SI KA QENË NË TË VËRTETË FLAMURI I SKËNDERBEUT?

SI KA QENË NË TË VËRTETË FLAMURI I SKËNDERBEUT?

Nga Moikom Zeqo (1949 – 2020)

Marrë nga shënimet e autorit Moikom Zeqo në DITA

1-Flamuri

Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë.

Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar. Megjithatë, ne kemi patur një përfytyrim për flamurin e Skënderbeut, bazuar tek stema e tij, që paraqet shqiponjën dykrerëshe, pa kurorë mbretërore mbi kokat, që ka sipër yllin gjashtëcepësh si dhe inicialet latine D.AL. d.m.th. ‚Dominus Albaniae‘ (Zoti i Shqipërisë).

2.Ajo që dihet

Stema, më saktësisht vula e madhe e kancelarisë së Kastriotit, ruan elemente të flamurit të tij, por nuk mund të jetë kurrsesi identike me flamurin.

Flamuri i Skënderbeut është përshkruar nga disa autorë.

Anonimi i Tivarit, në vitin 1480 (i cituar prej Biemit, fq. 23) thotë: “L’insegna di Skander begh era un’ aquila negra distinta in dua teste sopra campo rosso” (Flamuri i Skënderbeut ishte me një shqiponjë të zezë me dy krerë në një shesh të kuq).

Marin Barleti, 1508 (fleta XV), thotë „Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. (Flamur i kuq i Skënderbeut me një shqiponjë të zezë dykrerëshe).

Të gjithë autorët, që janë bazuar te Barleti përmendin të njëjtën gjë.

Tekstin latinisht të Barletit e përmend edhe Frang Bardhi, shumë më parë, se sa ta vëzhgonte dhe ta vinte në reliev pasazhin shkrimor të Barletit.

Faik Konica, i cili do ta trumbetonte si zbulim dhe duke patur argumente të shkruara, por jo argumente figurative, vizuale, të pikturuara, do të bënte një riprodhim të përafërt të flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, për ta botuar te revista «Albania».

3.Por si ka qenë me të vërtetë, në mënyrë autentike flamuri i Skënderbeut ?

Rafigurimi i shqiponjës dykrerëshe me Yllin e Davidit në vulën e madhe nuk është autentik me flamurin.

Fjala vjen, Barleti nuk e përmend asnjëherë faktin, se mbi shqiponjën dykrerëshe është Ylli i Davidit.

Një fakt tjetër substancial është se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka patur asnjëherë kurora mbretërore, sepse dihet, që Skënderbeu nuk e pati asnjëherë titullin e Mbretit të Shqipërisë.

Titulli i Skënderbeut qe civil dhe thjesht ‘Dominus Albaniae’. Ky fakt nuk mund të anashkalohet.

Para disa kohësh, në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar, erdhi dijetari dhe piktori i njohur nga Kosova, prof. Shyqri Nimani. Në vitin 1996, Nimani, kish botuar librin album në Prishtinë, me titull « Trojet shqiptare në harta dhe stema». Këtë botim, unë e kam patur prej kohësh në duar, por u desh ta rilexoj tani më me vëmendje, për t’u befasuar dhe entuziazmuar nga zbulimi i jashtëzakonshëm.

Autorësia e këtij zbulimi i takon padyshim mikut tim të nderuar, prof. Shyqri Nimani.

4.Zbulimi i Nimanit

Në botimin e tij Nimani tregon se, gjatë vitit 1980, gjatë një udhëtimi në SHBA, pa ekspozitën e madhe « ART & CARTOGRAPHY » në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library, ku qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme.

Aty qe ekspozuar edhe « Harta Portollane e Mesdheut » e vitit 1456, një manuscript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3.

Harta ka shënimin : « Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI ».

Kjo hartë portollane është pikturuar me dorë, sipas traditës së navigatorëve, që e kanë përdorur këtë teknikë, të paktën, që nga fillimi i shek. XIV. Siç shihet harta e Rosellit, mban vitin 1456, kur Skënderbeu ishte në kulmin e famës së tij, krejt i gjallë, sepse ai vdiq 12 vjet më vonë, më 1468.

Harta nuk është e dimensionit të madh, ajo përqendrohet në Detin e Mesdheut dhe në Detin e Zi, tregon bregdetin evropian nga Danimarka, ishujt britanikë deri tek Skotlanda Jugore, bregun veriperëndimor të Afrikës, ishujt Kanare, Medeeirën dhe ishujt Azore në Oqeanin Atlantik.

Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492.

Harta në fjalë ka një saktësi të madhe të parametrave gjeografikë, sidomos të kontinentit evropian, por informacioni i hartës është shumë më i madh, aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456.

E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut.

Flamuri shqiptar i Kastriotëve ka kështu një njohje ndërkombëtare, është njësoj si në OKB-në e sotme.

Gjëja e parë është vendosja figurative e të gjithë flamurëve të shteteve të njohur dhe pjesëmarrëse të OKB.

Të tillë vlerë juridike, ndërkombëtare ka dhe vendosja dhe rafigurimi i flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456 në faqen 55, tabela 14.

Flamuri është në formë katërkëndëshe, i vendosur në një shtizë vertikale, mbi figurën qëndrore të Shqipërisë, d.m.th. mbi qytetin e Krujës.

Katërkëndëshi i fushës së flamurit është krejt i hapur në krahun e majtë për shikuesit.

Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit.

Nimani, që e ka parë me sytë e tij këtë fakt, tregon se fusha e flamurit qe e verdhë e (e artë), kurse shqiponja dykrerëshe e kuqe.

Pse vallë kjo shqiponjë titullare e flamurit jepet e kuqe dhe jo e zezë ?

Mos vallë dëshmia e Marin Barletit, në librin e tij për Skënderbeun, që e botoi gati 40 pas vdekjes së Skënderbeut duhet marrë me rezervë ?

Ku qëndron e vërteta ?

5.Dilemat

Pse në kohën kur ishte vetë gjallë Skënderbeu, flamuri i tij i njohur ndërkombëtarisht jepet në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjë të kuqe dykrerëshe ?

Për çdo shkencëtar serioz, këtu ka një pikëpyetje shqetësuese, që kërkon një përgjigje të vërtetë dhe të argumentuar.

Aq më tepër që substanca e kësaj pyetjeje bëhet më e fortë kur dimë tashmë se në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Skënderbeut është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe.

Afresku i kuq i shqiponjës dykrerëshe të Rodonit është bërë përpara vdekjes së Skënderbeut më 1468.

Kjo shqiponjë nuk është bërë rastësisht e kuqe. Pra shqiponja e Skënderbeut nuk është e zezë.

Shqiponjën e kuqe të Rodonit, Skënderbeu e ka parë me sytë e tij, askush nuk do mundte dot, ta bënte ngjyrën e shqiponjës ndryshe, nga ç’ishte ngjyra e vërtetë e saj, sepse këtu kemi të bëjmë me autoritetin shtetëror të vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Problemi shkencor lidhet me dy përmasa : përmasa e parë ka të bëjë me dy fakte historikisht autentike, që në të gjallë të Skënderbeut, me faktin e hartë së vitit 1456 dhe me faktin e afreskut të kuq të shqiponjës dykrenore të Rodonit, gjithashtu, autentike.

Përmasa e dytë ka të bëjë me një dokument shkrimor të përpiluar nga Barleti 40 vjet më vonë, pasi kish vdekur vetë Skënderbeu.

Të gjithë, papërjashtim, kanë besuar dëshminë shkrimore të Marin Barletit, pra, kanë besuar se shqiponja dykrerëshe është e zezë, në një fushë të kuqe.

Faktet që paraqesim në këtë shkrim tregojnë një ndryshim të rëndësishëm, del qartë se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka qenë aspak e zezë, por ka qenë e kuqe.

Ta zëmë për një moment se piktori i hartës së 1456-ës, Roselli, ka përdorur në mënyrë të lirë rafigurimin e flamurit të Skënderbeut dhe për ta bërë më të lexueshëm këtë flamur e ka bërë shqiponjën dykrerëshe të kuqe në një fushë të verdhë (e artë).

Por, nëse ky fakt, do të qe i vetmuar, mund ta përdornim si një alibi figurative.

Por, është pikërisht zbulimi në afresk i shqiponjës dykrerëshe të kuqe të Kepit të Rodonit, që nuk na lejon më, të flasim për një alibi të piktorit hartograf, apo për një rastësi vetmitare.

Për shkak të akribisë shkencore dhe të kriticizmit shkencor, jam i detyruar të shpreh publikisht tezën, se përfytyrimi i flamurit të Skënderbeut duhet të ketë qenë ndryshe në realitet, pra, shqiponja dykrerëshe për shkak të fakteve të mësipërme, do të ketë qenë e kuqe.

6.Teza e debatit

Dëshmia e Barletit nuk është ajo e një dëshmitari okular, por është një dëshmi e metomorfizuar, gati një shekull e gjysëm më vonë.

Mendoj, që Barleti duhet shikuar me rezervë,jo me absolutizem  në këtë pikë kryesore. Pse?

Sepse dihet që edhe vetë stema e Kastriotëve është ndryshuar, është mbingarkuar me kurorat mbretërore, se trashëgimtarët e familjes së Kastriotëve, për shkak të titujve që kanë marrë më vonë, i kanë shtuar atribute të tjera stemës së thjeshtë, civile, dhe autentike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Dihet gjithashtu edhe mbishkresat, sajimet fantastike të heraldikave të para, gjë që, ka qenë një modë, por dhe pasojë e falsifikimeve të pafundme nga pasardhësit.

Kështu një stemë, që i atribuohet Kastriotëve, e botuar nga Dr.Lucia Nadin në librin “Venecia dhe Shqipëria”: “Gjurmë të lidhjeve antike”, Venecie, 1995, fq.6, që ndodhet në një dorëshkrim italian në Biblioteka Marciane, shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut, paraqitet e artë mbi një fushë gjysëm të kuqe dhe sejcila kokë e shqiponjave ka një trëndafil të artë, si dhe një të kuq.

Mbi kokat e shqiponjave janë dhe kurorat mbretërore.

Dijetari kritiist nuk mund të bazohet në dëshmi të vona dhe të transformuara.

Harta e Petro Rosellit e vitit 1456, është si të thuash një njohje ndërkombëtare, për paraqitjen figurative të flamurit të Skënderbeut.

Afresku i shqiponjës dykrerëshe të kuqe i Rodonit, vërteton diçka të brendshme, pikërisht brenda kështjellës rezidenciale të vetë Gjergj Kastriotit.

Është tjetër gjë të themi se për shkak të traditës mbi 5 shekullore ne tashmë kemi botërisht flamurin kombëtar me fushën e kuqe dhe shqiponjën dykrerëshe të zezë.

Askush nuk ka ndërmend që ta ndryshojë tashmë këtë gjë, sepse dhe tradita duhet respektuar, qoftë dhe si konvencionalitet. Por, askush nuk i heq të drejtën e dyshimit dhe saktësimit shkencor dijetarëve, që kanë kult vetëm të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Dy dëshmitë autentikë, që trajtuam në këtë shkrim tregojnë pa mëdyshje se flamuri i Skënderbeut ka qenë ndryshe, pra në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjën dykrerëshe të kuqe.

Duke thënë këtë, mendojmë se nuk bëjmë një blasfemi, por bëjmë një saktësim.

Megjithatë e drejta e debatit shkencor është një e drejtë e hapur për të gjithë dhe unë do të pranoja me dëshirë dhe me ndërgjegje çdo kundërshtim të arsyeshëm, por ama me argumente autentikë.

©Copyright Gazeta DITA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura