Nga Xhelal Zejneli, Shkup gusht – shtator 2022
DIALOGU NDËRMJET KOSOVËS DHE SERBISË …
Më 8 mars 2011 përfundoi në Bruksel mbledhja e parë e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë. Tema të dialogut ishin kadastrat, qarkullimi ajror, telekomunikimet, kryesimi i CEFTA-s dhe pamja e vulave doganore. Dialogu që zgjati dy ditë, vazhdoi të nesërmen.
Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri (Prizren, 1956 – ), ndërsa ai i Serbisë, nga drejtori politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, i quajtur Borko Stefanoviq, 1974-).
Edita Tahiri deklaroi se kemi të bëjmë me një dialog të dy shteteve të pavarura dhe bëhet fjalë për dialog teknik.
Sipas përfaqësuesit serb, Stefanoviqit, lidhur me statusin e Kosovës, të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe se do të ishte iluzion të pritet se ndonjëra nga palët do ta ndryshojë mendimin e vet. “Dialogu do të duhej të ndihmonte që të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Fillimi i dialogut ishte vënë dyshim, për arsye se Kuvendi i Kosovës nuk ia doli të miratojë rezolutë për dialog me Serbinë. Në fund u vendos se gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në dialog, mjafton që delegacioni i Kosovës të niset për në Bruksel.
Dialogu zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në këtë mbledhje, në emër të BE-së, në cilësinë e ndërmjetësuesit, mori pjesë diplomati britanik Robert Kuper (Robert Francis Cooper, 1947- ), ndërsa delegacioni i Uashingtonit, i përbërë prej tre anëtarëve, udhëhiqej prej zëvendës ndihmës-sekretarit shtetëror për Evropë dhe Euro-Azi, Tomas Kantrimen (Thomas M. Countryman, 1957- ).
Pas mbledhjes së dytë të planifikuar për të mërkurën, do të shpallej komunikata e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, politikanes britanike Ketrin Eshton, Baronesha Eshton (Catherine Margaret Ashton, Baroness Ashton of Upholland, 1956-). Mediumeve do t’u drejtoheshin edhe përfaqësuesit e delegacioneve.
Në Bruksel përpiqen që çdo gjë të rrjedhë në mënyrë sa më diskrete, ndërsa mbledhja prezantohet si takim pune dhe takim teknik, duke shtuar se ky nuk është veçse fillimi i procesit.
Tema të dialogut dyditor, të kumtuar prej Brukselit, do të jenë bashkëpunimi rajonal, liria e qarkullimit dhe sundimi i së drejtës.
Për dallim nga dialogët paraprakë të zhvilluar në Vjenë, rrethi i ri i dialogëve do të zhvillohet përjashtimisht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por edhe me praninë e ShBA-së.
* * *
Dialogu midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë u zhvillua sipas kronologjisë së poshtëshënuar:
– në vitet 1998-1999 – Uashingtoni e emëron diplomatin dhe ambasadorin amerikan Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ) si të dërguar special për Kosovën. Deri në shkurt të vitit 1999, Kristofer Hill udhëtonte në Prishtinë dhe në Beograd, duke u ofruar palëve një sërë versionesh të zgjidhjes përfundimtare; Bashkë me Kristofer Hillin, në bisedime merrnin pjesë edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian, diplomati austriak i etnitetit slloven, Volfgang Petriç (Wolfgang Petritsch, 1947-) dhe përfaqësuesi i Rusisë, diplomati Boris Majorski;
– më 22 mars 1999 – nga Kosova u evakuua Misioni vëzhgues i OSBE-së;
– më 23 shkurt 1999 – përfundojnë bisedimet në Konferencën e Paqes në Rambuje afër Parisit ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë;
– më 23 mars 1999 – për të parandaluar një dramë humanitare përmasash biblike dhe një tragjedi të popullsisë civile, NATO-ja ndërhyn ushtarakisht kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe;
– më 9 qershor 1999 – përfundon ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi; pas kësaj, forcat pushtuese kolonialiste serbe u tërhoqën nga Kosova; në Kosovë hyjnë misioni i organizatës botërore, UNMIK-u dhe trupat e NATO-s – KFOR-i;
Shënim: Rreth një milion shqiptarë që ishin dëbuar forcërisht nga forcat fashiste serbe, e që ishin strehuar në Shqipëri dhe në Maqedoni, filluan të rikthehen në vatrat e veta. Mbi 600.000 shqiptarë ishin vendosur në Shqipëri, ndërsa rreth 360.000 sish – në Maqedoni.
* * *
– fillimi i viti 2001 – Kryetari i atëhershëm i RS të Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica / Војислав Коштуница, 1944) paska tentuar të zhvillojë bisedime me – sipas burimeve të huaja – liderin e shqiptarëve të Kosovës Ibrahim Rugovën (1944-2006), por ekipi i Kosovës “ka hequr dorë nga pjesëmarrja në mbledhjen përgatitore”. Të njëjtin fat e paskan përjetuar edhe përpjekjet e kryeministrit Zoran Gjingjiq (Zoran Đinđić / Зоран Ђинђић, 1952 – 2003) për vënien në lëvizje të procesit të bisedimeve me – siç thonë burimet serbe – „shqiptarët e Kosovës“.
Shënim: Zoran Gjingjiqi diplomoi në vitin 1974 në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Në vitin 1979 doktori për filozofi në Universitetin e Konstancës në Gjermani. U vra në atentat në vitin 2003 në Beograd, nga ultranacionalistët serbë të mbështetur nga ithtarët e zjarrvënësit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević / Слободан Милошевић, Pozharevc, Serbi, 1941 – Hagë, 2006) dhe nga radikali serbomadh Vojisllav Sheshel (Vojislav Šešelj / Војислaв Шешељ, 1954-).
* * *
– më 7 tetor 2005 – Grupi i Kontaktit i miratoi parimet e zgjidhjes së statusit të Kosovës; në to thuhet se zgjidhja duhet të arrihet në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në përputhje me demokracinë dhe me të drejtën ndërkombëtare; zgjidhja duhet t’i kontribuojë edhe sigurisë në rajon;
– më 24 tetor 2005 – Këshilli i Sigurimit i KB-ve dha dritë të gjelbër për fillimin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës. Ambasadorët e forumit më të fuqishëm të organizatës botërore i mbështetën propozimet e sekretarit të përgjithshëm të asaj kohe Kofi Anan (Kofi Atta Annan; Rumasi, Ganë, 1938 – Bernë, Zvicër, 2018) që të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës.
Shënim: Diplomati ganez Kofi Anan ka qenë sekretar i përgjithshëm i OKB-së në vitet 1997-2006. Në vitin 2001 mori çmimin “Nobel” për paqe.
* * *
– më 11 nëntor 2006 – ish-kryetari i Finlandës Marti Ahtisari u zgjodh për negociator kryesor; pas dhjetë ditëve mbërriti në Prishtinë; me këtë praktikisht filloi edhe procesi i bisedimeve;
– janar 2006 – Grupi i Kontaktit i konfirmoi parimet e bisedimeve dhe e ftoi Prishtinën dhe Beogradin të punojnë në mënyrë konstruktive me Marti Ahtisarin, për të gjetur zgjidhje reale për shumë çështje “të rënda” të cilat duhet të shqyrtohen;
– shkurt – shtator 2006 – U zhvillua dhjetë raunde bisedimesh në Vjenë;
– më 24 korrik 2006 – u mbajt raundi i parë i bisedimeve për statusin e Kosovës në nivel më të lartë, me ç’rast kryetari i Serbisë Boris Tadiq (1958- ) “shqiptarëve të Kosovës” – sikundër shprehen burimet serbe – u paska ofruar autonomi thelbësore në kufijtë e Serbisë, gjë që kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu (1951-) e ka hedhur poshtë, duke theksuar se pavarësia është e vetmja zgjidhje që do ta pranojnë shqiptarët.
Ahtisari deklaron: “Beogradi është i gatshëm të japë çdo gjë përpos pavarësisë, ndërsa Prishtina nuk pranon asgjë përpos pavarësisë”.
Shënim: Fatmir Sejdiu ka qenë kryetar i Kosovës në vitet 2006-2010.
– më 20 shtator 2006 – Marti Ahtisari në Nju-Jork e njoftoi Grupin e Kontaktit me rrjedhën e bisedimeve “Duke qenë se ky proces hyn në fazën vendimtare, ministrat shpresojnë për një zgjidhje të përhershme të çështjes së madhe të fundit që ndërlidhet me shpërbërjen e Jugosllavisë”.
– më 2 shkurt 2007 – Marti Ahtisari e paraqiti projektin e zgjidhjes të cilin pala kosovare e mbështeti, ndërsa Serbia e hodhi poshtë. Edhe pse në dokument fjala pavarësi askund nuk përmendej në mënyrë implicite (të vetëkuptueshme), Kosovës i njihej e drejta për të aplikuar në organizatat ndërkombëtare, të formojë forca të armatosura dhe të miratojë simbole shtetërore.
– më 26 mars 2007 – Marti Ahtisari, në raportin përfundimtar të paraqitur Këshillit të Sigurimit, si zgjidhje për statusin e Kosovës propozoi pavarësi të mbikëqyrur. Në raport, midis tjerash Ahtisari thotë: Riintegrimi i Kosovës në Serbi nuk është opsion real; për këtë arsye pavarësia e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët është zgjidhja më e mirë”.
– më 25 prill 2007 – Këshilli i Sigurimit i KB-ve, me kërkesë të Beogradit dhe të Moskës, dërgoi në Kosovë një mision të posaçëm i cili brenda katër ditëve do të konstatonte gjendjen në terren, për arsye se do shtete, anëtare të këtij forumi “kanë shprehur rezerva lidhur me zgjidhjet” e propozuara nga Marti Ahtisari.
– më 13 korrik 2007 – ShBA-ja dhe shtetet anëtare të BE-së, ia paraqitën Këshillit të Sigurimit propozimin e rezolutës së re për Kosovën, të pestën me radhë, me të cilën Kosovës dhe Serbisë u lihet edhe 120 ditë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, por “pa automatizëm në zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, po qe se këto bisedime nuk japin fryt”.
– më 20 korrik 2007 – të ballafaquar me kanosjen e vetos së Rusisë, ShBA-ja dhe pesë anëtarët e BE-së, heqin dorë nga vazhdimi i procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të KB-ve. Këta paralajmëruan se që nga fundi i muajit korrik, për këtë proces do të kujdeset Grupi i Kontaktit i përbërë prej gjashtë anëtarëve.
– Më 10 qershor 2007, presidenti amerikan Xhorxh Uoker Bush (George Walker Bush, 1946-) paralajmëroi nga Tirana: “Është koha që Kosova të bëhet shtet i pavarur”.
– më 10 gusht 2007 – treshi i negociatorëve BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia e filluan raundin e dytë të bisedimeve. Në treshin ndërmjetësues, qëndrimi i ShBA-së nuk përputhet me atë të Rusisë. Uashingtoni mbështet Kosovën, ndërsa Moska – Serbinë. ShBA-ja kërkon një zgjidhje brenda 120 ditëve, e pikërisht në bazë të planit të emisarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisarit*. Rusia ndërkaq, thotë: “Pakoja e Ahtisarit e ka humbur vlerën, ndërsa bisedimet nuk duhet kufizuar në pikëpamje kohore”.
Shënim: Marti Ahtisari (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari; Vyborg, Rusi, 1937- ) është diplomat finlandez, mediator apo ndërmjetësues i Kombeve të Bashkuara, kryetar i Finlandës në vitet 1994-2000; në vitin 2008 mori çmimin “Nobel” për paqe.
* * *
– më 27-28 shtator 2007 – shefat e diplomacisë të vendeve të Grupit të Kontaktit theksuan në Nju-Jork përcaktimin për një zgjidhje me marrëveshje të statusit të Kosovës, të cilën do ta konfirmonte Këshilli i Sigurimit i KB-ve.
Bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Beogradit, pas të cilave pala kosovare paraqiti Propozimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Këtë propozim, Serbia e refuzoi.
– më 10 dhjetor 2007 – treshi i negociatorëve BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia, pas 120 ditë bisedimesh, e përfunduan misionin. Në raportin e diplomatit gjerman Volfgang Ishinger (Wolfgang Friedrich Ischinger, 1946-), të diplomatit amerikan Frenk Uizner (Frank George Wisner, 1938- ) dhe të diplomatit rus, tani ambasador në Beograd, Aleksandar Bocan Harçenko (Alexandr Botsan Kharchenko, 1957- ) thuhet se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe se të dyja obligohen që të përmbahen nga dhuna. Beogradi ka kërkuar vazhdimin e “bisedimeve”, ndërsa shqiptarët nuk heqin dorë nga shpallja e pavarësisë;
– më 19 dhjetor 2007 – Sipas burimeve serbe, Këshilli i Sigurimit i KB-ve “nuk ka nxjerrë kurrfarë konkluzioni lidhur me çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës”. Serbia ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve dhe i është kundërvënë dërgimit të misionit të BE-së në Kosovë, pa një vendim paraprak të KB-ve. Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu (1951-) deklaron se për statusin e Kosovës, pavarësia është e vetmja zgjidhje e pranueshme;
– më 14 shkurt 2008 – Qeveria e Serbisë mori Vendim “për anulimin e akteve të paligjshme të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi për shpalljen e pavarësisë së njëanshme”;
– më 17 shkurt 2008 – Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës pasuan manifestime. Në ditët e ardhshme, pavarësinë e Kosovës e njohën: ShBA-ja, Shqipëria, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, Turqia, Australia, Polonia etj.
Shënim: Deri më sot, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete të botës.
* * *
– më 18 shkurt 2008 – Kuvendi i Serbisë e vërtetoi vendimin e qeverisë për anulimin “e shpalljes së njëanshme të paligjshme të pavarësisë së Kosovës”. Në një seancë të jashtëzakonshme, për aprovimin e propozimit të Qeverisë së Serbisë, votuan 225 deputetë.
– më 21 shkurt 2008 – sipas burimeve serbe, në mitingun “Kosova është Serbi”, të mbajtur në qendër të Beogradit qenkëshin tubuar “rreth 500.000 vetë”. Në trazirat që pasuan pas mitingut, humbi jetën një demonstrues. Qenkëshin plagosur rreth 200 vetë, ndërsa 192 vetë policia paskësh shoqëruar në stacion policor. Demonstruesit e dogjën ndërtesën e ambasadës së ShBA-së dhe e demoluan ambasadën e Kroacisë.
– më 26 mars 2008 – Serbia paralajmëroi se do të kërkojë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet nëse me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. Serbia do ta ndërmarrë këtë nismë nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
– më 15 gusht 2008 – shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq (Vuk Jerеmić / Вук Јеремић, 1975- ) zyrtarisht i paraqiti kërkesë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, duke kërkuar që ky forum ta mbështesë rezolutën e Serbisë me të cilën kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pyetja drejtuar kësaj gjykate ka këtë përmbajtje: “Pavarësia e Kosovës e shpallur njëanshëm nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes të Kosovës, a është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”
– më 8 tetor 2008 – Asambleja e Përgjithshme e KB-së, me shumicë votash, miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Propozimin e rezolutës të paraqitur nga Serbia e mbështetën 77 delegatë. Kundër këtij propozimi votuan gjashtë delegatë, përkatësisht përfaqësuesit e Palaut, Naurus, Mikronezisë, Ishujve Marshall, Shqipërisë dhe të ShBA-së.
– prej 1 deri më 11 dhjetor 2009 – Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë filloi shqyrtimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kosova dhe Serbia kishin në dispozicion nga tri orë për t’i nxjerrë argumentet. Gjatë një shqyrtimi që zgjati nëntë ditë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, mendimin e vet për legalitetin e shpalljes së pavarësisë e dhanë 29 delegacione;
– më 22 dhjetor 2009 – skadoi afati i përgjigjeve për tri pyetjet të caktuar nga gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në fund të shqyrtimit nëntëditor – a lejohet pavarësia jashtë kontestit të dekolonizimit; në vjeshtë të vitit 2007, institucionet e Kosovës a kanë zhvilluar fushatë për zgjedhje mbi platformën e shpalljes së pavarësisë dhe a është përcaktuar me dokumentin e Rambujesë e drejta për vetëvendosje;
Shënim: Konferenca e Paqes e Rambujes ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë, u mbajt në Rambuje (Rambouillet) afër Parisit. Zgjati 17 ditë. Filloi më 6 shkurt 1999 për t’u mbyllur më 23 shkurt të po atij viti.
* * *
– në korrik 2010 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare;
– në shtator 2010 – Asambleja e Përgjithshme e KB-së miratoi një rezolutë me të cilën i hapen dyert fillimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Me këtë rast, përshëndetet gatishmëria e BE-së për të ndërmjetësuar në dialog;
Përfaqësuesit e Kosovës, ShBA-së, Britanisë Madhe, Francës, Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Norvegjisë, Danimarkës, Finlandës, Bullgarisë, Kroacisë, Jordanisë dhe të Arabisë Saudite mbrojtën qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Burundit vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ekzistojë si entitet, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Serbia, Rusia, Kina, Spanja, Rumania, Qiproja, Argjentina, Brazili, Vietnami, Bolivia, Venezuela, Azerbajxhani dhe Bjellorusia vlerësuan se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare.
* * *
Nga zvarritja apo prolongimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, mund të konstatohet:
– se në dialogun e sipërthënë, tërthorazi ka qenë e implikuar edhe Moska apo më saktë, kryetari i Rusisë Vlladimir Putin (1952-);
– se qendrat proruse të BE-së, nën ndikimin e Putinit, janë shndërruar në qendra filoserbe;
– se Berlini dhe Parisi, të konsideruara lokomotiva të BE-së, nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta rrumbullakuar shtetësinë Kosovës;
– se Serbia ka qenë e përkëdhelura e qendrave proruse të Brukselit;
– se nuk është e rastit që shefi i diplomacisë evropiane Josep Borel (Josep Borrell, 1947- ) vjen nga një shtet si Spanja, që s’e ka njohur pavarësinë Kosovës;
– se nuk është e rastit që përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak (Miroslav Lajčák, 1963- ) vjen nga një shtet si Sllovakia, që s’e ka njohur pavarësinë Kosovës.
Presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977- ) dhe ish-kancelarja gjermane e vizitojnë Beogradin, duke e anashkaluar Prishtinën.
Në Serbi kanë investuar me të madhe firmat e Gjermanisë. Aty kanë hyrë edhe investime të Francës dhe të Italisë. Madje Franca i shiti Serbisë edhe armë.
Në kohën e kancelarëve Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944- ) dhe Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, 19540- ), marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë së Putinit, arritën një shkallë të lartë. Nga këto marrëdhënie përfitonin të dy shtetet, si Gjermania, ashtu edhe Rusia. Merkeli i siguronte Gjermanisë dhe Evropës lëndë djegëse energjetike, naftë dhe gaz natyror. Në saje të kësaj, Gjermania arriti një shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, por nga këto marrëdhënie përfitoi edhe Rusia e Putinit. Nga marrëdhëniet e lartpërmendura, Gjermania dhe Evropa u bënë të varura nga nafta dhe nga gazi natyror rus. Shrederi dhe Merkeli nuk kërkuan rrugë alternative për të siguruar lëndë energjetike – naftë dhe gaz natyror. Një Rusi e fortë nuk është interes strategjik i Perëndimit.
Nuk është vështirë të konstatohet se Putini i ka kërkuar Angela Merkelit që për statusin përfundimtar të Kosovës të mbështesë një zgjidhje kompromisi.
Pas agresionit rus në Ukrainë, tashmë Putini nuk është tërheqës për qendrat proruse dhe filoserbe të BE-së. Atij i ka mbetur të takohet me kryetarin e Koresë së Veriut Kim Jong-un (1984-). Evropa dhe Gjermania e kancelarit Olaf Sholc (Olaf Scholz, 1958-) do të kërkojnë rrugë të reja të furnizimit me naftë dhe gaz natyror.
Po të mbetej për BE-në, mbyllja përfundimtare e statusit të Kosovës do të qëndronte pezull deri në pafundësi. Rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës do ta bëjë ShBA-ja dhe vetëm ajo.
* * *
Është detyrë e shqiptarëve ta luftojnë korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë, përfshirë edhe majat e shtetit dhe të politikës. Ta luftojnë edhe nepotizmin. Politikanët që janë nën hipotekë nuk mund të udhëheqin shtet.
Xhelal Zejenli
***
GJENOCIDI SERB NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1877-1878
Në vitin 1876-1878, me mbështetjen dhe nxitjen e Rusisë, në sanxhakun e Nishit shpërtheu konflikti midis Serbisë dhe Malit të Zi kundër ushtrisë osmane. Këto luftëra, bashkë me Luftën ruso-osmane të viteve 1877-1878, përfunduan me disfatën e ushtrisë osmane. Territoret shqiptare të sanxhakut të Nishit, të zaptuara nga ushtria serbo-malazeze, me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), iu dhanë Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi.
Para se të shpërthente konflikti, popullsia shqiptare e Sanxhakut të Nishit ishte kompakte dhe kryesisht rurale. Gjatë luftës, shqiptarët i rezistuan hyrjes së forcave serbe në sanxhakun e Nishit. Një pjesë e tyre u strehua në malet përreth, ndërsa një pjesë tjetër u vendos në Kosovë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve u dëbuan nga forcat serbe, ndërsa një numër i vogël qëndruan në trojet e veta në luginën e Jabllanicës. Një numër i refugjatëve shqiptarë u vendosën në më se tridhjetë vendbanime në pjesë qendrore dhe juglindore të Kosovës.
Dëbimi i popullsisë shqiptare nga këto vise paraqet pastrim etnik dhe gjenocid. Refugjatët shqiptarë të sanxhakut të Nishit që u vendosën në Kosovë, nga shqiptarët vendës u quajtën muhaxhirë. Nga ngjarjet e sipërthëna, konflikti midis shqiptarëve dhe serbëve do të ashpërsohet, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet tyre do të jenë të tensionuara sot e kësaj dite.
Gjatë konfliktit midis Malit të Zi, të mbështetur nga Rusia, në një anë dhe forcave osmane, në anën tjetër, ushtria malazeze ia doli të pushtonte disa zona përgjatë kufirit, por hasi në qëndresën e fuqishme të shqiptarëve në Ulqin, si dhe të forcave shqiptar-osmane në rajonet Podgoricë-Shpuzë dhe Plavë-Guci. Përfitimet territoriale të Malit të Zi qenë të vogla. Më vonë, shqiptarët që jetonin pranë kufirit, u dëbuan nga Podgorica dhe nga Shpuza. Në vitin 1880 Ulqini iu dha Malit të Zi. Një numër shqiptarësh u vendosën në Shkodër.
Shqiptarët e dëbuar me dhunë nga serbët prej sanxhakut të Nishit, u vendosën në Kosovë, ndërsa një numër shqiptarësh të dëbuar me dhunë nga malazeztë, u vendosën në sanxhakun e Shkodrës.
* * *
Shumë toponime të sanxhakut të Nishit dëshmojnë se prania e shqiptarëve në viset e Toplicës dhe të Moravës jugore që ndodhet në verilindje të Kosovës së sotme, datojnë që nga koha e mesjetës.
Para konfliktit midis ushtrisë serbe, të mbështetur nga Rusia, në një anë dhe ushtrisë osmane, në anën tjetër, një popullsi e madhe shqiptare banonte në rrethin e Nishit, Pirotit që në atë kohë quhej Shehirköj, Vranjës, Leskocit, Prokuples dhe Kurshumlisë. Pjesët rurale të luginave të Toplicës, Kosanicës, Pustarekës dhe Jabllanicës, si dhe viset fqinje gjysmëmalore ishin të banuara nga një popullsi shqiptare kompakte.
Sipas disa studiuesve, në ato zona serbët jetonin pranë grykëderdhjeve të lumenjve dhe në shpatet malore. Shqiptarët dhe serbët banonin edhe në rajone të tjera të pellgut jugor të Moravës. Në disa qendra urbane ka pasur edhe turq. Një pjesë e tyre kanë qenë me prejardhje shqiptare. Myslimanët në Nish dhe në Shehirköj (sot Pirot), kanë qenë turqishtfolës; në Vranjë dhe në Leskoc kanë qenë turqishtfolës dhe shqipfolës, ndërsa në Prokuple dhe në Kurshumli kanë qenë shqipfolës. Në afërsi të kufirit të atëhershëm të rrethinave të Nishit ka pasur edhe një numër refugjatësh çerkezë që ishin vendosur aty nga osmanët gjatë vitit 1860.
* * *
Me përbërjen etnike të rajonit të Toplicës dhe të Moravës në kufijtë e pas vitit 1878 është marrë gjeografi dhe hartografi anglo-gjerman Ernst Georg Ravenshtajn (Ernest Georg Ravenstein, 1834-1913). Studimi i tij u botua më 1880. Me përbërjen etnike të vitit 1876, në kufijtë pas vitit 1878 është marrë edhe gjeografi gjerman Hajnrih Kipert (Heinrich Kiepert, 1818-1899). Studimi i tij u botua më 1882. Studimet botoheshin në “Andrees Allgemeiner Handatlas”. Ky ishte atlas hartografik i përgjithshëm i publikuar në disa botime gjermane dhe të huaja në vitet 1881-1937. Emrin e mori nga gjeografi dhe hartografi gjerman Riçard Andri (Richard Andree, 1835-1912).
* * *
Numri i popullsisë – Burime të ndryshme japin të dhëna të ndryshme për numrin e popullsisë. Historiani dhe demografi amerikan, profesor në Universitetin e Luisvillit/Louisville Xhastin MeKarti (Justin McCarthy, 1945-) thotë: “Në vitin 1876 në sanxhakun e Nishit kanë jetuar 131.000 myslimanë, ndërsa në vitin 1882, jo më shumë se 12.000. Të tjerët janë dëbuar nga Serbia”. Historiani anglez Ser Noel Malkolm (Noel Robert Malcolm, 1956-) thotë: “Para konfliktit midis ushtrisë serbe, në një anë dhe ushtrisë osmane, në anën tjetër, në këto vise kanë banuar 110.000 shqiptarë”.
Historiani shqiptar Sabit Uka (1920-2006) thotë: “Numri prej 110.000 shqiptarëve është një vlerësim i pasaktë, i bazuar në statistikat Austro-Hungareze”. Sipas tij, “Para konfliktit në ato anë kanë jetuar rreth 200.000 shqiptarë”. Historiani dhe turkologu shqiptar Skënder Rizaj (1930-2021) dhe historiani turk Bilal Shimshir (Bilal Şimşir; Osmanpazari, Bullgari, 1933-), thonë: “Numri i refugjatëve shqiptarë nga këto vise lëviz midis 60.000 – 70.000”.
Albanologu gjerman Robert Elsie (Vancouver, British Columbia, Kanada, 1950 – Bon, Gjermani, 2017) numrin e refugjatëve shqiptarë e vlerëson në rreth 50.000 vetë. Gjeografi dhe etnologu serb, akademiku Jovan Cvijiq (Jovan Cvijić, 1865-1927) thotë: “Numri i refugjatëve shqiptarë nga rajoni i sanxhakut të Nishit ka qenë rreth 30.000 vetë”. Këtë shifër e mbështet edhe historiani dhe diplomati serb Dushan Batakoviq (Dušan Bataković / Душан Батаковић, 1957-2017). Ky numër u pranua nga historiografia serbe dhe mbeti i padiskutueshëm për gati një shekull. Duke u bazuar në arkiva dhe në dokumente të udhëtarëve serbë, historiani serb Millosh Jagodiq (Miloš Jagodić / Милош Јагодић, 1975-) thotë: “Numri i shqiptarëve dhe i myslimanëve që u larguan nga sanxhaku i Nishit ka qenë shumë më i madh”. Studiuesi serb Gjorgje Stefanoviq (Đorđe Stefanović / Ђорђе Стефановић) thotë: “Nga të paktën 71.000 myslimanëve të larguar nga zona, 49.000 kanë qenë refugjatë shqiptarë”.
* * *
Mëkëmbësi, historiani, diplomati, akademiku serb, përfaqësues i Principatës së Serbisë në Kongresin e Berlinit (1878), Jovan Ristiq (Jovan Ristić / Јован Ристић, 1831-1899) rajonin e sanxhakut të Nishit të banuar me shqiptarë e shihte si një zonë me rëndësi strategjike. Ky rajon në të ardhmen do t’i shërbente Serbisë si një bazë për t’u shtrirë në Kosovë dhe në Maqedoni. Gjenerali serb Kosta Protiq (Kosta Protić / Коста Протић, 1831-1892) i cili gjatë luftës së viteve 1877-1878 ishte në krye të ushtrisë serbe, i shihte shqiptarët si një shqetësim të mundshëm për sigurinë e Serbisë. Pikëpamjet e Kosta Protiqit për dëbimin e popullsisë myslimane, përfshi edhe shqiptarët, u mbështetën nga shumica e oficerëve të lartë të ushtrisë serbe si dhe nga vetë princi Millan Obrenoviq (Milan Obrenović / Милан Обреновић, 1854-1901), i cili në vitet 1882-1889 ishte mbret i Serbisë.
* * *
Me kërkesën e Rusisë, më 15 dhjetor 1877 Serbia hyri në luftë kundër ushtrisë osmane. Pas rrethimit të Nishit, forcat serbe u drejtuan në jugperëndim, nëpër luginën e Toplicës. Në ditën e tretë të luftës, serbët e morën Prokuplen. Shqiptarët u larguan nga shtëpitë e tyre drejt malit Posjaçë. Një pjesë e tyre u nisën për në Kurshumli. Shqiptarët që ishin strehuar nëpër male, refuzuan të dorëzohen, duke u bërë ballë forcave serbe. Pas Prokuples, serbët shtinë në dorë edhe Kurshumlinë. Refugjatët shqiptarë arritën në malet e Kopaonikut. Pas marrjes së Nishit nga ushtria serbe, shqiptarët e luginës së Topëicës, të strehuar në malet përreth, s’kishin sesi të ktheheshin në fshatrat e veta. Forcat serbe u nisën për në jug nëpër luginën e Moravës për të arritur në Leskoc. Ushtria serbe e mori qytezën Shehirköj (sot Pirot), ndërsa banorët turq ikën për në Kosovë, në Maqedoni dhe në Trakë. Më 10 janar 1878 ushtria serbe e mori Nishin. Popullsia myslimane u nis për në Prishtinë, Prizren, Shkup dhe Selanik. Forcat serbe vazhduan ekspeditën ushtarake në jugperëndim, për të hyrë në luginat e Kosanicës, të Pustarekës dhe të Jabllanicës. Ushtria serbe vazhdoi rrugën për në Vranjë. Synim kishin hyrjen në Kosovë. Këtu hasën në qëndresën e madhe të shqiptarëve vendas, të strehuar në viset malore Raden dhe Majdan, e që synonin të mbronin fshatrat e tyre. Fshatrat shqiptare ranë duart e pushtuesve serbë. Shqiptarët vazhduan të tërhiqen në drejtim të Kosovës. Ushtria serbe e luginës së Moravës u nis për në jug në drejtim të grykës së Gërdelicës dhe të Veternicës. Gryka e Gërdelicës ndodhet ndërmjet Vranjës dhe Leskocit. Pasi morën Gëredlicën, forcat serbe morën edhe Vranjën. Popullata shqiptare u dëbua prej këtyre viseve. Shqiptarët, para se të tërhiqeshin për në malin Gallap, e mbrojtën grykën e Veternicës. Shqiptarë kishte edhe në rajonin e Masuricës. Sipas disa të dhënave, gjenerali serb Jovan Belimarkoviq (Јован Белимарковић, 1827-1906) i paska refuzuar urdhrat e Beogradit për dëbimin e tyre.
* * *
Pas kësaj lufte pushtuese që u zhvillua në trojet e banuara me shqiptarë, Serbia e viteve 1838-1878, i zgjeroi territoret e veta. Kongresi i Berlinit (1878) i njohu zgjerimet territoriale të Serbisë. Këto pushtime serbe u quajtën “Krahina të reja” (Novi krajevi apo Novi oblasti). Një numër i vogël i shqiptarëve qëndruan aty, por jo në vendbanimet e mëparshme. Ata u përqendruan në tre rajone: Toplicë, Masuricë dhe Jabllanicë pranë qytezës së Medvegjës. Në vitet në vijim, edhe ata pak shqiptarë që kishin mbetur në rajonet e pushtuara u detyruan të shpërngulen për në Kosovë dhe për në Turqi. Shqiptarët e dëbuar prej viseve të sipërthëna u vendosën në zonën e Llapit. Një pjesë e madhe e të dëbuarve apo e refugjatëve shqiptarë u vendosën në mbi 30 vendbanime të mëdha rurale në Kosovën qendrore dhe juglindore. Një numër refugjatësh shqiptarë u vendosën në qendrat urbane.
* * *
Në vitin 1878 diplomatët perëndimorë raportuan se një numër i konsiderueshëm familjesh shqiptare ishin vendosur në Maqedoni, ndërsa në Kosovë ishin strehuar 60.000-70.000 refugjatë shqiptarë të viseve të sipërthëna. Sipas diplomatëve perëndimorë, numri i përgjithshëm i refugjatëve shqiptarë është 120.000-130.000. Sipas guvernatorit osman të vilajetit të Kosovës, numri i refugjatëve në vitin 1881 arrin në 65.000. Disa janë vendosur në Shkup dhe në Pazar të Ri (Jeni Pazar apo Novi Pazar). Një pjesë e refugjatëve shqiptarë u vendosën edhe Perandorinë Osmane, në Samsun të Detit të Zi.
Kalvari i shqiptarëve të sanxhakut të Nishit, i viteve 1877-1878, do të lë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Synimet ekspansioniste, hegjemoniste dhe kolonialiste të serbomëdhenjve nuk pushojnë me kaq. Këto synime s’kanë pushuar sot e kësaj dite.
Për të parandaluar dhënien e trojeve etnike historike shqiptare Serbisë dhe Malit të Zi, tri ditë para se t’i fillonte punimet Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878), më 10 qershor 1878 u mbajt kuvendi i Lidhjes së Prizrenit.
Diplomacia britanike i kërkoi Serbisë që t’i lejonte refugjatët shqiptarë të kthehen në shtëpitë e tyre. Më vonë, kjo farë trysnie u shua.
* * *
Golgota shqiptare e viteve 1877-1878 dhe indiferenca e Fuqive të Mëdha të Evropës – Në prill të vitit 1878 konsulli austro-hungarez Emil Jelinek (1853-1918) raporton për refugjatët e vendosur në rajonet e Prizrenit dhe të Gjakovës. Ai e përshkruan gjendjen e rëndë të tyre. Në gjysmën e dytë të vitit 1878, konsulli i përgjithshëm britanik në Beograd Gerald Francis Gould i raporton zotit Salisbury për dëbimin e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit dhe thotë: “Banorët paqësorë dhe të zellshëm të luginave të Toplicës dhe të Vranjës u dëbuan prej pronave të veta pamëshirshëm nga serbët. Refugjatët shqiptarë ishin të rraskapitur dhe të uritur”. Ai u ngarkua nga autoritetet britanike të ushtronte trysni ndaj Serbisë për të lejuar kthimin e tyre në shtëpitë e veta. Por kjo s’ndodhi. Nënkonsulli i Rusisë në Kosovë, historiani dhe diplomati Ivan Jastrebov (1839-1894) ishte kundër kthimit të refugjatëve shqiptarë nga Kosova në vendbanimet e veta në sanxhakun e Nishit, nga ku ishin dëbuar forcërisht.
Mësuesi serb Josip H. Kostiq (1848-1900) flet për ikjen e refugjatëve shqiptarë në dimrin e acartë të vitit 1877. Ai thotë: “Shumica e refugjatëve ishin larguar prej shtëpive të veta me veshje që s’i mbronte nga i ftohti. Që nga gryka e Gërdelicës deri në Vranjë dhe Kumanovë, ju mund të shihni kufoma të braktisura fëmijësh si dhe pleq të ngrirë deri në vdekje”. Gazetari dhe shkrimtari serb Manojlo Gjorgjeviq (Manojlo Đorđević / Манојло Ђорђевић, 1851-1896) i dënoi veprimet e shtetit serb.
Në vitet e mëvonshme, lidhur me gjenocidin serbomadh ndaj shqiptarëve kishte edhe mendime të tjera. Mësuesi dhe shkrimtari serb Janiqije Popoviq (Janićije Popović / Јанићије Поповић, 1883-1951) thotë: “Luftërat e viteve 1876-1878 e trefishuan urrejtjen e shqiptarëve dhe të turqve, sidomos të refugjatëve ndaj serbëve, për shkak të akteve të dhunës ndaj tyre”. Në vitin 1900, juristi dhe politikani serb Zhivojin Periq (Živojin Perić / Живојин Перић, 1868-1953) thotë: “Sikur Serbia t’i kishte lejuar shqiptarët të kthehen në tokat e veta, nuk do të ishim në armiqësi me ta”. Në vitin 1909, historiani dhe etnografi serb Jovan Haxhi-Vasileviq (Jovan Hadži-Vasiljević / Јован Хаџи Васиљевић, 1866-1948) thotë: “Nëpërmjet spastrimit të rajoneve prej popujve që nuk ishin krishterë, Serbia synonte të krijojë një komb të pastër serb”.
* * *
Për shtrirjen e shqiptarëve në sanxhakun e Nishit në shekujt e kaluar, përfshi edhe vitet 1877-1878, flasin edhe toponimet shqipe të atyre viseve. Një prej tyre është edhe Arbanashka. Shumë refugjatë shqiptarë të atyre anëve, sot e kësaj dite i ruajnë mbiemrat e fshatrave dhe të vendbanimeve nga ku ishin dëbuar me dhunë.
* * *
Në periudhën e sipërthënë, serbët kryen gjenocid ndaj shqiptarëve. Kryen pastrimin etnik të trojeve etnike historike shqiptare. Shqiptarët u dëbuan prej vatrave të veta, pa kurrfarë faji. Në atë kohë s’kishte mjete njoftimi dhe komunikimi për ta sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar. Shqiptarët i lanë shtëpitë, djepat, enët, orenditë shtëpiake, kafshët, bagëtinë, arat, karrocat, kuajt, livadhet, bjeshkët. Vargu i pafund i ikanakëve përbëhej nga gra, foshnja, fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, pleq, të sëmurë. Ishte dimër i një dhjetori të acartë, ishin të veshur hollë, të unët, nëna me foshnja dhe fëmijë krahëve, nën kanosjen e tytave të armëve të barbarëve, të lodhura dhe të rraskapitura. Shumë foshnja, fëmijë, pleq e plaka dhe të sëmurë vdiqën rrugës për të arritur në Kosovën shpëtimtare. Ishte një popullsi civile e paarmatosur. Krerët politikë dhe ushtarakë serbë nuk treguan fije mëshire. U sollën barbarisht, sjellje barbare që s’e has dot as në mesjetë.
Fuqitë e Mëdha të Evropës – Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia nuk ndërmorën asgjë për ta parandaluar golgotën shqiptare. Përkundrazi, në Kongresin e Berlinit (1878), Fuqitë e Mëdha ia njohën Serbisë dhe Malit të Zi trojet shqiptare të pushtuara, duke i shpallur ato edhe shtete të pavarura. Pushtimi i trojeve etnike historike shqiptare nga serbo-malazeztë, gjenocidi ndaj shqiptarëve dhe pastrimi etnik i trojeve shqiptare u nxit dhe u mbështet fuqimisht nga Rusia.
* * *
Lufta serbo-osmane e viteve 1876-1878 është përfshirë në tekstet shkollore serbe të historisë në të gjitha ciklet e arsimit, që nga ai fillor deri tek ai universitar. Për dëbimin e shqiptarëve prej vatrave të tyre, nuk figuron në to as edhe një rresht i vetëm.
* * *
Tragjedia e shqiptarëve të sanxhakut të Nishit, e viteve 1877-1878 duhet të shqyrtohet në OKB. Duhet të miratohet një rezolutë e cila do ta dënonte gjenocidin serb nda shqiptarëve. Një gjenocid të ngjashëm kanë kryer edhe grekët ndaj çamëve.
Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur, i viteve 1877-1878, duhet të mësohet në shkollat shqipe, në të gjitha ciklet e arsimit, që nga ai fillor dhe i mesëm deri tek ai universitar.
Xhelal Zejneli
***
SHKOLLA DHE SHAMIA
Çështja shqiptare në Ballkan është çështje kombëtare dhe jo çështje fetare. Ata që ka sunduar mbi shqiptarët gjatë shekullit XX, kurrë s’ua kanë ndaluar shqiptarëve të drejtat apo liritë fetare islame. Shqiptarët kanë qenë të lirë të quhen myslimanë dhe të ndërtojnë objekte fetare të fesë islame. Madje kanë qenë të nxitur dhe të motivuar të ndërtojnë sa më shumë xhami. Përse?! Duke qenë se nëpër xhami lutjet fetare janë realizuar në gjuhën arabe, pushtuesit dhe kolonialistët serbë, prej tyre nuk kanë parë kurrfarë rreziku. Në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (1918-1929), e cila më vonë u quajt Mbretëria Jugosllave (1929 – nëntor 1945), në të cilën sundonte oligarkia serbomadhe në krye me dinastinë serbe të karagjorgjeviqëve, shqiptarët as që kishin të drejtë të quhen si të tillë. Ata përfshiheshin në grupin e bashkësive myslimane. Nuk kishin të drejtë të shkolloheshin në gjuhën amtare, d.m.th. në gjuhën shqipe. Kjo nuk ishte politikë asimiluese por strategji asimiluese dhe shkombëtarizuese shtetërore. Kjo strategji antishqiptare asimiluese ishte përpunuar prej akademikëve serbomëdhenj. Një prej tyre është edhe akademiku Vlladan Gjorgjeviq (Vladan Đorđvić / Владан Ђорђевић, 1844-1930). Ishte kirurg, kurse në vitet 1897-1900 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë. Me librin e vet “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Veilke sile, Beograd, 1913, 188 faqe) flet zi e më zi për shqiptarët, saqë bën edhe dehumanizimin e tyre. Ky ua çeli rrugën akademikëve të tjerë serbomëdhenj që të hartojnë projekte antishqiptare. Një prej tyre është edhe akademiku Vaso apo Vasa Çubrilloviq (Vaso Čubrilović, 1897-1990), autor i elaboratit famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) që e lexoi më 7 mars 1937 në Klubin Kulturor Serb në Beograd. Në këtë elaborat, midis tjerash thotë se shqiptarëve duhet t’u lejojmë sa më shumë xhami, por asnjë shkollë.
Me këto projekte, serbët synonin:
– t’i asimilojnë shqiptarët;
– t’i dëbojnë prej trojeve etnike:
– të kryejnë pastrimin etnik të trojeve shqiptare; dhe
– të dalin në det, në Adriatik.
Në vitin 1924 u çel në Shkup “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandri I” (Velika Medresa Kralja Aleksandra I). Ishte shkollë e mesme fetare. Ata që e kryenin, merrnin titullin e klerikut mysliman. Më 1940 u promovua në shkollë të mesme shtetërore në të cilën mësoheshin lëndë të caktuara gjimnazi dhe mësimi fetar islamik, gjuha arabe dhe ajo turke.
Sikundër shihet, shqiptarët s’kishin dot të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Duhet shtuar se në trojet shqiptare në Jugosllavinë e karagjorgjeviqëve kishte edhe popullsi shqiptare katolike dhe ortodokse. Sikundër ka dhe sot.
* * *
Ideologjia serbomadhe e shfarosjes së shqiptarëve nëpërmjet pastrimit etnik u konkretizua me Rregulloren sekrete për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll, të hartuar në Beograd më 28.XI.1933 ndërmjet Mbretërisë Jugosllave, në një anë dhe Republikës së Turqisë, në anën tjetër. Kjo marrëveshje famëkeqe imitonte Marrëveshjen e Lozanës të viti 1923, sipas të cilës Greqia dëboi për në Turqi çdo familje myslimane, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë.
Diplomatët dhe politikanët serbë shkonin nëpër kancelaritë e Evropës dhe thoshin: “Në Jugosllavi s’ka shqiptarë, ka myslimanë”.
Politikë shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve, duke i paraqitur dhe duke i regjistruar si myslimanë dhe jo si shqiptarë, kanë ndjekur edhe malazeztë, sllavo-maqedonasit dhe grekët. grekët. Një politikë e tillë – shkombëtarizuese, në zonat ku shqiptarët nuk kanë qenë shumicë, është ndjekur edhe në Jugosllavinë e Titos. Si mysliman, nuk ke paraqitur rrezik për shtetin, si shqiptar – po.
* * *
Nëpër shkollat shqiptare nuk ka përse të përdoren shamitë. Shqiptarët janë popull evropian, properëndimor dhe proamerikan. Më proamerikani në botë. S’janë as turq, as arabë dhe as persianë. Ka politikanë të Turqisë që thonë se shqiptarët dhe turqit na qenkëshin vëllezër. Kjo s’është e vërtetë dhe s’mund të jetë e vërtetë. In ultima linea, shqiptarët s’mund të jenë vëllezër me turqit, përpos tjerash edhe për faktin se u përkasin tri feve – katolike, ortodokse dhe islame. Duke qenë popull evropian, shqiptarët s’mund të jenë edhe popull aziatik.
Gjuhëtari gjerman, albanolog, themeluesi i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në Universitetin e Berlinit Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867), që në vitin 1843 dëshmoi karakterin indoevropian të shqipes. Në studimin “Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj” (Uber das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen) vërtetoi në mënyrë përfundimtare se shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Gjuha turke ndërkaq i takon familjes së gjuhëve uralo-altaike.
Si një popull evropian, shqiptarët funksionojnë me sistem evropian vlerash. Shamia, e këtillë siç kërkohet, nuk i përket sistemit evropian të vlerave. Shamia, e këtillë siç kërkohet, i përket Turqisë, botës arabe, Iranit. Shqiptarët s’janë as turq, as arabë dhe as iranianë. Shamia, e këtillë sikundër kërkohet, ka ardhur ndër shqiptarë nëpërmjet Turqisë, gjatë sundimit turk. Me fjalë të tjera, atë ua kanë sjellë shqiptarëve sundimtarët e tyre.
Shqiptarët nuk do të mundë të integrohen në gjirin e Evropës me sistem joevropian vlerash.
Shqiptarët janë popull me tri fe. Kërkesat për të mbajtur shami në shkollë, në shoqërinë shqiptare mund të shkaktojnë përçarje. Kjo do të ishte tragjike dhe fatale për kombin. Përçarjet në botën shqiptare mund të shpijnë në prishjen e harmonisë fetare, ndërsa disharmonia fetare do të çonte në konflikte mbi baza fetare. Si rrjedhojë, do kishim bosnizimin e kombit shqiptar.
Arsimi në botën shqiptare është shekullar. Por, hapësirat shqiptare ka edhe shkolla fetare, katolike, ortodokse dhe myslimane. Këtë ua mundëson ligji dhe kushtetuta.
Askush nuk i ka ndaluar nxënëset dhe studentet shqiptare të fesë islame të mbajnë shami nëpër medrese dhe në fakultetet teologjike islame. Shami mbajnë edhe vajza të moshës së mitur që ndjekin mësimin fetar nëpër mektebe. Askush nuk i ka ndaluar femrat shqiptare të fesë islame të mbajnë shami – ato që duan – në jetën private. Në një klasë shqiptare mund të mësojnë nxënës shqiptarë të të tri feve – katolike, ortodokse dhe myslimane. Si do të përjetohej shamia apo mbulesa te nxënësit shqiptarë që nuk i përkasin fesë islame?!
Propaganduesit e islamit politik një ditë do të kërkojnë që vajzat dhe djemtë shqiptarë të mësojnë nëpër shkolla të veçanta, si në Iran. Shqiptarët nuk jetojnë, as në Azi, as në botën arabe, as në Afrikë. Jetojnë në Evropë. Në shumë shkolla të vendeve me popullsi feje islame vajzat shkojnë në shkollë pa mbulesa apo shami. Shqiptarët s’ka përse të bëhemi më katolikë se papa.
Nëpër shkollat shqiptare, publike apo private, parashikohet me ligj mbajtja e uniformave. Ka nxënës, si djem ashtu edhe vajza, shkojnë në shkollë në kundërshti me normat etike apo me kodin etik. Ndaj tyre nuk merret kurrfarë mase, as pedagogjike, as administrative. Ndaj tyre nuk reagon as shkolla, as prindërit, as shoqëria. Shkolla nuk është disko klub. Është institucion edukativ dhe arsimor. Në kundërshti me normat etike apo me kodin etik, i ndjekin studimet edhe një numër i caktuar i studentëve. Nga kjo del uniforma nuk respektohet sa duhet, për të mos thënë fare, si në shkollat fillore dhe të mesme, ashtu edhe në arsimin universitar. Mbajtja e uniformës vlen – me akt normativ – edhe për mësuesit, për arsimtarët, për profesorët dhe për ligjëruesit universitarë. Në shumë raste kjo nuk respektohet gjithaq, në mos hiç. Po qe se mësuesi nuk e respekton kodin etik të profesionit të vet, atëherë mos prit më shumë prej nxënësit të tij apo të saj. Ka nxënëse që shkojnë në shkollë me grim. Madje edhe nxënëse të shkollës fillore. Ç’pret prej asaj shkolle dhe prej asaj shoqërie?!
* * *
Në një shkollë me rreth 1.000 nxënës, mbi 550 mund të jenë vajza. Prej tyre, shami në klasë mbajnë jo më shumë se 10 deri 15 sosh. Me fjalë të tjera, edhe pse shkolla nuk e ndalon mbajtjen e shamisë në klasë, numri i vajzave që e mbajnë atë është minimal. Vajza shqiptare nuk është e interesuar për shami. Përpos kësaj, shumë të rinj dhe të reja, sapo e kryejnë shkollën, ikin për në Perëndim, kryesisht në Gjermani nga ku nuk kthehen dot. E në Gjermani s’ka pse shkohet me mbulesë apo me shami – mendojnë ato.
* * *
Sot e kësaj dite diplomacia serbe, greke dhe ruse shkojnë nëpër kancelaritë evropiane dhe thonë: “Mos i mbështetni shqiptarët, ngase ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian në Evropën e krishterë. Mos e mbështetni Kosovën për arsye se shqiptarët funksionojnë me sistem oriental, pra joevropian të vlerave. Duke mbështetur Kosovën ju krijoni një shtet islamik në Evropë”.
Me kërkesat për mbajtjen e shamisë nëpër shkolla, shqiptarët me vetëdije apo pa të, e çojnë ujin në mullirin e Serbisë, të Greqisë dhe të Rusisë. Këta që kërkojnë mbajtjen e shamisë nëpër shkolla duhet ta dinë se shumë vende me popullsi myslimane, jo vetëm që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por kanë lidhje të ngushta me Serbinë. Vendet e tilla votojnë edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Kosova sot ka probleme serioze me Beogradin. Para pak ditësh, në hapësirën ajrore afër kufirit të Kosovës, Vuçiqi i solli aeroplanët luftarakë. Të mos ishte Amerika, një Zot e di se ç’do të ndodhte. Kosova nuk përplaset vetëm me Serbinë, por edhe me Rusinë.
Parësore për shqiptarët duhet të jetë kombi, d.m.th. interesi kombëtar. Në Kongresin e Berlinit (1878) shqiptarët u shpërfillën. Të vonuar, s’i bëri kush llogari. Nuk duhet lejuar përsëritjen e historisë.
Xhelal Zejneli
***
KOSOVA – NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SAJ
Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u dërguan letra në drejtim të të gjitha qeverive të botës për njohjen e saj. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ndërsa më 18 shkurt 2008, Afganistani ishte shteti i parë që njohu Kosovën shtet të pavarur. I pari politikan që e vizitoi Kosovën ishte ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild (Nils Daniel Carl Bildt, 1949-). Ai erdhi në Kosovë më 8 mars 2008.
Deri më 4 shtator 2020, prej 193 shteteve – anëtare të OKB-së, Republikën e Kosovës e kanë njohur 116 shtete dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB-së. Prej 28 shteteve të Bashkimit Evropian, Kosovën e kanë njohur 23 prej tyre. Anëtarët e BE-së vendosin vetë se a do ta njohin Kosovën. Për të siguruar paqen dhe mbikëqyrjen e jashtme, BE-ja e ka vendosur në Kosovë misionin EULEX. Prej 29 shteteve anëtare të NATO-s, Kosovën e kanë njohur 24 sish.
* * *
Tre shtete, anëtare të përhershme të Këshillimit të Sigurimit të OKB-së – ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Rusia e ka kundërshtuar dhe e ka quajtur akt ilegal, Kina ndërkaq ka shprehur “brengosje”. Me 15 maj 2008, Rusia, Kina dhe India lëshuan një deklaratë të përbashkët me të cilën autoritetet e Beogradit dhe të Prishtinës i ftojnë në bisedime të reja.
* * *
Më 15 gusht 2008, ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në vitet 2012-2013 ishte kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq (1975-), i paraqiti kërkesë zyrtare OKB-së, për të marrë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në seancën e mbajtur në shtator të vitit 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mori vendim që çështjen ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, GJND-ja vendosi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, as me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Më 7 shkurt 2013, Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Kosovën. Me këtë, ndërmjet BE-së dhe Kosovës u hap rruga e marrëveshjes për stabilizim- asociim. Në dokumentin për Kosovën të paraqitur para Komitetit për Politikë të Jashtme të PE-së nga euro-deputetja Ulrike Lunaçek (Ulrike Lunacek, 1957-) thuhet se BE-ja mund të lidhë me Kosovën marrëveshje për stabilizim-asociim, edhe pse pesë vende të Unionit nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Kjo politikane austriake deklaroi se ndarja e Kosovës nuk mund të pranohet. Projektrezoluta u bën thirrje pesë anëtarëve të BE-së që ta pranojnë shtetin e ri.
Dokumenti parashikon që Serbisë t’i jepet data e negociatave për anëtarësim në BE, me kusht që Beogradi t’i plotësojë kushtet themelore dhe ta vazhdojë procesin e reformave. Një prej kushteve të integrimit të saj është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Pavarësia e Kosovës është njohur:
– nga 116 prej gjithsej 193 shtete anëtare të OKB-së, apo nga 55.95% e tyre;
– nga 3 (prej gjithsej 5) shtete, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo nga 60% e tyre;
– nga 5 (prej gjithsej 10) shtete, anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo nga 50% e tyre. (Vlen për kohën kur është shpallur pavarësia);
– nga 23 (prej gjithsej 28) shtete të Bashkimit Evropian, apo nga 82.14% e tyre;
– nga 26 (prej gjithsej 30) shtete të NATO-s, apo nga 85.71% e tyre;
– nga 36 (prej gjithsej 56) shtete të OSBE-s, apo nga 64.29% e tyre;
– nga 34 (prej gjithsej 47) shtete të Këshillit të Evropës, apo nga 72.34% e tyre;
– nga 32 (prej gjithsej 57) shtete të Konferencës Islamike, apo nga 63.16% e tyre;
– nga 10 (prej gjithsej 22) shtete të Lidhjes Arabe, apo nga më pak se 50% e tyre;
– nga të gjitha vendet e forumit politik ndërqeveritar, i njohur si Grupi 7 (G7) – Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja.
Shtetet që e kanë njohur deri më tani Kosovën përbëjnë 72.53% të produktit të brendshëm bruto (PBB) në shkallë botërore.
* * *
Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur (renditja sipas datës së njohjes):
Afganistani (18.02.2018); Kosta-Rika (18.02.2018); Shqipëria (18.02.2018, përkatësisht më 21.10.1991); Mbretëria e Bashkuar (18.02.2018); ShBA-ja (18.02.2018); Franca (18.02.2018); Turqia (18.02.2018); Australia (19.02.2018); Senegali (19.02.2018); Gjermania (20.02.2018); Letonia (20.02.2018); Estonia (21.02.2018); Italia (21.02.2018); Danimarka (21.02.2018); Luksemburgu (21.02.2018); Peru (22.02.2018); Belgjika (25.02.2018); Polonia (26.02.2018); Zvicra (27.02.2018); Austria (27.02.2018); Irlanda (29.02.2018); Suedia (04.03.2018); Holanda (04.03.2018); Islanda (05.03.2018); Sllovenia (05.03.2018); Finlanda (07.03.2018); Japonia (18.03.2018); Kanadaja (18.03.2018); Monako (19.03.2018); Hungaria (19.03.2018); Kroacia (19.03.2018); Bullgaria (20.03.2018); Lihtenshtajni (25.03.2018); Koreja e Jugut (28.03.2018); Norvegjia (28.03.2018); Ishujt Marshall (17.04.2008); Nauru (23.04.2008); Burkina-Faso (24.04.2008); Lituania (06.05.2008); San-Marino (11.05.2008); Republika Çeke (21.05.2008); Liberia (30.05.2008); Sierra-Leone (13.06.2008); Kolumbia (07.08.2008); Belize (07.08.2008); Malta (21.08.2008); Samoa (15.09.2008); Portugalia (07.10.2008); Mali i Zi (09.10.2008); Maqedonia e Veriut (09.10.2008); Emiratet e Bashkuara Arabe (14.10.2008); Malajzia (30.10.2008); Mikronezia (15.12.2008); Panamaja (16.01.2009); Maldivet (19.02.2009); Palau (09.03.2009); Gambia (07.04.2009); Arabia Saudite (20.04.2009); Komoros (18.05.2009); Bahrejni (19.05.2009); Jordania (07.07.2009); Republika Dominikane (10.07.2009); Zelanda e Re (09.11.2009); Malevia/Malavi (16.12.2009); Mauritania (12.01.2010); Suazilendi (12.04.2010); Vanatu (28.04.2010); Xhibuti (11.05.2010); Somalia (19.05.2010); Hondurasi (03.09.2010); Kiribati (21.10.2010); Tuvalu (18.11.2010); Katari (04.01.2011); Guineja-Bisao (10.01.2011); Omani (04.02.2011); Andora (08.06.2011); Guineja (12.08.2011); Nigeri (16.08.2011); Benini (17.08.2011); Shën-Lucia (19.08.2011); Gaboni (09.09.2011); Bregu i Fildishtë (21.09.2011); Kuvajti (11.10.2011); Gana (23.01.2012); Haiti (10.02.2012); Brunei (25.04.2012); Çadi (01.06.2012); Papua Guineja e Re (03.10.2012); Burundi (16.10.2012); Timori Lindor (09.11.2012); Saint Kits dhe Nevis (14.11.2012); Fixhi (14.11.2012); Dominika (11.12.2012); Pakistani (24.12.2012); Guajana (16.03.2013); Tanzania (05.06.2013); Jemeni (1.06.2013); Egjipti (26.06.2013); Grenada (25.09.2013); Libia (25.09.2013); Tajlanda (26.09.2013); El-Salvadori (04.10.2013); Tonga (15.01.2014); Lezoto (11.02.2014); Ishujt Solomon (13.08.2014); Antigua dhe Barbadosi (20.05.2015); Surinami (08.07.2016); Singapori (01.12.2016); Bangladeshi (27.02.2017); Madagaskari (25.11.2017); Barbadosi (15.02.2018); Izraeli (04.09.2020)
* * *
Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën (renditja sipas alfabetit)
Afrika e Jugut, Angola, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Ekuadori, Filipinet, Greqia, Gjeorgjia, India, Kazakistani, Kina, Kirgizia, Kongo (Republika Demokratike), Koreja e Veriut, Kuba, Laosi, Meksika, Moldavia, Maroku, Palestina, (shtet vëzhguese në OKB), Qiproja, Rusia, Serbia, Sllovakia, Spanja, Sri-Lanka, Taxhikistani, Ukraina, Uruguai, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami.
* * *
Kosova dhe organizatat qeveritare ndërkombëtare
Këshilli i Sigurimit i OKB-së – prej pesë anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së, ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rusia si anëtare e përhershme e KS të OKB-së, e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Një prej pesë anëtarëve të KS të OKB-së është edhe Kina. Për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ajo ka shprehur brengosjen e vet.
Bashkimi Evropian – Më 18 shkurt 2008, BE-ja u prononcua rreth deklaratës së Kuvendit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë. BE-ja vendosi misionin e vet në Kosovë me emrin EULEX. Ky mision përfshin përfaqësuesin special, 2000 policë dhe këshilltarë juridikë.
Parlamenti Evropian – Më 30 maj 2008, Parlamenti Evropian (PE) shpalli se e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ishte hera e parë që flamuri i Kosovës u shfaq zyrtarisht në institucionet e Bashkimit Evropian.
Më 15 korrik 2008, Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshoi një deklaratë me të cilën e njohu ndarjen e Kosovës nga Serbia. FMN-ja mori nga Kosova kërkesë zyrtare për anëtarësim. FMN-ja e ndihmon Kosovën teknikisht dhe e monitoron zhvillimin ekonomik të saj.
NATO-ja e udhëheq KFOR-in i cili nën mandatin e KS të OKB-së, prej qershorit të vitit 1999, e ka nën kontroll sigurinë e Kosovës.
Organizata e Konferencës Islamike (OKI/OIC) – Në një deklaratë të datës 14 mars 2008, Organizata i motivon shtetet anëtare që Republikën e Kosovës ta njohin individualisht. Azerbajxhani, Egjipti, Indonezia dhe Sudani, pavarësinë e Kosovës e kanë kundërshtuar në mënyrë të prerë. Në seancën përmbyllëse të Ministerialit të Organizatës së Konferencës Islamike, të mbajtur në Dushanbe të Taxhikistanit, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, lidhur me Kosovën miratuan një rezolutë të re. Kjo rezolutë e iniciuar nga Shqipëria, u miratua njëzëri prej 57 shteteve anëtare të OKI. Prej 57 shteteve anëtare të OKI, Kosovën e kanë njohur vetë 32 sish.
OSBE – Për njohjen apo për mosnjohjen e Kosovës, shtetet deklarohen individualisht. Sipas OSBE-së, Kosova duhet të jetë shumetnike.
Xhelal Zejneli
***
KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
Pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Midis tyre edhe Rumania dhe Sllovakia. Që të dyja, brenda kufijve të tyre kanë nga një bashkësi etnike hungareze. Por, midis hungarezëve në Rumani, përkatësisht në Sllovaki, në një anë dhe Kosovës, në anën tjetër, nuk ka asnjë ngjashmëri apo analogji dhe s’mund të bëhet dot kurrfarë krahasimi. Pavarësia e Kosovës është rezultante historike.
Kosova e ka fituar pavarësinë në bazë argumenteve, si:
– Argumentit historik – Shqiptarët në Kosovë, përkatësisht në Dardani janë popull autokton. Me Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974, Kosova ka qenë pjesë konstitutive e federatës jugosllave. Me shpërbërjen e kësaj federate, Kosova shkëputet prej saj si shtet i pavarur, sikundër edhe njësitë e tjera të kësaj amalgame;
– Argumentit të bashkëkohësisë – Shqiptarët në Kosovë përbëjnë mbi 92% të popullsisë së saj; dhe
– Argumentit hipotetik – Midis konfliktit dhe paqes, shqiptarët në Kosovë janë përcaktuar për paqe.
Edhe bashkësia ndërkombëtare pavarësinë e Kosovës e ka cilësuar si rast të veçantë. Në favor të pavarësisë së Kosovës është prononcuar edhe organi gjyqësor i Kombeve të Bashkuara me seli në Hagë – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që ndryshe quhet Gjykatë Botërore. Bazuar në sa më sipër, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së është e pajustifikueshme.
* * *
HUNGAREZËT NË RUMANI – Hungarezët në Rumani përbëjnë pakicën etnike më të madhe të këtij vendi. Sipas regjistrimit të vitit 2011, në Rumani jetojnë 1.227.623 hungarezë dhe përbëjnë 6.1 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Sipas regjistrimit të vitit të sipërthënë, Rumania ka pasur 20.121.641 banorë. Është shtet unitar.
Shumica e hungarezëve etnikë në Rumani jetojnë në rajonet të cilat para Marrëveshjes së Trianonit të vitit 1920, kanë qenë pjesë të Hungarisë. Bashkësia hungareze jeton në rajonin që njihet si Transilvani. Zona më e njohur në të cilën hungarezët përbëjnë shumicën e popullsisë është Székely Land (rumanisht: Ținutul Secuiesc; hungarisht: Székelyföld). Transilvania përfshin edhe rajonet historike, si: Banati, Crisana dhe Maramures. Rumania ka 41 rrethe. Me numër të madh, hungarezët banojnë në rrethet Harghita (85,21%) dhe Kovasna (Covasna) (73,74%), ndërsa në përqindje të madhe banojnë në Muresu (38,09%), Satu Mare (34,65%), Bihoru (25,27%), Salaju (23,35%) dhe Kluj (Cluj) (15,93%).
Një bashkësi hungareze, e njohur si Csángós, banon kryesisht në Moldavi. Këta jetojnë në rajonin e quajtur Csángó Land të Moldavisë por edhe në pjesë të Transilvanisë, si në fshatin Dobruzha Veriore, të njohur si Oituz.
Për vendosjen e hungarezëve në Rumani, historianët hungarezë dhe ata rumunë, kanë mendime të ndryshme. Fise hungareze në afërsi të Uralit paskan ardhur në shekullin IX nga Etelköz ose Atelkuzu në territorin e Rumanisë së sotme. Fiset hungareze i kanë kaluar Karpatet rreth vitit 895 të erës së re (Honfoglalás) dhe e kanë marrë Basenin e Karpateve, duke përfshirë edhe Transilvaninë e sotme. Kjo ka ndodhur pa ndonjë qëndresë të madhe të popullsisë vendase. Data e saktë e pushtimit të Transilvanisë nuk dihet. Artefaktet hungareze më të hershme të zbuluara në atë rajon datojnë nga gjysma e parë e shekullit X.
Në vitin 1526, në betejën për Mohaç-in, forcat e Perandorisë Osmane e shkatërrojnë ushtrinë hungareze, ndërsa në vitin 1571, Transilvania është bërë shtet autonom, nën sovranitetin osman. Principata e Transilvanisë është qeverisur prej princërve të vet dhe e ka pasur edhe parlamentin e vet (Diet). Parlamenti (dieti) i Transilvanisë ka qenë i përbërë prej tri shtresave sociale (Unio Trium Nationum): prej fisnikëve hungarezë (kryesisht fisnikët dhe klerikët hungarezë); prej udhëheqësve të saksonëve të Transilvanisë – vendasit gjermanë; dhe hungarezët e lirë të Székely-t.
Pas humbjes së osmanlinjve në betejën për Vjenën në vitin 1683, Monarkia Habsburge, Transilvanisë dikur autonome, shkallë-shkallë filloi t’ia imponojë pushtetin e vet. Prej vitit 1711 e këndej, pas përfundimit të luftës për pavarësi të feudalit hungarez, i cili prej vitit 1704 ishte dukë i Transilvanisë, Ferenc Rakoci II (Ferenc Rákóczi, 1676-1735), kontrolli i habsburgëve mbi Transilvaninë u përforcua, ndërsa princat e saj u zëvendësuan me mëkëmbës perandorakë të habsburgëve. Në vitin 1765 u shpall Principata e Madhe e Transilvanisë. Me këtë u konsolidua statusi i ndarë i veçantë i Transilvanisë brenda Perandorisë Habsburge, i përcaktuar me Diploma Leopoldinum* të vitit 1691. Historiografia hungareze këtë e sheh si një formalitet të thjeshtë. Brenda Perandorisë Habsburge, në pikëpamje administrative, Transilvania ka qenë pjesë e Hungarisë.
Shënim: Diploma Leopoldinum është miratuar në Vjenë më 16 tetor 1690/91 nga perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake Leopoldi i Parë (Vjenë, 1640 – Vjenë 1705), i cili në vitet 1655/57-1705 ishte mbret i Hungarisë. Me këtë dokument juridik u përcaktuan parimet themelore të qeverisë së Principatës së Transilvanisë në kuadër të Perandorisë Habsburge. Diplomën e përgatiti kancelari i Transilvanisë Miklosh Betlen (Miklós Bethlen, 1642-1716).
* * *
HUNGAREZËT NË SLLOVAKI – Hungarezët në Sllovaki janë pakica kombëtare më e madhe. Në vitin 2020 Sllovakia ka pasur 5.427.917 banorë. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, hungarezë janë deklaruar 458.467 vetë, që përbën 8.5 % të popullsisë së përgjithshme të Sllovakisë. Duhet shtuar se 508.714 vetë apo 9.4 % e popullsisë kanë deklaruar se gjuhë amtare e kanë hungarishten. Hungarezët në Sllovaki janë të përqendruar kryesisht në pjesën jugore të vendit, në afërsi të kufirit me Hungarinë. Shumica ndodhet në dy qarqe – në Komarno dhe në Dunajska Streda. Janë katolikë dhe kalvinistë*.
Pas humbjes së Fuqive qendrore* në frontin perëndimor në vitin 1918, ndërmjet fuqive aleate ngadhënjyese, në një anë dhe Hungarisë, në anën tjetër, në konferencën e paqes në Paris të mbajtur në vitin 1920, u nënshkrua Marrëveshja e Trianonit. Me marrëveshjen e sipërthënë, territori i Mbretërisë së Hungarisë u zvogëlua me të madhe. Hungaria e Epërme në të cilën sllovakët përbëjnë strukturën etnike mbizotëruese, iu bashkëngjit Çekosllovakisë.
Hungarezët në Sllovaki përsëri hyrën në kuadër të Budapestit pas Konferencës së Vjenës të vitit 1938, me ç’rast Sllovakia jugore iu bashkëngjit Hungarisë. Sllovakët e konsideruan këtë si pushtim, ndërsa hungarezët si bashkim në një shtet kombëtar të përbashkët.
Sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur në dhjetor të vitit 1938, 67.502 hungarezë mbetën në pjesën e Sllovakisë e cila nuk iu bashkëngjit Hungarisë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, Çekosllovakia u rivendos përsëri. Në kuadër të saj u përfshi edhe Sllovakia jugore e aneksuar. Qëllimi strategjik i qeverisë çekosllovake ishte pakësimi i dukshëm numrit të pakicës gjermane dhe hungareze, gjë që përfshinte edhe këmbimin e popullsisë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, rreth 30.000 hungarezë e lanë territorin e Sllovakisë jugore. Këmbimi i popullsisë vazhdoi me marrëveshjen me të cilën 55.487, 74.407, 76.604 ose 89.660 hungarezë nga Sllovakia u këmbyen me 60.000, 71.787 ose 73.200 sllovakë nga Hungaria. Numri i saktë varet nga burimi i të dhënave. Sllovakët e lanë Hungarinë vullnetarisht, por jo edhe hungarezët Çekosllovakinë. Shumë hungarezë u deportuan në Çeki, posaçërisht në Sudete që mbetën të zbrazëta pas shkuarjes së gjermanëve.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1950, numri i hungarezëve në Sllovaki, në krahasim me vitin 1930, u pakësua për 240.000. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1961, numri i popullsisë hungareze u shtua për 164.244 banorë dhe arriti në 518.776 banorë. Numri i vogël i popullsisë hungareze të regjistrimit të vitit 1950, pa dyshim ka të bëjë me sllovakizimin e hungarezëve.
Sot në Sllovaki, 585 shkolla dhe kopshte fëmijësh, si gjuhë kryesore e shfrytëzojë hungarishten. Pothuajse 200 shkolla e përdorin edhe sllovakishten edhe hungarishten. Në vitin 2004 u themelua Universiteti Selve János të cilin tërësisht e financon shteti.
Shënim:
Kalvinizmi është një prej religjioneve protestante. Është degë kryesore e protestantizmit. Ndjek traditën teologjike dhe format e praktikës së krishterë, të përcaktuar prej teologut, pastorit dhe reformatorit francez në Gjenevë gjatë kohës së reformacionit të protestantizmit. Zhan Kalvini (Jean Calvin, 1509-1564). Thekson sovranitetin e Zotit dhe autoritetin e Biblës. Kalvinistët u ndanë nga Kisha Katolike e Romës në shekullin XVI.
Fuqi qendrore ishin Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Bullgaria të cilat gjatë Luftës I Botërore luftuan kundër fuqive të Antantës – Britanisë së Madhe, Perandorisë Ruse dhe Francës. Në vitin 1915, Antantës iu bashkua edhe Mbretëria e Italisë dhe ShBA-ja.
* * *
Shënim: Hungarezët në Vojvodinë – Sipas regjistrimit të vitit 2002, në Vojvodinë jetojnë 290.207 hungarezë të cilët përbënin 14,28% të popullsisë së saj. Sipas regjistrimit të vitit 2011, aty jetojnë 251.136 hungarezë, të cilët përbëjnë 13,00% të popullsisë së saj. Për nga numri, janë popull i dytë në Vojvodinë. Për feja, kryesisht janë katolikë, por një pjesë e vogël janë edhe kalvinistë. Hungarishtja është një prej gjashtë gjuhëve zyrtare në Vojvodinë. Kah fundi i viteve ’80 të shekullit XX, në Serbi vijnë në pushtet forcat hegjemoniste serbomadhe në krye me Sllobodan Millosheviqin. Për bashkësitë katolike në Vojvodinë, në radhë të parë për kroatët dhe për hungarezët, vijnë kohë të këqija. U morën masa të caktuara për ndryshimin e pasqyrës demografike të Vojvodinës. Vojvodina u shkatërrua ekonomikisht. Si pasojë, shumë banorë u larguan prej saj. Pas vitit 1987 serbomëdhenjtë e dirigjuar nga Beogradi kryen në Vojvodinë jogurt revolucionin* (revolucionin e kosit). Pasoi dezinstitucionalizimi i Vojvodinës. Me fjalë të tjera, u suprimua autonomia e saj e sanksionuar me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974. Tani e tutje, mjetet financiare të fondeve të Vojvodinës u derdhën pa kthim në fondet e Serbisë. Filloi edhe migracioni ekonomik. Shumë pjesëtarë të të gjitha bashkësive etnike emigruan jashtë. Në Vojvodinë jetojnë 26 bashkësi etnike apo minoritete. Pushtetet serbomadhe i mobilizonin hungarezët e Vojvodinës për ekspeditat pushtuese në Kroaci. Kjo ishte një prej arsyeve më të mëdha të ikjes së hungarezëve nga Vojvodina. Në Kroaci, mu afër kufirit me Vojvodinën, kriminelët serbomëdhenj kryen spastrim etnik. Shumë civilë hungarezë dhe kroatë u eliminuan fizikisht. Shumë të tjerë i lanë vatrat e veta dhe ikën gjetkë. Në shtëpitë e tyre, autoritetet serbe strehuan refugjatë dhe emigrantë nga viset e tjera të Jugosllavisë. Kjo rezultoi me ndryshimin e përnjëhershëm të strukturës etnike të Vojvodinës. Sipas regjistrimit të vitit 1991 në Vojvodinë jetonin 340.946 hungarezë, të cilët përbënin 16,9% të popullsisë së saj. Në vitin 2002 ky numër ra në 290.207 banorë hungarezë apo në 14,28%. Vetëm brenda 11 vjetëve, numri i hungarezëve u zvogëlua për 50.000 vetë. Trysnitë ndaj pakicave, e sidomos ndaj kroatëve dhe hungarezëve në Vojvodinë vazhduan edhe pas rënies së pushtetit të Millosheviqit. Pas regjistrimit të vitit 2002, numri i hungarezëve në Vojvodinë u zvogëlua. Në vitin 2002 në Serbi jetonin 293.299 hungarezë, ndërsa në vitin 2011 ky numër bie në 253.899. Sot në Vojvodinë jetojnë 251.136 hungarezë të cilët përbëjnë 13% të popullsisë së saj.
Shënim: Në vitin 1987 e më pas, revolucionarët serë kanë kryer dy revolucione të mëdha: jogurt revolucionin në Serbi dhe në Vojvodinë dhe ballvan revolucionin në Kroaci. U quajt jogurt revolucion (revolucion i kosit) për arsye se pjesëmarrësve nëpër mitingjet serbe që mbaheshin anembanë Serbisë dhe Vojvodinës, e që udhëhiqeshin nga Sllobodan Millosheviqi, nga Vojisllav Shesheli dhe nga dishepujt e tij Aleksandar Vuçiqi e Tomisllav Nikoliqi, u jepeshin falas nga një gjevrek dhe një gotë plastike me jogurt (kos).
Balvan revolucioni (revolucioni i trungjeve, i trarëve) shpërtheu në rrethinën e Kninit në Kroaci, më 17 gusht 1990. Shënon fillimin e rebelimit serbomadh në Kroaci. Aktorë ishin policia kroate përballë serbëve të rebeluar të Kroacisë dhe paramilicive serbe. Rebelimi u nxit nga Beogradi dhe nga qarqet serbomadhe në të ashtuquajturën Armatë Popullore Jugosllave, që ishte vënë nën kontrollin e ushtarakëve serbë. E mori emrin nga barrikadat me trungje drurësh, të ngritura në disa rrugë të rrethit të Kninit (Kroaci), për të parandaluar qarkullimin e policisë kroate. Qëllimi i Serbisë ishte të krijojnë në Kroaci një parashtet serb. Me të ashtuquajturin asociacion komunash me shumicë serbe, Beogradi synon të krijojë në Kosovë parashtet.
Shënim: Pas luftës austriako-turke të viteve 1737-1739 në Kosovë, rreth 1.600 pjesëtarë të fisit Kelmendi (Klement) të besimit katolik, duke mos iu bindur sundimit osman, u shpërngulën nga trojet veriore shqiptare dhe u vendosën në fshatrat Hërtkovci (Hrtkovci) dhe Nikinci të Sremit, në Vojvodinë, 52 km larg Novi-Sadit. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1981, në Hërtkovci kanë jetuar 2.855 banorë – 42.3% kroatë me prejardhje shqiptare, 19.4% hungarezë dhe vetëm 17.2% serbë. Në vitin 1992, Hërtkovcit iu sulën grupet paramilitare të radikalit serbomadh Vojisllav Sheshel. Prej 26 deri më 30 shtator 1992, bandat kriminale serbe kryen në Hërtkovci spastrim etnik. U dëbuan 1200 vetë, kryesisht kroatë, një pjesë e tyre me prejardhje shqiptare. Pas konfliktit në ish-Jugosllavi, shumë kroatë të Hërtkovcit dhe të Nikincit (një pjesë e të cilëve me prejardhje shqiptare), migruan drejt Kroacisë, ndërsa aty u vendosën refugjatët serbë nga Kroacia. Kjo bëri që struktura etnike e popullsisë të ndryshohet në mënyrë drastike. Sipas regjistrimit të popullsisë të viti 2002, në Hërtkovci jetojnë 3428 banorë. Prej tyre, 69.8% serbë, 9.0% hungarezë dhe 7.4% kroatë, një pjesë e të cilëve me prejardhje shqiptare.
Xhelal Zejneli
***
Me rastin e 114-vjetorit të lindjes
EQREM ÇABEJ
Historia e një gjuhe është histori e atij populli
Eqrem Çabej (Gjirokastër, 1908 – Romë, 1980) është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë së re shqiptare. Lindi në Gjirokastër, më 7 gusht 1908, ndërsa vdiq në Romë, më 13 gusht 1980. Në Romë kishte vajtur për t’u mjekuar nga një sëmundje e rëndë. Në periudhën kur jetoi Çabej, populli shqiptar përjetoi ngjarje nga më të rëndësishmet të historisë së tij shumëshekullore në trojet e veta në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit. Është bir Hysenit dhe Ajshes. Babai kishte kryer shkollën e Drejtësisë në Stamboll. Çabej kishte një vëlla më të madh – Salaudinin. Sipas disa të dhënave, Çabej ka lindur në Eskishehir, që në atë kohë ishte në vilajetin e Bursës.
Mësimet e para i mori në Gjirokastër. Në vitin 1921 atje mbaroi shkollën qytetëse. Duke qenë se këtë shkollë e mbaroi me sukses të shkëlqyer, fitoi të drejtën e një burse të dhënë nga Prefektura e Gjirokastrës, për të vazhduar shkollimin e mesëm dhe studimet e larta jashtë Shqipërisë. Sikundër të rinj të tjerë shqiptarë, edhe Çabej mori rrugën e mërgimit, në kërkim të diturisë.
Në kujtimet e të nipit Dragush Çabejit, aty nga viti 1967, midis tjerash thuhet: “Çabej kishte shumë mall për Gjirokastrën. Në prill të 1967-s e prita sa erdhi. Zbriti te Sheshi i Çerçizit. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij. Pastaj e brodhi me sy të gjithë qytetin. Isha njëmbëdhjetë vjeç pa bërë. Morëm Qafën e Pazarit. Qëndroi para shtëpisë së tij. … Ja libraria e Nimet Karagjozit. Këtu nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrëngës, Samiut, Naimit, letërsi klasike frënge…”
Për të vazhduar studimet, Çabej u dërgua në Austri. Ai dhe shokët e ti shqiptarë përpiqeshin të paraqiteshin sa më mirë në atë mjedis të ri të panjohur. Ata nisën të mbanin edhe kravata. Në fillim e patën ca vështirë derisa mësuan t’i lidhnin. Një gjë të tillë ai e rikujtonte shpesh me njëfarë humori. Për këtë flet në kujtimet e veta edhe gruaja e tij, Shyretja, duke e cituar Çabejin: “Ishte nata e parë në Vjenë dhe të gjithë bashkëstudentët e mi e kishin shqetësim si do të bënin në mëngjes të lidhnin kravatën. Unë nuk flisja, po mendjen aty e kisha. Në mëngjes, shumica me kravata në dorë, i luteshin njëri-tjetrit për t’ua lidhur. Kur më panë mua me kravatën të lidhur, shtangën për një çast, pastaj m’u zemëruan që nuk i kisha ndihmuar. U qetësuan kur u fola: Edhe nuk dija ta lidhja. Kam fjetur pa e hequr fare kravatën…”
Në Austri, para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Rainmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten. Ishte një familje e kulturuar dhe dashamirëse. Çabej punoi shumë për ta përvetësuar sa më shpejt gjermanishten. Me zellin e madh dhe me sjelljen shembullore la përshtypje shumë të mira. Familja që e strehoi për një vit, me Çabejin dhe me familjen e tij mbajti lidhje të vazhdueshme.
Nga një letër e 82-vjeçares Eli Rainmyler dërguar vajzës së profesor Çabejit në vitin1977, midis tjerash thuhet: “… një ditë djemtë (nga Shqipëria) erdhën. Burri im, me shikimin e tij prej njohësi, zgjodhi Eqrem Çabejin. Ishte një djalë trim dhe im shoq i gëzohej shumë nxënësit të vullnetshëm. Na duhej ta nxirrnin me zor në kopsht djalin, që s’ndahej dot nga librat. Pas disa vjetësh, kur e dha provimin e pranimit për në klasën e pestë të gjimnazit, ndërsa profesori i gjermanishtes pas pak kohe konstatoi se Çabeji ishte më i miri i klasës, ne të gjithë ishim krenarë për të…”
Pas një vit qëndrimi në St. Pölten për të mësuar gjermanishten, Çabej i mori njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.
I ati, një gjykatës i diplomuar në Dar-ul-Hukuk të Stambollit, e këshilloi të birin të vazhdonte universitetin për mjekësi. Por Çabeji dëshironte të bëhej gjuhëtar. I ati ia ktheu prerazi: “Gjuhësia është për pasanikët, kurse neve na duhet një zanat që të na sigurojë jetën”. Djali, “i bindur”, u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Romës. Këtu shkonte në bibliotekat romane dhe më fort studionte vepra gjuhësore e letrare.
Bashkëshortja e Çabejit, duke parafrazuar Çabejin, tregon një detaj tjetër: “Një profesori tim një ditë iu duk se kam shprehi për muzikore. Më propozoi që të regjistrohesha në një shkollë muzikore. Në fillim edhe mua më pëlqente kjo ide. Vendosa t’i shkruaja babait. Ai m’u përgjigj prerë: “Shiko shkollën dhe hiqe nga mendja qemanen”. E fshiva nga kujtesa shkollën e muzikës. Po muzikën jo…”
Në vitin akademik 1927-1928 u regjistrua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Gracit. Këtu ndoqi studimet për dy semestra. Pas kësaj, studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës.
Dega e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës kishte një traditë të çmuar. Aty kishin punuar profesorë të shquar si: sllavistët e njohur Franc Miklosiç* (Franz Miklosich, 1813-1891), Vatroslav Jagiç (1838-1923), romanisti me emër Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke, 1861-1936) etj.
Shënim: Franc Miklosiç (Franz Miklosich, 1813-1891) – sllavist, ballkanolog dhe albanolog slloven, profesor në Universitetin e Vjenës, akademik (Austri). Ka botuar edhe studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente im Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
Vatroslav Jagiç (1838-1923) – gjuhëtar me prejardhje kroate, autor i disa veprave për historinë e gjuhës dhe të letërsisë sllave.
Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke, 1861-1936) – romanist me prejardhje zvicerane. Ka botuar studimin e gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch” dhe e ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav Majerit (Gustav Mejer, 1850-1900) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në shqip). Majer-Lybke është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj.
* * *
Në kohën që u regjistrua Çabej, në atë universitet punonin, ndër të tjerë, indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul Kreçmer* (Paul Kretschmer, 1866-1956), albanologu i dëgjuar Norbert Jokl (1877-1942), arkeologu dhe historiani i njohur Karl Paç (Karl Patsch, 1865-1945) etj.
Shënim: Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956) – gjuhëtar i shquar me prejardhje gjermane. Ka shkruar edhe për ilirishten dhe shqipen. Me rastin e vdekjes së tij, Çabej ka shkruar një nekrologji të botuar më 1957.
Norbert Jokl (Norbert Jokl, 1877-1942) – gjuhëtar dhe albanolog i shquar austriak me prejardhje çifute. Lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe studime të tjera. Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Jokli mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.
Karl Paç (Carl Patsch, 1865-1945) – arkeolog dhe historian austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë ilire. Prej viti 1921 profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë 1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë 1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.
* * *
Në Austri ishte krijuar një traditë e mirë për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar. Mjafton të përmendet vepra e njohur “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, 1854) e konsullit austriak në Janinë, me prejardhje gjermane, Georg fon Han* (Gerge von Hahn, 1811-1869) si dhe veprimtaria albanologjike e Gustav Majerit (Gustav Meyer, 1850-1900). Këtu duhet shtuar edhe veprimtarinë shkencore të albanologëve austriakë Norbert Joklit dhe të Maksimilian Lambercit (Maximilian Lambertz, 1882-1963).
Nga sa më sipër rezulton se vendimi i Çabejit për t’i vazhduar studimet universitare në Vjenë ishte plotësisht i përligjur.
Shënim: Georg fon Han (Gerge von Hahn, 1811-1869) – albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë. Përpos veprës së sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869).
Gustav Majer (Gustav Mejer, 1850-1900) – albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar veprën “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Vuri në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Gustav Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë një vend të veçantë midis gjuhëve indoevropiane.
Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz, 1882-1963) – gjuhëtar austriak. Mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe. Ka botuar disa vepra për folklorin shqiptar, si “Die Volkspoesie der Albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë 1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe të tjera tekste të folklorit shqiptar, Vjenë 1922), “Epika popullore shqiptare”, 1958) etj.
* * *
Në kohën që Çabej shkoi në Universitetin e Vjenës, vazhdonte të mbajë ligjërata për indoevropianistikën, gjuhëtari i njohur Paul Kreçmer. Ky do të jetë edhe një nga nënshkruesit e diplomës së gjuhëtarit tonë të ardhshëm. Nëpërmjet letërkëmbimit, Çabej do të mbajë lidhje me të, edhe pas mbarimit të studimeve. Lidhje më të shpeshta, si gjatë studimeve universitare, ashtu edhe pas mbarimit të tyre, Çabej do të mbajë me Norbert Joklin. Pas vdekjes së Gustav Majerit dhe pasi Holger Pedersen* filloi të merrej më pak me shqipen dhe më shumë me gjuhë të tjera, Norbert Jokli mbeti albanologu më prodhimtar.
Shënim: Holger Pedersen (1867-1953) – gjuhëtar danez, indoevropianist, keltolog dhe albanolog. Profesor i gjuhëve sllave dhe i gramatikës krahasuese indoevropiane në Universitetin e Kopenhagës. Është marrë edhe me armenishten, me gjuhët baltike-sllave, me gjuhët semitike, me gjuhët ugro-fine. Më 1893 qëndroi në Korfuz. U interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore shqiptare. Bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë e Delvinë. Materialin e mbledhur e botoi më 1895 në veprën “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, 1895). Botoi studime me vlerë për shqipen, si: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894); “Die Gutturale im Albanesischen” (Grykoret në gjuhën shqipe, 1900); “Das Neutrum im Albanesischen” (Asnjanësi në shqipen, 1899), “Albanesisch 1905” (Shqip 1905) etj. Vuri në dukje se dallimi midis dy dialekteve të shqipes është shumë më i vogël sesa dallimet dialektore të shumë gjuhëve të tjera. Mbajti një qëndrim kritik ndaj mbivlerësimit të ndikimit të huaj mbi gjuhën shqipe. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Studimet e tij për shqipen janë përkthyer dhe kanë dalë në dritë me titullin “Studime për gjuhën shqipe”, botuar nga AShAK, Prishtinë 2003.
* * *
Norbert Jokli ishte mik i Shqipërisë. Të gjitha energjitë e veta i përqendroi në studimet kushtuar shqipes dhe historisë së saj. Prej vitit 1916 deri në vitin 1940, në revistën “Indogermanisches Jahrbuch” (Vjetari indoevropian), mbajti rubrikën bibliografike për studimet mbi gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë. Jokli e mbajti afër studentin e talentuar, Çabejin, kështu që midis tyre u zhvillua një bashkëpunim i frytshëm.
Punën studimore rreth gjuhës shqipe Çabej e nisi qysh kur ishte student. Në Universitetin e Vjenës, për të marrë diplomën me gradën e doktorit, studenti duhej të mbronte një disertacion. Për këtë qëllim, diplomanti Çabej zgjodhi temën “Studime italo-shqiptare” (Italoalbanische Studien). Në vitin 1932, për këtë disertacion shkoi e mblodhi material pranë arbëreshëve të Sicilisë. Disertacionin e mbrojti më 7 tetor 1933 para Prof. dr. Paul Kreçmerit, Prof. dr. Norbert Joklit dhe Prof. dr. Karl Paçit. Për këtë, Universiteti i Vjenës ia dha diplomën për gradën doktor. Diploma, përkrah vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet), është nënshkruar nga tre profesorët e lartpërmendur.
Disertacioni prej 145 faqesh të daktilografuara përbëhet prej pesë kapitujsh. Kreu i parë bën fjalë për emigrimin e arbëreshëve dhe për përhapjen e tyre në Italinë e Jugut dhe në Sicili (f. 1-50). I dyti përmban një skicë të sistemit gramatikor (f. 51-94). Në kreun e tretë trajtohet fjalëformimi dhe fjalori (f. 95-113): prapashtesat romane, etimologjia popullore, kalke gjuhësore dhe huazime (gjermane, turke, arabe). Në kreun e katërt janë përfshirë tekste të mbledhura nga vetë autori (f. 114-130): jeta baritore dhe mjekësia popullore, përralla, këngë, balada e Kostandinit të vogël, ringjallja e Lazërit. Kreu i pestë përmban një fjalorth.
Qysh në vitet e para të studimeve, krahas punës si student, Çabej ka bërë punë kërkimore në fushën e gjuhësisë e të letërsisë. Në “Gazeta e re” të datës 22 shkurt 1929 botoi një artikull vlerësues mbi poezinë e Lasgush Poradecit (emri i vërtetë Llazër Gusho, 1899-1987). Në vitin 1929, kur ende ishte student në Gracë, Çabej kishte shkruar artikujt “Një shkrim i panjohur i De Radës” dhe “Kundër pseudofilologëve”. Në artikullin e dytë Çabej kritikon disa të ashtuquajtur intelektualë shqiptarë që orvateshin të shiteshin si të përgatitur për çështje të vështira filologjike, nga të cilat nuk merrnin erë fare. Studenti 22-vjeçar i quan diletantë, ashtu siç ishin. Artikulli, jo pa arsye, nuk e pa dritën e shtypit. Midis tjerash, i riu i talentuar ngrihet me guxim dhe shkruan: “Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale, për çfryrjen e të cilëvet janë të çelura kaq gjykatore!” “… Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar!…”
Me kërkesat serioze ndaj studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë, ky i ri tërhoqi vëmendjen e profesorëve të shquar si P. Kreçmeri, N. Jokli etj. Për çështje të rëndësishme nga lëmi i gjuhësisë Çabej diskutonte me profesorët e vet, kur takohej me ta apo përmes letrave. Në njërën prej shumë letrave të N. Joklit, të datës 7 prill 1940, profesori me emër i drejtohet Çabejit me “I dashur mik”. “Shpesh kujtoj me ëndje ato vite të punës sonë…, bisedat e shumta e të zjarrta për të gjitha problemet e shkencës albanologjike dhe të historisë s saj.”
Autoritetet drejtuese të Universitetit të Vjenës i propozuan të diplomuarit Çabej të qëndronte në atë universitet si asistent pranë N. Joklit. Por, për të porsadiplomuarin shqiptar, balta e mëmëdheut ishte më e ëmbël se kryeqyteti i ish-Perandorisë Austro-hungareze.
Çabej 25-vjeçar, pas mbarimit të studimeve universitare u kthye në Shqipëri. Dituritë dhe energjitë e tij do t’i vërë në shërbim të atdheut. Në Shqipëri, nga plaga e analfabetizmit vuanin 80 për qind e popullsisë. Niveli i përgatitjes së nxënësve ishte ende larg nivelit mesatar të kohës. Numri i nxënësve nëpër shkolla ishte shumë i vogël.
Çabej u emërua nëndrejtor i konviktit “Malet tona”, pranë gjimnazit të Shkodrës, me të drejtën për të dhënë edhe orë mësimi në atë shkollë. Në këtë gjimnaz, të themeluar në vitin 1922, Çabej zhvilloi lëndën e letërsisë shqipe. Nga teksti “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” të botuar më 1936, në orët e mësimit ai jepte edhe njohuri për gjuhën dhe folklorin shqiptar.
Në vitin shkollor 1935-1936 Çabej u transferua në Shkollën Normale të Elbasanit. Për kulturën e gjerë, për sjelljen dhe lidhjet e tij me nxënësit, ka lënë përshtypje shumë të mira, si në Shkodër, ashtu edhe në Elbasan. Edhe në Normalen e Elbasanit Çabej qëndroi vetëm një vit. U transferua në Ministrinë e Arsimit për t’u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm. Një emërim të tillë, ai nuk e kishte mirëpritur. Kërkesa e Çabejit që të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës, nuk u pranua. Drejtuesit e dikasterit të sipërthënë e dërguan në Shkollën e Plotësimit Ushtarak! Pas mbarimit të kësaj shkolle autoritetet vendosën që Çabej të transferohet si profesor në Gjirokastër.
Më 25 korrik 1930, në ceremoninë e varrimit të atdhetarit të Rilindjes, Bajo Topullit (1868-1930) Çabej mbajti ligjëratë, në të cilën ndërmjet tjerash thotë: “Ti, o rrëzuari lis, si ata lisa që ngrihen në malet tona! Ti, mësues e edukator i kaq brezave shqiptare! Bajo, prehu, pra! Dergje trupin tënd te balta jote! Për Atdheun që e bëre dhe na e le trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria betohemi këtu para trupit tënd, se ç’fitove ti, ne do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë….”
Gjatë viteve 1938-1939 e gjejmë përsëri arsimtar. Tani në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë, të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe. Një prej ish-nxënësve të tij, midis tjerash thotë: “Profesor Çabej na kënaqte me shpjegimet e tij për letërsinë arbëreshe…” Ai i këshillonte nxënësit që në hartime të shkruanin shkurt e qartë.
Një ish-nxënës e kujton Çabejin për orën e mësimit të mbajtur më 12 ose 13 prill 1939, pas pushtimit fashist të Shqipërisë: “Ai erdhi në mësim i vrenjtur dhe i mërzitur…”
Në vitin shkollor 1939-1940 Çabej u transferua në Gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Autoritetet pushtuese më kot shpresonin ta bënin për vete profesorin me kulturë. Ai nuk bëhej vegël e tyre. Në një shkresë të datës 29.7.1940, për Çabejin midis tjerash thuhet: “… Deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë afrimi në politikën fashiste. Duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masa për ta shkarkuar nga detyra…”
Autoritet pushtuese italiane e larguan Çabejin nga Shqipëria, duke i gjetur një “punë shkencore” pranë Akademisë së Shkencave në Romë. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij për të punuar për “Atlasin gjuhësor shqiptar”.
Në autobiografinë e tij Çabej ndër të tjera shkruan: “Kam hedhur poshtë çdo propozim për bashkëpunim me të huajin…”
Në Romë Çabej qëndroi deri në korrik të vitit 1944. Buka e huaj është e kripur. Rëndë është të ngjitesh e të zbresësh nëpër shkallët e botës. Mëmëdheu kishte nevojë për të. U kthye në Shqipëri.
Pas viti 1945 u krye riorganizimi i Institutit të Shkencave me tre sektorë: gjuhë-letërsi, histori-gjeografi dhe shkencat natyrore. Më 1946 u hap në Tiranë e para shkollë e lartë, ish-Instituti Pedagogjik dyvjeçar me katër degë: gjuhë-letërsi, histori-gjeografi, matematikë-fizikë dhe kimi-biologji. Më 1951 ky institut u shndërrua në Institut Pedagogjik katërvjeçar. Më 1957 u themelua Universiteti i Tiranës. Pedagogë të kësaj kohe, midis tjerësh ishin: personaliteti i shkencës dhe i arsimit Aleksandër Xhuvani (1880-1961), gjuhëtari, dijetari, albanologu Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtari Kostaq Cipo (1892-1952), historiani Aleks Buda (1911-1993), shkrimtari, poeti dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), gjuhëtari dhe albanologu Mahir Domi (1917-2000) etj. Çabej është ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj.
Në Institutin Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë Çabej zhvilloi lëndët linguistikë dhe albanologji. Ai e vazhdoi punën pedagogjike edhe më pas në Institutin Pedagogjik katërvjeçar, e sidomos në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, që në kuadër të Universitetit të Tiranës, u ngrit mbi bazën e Institutit katërvjeçar. Këtu ai zhvilloi për shumë vjet lëndët Hyrje në historinë e gjuhës shqipe dhe Fonetika historike e shqipes, për të cilën hartoi edhe tekstin përkatës. Më 1957 ky tekst me 94 faqe, u botua si dispensë. I zgjeruar, u ribotua disa herë. Si libër u ribotua edhe në Prishtinë.
Duke qenë se ishte punonjës shkencor, më parë në ish-Institutin e Shkencave, ndërsa pas riorganizimit të tij në vitin 1957, në Institutin e Gjuhës e të Letërsisë, punën pedagogjike Çabej e kryente si pedagog i jashtëm. Ai punonte në sektorin e gjuhësisë, që më parë drejtohej nga Aleksandër Xhuvani, ndërsa prej vitit 1955, nga Mahir Domi.
Në veprimtarinë gjysmëshekullore të Çabejit vendin kryesor e zë prodhimtari e tij e pasur shkencore. Sipas disa studiuesve, veprimtari e tij mund të ndahet në dy faza kryesore.
Faza e parë vazhdon deri në fund të vitit 1944, ndërsa e dyta nis pas vitit 1945. Në fazën e parë ai është marrë me studime thjesht shkencore, por edhe me botime për arsim të mesëm. Në fazën e parë të veprimtarisë së tij bie në sy interesimi i madh, jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin dhe letërsinë artistike, me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë.
Në studimet gjuhësore të asaj periudhe bëjnë pjesë: “Tekste italo-shqiptare” botuar më 1935 në Hylli i Dritës XI; “Elemente dialektore nga Italia” botuar në vitin 1936 në gjermanisht në revistën e Vjenës Glotta, XXV; “Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes” botuar në vitin 1936 në gjermanisht në Revue internationale des etudes balkaniques (revistë në gjuhën frënge), Beograd, Viti I, Nr. 2; “Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike”, botuar në revistën e sipërthënë, Nr. 4-6; “Atlasi gjuhësor shqiptar”, Grottaferrata, 1943.
Fushës së folklorit dhe të letërsisë i takojnë punimet: “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare”, botuar më 1934 në revistën Normalisti, Elbasan; “Zakone dhe doke të shqiptarëve”, revista Illyria I (1936); “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, Hylli i Dritës (1936); “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Hylli i Dritës (1937); Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan”, botuar më 1941 gjermanisht në Lajpcig.
Në studimet me karakter gjuhësor, letrar dhe folklorik bëjnë pjesë: “Studime italo-shqiptare” dhe teksti për shkolla të mesme “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”. Ky tekst është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë jepen njohuri mbi gjuhën, mbi gjuhët e botës, mbi gjuhët indoevropiane dhe mbi shqipen. Në të dytën jepen njohuri për shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, për shkrimtarët e shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, si dhe për poezinë popullore shqiptare dhe arbëreshe. Në pjesën e tretë, që përfundon me faqen 201, janë përfshirë pjesë të zgjedhura nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga shkrimtarët shqiptarë dhe arbëreshë të shekullit XX, nga poezia popullore e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë si dhe nga Shqipëria.
Veprimtaria shkencore e Çabejit mori një zhvillim shumë më të madh në fazën e dytë, d.m.th. pas viti 1945, kur ai punoi pranë ish-Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe njëkohësisht edhe si pedagog në shkollën e lartë.
Çabej bashkëpunoi edhe me gjuhëtarë të tjerë: me profesor Aleksandër Xhuvanin për hartimin e monografive “Parashtesat e gjuhës shqipe” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962) që janë dy nga studimet shkencore më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare. Ky bashkëpunim i këtyre dy dijetarëve të shquar duhet t’u shërbejë si shembull edhe të tjerëve. Me A. Xhuvanin, Çabej ka bashkëpunuar edhe në vepra të tjera. Për shpirtgjerësinë e këtij dijetari, Çabej shkruan me nderim.
Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft vepra kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit serbo-kroatisht – shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Ka bashkëpunuar edhe në redaksitë e revistave shkencore të ish-Institutit të Shkencave dhe të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, në komisionet përgatitore të konferencave dhe të sesioneve shkencore të organizuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, si dhe në komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).
Veprimtaria e tij shkencore në fushën e gjuhësisë ka qenë pa krahasim më e frytshme dhe më e rëndësishme se në fusha të tjera. Krahas bashkëpunimit në vepra kolektive me karakter gjuhësor, Çabej ndërmori edhe disa punime të rëndësishme afatgjata që diktoheshin edhe nga kërkesat e reja të zhvillimit të gjuhësisë shqiptare. Si dishepull i gjuhëtarëve të mëdhenj si Kreçmeri, Jokli etj., ai i vuri vetes si detyrë afatgjatë sqarimin e disa çështjeve të rëndësishme të gjuhës shqipe që kërkonin zgjidhje sa më të argumentuara. Është fjala sidomos për studimet në rrafshin historik (diakronik) ku deri atëherë, fjalën e parë dhe të fundit e thoshin pothuaj vetëm studiuesit e huaj. Gjuhëtarët shqiptarë ishin marrë kryesisht me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Studime nga fusha e historisë së shqipes ishin ndërmarrë rrallë. Përpjekje të tilla kishte bërë studiuesi arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), autor i veprës Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese (Sprovë gramatologjie të krahasuar mbi gjuhën shqipe, vëllimi I 1864 dhe vëllimi II (shtojcë) 1866. Këtu mund të përmenden edhe Aleksandër Xhuvani, studiuesi arbëresh Marko la Piana (Marco La Piana, 1883-1958) etj.
Falë punës themelvënëse të disa gjuhëtarëve si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza (Gjakovë, 1909 – Tiranë, 1988) etj. nisi të zhvillohet mendimi gjuhësor shqiptar në rrafshin bashkëkohor (sinkronik) dhe historik (diakronik). Tani e tutje shqipja do të studiohet në mënyrë të shumanshme, përfshirë edhe studimin historik të saj. Aleksandër Xhuvani dhe Mahir Domi kanë përkrahur çdo nismë për zhvillimin e shpejtë të gjuhësisë shqiptare.
Shënim:Kostaq Cipo (1892-1952) gjuhëtar, filolog, veprimtar i arsimit; autor i veprave Gramatika shqipe (1949) dhe Sintaksa (1952);
Mahir Domi (1915-2000) gjuhëtar, profesor, akademik. Mori pjesë në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954); kryeredaktor i “Gramatikës së gjuhës shqipe” (në dy vëllime); redaktor dhe bashkautor librit “Sintaksa”, vëllimi II. Ka hartuar tekste universitare “Morfologjia historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa e gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969). Është edhe autor i veprave të tjera si dhe i shkrimeve studimore në lëmin e gjuhës apo të gramatikës së shqipes.
* * *
Duke pasur dashuri të madhe për gjuhën amtare, Çabej i përqendroi energjitë e veta për të hedhur sa më shumë dritë mbi historinë e kësaj gjuhe të lashtë të Ballkanit, pa lënë pas dore edhe çështjet e shqipes bashkëkohore. Ndihmesë më të rëndësishme ka dhënë në fushën e etimologjisë, të fonetikës historike, të gramatikës historike e të dialektologjisë si dhe për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe. Pra, në këtë periudhë ai iu përkushtua studimit diakronik të shqipes. Profesorët e tij në Universitetin e Vjenës P. Kreçmeri dhe N. Jokli, si indoevropianistë, merreshin kryesisht me studime diakronike.
Pas vitit 1945, studimet albanologjike jashtë Shqipërisë nisën të pësojnë një rënie të dukshme. N. Jokli, albanologu më prodhimtar i viteve ’20 e ’30 të shekullit XX, më 1942 u zhduk tragjikisht nga nazistët gjermanë. Holger Pederseni, tanimë i mplakur, nuk merrej më me shqipen. Kjo zbrazëti e krijuar në këtë fushë studimesh duhej mbushur. Përpjekje të suksesshme mund të bëheshin vetëm në Shqipëri. Krahas thellimit të studimit sinkronik të shqipes, filloi në Shqipëri edhe studimi diakronik i kësaj gjuhe, që mori hov sidomos me punën e frytshme të Çabejit dhe të disa gjuhëtarëve të tjerë që ecën gjurmëve të tij.
Arritjet e gjuhësisë së re shqiptare kanë bërë të mundur edhe zhvillimin e mëtejshëm të një bashkëpunimi shkencor midis studiuesve shqiptarë dhe albanologëve, ballkanologëve dhe indoevropianistëve në vende të ndryshme të botës.
Si në studimet etimologjike ashtu edhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë historike, Çabej është mbështetur në parimin që, duke u nisur nga faza e dokumentuar e shqipes, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të hershme të saj. Metoda hulumtuese e tij bazohet në krahasimin e brendshëm, duke u nisur nga e njohura për të zbuluar të panjohurën. Ai u mbështet edhe në krahasimin me gjuhët e tjera indoevropiane. Në shqyrtimin historik të fjalëve ose të dukurive të shqipes ai mori në shqyrtim edhe përhapjen e tyre gjeografike.
Në studimet etimologjike e ka zbatuar parimin e shkollës “Fjalët dhe sendet”, të zbatuar edhe nga mësuesi i tij N. Jokli. Sipas kësaj shkolle gjuhësore, duhen pasur parasysh lidhjet e ndërsjella midis sendeve dhe fjalëve përkatëse. Kjo shkollë u themelua në fillim të shekullit XX nga gjuhëtari austriak Rudolf Meringer (1859-1931) dhe nga gjuhëtari gjerman Hugo Shuhard (Hugo Schuchardt, 1842-1927) dhe ka të bëjë me një drejtim kërkimor në fushën e onomastikës.
Çabej iu përvesh punës për vjeljen sistematike të fjalëve dhe të shprehjeve të shqipes jo vetëm nga fjalorët e kësaj gjuhe, por edhe nga veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga botimet me materiale dialektore të arbëreshëve të Greqisë, të Italisë, nga ngulimet e tjera të vjetra shqiptare, si dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë.
Gjatë viteve 1950-1980 Çabej hartoi dhe botoi një numër të madh veprash shkencore, artikujsh shkencorë dhe kumtesash në fusha të ndryshme të dijes: në gjuhësinë historike dhe përshkruese të shqipes, në ballkanistikë, dialektologji, folklor, letërsi etj. Shkrimet e tij u botuan brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryet e vendit në veprimtarinë e tij shkencore e zënë studimet etimologjike në fushë të gjuhës.
Çështja e burimit të gjuhës shqipe, sidomos gjatë shekullit XX ka ngjallu diskutime të shumta. Mbase për këtë arsye Çabej është marrë edhe me prejardhjen e shqipes. Për dijetarët e mëparshëm prejardhja e shqipes nga ilirishtja ishte një gjë e vetëkuptueshme. Por nga fundi i shekullit XIX, e sidomos gjatë shekullit XX ,disa dijetarë e kanë kundërshtuar këtë mendim dhe kanë mbrojtur hipotezat, sipas të cilave shqipja është bijë e trakishtes, apo e së ashtuquajturës dako-mizishte etj. Me argumente gjuhësore, historike-gjeografike etj., Çabej i ka kundërshtuar ato hipoteza dhe ka mbrojtur tezën e burimit ilir të shqipes. Nëpërmjet ndihmesave të tij, kjo tezë ka gjetur tashmë përkrahje te një numër gjithnjë më i madh studiuesish të huaj.
Çabej ka dhënë ndihmesë edhe në fushën e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes. Studimet në këtë fushë u ribotuan në vitin 1988 në një vëllim më vete, me titullin “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe”.
Si studiues i evolucionit historik të shqipes, Çabej u mor edhe me hulumtimin e dialekteve të kësaj gjuhe. Në fushën e dialektologjisë ka dhënë ndihmesë të madhe. Është ndalur sidomos te të folmet e shqipes që ruajnë më shumë elemente arkaike, siç janë të folmet e arbëreshëve të Italisë.
Vëmendje të veçantë i kushtoi studimit të autorëve të vjetër shqiptarë. Studioi gjuhën e Gjon Buzukut (shek.. XVI), “Mesharin” (1555) e të cilit e ribotoi të transliteruar dhe të transkribuar.
Çabej njihet si një gjuhëtar që është marrë me probleme të historisë së gjuhës shqipe. Por, ai ka punuar mjaft edhe për gjuhën e sotme letrare. Në artikullin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” të botuar më 1979, vë në dukje nevojën e pastrimit të shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme. Mori pjesë në 13 komisione për hartimin e terminologjisë së shkencave dhe të disiplinave të ndryshme dhe për hartimin e fjalorëve të terminologjisë për botanikën, matematikën dhe mekanikën teorike, energjinë atomike, termodinamikën, optikën, akustikën, elektromagnetizmin, mekanikën, elektroteknikën, kiminë, gjeologjinë, arkitekturën dhe gjuhësinë.
Çabej tregoi interesim edhe për folklorin dhe letërsinë. Në krijimet popullore ai gjente edhe elemente arkaike, që i hynin në punë për studimet diakronike. Këtu duhen përmendur shkrimet “Poezia popullore e arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1961 dhe “Disa figura të besimeve popullore shqiptare”, botuar më 1972, etj.
Nga shkrimet për letërsinë mund të përmenden “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, botuar më 1965; “Fan Noli ynë”, botuar më 1965; dhe “Disa burra të shquar të arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1974, ku bëhet fjalë edhe për hulumtuesin dhe poetin Nikollë Keta (1741-1803).
Çabej ka marrë pjesë nëpër konferenca dhe kongrese shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke dhënë ndihmesa të rëndësishme me kumtesa, referate dhe diskutime. Në konferencat dhe kongreset e mbajtura brenda vendit duhen përmendur ato të viteve 1952; 1962; Tiranë 1969; Tiranë 1972; sërish Tiranë 1972. Nga konferencat ndërkombëtare duhen përmendur: Firence-Pizë 1961; Sofje 1966; Insbruk 1972 etj.
Artikujt dhe studimet e Çabejit janë botuar në shqip dhe në gjuhë të huaja. Studimet në gjuhën shqipe i ka botuar nëpër revistat shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, në revistat kulturore dhe në gazetat e Maqedonisë e të Malit të Zi. Bibliografinë e punimeve të Çabejit e ka botuar më 1981 studiuesi Jup Kastrati (1924-2002).
Një numër të madh artikujsh shkencorë, Çabej ka botuar edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose nëpër vëllime përkujtimore në vende të ndryshme të botës: në Austri, në Francë, në Greqi, në Gjermani, në Itali, në Jugosllavi – Beograd (1936, 1938), në Poloni, në Rumani, në Turqi.
Veprimtaria shkencore e Çabejit ka pasur jehonë të madhe në Kosovë. Të gjitha shkrimet e tij janë ribotuar me titullin “Studime gjuhësore”, I-VII, Prishtinë 1975-1977. Botimi i tyre ka vazhduar.
Gjatë vitit shkollor 1971-1972 e më pas, Çabeji ka mbajtur një kurs leksionesh pasuniversitare apo ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.
Në organet e shtypit shkencor të Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Italisë, Francës, Polonisë etj., për studimet e Çabejit, studiues të huaj kanë botuar recensione të shumta.
Çabeji ka pasur letërkëmbim me gjuhëtarë të huaj, si: Holger Pedersen, Paul Kreçmer, Norbert Jokli, Karl Paç, Maksimilian Lamberc, gjuhëtari rumun Aleksandër Graur (Alexandru Graur, 1900-1988), gjuhëtari rumun Aleksandër Roseti (Alexandru Rosetti, 1895-1990), gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986), gjuhëtari dhe albanologu polak Vaklav Cimohovski (Veclav Cimohovski, 1912-1982), gjuhëtari rumun Haralambie Mihëjesku (Haralambie Mihaescu, 1907-1985) etj.
* * *
Çabeji argumentoi në mënyrë shkencore prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot në Gadishullin Ballkanik, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare.
* * *
Vdekja e parakohshme e ndërpreu në mes punën këtij dijetari të shquar. Për t’u mjekuar nga sëmundja e pashërueshme, u dërgua tri herë në një klinikë të Romës, ku dhe i mbylli sytë për të vajtur në pavdekësi. Për në banesën e përjetshme u përcoll më 17 gusht 1980. Prehet në gjirin e dheut mëmë, ku e kaloi fëmijërinë, u burrërua dhe u zhvillua si dijetar. Në ceremoninë e varrimit të Çabejit lexoi nekrolog historiani Aleks Buda (1911-1993).
Puna shkencore dhe pedagogjike e babait të gjuhës shqipe është vlerësuar me çmime të shumta. Shumë institucione kulturore, shkencore dhe arsimore në të gjitha trojet shqiptare mbajnë emrin e Çabejit. Krahas çmimeve të tjera, është dekoruar edhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1988 organizoi një sesion shkencor kushtuar veprës së tij.
Për jetën dhe veprën e dijetarit të madh ka hartuar monografi profesor Shaban Demiraj, “Eqrem Çabej”, Tiranë 1990.
“Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh” – Ismail Kadare
Xhelal Zejneli
***
KOSOVA DHE QËNDRIMI ABSURD I BASHKIMIT EVROPIAN
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kanë kaluar katërmbëdhjetë vjet. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e saj vazhdon të mos njihet nga Serbia. Për këtë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtë të sillet si i tillë. Shtetet e mëdha të Evropës Perëndimore, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe tërësinë tokësore të saj. Atëherë përse e lejojnë Serbinë t’i kanoset Kosovës?! Dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermania dhe Franca, e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues, ndaj është për t’u habitur sesi e lejojnë Beogradin t’i kërcënohet asaj ushtarakisht.
Kosova është çështje amerikane apo çështje e BE-së!? Kosova është çështje e NATO-s apo e Brukselit?!
Si është e mundur që Berlini dhe Parisi të mos e mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës qe 14 vjet?! Nuk kanë dashur apo s’kanë mundur? A janë angazhuar dhe sa janë angazhuar ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, e lindur Kasner, 1954-) dhe presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977-) për ta mbyllur punën e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran?! A janë angazhuar dhe sa kanë punuar Merkeli dhe Makroni për t’i frenuar dhe për t’i ndalur synimet dhe aspiratat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës? A ka qenë Kosova në agjendën e tyre dhe ç’vend ka zënë ajo në atë agjendë? Duke qenë se drama kosovare nuk po mbyllet, rezulton se Kosova s’paska qenë dot në fokusin e interesimit të tyre. Po qe se Kosova është ‘çështje’ evropiane, atëherë ka qenë detyrë e Berlinit dhe e Parisit ta mbyllnin atë me kohë.
Ndaj Kosovës, Beogradi ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë politikën e forcës. Berlini dhe Parisi s’e kanë konstatuar këtë?! Politikën luftënxitëse, destruktive dhe destabilizuese të Vuçiqit, s’e ka vërejtur Brukseli? Politikë luftënxitëse, destruktive dhe destabilizuese Beogradi ndjek jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj tërë rajonit. Destruksioni serb shtrihet edhe ndaj Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë.
A nuk e vëren Brukseli se Serbia:
– ka kohë që armatoset me armë të siguruara nga Rusia dhe nga Kina;
– sjell në rajon Rusinë dhe Kinën;
– përçon në gadishull interesin rus dhe kinez;
– është zonë ruse e ndikimit;
– është sferë ruse e interesit.
Berlini dhe Parisi, jo vetëm që nuk kanë frenuar dhe nuk kanë ndalur Serbinë, por edhe e kanë favorizuar me të madhe. S’kemi ç’të themi për investimet ekonomike ruse, kineze dhe turke në Serbi, por s’ka se si mos habitesh me investimet gjermane, franceze, italiane! Në vend të ndëshkimit dhe izolimit, Serbia merr shpërblim. Shpërblehet një shtet i cili në vitet 1991-1995 ka shkaktuar gjakderdhje në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Shpërblehet një Serbi e cila ka kryer gjenocid si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë.
Shpërblehet një Vuçiq i cili:
– ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);
– mbështet agresionin rus ndaj Ukrainës;
– nuk i vuri sanksione Rusisë;
– gjithë ditën kontakton dhe komunikon me Moskën dhe Putinin;
– në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, i ngjiste nëpër muret e ndërtesave të Beogradit fotografitë e kriminelit të luftës Vijisllav Sheshelit;
– i takonte të djathtës ekstreme, duke qenë edhe një euroskeptik i palëkundshëm;
– në vitet 1998-2000 ishte ministër i Informatave dhe mbronte me mish e me shpirt politikën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Këto nuk i ka ditur Brukseli, Berlini dhe Parisi, Merkeli dhe Makroni? Erdhi një ditë dhe ky farë Vuçiqi na veshi lëkurë qengji!! E tmerrshme!
Më 15 korrik 2019, për një vizitë dyditëshe shkon në Beograd Emanyel Makroni, ndërsa më 13 shtator 2021, i bën një vizitë dyditore Beogradit edhe Angela Merkeli. Që të dy e anashkalojnë Kosovën demokratike. E dhimbshme!
Qendrat proruse dhe filoserbe të Bashkimit Evropian nuk do ta mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës.
Berlini dhe Parisi konsiderohen lokomotivë e BE-së. Kjo lokomotivë nuk paska fuqi:
– t’i bindë pesë shtetet e Unionit – Spanjën, Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta njohin pavarësinë e Kosovës?
– ta pranojë Kosovën në Këshillin e Evropës?
– ta pranojë Kosovën në BE me një procedurë të përshpejtuar, si një rast i veçantë;
– të angazhohet për integrimin e Kosovës në NATO?
Fuqitë historike të Perëndimit, jo vetëm që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por si anëtare të NATO-s, për të parandaluar një katastrofë humanitare përmasash biblike, kanë ndërhyrë edhe ushtarakisht kundër makinerisë pushtuese dhe vrastare të Serbisë. Ndërhyrjen e NATO-s kundër kolonialistëve, hegjemonistëve dhe ekspansionistëve serbomëdhenj, Spanja dhe Greqia, ndonëse anëtare të saj, nuk e kanë kundërshtuar. Tani, këto dy shtete nuk e njohin pavarësisë e Kosovës. Nuk është kjo paradoksale?!
Nuk mbyllet puna e Kosovës me politikanin spanjoll Josef Borel (Josep Borrell, 1947-) dhe me politikanin e diplomatin sllovak Miroslav Lajçak të cilët vijnë nga vendet që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Emërimi i tyre s’është dot i rastësishëm. Ata janë emëruar që puna e Kosovës të zgjidhet me kompromis. Kjo është ajo që e kërkon Serbia. Por, Brukseli duhet ta dijë se kompromis për Kosovën paraqet plani i Ahtisarit. Çdo gjë përtej këtij plani cenon sovranitetin dhe tërësinë tokësore apo integritetin territorial të Kosovës. Me këtë plan, pakicave të Kosovës u sigurohen liri dhe të drejta si në asnjë vend të BE-së. Përfaqësuesit e pakicës serbe janë të përfshirë, si në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe në qeverinë e saj. Serbishtja ndërkaq, është gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Kosovës. Vallë, këto s’i di Brukseli? Por, Serbia nuk do të drejta për serbët e Kosovës. Ajo do territor. As këtë s’e vëren Brukseli? Berlini dhe Parisi duhet t’ia thonë Beogradit pa ekuivokë se synimet territoriale janë në kundërshti të plotë me parimet e BE-së. BE-ja funksionon mbi parimin demokratik dhe jo mbi atë të ndryshimit të kufijve. Problemi qëndron në faktin se Serbi jeton matanë demokracisë, në anën e kundërt të saj.
– Kosova është shtet me sistem demokratik dhe me demokraci parlamentare;
– Në Kosovë zhvillohet, ndërtohet, respektohet dhe realizohet pluralizmi politik;
– Kosova është shtet ku ka rend dhe rregull;
– Kosova është shtet i së drejtës, përkatësisht shtet ligjor, madje shumë më ligjor se Serbia;
– Kosova nuk është dhe kurrë s’ka për të qenë pseudoshtet, siç e dëshiron Serbia;
– Në Kosovë respektohen me Kushtetutë dhe ligj liritë fetare;
– Në Kosovë respektohen liritë dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve më të larta të BE-së;
– Kosova ndjek politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon;
– Ndaj fqinjëve të vet, Kosova ndjek politikë të fqinjësisë së mirë;
– Kosova synon anëtarësimin në BE;
– Kosova synon anëtarësimin në NATO.
Atëherë ku qëndron problemi i Serbisë?! Këtë pyetje Brukseli duhet t’ia bëjë Serbisë dhe jo ta ledhatojë atë.
* * *
Në vitet 2008-2014, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi (1968-). Në vitet 2014-2017 ishte Isa Mustafa (1951-). Në vitet 2017-2020 ishte Ramush Haradinaj (1968-). Në muajt shkurt-qershor të vitit 2020 ishte Albin Kurti (1975-). Në vitet 2020-2021 ishte Avdullah Hoti (1976-) dhe prej vitit 2021 e këndej, përsëri Albin Kurti. Këtë që e bën kryeministri i përtashëm – Albin Kurti, duhej ta kishin bërë paraardhësit e tij. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Si e tillë, ajo jo vetëm që ka të drejtë të vërë rend në mbarë territorin e saj, por këtë e ka edhe detyrim. Me fjalë të tjera, faji i moszbatimit të parimit të ndërsjellshmërisë apo të reciprocitetit nuk takon vetëm Brukselit. Fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete, thotë romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sratrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980).
Ndaj zvarritjes së rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës kanë qenë indiferentë edhe institucionet arsimore dhe shkencore të kombit – akademitë e shkencave, si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë historike as universitetet e kombit. Me një fjalë, inteligjencia shqiptare ka qëndruar në gjumë. Qëllimi i tyre ka qenë të zënë pozita dhe t’i ruajnë ato. Qëllimi i tyre ka qenë ta çojnë mirë me pushtetarët, për përfitime meskine. Një klasë politike që lufton me vetveten, s’lufton dot me armikun. S’bëhet shtet me dasma dhe me ceremoni fetare. Aq më pak me muzikë pornografike. Për shtet kërkohet arsimim, vetëdije kombëtare, idealizëm dhe vetëmohim. Shteti modern s’bëhet dot me populizëm. As me mikrovlera, as me mikrosisteme. S’bëhet shtet duke vepruar në mikroplan.
Nuk mjafton ditë e natë t’u referohemi ilirëve, Gjergj Kastriotit, rilindësve, Vlorë së 1912-ës, Nënë Terezës, Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër preokupim ta kemi pasurimin brenda natës.
Me ndihmën e ShBA-së, Kosova është duke ndërtuar makrovlera dhe makrosisteme, është duke vepruar në makroplan.
* * *
Trazirat e shkaktuara prej bandave çetnike kriminale serbe në veri të Kosovës, më 1 gusht të viti në vazhdim, shkojnë favor të Putinit. Ai noton në gjakun e ushtarëve të vet dhe të ushtarëve e civilëve ukrainas. Ai e ka humbur arsyen. Tanimë do luftëra dhe zjarr. Ai ka kaluar matanë historisë. Është antihistorik. Brukseli nuk duhet ta sjellë punën që për Kosovën të prononcohet madje edhe kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko (1954-). Lidhur me barrikadat e çetnikëve serbë në veri të Kosovës, ai tha: “Do të jemi me Serbinë…”.
S’na habit dot Lukashnko, miku i afërt i Putinit. Na habit Josef Boreli i cili me deklaratën e vet përkitazi me bllokimin e rrugëve të veriut të Kosovës, s’bëri dot asnjëfarë dallimi midis viktimës dhe hienës gjakpirëse. Viktimë është Kosova që s’e lënë të qetë, ndërsa hienë gjakpirëse është Serbia e Vuçiqit dhe jo vetëm e tij. A s’e sheh vallë Brukseli se në Serbi s’dëgjohet dot kurrfarë zëri alternativ? A kjo Serbi i thotë vetes: jam Evropë?! A kjo na qenka Evropa?! I këtillë na qenkësh kontinenti i vjetër?! Evropë, lëre rahat Serbinë në gjirin e Moskës dhe të Pekinit! Të mjaftojnë Shqipëria dhe Kosova, zemra e shqiptarisë. S’ka pasur fuqi që ka mundur ta shtrojë. Kombi shqiptar Evropë, të vlejnë sa njëqind Serbi – proruse. Mos prano në gjirin tënd Evropë, kalë troje. Mos shti në kështjellë tënde kolonë të pestë – ruse.
Kosova dhe Shqipëria do të bëhen.
Xhelal Zejneli
***
Me rastin e 140-vjetorit të lindjes
NOLI – KY VIGAN LIBERATOR
– ribotim –
Fan Noli (Qytezë/Ibrik-Tepe, 06.01.1882 – Fort Lauderdale, Florida, ShBA, 13.03. 1965) ose Theofan Stilian Noli, ishte burrë shteti, atdhetar, demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian, muzikolog. Ishte udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane dhe figurë e shquar poliedrike e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe e politikës shqiptare. Lindi në fshatin Qytezë (Ibrik-Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë evropiane, më 6 janar 1882. I ati Stilian Noli, ishte një fetar i shquar dhe psalt në korin e kishës. Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene. Në vitin 1900 u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë si kopist, sufler apo aktor. Me një shoqëri teatrore të atjeshme vajti në Egjipt. Në vitet 1903-1905 punoi si mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, ndërsa në vitet 1905-1906 punoi si mësues në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu shkroi një numër artikujsh greqisht dhe e përktheu në greqisht veprën “Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, të Sami Frashërit (1850-1904) të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në Egjipt u lidh me udhëheqës të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?/1844-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915).
Në prill të vitit 1906, me një biletë avulloreje u nis për në ShBA, duke kaluar nga Napoli dhe më 10 maj mbërriti në Nju-Jork. Pas tre muajsh qëndrimi në Bufallo, vajti në Boston. Këtu, botuesi Sotir Peci (1873-1932) e angazhoi si zëvendësredaktor në gazetën “Kombi” të Bostonit, ku punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin “Ali Baba Qyteza”. Këtu u lidh me bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 themeloi në Boston shoqërinë “Besa-Besën”.
Në këtë kohë, shqiptarëve të Amerikës u humbte durimi nga ndikimi grek mbi kishën. Më 1907 Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve nga mbarë New-England. Këtu delegatët morën vendim të themelonin Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pra autonome, me Nolin si të parë. Më 9 shkurt 1908, Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 u shugurua prift ortodoks. Më 22 mars 1908, në sallën Knights of Honor të Bostonit, Noli 26-vjeçar, për herë të parë, mbajti kryelartë liturgji në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, tribunë e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë, me ç’rast vizitoi kolonitë shqiptare në Kishinjev (kryeqyteti i Moldavisë), në Odesë, në Bukuresht dhe në Sofje. Me t’u kthyer në ShBA, më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën (1875-1942), i cili kishte ardhur në ShBA më 1909 – themeluan Federatën Panshqiptare Vatra, e cila u bë organizata më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Tani Noli ishte bërë i njohur si një prej udhëheqësve të bashkësisë shqiptare në ShBA, por edhe si shkrimtar dhe botues i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Pasi kishte mbaruar Universitetin e Harvardit, më 1913 u kthye në Evropë.
Në mars të vitit 1913 ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes, të organizuar nga Faik Konica. Në korrik të vitit 1913 Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe këtu, më 10 mars 1914, në prani të princit gjerman të një familjeje protestante Vilhelm Vid (Wilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Wied, 1876-1945) kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe. Në gusht 1914 Noli vajti në Vjenë për t’u kthyer në ShBA në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 e deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri kryeredaktor i Diellit të Bostonit, tani gazetë e përditshme. Në korrik 1917 Noli u bë përsëri kryetar i Federatës Vatra e cila, përballë gjendjes së rrëmujshme në Shqipëri, zuri ta shohë veten si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 themeloi të përmuajshmen në gjuhën angleze “The Adriatic Review”, e cila u financua nga Vatra, për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ Noli e redaktoi në gjashtë muajt e parë, për ta vazhduar drejtimin e tij Kostandin Çekrezi (1892-1959). Për të propaganduar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, me fondet e “Vatrës” të mbledhura nën drejtimin e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u dërguan në Paris, në Londër dhe në Uashington.
Më 24 mars 1918, Noli u emërua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në ShBA, kurse në korrik të atij viti, ndoqi në Mount Vernon, Virginia, një konferencë të popujve të shtypur, ku u takua me presidentin amerikan Vudro Uilson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Më 1920, tanimë i afirmuar si udhëheqës politik dhe fetar i bashkësisë shqiptare, si shkrimtar, orator dhe analist politik, Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua anëtare e kësaj organizate. Kjo ishte një arritje politike e jashtëzakonshme e Nolit.
Gazeta “The Manchester Guardian”, në një koment të saj të datës 23 korrik 1924, e cilësonte Nolin si “një burrë që në çdo vend do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist i politikës ndërkombëtare, polemist i zoti, që në fillim ai la mbresa të thella në Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas me një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglisht dhe në frëngjisht”.
Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri dhe nga viti 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin e Shqipërisë. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit (1880-1940), por pas ca muajve dha dorëheqje. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri, edhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozitë kryesore kundër forcave të Ahmet Zogut (1895-1961), të cilat mbështeteshin nga çifligarët feudalë dhe nga klasa e mesme.
Më 22 prill 1924 u vra deputeti Avni Rustemi (1895-1924). Në varrimin e tij, Noli mbajti një ligjëratë të zjarrtë që e ndezi opozitën liberale. Kjo periudhë e Shqipërisë është quajtur Revolucion i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Noli u shpall kryeministër dhe pas pak kohe regjent i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua të përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që ishin tej mase të rënduara. Por programi i tij me 20 pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar për një vend pa tradita parlamentare.
Në një letër dërguar një miku anglez, ai do të shënonte më vonë arsyet e dështimit të tij: “Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë ndeza zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba mbështetjen e masave fshatare”.
Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat e Zogut në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe kaloi disa muaj në Itali. Më pas Noli kaloi disa vjet në Gjermani dhe në Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e “Miqve të Bashkimit Sovjetik” në kremtimin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, ndërsa më 1930 u kthye në ShBA.
Në Boston themeloi të përjavshmen “Republika”, që vetë me emrin e saj i bënte një kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 ishte shpallur Zogu I, Mbret i Shqiptarëvet. Kjo gazetë u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, që tani e drejtonte Faik Konica, i cili ishte pajtuar me Mbretin Zog dhe ishte bërë ministër fuqiplotë (ambasador) i Shqipërisë në Uashington. Me përfundimin e afatit të vizës në ShBA, Noli u kthye në Gjermani, kurse gazetën “Republika” e mori në dorë Anastas Tashko, derisa u mbyll më 1932.
Më 1932 Noli ia doli të kthehej në ShBA, kur iu dha edhe leje qëndrimi i përhershëm. U tërhoq nga jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 Noli u sëmur. Duke qenë se nuk qe në gjendje të përballonte shpenzimet e mjekimit, u detyrua të pranonte si dhuratë 3.000 franga ari nga Shqipëria, për ironi pikërisht nga kundërshtari i tij i betuar Ahmet Zogu. Ky gjest solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut dhe i zbuti marrëdhëniet shpesh të ndera me Faik Konicën.
Më 1935 iu kthye pasionit të tij të madh, muzikës dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. I pakënaqur vetëm me detyrat ekleziastike, Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku më 1945, me një disertacion për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun (6 maj 1405 – 17 janar 1468), mori doktoratën.
Në vitet e para pas përfundimit të Luftës II Botërore, Noli mbajti marrëdhënie deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si “peshkop i kuq” i bëri mjaft armiq ndër qarqet e mërgimtarëve në Amerikë dhe shkaktoi polarizime mes tyre. Më 1955, Federata Vatra i dhuroi atij një shumë prej 20.000 dollarësh me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku edhe vdiq më 13 mars 1965 në moshën 83 vjeç.
* * *
Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku ai bëri emër. Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe.
Veprimtaria letrare dhe shkencore – Drama në tre akte “Israilitë dhe Filistinë”, Boston 1907. Është një tragjedi 48 faqesh e shkruar më 1902, që mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, histori e njohur e Samsonit dhe Dalilës. Kjo është një nga të rrallat pjesë teatrore shqiptare të kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi.
Noli ndjeu nevojën e teksteve liturgjike në gjuhën shqipe ndaj i hyri përkthimit të liturgjive dhe të ritualeve ortodokse që u botuan në dy vëllime: “Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe”, Boston 1909 dhe “Librë e të kremteve të mëdha të kishës orthodoxe”, Boston 1911, me 315 faqe. Pason studimi historik për jetën dhe epokën e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut: “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston 1921, botuar në shqip, 285 faqe. Varianti anglisht mban titullin “George Castrioti Scanderbeg (1405-1468)”, Nju-Jork 1947 dhe është fryt i disertacionit të doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945. Vjen studimi tjetër shkencor mbi figurat e mëdha të së kaluarës – Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe Napoleoni.
Dashurinë për muzikën Noli e manifestoi me veprën “Beethoven and the French revolution” (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng), Nju-Jork 1947, 117 faqe.
Noli është edhe poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë. Ajo është përmbledhur në vëllimin me titull “Albumi”, Boston 1948. Vëllimi përmban poezi politike, që pasqyrojnë aspirata dhe frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Këtu janë edhe dy elegjitë, si “Syrgjyn-Vdekur”, poezi prekëse e shkruar në Berlin, kushtuar shkrimtarit dhe atdhetarit të madh Luigj Gurakuqit (1879-1925) të vrarë në Bari të Italisë më 2 mars 1925 nga një agjent i Zogut. Elegjia tjetër “Shpell’ e Dragobisë” i kushtohet Bajram Currit (1862-1925) të vrarë në Dragobi më 29 mars 1925 nga agjentët e shovinistëve serbë, të prirë nga Ceno Kryeziu. Në këtë vëllim janë përfshirë edhe poezitë prekëse me frymëzim biblik, si “Moisiu në mal” dhe “Marshi i Krishtit”.
Ndihmesa kryesore e Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, gjë që vihet re në përkthimet që bëri. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në dialektin e jugut, duke rreshtuar përkrah tij edhe Faik Konicën.
Përvoja e Nolit si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e kulturës botërore, me anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten, me greqishten etj. i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen dhe ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
Përkthimet e Nolit – Përktheu katër tragjedi të dramaturgut dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616): “Otello”, 1916, “Makbethi”, “Hamleti” dhe “Jul Qesari”, Bruksel 1926.
Përktheu nga anglishtja dy pjesë të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906) “Armiku i popullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, Bruksel 1926. Pason përkthimi i fuqishëm në shqip i pjesës së parë të “Don Kishotit” të shkrimtarit spanjoll Miguel De Servantes Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616) nën titullin “Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës”, Boston 1932/1933.
Pjesa e dytë e kësaj vepre u përkthye nga përkthyesi dhe studiuesi Petro Zheji (1929-14.03.2015) dhe u botua në Tiranë më 1977, bashkë me përkthimin e Nolit. Pason romani “Kasollja” (1921) (La tarraca, 1898) i romancierit spanjoll Visente Blasko Ibanjez (Vicente Blasco Ibanez, 1867-1928). “Rubairat”, Bruksel 1924, Noli i përktheu nga varianti anglez i poetit Eduard Ficxherëlld (Edward Fitzgerald, 1809-1883). Përkthimin e “Rubairave” të poetit të madh dhe matematikanit persian Omar Khajan (1048-1131), Noli e botoi me pseudonimin “Rushid Bilbil Gramshi” dhe ua kushtoi poetëve persianë Nizami Genxhevi (1140/1-1203/9) dhe Hafiz Shirazi (1326-1390). Ky përkthim është ndër më të përkryerat e Nolit. Është një kryevepër krijuese, po aq e lartë sa edhe përkthimi në anglisht i Eduard Ficxherëlldit. Është i vetmi përkthim letrar i Nolit që nuk është yshtur nga synime didaktike.
Duke qenë poliglot, Noli përktheu poezi të autorëve evropianë dhe amerikanë të shekullit XIX, ndër ta poetin gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), dramaturgun, poetin dhe autorin e romaneve historike – skocezin Sër Uollter Skot (Walter Scott, 1771-1832), poetin dhe eseistin gjerman me prejardhje hebraike Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856), poetin dhe shkrimtarin francez Viktor Hygo (Victor Hugo, 1802-1885), poetin romantik rus Fjodor Tjutçev (1803-1873), shkrimtarin, poetin dhe dramaturgun francez Aleksis-Feliks Arver (Alexis-Félix Arvers, 1806-1850), poetin amerikan, autor i poemës “Skënderbeu” – Henri Uotsuorth Longfellou (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882), tregimtarin dhe poetin amerikan, pararendës i simbolizmit Edgar Allen Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849), romancierin, tregimtarin dhe poetin amerikan Herman Melvil (Herman Melville, 1819-1891), poetin dhe kritikun francez, autor i “Albatrosit” Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867), poetin dhe eseistin francez, fitues i parë i çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 1901, Syli Prydom (Sully Prudhomme, emri i vërtetë René François Armand Prudhomme, 1839-1907) dhe poetin e eseistin francez, simbolistin Pol Verlen (Paul Marie Verlaine, 1844-1896).
Noli dhe Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në ShBA, nuk i kanë kushtuar një energji të madhe krijimtarisë letrare. Për arsye historike dhe politike, kulti i frymës kombëtare ndër shqiptarët e asaj kohe ka pasur përparësi ndaj kultit të së madhërishmes estetike. Ndonëse shkroi pak letërsi të mirëfilltë, Noli mbetet gjigant i letërsisë. Ai dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet të plotë letrar e krijues. Tanimë ishte krijuar një gjuhë letrare moderne.
Një botim kritik në gjashtë vëllime të veprës së Nolit, e ka bërë Akademia e Shkencave e Shqipërisë (1988-1996). Emrin e Nolit e mban Universiteti i Korçës dhe institucione të tjera arsimore në të gjitha trojet shqiptare në gadishull dhe më gjerë. Më 10 prill 2022, një rrugë në Morris Park në Bronx të Nju-Jorkut (New York), u inaugurua me emrin “Fan Noli”.
Më 31.03.2015
Xhelal Zejneli
***
SHQIPTARËT DHE POLITIKA
Çdo popull ka pushtet politik të tillë, siç e meriton.
Qualis rex, talis grex – Si bariu, ashtu kopeja (proverb latin)
(Si është bariu, e tillë është edhe kopeja)
Meaning as the flock, so the king (Si kopeja, ashtu edhe mbreti)
Si është kopeja, i tillë është edhe mbreti)
* * *
Pluralizmi në hapësirat shqiptare filloi në vitin 1991. Që atëherë e deri më sot, hapësirat shqiptare ndodhen në fazën e tranzicionit. Tranzicioni në Kosovë filloi pas çlirimit të saj nga pushtuesit serbë. Shtetet e konsoliduara si Sllovenia dhe Kroacia, ka kohë që kanë dalë nga tranzicioni. Ato janë bërë edhe pjesë të organizmave euro-atlantikë, të NATO-s dhe të BE-së.
Gjatë tri dekadave të lëna pas, në hapësirat shqiptare lulëzoi dhe mbizotëroi nepotizmi dhe korrupsioni. Aty ku ka nepotizëm dhe korrupsion nuk ka shtet ligjor. Aty ku s’ka shtet ligjor, integrimi në BE është një ëndërr e largët.
Gjatë tri dekadave të tranzicionit, partitë “politike” shqiptare e kanë zbatuar me përpikëri përzgjedhjen negative. Pjesëtarë të organeve legjislative apo ekzekutive janë bërë individë me njohuri të kufizuara. Midis tyre ka pasur individë me arsimim të pamjaftueshëm apo me arsimim të dyshimtë. Të tillët quhen persona joprofesionalë apo diletantë dhe mediokër.
Kriter për emërimin e personave me njohuri të kufizuara apo me kualifikime të diskutueshme ka qenë dhe vazhdon të jetë përkatësia partiake. Hyrja e një individi në nomenklaturën partiake bëhet mbi baza familjare, fisnore, miqësore. Personi me ndikim në parti promovon me dinakëri dhe dredhi njeriun e familjes së vet apo të fisit të vet.
Në hapësirat shqiptare pozitat e larta në pushtetin qendror blihen edhe me para. Partia ia shet individit të kamur postin.
Zënia e pozitave të larta bëhet edhe me amoralitet. Me fjalë të tjera, për post shitet edhe morali dhe nderi.
Ndodh shpesh që në Maqedoninë e Veriut të vijnë në pozita të larta ata shqiptarë që janë të pranueshëm për sllavo-maqedonasit. Për të qenë i pranueshëm prej tyre, duhet të jesh për multikulturë dhe për shtet qytetar me mbizotërim të plotë të sllavo-maqedonasve. Të pranueshëm për sllavo-maqedonasit janë edhe bijtë e familjeve që e kanë çuar mirë me të gjitha sistemet dhe me çdo pushtet. Pra, bijtë e familjeve që i janë përshtatur çdo ideologjie dhe që kanë qenë anacionalë. Po qe se je për shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas, mund të konsiderohesh nacionalist dhe njeri me ide të tejkaluara. Multikultura s’është asgjë më pak se vëllazërim-bashkimi i Josip Broz Titos.
Në fund të viteve ’80 të qindvjeçarit XX, shtypi i Beogradit afirmoi sintagmën shqiptarë të ndershëm. Sipas tyre, të ndershëm ishin ata shqiptarë që shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, përkatësisht serbosllavinë. Fatmirësisht, numri i shqiptarëve të ndershëm ishte i vogël. Sot ekziston rreziku që ky numër shqiptarësh të ndershëm në Maqedoninë e Veriut të shtohet.
* * *
Në hapësirat shqiptare rëndom avancohen personat që janë të dëgjueshëm, poltronët, oportunistët, konformistët, puthadorët dhe karrieristët. Avancohen dhe promovohen edhe demagogët, lakmitarët, të pangopurit, mashtruesit, intrigantët, tregtarët e flamurëve, ushtarët partiakë, militantët partiakë, të dëgjueshmit, pakurrizorët (butakët), oportunistët, konformistët, demagogët, mercenarët, të pamoralshmit, të pandershmit. Ky dance macabre nuk përfundon me kaq.
Në rrethana të tilla kemi politizimin dhe partizimin e plotë të të gjitha poreve të shoqërisë dhe të shtetit. Në hapësirat shqiptare s’kemi të bëjmë me shtet ligjor. Kemi të bëjmë me shtet partiak. Për më tepër, ndodh që të rrëmbejë pushtetin një parti e fisit, e zonës apo e krahinës. Një parti e tillë nuk mund të drejtojë shtetin as të ndjekë politikë shtetërore. Cila parti është në pushtet, i asaj është shteti. Atëherë shtrohet pyetja: Cili është dallimi midis shtetit partiak të periudhës moniste dhe shtetit partiak të periudhës pluraliste?!
Në shtetet partiake nuk funksionon as sistemi politik, as sistemi juridik. Sistemi politik dhe sistemi juridik në shtetet partiake nuk është veçse një nocion fiktiv. I tërë shteti kontrollohet nga lideri partiak i partisë liderike, nga koniunktura partiake dhe nga nomenklatura. Në shtetet partiake apo të partizuara, është utopi të flitet për institucione publike të pavarura apo të depolitizuara. Çdo institucion është nën kontrollin dhe nën kthetra e partisë. Për zbatim ligji nuk mund të bëhet fjalë. Pa ndërhyrjen e partisë nuk mund të bëhesh as shërbëtor shkolle fshati.
Në shtetin partiak profesionalizmi dhe dituria nuk janë veçse iluzion. Shumë pak çmohen, për të mos thënë fare. Me rëndësi është të jesh i taborit tonë. S’ka fort rëndësi se je gjysmanalfabet. Ia dalim disi.
Në të gjitha hapësirat shqiptare ka tri dekada që lulëzon nepotizmi. Pushtetari i hapësirave shqiptare punëson: gruan e vet, djalin, vajzën, renë, dhëndrin, anëtarët e tjerë të familjes. Ky farë pushtetari fare nuk çanë kokën për vlerat profesionale dhe morale të anëtarëve të familjes së vet apo të fisit.
Nepotizmi në hapësirat shqiptare nuk nënkupton punësimin e rëndomtë të anëtarëve të familjes. Pushtetari me ndikim nuk kënaqet me punësimin e djalit, të vajzës, të resë, të dhëndrit apo të anëtarëve të tjerë të familjes. Pushtetari me ndikim fëmijët e vet synon t’i bëjë pasanikë, t’i bëjë milionerë.
Në rrethana të tilla pësojnë shtyllat vitale të shtetit apo të shoqërisë: sistemi i drejtësisë, organet e rendit, sistemi i arsimit, sistemi shëndetësor, institucionet e urbanizmit etj.
Shteti me karakteristika të sipërthëna ka një diplomaci të atrofizuar dhe pa autoritet ndërkombëtar.
Shteti partiak ka administratë të partizuar dhe të politizuar. Administrata e shtetit ku nuk gjen zbatim ligji është e stërngarkuar me ushtarë dhe anëtarë të partisë. Administrata e tillë është joprofesionale. Administrata publike e hapësirave shqiptare, si të nivelit vendor ashtu edhe të nivelit qendror, është shndërruar në ent për punësimin e militantëve të partisë, të votuesve të partisë, të atyre që në ditën e votimit vjedhin vota, i mbushin kutitë e votimit apo i thyejnë kutitë e votimit. Një administratë me tepricë punonjësish që i kanë zaptuar zyrat pa bërë asnjë punë efektive, i kushton shtrenjtë shtetit dhe shoqërisë. Me një administratë të tillë nuk shkohet në Evropë dhe nuk pranohesh në BE.
Në hapësirat shqiptare shumë pushtetarë kanë blerë dhe vazhdojnë të blejnë diploma universitare, tituj akademikë, magjistratura, doktorata – për vete, për gratë e veta, për djemtë e vet, për vajzat e veta, për rejat, për dhëndurët.
Nëpër universitete shqiptare punësohen pa kriter profesional të mirëfilltë dhe pa kriter moral, si asistentë apo si ligjërues, bij e bija pushtetarësh, reja e dhëndurë pushtetarësh, me njohuri të kufizuara dhe me kualifikime të dyshimta.
Shteti i katandisur në një vorbull të tillë:
– nuk mund ta ndërtojë ideologjinë kombëtare;
– nuk mund ta përkufizojë interesin kombëtar;
– nuk mund të hartojë program politik kombëtar;
– nuk mund të ndjekë politikë kombëtare.
Demokracia në shtetin ku nuk zbatohet ligji është një nocion fiktiv. Institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, përfshi edhe universitetet dhe akademitë e shkencave, janë nën kontrollin e politikës. Në mungesë të demokracisë, të lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes, inteligjencia shqiptare është strukur në lëvozhgën e vet. Ajo i ruan interesat e veta meskine dhe i mbyll sytë para problemeve të shtetit dhe të shoqërisë. Përveç kësaj, pushtetarët autoritarë as që e përfillin inteligjencien.
Në shtetin ku nuk gjen zbatim ligji vendimet janë arbitrare. Aty ku s’ka demokraci, ka autoritarizëm, autokraci, tirani, despotizëm, diktaturë dhe totalitarizëm që në thelb nuk dallohet nga sistemi totalitar stalinist.
Shumë pushtetarë të hapësirave shqiptare janë pasuruar, madje janë bërë edhe milionerë. Si mund të bëhesh pasanik apo milioner, kur një rrogë ose pagë mujore në hapësirat shqiptare është 500 apo 1000 euro?! Nga erdhën, si u krijuan dhe si lindën gjithë ato ndërtime, ndërtesa, ndërmarrje, depozita bankare, brenda dhe jashtë shtetit, me një rrogë prej 500 apo 1000 eurosh?! Janë bërë milionerë edhe pushtetarë të cilët në shkollë të mesme kanë pasur nga nota të dobëta.
Hapësirat shqiptare konsiderohen ndër më të varfrat në rajon dhe në Evropë. Atëherë shtrohet pyetja: Si kanë mundur politikanë dhe pushtetarë të caktuar shqiptarë të pasurohen dhe të bëhen milionerë?!
Nga kjo del se pasuritë e politikanëve dhe e pushtetarëve shqiptarë janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Pasuritë dhe milionat e tyre janë produkt i abuzimeve dhe i korrupsionit, i shkeljes së ligjit, i shpërdorimit të detyrës, i shpërfilljes së sistemit politik, juridik dhe financiar. Këta farë politikanë, para se të ishin pasuruar, në kontot e tyre s’kanë pasur as edhe 1000 euro. Me fjalë tjera, këta paskan hyrë në politikë, jo për të ndërtuar shtet ligjor, por për t’u pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Ndër më të varfrit e rajonit.
Është për t’u habitur sesi ky popull i voton këta mizorë.
Para abuzimeve të tilla të pushtetarëve dhe të politikanëve i kanë mbyllur sytë organet e pushtetit, sistemi i drejtësisë ndërkaq, s’ka funksionuar fare. S’kanë funksionuar organet e rendit, të urbanizmit, organet doganore, institucionet bankare apo financiare, organet kadastrore, ato të gjeodezisë etj.
“L’État c’est moi!” (Shteti – jam unë) – ka thënë mbreti i Francës Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715). Prej madhështisë së mbretërimit të tij u mbiquajt “Luigji Dhuratë prej Zotit” (Louis Dieudonné), “Luigji i Madh” (Louis le Grand), “Mbreti Diell” (Le Roi Soleil). Mbretërimi i tij përfaqësonte majën më të lartë të dinastisë Burbone dhe të fuqisë së Francës në Evropë. Gjatë mbretërimit të tij (1643-1715) lulëzuan arti dhe letërsia frënge.
* * *
Në shtetet ku s’ka ligj nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Një pjesë e madhe e mediumeve në hapësirat shqiptare kontrollohen nga shteti, nga qeveria apo nga qeveritë, nga partia në pushtet, nga qendrat financiare të pushtetshme dhe influente. Ka mediume që kontrollohen nga qendra dhe shërbime të jashtme, të huaja – ruse, greke, serbe, nga qendra dhe shërbime të vendeve arabe, nga Turqia, nga Irani, nga vende perëndimore.
Shumë analistë politikë janë mercenarë të qendrave të sipërthëna. Ka klerikë që janë mercenarë të demonëve. Shumë shoqata humanitare janë në shërbim të djajve. Ka shoqata joqeveritare që janë shërbëtorë të politikës, të pushtetit apo të partive në pushte.
Për ta ruajtur qetësinë, pushtetarët dhe politikanët e hapësirave shqiptare ndjekin edhe politikën panem et circenses që e kanë ndjekur para dymijë vjetëve perandorët romakë. Jepi popullit të varfër bukë dhe argëtim dhe sundo mbi të sa të duash.
Në hapësirat shqiptare kemi vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, trafikim lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore, prostitucion, amoralitet, shkurorëzime, vjedhje, vjedhje me thyerje, reketime, shantazhe, përqindje të lartë aksidentesh rrugore, vetëvrasje, hakmarrje apo gjakmarrje, ngujime.
Në hapësirat shqiptare kemi papunësi, varfëri, skamje, lypës nëpër rrugë, keqtrajtim të kafshëve, keqtrajtim të qenve endacakë. Duke i helmuar qentë rrugëve në mesnatë nuk shkohet në Evropë. Akte johumane, barbare.
Politika është shkaktare dhe përgjegjëse e shtimit të numrit të kazinove, të bastoreve, të lojërave të fatit, të klubeve të natës.
Janë skena që t’i përkujtojnë ato të romaneve të shekullit XIX, të romancierit anglez Çarlz Dikinz (Charles Dickens, 1812-1870),të romancierit anglez, student I Kembrixhit, Uilliam Thekeri (William Makepeace Thackeray, 1811-1863), romancierit francez me prejardhje italiane, Emil Zol (1840-1902), të romancierit dhe novelist rus Fjodor Mihajlloviç Dostojevsk (1821-1881).
Shënim: Emil Zola, meqë nuk arriti ta kalojë provim e maturës, hoqi dorë nga shkollimi i mëtejmë. Është themelues i drejtimit letrar dfhe artistik të natyralizmit. Heronjt tč romaneve natyraliste janč robërit e pasioneve, njerëzit që jetojnë në burgun e fatkeqësive të veta, personat që janë të ngarkuar me vetitë trashëguese. Natyralistët e pasqyrojnë natyrën e njeriut në çastet më vulgare dhe më të arrëta të tij.
* * *
Në hapësirat shqiptare s’kemi as majtizëm, as djathtizëm. Për ideologji të tilla duhet pasur ekonomi, industri, teknikë, teknologji, prodhim, eksport, sjellje mjetesh devizore nga eksporti i mallrave. Duhet pasur kapital, potencial financiar dhe jo borxhe deri në fyt, që dita-ditës shtohen.
Askush s’do t’u ndihmojë shqiptarëve po qe se ata vetë nuk i ndihmojnë vetes. Nuk jetohet me dekada duke pritur ndihma të huaja. Njeriu ndihmohet njëherë-dy dhe e merr veten. Ndryshe, ai njeri nuk është për ndihmë, nuk është i zoti i vetes.
Në hapësirat shqiptare ka shfrytëzim të egër të fuqisë punëtore, mu si në mesjetë dhe si në shekullin XIX. Ka punëtorë me paga mujore prej 150 eurosh. Në anën tjetër ka të tillë të cilëve një darkë u kushton 500 apo 1000 euro. Kështu nuk mbahet shtëpia. Kështu s’krijohet dot kombi. Skena bizare dhe groteske në Evropën e shekullit XXI.
Pranë sofrës i pangrënë; pranë dritës, i paparë; pranë detit, i palarë – thotë Noli, ky vigan liberator.
Në hapësirat shqiptare mungon mendimi kritik, kritika politike, kritika shoqërore. Ka censurë dhe autocensurë. Kemi edhe shpëlarjen e trurit nga mediumet, nga studiot televizive, nga radiostacionet, nga gazetat, nga revistat, nga mediumet elektronike, digjitale.
Kemi polarizimin e skajshëm të shoqërisë. Shkalla e ulët e zhvillimit të sektorit privat ndikon që njerëzit, qytetarët, të rinjtë të preokupohen me partinë, me politikën. Nëpërmjet partisë dhe politikës shpresojnë të punësohen. Jashtë partisë dhe politikës s’ke sesi punësohesh. Sektori privat nuk përthith fuqi punëtore.
Arsimimi funksionon pa plan. Kush mbërrin regjistrohet në fakultet. Edhe nxënësi me dhjetë nota të dobëta, ndjek studime universitare. S’ka as kriter as përzgjedhje për regjistrim. Në hapësirat shqiptare vlojnë universitetet, publike dhe private. Çdo qytezë ka themeluar universitet. Arsimi është shndërruar në biznes fitimprurës. Kemi inflacion diplomash, që s’janë veçse letra pa vlerë. Cili është ai shtet i vogël dhe i varfër në botë që mund ta punësojë gjithë këtë armatë të diplomuarish?! Një pjesë e tyre janë kualifikuar dhe janë certifikuar me kritere të dyshimta.
Arsimimi profesional figuron formalisht. Një shkollim i tillë kërkon të kesh ekonomi dhe industri. Përgjegjësi për devalvimin e arsimit është partia, janë partitë, është politika. Shumë punë partitë i bëjnë për vota, për asgjë tjetër.
Tri dekada i ke në skenën politike të njëjtët njerëz. Rrotullohen, enden e sillen nga një post në tjetrin.
Në hapësirat shqiptare nuk ka votues të lirë. Ka votues partiakë. Secili e di paraprakisht se për kë do të votojë. Askujt s’i intereson programi partiak që e shpërndajnë shtabet partiake një muaj para zgjedhjeve. Programi është letër. Ajo duron çmos. Askush s’i lexon ato. Madje as krerët e partive. Ato hartohen sa për të thënë se dalim para elektoratit me program politik dhe ekonomik. Shqiptarët janë të ngopur me premtime në letër. Edhe të lodhur. Shumë shqiptarë janë të dëshpëruar, të zhgënjyer, të deprimuar. Ka edhe të tillë që ndjehen të tepërt në shoqëri, të harruar, të lënë pasdore, të shpërfillur, të margjinalizuar, të nëpërkëmbur.
Elektorat të lirë, qytetar, asnjanës nuk ka. Çdo parti i ka votuesit e vet. Rëndom e votojnë partinë që hyn në qeveri, që bëhet pjesë e qeverisë, me shpresë se nëpërmjet saj do të punësohen. Kur vjen puna tek ekzistenca, i papuni s’çanë fort kokën për ideologjinë kombëtare, për historinë kombëtare, për flamurin, për heronjtë. Tanimë ai është i zhveshur nga iluzionet dhe idealet. Ata ku ka papunësi, skamje, paga të ulëta, aty s’ka ideal as ideologji. Aty kemi luftë për ekzistencë, për mbijetesë. Është politika, janë politikanët shqiptarë që e kanë katandisur në atë gjendje të mjerë.
Pushteti që nuk bën punë të mëdha, e reklamon dhe e propagandon në mediume, në gro plan, edhe punën më të vogël. Në shtetin me probleme të mëdha politike, ekonomike, sociale, morale përplasjet midis pozitës dhe opozitës janë të tensionuara, përtej normales. Në hapësirat shqiptare nuk kursehen fyerjet, sharjet, ofendimet, fjalët denigruese, kërcënimet, shantazhet. Nuk respektohet as autoriteti i kryetarit të shtetit, as i kryetarit të kuvendit, as i kryeministrit, as i udhëheqësit të opozitës. Përdoren fjalë fyese nga më të rëndat, deri edhe tradhtar kombi. Fjalë të rënda që s’i duron as letra, që s’i pranon arsyeja njerëzore. Kjo s’ndodh në asnjë vend, jo të rajonit, po të botës.
Kështu nuk shkohet në BE, nuk dilet nga tranzicioni. Këto përplasje në botën shqiptare e zvarrit konsolidimin e Shqipërisë, e dëmton imazhin e Kosovës para botës. Shqiptarët diskreditohen si komb. Për çdo disfatë nuk duhet fajësuar të tjerët apo tragjizmin historik.
Derisa luftonin për t’u çliruar nga pushtimi serb, shqiptarët ishin më të mobilizuar, më të ndërgjegjshëm. Kishin ideal. Pas çlirimit, në pluralizëm dhe në demokraci treguan nivel politik të ulët dhe aftësi shtetformuese të pamjaftueshme. Bota nuk pranon politikë fisesh, zonash dhe krahinash. Bota njeh politikë shtetërore.
Xhelal Zejneli