Hazir MEHMETI, Vjenë
REXHEP RIFATI, APOSTULL I ARBËRESHVE
50 vjet në kërkim të artit, traditave, kulturës dhe gjuhës së arbëreshëve
Ec djalosh, ec
shkrepe e ndrite me penë
Rininë mbaje, se të mbanë
Shtatëdhjetë vjet në vrapim
Pesëdhjetë vjet në veprim… [1]
Mentor Thaqi
At Antonio Belushi: “Ju i dashur vëlla Rexhep Rifati, jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës. Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .
Projekti i drejtuar nga Rexhep Rifati në eksplorimin kulturo-historik të fshatrave arbëreshe tani po mbushte gjysmë shekulli. Që kur ishte student me brushën e freskët djaloshare, kamerën e kishte pasion jete. Objektivi i drejtuar aty ky duhet; në afirmimin e vlerave kombëtare shekujve në çdo cep atdheut, aty dhe trojet arbëreshe si pjesë e gjakut të shprishur kombëtar. Nuk e quajti kot miku ynë nga Zvicra, Prof. Basil Schader “Enciklopedi e gjallë” e rrjedhave shoqërore të shqiptarëve në vendin Helvetik. Por, nisur nga puna e tij mbi gjashtëdhjetë vjeçare me përkushtim dhe profesionalizëm si fotograf dhe gazetar, lirisht mund ta qujmë Enciklopedi e Gjallë e kohës sonë në prezantimit e vlerave. Rexhep Rifati nuk e donte “lavdin” vetëm për vete, por ai e ndau gjithmonë me shoqërinë e tij, as dashurinë ndaj arbëreshëve nuk e kishte vetëm për vete, por e ndau vazhdimisht me të tjerët. Pesëdhjetë vjet rrugëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet! Në vitin e pesëdhjetë të udhëtimeve të tij, pata fatin të jem pjesë e grupit hulumtuese që ai drejtoi. Në udhëtimet e tij që nga moti, kishte emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu dhe mërgata.
Fati e deshi që të jem pjesë e tri udhëtimeve të fundit javore. Në qenien time ishte kjo hapje horizonti të ri në njohjen e një pjese të kombit, arbëreshët, për të cilët nuk dinim sa duhet. Por mbi të gjitha mësova mbi përkushtimin e Rexhës ndaj arbëreshëve, dashurinë e tij vëllazërore e flakëruar në gjakun arbëror. Përkushtimin i tij aq i lartë e takuam gjithandej, kudo: në takime, muze, biblioteka, shkolla e institucione të shumta të cilat organizuan pritje vëllazërore për grupin tonë. Gjithkund regjistrohej në kamerën e Rexhes aty edhe flamuri kombëtar me mbishkrimin aq domethënës ARBËRESH. Udhëtimi ynë i fundit shënonte gjysmë shekulli të rrugëtimit të kamerës profesionale të Rexhep Rifatit dhe ishte simbolikë e veçantë, por edhe obligim respekti ndaj një pune me vlera kombëtare. Kudo që shkonim katundeve arbëreshe Rexhën e njihnin, edhe barinjtë e njihnin me të cilët ndalej të kuvendonte, të fotografonte peizazhe në fushat e gjëra arbëreshe. Sapo shihnim tufa delesh, vetura ngadalësohej derisa dëgjoheshin fjalët arbërisht të bariut drejtuar deleve të tij. Ata nuk ngurronin të bisedonin me ne, përkundrazi, e dëshironin shumë dhe mezi ndaheshin prej nesh kur mësonin se nga vinim. -Ashtu është: Flet zemra e njeriut, e vëllait të një trupi e të një gjaku, – tha njëri prej tyre.
Kudo që arrinim të gjitha rrugët ishin të hapura, të gjithë portat shekullore ku kishte shkelur këmba arbëreshe.
Po vjen Rexha! Rexhep Rifati, vëllai nga Kosova.
Të gjithë ju gëzoheshin takimeve me te, kurse Ai me “Shtegtimet e një gazetar” shkëlqente mes tyre. Veprat në fotografi dhe tekst “ Shqiptarët e Zvicrës -1001pamje” dhe “Shtegtimi i një gazetari”, tani ishin pjesë e bibliotekave të njohura arbëreshe në çdo lokalitet.
Por, Rexhep Rifati nuk ndalet deri në përfundimin e librit kushtuar arbëreshëve me të cilët u mishërua në jetën tij të tetëdhjetë pranverave. I njohur si Djaloshi Flokëbardhë, që shpërndanë energji pozitive, shpesh rrugës nga një fshat në tjetrin, na thoshte: “Energjinë e marr nga shoqëria, nga takimet me shokë, me njerëzit që rrezatojnë pozitivistët. Tani pas kësaj ekspedite me ju unë marr energji edhe për një vit”. Përmbylljen e projektit mbi arbëreshët, ai e ka të arriturën më të dashur për ditëlindjen e tij festive.
Në takimin tonë me personalitete të njohura arbëreshe bisedat ishin të ngrohta, përmbajtjesore dhe të pa harruara. Michalo Greko, ligjërues dhe aktivist i njohur na priti në shtëpinë e tij ku kishte një bibliotekë të pasur. Kafeja në tavolinën e drurit e punuar me art nuk harrohet. Librat që ne i dhuruam e gëzuan dhe pas falënderimit i vendosi në rafte duke mos ndërprerë asnjëherë bisedën. “Faleminderit! Këto do jenë pjesë e shtëpisë sime për gjithmonë”, tha i ngazëllyer Mikeli.
At Antonio Belushi, personalitet i njohur arbëreshe nga Frascinato (Frashëri) i Kalabrisë së bashku me motrën e tij Rinën, edhe pse me peshën e moshës, na priti sipas zakonit arbëresh me këngë në pragun e shtëpisë duke na i shtrënguar duart.
“Kur ne jemi të bashkuar, Skënderbeu zbret nga qielli”, një simbolikë në partiturën e trashëguar moteve arbëreshe, ku figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu bashkon e jep shpresë për lirinë e Atdheut të robëruar përtej detit.
Mirë se na erdhët! Dollia e parë për shqiptarët kudo që janë në botë!
At Antonio Belushi, një veprimtar i njohur arbëresh i cili dhe e jep shumë për gjithë kombin. Ai dha ndihmë të madhe edhe për Kosovën me zërin e tij deri në Kongresin Amerikan.
Jeni vëllezërit e mi. Më bëhet zemra mal që ju takoi!
Shtëpia e tij ishte më shumë se një shtëpi, ishte muze etnografik, ishte arkiv, dhe mbi të gjitha ishte bibliotekë e pasur me libra e gazeta të ruajtura prej shumë viteve. U mahnitem me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi.
Faleminderit për vizitën tuaj librat e dhuruar dhe mbi të gjitha dashurinë që tregoni për arbëreshët! Vëllai ynë, Rexhep Rifati ka sjellë vazhdimisht njerëz të respektuar mes nesh, me shkrimet dhe fotografitë e tij gjatë gjysmë shekulli, ai e afirmoi kulturë, traditën dhe gjuhën arbëreshe gjithandej botës. Ju i dashur vëlla Rexhep Rifati, jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës. Ne nuk ju harrojmë, jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh.
Kënga arbëreshe e traditës në pritje dhe përcjellje të vëllait, nuk ndalej. U ndamë të mrekulluar nga ajo çka përjetuam e pamë në shtëpinë e njohur të At Antonio Belushit dhe motrës së tij Rina Belushi.
Takimet tona të shumta në fshatrat arbëreshe në Kalabri, Sicili dhe rrethina e Barit, përbëjnë një pasuri njohje e shkrimi për të mos u harruar asnjëherë. Në Shën Sofia (Kalabri), takuam profesorin e shquar dhe drejtuesin e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Kozencës, Prof. Francesco Altimarin, në Ungra takuam profesoreshën e Baletit Brunilda Lato e cila prej vitesh punon në dy shkolla në përgatitjen e balerinëve të ri. Aty takuam këngëtarin Franccesco Maria Fraga – Princi të cilin e quajnë “Princi” i cili na dhuroi edhe diskun e tij me këngë të lehta arbëreshe. Në Farneta takuam pak banorë, mes tyre motrat Nicoletta dhe Rina Russo të cilat sipas traditës, na gostitën me kafe dhe na mrekulluan me një shqipe të pastër. Në Shën Mitër ( San Demetrio Corone) takuam edhe skulptorin e shquar preshevar Hevzi Nuhiu, i cili jeton e krijon tani e dyzet vjet në Shën Mitër. Ai dallohet me skulpturat e tij të veçanta në dru që u ekspozuan dhe bënë bujë në shumë qendra të Italisë dhe jashtë saj. Në Shën Mitër në përcjelljen e Hevzi Nuhiut, vizituam Liceun e njohur shekujve, ku studiuan figura madhore të kombit: Jeronim De Rada, Zef Serembe, Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi etj. Shtëpinë dhe vend qetësinë e eshtrave të Jeronim De Radës, kolosit të Rilindjes kombëtare.
Në Shën Sofia (Santa Sofia) vizituam dy nga institucionet më të mëdha kulturore të Kalabrisë: bibliotekën prej dhjetëra mija ekzemplarësh dhe muzeun e pasur me kostume arbëreshe, ku drejtuesi i tyre, kustosi, Antonio Franco Miracco, përmes një shqipe të rrjedhshme, na ofroi një informacion të detajuar dhe disa disqe gramafoni me muzikë arbëreshe.
Vizitat e fundit prej tri javësh nuk mund të përmblidhet thjesht me një shkrim rasti, këtu do preket shkurtazi vetëm pjesa e parë në Kalabri. Shpresojmë në vizitat tjera së bashku me Rexhep Rifatin dhe librin e tij të botuar kushtuar arbëreshëve, aq i vlerë dhe i pritur nga të gjithë. Shëndet e shumë kërkime të reja Djaloshit Flokë e Zemërbardhë!
[1] Mentor Thaqi, poezia, Ec djalosh, ec.