BEHXHET Sh.SHALA: ‘SERBËT’ E HASHIMIT DHE ‘PATRIOTËT’ E BRAHIMIT!

Prishtinë, 09. 11. 2013 – (In memoriam – në vend të përkujtimit) – Raundi i parë i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013 përfundoi me vlerësime të mira për organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre. Vlerësimi i mirë, sidomos kur këtë e bëjnë ndërkombëtarët është mbulesë apo plaf që i mbulon të gjitha të palarat që mund dhe mbulohen siç janë keqpërdorimi i votave dhe marifete të tjera shoqëruese. Pa të cilat nuk ka kuptim e as sharm procesi i votimit! Mobilizimi për “mbrojtje” të votës ka qenë sfidues për hajdutët ordinerë partiakë dhe militantët e tyre por ka qenë një mundësi e artë për hajdutët kibernetikë! Ata të shkolluar në perëndim! Në Bruksel dhe Washington! Më vinte keq shumë për angazhime shtesë të Ismet Kabashit, Valdete Dakës dhe Enver Pecit, këta tre musketierë që garantonin paprekshmërinë e votës dhe zbatimin e ligjshmërisë duke mos përjashtuar edhe masat represive! Inkuizicion zgjedhor! Në fakt, këtu ishte edhe pelegrinazhi i Betim Musliut me prokurorët në disa qytete të Kosovës, në formë të tryezave ku Laura e Kabashit, me shpatë zhveshur, kërkonte koka të atyre që duan të vjedhin vota! Jo të atyre që kanë vjedhur! Pastaj edhe Luan Sorosi me Valën 900 mijë dhe IPKO-në ishte engjulli mbrojtës i votave.

 Engjull midis djajve! Hajdutët potencialë e merrnin si djall e jo si engjull. Mbi 30.000 vëzhgues partiakë, qeveritar, të pavarur dhe shumë të “pavarur” e sidomos ata ndërkombëtarë llogariteshin si kontribues të rregullsisë së procesit zgjedhor! Dhe natyrisht se nuk doli ashtu! Mbi 100.000 vota ishin të pavlefshme ndërsa pati shumë votime familjare! Mbi 1500 votues të privuar nga liria (të burgosur) nuk patën mundësi të votojnë sipas vullnetit të tyre! Pati përpjekje për blerje të votave dhe zëvendësim të kutive me vota. Mbase kutitë janë dëmtuar gjatë transportit! Ashtu raportuan vëzhguesit e varur dhe të pavarur. Vendorë dhe ndërkombëtarë. Në veri ishte ndryshe. Aty votat nuk vidheshin por numëroheshin në vend. Duke mos pasur durim që të pritet fundi i votimit, kutitë u hapën para kohe. Në praninë e vëzhguesve dhe komisionerëve të OSBE-së, UNMIK-ut legjendar, policëve të EULESH-it dhe forcave të KFOR-it. Të gjithë ishin në kondicion të shkëlqyer. Ia mbathën në stilin e Usain Boltit! Me një shpejtësi të mahnitshme. Sidomos postierët e Valdete Dakës të maskuar si vëzhgues të OSBE-së. Në mos për asgjë tjetër pse duhet të shitet Posta e Kosovës atëherë mjafton fakti se si janë sjellë postierët e Valdete Dakës dhe kjo, jo që meriton të shitet por duhet të falet! Përgjegjësia për dhunë në veri shkoi në adresë të Policisë së Kosovës sepse, sipas qëndrimit të KFOR-it, EULESH-it në kierarkinë e intervenimit Policia e Kosovës është e para, EULESH i dyti ndërsa KFOR i treti! Pafytyrësia është virtyt i të ”fortit“, morali është virtyt i fukarenjve! Dhe budallenjve! Po të kishte intervenuar Policia e Kosovës menjëherë do të reagonin zyrat e Quintit në Prishtinë, Brukseli, Washingtoni, New Yorku , Nishi, Beogradi, Smedereva, Kragujevci, Banja Lluka dhe Vishegradi! E sidomos huni, Ban ki Muni! Të mençur janë Hajra dhe Bajra! I pari the se nuk ka nevojë që Vuçiqi të dërgojë xhandarmerinë në veri të Mitrovicës ( aty faktikisht e ka të konvertuar në Polici të Kosovës) kur e kemi EULESH-in dhe KFOR-in. I dyti tha se Kosova nuk organizon zgjedhje me ndihmën e tankseve dhe autoblindeve! Të cilat Policia e Kosovës i ka me shumicë! Përkundër pamjes serioze, Bajra ka prirje për humor shumë! Hajgarexhi është Bajra! Unë jam i lumtur që shpëtuan postierët e Valdete Dakës! Dhe që presidentja Jahjaga i vlerësoi zgjedhjet me nota më të larta. Ndërkaq jam jashtëzakonisht i lumur që u zgjodhë për herë të tretë (për një mandat 5 vjeçar) në një proces zgjedhor pa viktima në njerëz shoku Naim Tërnava, Myfti i Kosovës! Rrofsh sa malet shoku Naim! Së paku edhe për pesë mandate! Kur kanë mundur shokët Tito, Enver dhe Stalin pse këtë nuk mund ta bëjë edhe shoku Naim!
Së bashku, epilogu dhe nekrologu
Pas betejës bëhet bilanci i dëmeve materiale dhe njerëzore. Pas zgjedhjeve bëhet bilanci i votave të fituara dhe të ekspropriuara (të vjedhura)! Nuk e besoj se ka të tilla vota në Kosovë. E sidomos në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë! Në shkrimin e parafundit kam pasur fat prej budallai duke qëlluar 95-97% të rezultateve preliminare. Përfshirë ata që do të fitojnë pa balotazh. Me Rufki Sumën nuk jam marrë fare sepse për të nuk është dashur fare të votohet prandaj është ditur rezultati! Po kush është ndarë fitues, afirmativ, i mërdhirë , i ngrirë apo i …ë?! A kanë fituar “serbët“ e Hashimit apo “patriotët“ e Brahimit?! Ta sqarojmë më parë se kush janë “serbët” e Hashimit e kush “patriotët“ e Brahimit. Autorësinë për shprehjen “serbët“ e Hashimit e ka Ivica Daçiqi me të cilin po pajtohet edhe Vuçiqi. Këta janë serbët që janë integruar në institucionet e Kosovës dhe të cilët në Serbi i quajnë shiptari. Këta janë integruar pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë! “Patriotët“ e Brahimit janë ata që e kundërshtuan luftën në Kosovë duke e quajtur UÇK-në, ushtri terroriste. Sikur Gelbarti! Që përkrahnin Brahimin në Beograd kur kërkonte ndërprerjen e bombardimeve të NATO-së. Që ia mbathën për Bllacë dhe Jazhincë, së bashku me popullin. Edhe unë isha me ta. Diçka midis “serbëve” të Hashimit dhe “patriotëve” të Brahimit! Koha dhe konteksti politik nuk i bashkon me asgjë “serbët“ e Hashimit dhe “patriotët“ e Brahimit. Më patriotë dalin “serbët“ e Hashimit se “patriotët“ e Brahimit! Prandaj nuk është e moralshme që me këto goditje të ulëta të qëllohen “serbët“ e Hashimit në dobi të “patriotëve“ të Brahimit! Sepse “serbët“ e Hashimit në këto zgjedhje janë ndarë të margjinalizuar, të mërdhirë, të ngrirë dhe të q…ë! Nga Beogradi, Prishtina, Brukseli dhe Washingtoni! Janë dhunuar! Nga ky dhunim ka lindur një dobiq me emrin Gradjanska Iniciativa Republika Srpska në Kosovë dhe Metohi. E cila ka mundësi të fitojë në dhjetë (10) komuna serbe të decentralizuara! Fati i “serbëve“ të Hashimit është shkruar në Bruksel ndërkaq nekrologun ua lexon Valdete Daka së bashku me Nenad Rikallo! Pas zgjedhjeve të përsëritura! Ka gjasa të mëdha që në Kosovë të fshihen nga harta politike “serbët“ e Hashimit ndërsa të forcohen “patriotët“ e Brahimit! PDK u dobësua sepse u përça pa nevojë dhe nëse nuk mbledh mend këto 23 ditë do të mbetet me gishtërinj në gojë! LDK u forcua sepse në kohë të duhur u bashkua! Jo që ofruan diç të re “patriotët“ e Brahimit por kryesisht u mbështetën në hapa të gabuar të Hashimit! Ramushi ia futi gjumit dhe iu ngjit malit duke qenë i sigurt në fitoret e Ali Berishës dhe shën Palit! Po nuk u zgjua nga gjumi, do e merr lumi! Miku im i madh Behgjeti po ëndërron nën hije të shtogut se Gjakovën do ta fitojë me ndihmën e zogut! Duke drekuar afër brigjeve të Bunës , papritmas si formulë shpëtimi iu kujtua zogu i Tunës! I mençur është Macolli Gjet e jo budalla si Shala Behxhet! Në Prishtinë po bëhet një luftë e pabarabartë midis Shpend Kryetarit dhe Isa Gjuetarit! Puplat e Shpend Kryetarit ka shumë mundësi të bëhen trofe i radhës i Isa Gjuetarit! Pastaj , edhe Albini po vepron si hutini! Valon Bashkimi dhe Kryetari Lexhendar mbetën vetëm me nga një kokërr arrë! Agimi, Kaçusha dhe Salihu nga fiku u rrëxuan por nuk u lënduan! Agimi iu rikthye “ushtrisë“, Salihu historisë ndërsa Kaçusha përfundimit të autobiografisë! Nismat qytetare duket diku para kohe kënduan prandaj në hell edhe përfunduan. Nismat qytetare mund të forcohen vetëm nëse bashkohen rreth një mullari dhe nëse i binden vetëm një kryetari! Po, si u frikësova, shumë mirë u martova!
E veçanta e këtyre zgjedhjeve janë inatet e grumbulluara dhe personalizimi i intereseve partiake dhe politike! Prandaj edhe po lindin do koalicione për balotazh krejt jo të natyrshme ku qëllimi nuk është të fitohet pushteti por të asgjësohet “armiku”. Qoftë ky miku apo edhe familjari! E mira e radhës është se edhe vet Serbia po distancohet nga ekstremistët në veri të cilët i ka ushqyer me urrejtje dhe mosbindje ndaj institucioneve të Kosovës! E mira është se ndryshimi i kufinjve të jashtëm të Kosovës është hequr nga rendi i ditës ndërsa e keqja është se po legalizohet ndarja e brendshme e Kosovës në dy entitete politike dhe etnike. Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës dhe Pashallëku i Drenicës, Llapit, Anamoravës, Dukagjinit dhe Gjakovës! E mira është se nuk më është hidhëruar Hashimi ndërsa e keqja është pse nuk fitoi pa balotazh Nexhmedini. Jo Nexhmedin shqiptari por Nexhmedin kosovari!
Serbia duket se po kornizohet brenda panlave të veta! Tash, po orientohet më shumë në zgjidhje të problemeve me të cilat po përballet, luftimin e korrupcionit dhe forcimin e ekonomisë përmes gjetjes së investitorëve të huaj. Çuditërisht, më shumë po kthehet kah shtetet ararbe me të cilat ka lidhur kontrata qindra- milionëshe euro dhe dollarë! Arabët po investojnë shumë në Serbi ndërsa turqit po e rrjepin Kosovën! Në aspektin material, historik dhe shpirtëror. Është fat shumë i madh se falë gabimeve të Serbisë dhe sakrificës sonë arritëm ku jemi tani. Kurse tash, falë gabimeve që po i bëjmë dhe terpisë për të mbajtur shtet pa pushtet , po shkojmë drejtë një caku të pashmagshëm. Bashkimit me Shqipërinë i cili nuk ka alternative dhe pas 25-30 vitesh do të përmbyllet çështja shqiptare në Ballkan! Ose do të jetësohet propozimi i Fyles për federatën e shteteve të pavarura të Ballkanit. Adem Demaçin dikur e pushkatuan për Ballkaninë. E cila ishte superfuqi shtetërore krahasuar me Kosovën e Ahtisarit!
Një espresso fare të shkurtër, ju lutem. Makiato të vogël assesi: E takova dje Fuad Ramiqin në Rings. E përzura kamarierin kur deshi ta bënte porosinë për Fuadin. Një makiato të vogël. Që është dëshmi se jeni spiun i KOS-it. Dhe bashkëpunëtor i Al Kaides. Fatmirësisht unë pi espresso fare të shkurtër. Që nënkupton se mund të jem spiun i vogël i UDB-së! Kështu po shkruan në menynë e Agjencionit për Informim të Kosovës! I cili po bënë punë të madhe. Duke ditur saktësisht se kush çfarë kafe pi dhe agjent i kujt është! Jemi të paparë. Nuk e di nëse shërbimet informative kanë informata të sakta për të gjithë spiujt e Kosovës! Kështu mbrohet shteti dhe shkërdhehet mileti!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura