NËNAT DHE VAJZAT, ZONJA TË TRUPIT TË VET APO OBJEKTE EKSITIMI?!
Nga Gjokë Dabaj, Durrës 13 shtator 2021
Në tetor të vitit 2019 pata botuar një shkrim me titull “Bashkëshortet të bëhen edukatore të burravet të vet”.
Në gusht 2021 botova shkrimin me titull “Faji dhe fati i miliona nënave, që nuk dinë të rritin fëmijë”.
Nuk e di ç’përshtypje kanë lënë këta dy shkrime te lexuesit. Madje nuk e di a u përhapën sado pak në masën e lexuesvet, apo mbetën pa u vënë re, siç mbesin sot shumica e shkrimevet. Mbesin për shkak të kakofonisë së tmerrshme që, në kohën tonë, e ka shurdhëruar dhe memecëruar krejt gazetarinë.
Thuaj ç’të duash, shkruaj ç’të duash, qoftë edhe për gjëra shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me jetën e kombit apo të krejt njerëzimit, t’i mbyt kakofonia, edhe zërin, edhe mendimin.
Megjithkëtë, njeriu jo indiferent ka detyrë të flasë e të shkruajë, sidomos për gjërat që i quan shumë të rëndësishme.
Në jetën e femrës së sotme, të nënavet dhe të vajzavet, vihen re dy dukuri që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrsesi prodhimi i mendjes së tyre: Lakuriqësimi i trupit të vet dhe mbulimi hermetik i trupit të vet.
Që të dyja këto dukuri janë forma keqpërdorimi të trupit femëror.
Dukuria e parë, lakuriqësia, kurrsesi nuk mund të kuptohet si mençuri e femrës. Ajo, në dukje shpreh “larinë” e femrës “në shkallën më të lartë”. Por, në të vërtetë, është një tallje cinike, sidomos me gjinjtë, me kofshët dhe me vendin ku bashkohen kofshët.
Përse duhet t’i ekspozojë femra kofshët e veta?! Përse duhet ta nxjerrë përjashta luginën midis gjinjëvet, përveçse për të provokuar nepsin e meshkujvet?!
Moda ka nxjerrë në shitje një tip pantallonash të ngushta, që i puthiten femrës pas këmbëvet dhe pas kofshëvet, aq sa, për syrin e mashkullit, është pothuaj njësoj sikur ato pantallona të mos ishin fare. Sidomos pjesa ku gjendet organi seksual i femrës tërheq aq shumë vëmendjen, sa cilido mashkull nuk mund të jetë indiferent.
Pyetja shtrohet: A është interesi i nënavet dhe i vajzavet (që nesër do të bëhen nëna), t’i ekspozojnë pjesët e poshtme të trupit të vet në atë mënyrë?! Në vazhdim, pyetje të tjera: A e ka shpikur femra këtë modë, apo e kanë shpikur kompanitë prodhuese të veshjevet, me qëllim që të shesin sa më shumë?! A është mençuri apo naivitet i femrës, kur i pëlqen të vishet në atë mënyrë ?!
Para se të nxirreshin në treg këto lloj streçesh, pat dalë minifundi, i cili përdoret gjërësisht krahas streçevet. Ai nuk i mbulon kofshët e femrës me asgjë. Ai e zbulon trupin e femrës deri afër organit të saj seksual dhe i nxit meshkujt ta lakmojnë atë femër. Le të jetë ajo nëna e dikujt, le të jetë ajo e fejuara e dikujt, le të jetë motra e dikujt, trupi i saj, i zhveshur në atë mënyrë, tërheq vemendjen e çdo maniaku apo rrugaçi. A është kjo në interesin e asaj nëne apo asaj bashkëshorteje të ardhshme apo të sotme?!
Dalin para kameravet, dmth dalin në ekran, mijëra nëna e bashkëshorte, të sotme a të ardhshme, duke nxjerrë para shikuesit pjesën më të dashur të fëmijës së vet dhe të burrit të vet: luginën midis gjinjvet. Shpikje e femrës serioze është kjo, apo shpikje e atyre që duan të kenë sa më shumë shikues, qoftë edhe asish që s’dinë ç’janë as nënat, as bashkëshortet, as bijat, as motrat?!
Në krahun tjetër, dua të them, në ekstremin tjetër të së njëjtës logjikë, për ta përdorur femrën dhe jo për të qenë ajo vetë zot i vetëvetes, është mbulimi hermetik i trupit femëror. Përse duhet të mbulohet femra në atë mënyrë?! Përse duhet të mbulojë krejt trupin e madje edhe fytyrën, duke lënë pa mbuluar vetëm sytë?!
Kujt i intereson ky lloj trajtimi i trupit femëror, mashkullit apo femrës?!
Duke e mbuluar femra në atë mënyrë trupin e vet, ajo s’bën tjetër, veçse ngacmon lakminë e çdo mashkulli që i kalon pranë. Kushedi sa tërheqëse i ka gjërat që po i mbulon kaq shumë! Ah, sikur të kem mundësinë e t’ia heq një nga një të gjitha ato rroba!
Burri i saj, ndërkaq, flet edhe ai me vete: Trupi i kësaj femre është vetëm për mua! Askush tjetër nuk ka të drejtë as ta shohë e le më ta prekë!
Fëmijët e saj thonë: Nëna jonë pse mbulohet kështu?! A aq i rrezikshëm është trupi i nënës sonë?! A aq shumë i lakmueshëm është, sa ajo të mos mund të dalë e lirë në rrugë?!
Ç’janë këto punë, o njerëz!? Ç’janë këta budallallëqe në një kohë kur njeriu duhet të jetë më i kthjellët se kurrë?!
E gjithë kjo dëshmon që nënat, ato që e mbajnë njeriun nëntë muaj në trupin e vet, nuk kanë arritur ende të jenë të vetëdijshme për vendin që duhet të zënë në shoqërinë njerëzore.
As mbulimi, as lakuriqësimi, nuk janë vepër e vetëdijes normale femërore. Në të dy rastet femra është viktimë. Në rastin e parë femra është plaçkë tegu, objekt i nxitjes dhe i shthurjes së epshevet. Në rastin e dytë, femra është monopol i mashkullit, plaçkë e epshit të tij, fabrikë fëmijësh dhe shërbëtore e verbër.
Traditat e kombevet kanë modele të mrekullueshëm se si duhet të vishet femra. Etnologët dhe etnografët duhet t’i vënë në dukje ata modele dhe t’ua rekomandojnë vajzavet dhe gravet të sotme.
Tradita jonë kombëtare, që nga kohët më të hershme pellazge, ilire e arbërore, ka modele veshjesh për femrat nga më të bukurat në botë. Veshjet tona nacionale, ato të mirëfilltat, as e skllavërojnë, as e përçmojnë femrën shqiptare. Ato veshje duket sikur janë krijuar enkas për ta vlerësuar e ngritur sa më lart dinjitetin e vajzës, nuses, nënës e deri edhe plakës më të moçme.
Edhe në aspektin social gruaja pellazgo-iliro-arbërore ka qenë e zonja e vetes, e familjes e deri në qeverisjen shtetërore. Vetëm atëherë kur në jetën tonë kanë ndërhyrë mentalitete të importuar, pozita sociale e gruas në etninë dhe kombin tonë, ka pësuar trauma e shtrembërime.
U takon historianëvet, sociologëvet dhe etnologëvet t’i vënë në dukje këto prirje progresiste të etnisë sonë, në mënyrë që nënat dhe bijat e këtij kombi mos ta përbaltin veten me asnjërin lloj të dy baltërave që i përshkrova këtu. Fare shkurt dhe për të cilat duhet të flasim e të shkruajmë sa më shumë.