GJOKË DABAJ: Ç’E BËRI KAQ FATKEQ KOMBIN TONË TË MADHËRISHËM?!

Durrës, 24. 03. 2015 – Sapo mbarova së lexuari studimin me shumë vlerë të Qemal Velijës „Mbretëri dhe mbretër ilirë“. Në f. 54 autori shënon si kushtëzim të parë, dmth, vështirësi nr.1, për studimin e historisë politike të ilirëvet, mungesën e plotë të dokumentacionit shkrimor VENDOR të kohës (së Ilirisë). Megjithkëtë, ai e sheh me vend ta justifikojë disi këtë mangësi kaq të rëndë në historiografinë e kombit tonë, duke shtuar: „(Ky lloj dokumentacioni) për hir të së vërtetës, teorikisht nuk mund të thuhet se nuk ka ekzistuar, por për mosgjetjen e tij në ditët tona kanë ndikuar shumë rrethana, që nga shkatërrimi i qytetevet, dyndjet e njëpasnjëshme, problematika që sjell shkrimi në lashtësi, përvetësimi i tij nga të tjerë dhe dhënia si vlerë ekskluzive e këtij apo atij populli (grek e romak).“
Në faqet 56-57 flitet për një zbulim të rastësishëm, në vitet 1990, të 4 pllakëzave prej dylli (apo lëkure keci)… (Çudi që s’dihet a janë dyll apo lëkurë, Gj.D.) dhe thuhet: „Këto pllakëza mbanin të derdhura harta topografike dhe shkrime shpjegues një alfabet që s’ishte as grek e as latin.“
Në f. 97 thuhet: „Në oborrin e mbretit Gent, në vitin 170-169 p.e.s, nuk flitet greqisht, por në një gjuhë tjetër.“
Përndryshe, gjithë lënda, jo vetëm e këtij libri, por edhe e mjaft studimeve të tjerë, si të hershëm, ashtu edhe të kohëvet të fundit, flet për madhështi të ilirëvet. Ilirët kanë histori madhështore! Ndërtues të pashokë qytetesh, blegtorë e bujq të mrekullueshëm, detarë me famë, zotërues detesh me anjet që vetëm ata dinin t’i konstruktonin dhe luftëtarë që nuk mposhteshin lehtë edhe prej ushtrivet më të famshme të kohës. Shtetet e tyre, pra shtetet tanë, shteti i liburnëvet, shteti i ardianëvet, shteti i enkelejvet, shteti i Epirit, i dardanëvet, i taulantëvet, i paionëvet, por edhe i maqedonëvet, për të cilët, ndonëse dihet që nuk ishin grekë, ka dilema, ishin apo s’ishin të të njëjtit gjak me ilirët, këta shtete, pra, janë modele, mund të themi unikalë, të shtetformimit dhe të shtetzhvillimit në epokën e Antikitetit.

Po pse nuk u shndërruan këta shtete në perandori (përveç shtetit jetëshkurtër të Aleksandrit të Madh, duke pasur edhe ai gjuhën greke në administratë)?! Përse madhështia ilire, mbase edhe pellazgo-ilire, erdhi duke i tkurrur, aq sa sot, ne pasardhësit e asaj MADHËSHTIE GJËMIMTARE, s’jemi veçse vrima e fundit e kavallit në rreshtin e kombevet të Evropës?!
Në fund të librit „Mbretëri dhe mbretër ilirë“ unë kam bërë këtë vërejtje: „Të gjithë këta konstatime janë me vend (konstatimet e studiuesit Qemal Velija), por fakti që ne nuk kemi një Safo, një Hesiod, një Eskil, një Euripid, një Sofokli, një Tuqidid, një Platon, një Sokrat, një Demosten, një Pausania etj, dëshmon që ne, edhe në e paçim përdorur dikur apo diku shkrimin në gjuhën tonë, nuk jemi kujdesur ASPAK për të.“
Jo, nuk jemi kujdesur, por kemi qenë aq neglizhentë ndaj të shkruarit dhe ruajtjes së gjuhës sonë, sa e meritojmë plotësisht dënimin dhe poshtërimin për t’u quajtur sot kombi më i nëpërkëmbur i Evropës.
Megjithkëtë, përderisa kemi arritur gjallë deri këtu, falë pjesës më të kthjellët të etnitetit tonë e veçanërisht falë mendjendriturvet të Rilindjes sonë Kombëtare, ne të sotmit nuk duhet ta pranojmë dorëzimin pa kushte, qoftë për shkak të fajevet të rëndë të të parëvet tanë, qoftë përballë sfidavet kombëmbytëse të globalizmit të sotëm.
