HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (34)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 30 Korrik 2021
FORMIMI I SHTABIT OPERATIV – UNIKOMB
(Flet z. Daim Hyseni)
Ndoshta është fat në fatkeqësi, por për mendimin tonë është mburrje dhe kënaqësi e veçantë, sepse kemi nderin të jemi shokë të kësaj gjenerate, kurse në mesin e personaliteteve të tjera, pjesën më të madhe të veprimtarisë sonë që të jetë një veprimtari konstruktive për realizimin dhe vazhdimin e procesit aty ku e lanë të tjerët para nesh ta vazhdonim ne deri në përfundimin dhe kurorëzimin e saj. Kurora e veprimtarisë sonë ishte profesori i nderuar HALIL ALIDEMA.
Në vitet e 90-ta takimin e patëm lënë në Shkup. Ishte kjo kohë, kur në Evropën juglindore filloi procesi i transicionit, filloi sistemi pluralist dhe si forma e vetme për veprimin legal apo të kamufluar në çfarëdo mënyre për formimin e Partisë së Unitetit Kombëtar – UNIKOMB-it.
Në fillim patëm biseduar me Halilin për një parti politike, që këtë lëvizje e kishin filluar edhe në Gjilan. Mirëpo, në kohën e pluralizmit formohen celulat e reja. Mendim ky që ishte i kahershëm për një liri kombëtare, për një ditë më të mirë, të paktën për brezat që do të vijnë pas nesh.
Me kënaqësi të veçantë dhe me bindjet tona pranohen këto ide deri në sakrificat e kohës edhe shkuarja jonë në Shqipëri, ku u bë formimi i Shtabit Operativ – UNIKOMB-it dhe inkuadrimi i veprimtarëve më të njohur, inkuadrimi i ushtarëve tanë, të cilët në të vërtetë pranuan të sakrifikojnë jetën e tyre, duke qenë të përgatitur për çfarëdo rreziku vetëm për një ditë më të mirë, për një ditë të realizimit të aspiratave të natyrshme, që mendonim se i takonin popullit tonë.
Në këto takime kanë marrë pjesë njerëz nga Kosova, në përgjithësi, por ka pasur edhe nga Presheva, Bujanoci e Maqedonia dhe në votimin tonë të mëvonshëm në Shqipëri, kemi pasur kontakte edhe me çamët, të cilët na kanë ndihmuar mjaft, veçanërisht nga Greqia, u angazhuan edhe për ta ndihmuar luftën në Bosnje, që rezultonin në interes tonin për një parapërgatitje. Sepse në atë kohë priteshin ndryshime të mëdha në kohë e në vite, që pasonin.
Dëshira dhe strategjia e profesorit (Halil) ishte që të mos na gjejë lufta në gjumë, të papërgatitur e të paorganizuar, por të na gjejë të gatshëm. Dhe të gjenden forma të ndryshme të veprimit e të organizimit, sepse ndonëse ishim të okupuar nga Serbia, përsëri përgatitja jonë duhet të jetë në mos në nivelin e duhur, së paku në një nivel të rezistencës mbrojtëse. Në bisedimet që zhvilloheshin asaj kohe ndërmjet Millosheviçit dhe Kiro Gligorovit, intervenimi i drejtë i Kinkelit, gjë që atëherë e kemi kundërshtuar dhe falënderojmë Zotin që nuk u realizua ai projekt.
Kinkeli në Shqipëri nga presidenti Sali Berisha kërkoi pëlqimin që të merren vesh edhe njëherë me sllavët që të hapet korridori, do të thotë rruga e Anadollit. Mirëpo, në të vërtetë shqiptarët nuk i braktisën trojet e tyre, por qëndruan aty ku kishin lindur, në trojet e veta stërgjyshore. Sipas profesorit duhej të mobilizoheshim dhe të pozicionoheshim në Maqedoni, duke përfshirë shtrirjen e Korabit, të Sharrit, të Malit të Thatë dhe të kemi dalje në krye të Sollunit.
Veprimtaria jonë do të ishte e suksesshme, mund të them se në enciklopedinë botërore nuk ekziston luftë e mirë, por është burrëri dhe trimëri që mos t’i shmangemi luftës mbrojtëse, sepse ne nuk e kërkuam luftën, por lufta neve na u imponua. Prandaj, asnjë shqiptar nuk është ithtar i gjakderdhjes vdekjeprurëse apo nacionalist ekstremist siç na akuzonte Beogradi në atë kohë. E kanë konstatuar edhe të tjerët se shqiptarët janë një popull mikpritës, një popull paqedashës, por ne kemi dëshirë që të jetojmë në kuadër të rregullave të hartuara të konventës ndërkombëtare dhe pjesë të këtyre rregullave të jetës të jemi edhe ne. Dhe mbi të gjitha nuk mund të jetësojë traditat e aktit tepër human e njerëzor që ky popull i ka pasur i ka dhe do t’i ketë, në radhë të parë si mikpritës, në qoftë se jemi të okupuar, në qoftë se jemi të robëruar, në qoftë se jemi të penguar ta vizitojë mikun e ai të më vizitojë mua. Këto provokime që janë bërë që nga viti 1981 e këtej janë dëshmi për ditën e sotme kur na u kufizua e drejta edhe e pagëzimit të fëmijëve, të mos kemi të drejtë ta pagëzojmë djalin apo vajzën: Alban, Shkodran, Kosovë, Kosovare e kështu me radhë. Nuk e di ç‘i pengonte partisë së asaj kohe apo Komitetit Qendror pagëzimi i fëmijëve shqiptarë. Përkrahjen më të madhe atëherë e kemi pasuar nga ministri i drejtësisë – Tritan Shehu, kurse më vonë edhe nga ministrat tjerë, me theks të veçantë nga ish presidenti i Shqipërisë – Ramiz Alia, i cili në rrjetin e vet, qoftë miqësor ose shoqëror, profesorit (Halil) i dha pëlqimin që të mund të shfrytëzojë objektet dhe vendet për fushëveprim për përgatitjet paraprake për pikësynimet e ardhshme.
Vendqëndrimi i profesorit në Shkup ishte ashtu siç e caktonim ne, siç i thonim te MALA, njeriut të cilit dy herë iu dogj shtëpia, por kurrë nuk u dorëzua. Një njeri që ka mbetur besnik i fjalës sonë, ndonëse mund t’i rrezikonte edhe anëtarët e familjes, por kurrë nuk ia mbylli derën profesorit – Halil Alidemës.
Zgjidhja për pajtimin e UNIKOMB-it, procesit në Shkup i ka ndihmuar Halili (Halil Palloshi nga Shkupi) ishim bashkë katër ditë të plota, kurse unë personalisht kam pasur nderin të jem i pari delegat i deleguar në Shtabin Operativ në UNIKOMB, të jem anëtar i deleguar, i dyti në Këshillin ndërpartiak të Kosovës, ku ishim dy vetë, profesori dhe unë. Unë isha edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të UNIKOMB-it, duke pasur parasysh se Maqedonia nuk ishte një shtet tjetër, por një pjesë e Kosovës ose e Shkupit të lashtë si qytet i Dardanisë së dikurshme. Për këtë çështje le të flasin më me kompetencë historianët, sepse nuk është fushë e ime. Se si do të përfundojë nuk e dinim, por a kishim të drejtë të kërkonim çlirimin , të kërkonim lirinë dhe të sakrifikohemi për të shtrenjtën liri – është nderi i një populli, nderi i një kombi. Ai popull që kërkon dhe realizon lirinë e popullit të vet, meriton të ekzistojë si komb e si popull. Kurse ai popull, që pranon robërinë dhe nuk çanë kokën për liri, është mirë që të asimilohet se nuk ka nevojë të ekzistojë si komb e si popull dhe të gëzoj liri.
Nëpërmjet Liman Jasharit, i burgosur politik nga Prishtina u vu kontakti me profesorin – Fadil Sulejmanin. Në Gostivar insistuam pas një kohe që të marrë organizimin edhe rreshtimin ish kryetari i Prosperitetit Demokratik mr. Ymeri nga çegrani për të biseduar edhe me përfaqësues të tjerë nga Reçani po ashtu profesorë të historisë, të cilët profesori i kishte edhe kolegë të vet.
Ndërkaq, në Dibër disa veprimtarë tanë, të cilët na kanë siguruar kufirin, njëri nga ata ishte edhe Petrit Kumova, ashtu e njihte vendi, ishte një patriot i shquar, një veprimtar i denjë, i cili edhe sot e kësaj dite jeton në kushte të mjerueshme, jeton si një punëtor krahu, por kurrnjëherë problemet e ekzistencës jetësore nuk e kanë penguar dhe nuk e kanë ndalur nga veprimi patriotik edhe pse ishte i burgosur politik……………..
Organizimi i punëve dhe veprimtaria në Shqipëri ishte një kënaqësi.
– Zotëri Daim, kush ishte kryetar i UNIKOMB-it për Maqedoni?
– Në Maqedoni kemi qenë në lokalet e Bashkësisë Islame
të Republikës së Maqedonisë, ku kryetar ishte Mulla Syla. Unë i kërkova çelësat nga ai për të mbajtur një mbledhje kinse me qytetarë të bashkësisë lokale edhe diç për problemet e Bosnjes, sepse do të na vijnë refugjatë etj. Aty kemi mbajtur kuvendin dhe kemi themeluar – Degën e Shkupit të UNIKOMB-it, ku profesor Halil Alidema ka pasur një përfaqësues edhe nga Kosova. Dhe në atë kuvend për kryetar të Republikës së Maqedonisë u zgjodh Kadishe Hamiti, një patriote e dalluar, një veprimtare, të cilën ne e kemi zgjedhur kushtimisht si figurë, duke mos e përzier në punët tona ilegale, duke e kursyer edhe nga shumë gjëra tjera që ajo të merret vetëm me akte, me fatura e me regjistrimin e partisë dhe të punojë në formë legale. Por nuk kemi pritur se Kadishja do t’i rreket punës me plotëkuptimin e fjalës, ku falë asaj për dy javë u themeluan shumë degë në qytet dhe në të gjitha komunat. U formua edhe Rinia e UNIKOMB-it, të cilën në atë kohë e ndihmoi edhe referendumi për çështjen e Kosovës, ka kaluar nëpërmjet Rinisë së UNIKOMB-it dhe numri i Forumit Rinor të UNIKOMB-it për një muaj arriti të kalojë 700 anëtarë. Përfaqësuesi i Forumit të Kosovës në të njëjtën kohë ishte edhe në Tetovë, ku u paraqit Rinia Demokratike apo Bashkimi i Lidhjes Demokratike Shqiptare, të cilët ishin koordinuar dhe mbanin kontakte me Preshevën dhe me Bujanocin, por në fakt qëndrimi, ideja, parimi, veprimi e bindja nuk ishte shujë identike, por megjithatë bashkëpunimi nuk ka munguar. Kryetare ka qenë Kadishe Hamiti, kurse sekretar për regjionin e Shkupit, ka qenë Raifi….
Në kohë të rrëmujave ishte shumë vështirë në Kosovë, kush kishte të drejtë dhe kush kishte kurs politik të gabuar, megjithatë secili personalitet edhe sot e kësaj dite ka përgjegjësi që në veprimtarinë e vet ka bërë edhe lëshime edhe punë të mirë. E dëshmojnë edhe djemtë, të cilët gjithmonë e kanë shoqëruar profesorin (Halil Alidema), edhe më vonë edhe Bukoshi ka pasur vetëm premtime, mirëpo, deri sot e kësaj dite asnjë lek apo as një krah nuk i është dhënë profesorit për t’i mbuluar harxhimet, por harxhimet i ka mbuluar, duke kërkuar donatorë, duke kërkuar bashkëqytetarë të tjerë në forma të ndryshme e kanë nihmuar procesin, kurse qeveritarët e Qeverisë së Kosovës e të Shtabit të UNIKOMB-it nuk kanë ardhur. Ka mbajtur takime me diasporën në Gjermani, t’i njoftojë me formën e angazhimit të mëtejshëm, duke caktuar mbledhjet që duhej të tregonin parapërgatitjet për stërvitje.
Nuk ka pasur raporte të mira, ngase bindjet dhe këndvështrimet e kundërta me njëri-tjetrin, duke dashur ta shmangte luftën, ngase vetëm lufta i zgjidh problemet dhe e përmbyll problemin njëherë e përgjithmonë në Ballkan, dhe si president i Kosovës, profesori e ka përshëndetur atëherë, e përshëndet edhe sot po të jetë në mesin tonë, formimin e këshillave të emergjencës dhe formimin e shtabeve dhe të celulave, formim të motivizimit të sakrificës së vëllezërve, qoftë fshat, qoftë bashkësi lokale ose në nivel urban. Përshëndeti aso kohe edhe formimin e FARK-ut, gjë që Rugova atëherë i ka përkrahur ato bisedat interne, por nuk e ka thënë publikisht këtë, por para qeveritarëve ndërkombëtarë parashtronte politikën e vet gandiane, kurse edhe profesori dëshironte që ushtria të armatoset nga Qeveria e Kosovës, të organizohet nga institucionet e Kosovës, të krijohen institucionet përkatëse, të kemi ministër të mbrojtjes, të kemi një njësi të ndryshme dhe të mundemi në mënyrë institucionale me Shpalljen e Kushtetutës së Kosovës të veprohet edhe në trevën e Kosovës. Nëse e ke shpallur Kushtetutën, Qeverinë e shtetin, atëherë do të duhej edhe në mënyrë institucionale ta mbrosh atë. Këtë kërkesë shtronte edhe profesori (Halil Alidema).
Keqpërdorimi i mjeteve financiare, forma e një politike gandiane të stërvitemi ngapak dhe pastaj përsëri t’i shmangemi luftës, ishin qëndrime kontradiktore. Sepse një ushtar që vinte në stërvitje, atë mos e kthe prapa por vishe në uniformë ushtarake, ai nuk kthehet më prapa, ai tani më është rreshtuar dhe është veshur si ushtar dhe tanimë pret vetëm urdhërin t’i kryej detyrat e mëtejshme që kërkon atdheu prej tij.
Njëri nga motivet ishte që shtabi tanimë kishte filluar me përgatitjet ushtarake dhe kthim prapa nuk ka. Është shumë interesante edhe çështja tjetër, organizimi i juniorëve dhe seniorëve. Seniorët në fillim kanë shkuar nëpërmjet FARK-ut, ku ka qenë edhe vetë ADEM JASHARI. Mirëpo, kjo ka qenë një kohë tepër e shkurtër, ku u bashkangjitën formim ushtrie, formimi i strukturave ushtarake. Dhe më nuk jemi thirrë as në UNIKOMB, as në LKÇK, as në front, e kështu me radhë. Para luftës dhe gjatë luftës, ditët e para në Tiranë si interpretues i UNIKOMB-it, si një ushtar shqiptar, pas vdekjes së profesorit (Halil Alidemës), kërkova mentorin dhe publikisht kërkova të pushojë aktiviteti i UNIKOMB-it, por të inkuadrohen në front, kudo që të kenë luftë, kudo që të gjejnë radhët e ushtarëve të Kosovës, të rreshtohen, të respektojnë rregullat, të respektojnë eprorët dhe t’i…….
Sepse emri më nuk luante rol, por me rënësi të veçantë për ne ishte përfundimi i luftës – fitorja e saj. A e bëri UÇK-ja, a e bëri UNIKOMB-i apo LKÇK-ja, nuk ka rëndësi kjo punë, rëndësi ka fitorja jonë e përbashkët.
Suksesin e ka dëshmuar vetëm inkuadrimi i gjithanshëm i vullnetit të popullit, ku secili në formën dhe mundësinë e vet të japë kontributin e tij si obligim moral të qytetarit, të shqiptarit, të kombëtarit për të ndihmuar procesin, për të ndihmuar luftën, një gjë që në fund u pa dhe u tregua e suksesshme për të cilën u jemi mirënjohës gjithë ushtarëve, u jemi mirënjohës këtij kombi, këtij populli dhe qofshin të bekuar nga Zoti në falënderim të Zotit.
Fjala e z.DAIM HYSENIt (intervistën e zhvilloi Sabit Alidema, me nofkën Hoxha në fillim e pastaj në luftë Valteri. Daim Hyseni sot është Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës për Republikën e Maqedonisë. Mban emrin e Daim Kopanicës, komandant i Ballit Kombëtar për Shkup dhe Tetovë, pjesëmarrës në Kuvendin e themelimit të Ballit Kombëtar në Shqipëri, mik i afërt i Muharrem Bajraktarit dhe i dekoruar me pistoletë nga vetë mbreti ZOG.
HALILI ISHTE NJË BURRË I ZGJUAR DHE INTELIGJENT
Takimet e mia të fundit me Halil Alidemën nuk mund t’i harroj kurrë. Diku rreth viteve 1955, 1958 dhe 1959, unë pata formuar një ndërmarrje tregtare “Evropa Comerc” dhe pata filluar të hap disa dyqane në Tetovë dhe pastaj ato dyqane i barta në Prishtinë. Në Prishtinë i pata vazhduar studimet, të cilat i pata ndërprerë shumë vite përpara. Atëherë aty organizova dhe bëra një zyrë të firmës tregtare “Evropa Cormerc” dhe atë ia besova Ramadan Bunjakut, te cilin e pata njoftur nëpërmjet dhëndrit – mikut të tij – Ibrahim Osmanit.
Ndërkaq, nëpërmjet ramazanit pastaj e kam njohur Halil Alidemën, i cili vinte shpesh në zyrën tonë. Ishte një burrë i zgjuar dhe inteligjent. Ai merrej me shkrime. Shkruante dhe botonte poezi.
Aty rreth vitit 1990 filluam përgatitjet për formimin e UNIKOMB-it që do të ishte një parti ndryshe nga LDK-ja, që do të rezononte ndryshe dhe kishte pikëpamje tjera lidhur me çështjen e zgjidhjes kombëtare shqiptare. Pas një kohe Baca Halil ka qëndruar dhe ka zhvilluar veprimtarinë e vet politike në Maqedoni. Mirëpo, pas vitit 1990, unë nëpërmjet një mikut tim nga Gjakova merresha me veprimtari tregtare edhe në Shqipëri, ku rashë edhe këtu në kontakt me Bacën Halil, i cili dëshironte të më kishte pranë duke mos bërë kurrfarë dallimesh fetare ndaj meje. Kishim në plan të inkuadronim edhe Kolë Berishën. Pas kërkesës sonë me shkrim, meqenëse nuk na u përgjigj askush, kjo punë mbeti. Policia e ka kontrolluar zyrën time dhe tri herë më morën në pyetje. Kështu pasi më liruan, vërejta se mungonin shumë dokumente. Nuk di i kanë asgjësuar apo i kanë djegur.
Në këtë kohë sa po qëndroja në Shqipëri, unë isha shumë aktiv. Duke punuar dhe ndihmuar edhe Partinë Demokratike të Sali Berishës, Partinë Social Demokrate, kam pasur takime edhe me Ramiz Aliun e Fatos Nanon. Qëllimi im ishte për të vënë një baraspeshë në bashkëpunim e harmonizim ndërmjet partive shqiptare. Jam përpjekur t’u ndihmojë me mundësitë e mia që kam pasur. Në Shqipëri kam qenë gjatë viteve 1991-1992, ku kam pasur kontakte edhe me studentët e Universitetit të Tiranës, si me Azem Hajdarin e shumë të tjerë. Gjatë kësaj kohe Baca Halil ka qenë në Kosovë e në Maqedoni, por unë kam mbajtur lidhjet me të nëpërmjet telefonit si me bacën Halil ashtu edhe Ramadan Bunjakun dhe me Ibrahim Osmanin.
Partia e parë në Shqipëri e në Kosovë ka qenë Partia Demokratike, ku në selinë e saj unë e Bahri Brisku nga Mali i Zi, kemi bërë përgatitjet paraprake për formimin e UNIKOMB-it, ku këtu në këtë seli më ka pritur Azem Hajdari dhe Adem Nimani. Në këtë takim synonim të formonim një trup, një organ jashtëpartiak, i cili do të ketë një rregullore që duhej respektuar, duke mos dalë jashtë kornizave të saj, të inkuadrojë e të bashkojë kokat më të njohura e më të ngritura kombëtare brenda në Shqipëri dhe jashtë saj në Kosovë, në Maqedoni e Çamëri, e madje edhe në diasporë, do të thotë në të gjitha trojet etnike e që ky asociacion do të punonte për bashkimin e trojeve shqiptare.
Meqenëse Partia Demokratike në Shqipëri e pranoi këtë bashkëpunim si organizatore, atëherë ne prisnim ndihmën e saj dhe koordinimin me partitë tjera që në Tiranë të mbahet një Kuvend Mbarëkombëtar. Ne patëm takim si me Universitetin e me zëvendësministrinë, e mandej edhe me Ramiz Aliun, duke u paracaktuar që ky kuvend të mbahet në muajin maj ose më 28 Nëntor.
Mirëpo, në atë kohë në Tiranë erdhi Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-ës dhe ka kontaktuar me Sali Berishën, kryetar i PD-ës, si dy parti, të parat që ishin, si parti postkomuniste, kanë gjykuar se nuk duhet të ekzistojë një trup, organ apo kuvend mbipartiak, ndaj ky kuvend nuk u mbajt. Ndërsa, Ramiz Alia na përkrahte në këtë drejtim, por ai kishte interesin e vet për Pajtim Kombëtar. Atëherë ne nuk u pajtuam me kërkesën e Partisë Socialiste, ku shkruante: Kuvendi për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar, i caktuar të mbahej, më 20 nëntor 1991 në Tiranë, por i cili nuk u mbajt……..
Me Bacën Halil kemi bashkëpunuar edhe në organizimin e ushtarëve të UÇK-ës, madje Baca Halil ka kërkuar prej meje që unë të bëhem shef i sigurimit. Mirëpo, unë nuk kam pranuar, sepse e kam pasur familjen dhe më është dashur të kujdesem për Të. Këtë punë Baca Halil nuk ia ka besuar askujt….
Marjan Jaku (më 20.10.2005)
THIRRJE GJITHË SHQIPTARVE KUDO QË NDODHEN
Shqiptarë! Mos rrini me duar kryq përpara kësaj tragjedie kombëtare, por bashkohuni të gjithë tok, në një mendje, në një qëllim, për të vdekur me nder përpara se të zhdukemi me turp.
Abas ERMENJI
Kryetar i Ballit Kombëtar dhe i së Djathtës së Bashkuar Shqiptare.
PËR HALIL ALIDEMËN – NJERËZIT VDESIN, POR LEGJENDAT NUK VDESIN KURRË (Kushtuar Halil Alidemës)
Për Njerëzit që janë vetë pjesëtar të ngjarjeve, që e karakterizojnë një epokë historike, është e drejtë dhe obligim i tyre që për brezat e ardhshëm të lënë dëshminë e tyre! Por, ata nuk duhet të bëjn vlerësime paraprake e as të pretendojnë të shkruajn historinë për atë epokë dhe për ato ngjarje! Sepse ata mund të kenë njohuri dhe të japin të dhëna e dëshmi të sakta vetëm për punën e vet e të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë dhe pa dashje ta hiperbolizojnë atë dhe njëkohësisht ta deformojnë të vërtetën për punën e të tjerëve. Ata nuk duhet të flasin për ngjarje e personalitete, të cilat nuk i kanë njohur, sepse kjo e shton rrezikun që ngjarjet apo personalitetet të trajtohen gabimisht dhe jo në mënyrë meritore. Historinë duhet ta shkruajn shkencëtarët e gjeneratës së ardhshme, të cilët do të jenë në gjendje që të trajtojnë në mënyrë të paanshme e shkencërisht të gjitha të dhënat historike për ngjarjet e personalitetet e caktuar historike të gjeneratës së mëparme, duke iu përmbajtur objektivitetit të domosdoshëm.
Vetëm duke u mbështetur në parimin e lartë përmendur mund të flitet edhe për Mr. Halil Alidemën, i cili nuk vdiq për Atdhe! Ai tërë jetën e tij jetoi për Atdhe. Duke jetuar për atdhe, ai e harroi vetveten dhe duke u vënë në shërbim të një ideali, ai përjetoi mundime shqiprtërore e fizike, materiale e sociale dhe u ballafaqua me sakrifica që janë më të mëdha e më të rënda se sa vetë vdekja. Se ka përjetime më të rënda sesa njeriu të vdes, këtë e kuptojnë më së miri ata, që kanë kaluar në të njëjtën rrugë që ka kaluar vet Mr. Halil Alidema. Nëpër atë ferr kaloi edhe familja e tij. Është e zakonshme që kur të flitet për njerëzit që nuk jetojnë më, të teprohet në stërmadhimin e tyre dhe kjo nuk i bënë ato personalitete e as ato ngjarje më të mëdha sesa janë, përkundrazi e zbeh vlerën e tyre reale. Për ta ruajtur figurën dhe madhështinë e veprës së tij duhet të shkruhet e të flitet për të vetëm duke u mbështetur në realitet. E realiteti është vërtetë i pasur!
Kur e kemi parasysh se periudha historike që fillon me Epopenë e Demonstratave të Pranverës së vitit 1981, ku mori pjesë aktive edhe Mr. Halil Alidema, akoma si proces nuk është përfunduar dhe rrumbullakësuar, cilindo njeri që merr guximin të shkruaj për këto ngjarje, merr mbi vete edhe rrezikun dhe përgjegjësinë për pasojat e mundshme në rast të mungesës së objektivitetit të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm. Kjo do të thotë konkretisht se po të ishte gjallë edhe vetë Mr. Halil Alidema dhe ne bashkëpunëtorët e tij që jetojmë nuk kemi as një arsye që të jemi krenar për punën tonë që e kemi bërë, sepse ajo punë akoma nuk është kryer dhe se akoma objektivat tona nuk janë realizuar. Vetë Mr. Halil Alidema do të thoshte se një punë e lënë përgjysmë është më pak se të mos punosh fare. Pra, as nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me vetveten, as të jemi krenar dhe as të kemi të drejtë t’i bëjmë histori vetvetes për një punë, e cila mund të vlerësohet vetëm kur të kryhet në tërësi!
Ky konstatim ka një vlerë të veqant, sepse nga viti 1999 kemi një vërshim shkrimesh të autorëve të ndryshëm, që pretendojnë të kenë shkruar “LIBRA TË HISTORISË” për Epopenë e vitit 1981, që në realitet në të shumtën e rasteve deformojnë të vërtetën në përmasa edhe komike edhe tragjike. Kjo nuk do të thotë që të ndërpritet me shkrimin e dëshmive për Epopenë, që filloi në vitin 1981 dhe e cila po zgjatë edhe sot si proces historik, sepse dëshmitë me të vërtetë duhet grumbulluar sa janë akoma në kujtesë të freskët dhe sa janë shumica e aktorëve të tyre akoma në jetë, por kjo duhet të jetë një punë e bër me kujdes e korrektësi, që gjeneratës së ardhme të shkenctarëve historianë tua lehtësojmë punën për përshkrimin e të vërtetës!
Shumica e këtyre parimeve, që u trajtuan më lartë kanë qenë objekt të bisedave, që kam zhvilluar me Mr. Halil Alidemën në fillimin e viteve 1990 kur ai ishte në Evropë me punë në drejtim të krijimit të Degëve të UNIKOMB-it në Diasporë.
Mr. Halil Alidemën si personalitet e kam njohur edhe nga koha kur kam qenë i angazhuar me punë në Universitet gjatë viteve të ’80. Por, edhe pse ne ishim të dy të angazhuar në ilegale pran PKMLSHJ-ës qysh atëherë, ne nuk kishim as njohuri për punën e njeri-tjetrit, e as bashkëpunim. Këtë e diktonte konspirativiteti i vetë punës ilegale.
Por, kur Mr. Halil Alidema u burgos së bashku me Mr. Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, në krye të grupit të intelektualëve në verën e vitit 1981, unë u interesova dhe mora infomacionin se Mr. Halil Alidema në PKMLSHJ është angazhuar gjatë vitit 1979 përmes Jahja Azemit, që ishte aktivist i PKLMSHJ në komunën e Vititsë. Kjo ishte goditja e parë dhe shumë e rëndë që iu bë PKMLSHJ pas 6 viteve punë të suksesshme në ilegalitet. Më vonë prej terrorit politik institucional- policor e juridik të pushtetit të Lidhjes Komuniste Jugosllave në Kosovën e tërësishme, do të binë edhe disa grupe të PKMLSHJ-ës që ishin zbuluar gjatë punës operative në terren. Numri i tyre u rrit gjatë vitit 1982 në qindra aktivistë, dhe disa të tjerë u detyruan të braktisin vendin për të ndërprerë zingjirin e zbulimit dhe për ta vazhduar aktivitetin në drejtim të realizimint të Fazave Programore të luftës të hartuara në Platformën Politike të PKMLSHJ.
PKMLSHJ nuk e penguan këto burgosje që ta vazhdojë aktivitetin e vet dhe si rezultat i punës së sajë me inisiativën e saj u morën kontakte me Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën dhe filloi procesi i Bashkimit të tri organizatave ilegale në Platformën Politike të PKMLSHJ për krijimin e Lëvizjes për Republikën Shqiptare të Kosovës (së tërësishme-me vise), gjë që edhe u vazhdua edhe pas vrasjes së tyre nga UDB-a në Gjermani, në periudhën ndërmjet 17 shkurtit deri më 25 maj 1982. Të gjitha Organizatat e Grupet ilegale politike shqiptare në ish RSFJ, duke i përfshirë edhe ato në krye të të cilave ishin Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, deri me atëherë kishin një program të njëjtë, i cili definohej si dëshirë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Halil Alidema kudo që gjendej, vepronte në drejtim të bashkimint luftarak të shqiptarëve. Ai këtë e bëri edhe brenda burgjeve jugosllave, duke biseduar intensivisht me të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë që u takonin grupeve e organizatave të ndryshme politike, mes të cilëve UDB-a kishte rekrutuar njerëz të vet, të cilës i përdorte për nxitjen e mosbesimit dhe përçarjeve deri në luftë të brendshme ndërmjet grupimeve politike shqiptare që ata, duke luftuar ndërmjetveti mos të kenë kohë të luftojnë kundër pushtetit.
Edhe kur doli nga burgjet jugosllave, Mr. Halil Alidema u angazhua në drejtim të arritjes së bashkimit politik. Ai ishte kundër dogmave ideologjike sikur që nuk u pajtua me politikën pacifiste të pritjes që dikush nga jashtë të zgjedh çështjen e Hapur Shqiptare. Prandaj, ai u përcaktua që të themelojë UNIKOMB-in si një organizatë politike e qendrës, e cila çlirimin e bashkimin e atdheut e ka prioritet kryesor. Halili i ruajti raportet e mira edhe me liderët e grupimeve tjera dhe vazhdimisht synonte arritjen e bashkërendimit të tyre. Ai kurrë nuk pat ambicje personale karrieriste. Më kujtohet një nga bisedat që kemi pasur në Stuttgart, kur ai pa as një dilemë deklaroi se ai është i gatshëm që ta pranojë Adem Demaçin për kryetar të UNIKOMB-it nëse ai vjen në UNIKOMB! Bashkimin e Organizatave Politike Shqiptare në vititn 1982, ai e quante suksesin më të madh të ilegalës, por ai theksonte se ka ardhur koha për një bashkim politik në përmasa gjithëkombëtare, që injoron kufijt armiqësorë, që ndajnë kombin tonë!
Bashkimi i tyre në Lëvizje për Republikë (tani quhet LPK) ishte një e arritur historike për tërë Kombin, sepse edhe pse ky bashim hasi në rezistencë të fuqishme të komploteve të brendshme e të jashtme të armikut dhe velgave të tij të vetëdijshme e të pavetëdijshme brenda shqiptarëve, ajo i qëndroi kohës. Kjo Lëvizje e ruajti kontinuitetin e vt, që filloi më 17 shkurt 1982 dhë që arriti të realizojë të gjitha detyrat e programuara nëpër fazat e zhvillimit të vet, duke u shndërrua në një lëvizje gjithëpopullore, e cila më në fund e lindi edhe UÇK-ën dhe arriti të krijojë 4 Armata me veprim në zona operacionale, që gjendeshin në sundimin e tri ish Republikave Jugosllave, duke i bërë me dije të gjithë faktorët ndërkombëtarë se në Ballkan nuk do të guxojë më askush t’i nëpërkëmbë të drejtat e shqiptarve! Duke qenë të vetëdijshëm se vetëm ato kombe, që janë në gjendje të krijojnë Ushtrinë e vet mund të krijojnë edhe shtetin e vet të lirë. Këto Armata Shqiptare, së shpejti do të shndërrohen në Ushtri Kombëtare Shqiptare të rregullt e legale dhe më kurrë nuk do të lejojnë askë që t’i marrë shqiptarët nëpër këmbë.
Sigurisht se në gjithë këtë veprimtari ndihet dhe frymon vepra edhe e Mr. Halil Alidemës. Por, për kontributin personal të Mr. Halil Alidemës në krijimin e UÇK-ës, do të shkruhet në veçanti nga vetë bashkëpunëtorët e Halil Alidemës, që kanë qenë kompetent në zingjirin kombandues të UÇK-ës. Por deri te dalja në skenë e UÇK-ës u dasht shumë punë e vuajtje dhe ato nuk pushuan as më pastaj. Halil Alidema edhe gjatë kohës sa ishte në burgjet jugosllave i duhej të luftonte gjithmonë në dy fronte: kundër armikut e kundër veglave të tij dhe kundër injorancës dhe injorantëve në radhët e Lëvizjes që në vend se të koncentroheshin në luftë kundër armiqve sllavë, ata me intrigat e veta i mbështjelleshin nëpër këmbë si një gjarpër, Lëvizjes për Republikën Shqiptare të Kosovës dhe e pengonin lëvizjen të ecte përpara vazhdimisht, duke nxitë luftë të brendshme. Nëse i hedhim një shikim ngjarjeve par dhe gjatë vitit 1981 do të shohim Mr. Halil Alidemën me një numër jashtëzakonisht të vogël intelektualësh në Universitetin e Kosovës, që u vunë në shërbim të krijimit të Republikës së Kosovës me të drejtë vetëvendosjeje deri në shkëputje. Pjesa dërrmuese e intelektualëve të atëhershëm ishin intelektualë të pushtetit, sepse ai i kishte krijuar në rrugën më ordinere të korruptimit paraprak, prandaj ata intelaktualë i shërbenin me aq zell pushtetit ish LKJ-ës. Fjala është për intelektualë kamelonë, që i shërbejnë çfardo pushteti vetëm për ta ruajtur mirëqenien e vet personale, pavarësisht se me çfarë vuajtje ballafaqohet populli! Halili kurrë nuk u pajtua me këtë lloj intelektualësh!
Kjo ishte rruga jetësore e Mr. Halil Alidemës dhe në këtë rrugë ai lindi dhe u rrit, sepse regjimi jugosllav i kishte vrarë e ndjekur njerëzit e familjes së tij të ngushtë e të gjërë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Mr. Halil Alidema dhe familja e tij e ngushtë dhe e gjërë pas vitit 1981 e deri në ditët e sotme u ballafaquan dhe po ballafaqohen me mizori të bezditshme! Pos ballafaqimit me armikun dhe spiunët e tij në çdo hap. Por ballafaqimit me hipokrizinë e palaçove e kuazintelektualëve që gjithmonë kanë jetuar e jetojnë mirë në kurrizin e fatkeqësisë kombëtare, duke u bërë marionet në duar të sundimeve të huaja dhe pos ballafaqimit me injorantët brenda lëvizjes, Mr. Halil Alidema dhe familja e tij e ngushtë u ballafaquan edhe me skamjen e varfërinë si një masë shtesë e terrorit social të ish regjimit jugosllav. Ai u detyrua të marrë çfarëdo pune për të siguruar ushqimin për familjen e vet, deri sa në të njëjtën kohë edhe në vetë fisin e Alidemëve po pasuroheshin disa persona në rrugë shumë të dyshimta. Familja e Halilit përkrahjen morale e materiale e gjet vetëm te shokët e Halilit, që edhe vetë nuk ishin në gjendje më të mirë materiale. Mr. Halil Alidema të gjitha këto i mbijetoi. Ai ia arriti që ëndrrën e tij për krijimin e Ushtrisë së Kosovës ta shohë, ta përjetonë si rezultat edhe të punës së vet së bashku me bashkluftëtarët tjerë. Por, Halili nuk pat rast ta shoh Ushtrinë Jugosllave të thyer nga Lëvizja për Pavarësinë e Kosovës. Por, këtë po e sheh nëpërmjet Atdheut dhe Shqipeve të tij. Ai po e sheh se kjo Lëvizje e re e gjeneratës së Albin Kurtit, e cila rrënjët i ka te Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 dhe që qëllimi i saj përfundimtar është pikërisht realizimi i Programit të kësaj Lidhjeje: Shqiptarët NJË KOMB NJË SHTET, është duke e çuar ëndrrën e tij drejt realizimit!
Halil Alidema nuk ka vdekur! Ka vdekur vetëm vdekja e tij. Ai jeton, sepse ka shokë që idealin e tij do ta çojnë përpara. Halil Alidema është nisur për Legjendë e Legjendat nuk vdesin kurrë!
ABDULLAH PRAPASHTICA
- VIJON –
___________________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (33)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 30 Korrik 2021