të Jugosllavisë. Kur luanin këto dy ekipe mblidheshin shumë shikues të të dy ekipeve, ku shpesh herë fusha e lojës shndërrohej në arenë përleshjesh ndërmjet tyre. Normalisti nuk kishte konkurrencë në Kosovë, por kundërshtari më i keq i tij ishte referimi i njëanshëm dhe tendencioz. Normalisti kishte venidin e dytë në Serbi pasi që të parin ia kishin rrëmbyer ata jashtë fushës së sportit. Meritë të madhe për këto fitore kishte Halili, i cili shquhej me lojë të veçantë, sidomos në gjuajtjet e penaltive. Kur gjendej ballë për ballë me portierin, ngriste dorën lart, shtrëngonte dhëmbët dhe mu atëherë kur portierin e kaplonte frika nga fërshëllima e topit, Halili bënte një gjysmë rrethi prapa dhe nga ajo pozitë tundte topin në rrjetë pa parë fare portieri. Atëherë stadiumi ndizej flakë.

Halili sikurse në jetë edhe në lojë ishte i rreptë me kundërshtarin. Në zyrë, ku punonte me një kriminel, në fjalosje e sipër kishte kërcyer mbi tavolinën e tij dhe e kishte zënë për gryke gati për ta plasur.

Në mars të vitit 1981 udhët dhe sheshet e Prishtinës dhe qyteteve tjera si dhe mbarë Kosova u vërshuan nga demonstrantët, nga studentët, të rinj e nga turmat popullore. Te Tre Sheshirat u takuan turmat. Aty u gjendëm ballë për ballë me Halilin.

-Kah kështu, iu drejtova me buzëqeshje të lehtë.

-Vazhdo, vazhdo se mirë është puna – ma ktheu dhe u largua me shpejtësi

Pas disa ditësh hyra në një kafene në “Qytezën Pejton”. Papritmas dëgjova një zë në serbisht;

-Hej ti, pokazhi liçnu kartu! Ishte Halili…Kështu të drejtoheshin milicët jugosllavë ato ditë të vështira.

I buzëqesha dhë çova dorën drejt xhepit, kinse po e nxjerr letërnjoftimin…

-Ne ne nash si dhe filloi të pëshpërisë diç me shokët me të cilët ishte duke pirë.

Pas disa ditësh e burgosën. Kaluan vite dhe nuk më largohej nga mendja as nga zemra. Një natë e pashë në ëndërr aq mirë sa që me ditë e vite të tëra ngela i shqetësuar nga ajo ëndërr, madje edhe sot.

Pas disa ditësh të kësaj ëndrre e takova të shoqen Teutën. E përshëndeta dhe e ndala, edhe pse e dija se nuk dëshiron të flasë me shokët e Halilit nga frika e pasojave. E përcillnin hap pas hapi. E pyeta për shëndetin e për fëmijët. E pyeta për Halilin që ishte qëllimi im kryesor. I tregova se e kam parë në ëndërr…

-Ymer – mu drejtua e shqetësuar, Halilin e kanë dërrmuar tërësisht, jeta e tij është në rrezik!

-Halili është i fortë dhe mund t’u përballojë torturave të tyre.

Duke m’u falënderuar ofshani thellë…Ti ke punë, tha, mos po vonohesh. U përshëndetëm të prekur e të brengosur.

Pas daljes nga burgu e takova pas postës së vjetër në një qosh të një ndërtese

përdhese . Ishte me dy-tre shokë. Shfaqa gëzimin tim që e shihja sërish. Ishte takimi im i fundit me të. Ngjarjet e mëvonshme e larguan për Tiranë nga ku erdhi lajmi i fundit i zi për vdekjen e tij. Në shenjë kujtimi e dhembje për të, pas vdekjes ia kushtova një poezi të thjeshtë që rrodhi nga malli për të.

Ymer Berbati

NJË PERSONALITET I RRALLË

U njohëm, në rini, në Shkollën Normale shqipe të Prishtinës, në vitin shkollor 1957/58. Halili ishte dy gjenerata para meje. Thua se tërë normalistët banonin në konvikt, ishim si një familje e madhe, njiheshim të gjithë ndërmjetveti pa marrë parasysh moshën. Halili ishte njeri i dashur për të gjithë, të gjithë e adhuronin. Me një fjalë ishte idol imi, e sidomos si sportist. Ishte hendbollist cilësor, sportist që lojën e hendbollit e shndërronte në ART. Unë në ato vite e doja shumë futbollin dhe luaja mjaft bukur. Por aq më pëlqente Halili si hendbollist, kështu që edhe unë fillova të luaja hendboll dhe ushtroja stilin e tij. Halili dallohej me begati virtytesh. Ishte shumë kombëtar dhe pikërisht na lidhte edhe më fortë, kështu që edhe pasi e mbarova Normalen (ai më heret, e unë pas tij), përsëri takoheshim. Ai punonte mësues në Firajë, komuna e Shtërpcës, ndërsa unë punoja në fshatin Gaçkë të Ferizajt dhe shpesh takoheshim. Pas një kohe Halil Alidema filloi të merret edhe me shkrime. Shkruante poezi me mjaft sukses.

E ndjej veten krenar që kam njohur dhe që e kam pasur shok një NJERI të madh, një PERSONALITET TË RRALLË, që nuk mund ta hasim shpesh. Humbjen e mikut tim e kam përjetuar si humbje kombëtare.

Halilit dhe Teutës

U qoftë e lehtë toka shqiptare, që aq shumë e deshën!

Pushofshin në PAQE!

E neve na mbeten kujtimet për Ta.

Ismail Rama, Prishtinë

KUJTIME PËR SHOKUN E SHKOLLËS – HALIL ALIDEMAJ

Vitet e pesëdhjeta për shumëkë ishin kthesë e madhe në jetë. Kështu, ndodhi edhe me mua dhe mbarë gjeneratën time. Në vitin shkollor 1953/54, Normalja e Gjakovës u transferua në Prishtinë. Kjo ishte një ngjarje e madhe dhe një fillim i mbarë për shumë nxënës, të cilët e kryenin shkollën tetëvjeçare, sepse u krijuan kushtet për t’u regjistruar në Normale.

Në Normale u regjistruan nxënës nga të gjitha trevat e Kosovës. Këtu, në Normale takova Halilin, i cili vinte nga Pozherani. Meqenëse edhe ai kishte shpirt sportisti, u bë e mundshme që këtë shkathtësi ta shprehim bashkarisht, e posaçërisht Halili, i cili ishte i ndërtuar edhe fizikisht për këtë disiplinë. Në lëmin e sportit nuk pati konkurrencë. U dallua për lojë vetëmohuese dhe shpirti i tij sportiv u manifestua më së miri e në mënyrë madhështore.

Suksesin e Halilit e shtonte edhe më tepër solidariteti dhe fryma kolektive, ndjenja për fitore dhe ndarja e suksesit me të gjithë. Halili, përveç sportit që ishte i dhënë me mish e shpirt pas tij, e mundonte edhe gjendja e vështirë e popullatës, e cila barte mbi supet e saja barrën e rëndë të okupatorit serbosllav, që sillej si i tërbuar kundër popullit shqiptar.

Të gjitha vuajtjet e nxënësve dhe njerëzve të tjerë, Halilin e revoltonin, nga njëra anë, por e bënin edhe më të vendosur për të vepruar për mbrojtjen e të pambrojturve, nga ana tjetër.

Pas mbarimit të Normales, rrugët e jetës na ndanë të gjithë ne sportistëve, por ideali mbeti i përbashkët për të gjithë ne. Ndërkaq, Halili nuk ndejti i qetë dhe duarkryq, por vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike, të cilën e kurorëzoi me shumë sakrifica personale e familjare, që shumë të tjerë nuk e bënin.

Halili, për mua, për gjeneratën time dhe për shokët e sportit gjithnjë kujtohet me respekt të veçantë. Ne shokët e tij mburremi që patëm një shok të tillë ashtu siç ishte Halili: i vendosur, solidar, sakrifikues dhe i dashur. Vdekja e tij na pikëlloi pa masë, por njëkohësisht kishim nderë që shumë kohë u shoqëruam me të në sfida të ndryshme.

Me respekt të madh:  prof. Skender Lamaxhema, Freizaj, Shtator 2004

HALILI ISHTE PATRIOT I MADH

I lindur më 10 prill 1936 në fshatin Verban të Vitisë. Meti, siç e quanin shokët Mehmetin, ishte shok shkolle dhe në një klasë me Halil Alidemën gjatë shkollimit të tyre në Normale të Prishtinës, duke filluar që nga viti 1954 e deri më 1959.

Meti kështu shprehet për Halilin:

– Halilin e njofta që në fëmijëri në raporte farefisnore nip e dajë. Babai im ka qenë tregtar. Mulla Ferati ka punuar me kashtë. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, familja e Halilit dhe vetë Halili me vëllezër e motra mbetën jetimë pa baba. Për ta kujdesej nëna e tyre – Halla Hanë.

Babai im shpesh më ka thanë se i ka ndihmuar shumë Hallës Hanë materialisht, sepse mbetën pa pasuri të patundshme.

Halili ishte patriot i madh. Ai ishte edukuar në frymën patriotike që nga fëmijëria, ndaj Zija Këpucka shpesh e shtinte Halilin dhe Hajrush Zeqirin të këndonin këngë patriotike. Halili lexonte shumë libra të fshehtë dhe të ndaluara në atë kohë. Ai dinte shumë poezi, të cilat shpesh na i recitonte dhe ne çuditeshim se ku i mësonte Halili gjithë ato poezi, që ne nuk i kishim dëgjuar kurrë deri më atëherë.

Librat e Halilit dhe të Hajrushit unë i ruaja në Stubëll, ku isha si mësues, por m’i morën dy punëtorët e sigurimit jugosllav të UDB-ës, Obrad Saviçi dhe Shefqet Karaxhia. Halili dallohej edhe për këngë patriotike, të cilat i këndonte për Bajram Currin, Demë Ahmetin, e vuajtjet e popullit shqiptar ky shpesh i këndonte në këngët e tij patriotike. Halili shumë herë është përpjekur të ikte për Shqipëri, e sidomos prej vitit 1956 patëm ikur për Shqipëri, kurse takimin e patëm lënë në Hotelin Bristoll të Shkupit…Ndjenjat patriotike nuk e lënin të qetë Halilin, ai vazhdimisht thurte programe dhe plane të ndryshme për çështje kombëtare.

Edhe në vitin 1958 Halil Alidema ka pas ikur për Shqipëri bashkë me Ukshin Hotin, Ismetin e disa shokë të tjerë.

Halili qëndroi në burg disa vite. Kur u lirua nga burgu shkova ta vizitoja, por Halili më këshilloi që mos të sillesha kah shtëpia e tij, sepse do të kem pasoja dhe vërtetë ashtu siç më tha Halili më doli, sigurimi i Gjilanit më mori në pyetje dhe më keqtrajtoi.

Mehmet Ferat Sokoli

  • VIJON –  

_________________________
HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE ( 20 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura