TRIUMFI I KOMBIT

“TRIUMFI I KOMBIT”, KAPITULLI: ”DETYRA JONË, KONSOLIDIMI I PAVARËSISË DHE DEMOKRACISË QË PËRSHPEJTOJNË BASHKIMIN E KOMBIT (V.  2014)

Nga Skënder Sadri Kapiti, Pashtriku 10 tetor 2021

Nëse njerëzit e një populli nuk kanë besim te vetvetja dhe nuk janë të ndërgjegjsuar fort për rëndësinë e përkatësisë së tyre kombëtare, atëhere ata mbeten kozmopolit dhe të pushtuar nga ksenomania që është respektimi , imitimi dhe deri dhe adhurimi i gjërave të të huajve, duke arritur qoftë dhe padashje që të bien dhe pre e vullnetit dhe e të këqijave të tyre. Dhe kur shumica prej tyre kanë për kulturë hipokrizinë dhe si moral durimin e të padurueshmes, tolerimin e të palejueshmes dhe sidomos lehtëmashtrimin për pak interes personal, si dhe lehtëmashtrimin nga paraja, joshja dhe korrupsioni, që do të thotë rënie pre e korrupsionit e më pas duke dhe e mbajtur dhe ushqyer atë, si dhe kur njerëzit kanë dhe zbatojnë ndërvete si ligj të pashkruar inatin, egoizmin, tradhëtinë dhe hakmarrjen atëhere ai popull lëviz ngadalë si komb.

Për konsolidimin e kombit nuk mjaftojnë vetëm 

geni dhe gjuha e etnisë po duhet që mbi to qe  janë dhe themelet më të forta të kombit, duhet  të ndërtojmë Kullën e Kombit, shtetkombin e bashkuar që s’ka të përfunduar, pasi: pandërprerë kërkohet nga kombi Besimi, edukimi, punë e përpjekje për evoluimin patriotik, moral, material dhe të demokracisë, por të një demokracie që përzgjedh jo një elitë të keqe e të korruptuar , po që përzgjedh një elitë aristoktate, patriotike dhe fisnike, se ndryshe ajo bën të keqen me mashtrimin dhe korrupsionin. Kryesore dhe parësore për një komb të bashkuar është Pavarësia.

Pavarësia është vepra më e madhe që realizon një popull me krijimin dhe bashkimin e tij në një shtet kombëtar, është një ndërgjegjsim i vazhdueshëm i tij për parkatësinë dhe rëndësinë e saj , përkatësi për të cilën ata ndjehen krenarë dhe ku brënda kësaj përkatësie të pavarur ata realizojnë personalitetin e talentin e vet, dhe dinjitetin e nderin e vet drejt një qëllimi të përbashkët për sigurimin e jetës, lirisë dhe lumturisë.

Pavarësia është një ndërgjegjësim kundër nënshtrimit, egoizmës dhe ksenomanisë; është shpëtimi prej humbjes; është dështim i disfatës dhe përçarjes. Pavarësia është zhbllokim i dijeve, mundësive dhe i energjive të kombit; është reforma e fillimit të reformave dhe të reformimit të vazhdueshëm të tyre; është atdhetarizmi i çliruar prej vargojve të pushtuesit; është demokracia e çliruar nga diktatura, padrejtësia dhe korrupsioni dhe ndëshkim i politikës dhe pushtetit që i shkakton ato. Pavarësia është pika ku fillon ngritja; pika ku fillon lirshëm liria, ku fillon lulëzimi; është zanafilla ku fillon konsolidimi dhe triumfi drejt ngritjes e ngjitjes lart si një proçes i pakëputur dhe i pandalshëm në përjetësi. Pavarësia është realizimi i ëndrrës së brezave të së shkuarës që vuajtën, sakrifikuan e luftuan aq shumë për të, e që kemi fatin ta gëzojmë ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh.

Ne, po dhe ata që do vijnë pas nesh, duhet t’u japim egzistencë brezave të së shkuarës prej vazhdimësisë sonë duke tejkaluar ëndrrat e tyre të guximshme për lirinë, begatinë, lumturinë dhe krenarinë kombëtare. Pavarësia është fillimi i një epoke të re që na ngarkon me detyrë dhe përgjegjësi për të bërë në vazhdimësi ndryshimin madhështor në garë me kohën dhe popujt e tjerë për të mos mbetur të fundit e garës në rrugën e qytetërimit.

Pavarësa është krenari për çdokënd prej nesh siç është krenari e çdo biri e bije për prindët e vet. Pavarësia është shteti si djepi ku prindërit rrisin fëmijën e vet, është si toka që ushqen njeriun , është si liria për jetën dhe punën e njerëzve në atdheun e vet.

Po nëse Pavarësia fillon e venitet atëhere faji për këtë nuk është pushtuesi prej të cilit jemi çliruar dhe as të huajt e tjerë , po jemi vetë që i akuzojmë ata për alibi sa për të qetësuar ndërgjegjen dhe për të shfajësuar veten.

Nëse Pavarësia fillon e venitet qoftë dhe përkohësisht faji numër një është politika, filozofia tinëzare e korrupsionit, papërgjegjshmërisë , tradhëtisë dhe e egoizmit të saj të kobshëm që është e tillë dhe aktualisht e që po na pengon duke na vonuar konsolidimin tonë.

Është mjerim   dhe e pakëndshme por duhet ta themi se Shqipëria me 102 vjet Pavarësi dhe Kosova me Pavarësinë e re 6 vjeçare kanë mbetur të fundit  në Europë në rrugën e konsolidimit të Pavarësisë dhe Demokracisë dhe sa më shumë të zgjatet kjo rrugë aq më shumë venitet Pavarësia dhe aq më shumë venitet dhe aspirata e Bashkimit Kombëtar, aspiratë, venitjes së të cilës i paraprinë papërgjegjshmëria, pandjesia patriotike e politikës së interesit të ngushtë për pushtet që u pa me rastin e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ku Kryeministri i Shqipërisë u vetmjaftua vetëm me tre rrjeshta postimi në face-book për këtë përvjetor, dhe  në Shtetin Amë, në Shqipëri, nuk u zhvillua asnjë aktivitet festiv apo përkujtimor dhe minimalisht as nuk u duk as shtimi apo vendosja e simbolit kombëtar të Flamurit Kombëtar dhe as ai i Shtetit të Kosovës jo se jo, gjë që sikur tregoi atë se për politikën e Tiranës, Kosova është jashtë vëmendjes së saj, dhe kjo nuk duhet kurrësesi të jetë përveçse e përkohshme dhe kalimtare, pasi është gjaku dhe lufta, vuajtjet dhe sakrificat më të shumta të shqiptarëve të Kosovës ato prej të cilave erdhi Pavarësia edhe e Shqipërisë në vitin 1912.

Kur nuk bëhet diçka për festa, të paktën thjesht ceremoniale kombëtare, morale dhe shpirtërore të shkon mëndja se nuk bën gjë konkrete e serioze në funksion për integrimin panshqiptar dhe për bashkimin siç tregoi dhe “sakrifica” ekonomike e dy shteteve shqiptare prej 100 mijë eurove për Preshevën në takimin e Janarit në Prizren të dy qeverive shqiptare. Kjo është ashtu si dhe ajo që ka bërë e kemi dëgjuar gjithmonë nga gjithpolitika e të gjithpushteteve edhe të para këtij të sotmi vetëm retorika patriotike spekulative për interes pushteti në Shqipëri.

Shqipëria asnjëherë nuk e ka kryer detyrën si një qëndër e orientimit panshqiptarë veçanërisht e konsideruar e tillë nga shqiptarët e trojeve etnike në Ballkan, po më shumë dhe vetëm i ka shërbyer politikës së ngushtë për pushtet në Shqipëri madje edhe për motive ideologjike, gjë të cilën e kanë deklaruar edhe politikanë perëndimorë dashamirës të shqiptarëve.

Edhe pasiviteti dhe indiferenca e politikës së saj sot në lidhje me Kosovën ka brënda saj djallëzinë për ftohjen dhe largimin politik dhe të katalizimit të të njëjtit reaksion të politikës kosovare me qëllim  artificialisht të nxitjes së krijimit të entiteteve kombëtare shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të ndryshme; politikë kjo e miopisë, interesit të ngushtë, po   pse jo edhe që edhe të lind dyshimi si politikë e zgjatimeve të tentakulave të politikës antishqiptare të gatuar gjetiu e që ka gjetur gjithmonë strehë historikisht në politikën e Tiranës zyrtare, e cila nuk ka nguruar madje dhe të veprojë dhe hapur kundër interesave të shqiptarëve jashtë kufijve të saj dhe që historia i di po dhe do t’i shënojë.

Pritja dhe vizioni pritës që ka shumica politikës si në Shqipëri dhe Kosovë se prosperiteti, konsolidimi dhe Bashkimi do arrihet kur të integrohemi në BE është një kamuflim që bën ajo për të fshehur dobësinë, paaftësinë, mosinteresimin dhe dështimet e veta dhe qëllimin tinëzar të vet për t’u justifikuar e për t’u përzgjatur e zvarritur në pushtet, se vetëm pushtetin, ajo dhe politikanët tanë aspirojnë si qëllim, të paktën kjo duket kështu ende dhe sot.

Askush nuk mund të parashikojë për të ardhmen e të tjerëve kur nuk di as se çfarë bën në shtëpinë e vet. Është kryekëput faji i politikës sonë që ne Europa po na shikon e trajton si dy shtet-provinca periferike siç ishim ne dikur si Vilajete në Perandorinë Otomane, dhe kjo, edhe justifikohet se vjen si meritë e kryetëparëve tanë politikanë që na janë bërë bajraktarë modern, pasi dy vendet tona janë të parat e Europës për moszbatim të  ligjit,  në  korrupsion  e  varfëri,  jemi  dy  vënde  që nuk këmi realizuar as nivelet e as standartet moderne demokratike  shtetformuese  dhe  pothuajse  dy  vënde dhe të falimentuara ekonomikisht dhe financiarisht pasi mbahen me borxhe e donacione si dhe prej parave të mbi 2 milion emigrantëve që punojnë në perëndim.