Brezat e sotëm të kombit tonë, jo, janë të thirrur, jo, duhet, por JANË TË DETYRUAR të gjejnë diagnozën e saktë të të teposhtavet tona, të rrokullisjevet tona më se tragjike, dhe të marrin masat, teorike dhe praktike organizative, për t’u ngritur në nivelin dhe dinjitetin që gjithsesi i takon kombit iliro-arbro-shqiptar.
Nuk është aspak e vështirë të gjenden „diagnozat“. Është i vështirë „mjekimi“. Njëra nga „diagnozat“ e njërës prej „sëmundjevet“ tona shumëshekullore është kjo: NUK KEMI PASUR MIRËKUPTIM MIDIS SUNDIMTARËVET DHE KLASËS SË PASUR, NGA NJËRA ANË, DHE „TRURIT TË KOMBIT“, INTELIGJENCËS, NGA ANA TJETËR.
Thënë më saktë: Klasa e të pasurvet, përfaqësuar shtetërisht nga kasta pushtetmbajtëse, nuk e ka përfillur „trurin“, inteligjencën, nuk i ka dhënë pesë pare për bartësit e diturisë dhe të artit VENDËS. Klasa e të pasurvet dhe pushtetmbajtësit iliro-arbro-shqiptarë i kanë përbuzur bartësit dhe kultivuesit e kulturës VENDËSE. Nuk mund të shpjegohet kurrsesi ndryshe mungesa e plotë e kronikanëvet, e historianëvet dhe e kultivuesvet të artit të shkruar në gjuhën ilire, në arbërisht deri te Pal Engjëlli apo Gjon Buzuku dhe në shqip deri te rilindësit. ËSHTË MALLKIMI I MADH QË E KANË MBAJTUR ME VETE NË SHEKUJ TË FUQISHMIT TANË!
Patricët e Greqisë së Lashtë i mbanin afër, i ushqenin me bukë dhe u jepnin dhurata aedëvet të famshëm. Veprat e aedëvet, midis tyre edhe Iliada e Odiseja, mund edhe të ishin krijuar në një gjuhë tjetër, psh, në gjuhën e të parëvet tanë, por ato këndoheshin në gjuhën e patricëvet bukëdhënës grekë dhe, më në fund, arritën edhe të skruhen në po atë gjuhë.
Virgjili kish përkrahjen, materiale dhe politike, të perandorit Oktavian August, ndryshe s’do t’i kishim sot as „Eneidën“, as “Bukolikët”. Dhe, pa Oktavian Augustin e fuqishëm, nuk do t’i kishim sot as Horacin dhe as Tit Livin.
Mbretëreshë Elizabeta I e Anglisë e pëkrahu, madje ilegalisht, inkonjito, Eduard de Verin, atë që shkroi ato vepra madhore, të cilat sot i njohim si “vepra të Shekspirit”. [Shih: Mihael H. Hart (Michael H. Hart), 100 personalitetet më të shquar në histori, f.137-152] Luigji XIV është ai që bëri të mundur krijimin dhe shfaqjen në ambientet e pallatit mbretëror të komedivet të Molierit.
Duka i Vajmarit, siç kam shkruar edhe herë të tjera, është mecena i shumë shkrimtarëve gjermanë, midis të cilëvet të mëdhenjtë Gëte dhe Shiler.
Pushkini lindi dhe jetoi si poet i madh pikërisht në pallatin e carit të Rusisë.
Ne, ndërkaq, me mbi 50 mbretër në historinë tonë, me mbi 12 perandorë dhe me mbi 35 sadrazemë (kryemistra perandorakë), nuk kemi gjëkundi gjurmë MECENATI, nuk ka gjëkundi PATRONË TË LETËRSISË DHE ARTIT tonë kombëtar.
Etnia jonë është mbrujtur fund e krye me talente në të gjitha fushat e krijimtarisë artistike. Vallet dhe këngët tona janë një mrekulli që pakkush në botë e ka (në mos askush), rapsoditë dhe rapsodët tanë, si ata të polifonisë, ashtu edhe ata të epikës legjendare dhe të baladavet, janë të denja për t’u vënë në krah të çdo arti botëror, madje edhe atij që quhet art i kultivuar. Mund të themi lirshëm që krejt kombi ynë është një artist që në zanafillë.
Atëherë, pse s’kemi Eskilë, Virgjilë, Dante, Balzakë e Tolstojë, që të kenë shkruar në gjuhën tonë?!
Studiuesi Qemal Velija, i cili fatmirësisht dhe ndoshta krejt rastësisht e ka gjetur një mecenë, z.Besim Elshani, duke cituar H.Krahen, shkruan kështu në f.51: „Duket se ilirët kanë pasur veçorinë t’u shërbejnë popujvet të tjerë si forcë shtytëse përpara dhe lart, për të përtrirë e forcuar gjakun nordik e me këtë mënyrë t’u falin këtyre popujve të së njëjtës origjinë (mbase indoevropiane, Gj.D.) përsosuri e fuqi: pa ilirë as Romë s’do të kishte pasur e as romakë, as Spartë e as spartanë“.
Jemi SHKRIRË, pra, për të tjerët. A.Z,Çajupi, duke mos pasur mundësi tjetër, e ka përcjellë këtë dukuri tonën, jo me thirrje, por me të bërtitura, gati me ulurimë: „Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq
kujto vendin tek ke le lerë
dhe tek heq!“
Në këtë piskamë dëshpëruese të A.Z.Çajupit kemi të bëjmë me një adresë përgjithësuese. Ai u drejtohet të gjithë shqiptarëve. Por, kënvështrimi ynë, i sotmi, dhe që, besoj unë, është shkencërisht i parrëzueshëm, FAJIN, me pasojë rrudhjen drastike të etnisë së tyre, me shtrirje, dikur nga Triesteja deri në brigjet e Azisë së Vogël dhe ardhur sot në relacionin e mjerueshëm Gramoz-Çiçavicë, FAJIN, pra, E KANË PATRICËT E KËTIJ KOMBI!!! Megalomania e tyre ndaj kombit të vet, nga njëra anë, dhe përunjësia e tyre ndaj të gjithë të huajvet, nga ana tjetër!
Nuk po dua të flas më për kohët e shkuara. Ka ndodhur ç’ka ndodhur, ajo nuk kthehet më. Por koha është që klasa e të pasurvet tanë të sotëm, duke nxjerrë mësim nga tragjedia jonë dhjetërashekullore, ta shikojë më kthjellët problemin, që jo më kot jemi duke e shtruar dhe trajtuar.
Letërsia, studimet në fushë të historisë, arkeologjisë, gjuhësisë, folklorit dhe përgjithësisht etnokulturës, nuk mund as të zhvillohen, as të luajnë rolin e vet, me ligjet e tregut të lirë. Kjo vlen jo vetëm për kombin tonë, por edhe për kombet më të mëdhenj. Të gjithë kombet i subvencionojnë prurjet e veta kulturore e sidomos të shkruarat në libra.
Duke i pasur të qarta kërkesat specifike të kësaj veprimtarie, pra, të veprimtarisë shkrimore në fushë të letërsisë atistike shqiptare dhe të studimevet në fushë të albanologjisë, madje edhe të ballkanologjisë, pasi ajo lidhet ngushtë me albanologjinë dhe pasi aty janë bërë shumë shtrembërime, çështja duhet të shtrohet si e tillë së pari në parlamentet tanë dhe pastaj t’i jepet zgjidhja e duhur.
Zgjidhjet janë të shumta dhe duhet të jenë të shumta, pasi edhe problemi është i atillë që ka të bëjë dretpërsëdrejti me dilemën tonë kombëtare, e cila më së miri mund të shprehet me fjalët e njohura të Hamletit: „Të rrosh a të mos rrosh!“ Nuk është alarm i kotë. Në kohën e globalizmit, kombet e katandisur si ky i yni, i than mjegulla.
Njëra presj zgjidhjevet do të ish, për shembull, një nismë e kujtdoqoftë prej nesh, e dhomavet të tregtisë apo e ndonjë tjetër organizmi a subjekti ekonimik, për të krijuar një ASOCIACION TË MECENATIT SHQIPTAR. Një grup biznesmenësh shqiptarë do të mund të merrnin përsipër FINANCIMIN E PËRKTHIMEVET nga shqipja në gjuhët e tjera 50 apo 100 përkthyes nuk është vështirë të gjenden. Po aq biznesmenë që do të mund të merrnin në patronazh secili NGA 1 PËRKTHYES, nuk do të ish vështirë të gjendeshin, mjafton që të krijohet bindja.
S’po e shoh të nevojshme ta lodh tash lexuesin me hollësi të tjera. Mjafton të kuptojmë që tragjedia jonë e ngushtimit, deri në zgrip të zhdukjes si komb, ka ardhur, midis tjerash, edhe prej shkakut të mësipërm. Dmth, prej shkakut që mbretërit tanë të Antikitetit, perandorët tanë në kapërcyell të Antikitetit dhe vezirët e pashallarët tanë të Mesjetës, janë kujdesur shumë, shpeshherë më shumë se ç’duhej, për karrierën e vet, për qejfet e vet dhe për paratë, të cilat thuajse përherë ua ka hëngër dreqi, por nuk janë kujdesur ASPAK, prapë po e përsërisim: ASPAK, për GJUHËN dhe për KULTURËN e kombit të vet. Për shkak pikërisht të asaj moskujdesjeje janë shuar copa shumë të mëdha të atdheut të tyre dhe bashkë me to, janë shuar pa lavdi edhe ata vetë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura