Nga arkivi i pashtrikut
Me një qeveri të tillë, aksionet politike janë të domosdoshme!
STOP MALLRAVE TË SERBISË NË KOSOVË!
Shkruan: Sheradin Berisha – 06. 10. 2011
Kështu duhet të ndalohet hyrja e mallrave të Serbisë në Kosovë!
Sot, më 6 tetor 2011, në orët e pasdites, Sekretariati për Media dhe Komunikim i Lëvizjes Vetëvendosje! ka lëshuar një Komunikatë për media, në të cilën thuhet se „në ora 14.45, në magjistralen Besianë Prishtinë, afër fshatit Lupç, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! rrotulluan sërish një maune me mallra të Serbisë, me tabela të Serbisë, të ngarkuar me materiale ndërtimore.“ „Kjo Qeveri e cila po i toleron strukturat ilegale të Serbisë, po i vazhdon negociatat pa kushte me një shtet armik, i cili nuk na njeh ekzistencën, për më tepër ka edhe gadishmërinë për të hyrë në dialog politik me Serbinë, nuk ka as vullnet e as qëllim t’i mbrojë interesat e popullit e të vendit. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron interesin e shtetit dhe të popullit të Kosovës, për më keq po i lejon mallrat e Serbisë ta vërshojnë tregun e Kosovës e ta mbysin prodhimin vendor.“ vlerëson Vetëvendeosje në komunikatë. Në këtë kuadër vlerësohet se „Bilanci tregtar në raport me Serbinë që nga data 16 shtator është mbi 2000 maune me mallra serbe, me 40 maune me mallra të Kosovës, të shantazhuar të përdorin edhe dokumentet e strukturave ilegale serbe në Kosovë.“ Prandaj, „në një situatë të tillë, qytetarët dhe subjektet politike janë të detyruar të mbrojnë interesin politik dhe ekonomik të vendit.“ Dhe “në mungesë të veprimeve nga ana e institucioneve të Kosovës, ne do t’i vazhdojmë aksionet tona politike, kundër të gjitha veprimeve në dëm të ekonomisë dhe shtetit.“ thuhet në fund të Komunikatës të Lëvizjes Vetëvendosje! Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, një aksion të ngjashëm e kanë kryer edhe më 21 shtator 2011, dhe me këtë rast kishin rrotulluar një maune, me prodhime të “Centro Proizvodi’t” nga Beogradi.
***
Në mbrojtje të prodhimit vendor
STOP „TREGTISË SË LIRË“ ME SERBINË!
Shkruan: Sheradin Berisha – 21. 09. 2011
Në foto: Kështu duhet të ndalohet hyrja e mallrave të Serbisë në Kosovë!
Sot pasdite, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një Komunikatë për media, me të cilën ka bërë të ditur, se rreth orës 16 në afërsi të fshatit Lupç të Besianës, në magjistralen Besianë – Prishtinë, ka kryer një aksion kundër mauneve me mallra të Serbisë, që po hynin tashëm disa ditë nga pika kufitare e Merdarës. Me këtë rast aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje pasi shkarkuan mallin, i cili ishte prodhim i “Centro Proizvod” nga Beogradi e rrotulluan maunen, për ta bërë të palëvizshme.
„Marrëdhënia e re e gjithsesi shumë e vjetër që po na imponohet, “Tregtia e Lirë” midis nesh dhe Serbisë, vendit që nuk na njeh as të drejtën për të ekzistuar, është e dëmshme dhe e gabuar.“ vlerëson Vetëvendeosje në komunikatë. „Indiferenca e Qeverisë së Kosovës“ thuhet në Komunikatë „e detyron qytetarin të angazhohet vetë në mbrojtje të mirëqenies së tij, në mbrojtje të konceptit dhe parimeve të së drejtës, që po shkelen në emër të ca normave formale, që edhe kësaj radhe po na imponohen prej të tjerëve, pa marrë parasysh cilat janë nevojat urgjente të atdheut e të popullit tonë.“
Lëvizja Vetëvendosje këtë aksion të qëlluar kundër kësaj “Tregtie të Lirë” me Serbinë e arsyeton, si më poshtë:
1. Nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare pa patur marrëdhënie politike. E nuk mund të ketë marrëdhënie politike para se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që nënkupton së pari një kërkesë falje, së dyti reparacion të dëmeve të luftës, së treti kthimin e të humburve. Të bësh tregti të lirë me dikë që nuk të njeh ekzistencën, që nuk pranon të drejtën tënde për të qenë komb e shtet, do të thotë të bësh pazar me shtypësin e vjetër, që kurrë nuk ka premtuar se nuk do të jetë edhe shtypës i ri.
2. Nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare me një vend agresor, i cili mban në jetë e në aktivitet struktura kriminale që kanë marrë peng një pjesë të territorit tonë, duke e shndërruar në fole të kontrabandës, krimit të organizuar dhe terrorit për vetë qytetarët e asaj krahine. Duke blerë mallrat e Serbisë qytetarët e Kosovës në fakt po financojnë edhe armët e plumbat që kriminelët serbë po përdorin në mbështetje të qëllimeve të tyre territoriale ndaj Kosovës. Duke blerë mallra të Serbisë ne i ndihmojmë atyre të mbajnë në këmbë, me para e me logjistika, strukturat ilegale që na i pamundësojnë zhvillimin.
3. Edhe në logjikë ekonomike, “Tregtia e Lirë” midis nesh dhe Serbisë nuk na leverdis. Asgjë nuk përfitojmë ne prej saj, vetëm humbasim. I vetmi përfitues është Serbia, e kjo është e padrejtë. Brenda një dite të vetme qindra maune prej Serbisë hyjnë në Kosovë, ndërsa tre kamionë të vetëm prej Kosovës që u nisën për Serbi, janë ndaluar. Ne pranojmë mijëra ton mallra me dokumentin e Republikës së Serbisë, e ata nuk i kanë pranuar as tre kamionë me dokumentacion të UNMIK’ut. Ky është shfrytëzim i drejtpërdrejtë dhe përmes kësaj marrëdhënie, Kosova po varfërohet. Emri më i përshtatshëm i këtij shkëmbimi do të ishte “Tregti e pabarabartë dhe e imponuar”, dhe jo “Tregti e Lirë”. Duke pranuar mallrat e Serbisë produkti vendor dobësohet, e dalëngadalë vdes, duke pranuar mallrat e Serbisë qytetari jonë kthehet në klient dhe konsumator të kompanive të nje vendi që kurrë nuk na ka lejuar të zhvillohemi ekonomikisht. Ky lloj i shkëmbimit tregtar e shndërron Kosovën e sotme në një koloni tregtare të Beogradit, koloni moderne që nuk ndryshon shumë prej kolonisë klasike, që ishim dje.
4. Së fundi, ne jemi kundër “Tregtisë së Lirë” me Serbinë, dhe e dëshmojmë këtë përmes aksioneve tona sepse ne kemi besim të plotë te potenciali ekonomik i Kosovës, te potenciali i prodhuesve vendorë, për të prodhuar me përgjegjësi mallra cilësore. Kjo nuk ka ndodhur masivisht deri më tani,sepse prodhuesit tanë janë diskriminuar në raport me tregtarët e mallërave të Serbisë. Asnjëri prej shteteve europiane, as vetë SHBA, vende të cilat përfaqësojnë aspiratën tonë për mirëqenien e qytetarëve, nuk është zhvilluar ekonomikisht pa i mbrojtur prodhuesit e vet, pa i mbrojtur konsumatorët e vet. E për më tepër, asnjëri prej këtyre vendeve nuk bën “Tregti të Lirë” me shtete agresore, me shtete të cilat nuk i njohin politikisht. Me të tilla raste historia e viteve të fundit është e mbushur plot, e prej historisë nuk mund të mos nxjerrim mësime.
Dhe “Sot, dhe sa herë të mundemi, ne do të bëjmë gjithë çka mundemi që ta parandalojmë “Tregtinë e Lirë” me Serbinë, apo më mirë, invazionin tregtar që po na imponohet pa marrë parasysh vullnetin tonë politik. Aksioni ynë sot është në konfirmim të kërkesës sonë të vazhdueshme për sovranitet dhe dinjitet, në konfirmim të thirrjes sonë qytetare për të ndihmuar e për të mbrojtur prodhimin vendor. Nëse këtë mbrojtje nuk e ofron qeveria sepse është edhe e paaftë, e padëshiruar, dhe e kompromituar, atëherë ajo le të shkojë, vendin tonë e mbrojmë vetë ne, qytetarët e saj, edhe ekonomikisht, edhe territorialisht!” – thuhet në fund të Komunikatës të Lëvizjes Vetëvendosje!
Prandaj pa hezitim, Bojkotoni produktet e Serbisë!
Blej SHQIP! Sepse blerja shqip e rrit zhvillimin ekonomik të shqiptarëve!
https://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/_pashtriku_blej_shqip_06.1.10.htm