REXHEP KASUMAJ: AGJENDA E MJERIMIT DHE DËSHMIA E LULEVE!

Berlin, 24 prill 2018: Vetëm të vërtetat e përgjakura janë të mëdha…Athua të jetë kështu, qoftë dhe kur formulues i këtij mendimi, që i përgjason njëj arktrari historie, është Niçe?
Ndoshta çdo kohë ka të vërtetat e saj, të cilat, për të qenë të mëdha, nuk spërkaten përherë nga tizgë e lëngut magjik me ngjyrë të alltë.
Të vërtetat e tilla që i shpallte sfidueshëm Fridrihu, kanë mërguar nga trualli arbnor, por, mbase, si zogj shtegtarë, për t’u kthyer sërish në stinën e tyre…
Pushtetprijësit e Kosovës që nuk mësojnë dot kurrësesi alfabetin e shtetit, kanë lançuar tevona një përplasje agjendash mbi përskajimin e interesit kombëtar.
Ç’ironi!
Si mund t’u besohet e dyta, e paqmja në pritje rrotullimi të saj rrethor, atyre që, në lojë profiterizmi të ultë, doli të kenë uzurpuar të vërtetën e parë, të përgjakur?
Ata s’do të kenë investurë etike për rojë të së Mirës, sepse i gjithë formati karakterial i tyre ngrihet mbi hajni, dhunë e mashtrim. Dhe, poashtu, s’kanë si t’pajohen me shndrizë kulture për tejpamësi largvajtëse, sepse janë të paditur e, si të tillë, madje dhe armiqë të Zotit…
Por duke mos qenë të lexuar e mësuar, ata, si përplotësim fatkeq, kanë një armë të mnershme në duart e tyre të pista: instinktin parak, që i bën të jenë një ind përlidhës mes kafshës dhe njeriut! Dhe, ndaj, diku në horizont iu përhihet një kontratë fundore me Serbinë që, si shtysë, i përnxit rrëmujshëm drejt primatit: për të qenë autorë dhe firmatarë i saj.
Përse?
Për t’zbatuar detyrimet e fshehta? Për të shplarë atë që nuk e shplajnë krejt shirat e Dhêut? Për ardhmërinë e këtij trualli të sfilitur që sundojnë? Për të shpëtuar lëkurë nga gjahtarët e Hagës së dytë?
Tani vetëm një mendësi e species agjenturore mund t’i marrë vesh.
Dhe askush tjetër!

***
Dëshmia e luleve…
1.
Vjeshtë prehëse dhe e pabujshme, diku në një konte të Amerikës së paanë.
Kurrëkush s’mund ta besonte. Në të parë linte përshtypjen e një djali të qetë e të lumtur. E admironte xhaxhain që i kishte siguruar punë në firmën e tij dhe e përkujdeste me dashuri atnore.
2.
Por njëj dite të bukur që nuk premtonte pikëllim, xhaxhai u gjet i vrarë në ambientet e kancelerisë së tij.
Hetues e prokurorë do hamendësonin për dorasin e fshehtë. Kush, vallë, duhej të ketë shkrepur armën e krimit kundër këtij njeriu të mirë? Dyshimi i parë i vente armiqëve, por ai s’kish të tillë. Pastaj rivalëve që, sërish, s’patën motiv, sepse fitimet e tij ishin modeste. Ose, ah, ndonjë dashuri e vjetër hakmerrej për orët e djegura të deshpërimit. Veçse zemra dashunore, e pathyer kurrë, i jetonte bashkë me të ditët e numëruara t’kësaj bote.
Mirëpo, kur dukej se misteri do mbulonte gjithçka, një plak i urtë do kujtohej për një provë të epërme, të pakapshme nga mospamësia xheloze e njeriut: shpirtin e luleve. Të gjithë do mbeteshin të habitur. Si qenkësh e mundur që lulja të dëshmojë? Që ajo të ketë ndjeshmëri përtej teknikave të sofistikuara të kriminalistikës mondane.?!
Dhe eprorët, të kapur nga një beft shprese aventuroze, dhanë urdhërin e paparë: të dyshuarit duhej të parakalonin pranë lules që sikur priste çastin e të vërtetës së dhimbshme në zyrën e të ikurit. Kalonin si në defile, të indinjuar e të trëmbur, por lulja nuk lëvizte dot. Mbaruan. S’kishte më. Zhgënjimi, madje përtallja, lexohej në sytë cinikë të autoriteteve hetimore. Ndërkohë, njëri prej tyre që rrinte menduar, do t’hidhte propozimin e çuditshëm: të kalonte tejkqyrjen fajprerëse të lules dhe nipi i të vrarit.
Më shumë nga natyra e zejes, ata pajtohen për të shpënë këtë dësh’rim fantazmagorik deri në fund. I zënë nga hakmarrja e mëkatit, ai dridhmonte përlutshëm: si mund t’ma bëni këtë turp, thërriste e kundërshtonte, mua që e nderoja deri në përulje xhaxhain tim? Por hetuesit nuk sprapseshin. Dhe mrekullia do të vinte si dhuratë qielli: kur ai do t’i afrohej lules besnike, gjithë petalet, kurora e saj trishte dhe e bukur, si e shtyrë nga një erë e stuhishme, do varej ndjekshëm drejt tij. Grupi që ndiqte zbardhjen e krimit s’pati as më të voglën dilemë: ky ishte vrasësi, dora e zezë që kërkonin.
3.
Tani skena ngjan pak e errtë e mbireale: aktorë, ndjekës e të pandehur dhe, midis tyre, dëshmia e lules, vetëm e saj…
Ndërsa evokoja këtë ngjarje të pazakontë, s’kish si t’mos i ndjeja keqardhshëm, lulet shqiptare.
Çdo rrëfenin ato për gjakun që, në vend të shiut, ka rimun tokën e plasaritur, represaljet mizore të stinëve sllave, zgavrat e terrta ku tretet e paemër jeta e ndërprerë, për vajtim grash (“me ata sy të bukur që dini me kja”)…Pastaj, o Zot, për shnjerëzime vajzash, britma fëmijësh: mos më lërë nënë, dhe mallkimi i vetë Hyut prej saj…Po për dhunën mortore mbi të pafuqishmit që flisnin të njëjtën gjuhë e kishin po atë vuajtje, goditjet pas krahëve nga miku i idealit, për besëprerjen e ligë, çdo thoshin akoma?
Por njerëzit, të mësuar me dramën si me motin e vrânët, erën a hënën e ngrënë nga terri kozmik, flasin pak. Kurse ato, të mirat, nuk i pyet askush..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura