RIKTHIM I JASHTËZAKONSHËM I PDK-së, RIKTHIM I PRITUR I LDK-SË, AAK-ë TE VENI DHE HIBERNACIONI I LV-së!

RIKTHIM I JASHTËZAKONSHËM I PDK-së, RIKTHIM I PRITUR I LDK-SË , AAK -ë TE VENI DHE HIBERNACIONI I LV-së!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 16 Nëntor 2021

Të gjithë garuan dhe të gjithë fituan : Pavarësisht rezultateteve të raundit të parë , të gjithë deklaruan se kanë fituar dhe askush nuk mori përgjegjësi për rezultat jo të pritur dhe zhgënjyes. Pastaj , thuaja të gjithë që ishin pjesë e balotazhit thonin se tani i përmirësojnë lëshimet e raundit të parë. LV –ë që nuk u nda aspak mirë në raundin e parë , duke mos e fituar asnjë komunë deklaronte se është fituese krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale sepse ka rritje të votës së përgjithshme dhe se në balotazh kishin synim të fitonin 12 komuna kurse Haki Abazi ishte i bindur se do t’i fitojnë 13 komuna . Sikur në zgjedhjet e kohës së Enver Hoxhës në Shqipëri kur Enveri i fitonte 105 % të votave. Partitë  tjera që garonin në balotazh  morën shumë seriozisht punën e tyre duke u angazhuar në terren tërë kohën dhe duke lidhur koalicione publike dhe jopublike e që janë të domosdoshme , sidomos për zgjedhjet lokale . Vetëm LV –ë , si ariu në kohën e hibernacionit ( gjumit dimëror ) , ia futi rrafshit duke u mbështetur vetëm në karizmën e liderit të tyre dhe duke mbajtur mbi kokë kurorën me  dafina të 50 % të fituar në zgjedhjet e përgjithshme e cila pas zgjedhjeve lokale u shndërrua në kurorë prej therrash murrizi që e mbante në kokë Krishti , para dhe gjatë kryqëzimit nga ushtarët romakë dhe qytetarët që refuzonin të paguanin taksa .  Edhe pas balotazhit të gjithë do të deklarojnë se janë fitues dhe …, kjo është e pritshme ! Po kush ishte fitues real i zgjedhjeve lokale në Kosovë ?

  1. Partia Demokratike e Kosovës :  Pa asnjë dyshim dhe për mua krejtësisht papritur , PDK –ë është fitues i madh i zgjedhjeve lokale në Kosovë . Një parti që u gijotinizua ( iu hoq koka politike ) nga Gjykata Raciste Speciale e që u përça në disa komuna , me tendencë përçarjeje edhe në nivel qendror ka qenë e pritshme që mund ta pësojë edhe më shumë se në zgjedhjet e përgjithshme mirëpo as optimistët më të mëdhenj nuk kanë shpresuar se mund të rikthehen aq triumfalisht . Disa miq në PDK –ë më thonin se do t’i fitojnë 10 -12 komuna e që për mua ishte e barazvlefshme me të shkuarit në Mars me autobusët e ish – dhunuesit të Prishtinës , Shpend Ahmetit . Aq më parë që PDK-ë , në dy bazenet me shumë vota në Kosovë , Anamoravë dhe Dukagjin mund të llogarisnin vetëm në mbetje mortore të votave elektorale. Në Drenas i futën pykën ( nga PDK –ë )  duke bërë përpjekje ta largojnë një punëtor të madh dhe drenicak jokonvencional , Ramiz Lladrovcin. U bë mirë që fitoi Ramizi , përballë shantazhuesve . Në Skënderaj thuaja u pushkatua e gjithë dega e PDK-së , me Sami Lushtakun në krye sepse paskan pasur guxim ta sfidojnë Bekim Jasharajn të cilit pikërisht PDK –ë i pati dhënë një mandat duke mos garuar fare për kryetar komune. PDK –ë ka bërë shumë mirë që e ka rikthyer Skenderajn me një fitore bindëse. Fitorja , gjithashtu bindëse e PDK-së në Vushtrri është befasia më e madhe e zgjedhjeve lokale dhe rrallëkush e ka pritur . Unë , në asnjë variant nuk kam pritur që PDK –ë do ta fitojë Vushtrrinë.  Mitrovica ishte risk personal i Bedri Hamzës përballë një analfabeti politik. Dhe iu shpagua Bedriut si dhe PDK-së që pas dy mandateve të humbura e riktheu Mitrovicen . Në këtë mënyrë Bedriu shpëtoi nga azili në rast se do të pësonte nga një fillorist i Akademisë Politike të Pacollit. Agim Aliu e fitoi garën në Ferizaj , më shumë si kryetar i të gjithë qytetarëve të Ferizajt , se sa që ishte një militant i PDK-së. Agimi është model i një kyetari të përkushtuar për të gjithë qytetarët. Doktori i ruajti dhëmbët edhe për një mandat në Kaçanik përkundër kërcënimeve të LV –së dhe angazhimit të