HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (30)
Nga Sabit Alidema – Pashtriku 28 Korrik 2021
KUSHTUAR ATDHETARIT TË QËNDRESËS KOMBËTARE Mr HALIL ALIDEMAJ
Në këto çaste kur flas për mikun tim mr. Halil Alidemaj e kam shumë vështirë, sepse kam emocione, dhe nuk mund t’ia dalë t’i them të gjitha klimatet atdhetare, në sensibiletet të veçantë që do të ceku me këtë rast. E ndjejë obligim të them se zotëri mr. Halil Alidemaj, në kohën atëherë kur e njoha unë ka pasur një punë të bujshme prej atdhetari të devotshëm me një oratori të fuqishme, politike e patriotike, dhe ishte një guximtar i paparë, që nuk dinte ç‘është frika, ky njeri i mendjes, i pendes dhe i pushkës, i cili peshës së rëndë të okupatorit serbosllav i vuri gjoksin për ta rrokullisur deri në theqafje.
E pranoi detyrën e kryetarit të Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar me shpresë të madhe që t’i vë themelet e BASHKIMIT KOMBËTAR, që KOSOVËN ta bashkojë me mëmën SHQIPËRI. Formimi i kësaj Lëvizjeje Kombëtare ishte për kohën, një vepër e madhe mbihyjnore, e sidomos për udhëheqësit e saj, kërkohej një sakrificë e madhe. Punët më kapitale që janë bërë nga udhëheqja e zotëri Halil Alidemaj ishin:
1. Themelimi i Partisë Uniteti Kombëtar Shqiptar
2. Shtrirja e UNIKOMBIT në tërë territorin Shqiptar – qendrat Shkup, Ulqin dhe Preshevë. Organizoi 4 tryeza të rrumbullakëta Shkup-Tetovë-Tiranë.
3. Pengimi i shpërnguljes së popullatës shqiptare, e sidomos të rinjve
4. Formimi i shtabeve ushtarake – njësive ushtarake, organizimi në kuadër të nevojshëm, sepse siç thoshte ai, lufta është shkencë…
Dëshira e tij ishte të arrithet BASHKIMI KOMBËTAR, elokuenca e tij na bëri të gjithë neve bashkëpuntorëve, jo vetëm të pranonim këto detyra e obligime, por edhe të jemi plotësisht këmbngulës në realizimin e këtyre detyrave. Ishte shumë i pjekur dhe vizionar në realizimin e këtyre detyrave. Ishte shumë i pjekur dhe vizionar në dialektikën e bisedave, jo vetëm që thoshte fuqishëm idetë dhe mendimet e tija, por i pranonte fuqishëm dhe i elaboronte aty për aty edhe mendimet e të tjerëve, natyrisht kur ato ishin të qëlluara. Mirëpo, i kundërshtonte ato jo të qëlluara me plot guxim, pa asnjë dozë frike. Ishte gjithnjë i gatshëm për të na ndihmuar. Ky martir kurrë nuk iu shmang sfidave aq të vështira të okupatorit serbosllav, në momentet më të rënda, ku situata ishte e tensionuar, ishte edhe më këmbngulës në realizimin e programit të UNITETIT KOBËTAR SHQIPTAR, gjithmonë thoshte se “zjarri me zjarrë luftohet”, ajo që ishte e pashlyeshme ishte zgjuarsia e tij. Ishte magjistër i historisë, por i njihte edhe lëmitë tjera. Ai ishte edhe ushtarak i lartë, mund të them me plot guxim se ai ishte gjeneral. Ky njeri i madh duke parë vendin në rrezik, formoi Partinë e Unitetit Kombëtar më 06.05.1991, ku mbajti edhe kuvendin e parë më 27.07.1991, në Prishtinë.
Në kuvendin e parë tha: “Dëmi që i vie kombit shqiptar është ideologjia e komunistëve, sidomos verbëria e disa njerëzve, të cilët janë bërë me vetëdije ose pa vetëdije vegla të politikës serbocigane” dhe po i përgatisin varrin Kosovës. Bolshevizmi është ideologji e papajtueshme në psikologjinë dhe ardhëmërinë e shqiptarëve.”
Halili ishte ai që ngriti zërin për tragjedinë e popullit, për vrasjen e ushtarëve shqiptar, që vinin në arkivole pak para se ta kryenin shërbimin ushtarak sllav, dhe burgosjen e intelektualëve, me këtë akt bashkohej analiza e hollë e politikanit të shquar. Diskutimi i tij në Kuvendin e Parë të UNIKOMBIT dëshmon për shpirtin e tij të pastër atdhetar e nacionalist, i betuar në flamur. Ai brengosej për fatin e çdo gjymtyre të atdheut. Oratoria e tij gjithmonë nxiste e ngrente peshë zemrat shqiptare. Ai tregoi për rrezikun e erërave makabre të ideologjisë komuniste, serbosllave millosheviçiane. Ai u përpoq me mish e shpirt për një organizim sa më të mirë të forcave tona për t’i bërë ballë murtajës sllave. Në shpirtin e tij pat jetuar stina e lirisë, por për fat të keq ai nuk e priti. Ai mbylli sytë, më 20 mars 1996, sytë i mbetën çelë, duke menduar për Kosovën, tokë që aq shumë e deshti. Regjimi sllavokomunist burgosi dhe i ekzekutoi shumë patriotë të shquar në mënyrë më të egër dhe më barbare, ndër këta patriotë dhe intelektualë ishte torturuar edhe mr. Halil Alidemaj nga fshati Pozheran.
Tani pas shumë vitesh këta të fyer e të përndjekur vijnë si yje duke shndritur pafund si dritë e artë. Nuk i harroj fjalët e tij; “Besimi në zot, dhe në Muhamendin a.s. është e drejtë e çdo njeriu”, sepse besimi në Zot është detyrë e të gjithëve. Si atdhetar ishte i bindur se besimi në Zot dhe dashuria ndaj atdheut janë të pandara. Ai thoshte se morali është dhunti hyjnore sipas tij për të treguar rrugën e vërtetë, at të dijës e të dritës për bashkimin, për lirinë dhe për pavarësinë e një Shqipërie Etnike, siç e kishte krijuar vetë Zoti, por bishat e ndanë. Këta burra u torturuan në mënyrën më barbare e më çnjerëzore në burgjet srbosllave, ku iu thyen tre brinjë, por gjithmonë qëndroi i pagjunjëzuar para armikut. U nda nga ne, shumë herët, atëhere kur na u desht më së shumti, por ai u nda vetëm fizikisht, sepse ai gjithmonë do të jetë në kujtesën dhe në zemrat tona. Vdekja e tij nga torturat e barbarisë së okupatorit serb dëshmon sesa i rrezikshëm ishte për armiqtë. Kjo ishte dëshmi se armiku e dinte se Halili vetëm i vdekur mund të pushojë së vepruari, për kauzën kombëtare, për të cilën punonte si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, ku udhëhiqte ushtrimet për përgatitjet e ushtarëve dhe kuadrave për rezistencë, derisa i mbylli sytë për jetë. Me vdekjen e Halil Alidemajt ne humbëm shokun, por ne jemi krenar që patëm një njeri të tillë, veprimtarin, që nuk kurseu as jetën e vet. Ne, tani jemi të pikëlluar, sepse në mesin tonë nuk është më i ndjeri Halil, por jemi krenar që e patëm një njeri si ai dhe që patëm fatin, të ishim bashkëpuntorë të tij, por sot pyes: A jemi ne duke punuar mjaft sa e kanë merituar dëshmorët e kombit dhe a po e çojmë në vend amanetin e tyre?
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të ndjerin Halil dhe për të gjithë ata, që ranë për atdheun, i lehtë u qoftë dheu i Kosovës loke që aq shumë e deshtën.
LAVDI PËR JETË E MOT! AZEM BEKË HYSENI – GALICA.
NJË JETË E TËRË NË SHËRBIM TË ATDHEUT
”Veprim e jo fjalë, bashkim e jo përçarje, trimëri e jo frikë” – H.Prishtina
Të shkruash për njeriun vigâ, që gjatë tërë jetës, tërë potencialin e tij mendor e fizik, intelektual e shpirtëror, e mbi të gjitha atë ATDHETAR ia kushtoi dhe ia fali truallit, ku lindi dhe u rrit, ku cicërroi fjalët e para dhe ku mësoi alfabetin e bukur të gjuhës shqipe, ku me aq dashuri belbëzoi fjalën aq të ëmbël e me vlerë NËNË e BABA, e mbi të gjitha fjalën ATDHÉ; ku për herë të parë mësoi për të parët tanë… për luftërat dhe sakrificat e tyre, ku mësoi dhe thellë e kuptoi fjalën armik… ku soditi dhe përjetoi bukuritë e atdheut të tij etj. etj. është kënaqësi, respekt, por dhe vështirë (kur ai nuk gjendet më fizikisht në mesin tonë) e të mos bësh edhe ndonjë lëshim që me siguri do ta gjeni… por unë do të lëshohem deri në ato suaza të njohjes së biografisë së tij të begatë…
Herët kam përcjellur çdo lëvizje të “grupeve kundërrevolucionare”, por dhe të individëve, ato dhe ata kanë qenë me dhjetëra, qindra e mijëra në këtë tokë të bekuar… Kam përcjellur burgosjet, arresitmet dhe gjykimet (nëse mund t’i quajmë gjykime) e tyre nga serbofashistët, por dhe nga gjykatës shqipfolës…
Jam mahnitur me qëndrimet burrërore, trimëritë, dhe atdhedashurinë e tyre dhe…
Herët më kanë rënë në sy personalitete të shumëta dhe jam mburrur e mahnitur me ata, por në veçanti do të përmendja vëllezërit HALIL ALIDEMAJ, EKREM KYREZIUN, UKSHIN HOTI, MENTOR KAçI etj.etj, të cilët as me brutalitetin më të egër të serbofashistëve nuk u thyen në rrugën që i kishin trasuar vetes “në rrugën LIRISË e të ATDHEUT…
Me vllain HALIL ALIDEMAJ, u njoha pas daljes së tij nga burgu (që ishte dënuar jo me më pak se 11 vjet – 22.07.1982) dhe atë pasi që formoi PARTINË E UNITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR- UNIKOMBN-in… në vitin (06.05.1991).
Mu në gjirin, në folenë e kësaj lëvizjeje relizova ëndrrën time të kahershme që të mundem sadopak të punoj me njerëz të tillë të pendës dhe të pushkës, me njerëz që tërë potencialin e tyre fizik e mendor, intelektual e atdhetar ia kushtojnë ATDHEUT E POPULLIT, duke sakrifikuar çdo gjë, madje edhe jetën…
Ashtu si e kisha imagjinuar dhe përcjellur, gjatë gjithë veprimtarisë së tij patriotike, ashtu dhe më doli. Në takimin e parë me të, dhe atë mu në KUVENDIN E PARË të partisë, të mbajtur, më 27 korrik 1991 në Prishtinë…
… Burrë i gjatë, pak a shumë shëndetlig, që rrallë qeshte, por gjithnjë serioz, e kjo më bënte të kuptoja se e kishte kuptuar thellë seriozitetin e detyrës dhe rrugën , që i kishte trasuar vetit-rrugën KOMBËTARE…
Pasi përfundoi referatin që kishte përgatitur për këtë kuvend dhe pas diskutimeve të shumta (që edhe unë kisha përgatitur një paraqitje e që nuk e paraqita…?!) u afrova, u përqafova me të dhe urova KUVENDIN duke i thënë: “Kjo është partia ime e fundit zoti kryetar”… Në fytyrën e tij pashë disa ndryshime… Më pyeti nga vjen dhe pasi iu prezentova… shtoi: “Një krua që përherë ka buruar, do të burojë përherë edhe tash:, dhe i thashë “Këtë i respektuari kryetar e marr si detyrë dhe obligim atdhetar e kombëtar”… dhe shtova: “I madhi Ismail Qemaili ka thënë se “FATET E KOMBEVE TË VEGJËL DALIN NGA DYERTË E TRAGJEDIVE TË MËDHA…”
Prandaj, të ecim ballëhapur drejt rrugës që jemi nisur edhe pse do të kemi shumë pengesa me sakrifica në këtë rrugë…” Ashtu pra mu gjegj…”
…Ditët, javët, muajt kalonin dhe puna jonë dita-ditës rritej…Edhe disa herë më ra rasti që të përfaqësojë Degën e Vushtrrisë në mbledhjet javore në seli… Ndihesha krenar kur u takoja me një njeri, me një personalilet si ai, por…
Një ditë vere me sa më kujtohet, aty kah viti 1992-93 një grup shokësh vendosëm ta vizitonim në shtëpinë e tij dhe kur arritëm jo fort larg shtëpisë, një vajzë e vogël na ndaloi dhe me zë të prerë na tha: “Mos shkoni andej pari, sepse policia serbe e kanë rrethuar shtëpinë e Xhaxhi Halilit, por nuk e kanë zënë…”
Ky do të ishte takimi im i fundit me njeriun që aq shumë e desha dhe e respektoja…
Më pas ai kishte kaluar në shtetin ëmë, që aq shumë e deshi dhe që gjithnjë mendote në bashkimin e çdo pëllëmbe të tokës shiqptare…
Ai edhe atëherë gjithnjë thoshte se çështja e Kosovës dhe e popullit të saj do të zgjidhet vetëm me luftë të armatosur, gjë që edhe ndodhi… kështu që vizioni i tij u realizua në tërësi… Qysh atëherë ai ishte një luftëtar i madh i pendës dhe i pushkës…
…Me 20 mars 1996 mbylli sytë në shtetin ëmë. U nda nga ne për të mos vdekur kurrë, u shua edhe një yll në yllësinë që kërkonte lirshëm të shndëriste këtë tokë të bekuar nga Zoti… Sytë i mbetën të çelur në kërkim që të shoh lirinë, duke ngarendur në këto troje, duke menduar në përqafimet e vëllezërve dhe motrave, të nënave dhe baballarëve, gjyshërve të moshuar, e mbi të gjitha me ata që gjoksin ia vunë përballë armikut shekullor serbofashist…
Shkoi me dëshirën në zemër për brohoritjet e kahershme të bashkimit kombëtar, kauzë për të cilën u mundua dhe u shkri tërë jetën…
Të kujtoj përherë me mall të pashuar!
Të qoftë i lehtë dheu i tokës ëmë!
Veteran i arsimit, SHEFQET GALICA
NA LIDHI IDEALI I PËRBASHKËT
Me Halil Alidemën më ka lidhur ideali i përbashkët, që nga viti 1990 unë isha anëtar i Partisë së Halilit. Halili u zgjodh udhëheqës me vota. Unë isha njëri ndër shokët më të besueshëm të Halilit.Sa qëndroi Halili në Shqipëri unë e kam vizituar shpesh, duke biseduar me të lidhur me organizimin e punëve të rezistencës kombëtare kundër shtypjes dhe terrorit të okupatorit serb, dhe në këtë drejtim jam angazhuar në maksimum. Mirëpo, unë jam munduar ta ndihmojë edhe në aspekte tjera, kur të tjerët nuk guxonin as të bisedonin e as ta përmendnin emrin e Halilit.
Për Halilin ruaj kujtimet më të mira si njëri ndër patriotët dhe luftëtarët më të shquar e më të angazhuar për çështjen kombëtare në Kosovë.
(Beqir Beqiri, kolonel i zonës së V-të, i lindur në Majac të Besianës(Podujevë), më 4 prill 1954. Ndërsa prej vitit 1966 jeton në Prishtinë. Tani punon në TMK, me gradën major.)
HALILIN E NJOFTA NË BURG
Halilin për herë të parë e kam njohur në burg për të cilin kisha lexuar si profesor të letërsisë, si shkrimtar e poet. Ai parimisht ka mbrojtur çështjen kombëtare, çështje kjo që nga viti 1981 u shndërrua në një Lëvizje Gjithëkombëtare dhe në një Revolucion për çlirim Kombëtar.
Halili gjatë mbrojtjes në gjyq, përfaqësonte grupin e intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Mbrojtja dinjitoze e Halilit më ka mahnitur, qëndrimi i tij i papërkulur e burrëror ëshë një akt eheroik. Sepse edhe unë vetë kam qenë i dënuar me 20 vjet burg, ndërsa prej tyre i kam mbajtur 14 vjet ngë Burgun Qendror të Beogradit. Jam gjykuar edhe për formimin e dy organiztave ilegale më 1975 dhe në organiztën e dytë të Shaban Shalës, më 1981.
Kontaktet e para me Halilin i kam bërë më 1991 në Besianë, në zyret e Bashkëisë Islame, ku u formua Partia e Unitetit Kombëtar. Këtu, përveç kryetarit të kësaj partie, Halil Alidemës, morën pjesë edhe shumë njerëz, të cilët u anëtarësuan në këtë parti. Kjo parti synonte Bashkimin Gjithëkombëtar të të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan.
Zëvendëskryetar i Degës së kësaj partie për Besianë u zgjodha unë. Kemi aktivizuar dhe inkuadruar anëtarsëi të re në të gjitha fshatrat e Llapit, ku shtrihej Partia e Unitetit Kombëtar. Kemi formuar edhe Sigurimin e partisë sonë, i cili ishte shumë aktiv në zbulimin e aksioneve të UDB-ës jugosllave, nga ky sigurim shpesh na ka shpëtuar nga UDB-ja jugosllave, duke na informuar që të largohemi nga venqëndrimet tona e të punojmë në ilegalitet të thellë, larg nga syri i armikut.
Kjo parti ishte shumë aktive. Veprimtarinë e vet ajo kurrë nuk e ka ndërprerë. Kështu, në qershor të vitit 1991 për të formuar njësitet ushtarake, Halili bisedoi me mua, duke më angazhuar, mua, ma ka besuar njësitin e mbrojtjes, të organizuar në 11 baza me 20-50 anëtarë, kryesisht të moshës rionre. Do të thotë arritëm të rreshtojmë edhe të rinjt e kësaj ane në njësite rezistuese kundër okupatorit shekullor serb.
Ndërkaq, në muajin maj të vitit 1991 bëmë një apel që të rinjtë shqiptarë të mos i përgjigjen rekrutimit dhe shkuarjes në ushtrinë jugosllave.
Bazat ushtarake të stërvitjes, duke filluar nga granata e deri te mortaja e krahut e revolja ushtroheshin në shtëpinë time si dhe në shtëpinë e Agron Rrahmanit, në Balloc. Shtëpia e Mustafës në Baliq dhe e Ibush Llapashitcës në Dyz, shtëpia e Refik Shalës, i ati i dëshmorit Shaban Shala, shtëpia e Enver Sylejmanit nga Plepasi (Gërdovc), shtëpia e Hysen Maçastenës nga Dumoshi, shtëpia e Naim Kadriut në Besianë (Podujevë).
Në këto shtëpi stërvitjet i zhvillonin pesë oficerë ushtarakë. Ndërkaq, edhe më heret këta kanë bërë ushtrime ushtarake në Prishtinë dhe në Hajvali, siç është shtëpia e Ismet Beqirit në Prishitnë, ku gjithashtu u zhvilluan ushtrime ushtarake, të cilat zgjatën prej muajit korrik 1991 e deri në muajin mars të vitit 1992.
Në mars të vitit 1992 Salih Salihu me togun tim të armatosur kemi dalë në Zhara të Koliçit, që bënë pjesë në Komunën e Prishtinës. Në këtë fshat për baza ushtarake kemi shfrytëzuar shtëpitë e braktisura, që ishin boshatisur dhe anëtarët e tyre kishin shkuar në Prishtinë për të jetuar.
Në këto shtëpi i zhvillonim ushtrimet tona: shtënia me armë në pozicion në gjunj, barkas, sulm nga krahu idjathë dhe sulm nga krahu i majtë, etj.
Togu ynë arriti të inkuadrojë në gjirin e tij deri në 60 ushtarë, i cili ushtronte me të gjitha llojet e armëve për t’u ballafaquar nesër në betejën kundër okupatorit serb. Njësitet tona patrollonin deri në qendërn komunale të Besianës dhe deri në afërsi të Prishtinës, në Lugar (ish Llukar).
Kështu gjatë kësaj periudhe kohore kemi ndërmarrë 7 aksione në territorin e Llapit dhe 5 aksione brenda në qytetin e Prishitnës. Me forcat barbare serbe jemi përleshur 3 herë.
Punën tonë e kemi koordinuar edhe me studentët: Besnik Restelicën dhe Mehë Ukën nga Mirtovica, të cilët kishin marrë për detyrë organizimin e njësiteve ushtarake.
Ndërkaq, në Vushtrri, në vijën Çyçavicë-Artakoll i kishim vënë lidhjet me Ferki Aliun nga Pantina dhe Asllan Selimin, të angazhuar për Drenicë, që ishte në kontakt të vazhdueshëm me Besnik Restelicën, duke formuar njësite të reja ushtarake dhe ndërmarrjen kundër aksioneve të okupatorit shka: Sipas deklarimeve të Salih Salihut për të gjitha këto veprime e aksione, Halili ka qenë vazhdimisht i njoftuar. Kurse për Rrafshin e Dukagjinit ishte i angazhuar Qerim Këlmendi, i quajtur DEMA, i cili kishte për detyrë formimin e njësiteve të armatosura.
Në emër të Ushtria Çlirimtare për Bashkim Kombëtar kemi lëshuar komunikatën që asnjë i ri shqiptar të mos shkojë në ushtrinë jugosllave.
Ndërkaq, Sadik Jashari nga fshati Dukat i Medvegjës, i cili jetonte në Prishtinë, më 1992 u mor vendim që ai të shkojë në shtetet e perëndimit për t’i pajisur njësitë tona me armatim, ku me udhëzimet e Halilit, Sadiku duhej të lidhej me amerikanët. Ai vdiq në Zvicër, ndërsa u varros në varrezat e Prishtinës. Sipas kësaj del se rrjeti i njësiteve të formuara ushtarake ishte përhapur në shumë treva të Kosovës.
(Salih Salihu, i lindur më 31 maj 1960, në Krasniqe (ish Dumnica e Poshtme), komuna e Vushtrrisë, i cili më 1967 u vendos në Besianë, kurse prej vitit 1999 jeton në Prishtinë.)
HALILI ISHTE FRYMËZUES I IDEALEVE
Halil Alidemajn e kam njohur në Prishtinë kah fundi i viteve ’50-të kur luante hendboll dhe ishte lojëtar shumë i mirë. E dij se ndiqte Shkollën Normale dhe se dashuronte një vajzë të asaj shkolle, Teuta Kryeziun, me të cilën u martua.
Meqë unë erdha në Shqipëri me 1960, me Halilin u takuam vetëm pas viteve ’90-të, kur ai ishte angazhuar në Lëvizje politike në Kosovë. Një natë bëmë një bisedë të gjatë e të rëndësishme për nevojën e një organizimi për të luftuar për çlirimin e Kosovës.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë jemi takuar disa herë. Ai qe angazhuar plotësisht në krijimin e një organizimi ushtarak të rezistencës, pra të një force të armatosur.
Vdekja e tij i la shokët e vet pa një frymëzues për idealet, por këta e vazhduan rrugën e tij.
Agim Gjakova d.v.
HALILI PËLQENTE KARAKTERET E USHTARAKËVE SHQIPTARË
Më vjen shumë mirë që ndërmerrni të shkruani e të skalisni në libër, të përjetësoni në kujtesën e brezave shqiptar, tiparet, karaktetin, virtytet e jetën e tij komplekse të një burri të mençur, trim e i sakrificës deri në vetëmohim për çështjen kombëtare.
Halilin e njoha për herë të parë në një takim, që kishte organizuar në hotel “TIRANA”, me disa djemë, anëtarë të Partisë së Unitetit Kombëtar të Kosovës, në nëntor të vitit 1991, ku isha ftuar edhe unë.
Burrat që bisedonin me Halilin, ishin pjesëtar të një grupi djemsh të ardhur nga Kosova e Maqedonia dhe nga diaspora për t’u stërvitur si luftëtarë të ardhshëm, ndër ta edhe heronjt tanë kombëtar – ADEM JASHARI e ZAHIR PAJAZITI, të rreshtuar në UÇK. Prania ime justifikohej me detyrën që kisha marrë për ta stërvitur këtë kontigjent. Megjithëse me tipare të një intelektuali tipik, ku e pikaste harmonia në kombinim të veshjes e ngjyrave të kostumit, këmishën kullaros, me fytyrën dhe mjekrën e tij paksa të thinjuar, fliste me ta i ngazëllyer si të kishte përpara vetes një pasuri të madhe e të paçmuar.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe se këta djemë ishin margaritarë për idealet e tij, të cilët me luftën që bënë pas tetë vjetësh i justifikuan edhe sakrificat e rralla të këtij patrioti, përfshirë 13 vjetët e burgut të shkaut.
Ai i njihte të gjithë me emër e mbiemër, sikur i përpinte me sy, kur djemtë e informonin për përmbajtjen, mjeshtërinë dhe seriozitetin e trajnimit, që po u bëhej për t’u vënë për ballë me Serbinë.
Në çdo mendim e përshkrim të tyre, Halilit nuk i shpëtonte asnjë tundje koke, apo vënie lehtas e buzës në gaz, nga ana ime si konfirmim për atë që shpjegonim me plot përgjegjësi këta djemë të Kosovës. Me aq sa u informova dhe me bindjet e brendshme të tij, dëshmoi disa herë për besimin e madh që kishte në profesionalizmin dhe devocionin tonë për përgatitjen dhe stërvitjen e djemëve. Pranoi edhe një ftesë timen për të më vizituar në shtëpi. Ndjeja krenari ta njihja nga afër këtë burrë të Kosovës. Vizitat e takimet në Tiranë rrodhën njëra pas tjetrës, dhe ne u njohëm e u bëmë miq.
Bisedat endeshin nga një temë në tjetrën, nga një fushë në tjetrën, por ajo për lirinë e Kosovës ishte e para e kryesorja. Sikur i dilte zemra nga vendi kur psherëtinte e hiqte një zemër “siç themi ne nga jugu për hallet e Kosovës. Edhe Shqipërinë e donte të fortë. Kërkonte të informohej mirë për çka kishte qenë Shqipëria në sistemin e parë e ç‘po ndodhte me të tani. Veçanërisht e donte të fortë ushtarakisht. Kur i pohoja se Rumania 24 milionëshe kishte 11 divizione 17-20 mijë vetë secilin Shqipëria 3 milionëshe kishte 22 të tillë, tre regjimente aviacioni, me Mig 19 ose 21, tre regjimente (baza) detare dhe një fortifikim të pakalueshëm; entuziazmohej pa masë dhe nëpërmjet këtyre pohimeve patjetër shumë më gjerë e më të detajuara seç shpreha më lartë, më vlerësonte akademik me notën 10(dhjetë).
Vlerësimi i këtij intelektuali ishte shumë domethënës e ia kalonte vlerësimeve, që më ishin bërë nga komisionet shtetërore akademike universitare. Të diplomuar si jurist te dy gjenim shumë pika takimi në diskutimet tona të gjata të karakterit social, politik dhe juridik.
Halili u bë mik edhe me Idajet Beqirin, kryetarin e Partisë së Unitetit Kombëtar të Shqipërisë, siç më thoshte kishin shumë pika takimi. Kërkonte të më njihte me të, por unë në atë kohë kisha angazhimet e mia si pedagog e dekan në Akademinë e Forcave Tokësore, dhe me ndërgjejge përpiqesha të shkëputesha nga influencat politike të kohës.
Zakonisht bisedat i bënim në shtëpi, por një ditë, ndryshe nga përherë, më ftoi të bënim një xhiro në këmbë në periferi të qytetit të Tiranës, nga liqeni artificial. E ndjeva se kishte diçka konspirative për të më thënë; dhe s’kisha gabuar.
Hysen! – më tha: – Kam një takim me shokët në një qytet të Europës (ishte fjala për një pjesë të kryesisë së partisë që e drejtonte në diasporë dhe dua të dalë para tyre me një mendim politik, por dhe ushtarak, konkret dhe deri diku të detajuar për një hap më serioz politik, i shoqëruar me një aksion të vërtetë ushtarak, që do të shpiente minimalisht në një tronditje të thellë të mendimit të Beogradit për rezistencën e Kosovës si rezistencë e planit të grevave e demonstratave paqësore, dhe që do të hap terren për një strategji më të plotë për një luftë të organziuar çlirimtare në Kosovë.”
Mua më dukej se po më besonte shumë më tepër nga ç‘ishte kapaciteti im intelektual politik, profesional, ushtarak akademist. Nga ana tjetër unë deri në këtë moment e kisha njohur si politikan, si intelektual më shumë teorik, megjithëse ishte ai, që kishte inicuar dërgimin ilegalisht të 13 djemëve anëtarë të partisë së tij për t’u stërvitur për luftë, për aksion, e jo si politikan. Ideja e tij për një goditje të menjëhershme të fshehtë e të befasishme, të organizuar mirë e tepër konsiprative, me njësi të vogla partizane (guerile) të një përqindjeje të madhe të objekteve më të rëndësishme ushtarake, përfshirë këtu shtabe të larta përqëndrime artilerie, raketash aviacioni e tankesh, nyje ndërlidhjesh e të tjerë, më shokoj komplet. Për një moment m’u duk i çmendur, i guximshëm e aksionist tej natyrës së tij të qetë delikate e të matur, që kisha njohur deri në këtë kohë që dëshmoj dhe më dukej vetja i vogël fare para tij;
Njohuritë e mia akademike dhe eksperienca ime m’u therrmuan, m’u dukën të fituara në kurse teorike filozofike predikimi. Ndërkohë, po mblidhja veten i motivuar nga besimi e vlerësimi i madh që po më bënte. Fillova të mendoj, të paraqitem i përgjegjshëm para këtij burri, këtij patrioti. Heshtja ime që zgjati për disa momente e bëri të më drejtoj një pyetje, që s’e kuptova mirë në se shprehte pasigurinë në idenë e tij apo një koficient zbritës të besimt tek unë, për atë që paraqiti: – “Hysen! O mendon se është një ide aventure?!” Nuk priti t’i përgjigjesha, por shpejt tha: – Kushtet, rrethanat, koha e aleatit, populli në qytet e në fshat, morali i djemve tanë e ai i ushtrisë serbe, koha kur duhej të kryhet, më takojnë mua që t’i parashtroj. Prej Teje kërkoj të më konsultosh si mund të detajohet ky veprim”.
Dalë ngadalë e duke sforcuar trurin, fillova t’i flasë për faza përgatitore për këtë aksion, ta pyes e të marr përgjigje për kushtet e rrethanat politike e sociale, për mbështetjen në resurse njerëzore logjistike e tjerë; dhe pastaj të definoj se është pak heret për mendimin tim, por se ideja e kësaj goditjeje ishte serioze, e drejtë dhe e mundshme e për rezultatet e dëshirueshme. Punova rreth një javë për të ardhur në disa konkretizime e detaje të mirëfillta ushtarake, të cilat i pëlqeu dhe u shpreh se auditori, të cilit do t’i parashtroheshin do t’i mirëpriste. Ai shpirt i vrarë e i dërrmuar në burgjet serbe, entuziazmohej e gjallërohej, merrte jetë, merrte besim në përmbushjen e idealit të tij; Sa po shihte një ide, një veprim, një organizim për çështjen e madhe të Kosovës, dhe plot interesim, ndoshta edhe me kusheririn tim Vladimir Bejën, ushtarak i lartë i karrierës, ish komandant i Flotës sonë ushtarake që në takimin e parë të rastit në shtëpinë time. Dukej që ushtarakët shqiptarë dhe karakteret e tyre, i pëlqente shumë, i konsideronte shkëndijë shprese të realizimit të ideve të tija për Çështjen e Madhe të Kosovës.
Hysen Ymeri, d.v.
- VIJON –
_____________________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (29)
Nga Sabit Alidema – Pashtriku 28 Korrik 2021