Prandaj dhe kryesisht për këto arsye BE refuzon integrimin , dhe po për këto arësye ne i lutemi Europës që të na “pushtojë” për të na pranuar në BE. Është vetëm dështim për politikën tonë po dhe pastaj dhe për të gjithë ne që gjithmonë të jemi dakord për të marrë vetëm atë se çfarë të na japin të tjerët dhe të bëhemi e të bashkohemi siç duan dhe kur duan të tjerët.

Venitja që vjen nga korrupsioni dhe dështimet e politikanëve shqiptarë sjellin mosbesm, humbje shprese dhe dëshpërim, prandaj kërkohet rilindje e ringritje për të bërë reforma e ndryshimin për përmirësim dhe për realizimin e konsolidimin e Pavarësisë.

Pavarësia e vërtetë realizon integrimin shpirtëror dhe moral, integrimin gjuhësor dhe kulturor dhe atë material të mirëqënies së kombit në shtetin e pavarur. Por   Pavarësia nuk i shpëton dot ligjit të varësisë dhe të tolerancës e bashkëpunimit, se Shteti i pavarur i kombit të bashkuar në të, varet dhe duhet të tolerojë dhe të tjerët, ku dhe të tjerët janë ata të cilët dhe varen po që duhet dhe ata të na pranojnë dhe të na tolerojnë ne.

Ky është personaliteti, dinjiteti dhe reciprociteti që vjen nga Pavarësia; Pavarësi e cila dhe realizon sovranitetin jo vetëm të shtetit si sovranitet të jashtëm , po edhe si pavarësi që realizon dhe sovranitetin e brëndshëm si të individit e të shoqërisë, ku atë të  indvidëve të tij si autonomi personale të tij për lirinë, të drejtën dhe talentin krahas atij të realizimit të sovranitetit demokratik të shoqërisë , si mbiqeverisje të shtetit me kushtetutën e vullnetit të popullit e cila edhe kontrollon po edhe ndëshkon çdo qeverisje dhe çdo pushtet të keq.

Ligji, Kushtetuta dhe verdikti i popullit janë ato që përmirësojnë dhe e lartësojnë kombin në demokraci.

Triumf i Kombit do të thotë Konsolidim i Sovranitetit Kombëtar, Konsolidim të cilit i paraprijnë: konsolidimi i demokracisë, shtetit ligjor, mirëqënies, sigurisë juridike, politike, ekonomike, të punësimit, shëndetësisë e të jetës së qetë e të sigurtë.

Qeverisja aktuale e kualicionit të Majtë PS-LSI e pas 23 Qershorit 2013 erdhi me premtimin për një Rilindje Shqiptare dhe si kualicion për integrimin europian , po kemi dy vite që nuk po e shohim as Rilindjen dhe as integrimin, po vetëm dështimin. Madje nuk është bërë as reforma në Drejtësi, por që ka dalë në rend të ditës dhe një tjetër problem shtesë jo i ri, por i rritur si përmasë, pikërisht ai i parlamentit dhe i pushtetit vendor, ai i kriminalizimit të politikës dhe ai i përkeqësimit të korrupsionit, trafikimit të drogës dhe të qënieve njerëzore, i rritjes së papunësisë dhe varfërisë e që po i detyron shqiptarët në mënyrë masive të largohen nga atdheu , gati pothuaj si sirianët që po largohen prej luftës civile në Siri.

Problemi i dekriminalizimit të politikës shqiptare dhe reforma në drejtësi në Shqipëri është bërë dhe shqetësim i madh për SHBA dhe BE në të cilën Shqipëria kërkon të integrohet por që më shumë progresin dhe integrimin e Shqipërisë e duan SHBA dhe BE se sa politika e politikanët shqiptarë që punojnë kundër vullnetit dhe aspiratave të popullit shqiptar, mundit dhe sakrificave të tij të mëdha.

Pra me pak fjalë duhet vepruar duke ju dhënë disfatën dhe humbjen atyre që shkaktojnë disfatën dhe mossuksesin tonë e që gjithnjë po na janë politika dhe politikanët tanë. Ne duhet të përmbushim kryedetyrën tonë që është tani dhe mbetet në vazhdimësi: emancipimi e konsolidimi i vazhdueshëm i kombit, pavarësisë, demokracisë, edukimit dhe  rritjen e mirëqënies e prosperitetit dhe që i paraprijnë Bashkimit të Kombit.

Durrës, Maj 2014

Nga Libri “TRIUMFI I KOMBIT”, autori  Skënder KAPITI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura