(Pashtriku.org, 23. 01. 2013) -Fillimisht pasi dola nga burgu më, 08.04.1989 Kosovën e gjeta thuajse ashtu siç e kisha lënë në zjarr, madje diku – diku mund të them edhe më keq. Por demonstratat në tërë Kosovën kishin marrë hovë, prandaj ne jo vetëm ishim të ngrohur shpirtërisht, por edhe rrugën e gjetëm të gatshme, ndaj pa u hamendur u futa në të. Më vonë u inkuadrova në KMLDNJ me iniciativën e Bacës Adem, por në anën tjetër me shumë shokë tjerë formuam Këshillin e LPK-ës, si me Ramadan Pllanën, Islam Mulakun, Avdullah Zhegroven, Shefqet Dibranin etj.
Pyetja: Inderuari Muzaqi po e shoh se ju tregoni një skenë tamam sikur të atyre filmave të Holivudit, por njëkohësisht shoh në fytyrën tuaj një dhimbje të madhe, keni vështirësi ta rrëfeni apo ç`po ndodh?
I.Muzaqi: Është e vërtetë, një përkujtim i tillë është rrënqethës. Po njeriut i ndodh ta harrojë veten e të mendojë për shokun. Megjithëkëtë do ta rrëfej tërë historinë, atë histori të dhimbshme e mizore që është e shkruar me vuajtjet tona me gjakun tonë. Mund të filloj nga momenti kur na vendosën në makinat policore të ashtuquajturit pizgauer. Mbasi na futën në ato makina, na lidhën me pranga. Mua më lidhën bashkë me një atdhetar, me të nderuarin Avdi Latifi, tanimë i ndjerë. Këtë nuk e di a e bënë me qëllim, apo rastësisht, por mendja sot e asaj dite më thotë se ishte krejtësisht e paramenduar. Në atë automjet ku isha unë, bëheshim rreth 22 veta dhe qëndruam ashtu pa lëvizur 2 orë. Aty ku ishim dhe ashtu siç ishim nuk kishte as ajër të pastër, pra oksigjeni nuk ishte i mjaftueshëm, prandaj Avdi Latifi i mëshoi me këmbë dyerve. Pas një kohe të shkurtër e hapën derën egërsirat policore dhe për pak kohë e mbyllën, por për aq kohë të shkurtër na shanin pandërprerë. Më pas kuptuam se makina po lëvizte. Pas një rrugëtimi të gjatë, gjashtë orësh, kur ndaluam, kuptuam se ishim në Beograd. Në këtë kohë qëndrimi, policët e tërbuar na qëllonin me grushte dhe shkelma. Në orët e para të mëngjesit arritëm në burgun famëkeq të Gospiqit në Kroaci. Skenat ishin të tmerrshme, ndoshta nuk po e teproj, tani që po i tregoj, meqë edhe ju jeni këmbëngulës për ta zbuluar të vërtetën dhe tmerrin e të burgosurit. Ne zbritëm nga ato automjete policore si zogj të humbur në mjegull. U bëmë rreth 43 veta, por afërsisht gjysma mbetëm shkallëve, ndërsa gjysmën tjetër i detyruan të zhvishen lakuriq. Më vonë na çuan mua dhe Avdiun të lidhur deri tek grilat. Na çuan edhe për t`i parë shokët e zhveshur të cilët i rrihnin me shkelma, grusht e shufra gome. Kjo ngjarje ishte e tmerrshme, sepse ne e përjetonim shpirtërisht. Aty ishte edhe një burrë invalid i cili quhet Sadik Sadiku nga Ferizaji dhe të cilin nuk e kursyen aspak. Pas torturave që i ushtruan mbi shokët tanë, në radhë na futën edhe neve, por Avdiun e torturuan më shumë, sepse gardianët e kishin halë në sy, pasi që nipi i tij e kishte vrarë një serb nga fshati Repë i cili kishte qenë kadet ushtarak. Po fati ishte i çuditshëm, me Abdiun më futën në një qeli. Ne e dinim që një pjesë të jetës do ta kalonim aty, por gjithnjë na mbante shpresa se do të mbahemi të fortë. Avdiun vazhdonin ta torturonin mizorisht madje e linin edhe pa vetëdije. Në një moment me dhimbje të madhe në shpirt e pyeta se ç`po ndodhte ashtu dhe pse e torturonin kaq shumë.
Ai ma ktheu me një buzëqeshje të shkrumbuar:
– Më kanë halë në sy këta katilë.
– Po këtë e kuptoj, se të gjithëve na kanë halë në sy, po ty janë duke të torturuar më shumë se ne të tjerëve, – i thashë atij
– Po është e vërtetë. Ndoshta ke dëgjuar për vrasjen e një kadeti ushtarak serb të Repës?
– Po! – ja ktheva.
– Tafili, djali i vëllait tim, e ka vrarë atë serb dhe tash janë në një ofensivë hakmarrjeje dhe siç e shikon po më torturojnë sa shpirtin duan të ma marrin! Ç`është e vërteta të gjithë gardianët janë të informuar mirë për atë ngjarje.
Ishte një kohë prej 12 ditësh që luftoja me vetveten, meqë mbi Avdiun ushtronin tortura të llahtarshme, ndërsa mua më lanë të shikoja me një qëllim të caktuar: vetëm e vetëm që të tmerrohesha sa më shumë dhe pastaj të merreshin edhe me mua. E shikoja dhe më vinte keq për të, ndërsa mendoja se ç`do të ndodhte me mua? Nga disa shenja më krijohej përshtypja se edhe mua do të më akuzonin si bashkëpunëtor i tyre. Edhe për mua si dhe për pjesën tjetër të të burgosurve do të fillonin torturat e llahtarshme. Mora vendim që të bëjë diçka që kjo dhunë të paktën të mos binte. Kërkova një bisedë me drejtorin e burgut për t`i treguar dhunën dhe tmerrin e llahtarshëm që ushtronin mbi neve. Pasi e informova drejtorin e burgut për të gjitha këto, filloi një fushatë tjetër torturash prej të cilave nuk përjashtohej as A.Latifi. Ai me një urrejtje të madhe, drejtorit të burgut ia hedhte barnat duke i thënë: “- Pse mi sillni barnat, kur ju ushtroni dhunë mbi ne si bisha”.
Pyetja: I nderuar Ilmi ju tashmë në burgun famëkeq të Gospiqit, përjetuat atë që ne mund ta shohim vetëm nëpër filma. Sipas disa shokëve, kemi të dhëna se ju keni qenë një shtyllë mbrojtëse e të burgosurve, edhe pse ju keni bërë si individ. Ju gjithnjë keni ngritur zërin ndaj dhunës. A mund të na veçoni një ngjarje prej gjithë atyre ndodhive të tmerrshme? Pastaj a mund të rrëfeni se ç`ndodhi me grupin e dytë në pranverën e vitit 1982 kur i arrestuan? Si u takuat me zëvendëssekretarin e jurisprudencës kroate?
I.Muzaqi: Diku në pranverë të vitit 1982 u sollën edhe një grup të rinjsh nga Kosova në burgun e Gospiqit, po me të njëjtat akuza si edhe grupin e parë në pranverë të vitit 1981. Njësoj i torturonin siç na kishin torturuar edhe neve. Ne e dinim mirë se ç`përjetonin ata të rinj. Gjëma dhe britma e tyre edhe të vdekurit i ngrinte në këmbë. Nuk mund të duroja më. Vendosëm bashkë me Bislim Bajramin, Nazmi Shaqirin të ju dilnim në mbrojtje të rinjve shqiptarë, duke llogaritur çfarëdo çmimi që do ta paguanim. Ne e dinim se do të na vërsuleshin neve, por ne ishim mësuar me dhunën e egër, prandaj edhe nuk frikësoheshim. Unë e kam thirrur gardianin. Pasi ai erdhi, menjëherë kërkova takim me drejtorin e burgut. Çuditërisht drejtori i burgut erdhi menjëherë. Sa erdhi dhe drejtori i kam kërkuar të vijë dikush nga jurisprudenca kroate me qëllim që të bisedoj me ne dhe për së afërmi të njihet me informacionet për dhunën e temershme që po ushtrohej ndaj të rinjve shqiptarë, ose në të kundërtën i thamë atij se do të hidheshim në grevë urie. Natyrisht ne ishim shumë të vendosur të bënim në grevë urie. Me t`i dëgjuar këto fjalë, drejtori më tha se do ta thërriste dikë nga jurisprudenca, por më porositi të mos i tregoja të vërtetën personit që do të vinte për të na vizituar, sepse po qe se do t`i tregoja të gjitha ato ngjarje të llahtarshme do të pësonim edhe më keq. Por ne nuk kishim ç`të humbnim. Ne vetëm mund të fitonim diçka. Dhuna kundër nesh mund të na pakësohej. Çuditërisht sekretari nga jurisprudenca kroate erdhi. Vizita filloi nga dhoma e fundit dhe jo nga dhoma ime. Sapo erdhi në dhomën time ju drejtova sekretarit:“- Këtu janë duke ndodhur krime të tmerrshme. Janë duke i torturuar të rinjtë mizorisht. Ai i habitur më tha se këto nuk kishte dëgjuar nga asnjëri prej të burgosurve.” ´Unë ia ktheva: – Ju keni të drejtë që habiteni, ngase asnjëri prej të burgosurve nuk ka guxuar ta thotë të vërtetën, për arsye se gardianët atyre jua kanë futur frikën deri në palcë, duke i torturuar mizorisht. Si dëshmi ju mund t`i shikoni edhe muret me gjakun e rinjve shqiptarë. Këto ia thashë në praninë e dy shokëve të mi: Bislim Bajramit dhe Nazmi Shaqirit, me të cilët bashkëvuaja në qeli. Në këtë rast ndodheshin edhe drejtori i burgut dhe gardianët. Pas këtij rasti vërtet dhuna kundër të nesh u pakësua.
Pyetja: Sipas kësaj që e thoni, ju e me një guxim të madh morët një vendim të tillë. A u përballët me vështirësi mendimesh, pasi ju keni qenë të vetëdijshëm se kundër juve mund të ushtrohej dhunë e egër fashiste, një tmerr i vërtetë?
I.Muzaqi: Mua më shtynin shumë egërsi që i shfaqnin e fyrje që i bënin gardianët kundër neve. Veç dhunës ata edhe na shanin shumë keq moralisht e kundër familjeve tona. S`linin gati asnjë pjesë të trupit tonë pa na e sharë. Më së vështiri na dukej kur mundoheshin të na shtynin për të kënduar për Titon. Pas gjithë asaj katrahure mizore gardianët i detyronin të rinjtë të përshëndesnin dhe me ca fjalë serbe: “mirno, pozdrav, pravo” etj, që po t`i përkthejmë në gjuhën tonë kanë kuptimin afërsisht: gatitu, përshëndetje (për t`i përshëndetur gardianët,), drejt rri drejt. Këso gjërash e fyerjesh i bënin sidomos kundër atyre të rinjve që fare nuk e dinin gjuhën. Kur ndodhte që ndonjëri të mos i shqiptonte mirë ato fjalë, ndaj tyre ushtronin një dhunë të tmerrshme. Qëllimi kryesor ishte që t’ua bëjmë me dije organeve të jurisprudencës kroate se atje po ushtrohej një dhunë barbare nga gardianët, me urdhrin e drejtorit të burgut, apo edhe të shefit të UDB-ës. Ne ishim të përqendruar në kërkesën tonë që të ndalet dhuna, ose përndryshe ne do të hidheshim në grevë urie. Çuditërisht kjo dhunë pjesërisht u ndërpre dhe nuk ishte i atyre përmasave të tmerrshme. Është një karakteristikë e veçantë, ndoshta për lexuesin do të ishte e pabesueshme, por është një realitet që ka ndodhur, kur ishim të detyruar të hanim rrepa (rrepa të bardhë) që na dukej se ishin helm, ata kishin një shije aq të keqe sa shpesh herë nuk arrinim t`i kapërdinim. Kur nuk i hanim dot na torturonin mizorisht. Për këto më së miri dëshmojnë të burgosurit që kanë vuajtur nëpër ato burgje. Por si e veçanta që do të më ngelet mua dhe të gjithë të burgosurve është tërheqja e batanies nëpër korridorin e gjatë më se 30 metra, me një peshë afërsisht 90 ose 100 kilogram (pas kësaj që na tha Ilmi Muzaqi qeshi).
Pyetja: I nderuari Muzaqi kjo qeshje e juaj disi na shton akoma më shumë kureshtjen.
I.Muzaqi: Është në fakt një histori e dhimbshme po edhe e çuditshme, e cila edhe mund të na marrë kohë, por me pak fjalë po mundohem t’ jua përshkruaj: të burgosurit që dënonin për ndonjë gabim që e bënin aty si “shpërblim” i detyronin tërë natën ta tërhiqnin atë batanie, mbi të cilën e vendosnin një njeri, më të rëndin, për ta tërhequr. Mbase është interesante të them se mua dhe A. L gati gjithnjë na ka qëlluar njeriu më i rëndë. Ndodhte gati tërë natën duhej ta tërhiqnim, po ajo më e vështira mbase ishte, kur korridorit pas shumë lëvizjeve i hidhnin edhe ujë. Pas përfundimit të kësaj dhune ishim të detyruar t’i nënshtrohemi dhunës tjetër, ja ky ishte fati i një të burgosuri.
Pyetja: Po a keni pasur frikë së në emër të rendit ndokush nga të burgosurit mund të ekzekutohet me prapavijë, siç ka ndodhur të vriten nëpër burgje serbe shqiptarët?
I.Muzaqi: Po, unë mund t`ju them se pikërisht në atë burg është përgatitur edhe një skenar për eliminimin fizik të të burgosurve shqiptarë, nëpërmes shkaktimit gjoja të një ekscesi. Një natë vonë aty rreth orës një i ka dalë flaka një pjese të burgut. Kjo ishte një kurdisje për të na zhdukur, por fati deshi që përpos gëlltitjes së tymit të mos pësonim më shumë. Po, pas këtyre skenave (më 1982 ) na transferuan për në Lepogllavë, mua me Beslim Bajramin, Adem Salihun, Avdi Limanin; Avdi Latifin, Afrim Morinën e Bedri Deliun,e shumë të tjerë.
Pyetja: Mund të ju rikujtohet diçka e veçantë që ja vlen të na thoni?
I.Muzaqi: Ndodhitë janë të shumta siç ju ka ndodhur edhe shumë të burgosurve të tjerë. Por një rast më ka ngelur fare i qartë, prandaj po jua them: Ishte një emision për jetën e Titos, që e transmetonte televizioni i Zagrebit. Unë dhe Halit Osmani nuk e ndoqëm fare. Dikush na kishte spiunuar, prandaj kriminelët serbë na torturuan mizorisht derisa edhe na alivanosën. Pas kësaj torture që na bënë unë në mëngjes ju drejtova shokëve me këto fjalë: – Unë do të hidhem në grevë. Greva filloi të nesërmen. Një pjesë e të burgosurve mu bashkangjitën. Greva zgjati gati 12 ditë. Pasi ne nuk e ndërpremë grevën mua me një grup të shokëve na dërguan në burg hetues të Zagrebit. Edhe atje grevën nuk e ndërpremë deri në një marrëveshje me shokët. Pas kësaj ndërprerje na transferuan në Stara Gratishk, ku atje patëm rastin ta gjejmë njeriun e ndërgjegjes kombëtare dhe shumë të respektuarin bacën Adem, të ndjerin Ramadan Shalën, më vonë edhe Fehmi Lladrovcin. Fati im dhe i të gjithë atyre të tjerëve aty ishte i madh sepse kishim një mësues të vërtetë: bacën Adem. Baca Adem për ne ishte shpëtimtar, këshillat e tija ishin qëndresë dhe guxim për ne.
Pyetja: Meqë jemi te baca Adem dhe te Fehmi LLadrovci, a mund të na thoni diçka për ta?
I.Muzaqi: Kam shumë për të thënë për këta dy burra. Jam i sigurt se po të flasësh për Bacë Ademin dhe Fehmi Lladrofcin duhet shumë kohë, por unë do të përpiqem të them ato më kryesoret meqë tani jam duke dhënë intervistë e natyrisht intervista nuk është e përmasave të librit. Baca Adem për ne ka qenë një udhërrëfyes, njeri i përkushtuar, i cili asnjëherë nuk u ligështua, njeri që me qëndrimin e tij neve na ka trimëruar, ai me aftësitë e tij të veçanta na frymëzonte që ne ta kuptonim për ç` arsye jemi në burg. Bindjet e tij atdhetare neve na i ka ngulitur dhe na ka forcuar me kurajo për të qëndruar stoik e të papërkulshëm, të mos gabonim për asnjë çast. Ai ishte një mësues i madh për të burgosurit dhe lirisht mundëm të them se ishte në këtë fatkeqësi një fat i madh që qemë me A. Demaçin në burg. Krahas këtij burri të kombit kam pasur nderin të kisha edhe një shok të mirë, një burrë të vendosur të Drenicës: Fehmi Lladrovcin. Te ky burrë kam parë shpirtin e një mishërimi të harmonishëm. Ai kishte edhe humor kur e donte puna. Mbante një qëndrim të prerë e të drejtë, ishte stoik e i papërkulshëm, gjithnjë tek ai shquhej krenaria e shqiptarit, krenaria e patriotit e atdhetarit të devotshëm. Tek ai shquhej shpirtmadhësia dhe gatishmëria për sakrifica, shquhej përkushtimi i tij atdhetar, për ribashkimin e jetësimin e Shqipërisë të Natyrshme. Në ballin e tij në fytyrën e tij kemi lexuar heroizmin e shqiptarit si vazhdimësi në shekuj. Ai ka qenë shembulli më i mirë që ne të mos ligështoheshim për asnjë çast. Bacë Adem Demaçi dhe Heroi i Kombit Fehmi Lladrofci kanë qenë të veçantë, por në këtë mes s`duhet harruar edhe shokët tjerë si Ramadan Shalën, sepse të gjithë së bashku ishin dëshmi se si duhet të qëndrojë shqiptari edhe në burg. Këta kanë luajtur një rol të rëndësishmin për ne sepse ishin në shërbim të edukimit tonë, të qëndrimit tonë. Pra ishin mësuesit tanë më të mirë. Këta, aq herë sa patën mundësi, sado edhe të vogla, i shfrytëzonin për na mësuar e formuar për përgatitur sa më mirë me qëllim që sapo të dalim nga burgu të mos heshtnim, por ta vazhdonim luftën për të jetësuar e idealet atdhetare. Natyrisht kjo punë e tyre u kurorëzua me sukses, sepse gati të gjithë kemi vazhduar pa hezituar fare rrugën e atdhetarizmit.
Pyetja: I nderuari Muzaqi pasi dolët nga burgu ju si dhe në ç`mënyrë keni vepruar?
I.MUzaqi: Fillimisht pasi dola nga burgu më, 08.04.1989 Kosovën e gjeta thuajse ashtu siç e kisha lënë në zjarr, madje diku – diku mund të them edhe më keq. Por demonstratat në tërë Kosovën kishin marrë hovë, prandaj ne jo vetëm ishim të ngrohur shpirtërisht, por edhe rrugën e gjetëm të gatshme, ndaj pa u hamendur u futa në të. Më vonë u inkuadrova në KMLDNJ me iniciativën e Bacës Adem, por në anën tjetër me shumë shokë tjerë formuam Këshillin e LPK-ës, si me Ramadan Pllanën, Islam Mulakun, Avdullah Zhegroven, Shefqet Dibranin etj. Pas formimit të këtij këshilli të LPK-ës ne ecnim e vepronim për të jetësuar idealet tona gjithëshqiptare për Shqipërinë Etnike, po duke mos lënë anash aksionin e madh gjithëkombëtar, pajtimin e gjaqeve. Natyrisht ne ishim të vendosur që as një hap të mos pushonim dhe për fat të mirë ky aksion pati jehonë dhe sukses të madh. Po me këtë sukses vazhdoi edhe LPK-ja që ishte një promotor për formimin e një Ushtrie. Kështu duke u bashkuar veprimtaria atdhetare shqiptrae si një zinxhir i pashkëputur u formua edhe UÇK’ja.
Pyetja: Po ju pas gjithë kësaj pune, a ishit në shënjestër të policisë dhe a mendonit se me ju nuk do të merrej policia?
I.Muzaqi: Ne kemi qenë të vetëdijshëm se kriminelët serbë ose edhe të tjerë përpiqeshin të na zbulonin, prandaj ishim të shtrënguar të punonim në ilegalitet të thellë, megjithëkëtë na lehtësohej puna meqë vepronim KMLDNJ dhe aty takoheshim pa pasur drojë. Po për fat të keq më 1993 pushtuesit e atëhershëm serbë filluan aksionin për të burgosur sa më shumë veprimtarë shqiptarë, prandaj na i burgosën shumë shokë, ndërsa unë me ca shokë patëm fatin t’i shpëtojmë këtij arrestimi dhe në pamundësi për të qëndruar në Kosovë u detyruam ta lëshojmë Atdheun. Sipas një aktvendimi të lëshuar më 27.10.1993 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë na kërkonin për të na burgosur. Aktakuza ishte sajuar në lidhje me nenin 45.st.2 neni 3 të ligjit, nga Prokurori Jovica Jovanoviq.
Pyetja: Ju u detyruat të ikni?
I.Muzaqi: Po, ika natyrisht pa vullnetin tim, meqë e dija se burgu nuk është zgjidhje. Unë dhe shumë shokë, në mesin e të cilëve ishe edhe ti, nuk patëm mundësi të vazhdonim veprimtarinë në Kosovë, pasi në çdo hap ishim të rrezikuar për të na burgosur pushtuesit serbë, prandaj vendosëm të iknim për të mos e lënë veprimtarinë atdhetare përgjysmë. Ne morëm botën në sy dhe u vendosëm në Gjermani, atje sapo u vendosa nën një strehë, u futa në radhët e organizatës sonë që vepronte jashtë, në LPK, ku pata rastin edhe atje të takohem e të veproj bashkë me shokun tim të dashur Fehmi Lladrovcin dhe me të vazhduam aktivitetin gjersa ai mori rrugën e kthimit për në Kosovë, ku edhe doli në ballë të luftës çlirimtare. Unë ende mbeta me një grup shokësh si me Mustafë Krasniqin, Zymert Gashin dhe me Hotin, Lajçin, Currin etj. Natyrisht ne vepronim në Fondin “Vendlindja thërret”, që drejtpërsëdrejti i vinte në ndihmë UÇK-ës
Pyetja: Çka mund të na thoni për Fehmiun?
I.Muzaqi: Fehmiu ishte një shok i afërt, një njeri i ngritur, i thjeshtë, i dashur me të gjithë, një burrë me një krenari që ma kujton burrërinë e shqiptarit në shekuj, i zjarrtë e shpirtërisht i mrekullueshëm, i ëmbël sidomos kur i shqiptonte fjalët: atdhe, liri, burrëri. Me thënë të drejtën vizionin e Fehmiut nuk e kemi kuptuar me kohë, ky ishte një strateg i mirë, sepse ky fillet e para për formimin e njësive të para ushtarake i kishte realizuar në Gospiq, ndoshta mu në atë vendin ku shqiptarët janë torturuar dhe burgosur si mos më keq. Fehmiu mu aty e themeloi formacionin e parë ushtarak me qëllim që të ishin të përgatitur për luftën në Kosovë. Ai vazhdimisht thoshte se lufta në Kosovë ishte e pashmangshme, prandaj duhej të përgatiteshim dhe pikërisht për këtë arsye në çdo kuvend thoshte, se ne duhet t’i prijmë luftës që ajo të mos vijë për të na gjetur të papërgatitur. Te ky njeri kemi gjetur vetëm shpresë, prandaj me të vetëm gjumi na ndante. Unë kam shumë kujtime që ende më kanë mbetur të freskëta me shokun tim të dashur Fehmi Lladrofci, por kryesorja e mbi të gjitha ka qenë porosia e tij e madhe që lufta të mos ndalet derisa të çlirohet i çdo cep i Shqipërisë Etnike. Fehmiu jo vetëm që ka ditur shumë për luftën, por edhe për artin e saj ka qenë arkitekt. Pas rënies së Jasharëve, Fehmiun nuk ka pasur mundësi as topi ta e ndalte, në rrugën drejt luftës heroike të UÇK-ës, në ballë të së cilës shfaqi madhështinë prej heroi të vërtetë. Herën e parë atë e plagosën, por ai me atë zjarrin e madh në shpirtin tij atdhetar, u shërua dhe vajti përsëri në luftë. Ai u flijua në altarin e atdheut për të mos vdekur kurrë. Kujtoja shumë çka, por diçka që më ka lënë mbresa të veçanta është madhështia e tij e shfaqur nëpërmjet një telefonate që i bëra një natë para se binte heroikisht: – Ilmi, – më tha, – liria po vjen, nuk ka rëndësi me mua apo pa mua, ajo do të vijë. Krahas Fehmiut ka qenë edhe burrëresha motra Xhevë, vërtet një Shote Galicë e dytë, e cila ra heroikisht në themelet e Shqipërisë së Natyrshme.
Pyetja: Shohë në sy tu se keni një mallëngjim?
I.Muzaqi: E si mund të flas njeriu i qetë kur kujton heronj të tillë?! Është një mall i madh kur flet njeriu për shokët e idealit, për ata që u flijuan në themelet e Atdheut. Me Fhmiun më lidhin shumë kujtime e përjetime. Ai është hero, sepse ai ra për t`i dhënë jetë Atdheut nga jeta e tij.
Pyetja: Ju me një bagazh aq të madh të veprimtarisë çka mendoni për Pavarësinë e Kosovës dhe simbolet e saja?
I.Muzaqi: Unë kam qenë përkrahës dhe mbetëm përkrahës i pavarësisë, por dorën në zemër pavarësinë e kam kuptuar dhe e kuptoj në përbërje të Shqipërisë Etnike. Në qoftë se nuk vazhdohet rruga për jetësimin e saj, jam thellësisht i bindur se shkelet vullneti dhe gjaku i heronjve dhe vlera e luftës së shenjtë të kombit tonë, por unë kam besim në forcat e popullit shqiptar për të jetësuar ribashkimin e Atdheut. Flamuri ynë është flamuri i shqiptar, flamuri i Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit, Fehmi Lladrofcit, flamuri i Shqipërisë, ai që na emocionon dhe na jep shpresë, ai që dëshmon se Kosova dhe viset të tjera shqiptare si nën Maqedoninë si nën Serbinë, Malin e Zi e Greqinë janë pjesë të përbashkëta të Shqipërisë e që së bashku me Republikën e Shqipërisë përbëjnë tërësinë e Shqipërisë së Natyrshme. S`ka dhe s`mund të ketë flamur tjetër për shqiptarët e bijtë e shqiptarëve.
Pyetja: Do të thotë se zhvillimet politike në Kosovë nuk janë në rrugën e duhur, se ka vend për moskënaqësi?
I.Muzaqi: Duhet të jetë për të tërë e qartë ajo që e thashë edhe më parë për heroin Fehmi Lladrofci, për Xhevën dhe për bijtë e bijat më të mirë të popullit shqiptar siç është heroi tjetër, burri kreshnik i Drenicës martire Adem Jashari, kreshniku e heroi tjetër i Gallapit – Zahir Pajaziti, heroi i Malësisë së Gjakovës, burri vigan i Tropojës-Tahir Sinani e shumë e shumë të tjerë të cilët ranë heroikisht për t` i dhënë jetë nga jeta e tyre Shqipërisë Etike e të Natyrshme. Për jetësimin e saj kemi vepruar e do të veprojmë derisa të realizohet edhe në kuptimin e njohjes ndërkombëtare. Po të kem jetë edhe kaq sa kam jetuar do t`ia falja të tëra vitet Atdheut, Shqipërisë sonë Etnike.
Pyetja: Për fund çka do të na thoni?
I.Muzaqi: Kam shumë për të thënë, por nuk dua ta lodhi lexuesin tuaj, besoj se kjo do të mjaftojë që ata ta kuptojnë dhimbjen e një të burgosuri, prandaj për këtë ju falënderoj juve dhe besoj se është një rrugë e mirë që të intervistoni sa më shumë njerëz që kanë vuajtur nëpër burgjet jugosllave, sepse njohë shumë burra e burrëresha që janë lënë pas dore, e besoi se një përkujdesje sa do e vogël për ta është nder, sepse ata e nderuan edhe Atdheun edhe kombin, por edhe brezat e ardhshëm. Mbi të gjitha porosia e ime është e do të jetë: të bëjmë gjithçka qoftë edhe të pamundurën ta bëjmë të mundshme për ta ribashkuar Shqipërinë Etnike e të Natyrshme. /FUND/
(Intervistën e zhvilluan: Mustafë Krasniqi dhe Isuf Ismaili – 24. 03. 2009)