VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (II)

VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (II)

Nga Ibrahim Kelmendi, 07 tetor 2021

Lëvizja dhe konfliktualitetet e Sabri Novosellës, Avdullah Prapashticës dhe Xhafer Shatrit

Gjatë verës së vitit 1981 nga Kadri Zeka na ofrohen për bisedime “Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës”, të përpiluara nga OMLK-ja. Ato u ofruan për të biseduar për bashkim të tri subjekteve të organizuara. I miratuam me modifikime të vogla. Me kërkesë të Jusufit, që veterani Sabri Novosella ta bëjë publike bashkimin, takohen në Stamboll Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla me Sabri Novosellën, në tetor të vitit 1981. Sabriu e pret keq Kadriun dhe bashkimi dështon. Sabriu e komandon Jusufin ta ndërpresë bashkëpunimin me Kadriun. Pason një ftohje, shpejt kalimtare, e marrëdhënieve mes Jusufit e Kadriut. Festimin e 28 Nëntorit 1981 e organizojmë bashkërisht në Esslingen. Jusufi e Kadriu bashkërisht dalin në podium për të mbajtur fjalime e për t’iu përgjigjur pyetjeve të bashkatdhetarëve.

Se si dhe nëpërmjet kujt e ka anëtarësuar Sabriu në LNÇKVSHJ Jusufin për mua ende ka ngelur e pasqaruar.

Në fund të vitit 1979 duhet të jetë simuluar arratisja e “udhëheqësit” Sabri Novosella në Shqipëri. Rezulton se transportimin e tij nga Prishtina deri buzë kufiri e ka bërë ish-shefi i UDB-së së Prishtinës, Ibush Kllokoçi. Prej andej Sigurimi organizon vendosjen e tij në Turqi. Deri në fund të gushtit ai fare nuk e kontakton Jusufin (qoftë vetëm nëpërmjet telefoni ose në ndonjë formë tjetër). Tek pasi shteti shqiptar duhet t’i jetë përgjigjur lutjes së Jusufit për ndihmë financiare, të cilat i dorëzohen Sabriut në Turqi (bëhet fjalë për miliona USD), Sabriu e kontakton Jusufin (të cilit ia përcjellë vetëm 10 mijë USD, aq sa kishte kërkuar Jusufi për të blerë makinë faqosëse për tekste).

Pas konfliktit të tetorit mes Sabriut e Kadriut rrjeti i spiunëve është mobilizuar për ta dezinformuar Jusufin për sabotazhët që gjoja po ia bënte Kadriu. Sërish shquhen Nuhi Sulejmani, Xhevat Ramabaja dhe të tjerë (më pak të zellshëm). Në atë situatë Sabriu duhet ta ketë urdhëruar Jusufin për ta botuar “Zërin e Kosovës” (si organ të LNÇKVSHJ) dhe ta fillojë anëtarësimin e bashkatdhetarëve në atë organizatë. I boton dy numra, në të parin shkruan për “mashtrimet” që i paskësh bërë Kadriu, pa ia përmendur emrin.

Në dasmën e Kadriut me Saime Jusufin (02.01.1982) ndodh sqarimi mes Jusufit e Kadriut për ta vazhduar bashkëveprimtarinë. Më 16 janar 1982, me ftesë të Jusufit, ndodh takimi në afërsi të Shtutgartit. Pas mesnate, me kërkesë të Jusufit, shkojmë në shtëpi të vëllezërve Gërvalla. Tashmë UDB-a duhet të jetë informuar se bashkimi do të ndodhte, prandaj ka urdhëruar vrasësit të zënë pritë. Dikush nga rreth 15 pjesëmarrës në takim duhet të ketë informuar për shkuarjen tonë te vëllezërit Gërvalla.

Në mëngjesin e 17 janarit 1982 merret vendimi për Bashkim të tri organizatave në Lëvizje.

Vrasja e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit ka ndodhur rreth orës 22.15, më 17 janar 1982. Informatorët e lëvizjeve të fundit fizike, siç u është ngushtuar rrethi, do të identifikohen. Atyre është duke ua sheshuar arsyetimin dorasi i dyshuar Riza Salihu, i cili në televizion dhe gazeta në Kosovë u përpoq t’i diskreditonte Jusufin e Bardhoshin si bashkëpunëtorë të UDB-së, ndërsa Kadriun si viktimë. Çuditërisht pakkush reagoi kundër shpifjeve të tij diskredituese.

Më 17 shkurt 1982 takohen në Turqi Sabri Novosella dhe Avdullah Prapashtica. I pari i shoqëruar nga Xhafer Durmishi, i dyti ndoshta nga Faton Topalli. Avdullahu ishte oficer legal i UDB-së. Si u njohën e kush i kontaktoi nuk kam mundur të informohem. Ata u bashkuan në “Lëvizjen për një Republikë Shqiptare në Jugosllavi”, ose në “Lëvizjen për një Republikë Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”. Në prill u “arratis” nga burgu i Prishtinës Xhafer Shatri. Ai, “në emër” të OMLK-së, më 5 maj 1982 vendosi t’i bashkohej kreaturës së 17 shkurtit. Menjëherë filluan “zënkat” mes këtyre “përfaqësuesve” të “bashkimeve”.

Derisa ata largohen nga Lëvizja, angazhim kryesor në Lëvizje kishim sqarimin dhe pajtimin e atyre “zënkave”. Pas largimit të tyre Lëvizja ia doli të pozicionohet në vendimmarrjen e 17 janarit 1982.

E çfarë synimesh të tjera do të duhej të kishte UDB-a, nëse jo t’i vriste dy udhëheqësit kryesorë, të komplotonte pastaj me “udhëheqës” e “përfaqësues” (që nuk i kishte autorizuar asnjë organizatë a parti) për të bërë “bashkime” dhe t’i impononte organizatës të dalë nga ato “bashkime” që të kishin preokupim kryesor “zënkat” mes tyre, me synim kryesor degjenerimin dhe kontrollimin e organizimit të deriatëhershëm nga UDB-a!?

Të gjithë këta individë kanë rreth të gjerë njerëzish që i admirojnë, prandaj është e dëmshme që tani të ndodhin konfrontime.

Komploti i “Avni Rrustemit” (Musa Hotit) në Bruksel

Më 4 gusht 1981 Musa Hoti, në Bruksel, rreth orës tre të mëngjesit, në një lokal të afirmuar si striptizbar (i quajtur “Whai Horst” / “Kali i bardhë”), vret një “shofer” nga Bosnja (sigurisht kuadër i UDB-së), i punësuar në Ambasadën e Jugosllavisë në Bruksel. Prej aty arratiset dhe strehohet në shtëpi të Rifat Kolgjinit, një si rezidencë e dytë e ambasadorit jugosllav në Bruksel. Në atë moment Musa ishte i shoqëruar me “gërrbën” (një monstrum vërtet gërrban nga Vushtrria, ku i kishte dalë fama e keqe si poreznik dhe informator i UDB-së, por pas komprometimit ishte “arratisur” në Belgjikë). Flitej se zënka mes Musës dhe të vrarit kishte ndodhur për shkaqe private, meqë ata së bashku duhet të kenë shitur pasaporta e dokumente të falsifikuara jugosllave për t’i ndihmuar shqiptarët që “arratiseshin” dhe të kërkonin azil politik në Belgjikë (?).

Kështu më informuan Hysen (Xhelil) Kalishta, i cili pat ardhur në Gjermani, i shoqëruar nga dhëndëri i tij, për të kërkuar angazhimin tim t’i sigurohej Musës një pasaportë shqiptare që të arratisej në Shqipëri. Insistonin të më merrnin me vete, të shkonim menjëherë në Ambasadën Shqiptare në Paris, atje të kërkonim pasaportë për Musën. Sapo dëgjova rrëfimet u përgjigja shkoqur: “E para, nëse do të shkojmë për këtë punë në atë Ambasadë, do të na diskualifikojnë për provokatorë. E dyta, edhe po të pranonin kërkesën tonë, nuk ia vlen të angazhohemi për atë kriminel, akti i të cilit komprometon emigracionin tonë si emigracion kriminal. E treta, Musës nuk i kihet besë, meqë edhe po të pranonte Ambasada t’i lëshonte pasaportë false, ai vetë do të ekspozohej te policia në ndonjë aeroport se po arratisej më ndihmë të diplomatëve shqiptarë, për t’iu akuzuar pastaj shteti shqiptar se po ndihmon kriminelët e Kosovës”.

Por ajo vrasje shpejt u shndërrua nga rrjeti i UDB-së dhe injorantët në heroizëm, në një si atentat politik, i ngjashëm me atentatin e Avni Rrustemit ndaj tradhtarit serbofil Esat Toptani në Paris. Aty e tutje në emigracion Musa quhej “Avni Rrustemi”.

Cili kishte qenë Musa Hoti deri atëherë!?

Së fundi, para “arratisjes” në vitin 1978, përflitej si shitës i diplomave të falsifikuara të Shkollës Normale në Mitrovicë. Në fund të marsit 1981, në tubimin e organizuar nga Ambasada Jugosllave në klubin jugosllav “Përparimi”, për t’i dënuar demonstratat në Prishtinë, ky farë “Avni Rrustemi” kishte treguar patriotizmin e tij jugosllav në mënyrë më skandaloze.

Në atë tubim disa patriotë shqiptarë, me shtetësi turke, kundërshtojnë miratimin e telegramit për t’i dënuar demonstratat. Musa nxjerr revolen, zbraz disa fishekë, duke ulëritur: “Kush guxon me e kundërshtu Jugosllavinë e shokut Tito kam me i dhanë plumb në ballë…”. Shqiptarët që kishin kundërshtuar e lëshojnë mbledhjen. Megjithatë, telegrami dënues në emër të klubit “Përparimi” publikohet në mbrëmje në mediet jugosllave.

Në maj të vitit 1982 ishte paralajmëruar procesi gjyqësor. Vërshonin telegramet e injorantëve për ta kërkuar pafajësinë e Musa Hotit. Edhe Kryesia e Lëvizjes në mbledhjen e parë të saj konstituive, po në maj të 1982-s, me insistim të Xhafer Shatrit, provon ta imponojë vendimin që t’i angazhonte anëtarët dhe simpatizantët e saj të dërgojnë telegrame. Kundërshtova me arsyetim se nuk duhet ta inkriminojmë Lëvizjen. Ndodhi zënkë goxha e rëndë mes meje e Xhaferit. Megjithatë, vendimi nuk u mor, por Xhaferi organizonte dërgim të telegrameve, kurse unë sqaroja anëtarët dhe bashkatdhetarët të mos dërgonin.

Shkuarja në Amerikë

Për t’i ikur shërrnajës me Xhafer Shatrin dhe për shkak se me kishte ftuar bashkëveprimtari Gjeto Sinishtaj (nga Rrethi i Tuzit), vendosa të shkoj në SHBA. Nga fundi i qershorit 1982 arrita atje. Në një pritje që organizuan malësorët e Rrethit të Tuzit, në banesë të Ndue Camajt, po më rrëfenin me krenari për aksionin e grumbullimit të ndihmave financiare për Musa Hotin. Pa ndonjë takt, u thash brutalisht: “Ma mirë ato ndihma shkërdheni vetë me kurva këtu sesa t’ia dërgoni vëllait të Musës, Isa Hotit, që t’i harxhojë në bixhoz e kurvëri…”. Plasi debati. Njëri nga të pranishmit nxori një kopje të letrës, të cilën Sabri Novosella ia kishte dërguar në burg Musa Hotit. Ajo përmbante njoftimin se Musa Hoti ishte kooptuar në kryesi të Lëvizjes për shkak të meritës patriotike që kishte vrarë ambasadorin jugosllav. Kopjen e asaj letre në Amerikë e kishte dërguar nga burgu Musa Hoti, duke bërë shënim me dorë poshtë saj që të organizoheshin në celula treshe, ilegale, në kuadër të Lëvizjes. U zura ngushtë. Zura të sqaroj:

“E para, Musa Hoti nuk ka varë ambasador, por një shofer ambasade, me të cilin shisnin pasaporta e dokumente jugosllave dhe e ka vrarë në një bordel në ora tre të mëngjesit, ku deri atëherë duhet të kenë pirë bashkë.

E dyta, Sabri Novosella nuk ka të drejtë ta kooptojë Musën, sepse në kryesi janë nga dy veta prej tre organizatave të mëparshme dhe unë i shtati, si përfaqësues i Frontit të Kuq Popullor.

E treta, Musa Hoti nuk mund të kooptohet në Kryesi, sepse e komprometon Lëvizjen si organizatë kriminale.

E katërta, Lëvizja në Perëndim nuk organizohet në celula treshe dhe as ilegalisht, por në këshilla popullore, pa përkufizim të anëtarëve.

E pesta, tani Musës i është mundësuar të këmbejë letra me mërgimtarë, t’u japë urdhra për organizim dhe veprimtari dhe të kërkojë prej tyre informacion dhe gjithë atë letërkëmbim e kontrollojnë policia belge dhe jugosllave…”. Përfundimisht, pas debatit të gjatë, u vendos të ndërpritej ai aksion.

Në vitin 1984 Sabri Novosella largohet nga Lëvizja me 4-5 veta, nisi veprimtarinë në Suedi, nxori dy numra të një fletushke po me emrin “Zëri i Kosovës” dhe shumë shpejt pushoi veprimtarinë. Bile një kohë zuri të simulonte një krizë shpirtërore, sa të prezantohej se ishte anëtarësuar në sektin Dëshmitarët e Jehovas. Prapa i shkon edhe Musa Hoti.

Nga gjyqi i shkallës së parë Musa Hoti duhet të jetë dënuar me burg të përjetshëm. Pa u mbush tre vjet burg lirohet. Banesa e tij qe shndërrua në një lloj “meke” për mërgimtarët që shkonin për ta vizituar, uruar e madhëruar. Kishin vendosur të shkonin edhe disa anëtarë të Lëvizjes në Bruksel. Shkova për t’i shoqëruar e sqaruar. Paraprakisht i informova se mund të plaste debati që do të eskalonte në sherrnajë. Hysen Xhelili mori revolen me vete për çdo eventualitet rrezikshmërie. Shkuam shtatë-tetë veta.

Në bisedë e sipër iu drejtova Musa Hotit: “Mund të na informosh, me cilin vendim gjyqësor je liruar nga burgu?”

Ai u përgjigj: “Me vendim të Gjykatës së Strasburgut”.

Ia ktheva: “Po gënjen, Gjykata e Strasburgut nuk shqyrton lëndë të tilla. Urdhëro, dëshmo, jemi këtu, trego vendimin e cilësdo gjykatë që ta lexojmë e të bindemi. Po pate të tillë vendim që të ka liruar nga vuajtja e dënimit, ke gjithë këta burra këtu, unë po e paguaj plumbin dhe më vrisni si dënim për shpifje. Përndryshe ta kesh për turp, sepse ti duhet të jesh liruar me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë, me arsyetim se ka ndodhur vrasje në rrethana afektive në mes kolegësh, se ti u duhesh në liri për ta luftuar krimin e organizuar të nacionalistëve ekstremistë e terroristë shqiptarë!”

Ai u nxiros. Disa i folën ta tregonte vendimin dhe të më vrisnin si qen. Pritëm pak qaste nëse po lëvizte. Ai u shpërfytyrua në mumje. Hysen Xheli, si më i moshuar, foli: “Shkojmë burra, se na mbulon marrja po vazhduam të rrimë më këtu!” U ngritën pothuajse të gjithë.

***

Në një rast, ndoshta pasi kishim varrosur Enver Hadrin, ishim ulur në hollin e hotelit “Sheraton” bashkë me Josef Dio Gardin. Ishte edhe Hysen Gërvalla aty. Musa po priste në këmbë, tre-katër metra larg. Dio Gardi kërkoi falje se duhej të shkonte ta vizitonte Musa Hotin në shtëpi, për ta nderuar për aktin patriotik. E luta të mos shkonte, sepse do të komprometohej, me arsyetim se ai nuk ka bërë akt patriotik, por kriminal. Ai u falënderua, u ul sërish.

Në dy-tre vjetët e fundit të jetës Musa u shpërfytyrua në një pijanec dhe në njeri skajshmërisht i dëshpëruar. Natën e vdekjes këmbët nuk e bartnin dot nga pirja, që të shkonte në shtëpi. E dërgon me makinë Sabit Abazi (Zhegër, Gjilan).

I kam përcjell paksa krrokamatë e Reshat Sahitajt për Musa Hotin, për vete, për Enver Hadrin dhe ndonjë tjetër. Uroj të ndërgjegjësohet për të pushuar së prezantuari të mive për elefantë.

Tashmë dihet se Musa është varrosur me ceremoni ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë. Mjerisht, ka kërkesa edhe nga Shoqata e Veteranëve… që presidentja Jahjaga ta shpallë Musa Hotin hero.

Duke pasur parasysh se Musa Hoti ka ithtarë të mashtruar e të spekuluar (eh, fatkeqësisht kemi shumë injorantë të lajthitur), është e dëmshme që tani të ndodhin konfrontime.

Përballja me diversantin e UDB-së Haki Tërpezën

Në prag të nisjes për Nju Jork, në Aeroportin e Brukselit, më rastisi të njihem me një politologe shqiptaro-amerikane. Ajo po kthehej nga Parisi, ku kishte mbaruar studimet postdiplomike, dhe po vazhdonte për në Nju Jork. Gjatë gjithë fluturimit biseduam për emigracionin në SHBA. E njihte mirë edhe për shkak se ishte vajza e redaktorit të gazetës “Dielli”. Vlerësimet e saj ishin më shumë sesa dëshpëruese.

Vizita e parë ishte te kushërinjtë e familjes së Binak (Avdia) Bruçaj. Pleqnari Binak, pas disa orëve, me keqardhje tepër njerëzore më tha: “Jam shumë i gëzuar për ardhjen tane, por më ke zanë ngushtë. Nuk të bëjmë dot konak këtu, sepse do të spiunohemi dhe do ta vuaj Shabani në Prishtinë (djali i Binakut, punonte në administratën e Kuvendit të KSA të Kosovës). Do të gjejmë hotel dhe do ta paguajmë për sa kohë që do të jesh për vizitë. Por, ruaju djali i mixhës, se këtu ka shumë udbash”. Ndërhyri djali i tij më i moshuari, Alia: “Babë, mos e mbaj këtë gajle, do të vendoset te dhëndëri Ahmet Zherka”.

Familja e Ahmet Zherkës ishte arratisur në Kosovë nga Bytyçi i Tropojës pas LDB. Ahmeti kishte mbaruar shkollën normale në Ferizaj (siç quhej atëherë shkolla e mesme, që kualifikonte mësuesit). Në Nju Jork ishte afirmuar si patriot trim, meqë i kishte ndodhur fatkeqësia që e kishte afirmuar. Ai kishte vrarë punëdhënësin e tij ruso-amerikan. Shkak kishte qenë vizita që i kishte bërë ai Ahmetit në zyrë të punës. Me atë rast punëdhënësi ruso-amerikan ia kishte grisur flamurin kombëtar shqiptar, të cilin Ahmeti e mbante mbi tavolinë të punës. Flamurin e kishte sharë mbi baza nacionaliste e shoviniste. I ofenduar rëndë, Ahmeti e vret. Dënimi kishte qenë i butë për shkak të motivit e rrethanave të vrasjes.

Gjatë ditëve të para ai më informon për emigracionin shqiptar, politik e ekonomik, në SHBA, duke shprehur keqardhje se në përmasa të mëdha dirigjohet e kontrollohet nga UDB-a.

Pas 4-5 ditësh ai me shqetësim më drejtohet: “Mik, me keqardhje të informoj se është përhap fjala që të ka komanduar UDB-a dhe Sigurimi për të spiunuar e përçarë emigracionin këtu. Ndër më aktivët në këtë propagandë është Haki Tërpeza”. E luta të më krijonte mundësinë për ballafaqim me të. Të nesërmen ndodhi ballafaqimi në lokalin e një “bosniaku” nga Plava, i cili shquhej për patriot shqiptar.

Sapo u ulëm në tavolinë me Haki Tërpezën, Ahmeti thotë me ironi: “Ja, ta solla spiunin e UDB-së dhe të Sigurimit, ky është Ibrahim Kelmendi”.

Pa u vonuar, i drejtova pyetje nga ishte informuar aq shpejt për shkuarjen time në Amerikë.

Ai me krekosje u përgjigj: “Edhe ne kemi njerëzit tanë që na informojnë”. Ndërhyra, duke i thënë se mundësi reale të spiunimit ishin Xhafer Shatri ose Xhafer Durmishi, meqë ata e dinin.

Ai u zgërdhi, si fitimtar: “Ju kuçaloshët e Enverit nuk na trembni, unë ia kam q… e do t’ia q… prapë nënën Shqipërisë si diversant trim…”.

“I dërguar nga UDB-a”, e ndërpreva unë.

“Edhe nga CIA-n”, shtoi ai.

“Guxo e përsërite edhe një herë të njëjtën sharje ndaj Shqipërisë”, iu drejtova kërcënueshëm.

Ai e përsëriti. Ia vura revolen në ballë: “Kërko falje pleh i UDB-së, se t’i derdha trutë në dysheme!”

Zuri të ulërijë përgjërueshëm: “Në dorë tanën e t’Allahut, ma fal jetën…!”

Luta një djalë të rritur, që ishte në tavolinën pranë: “Nxjerre zvarrë jashtë këtë ndyrësirë!”

Ai mezi kishte pritur dhe e tërhoqi zvarrë deri jashtë. Të tjerët aplauduan. Njëri nga të rinjtë bërtiti: “Ja, të tillë UDB-ash na paskan frikësuar kot deri tani që të mos angazhohemi më shumë për Kosovën”.

Edhe Haki Tërpeza ka ithtarë të tij, të cilët e vlerësojnë atë si “nacionalist”, “çlirimtar”, “demokrat”, prandaj nuk kemi ndonjë dobi nga konfrontimet.

Hysen Tërpeza, alias “Bruklini”

Pas dy-tre javësh të qëndrimit në Nju Jork kushëriri Ali (Binak) Bruçaj më lut ta takoj një mik të tij. Ai ishte Ismet Berisha, pinjoll i familjes së luftëtarit e pleqnarit Sadik Rama i Gjurgjevikut (rrethi i Rahovecit). Takimi ndodhi në shtëpi të familjes Bruçaj. Pas njohjes Ismeti më luti ta ndihmoja për ta përgatitur fjalimin për kongres që do të mbante Lidhja e Dytë e Prizrenit. Informoi se konkurrent për t’u zgjedhur kryetar e kishte Hysen Tërpezën, për të cilin shprehi dyshimin se ishte njeri i UDB-së. Bile më ofroi një kostum të ri si honorar.

Për prapësi të shumta të Hysen Tërpezës më kishin informuar gjerë e gjatë Gjelë e Hysen Kalishti, meqë bashkë kishin qëndruar gjatë kohë në kampe të refugjatëve në Greqi. Ata ofronin një mori argumentesh për angazhimin e tij për UDB-në, e cila nuk e kishte të vështirë t’i shantazhonte individë të tillë për t’i përvetësuar si bashkëpunëtorë. Mjaftonte t’u përgatiste dosje me akuzë se kanë qenë kolaboracionist kriminelë të nazifashizmit, që të ekstradoheshin në Jugosllavi për t’u gjykuar. Për këto nuk i fola fare Ismet Berishës.

Në vitin 2004 bisedova me Shefqet Hashanin, meqë kishim caktuar takim për të bërë intervistë. Fillimisht u përcaktova të bëjmë bashkëbisedim pa ia treguar magnetofonin (digjital). Po incizoja fshehurazi. Në bisedë e sipër ai tha se e kishte habitur Mustafë Xhemaili (Komogllavë, Ferizaj) që kishte shkruar monografi voluminoze afirmative për Haki Tërpezën, duke e prezantuar si patriot të shquar. Ai rrëfeu: “Duke qenë drejtor i drejtorisë së 5-të të UDB-së së KSA të Kosovës, e cila mbikëqyrte emigracionin, isha për disa muaj në Amerikë. Atje rirekrutova Hysen Tërpezën dhe ia vura nofkën ‘Bruklin’. I dhashë për detyrë të më informonte për veprimtari të emigracionit dhe të nxiste përçarje e huti. Duke më ardhur keq për të, organizova një takim të tij me gruan e djalin, të cilët nuk i kishte parë nga LDB-ja. Rezervova për ta hotel në Stamboll, ia rezervova Hysenit biletën Nju Jork – Stamboll. Për t’u dukur udhëtim familjar i gruas dhe djalit të tij nga Kosova, mora një mik timin, arsimtar në Ferizaj, i cili duhej të na shoqëronte me makinë të tij, duke pasur gruan e tij me vete dhe gruan e djalin e Hysenit. Kurse unë dhe gruaja ime i përcillnim me makinën time. Ndenjëm në Stamboll një javë. Verave të tjera Hysenit ia paguaja biletën që të vinte në Kosovë, në vilat e UDB-së në Brezovicë të rrinte me gruan e djalin, sepse në Stamboll na kushtonte shtrenjtë” (perifrazim i lirë).

Sigurisht, edhe Hysen Tërpeza ka shumë ithtarë që e çmojnë lart për “patriot të shquar nacionalist”, prandaj nuk ia vlen të kemi tani konfrontime.

Kongresi i VATRËS…

Në korrik të 1982-s nëpërmjet adresës së bashkëveprimtarit Gjergj Kalaj (rrethi i Tuzit) më vjen letër nga Xhafer Shatri. Njoftohem se duhet të marr pjesë në kongresin e Vatrës, si mysafir, ku duhej të përshëndesja në emër të Lëvizjes. Xhaferi ma kishte dërguar edhe tekstin e fjalës përshëndetëse. Marrë me vete katër malësorë (të rrethit të Tuzit). Kur u hap kongresi më prezantuan. Sapo zu të zgjidhej kryesia e punës, filluan me fjalime vetëlavdëruese ata që donin të imponoheshin për të qenë anëtarë të kryesisë. Ishin kryesisht kuadro të legalitetit, të cilët garonin mes tyre, kush i kishte lidhjet më të ngushta e më të freskëta me Beogradin. Pasi përfundoi zgjedhja e kryesisë me thirrën ta përshëndesja kongresin. Shkova në foltore, nxora nga xhepi tekstin e fjalës, ua tregova të pranishëmve dhe iu drejtova: “Këtu kam tekstin e fjalës përshëndetëse, por nuk do ta paraqes, sepse ndihem i turpëruar që ndodhem në këtë, i thënçin kongres. Me vjen keq shumë për Vatrën e Nolit dhe të Konicës që paska rënë në duar të UDB-ashëve. Ta keni për turp këtë tradhti!”

Zbrita nga podiumi në drejtim për të dal jashtë. Bashkëveprimtarët u ngritën gjithashtu. Mbi gjysma e të pranishëmve, vatranë të vjetër, duke aplauduar, lëshuan kongresin. Kongresi u prish.

Ditët në vijim u përfola goxha shumë. Ca shpifnin se më kishte dërguar Sigurimi, ca UDB-a për ta përçarë Vatrën. Në mbrëmje më telefonoi Xhaferi, duke më kritikuar e kërcënuar për atë skandal.

Edhe ata individë kanë përplot ithtarë, prandaj nuk ia vlen të kemi tani konfrontime.

Skandal primitiv në Ambasadën Shqiptare pranë OKB-së

Ndërkohë kushëriri Qerim (Binak) Bruçaj më lut t’i bëjmë një vizitë Ambasadës Shqiptare në Nju Jork pasi, siç më tha, ia kishte shprehur hidhërimin ambasadori Abdi Baleta, përse nuk isha shkuar deri atëherë.

Shkuam. Abdiu na ofroi një pritje të përzemërt. Në bisedë e sipër hynë një sigurims i shpifur. E njoha. Me të kisha pasur një zënkë të ashpër në Ambasadën Shqiptare në Vjenë në fillim të prillit 1981. Ai hyri në një dhomë tjetër. Pas pak nxori kokën: “Shoku ambasador, keni një telefonatë”. Ambasadori kërkoi falje, duke thënë se do të kthehej sapo ta përfundonte telefonatën. U vonua ca. Kur u kthye, na u drejtua: “Duhet t’i lironi ambientet e ambasadës, nuk kam qenë i informuar se ti (duke m’u drejtuar mua) je një anarkist i papërmirësueshëm…!” “E di çka, ndërhyra unë, kjo Ambasadë nuk është shtëpi private as e Juaja dhe as e atij sigurimsi të shpifur, prandaj ne nuk dalim!” Abdia, i habitur, u largua në zyrë tjetër, unë e Qerimi ngelëm aty. Qerimi po më luste të dilnim. Për inate ndejmë goxha një copë herë.

Edhe këta individë kanë ithtarë të tyre, prandaj nuk ia vlen të kemi tani konfrontime.

Takimi ekcesiv me UDB-ashin Zef Camaj

Po në korrik 1982 bashkëveprimtari Nue Camaj më lut t’i bënim një vizitë kushëririt të tij, Zef Camaj. Arsyetimi i tij ishte që atë sapo e kishte dërguar UDB-a e Malit të Zi për t’i përçarë malësorët. Këmbëngulte ta vizitonim bashkë, ta bindnim të dezertonte, përndryshe, përbetohej, do të detyrohej ta vriste, sepse po turpëronte fisin e Dedë Gjo Lulit. Pranova. Ai mori revolen me vete.

Zefi dhe e shoqja na mirëpriten bujarisht. Nua ia paraqiti Zefit arsyen e vizitës sonë.

Në bisedë e sipër shpërtheu gruaja e Zefit, një copë injoranteje: “Po ti kunati Nue, ç’t’keqe ke prej UDB-së. Për Zotin, ma ka nxjerr biletën e aeroplanit, më ka marrë me makinë në Tuz vetë kryeshefi i UDB-së së Titogradit dhe bashkë kemi udhëtuar deri në Beograd. Më ka përcjell bile deri në derë të avionit…”.

Ndërhyri Nua: “Po, kunatë, po, he mozomakeq për ne, por ama sa herë të ka q… gjatë rruge?!”

Pastaj iu drejtua Zefit: “E sheh, nuk e fsheh dot…”.

Zefi ulëriti: “Po më prek në moral familjar!”

Nua nxori revolen, ia drejtoi duke i thënë: “Po çfarë morali ka shqiptari që bëhet argat i shkjaut, he…”.

I kërceva në dorë, ia mora revolen, u larguam që aty tepër të mllefosur, duke u betuar Nua se do ta vriste. I fola shumë, se vrasje nuk duhet të na ndodhnin në emigracion.

Të njëjtin Zef Camaj e takova në janar të vitit 1991 në Tiranë. Ai përditë e frekuentonte hotelin “Dajti”. Shpesh e kalonin kohën aty me Preç Zogajn. Një ditë nuk u përmbajta, u ula në tavolinë të tyre, meqë për Preçin kisha respekt: “Preç, – iu drejtova, – sot e tutje ta kesh të ditur, nuk po rri me Zef Camen si patriot i Malësisë së Madhe, por me Zef Camën si kuadër madhor i UDB-së”.

Po këtë Zefë Camajn më rastisi ta shoh në takim me kryeshefin operativ të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Bujar Hoxha, në fund të dhjetorit 1996. Vetëm ata dy ishin ulur në një kthinë të thellë të restorantit përballë hotel “Dajtit”. Zefin e njihja, bashkëbiseduesin jo. E pyeta kamerierin. Më tregoi. Ikim që aty pa ngrënë, meqë po mendonim se do të më shihte Zefi dhe do të hakmerrej. Isha shkuar atje më vëllanë tim, Dautin, për ta vizituar e ndihmuar në shërim vëllanë Qerim, i cili ishte plagosur gjatë sulmit të Stacionit të Policisë në fshatin Çollapek (Pejë).

Edhe Zef Camaj duhet të ketë ithtarë që e admirojnë, prandaj nuk na duhen tani konfrontime.

Shërrnaja skandaloze me Molla Isuf Azemin

Në shtator 1982 isha për vizitë disaditore te familja e Kolë Gojçit (rrethi i Tuzit), që jetonte në afërsi të Detroidit. Një fundjavë vendosëm t’i vizitonim bashkatdhetarët në rrethinë të Chikagos. Kola bëri bisedë telefonike me Mentor Lleshin (Dibra e Madhe) dhe po na mirëpritnin. Udhëtuam me makinë. Arritëm rreth orës 15.00 te Mentori. Aty gjetëm 7-8 bashkatdhetarë. Më vonë u bënë më shumë.

Vazhduam me biseda e gosti deri pas mesnate. Të nesërmen Mentori e Agim Gashi (nga Prishtina) organizuan një tubim informativ për Kosovën, ku duhej të flisja unë si mysafir. Ishte rezervuar një restorant me sallë të madhe, pronë e një Zajazliu (rrethi i Kërçovës, po më vjen keq që nuk më kujtohet emri i tij).

Në tubim ishte i ftuar edhe Molla Isuf Azemi (i rrethit të Tetovës), kryetar i Lidhjes Kosovare. Bashkatdhetarët ishin tubuar, por prisnim të vinte hoxhë Isufi. Ai po vonohej. Ndërkohë njëri nga të pranishmit i telefonoi.

Hapi parlofonin që të dëgjohej biseda e hoxhës. Në pyetjen pse vonohej, hoxha iu përgjigj: “Nuk vij në atë tubim ku do të flasë UDB-ashi Ibrahim Kelmendi, i cili ka marrë direktiva të na përçajë”.

Në pyetjen, nga e dinte se unë isha UDB-ash, hoxha u përgjigj: “Në kuran ju baj be se mramë, kur i ra terri tokës, e kam pa Ibrahim Kelmendin tu hy në ambasadën jugosllave këtu në Chikago”.

U krijua situatë hutie, fare pa shije. Agim Gashi mori fjalën: “Burra, unë, Mentori, Kolë Gojçi dhe tetë-nëntë burra të tjerë jemi dëshmitarë se mbrëmë Ibrahim Kelmendi nuk ka dalë fare nga shtëpia e Mentorit. Ai dhe Kola kanë ardhur rreth orës tre pasmesdite dhe kemi biseduar deri pas mesnate. Të vijnë dy veta me mua dhe po shkojmë ta marrim hoxhën”.

Pas rreth një ore u kthyen pa hoxhën. Rrëfyen bisedën që kishin pasur me hoxhën. Skandaloze dhe eksesive.

“Bashkatdhetarë të nderuar e të respektuar, – mora fjalën unë, – ju lutem të mos shqetësoheni. Edhe hoxha është viktimë e fatkeqësisë sonë kombëtare, meqë na kanë mundur e pushtuar në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Aty e tutje UDB-a ka pasur shanset të shantazhojë edhe ata që janë arratisur, sepse në Marrëveshje të Aleatëve edhe Jugosllavia është njohur bashkëfitimtare. Asaj i është njohur e drejta për t’i identifikuar e ndjekur ‘kriminelët e luftës’ në të gjitha shtetet e Aleatëve, siç i kanë quajtur kolaboracionistët e nazi-fashizmit. Prandaj që nga Xhafer Deva e deri te hoxha këtu ajo i ka shantazhuar, duke i kërcënuar se po nuk u bënë kuislingë të UDB-së, do të ekstradohen e dënohen në Jugosllavi. Kjo është fatkeqësi jonë kombëtare dhe na duhet ta tejkalojmë me urti e mençuri, nuk kemi përfitime nga shpifjet, konfrontimet mes nesh. Do të vij koha kur ata vetë do të pendohen dhe do të reflektojnë. Në këtë gjendje duhet të bashkohemi sa më shumë, pavarësisht bindjeve ideologjike, përkatësive partiake, fetare e krahinore, për Kosovën Republikë. Sigurisht, duhet të ndodhin angazhime të organizuara larg kontrollit të personave që kanë sajuar organizime e i udhëheqin ato përjetësisht, pa lejuar asnjë normë demokraci të brendshme”.

Tubimi kaloi mirë. Fatkeqësisht pas një kohe e kanë vrarë Agim Gashin.

Molla Isuf Azemi, kuislingu nazifashist Xhafer Deva dhe të tjerë, dhe njerëzit që u shkonin prapa, kanë ithtarë që ende i çmojnë, prandaj konfrontimet tani janë të dëmshme, na harxhojnë energji që na duhet për të tanishmen dhe të ardhmen. Rrjedhat që kanë ndodhur në të kaluarën nuk riparohen dot.

  • VIJON –  

_________________

VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (I)

Nga Ibrahim Kelmendi, 07 tetor 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura