MR.SC.REXHEP AHMETI: AZEM VLLASI – SHTREMBËRUESI I FAKTEVE HISTORIKE (I)

 (Mitrovicë, 12. 01. 2013) – Reagim lidhur me vetëdijen e ulët kombëtare dhe me disa teza politike destruktive zyrtare të ish-“elitës”, me orientim jugosllav, në ish-Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) në krye me Azem Vllasin… Në Mitrovicë e rreth Trepçës ka ekzistuar dhe vepruar grupi kombëtar politik, klasor, me emrin “Minatorët e Kuq” dhe me organin e tij “Bota e proletarëve”.
GREVAT E MINATORËVE TË TREPÇËS DHE ELITAT POLITIKE; AJO “REVOLUCIONARE”, DHE AJO “KUNDËRREVOLUCIONARE”
1. Tema e fazës së Lëvizjes kombëtare punëtore e viteve 1988-1989 dhe shtrembërimi i saj (e 1988-ta para 1981-tës!!¬!, sipas Azem Vllasit)
Diçka që nuk e paskemi ditur! Ja një interpretim jashtëtokësor titist (i një nxënësi të zellshëm të Josip Broz Titos): “Më 17 nëntor të vitit 1988, në Kosovë nisi një lëvizje politike e cila mund të vlerësohet si mbarëpopullore. Lëvizja e gjithë shqiptarëve të Kosovës “Kështu shkruhet, qysh në paragrafin e parë të vështrimit (shkrimit) të zotëri Azem Vllasit me titull: “Marshi i nëntorit 1988, etapë historike e rrugës deri te liria”, botuar në gazetën “Koha ditore” e datës 22 nëntor 2012, f. 10. (Lexoni artikullin: “Marshi i nëntorit 1988, etapë historike e rrugës deri te liria” http://www.koha.net/?page=1,9,124546 – Sh.B)
Sipas autorit, “një lëvizje e re politike ” mbarëpopullore paska filluar më 17 nëntor 1988! Nga ky konkluzion (politik dhe joshkencor) del, indirekt, se më përpara, në mars e prill të viti të Madh 1981 nuk paska pasur lëvizje politike mbarëpopullore! Vetëm se sa nuk ka ripohuar se ajo LËVIZJE E VITIT 1981, ka qenë kundërrevolucion, kundër sistemit të atëhershëm antirepublikan të bashkim – vëllazërimit edhe me Serbinë okupatore në Kosovë! Të gjithë e dimë kualifikimin që iu pat bërë autori i këtij xhevahir – shkrimi të fundit në “Kohën ditore”, z. Azem Vllasi.

AZEM VLLASI

Sipas autorit marshi i nëntorit 1988 ishte “etapë historike”, ’’kthesë historike”! Dhe autori përsëritë edhe njëherë në këtë artikull; “Lëvizja e shqiptarëve në Kosovë e nisur më 17 nëntor 1988 ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë”?!
Është krejt e qartë se ky ish-politikan dhe tani opinionist me hapësira të bollshme publike (shumë më shumë se ne ish-ilegalët dhe ish-ushtarët e eprorët në ish-UÇK-së) mundohet ta mohoj Rrënjën e Lëvizjes kombëtare ilegale, rëndësinë historike të viteve 1968-1981 (e më herët), kontinuitetin e lëvizjes, bënë prerjen e saj me thikë, për t’ia përshtatur historinë vetes dhe për t’i shpërlarë duart nga ish-funksionari dhe politikani i vitit 1981, nga kundërshtari i veshur me pushtet i parullës kryesore të vitit 1981: REPUBLIKË KUSHTETUTË JA ME HATËR JA ME LUFTË! Prandaj nuk është, fare e çuditshme, por normale për ish-politikanët shqiptarë titistë që ishin në pushtet ose afër tij, që edhe në rastin e Grevës së Minatorëve të vitit 1989, ta hiqnin apo të mos e lejon parullën kryesore udhëheqëse të vitit 1981, KOSOVA-REPUBLIKË, të cilën e pranojnë se e kanë hequr Burhan Kavaja e Aziz Abrashi, udhëheqës të atëhershëm të Trepçës, pra nënkuptohet, se deri diku, lidhur me heqjen e parullës Kosova-Republikë, edhe ata ishin përçues specifik të vijës politike të kryefunksionarit antirepublikan z. Azem Vllasit.
