KUSH PUNON E KUSH E PENGON BALLKANIN PERËNDIMOR?
Nga Dr.Abdulla Mehmeti, Tetovë 14 janar 2022
Cilat kanë qenë arsyet e Fuqive të mëdha evropiane për pranimin pakusht të ish-Mbretërisë Jugosllave, të ish-Federatës Jugosllave komuniste, si edhe të idesë për krijimin e Federatës Ballkanike pro-sovjetike, ndërsa sot e pengojnë jetësimin e Ballkanit Perëndimor pro-euroatlantik?
Tri premisat e qasjes evropiane për Ballkanin Perëndimor
1. Shtetet ballkanike, si pjellë e padrejtësive historike, më tepër kanë prodhuar histori të rrejshme se sa bukë e mirëqenie për popujt e tyre.
2. Raportet e Fuqive të mëdha evropiane me shtetet ballkanike gati gjithmonë kanë qenë vasale e kolonialiste, jo liridashëse, paqeruajtëse e progresive.
3. “Ballkani i hapur” është aleancë politike serbomadhe e tri qeverive, jo bashkësi e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Evropa e Bashkuar nuk ka të ardhme me një Ballkan të uritur, të përçarë e përgjakur
Paaftësia dhe qasja historikisht e gabuar e shteteve të BE-së ndaj rajonit të Ballkanit (Ilirikut) ka sjellë fatkeqësi dhe gjakderdhje të mëdha në këtë rajon, ka lejuar gjenocidet më të tmerrshme mbi popujt e shtypur të këtij rajoni, shpërnguljet dhe ndryshimin e strukturës demografike të krahinave dhe shteteve, me marrëveshje të hapura e të fshehta mes shteteve të rajonit, me ndihmën e Evropës dhe Rusisë.
Kolonializmi, fashizmi dhe komunizmi, përkundër vlerave të mëdha qytetëruese e humane të popujve evropianë, nuk kanë lindur mes popujve ballkanikë, por në Evropën e dikurshme.
Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, rrënimin e ish-Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjen e ish-Federatës Jugosllave, rajoni i Ballkanit ka ndryshuar, me këtë ka ndryshuar edhe Evropa, por burokracia e saj siç duket ende nuk e ka kuptuar siç duhet, se ora e saj ka kohë që është ndalur në rajonin e Ballkanit, e përçarë mes interesave të shteteve më të fuqishme të saj, Gjermanisë, Francës dhe Anglisë. Kjo paaftësi për të reaguar me masa parandaluese e shteteve evropiane, edhe së bashku si BE, sigurisht do t’i vuajnë vet pasojat në të ardhmen.
Në këtë periudhë të krizave globale, shëndetësore dhe energjetike, shtetet evropiane nuk janë të afta ta mbrojnë as veten e tyre, jo më ta parandalojnë rikthimin e krizave dhe konflikteve mes shteteve ballkanike. Nuk ka nevojë për analiza perfektë, kur popullsia e vendeve ballkanike, deri më sot afër 20% e saj, tanimë i kanë vërshuar shtetet evropiane, sigurisht që jo për ta evropianizuar Ballkanin, por për ta ballkanizuar Evropën.
BE mes dy alternativave: zgjidhjen e shpejtë të problemeve ballkanike, ose shthurjen e brendshme të saj
Evropa Perëndimore duhet të zgjohet për të mirën e saj në radhë të parë, mandej për të mirën edhe të shteteve dhe popujve të tjerë që i takojnë këtij kontinenti dhe jo vetëm. E ndodhur mes dy alternativave, Evropën e sotme mund ta shpëtojë vetëm SHBA, sigurisht me kushtet e saj. Tani BE-së i ka ngelur vetëm një alternativë, ta pranojë realitetin e ri të krijuar në Ballkan, ta përkrahë pa ndërhyrje e komplote të fshehta konceptin amerikan për Ballkanin Perëndimor, të financojë projekte serioze për rimëkëmbjen e vendeve të këtij rajoni, në radhë të parë për paqen dhe sigurinë e saj, të kërcënuar hapur nga Rusia.
Mashtrimi i vetvetes nga burokracia evropiane, kinse me neutralitetin e saj mund të krijojë të ardhme më të lumtur për shtetet dhe popujt e BE-së është një mashtrim i madh. Strategët e mëdhenj që dikur e kanë krijuar NATO-n e kanë ditur saktë se bota nuk mund të jetë gjithmonë e njëjtë, me këtë as edhe Evropa. Sot, shteteve të BE-së u duhet lidership i fuqishëm, që ta pranojë realitetin e ri dhe të punojë për të ardhmen e saj, me këtë sa më parë të angazhohet për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ashtu komplet siç janë, siç kanë lindur e janë krijuar në rrethanat historike, jo copa-copa sipas interesave të veçanta të shteteve të BE-së dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të Rusisë.
Ballkani Perëndimor mes perspektivës evropiane dhe ekspansionizmit rusomadh
Ballkani Perëndimor sot është një realitet, por si bashkësi shtetesh të pandara. Këtë realitet duhet ta pranojë BE pa hamendje e taktizime, siç kanë qenë të detyruara në gjysmën e parë të shek. XX ta pranojnë bashkësinë e shteteve të quajtura Mbretëria Jugosllave, pas Luftës së Dytë Botërore ish-Federatën e Jugosllavisë, kësaj radhe duhet ta pranojë realitetin e ri, krijimin e Ballkanit Perëndimor, një bashkësi shtetesh të barabarta e të pandara, jo një englenxhe dhe poligon stërvitjesh diplomatike të burokracisë së shteteve të BE-së, aq më pak një livadh pa të zot ku shtetet e rajonit që nuk janë pjesë të Ballkanit Perëndimor, Greqia, Turqia, Rumania apo Bullgaria të zgjojnë lugetërit e fjetur nga e kaluara, duke trazuar ngatërresa e sajuar probleme nga historia, identiteti, gjuha dhe besimet fetare mes popujve fqinj.
Ballkani Perëndimor pretendon të jetë bashkësi e shteteve demokratike dhe moderne, jo bashkësi e popujve që duhet të shkrihen në një popull të vetëm, siç ka ndodhur me pretendimet e dikurshme të Rusisë për krijimin e një Federate (Rusie Ballkanike) komuniste, si edhe me konceptin e dështuar për krijimin e një populli të vetëm jugosllav, ku vetëm 10% e banorëve të ish- Jugosllavisë arritën ta hanë këtë sapun për djathë.
Ideve mesjetare, shovinizmit dhe apetiteve për gllabërimin e territoreve të huaja sikurse në shek. XIX, sot koncepteve “Bota serbe” nga Serbia; “Vëllazëria sllave-ortodokse”, nga Serbia dhe Greqia, “Një popull – dy shtete”, nga Bullgaria; “Një fe, një gjuhë” nga Rusia etj., sigurisht që u ka kaluar koha nga dinamika e zhvillimeve teknologjike dhe integrimeve globale, ku dominon dëshira për progres dhe vullneti i lirë i qytetarëve dhe popujve të këtij rajoni sikurse në gjithë botën, që dinë ta duan dhe të luftojnë për lirinë e tyre, ndërtimin e një të ardhme ndryshe, pa kufij mes shteteve por me konkurrencë vlerash mes popujve.