diasporës në me krye Agën Cenë të Kaçanikut . Urime dështimi , Aga Cenë ! Në Shtime edhe një doktor , tash i LV –së e nxori nga loja , për 0.17 % të votave Naim Ismajlin . Dhe mirë ia bëri se nuk e mori seriozisht , as fushatën e as përgjegjësitë. Fitorja brilante e PDK-së është ajo e Marathomakut , Shaqir Totaj i cili , ndonëse për një fije floku i humbi zgjedhjet paraprake , në zgjedhjet e fundit u angazhua shumë. Përtej mundësive dhe dëshirës për të fituar. Prizreni nuk është Jerusalemi i PDK-së por djepi ku u përkund dhe ku u rritë ndjenja e lirës dhe pavarësisë së shqiptarëve e që u konkretizua politikisht nga i papërsëritshmi Bacë Adem Demaçi dhe ushtarakisht nga Komandanti Legjendar Adem Jashari.  Duhet të thuhet botërisht se votat e Zafir Berishës ia sollën fitoren Shaqir Totajt. PDK –ë , nëse merret parasysh e kaluara jo fort e largët apokaliptike e sidomos e ardhmja , realisht është fituese e zgjedhjeve. Ka fituar apo rikthyer qeverisjen në 5 komuna , Mitrovicë , Vushtrri , Prizren , Han të Elezit dhe Skënderaj kurse ka ruajtur qeverisjen në Ferizaj , Drenas , Kaçanik dhe në Dragash , nëse nuk ndryshon rezultati. Thjesht , e pabesueshme edhe për optimistët më të mëdhenj !
  2. Lidhja Demokratike e Kosovës : Rikthimi i LDK-së për mua nuk paraqet befasi të madhe sepse ka pasur në dispozicion elektoratin që e kishte votuar Listën e Vjosës , tash të zhgënjyer janë kthyer në Shtëpinë e Vjetër. Këta e bënë diferencën ndërsa potez i jashtëzakonshëm ishte angazhimi i Përparim Ramës , i pavarur politikisht dhe partiakisht për kryetar të Prishtinës për faktin se nga mjedisi politik i LDK-së nuk kishte kandidat që do ta rrezikonte Arben Vitinë e LV –së. Fitorja në Prishtinë është stenta më e fuqishme që e riktheu në jetë zemrën politike të LDK-së . Simbolikisht , kush e fiton Prishtinën , i ka fituar zgjedhjet lokale . LDK-ë e fitoi Prishtinën me votat e PDK-së dhe të AAK-së , ndryshe do të kalonte sikur në Gjilan. LDK e ruajti Istogun , Fushë Kosovën , Vitinë , Lipjanin dhe Pejën kurse fitoi Prishtinën dhe Junikun . E humbi Gjilanin dhe Vushtrrinë . Po të kishte një bashkëpunim me gardën e vjetër të LDK-së në Podujevë , LDK-ë do ta fitonte Podujevën pa asnjë problem. Reforma në parti nuk nënkupton që themeluesit e LDK-së në Podujevë të injorohen në atë masë sa edhe përqeshen dhe luftohen më shumë se edhe nga vet opozita. Kjo është taksa e humbjes së LDK-së në Podujevë . Personalisht jam i kënaqur për faktin se me këtë humbje po fiton shëndeti publik përkatësisht pacientët e sëmurë nga kanceri që kanë shumë më tepër nevojë për një onkolog si puna e Ekrem Hysenit se sa një kryetar komune . nëse ai do të zgjidhej. Realisht kam shumë shpresa se Përparim Rama , me një ekip të përzgjedhur ekspertësh , pa u ndikuar dhe diktuar politikisht do të ketë sukses të vendosë një rregull urbanistik në xhunglën e quajtur Prishtinë që i ngjanë çdo gjëje por assesi një qyteti normal e lëre më metropolitan. Urime Përparim dhe shumë suksese.
  3. Aleanca  për Ardhmërinë e Kosovës : Ndonëse humbi Obiliqin dhe Junikun mbeti forca e tretë lokale duke i ruajtur komunat që i qeverisi në mandatin e fundit , Gjakovën , Deçanin , Klinën , Rahovecin dhe Suharekën . Suhareka dhe Rahoveci janë qeverisur aq mirë nga Bali Muharremaj dhe Smajl Latifi prandaj e kanë fituar garën me plotë meritë. Deçani është parapagim dhe i prenotuar për qeverisje të AAK-së pavarësisht kush është në pushtet. Ardian Gjini e fitoi edhe një mandat përballë Mimoza Kusarit , edhe për shkak të punës që e ka bërë por edhe me ndihmën e madhe të partnerëve , PSHDK-së , PDK-së dhe LD-së. Klina disi po bëhet pjesë e kartës politike të qeverisur nga AAK-ë prandaj e fituan edhe një mandat. Përveç se e siguroi një qeverisje stabile në komunat ku doli fituese , AAK –ë e rriti edhe numrin e asambleistëve komunalë dhe në disa komuna , duke filluar nga Prishtina ku besoj se do të jetë pjesë e qeverisjes.
  4. Lëvizja VETËVENDOSJE : As  në imagjinatën më të skajshme nuk kam besuar se LV –ë do ta pësojë një rënie të tillë. Në fillim , në analizat e mia pata shkruar se LV –ë , në nivel vendi në zgjedhjet lokale do të fitojë midis 42 -45 % . Dola i huqur ndërsa për të gjitha të tjerat ia qëllova. Pata menduar se pa balotazh LV –ë do ta fitojë Prishtinën , Prizrenin dhe Mitrovicën kurse do të garojë fuqishëm për Gjakovën dhe Gjilanin ndërsa Peja dhe Ferizaj aktualisht për LV –ë mbesin vetëm : “ ëndërr e një nate vere … “ . Në balotazh kisha një siguri se Përparim Rama e fiton Prishtinën , Shaqir Totaj Prizrenin , Ardian Gjini Gjilanin për faktin se partitë tjera mund të siguronin vota kundër LV –së dhe ashtu ndodhi. Për Gjilanin mendoja se gjasat ishin 50 % me 50% mirëpo kandidati i LV-së u treguam se ishte më i shkathët dhe Luta humbi sepse partitë partnere nuk ishin në gjendje t’i siguronin 4-5 % të votave që i duheshin për të fituar. LV –ë bëri gabime sepse ra në gjumë të thellë të dehur me 50% e votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke shpresuar se Albini , i vetëm do të sjellë vota për të gjithë kandidatët e LV-së. Patën fushatë të shkurtër sepçse ishin të sigurt në fitore ! Nuk ndërmorrën masa të sigurojnë partneritet me partitë tjera për balotazh. Menyja e propozuar e kandidatëve të LV –së për kryetarë të komunave ishte thuaja vetëm një parapjatë për kundërshtarët e tyre. Gabimin e madh e bënë me Agim Bahtirin në Mitrovicë . Nuk nevojitet ndonjë test për matje të inteligjencës e që Albin Kurti ta kuptojë potencialin intelektual dhe poloitik të Agim Bahtirit . Pastaj , në momentin kur Agim Bahtiri doli me kërcënim të hapur se : “ nëse LV –ë nuk do ta kandidojë për kryetar komune , do të investojë 1 milion euro në fushatën e Bedri Hamzës .. “ , Albin Kurti është dashur ta eliminojë si kandidat sepse , LV fitoi 50 %  të votave në emër të luftës kundër korrupsioinit , krimit të organizuar dhe shantazhit . Po ta largonte Bahtirin nga lista , për këtë arsye , LV –ë do ta fitonte Mitrovicen edhe me një kandidat nga ekipi i dytë i LV –së . Pa asnjë dyshim ! Ishte dështim total rikandidimi i Mimoza Kusarit për Gjakovën si dhe Mytaher Haskukës për Prizren . Mytaheri është ekspert i shkëlyeshëm në fushëm e statistikave por i mungon kapaciteti menaxherial. Mimoza Kusari është shumë e zonja por për shkak të lëvizjeve të shumta në planin kombëtar dhe ndërkombëtar , e ka të cenuar besueshmërinë . Kandidati për Ferizaj ishtetregim në vete , humor i zi katran. Sikur ai i Vushtrrisë që premtonte Fabrikë të Grave . Edhe vizita vendlindjes e Sali Zybës ishte më tepër kthim në të kaluarën që nuk i siguron as të sotmen e lëre më të ardhmën politike të pushtetit lokal. Kandidati për Gjilan ishte i qëlluar prandaj solli rezultate. Nuk ka qenë aspak vështërë të fitohet Kamenica kurse Podujevën ia siguruan vet LDK-ë , garda e vjetër që u nxor nga loja . Edhe Shtimen e fituan për : “ grykë të pushkës ..”. Mirëpo , qëllimi dhe zhgënjimi ishte Prishtina. Kam përshtypjen se Arben Vitia , me dëshirë as nuk do të bëhej ministër i Shëndetësisë e aq më pak kandidat për kryetar të Prishtinës. Por , Zëri i Partisë , Zëri i Zotit . Arben Vitia u ndihmua shumë pak kurse ai ishte në një letargji të thellë . Në balotazh , Arben Vitia ishte inferior , jo ndaj LDK-së por ndaj Përparim Ramës. Përparim Rama u ndihmua nga krejt garda e vjetër e LDK-së , që nga koha e Epokës së Gurit , nga të rinjtë dhe të rejat e LDK-së e sidomos nga partitë opozitare prandaj bëri një rikthim spektakolar , të pabesueshëm , me një fjalë. Mendoj se rënia aq e madhe e LV –së ndodhi shkaku i rritjes shumë të madhe të LV –së në zgjedhjet e fundit nacionale. Kjo rritje nuk u menaxhua si duhet dhe në një hapësirë aq të madhe të pushtetit që e fitoi LV –ë , ishte e pamundur të mbushej me kuadro cilësorë prandaj në atë thes të madhe të pushtetit futën çdokend dhe çdogjë duke krijuar një masë amorfe që vetëm kishte shkëlqim por përmbajtja ishte e zbrazët. Pastaj , LV –ë , të gjithë aktivistët të pakompromis në mbrojtje të çështjes kombëtare i zhvendosi në margjina për t’i zëvendësuar me ata që nuki kishin asnjë të kaluar kombëtare . Madje kishin një të kaluar antikombëtare . Të gjithë përkrahësit e LV –së që e patën përkrahur në kohë kur fasulja hahej kokërr për kokërr , i etiketoi  duke ua lëshuar kordonët vrastarë virtrualë. Rasti i Kimete Berishës ishte rasti i pandershmërisë më të ulët dhe hakmarrjes më morbide  që ia bënë një femre shumë të mençur dhe të guximshme që para zgjedhjeve të përgjithshme  e përdori tërë arsenalin e armatimit në mbrojtje të LV –së , përjashtuar këtu bombën atomike që nuk e kishte në dispozicion. Premtimi se murat Jashari do të bëhet President i Kosovës në kohën kur Vjosa thuaja e kishte siguruar këtë post i shkaktoi LV –së rritjen e pabesueshmërisë ndaj tyre. Qëndrimi jokorrekt për të arrestuarit nga Gjykata Raciste Speciale në Hagë e uli LV –ën në vota dhe e rriti PDK-në në vota. Karshillëku ndaj Shqipërisë e sidomos pjesëmarrja në zgjedhje të LV –së në Shqipëri shpërfaqi ambiciet e LV –së përtej kufijve të Kosovës. Ndërhyrja në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut duke e satelituar Zijadin Selën , e dëmtoi , si Selën ashtu edhe LV –në. Nëse më parë opozita ishte ajo që i shkaktonte probleme në vendimmarrje , tash LV –ë ka kapacitet të plotë për vendimmarrje por nuk po e shfrytëzon . LV –ë nuk ka Ekip për negociata me Serbinë hiç këtu personat që , për para bisedimet i kanë shndërruar në mercenarizëm ! Qytetarët e kanë përkrahur LV –në , besoj se kjo përkrahje ndonëse ka rënie , nuk i pengon LV-së të merr vendime të drejta dhe të mira për vendin. Por pa opozitën nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. LV –ë duhet t’i hapë të gjitha dyert për opozitën kosovare në të kundërtën do të jemi në një situatë kur , jo që nuk do të pyetemi fare por se do të na ofrohet një zgjidhje që , çdo ditë që kalon do të jetë më e keqe për Kosovën ! Besoj se LV –ë , do të nxjerrë mësim nga ky pësim në të kundërtën zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Në çdo variant , çdo subjekt politik kosovar është më i mirë dhe më i dobishëm për Kosovën se Lista Serbe . Shpresoj se LV –ë do ta kuptojë këtë. Nëse LV –ë e kupton këtë , të kota janë kërcënimet e Listës Serbe se , përmes bojkotimit të institucioneve të Kosovës do të shkaktojë krizë qeveritare , duke e shantazhuar qeverinë Kurti 2 dhe vet kryeministrin Kurti . Në asnjë variant nuk shoh mundësi që për shkak të fiaskos së pësuar në zgjedhjet lokale në Kosovë , Albin kurti do të bëhet Zaev sikur që as opozita nuk do të duhej të kërkonte zgjedhje të parakohshme. Nëse Albin Kurti  vlerëson se duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme , këtë edhe do ta bëjë. Opozita aktuale në Kosovë në asnjë mënyrë , me vota , nuk ka mundësi ta rrëzojë Albin Kurtin . Albin Kurtin mund ta rrëzojë vetëm Albin Kurti apo proceset nëpër të cilat domosdoshmërisht do të kalojë Kosova . Për fund dua ta përmend Baton Haxhiun për një eksitpoll , çmendurisht të saktë !

Urime dhe punë të mbarë për të gjithë kryetarët e sapozgjedhur në Kosovë pas zgjedhjeve lokale .

15 nëntor 2021 Prishtinë                   Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura