ALBIN KURTI DHE BUZËQESHJET E RAMËS – VUÇIQIT …
Nga Andi Bushati, Tiranë 19 shtator 2021
Aleksandër Vuçiq thoshte: “Unë dhe Edi Rama nganjëherë qeshim kur marrim komentet nga rajoni se përse nuk duan të futen në nismën ‘Ballkani i Hapur’. Me të vërtetë, ne së paku nja gjysmë ore qeshim në telefon kur ia lexojmë njëri-tjetrit se kush çfarë ka thënë, pasi ai i ndjek në shqip, ndërsa unë shikoj këtë pjesën nga hapësira ku flitet serbishtja. Pra, kështu qeshim ne dy”.
***
Besimtar i kredos së tij për ti parë liderët vendimarrës të shteteve shqiptare të unifikuar, peng i besimit se Tirana dhe Prishtina duhet të koordinohen mes njëri tjetërit, përpara se të flasin me faktorë të tretë, Albin Kurti është vënë në një pozicion të vështirë.
Ai ka dalë para mediave për të thënë se ka marëdhënie normale me kryeministrin e Shqipërisë, se ata takohen rregullisht, si në Bled, po ashtu edhe në Tiranë e Dhërmi, duke përdorur shprehjen tipike të atyre që kanë për të fshehur diçka: “Janë shumë më të mëdha gjërat që na bashkojnë, sesa ato që na ndajnë me Edi Ramën”.
Kurti i bëri këto pohime menjëherë pas ndarjes që vuri në pah vizita e Merkelit, ku mospranimi i tij për të përfshirë Kosovën në “Ballkanin e hapur” e yshti Ramën ta etiketojë si konspirativ.
Në fakt, qëndrimet e shefit të qeverisë së Kosovës për “Open Balkan” janë ku e ku më parimore sesa ato të homologut të tij Tiranas. Ai e tha hapur se preferon një nismë të pranuar njëzëri nga të gjitha shtetet e rajonit, që e ka qendrën dhe garancinë në Bruksel, siç është procesi i Berlinit dhe jo një projekt fantazmagorik, qëllimi i vetëm i të cilit është lartësimi i autokratëve si Vuçiç dhe Rama në rangun e liderëve të vetëm rajonalë.
Por, e keqja është se “marëdhëniet e mira” mes dy kryeministrave shqiptarë nuk janë thyer vetëm nga ideja e Ballkanit të hapur.
Çarja është më e thellë dhe me pasoja më afatgjata.
Në thelb të saj qëndron vendimi i Edi Ramës për të lidhur aleancë të pazgjidhshme me vllaun e tij sllav, Alekandar Vuçiçin. Mjafton të bësh një kronologji të fakteve dhe ngjarjeve të kohëve të fundit, për të kuptuar se përkeqësimi i marëdhënieve Tiranë- Prishtinë, është një dëm kolateral i kësaj zgjedhjeje.
Porsa qeveria e Vetëvendosjes u përcaktua për të kthyer faqen e historisë, në dialogun me Beogradin, duke i dhënë fund mendësisë që tani i takon Kosovës të japë diçka për të arritur marrëveshje, por duke i mëshuar faktit se nëse Serbia nuk kupton të shkuarën e saj kriminale, kurrësesi nuk mund të ketë të nesërme, ajo u përball menjëherë me sulmet e kordinuara të dyshes Rama – Vuçiç.
Ata thanë pak a shumë të njëjtën gjë, në të njëjtën kohë. Presidenti Serb e vizatoi partnerin e tij kosovar si një njeri anakronik që e mban kokën nga e djeshmja. Ndërsa kryeministri Shqiptar me stilin e tij të njohur, reagoi me një shkrim polemik në Facebook duke thënë se “koha nuk ndalet me armët e luftës”.
Ai shkoi me tej duke e fajsuar Prishtinën për ngecjen e dialogut, pasi po e përdorte atë për qëllime të brendëshme dhe e akuzoi se po bëhej e lodhshme për ndërkombëtarët.
Pra, Rama guxoi të kapërcente atë vijë të kuqe që nuk e ka shkelur kurrë asnjë udhëheqës shqiptar, që prej kohës kur ka nisur dialogu në Bruksel. Ai e la peshën e mëkatit mbi palën kosovare, ndërkohë që dihet se është Beogradi që nuk do një marëveshje finale, pasi aty as e kanë ndërmend të njohin dhe të pranojnë pavarësinë e shpallur në 2008-ën.
Por e gjitha nuk përfundon këtu. Kur mbajtja e koncertit të Goran Bregoviçit në Korçë u pasua nga debati i fortë për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj të shkuarës së afërt dhe se sa duhet ta respektojmë dhimbjen dhe emocionin e kosovarëve që kanë vuajtur, në veri të Kosovës ndodhi një ngjarje që në Tiranë nuk pati shumë vëmendje. Këngëtari me diskurs të theksuar anti shqiptar, Bora Gjorgjeviq i grupit “Riblja Çorba” mbajti një aheng në qytetin e Leposaviqit. Deri këtu mund të duket si rastësi, por jo po të dish se evenimenti u organizua nga ministria e Kulturës së republikës serbe. Mesazhi qe i qartë: këta djemtë e Vetëvendosjes bëjnë si patriota në Shqipëri, por qeveria e tyre në Kosovë, ndryshe nga sa ka premtuar, nuk i ndalon dot tingujt e një nacionalisti antishqiptar në territorin e shtetit të saj. Vartësat e Vuçiçit iu gjendën në krah Edi Ramës për të krisur me sa mundeshin autoritetin e Albinit.
Ky është qëllimi real i dyshes së liderëve të pakrahasueshëm të Ballkanit: heqja qafe e çdokujt që bëhet pengesë në ëndrrën e tyre për dominimin e rajonit.
Kjo gjë kuptohet fare lehtësisht edhe po të shohësh shtypin e paguar proqeveritar të Tiranës që ka nisur gjatë muajve korrik – gusht një fushatë të egër kundër Kurtit.
Ajo merret me mënd po të krahasosh qëndrimet e Ramës, i cili si ka rreshtur asnjë çast shigjetimet ndaj Albinit, por s’ka hapur kurrë gojën të thotë qoftë edhe një kritikë të vetme ndaj presidentit të Sebisë. Nuk ka gjë më kuptimplotë për të prekur këtë realitet, sesa citimi i i një interviste të Aleksandar Vuçiç, më datën 24 gusht 2021 në emisionin “Çirilica”, që e ka risjellë në vëmendje gazetari shqiptar Enver Robelli.
Aty ai thoshte: “Unë dhe Edi Rama nganjëherë qeshim kur marrim komentet nga rajoni se përse nuk duan të futen në nismën ‘Ballkani i Hapur’. Me të vërtetë, ne së paku nja gjysmë ore qeshim në telefon kur ia lexojmë njëri-tjetrit se kush çfarë ka thënë, pasi ai i ndjek në shqip, ndërsa unë shikoj këtë pjesën nga hapësira ku flitet serbishtja. Pra, kështu qeshim ne dy”.
Ky pohim, që tregon se si Rama zgërdhihet në sy të mikut të vet serb me shqiptarët që mendojnë ndryshe nga ai është një tregues i qartë.
Natyrisht, as ky citim as kjo ekspoze nuk janë brumë për të ngjizur në magjen e nacionalistëve konspirativë akuzat për tradhëtar dhe agjent, që ne i atikulojmë me aq lehtësi. As provat nuk ta mundësojnë, as fantazia më e çmendur nuk ta lejon, që Edi Ramën ta akuzosh në këtë drejtim.
Por, ama, një gjë është e qartë, se ai ka bërë një projekt politik, një plan për lartësimin e aureolës së vet ndërkombëtare, një llogari për të amortizuar problemet e brëndëshme në vend duke u shitur si faktor i paqtimit të shqiptarëve dhe serbëve, të cilin e ka mbështetur fund e krye tek Vuçiçi. Dhe për të realizuar këtë ambicie ai është pak i interesuar nëse viktima kolaterale të saj bien interesat e Kosovës apo kryeministri i saj i radhës.
Pikërisht për këtë arsye, Albin Kurti nuk e ka luksin të gënjejë duke e minimizuar problemin që ka përpara. Ai e di shumë mirë se mes tij dhe Ramës nuk qëndron vetëm Ballkani i hapur. Ndryshe nga sa ai thotë, ato që i ndajnë janë shumë më të mëdha. Dhe ai e ka obligim të dyfishtë ta denoncojë këtë me zë të lartë, qoftë si politikan, qoftë si patriot. Në detyrën e parë, sepse sado që bëjë sikur nuk e shef, halli i mbetet aty dhe një ditë do të jetë i detyruar të përballet. Në misionin e dytë sepse sa më shumë kohë që të zgjasë denoncimi i kësaj mardhënieje, aq më shtrenjtë mund ta paguajë vendi i tij.
Albin Kurti nuk mund të mbetet peng i klisheve që ka në kokë, për bashkëpunimin e detyrueshëm mes shqiptarëve, kur partneri që i ka rënë për pjesë në Tiranë, nuk mendon në të njëjtën gjatësi vale me të. ©Lapsi.al