Nuk jam assesi që as në këtë shkrim, as në ndonjë tjetër ta mohoj rolin edhe pozitiv që patën në Grevën e Minatorëve të z. Burhan Kavaja, Aziz Abrashit, Azem Vllasit e të tjerët, por jam gjithsesi që ngjarjen dhe lëvizjen shqiptare në Kosovë për Republikë dhe Ribashkim Kombëtar ta shohim realisht, objektivisht, pa personalizime, pa politizime, pa prerje a shkëputje të saj për shfajësime politike (sikur të ishte ajo prerje shiriti e ndonjë lëvizje të veçantë personale a grupore). As Azem Vllasi e as askush tjetër nuk do të mund ta personalizojë, të politizojë, ta pres, ta shkëpus përgjithmonë lëvizjen vitale shqiptare për Republikë dhe Ribashkim kombëtar.
E kuptoj se, ndoshta, edhe përkundër një segmenti psikologjik të dëshirës së tyre klasa politike shqiptare që ishte në udhëheqje të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës (KSAK), nuk ka mundur të dalë nga kufizimi i tërësisë së tyre, psikologjisë politike të ish-sistemit, sepse shumica e politikanëve të saj kanë pasur si synim jo përparimin e statusit të Kosovës në Republikë, por ruajtjen e ish-sistemit (që kishte marrë teposhtën e shkatërrimit), pra edhe Kushtetutën e vitit 1974, të cilën ata e kanë numëruar si Republikë (për ta ka qenë edhe Republikë e shkuar Republikës, sepse aty ishin të privilegjuar, ndërsa për popullin nuk ishte Republikë). Prandaj, ish-klasa udhëheqëse politike e ish-sistemit në KSAK, duke ndejur komod në veshën e psikologjinë e tyre politike (dmth pa parullën e qëllimin e Kosovës Republikë dhe Ribashkimin me Shqipërinë) nuk iu bashkëngjitën lumit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, të ideuar e të programuar përgjithësisht e zyrtarisht nga Lëvizja Ilegale shqiptare.
Anëtarët e “elitës së re politike” (siç i quan Azem Vllasi) filluan shumë vonë ta kundërshtojnë politikën zyrtare (titiste) të ish-sistemit të vetëqeverisjes socialiste, të transformuar më vonë në millosheviqizëm. Ndodhi kjo kur po rrezikohej të përmbysej nga Millosheviqi ideali tyre politik e kombëtar, jugosllavizmi e Kushtetuta e vitit 1974. Ja si e ka vërtetuar këtë z.Azem Vllasi në vështrimin e tij, të cilin po e analizojmë: “Falanga e re serbe, e frymëzuar dhe e udhëhequr nga Millosheviqi… kërkonte rikthimin e Kosovës nën pushtetin kushtetues të Serbisë,… dhe reduktimin e të drejtave të shqiptarëve të fituara me Kushtetutën e vitit 1974… Elita e atëhershme politike, ku bëja pjesë edhe unë, u rreshtua për ta mbrojtur pozitën Kushtetuese të Kosovës nga presione të tilla të Beogradit. Për këtë arsye dhe populli u rreshtua për të na përkrahur.“(1)
Populli ynë dhe grupi “Minatorët e kuq”, si gjatë parapërgatitjeve të grevave të minatorëve të vitit 1989 ashtu edhe gjatë tyre, po edhe pas tyre, kishim motiv dhe qëllim shumë më të lartë se ky që e ka përshkruar Azem Vllasi në këtë shkrim.
Dhe pasi populli, sipas Vllasit, qenka rreshtuar vetëm për mbrojtjen e Kushtetutës së vitit 1974, pse atëherë elita politike e atëhershme, si edhe ato të mëhershmet, nuk e shfrytëzuan situatën dhe nuk e mbrojtën, me të gjitha mjetet që ia lejonte Kushtetuta e vitit 1974, rendin kushtetues të atëhershëm, por kur ishte koha nuk e penguan Jugosllavi-Serbinë ta çarmatoste popullin, t’ia rrëmbente armët që ishin në çdo organizatë punonjëse, pra edhe në TREPÇË, në polici, në mbrojtje territoriale por e lejuan Millosheviqin të merrte pasuritë e armët që ishin prurë me punën dhe djersën e qytetarëve të Kosovës, klasës punëtore (90% shqiptarë) dhe elitat zyrtare (jugosllave-titiste) të Krahinës, të cilat ishin shumë të ashpra kundër atdhetarëve dhe popullit të vet, ndërsa puthadore ndaj pushtuesve dhe sistemit të tyre) nuk patën “kapacitet dhe pozitë” (shprehje e Vllasit) që të veprojnë ngjashëm siç vepruan, në të njëjtën situatë elitat politike sllovene, kroate etj.
Vllasi në këtë artikull për mosveprimin e duhur të elitës politike të atëhershme, të cilin nuk e thotë por e nënkupton, arsyetohet me: “Mjerisht, pozita jonë ishte e kufizuar ngase ishim pjesë e mekanizmit partiak dhe të sistemit të pushtetit jugosllav. Ishte dobësuar edhe nga përplasjet që kishim me Beogradin që nga ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë”. Të ‘81-tën Azemi, e trajton vetëm në këtë aspekt negativ, për tu shfajësuar dhe për të treguar se pozita ishte dobësuar, sepse këta (nacionalistët, irredentistët) paskan pasur një konfrontim me Beogradin, prej vitit 1981! Nuk e thotë dot, se ky (vet Azem Vllas(t)i dhe një pjesë e madhe e “elitës” krahinoriste politike u konfrontua me popullin dhe lëvizjen e vitit 1981, kur ngjarjet i kualifikuan Kundërrevolucion dhe Vllasi doli në anën e Beogradit, duke diferencuar dhe ndikuar që të ngujohen në burg elitat intelektuale dhe politike të cilat e kishin krijuar dhe e përkrahnin parullën e madhe të Kosovës Republikë.
Kjo argumenton se Vllasi ka gdhendur në këmbë të veta për ta mbajtur pozitën e vet dhe ka dobësuar pozitën e kombit ndërsa ankohet se nuk kanë pasur kapacitet dhe mjerisht nuk kanë pasur mundësi të veprojnë ndryshe! Modën e përshtatjes me gjithçka që vinte nga lart, nga kreu i Jugosllavi-Serbisë duket se e ka prishur “elita” politike që vetëm kur iu rrezikua seriozisht karrika (kolltuku) doli në anën e popullit dhe ia bashkua prirjes së tij në vend që ta bënte punën që paguhej, t’i printe vet popullit në realizimin e vullnetit popullor, për çka populli kishte dal me guxim e revolucionaritet në demonstratat historike të viteve 1981-1988 dhe në proceset që vazhduan më tutje.

Greva e minatorëve të Trepçës, (Shkurt 1989).

Kjo, si duket është “thembra e Akilit” e gati të gjitha elitave politike shqiptare legale të derisotme në Kosovë: paguhen nga populli, e duan udhëheqjen por kur vijnë sfida kryesore, momenti vendimtar që bart me vete edhe rrezikun personal, pos atij politik, pra kur të vjen puna tata mata, e lënë popullin të udhëheq dhe të derdh gjak, ndërsa vet e thyejnë qafën në bostan, në vend që vet ta marrin situatën në dorë, siç patën vepruar elitat politike sllovene, kroate, malazeze etj? Ndërsa më vonë, po të njëjtit bostanxhi kur dikush i ndryshon gjërat, na shiten si kontribues patriotë të çështjeve të ndryshme të popullit a kombit. Del pyetja, pse të gjithë (sllovenët, kroatët, bile edhe maqedonët dhe malazezët) ata ditën dhe patën kapacitet, ndërsa vetëm “elita” politike shqiptare me orientim jugosllav-titist u përça dhe nuk pat sukses? Kjo është e qartë dhe nuk do ndonjë analizë te gjatë. Këto gjëra ka ardhur koha që ta hapen tani. 
Personazhi ynë, të cilin po na detyron ta analizojmë (Azemi jugosllav, antipod i Azem Bejtës) shkruan: “Në një situatë të tillë populli vet u organizua dhe u ngrit në mbrojtje të vetvetes dhe Kosovës“ (2) Një popull që bijtë e bijat e tij kishin Programin për Republikë prej vitit 1981 dhe që me bijtë e bijat e tij ishin mbushur burgjet, të ndihmuar edhe nga Azem Vllasët, nuk mund të jetë po ai, aq i paorganizuar, që është vënë a lëshuar në valët e spontanitetit. Dhuna kundër ideve të bijve dhe bijave më të mirë të popullit, hipokrizia e mohimi i kombit shqiptar në ish-jugosllavi, përpjekjet për shkombëtarizim a transformim në shqiptarëve në komb jugosllav, dhuna fizike e shtypja në të gjitha aspektet dhe me të gjitha mjetet e mundshme e kombit shqiptar ndikoi në organizimin e masave dhe i shtyri ato në marshet për liri, që i kishin nisur edhe me herët por i kishin vazhduar edhe më 1981 e më vonë (pra edhe më 1988, 1996,1997, etj.)
Në vend që Azem Vllasi të pendohet dhe t’i kërkoj falje popullit dhe elitës politiko – kombëtare që atëherë e kishte udhëhequr popullin me Program politiko – kombëtar të Pavarur, nga sistemi e institucionet pushtuese, (që më në fund e lanë, “elitën” politike krahinore, të vetme në përballje me kuçedrën millosheviqiane, siç shprehet A. Vllasi) ai mbron, me kryeneçësi dhe indirekt kualifikimet që ua kishte dhënë ngjarjeve vërtetë historike të vitit të madh 1981, si “kundërrevolucion”, dhe programuesve të Republikës e Bashkimit kombëtar, elitës së vërtetë kombëtare, si “kundërrevolucionarë”, nacionalistë, separatistë, irredentistë, ngase kështu i mësonte dhe për këtë i paguante sistemi i okupatorit për të cikin flet “pjesëmarrësi i ngjarjeve të nëntorit 1988”, siç e ka cilësuar ai veten në fund të artikullit që po shqyrtojmë.
Pra, po ai Azem Vllas që në vitin 1981 e diferenconte Ali Hadrin, Ukshin Hotin, Halil Alidemën, Shemsi Reçicën e shumë e shumë të tjerë, duke i vënë ata nën kualifikimin zyrtare (titiste) “kundërrevolucionarë”, tani në këtë artikull na del si anëtarë i “elitës” së vetme politike të atëhershme të Kosovës sipas tij. Po indirekt, na del edhe si “revolucionar”, ndërsa, i apostrofuari, në këtë artikull, pohon me gojë të vet, edhe tani në vitin 2012 se ai vet ishte “truri i grevave të minatorëve të Trepçës në vitit 1989” (3).
Pra Azem Vllas(t)i paska qenë jo vetëm si anëtar i “elitës” politike por edhe udhëheqës kryesor, truri i lëvizjes punëtore në Trepçën e viteve 1988 – 1989!!! që paska bërë etapë historike në rrugën drejt lirisë!!! Ngase vetëm tani, ai, indirekt e pranon se në sistemin të cilit i është bërë shërbëtor dhe nga i cili është paguar, nuk paska pasur liri! Ndërsa, atëherë, kur ka luftuar, diferencuar, qahet ”se pozita jonë ishte kufizuar” që nga ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë kur kësaj elite iu deshtë të kishte përplasjet me Beogradin, siç e pranon edhe vet Vllasi në këtë artikull. Por edhe për këtë kohë, për vitet 1988-1989 Azemi, po sivjet, ka shkruar: “Koha për rebelim total nga ai sistem akoma nuk ishte e përshtatshme dhe me plot rreziqe që të rrëshqisnim në luftë të papërgatitur.” (4)
Është shumë, e çuditshme, shumë djallëzore dhe inatçore e këtij soj politikani, siç është Azem Vllasi, i cili as sot (2012) në Republikën e Kosovës nuk e pranon rolin kuç të vitit 1981 për procesin e luftës për Republikën e Kosovës, sepse kjo ishte realizim i Programit të OMLK-së për Republikën e Kosovës, si fazë e parë e Ribashkimit të Kombit dhe trojeve etnike shqiptare. Pra Azem Vllasi as sot gjithashtu nuk e pranon se lëvizja punëtore kombëtare e viteve 1988-1989 në Kosovë, me qendër në Trepçën heroike, ishte pjesë e Lëvizjes Ilegale Shqiptare të filluar në fuqizuar me demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981 kur iu dha ultimatum pushtetarëve titistë që e mbanin në këmbë sistemin pushtues: ose Republikë me hatër ose luftë çlirimtare! E kapaciteti i “elitës” politike dhe i vet Azem Vllasit si anëtar i asaj elite nuk e kuptonin, prandaj as nuk e merrnin seriozisht ultimatumin e vitit 1981 për Republikë të Kosovës (madje ai pa fije turpi edhe tani e mohon fare të ketë qenë parulla KOSOVA-REPUBLIKË parulla kryesore e demonstratave të vitit 1981) dhe vitin 1988 e qet para vitit 1981 përkah rëndësia politiko-kombëtare, sipas tij!
2. Shkrirja e Lëvizjes se 81-shit në të 89-tën!
Ai (Vllasi) aq shumë e hiperbolizon marshin e minatorëve të vitit 1988 sa që thotë, pohon edhe një absurditet dhe gënjeshtër të padëgjuar, gjer më tani, se: ”Pas ngjarjeve të nëntorit të 1988 nuk kishte nevojë për veprimtari ilegale patriotike të grupeve apo organizatave të ndryshme. Grupet ilegale dhe njerëzit që prej kohe kishin punuar për çështjen kombëtare dhe për Kosovën, u shkrinë në këtë lëvizje mbarëpopullore. Ndodhi një lloj pajtimi politik gjithëkombëtar.”(5) Kështu ka spekuluar, “analisti politik” jashtëtokësor, se ne që ishim duke punuar përnjëmend për çështjen kombëtare dhe Kosovën Republikë ilegalisht e legalisht e ecnim, më shumë këmbë, verërave, nëpër pluhurin e tokës së Kosovës mëmë, ndërsa vjeshtave e dimrave nëpër baltën dhe borën tokës at (babë) të Kosovës sonë të dashur, ngase kishim ardhur në përfundim se vetëm kështu, me veprimtari të pavarur nga shërbëtorët shqiptarë të pushtuesit (të cilët na përcillnin këmba këmbës se ishin pjesë e mekanizmit robërues dhe dhunues të okupatorit) ne mund ta bënim Kosovën vërtetë Republikë (shtet) e cila do të ketë në Programin e saj (tani të pashkruar, por që është në ADN-ën embrionale të Republikës së Kosovës) si fazë e dytë, Ribashkimin kombëtar.
Prandaj, jo vetëm që nuk është ndalur Lëvizja Ilegale Kombëtare e Sociale për Republikën e Kosovës dhe Ribashkimin me Shqipërinë por prej vitit 1988-1989 e tutje është intensifikuar edhe më shumë. Këtë e vërteton edhe Letra e parë dhe e dytë e Celulës bazë dërguar Komitetit Organizativ të OMLK-së të datave 12-22 shkurt 1991 dhe 3 mars 1991. (Dokument i fshehur dikur dhe i gjetur, pas luftës së UÇK-së, nga ish-Ilegalja shqiptare në Kosovë. Ekziston në Trepçë (Stantrëg), Mitrovicë, Prishtinë etj.) Këto dy letra kanë qenë një pararojë ilegale kombëtare klasore, mu të rrethit të Mitrovicës që i janë dorëzuar edhe Këshillit drejtues të LPRK-së (organizatës së masave të gjëra popullore), sepse kjo lëvizje ka qenë e gjallë, dinamike, me alternativa të ndryshme, kritike edhe ndaj vetvetes kur ka bërë gabime, e riparueshme, sepse jo që nuk u shua por më vitin 1991-1993 u krijua edhe një subjekt i ri i saj LKÇK-ja, e cila nuk u pajtua me ca dobësi të LPRK-së.
Pra, ja faktet që argumentojnë se si spekulon, apo thjesht se si gënjen pa fije turpi Azem Vllasi, i cili edhe sot po vazhdon hapur dhe i papenguar nga askush veprimtarinë e tij destruktive kundërhistorike kundër atdhetareve dhe luftëtarëve (që ai përsëri mundohet t’i rinjollos duke i quajtur, me nënçmim, militantë marksistë-leninistë, me patos enveristë. Hahahaaa!) duke gënjyer edhe opinionin e sotëm, me dokrra të tilla, që i cituam më lartë dhe kinse në vitin 1998 qenka shuar dhe shkrirë LËVIZJA ILEGALE SHQIPTARE (lëvizjet tona) në lëvizjen e marshit të nëntorit të vitit 1988, në “lëvizjen e Azem Vllasit”! (Hahahaaaa) Dhe “u shkrinë në këtë lëvizje mbarëpopullore” ka shkruar Vllasi (në këtë nëntor të vitit 2012), për ne, ish-anëtarët dhe luftëtarët e pa kompromis të shumë grupeve e organizatave atdhetare e sociale për Republikë dhe Ribashkim Kombëtar! A nuk është kjo rrenë e kulluar, humor i zi kundëratdhetar e kundërsocial, a nuk është kjo dëshirë vërtetë e sëmurë e Azem Vllasit, sepse ai ka spekuluar edhe me një çështje tjetër; kinse atëherë, në nëntor të vitit 1988 paska ndodhur “një lloj pajtimi politik gjithëkombëtar“ (6)
Po të kishte ndodhur ajo shkrirje, apo vetëvrasje jona kombëtare politike, shtetërore, sociale, për të cilën ka fantazuar Vllas(t)I (7), atëherë vaj halli për Kombin a shoqërinë tonë! Nuk do të kishte pasur fare UÇK, as luftë çlirimtare si shkallë dhe faze më e lartë e organizimit të kombit për Republikë e Ribashkim. Sepse UÇK-ja nuk është formuar duke informuar Azem Vllasin me anëtarët tjerë në “kalin e Trojës”, të cilin e përmend vet në shkrimin e tij.
Vllas(t)i njërin nga momentet, në mesin e dhjetëra e dhjetëra momenteve të tilla të Lëvizjeve për Republikë e Ribashkim Kombëtar, pra vetëm disa ditë të lëvizjes punëtore në nëntor të vitit 1988 (si pjesë e Lëvizjes së përgjithshme për Republikë e Ribashkim kombëtar) i bënë një lëvizje të tërë e cila paska bërë që “Çështja e Kosovës u hap para opinionit demokratik ndërkombëtar dhe kurrë nuk u mbyll deri në çlirim definitiv në vitin 1999“ (8) Pra, është e qartë se Vlla(s)ti në këtë shkrim fare nuk e përmend rolin e UÇK-së për “çlirim definitiv” të Kosovës. Ja edhe një inat pasional, edhe sot i këtij titisti ndaj subjekteve dhe subjekteve politiko-ushtarak. Kjo tregon psikologjinë tiranike, mizorinë politike të një anëtari të një “elite” politike jugosllave dhe nuk ka të bëjë me asnjë bindje dhe analizë politike të këtij avokati kaq të urryer të kundërrevolucionit antirepublikan, sepse ai nuk e donte por e uftonte Republikën, jo vetëm në vitin 1981, por edhe më vonë, sepse vetëm kur atij iu rrezikua pushteti, karrika ai e pa okupimin dhe sipas tij vetëm në vitin 1988-1989 pasoi gjendja e okupacionit.
”Me forcë u shkel pozita kushtetuese e Kosovës dhe pasoi gjendja e okupacionit“ – shkruan Azem Vllas(t)i në këtë artikull “jubilar”. Dhe del pyetja logjike, pse Azem Vllasi dhe anëtarët tjerë të “elitës politike”, siç ka qejf t’i quaj Vlla(s)ti, udhëheqësinë “kombëtare” të atëhershme të Kosovës, e cila nuk bëzani pas okupimit të Kosovës, (që sipas tyre u bë në vitin 1981-1989!), dhe nuk organizoi çlirimin ushtarak dhe politik të Kosovës, po ia lanë “kundërrevolucionarëve”, ithtarëve të organizatave ilegale që ishin marksistë-leninistë, stalinistë, enveristë dhe që nuk e ndiqnin shembullin e “revolucionarëve”, “elitës politike” të Azem Vllasit me kompani. Këtë kanë mundur të mos e bëjnë, jugosllavët titistë shqipfolës sepse kanë pasur mendimin “politik” (të hollë dhe të mençur) se “ Koha për rebelim total nga ai sistem akoma nuk ishte e përshtatshme dhe me plot rreziqe që të rrëshqisnim në luftë të papërgatitur“ (9) Kjo pra ishte “filozofia politike” e lëvizjes së shkrirë të Azem Vllasit dhe e “elitës përkatëse” zyrtare që bëri epokë në vitin 1988-1989 në Krahinë e Kosovës!
3. NËNÇMIMET, SHPIFJET DHE FYERJET E VITIT 2012 QË IU BËRI AZEM VLLAS(T)I REVOLUCIONARËVE TË VËRTETË, ME RASTIN E 100 VJETORIT TË PAVARËSISË SË NJË PJESE TË SHQIPËRISË
ose
Në batakun e politikës zyrtare, antirepublikane dhe antishqiptare të vitit 1981.
Kur dëgjova edhe në vitin 2012 gjithë këtë mllef dhe politikë të paskrupullt të Azem Vllasit drejtuar kundër bartësve kryesorë të proceseve politike – çlirimtare, revolucionarëve të vërtetë që sollën Republikën e Kosovës, si fazë e parë e Ribashkimit me Shqipërinë, nuk munda pa shkruar pjesën e parë të shkrimit GREVAT E MINATORËVE TË TREPÇËS DHE ELITAT POLITIKE; AJO “REVOLUCIONARE”, DHE AJO “KUNDËRREVOLUCIONARE”, që u botua në www.albaniapress.com, në rubrikën histori, më 29 dhjetor të vitit 2012. Në këtë shkrim me fakte argumentova se si po spekulon e gënjen, pa fije turpi, Azem Vllasi kundër atdhetarëve dhe luftëtarëve, duke manipuluar djallëzisht e marrëzisht opinionin e sotëm publik, ende të pakonsoliduar sa duhet. Ata që duan ta shohin vet ketë “analist politik”, të vitit 2012, ata që duan të kuptojnë se si e sa po hedh ai helm e vrer kundër bijve e bijave më të mirë të këtij populli, le të mos përtojnë dhe të hyjnë në google duke shkruar:” Azem Vllasi n’Rrokum: Unë jam truni i protestave të minatorëve të vitit 1989”. Aty mund të shihni me sytë tuaj dhe do të mund të dëgjojnë me veshët tuaj se si ky trupëzim i idesë së jugosllavizimit titist, tani i shndërruar në “demokrat“, mohon politikisht, akuzon e fyen gjenerata të tëra atdhetarësh e revolucionarësh shqiptarë që luftuan për Atdhe, Shqiptari e Liri. Ky avokat i kundërrevolucionit, assesi nuk po e pranon kthesën rrënjësore që solli viti 1981. Edhe sot e gjithë ditën 1981-tën Vllasi e sheh negativisht, ndërsa ata që e sollën ’81-tën i sheh si të padijshëm, të mjerë, pa kapacitet politikë, prandaj edhe reaksionarë, dmth njerëz që paskan kthyer prapa Kosovën!
Sipas tij 1981-ta ”e destabilizoi Kosovën, i dha shanse Serbisë, na kthyen pas, na qitën në dy gujt, ishin të pa artikuluara, pa program politik”, thotë ai shprehimisht në emision që përmendëm. Kur ta dëgjosh duke i qitur nga goja gjithë këto helme, edhe tani, të shkon mendja ta pyesish veten: A po flet Azem Vllasi kështu apo po më bëjnë veshët? Aq shumë paska qenë i mishëruar ai me politikëbërjen e vet në të ’81-tën dhe më vonë, sa që assesi, nuk po mund të shkëputet nga ajo; kurrqysh nuk po mund të realisht në vitin 2012, sepse ka ngelë politikisht e shpirtërisht në politikën e vet të vitit 1981! Dhe flet ai, përsëri publikisht, si analist, mundohet të imitojë demokratin dhe vazhdon: ”është fakt se militantët e demonstratave të vitit 1981-shit, kanë qenë të ri, struktura sociale rurale, kryesisht ithtarë të flakët të Enver Hoxhës dhe të sistemit stalinist, të Enver Hoxhës në Shqipëri. Tash thonë, se nuk e kemi ditë se çfarë ishte ai sistem. Unë nuk i besoj kësaj teorie. Logjika ime ma thotë, si mund të dashurohesh aq shumë në diçka a në dikend e nuk e ke shijue kurrë, se ke pa e se ke prek” (10)

………………………………………

Shikoni Azem Vllasi n’Rrokum: Unë jam truni i protestave të minatorëve të vitit 1989!

Këtu shihet qartë se Vllasi mendon se me të njëjtat parulla e akuza të para 31 vjetëve mund t’i luftojë, përsëri e përsëri kundërshtarët e vet politikë, duke ngulmuar se përkrahësi e 81-tës kanë qenë të ri, axhami, fshatarë, enveristë, stalinistë dhe ironia me e madhe e gradacioni i nënçmimit e injorimit arrin kur ai, gjoja si fitimtar, e merr si të vërtetë të padiskutueshme, si dogmë se kinse bartësit kryesor të 81-tës pendohen, para Azem Vllasit duke thënë, se “nuk e kemi ditë se çfarë ishte ai sistem i Enver Hoxhës”, por sikur jemi dashuruar në diçka që nuk e kemi njohur, pasi që nuk e kemi përjetuar. Dhe Azem Vllasi, dëshmon kështu, se nuk po e ditka se ne që kemi qenë pjesëmarrës të vetëdijshëm të ilegales revolucionare shqiptare në Kosovë, jo vetëm në demonstratat e vitit 1981, por edhe në proceset politike që sollën të 81-tën e më tutje, si në lëvizjen punëtore të Kosovës, pjesë e së cilës ishin grevat e minatorëve të vitit 1989 në Trepçë, por edhe në luftën e lavdishme të UÇK-së, le që nuk kemi asnjë arsye ta mohojmë të kaluarën tonë kombëtare, politike, klasore por krenohemi me te. Assesi nuk e mohojmë se kemi qenë me orientim marksistë-leninist dhe enverist. As Stalinin nuk e kemi mohuar, as nuk e kemi kuptuar siç e ka “kuptuar” titisti Azem Vllasi. Ne e kemi ditur dhe e dimë se sistemi kombëtar, social e politik i Enver Hoxhës ka pasur 1001 vlera më shumë se sistemi i Josip Broz Titos, kundër të cilit shpërthyem në demonstratat-kryengritje të vitit 1981 me parullat: 
– Trepça punon Beogradi shfrytëzon! Kosova-Republikë!
– Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!
– Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë! etj.
Kot mundohet Vllas(t)i t’ua mohojë rëndësinë historike këtyre parullave revolucionare. Për çudi ky renegat ende, po në këtë emision, mohon se Jugosllavi-Serbia e ka shfrytëzuar klasën punëtore të Kosovës dhe popullin e saj, shqiptarët, të cilët, vërtetë, sistemi titist, kishte planifikuar t’i bënte jugosllavë, siç e kishte bërë jugosllav dhe e kishte martuar po me jugosllave diktatorin konkret, drakonin e revolucionarëve shqiptarë të shumë gjeneratave, zotëri Azem Vllasin, që në vitin 1986 e bëri politikanin kryesor, më të imponuarin dhe më të dhunshmin në Kosovë. Kot i quan Vllas(t)i këto parulla “teori të deplasuar”, sepse ato fjali e nocione drita për masat popullore, koha nuk i ka mohuar por, përkundrazi i ka vërtetuar.
Kur folësi TV Rrokumit e pyeti të intervistuarin se çka bënin militantët marksistë-leninistë para se të dilnin në demonstrata, Vllasi i përgjigjet me përqeshje e teatralitet: “Nuk di!.. (rrudh krahët, shprehet ironikisht e me cinizëm) Kanë vepruar si grupe të vogla, do afishe i bajshin, do afishe i zajshin policia, shipnia asht anija e fundit e komunizmit, thojshin, këto krejt me patosin marksistë – leninistë. Dhe disa prej tyne kan ikë ndjekjeve policore dhe shkuen jashtë, në perendim e atje formonin Grupin marksist-leninist, Frontin e kuq… krejt me patosin ideologjik enverist dhe nga kjo shifej se cili është diapazoni i tyre politik“. Del, indirekt, se të tillë, sipas Azem Vllas(t)it paskan qenë edhe Adem Demaçi, Ali Aliu, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Fadil Vata, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Hidajet Hyseni, Afrim Zhitia e shumë e shumë të tjerë.
“Unë nuk kam avansuar në politikë si shkak të qëndrimit ndaj demonstratave sepse karriera ime politike, kapaciteti im politik i ka do dimensione më të mëdha dhe jo veç me demonstrata“, vazhdon Vllas(t) llafet dhe vetë lëvdatat e tij të famshme që nuk duan koment.
Pastaj vijnë gënjeshtrat tjera të kulluara të tij, kontradiktat me vetveten e kapacitetin e tij politik si janë këto në vazhdim: ”Unë nuk u pajtova me të ’81 dhe inicova të 89-tën; për organizimin e protestave-demonstrata të vitit 1988, sigurisht që unë nuk kam shkue atje po i kemi pasur njerëzit atje… Nuk kemi pasur qëndrim: Hajdeni ti organizojmë protestat… Faktikisht kam qenë truri i këtyre nismave (protestave e grevave të minatorëve të Trepçës të vitit 1988 – 1989), sepse populli e kishte të qartë se jemi mbështet për muri. Ishte dita dhe u zgjedh dita e protestave!“ Për demant dhe analizë të disa pikëpamjeve të kësaj politike sa donkishoteske aq edhe të çmendur, por edhe djallëzore e vetshkatërrimtare e virusale edhe për sot do të shohim në nëntitujt vijues.
VIJON…

==================================

I LLASTUARI I TITOS – AZEM VLLASI!

……………………………………………………………………..

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura