BESNIK KRYEZIU: IMPROVIZIMET POLITIKE ME STANDARDE TË DYFISHTA

(Würzburg, 25. 01. 2013) – Që nga koha e procesit për pavarësi dhe çlirim nga Serbia, populli shqiptar është përballur me një politikë improvizuese, të paparë deri më tani në vetë marrëdhëniet ndërkombëtare karshi çështjes së pazgjidhur që ka. Këto improvizime kanë shkuar aq larg sa që kanë prekur rëndë edhe vetë substancën e kombit dhe popullit shqiptar. Eksperimentet e bëra dhe që po vazhdojnë të bëhen me zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke përdorur standarde të dyfishta dhe të pazbatuara askund në botën demokratike, do t’i kthehen bumerang edhe vetë bashkësisë ndërkombëtare.
Qëndrimi që mbajtën aktorët kryesor të kësaj politike ndaj asaj që u shpërfaq si “çështje e lapidarit” në viset e banuara me shqiptar, të pushtuara dhe aneksuara dhunshëm nga Serbia, jo që nuk ishte real, por ishte thellësisht poshtërues. Ky qëndrim përveç që i ka dëshpëruar shqiptarët anekënd botës, do të duhej t’i zgjonte përfundimisht nga gjumi ata dhe klasën e tyre politike, duke e kuptuar se në politikë ka interesa dhe jo simpati apo dashuri për këtë apo atë popull.

Merkel, Obama, Kraft - das verdienen die Mächtigen

Disa nga Improvizuesit e standardeve të dyfishta!

Po të shikohet vëmendshëm shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe qasja e politikës ndërkombëtare karshi këtij problemi, lehtas mund të vijmë në përfundim se politika ndërkombëtare, më shumë se një politikë reale e zgjidhjeve të problemeve të dala nga shkapërderdhja e ish-Jugosllavisë, ka zbatuar një politikë improvizuese, pasojat e të cilës Ballkani dhe popujt që jetojnë në të po vazhdojnë (dhe do të vazhdojnë) t’i vuajnë shumë.
Njëjtë si në mjekësi që improvizimet mund të jenë fatale, kështu po ndodh edhe me politikën improvizuese në zgjidhjen e problemeve të popujve që me dhunë kanë jetuar në të ashtuquajturën bashkësi popujsh në Jugosllavi. Popujt e Ballkanit, e veçanërisht ata që kanë dalur nga ish-Jugosllavia, në vend që orientohen dhe fokusohen në zhvillimin e tyre ekonomik dhe politik, atyre po ju duhet të përballën me çështje të pazgjidhura si pasojë e politikës improvizuese, e cila, thënë në mënyrë metaforike, vullkaneve që kanë vluar ju ka vënë kapak, duke bërë që çështje të duket paqësore. Mirëpo, siç e dimë, vullkanet nuk e ndalojnë procesin e vetë, edhe atëherë kur mendohet se është qetësuar shpërthimi i tyre.
Precedenti i ndërkombëtareve
Për ironi të fatit, shqiptarët, si populli më i dëmtuar dhe i copëtuar nga politikat agresive të fqinjave tanë në të kaluarën historike, edhe sot po dëmtohen rëndë nga politika improvizuese e ndërkombëtarëve. Kjo që po ndodh aktualisht në Ballkan, po tregon në mënyrë të qartë se politika ndërkombëtare vendimet që dje i kishte në dorë dhe në kontroll për t’i marrë, i mori gabimisht, dhe tani ne të gjithë po përballemi me pasojat, të cilat as ndërkombëtarët e as popujt e Ballkanit nuk do t’i kenë më në kontroll.
Aktorët e politikës ndërkombëtare kanë bërë një precedent në proceset që po zhvillohen dhe do të pasojnë në vazhdim në tërë hapësirën politike ballkanike. Politika e të dy qendrave shqiptare, Tirana dhe Prishtina, duhet ta shfrytëzojnë në maksimum këtë precedent të vetë ndërkombëtareve për ta zgjidhur problemin e ashtuquajtur të Veriut. Precedenti filloi me qëndrimin e ndërkombëtarëve se çështja e lapidarit na qenka çështje e brendshme e Republikës së Serbisë. Hapur dhe pa asnjë fije frike dhe dyshimi politika jonë duhet të thotë se edhe problemi i Veriut por edhe i të gjithë pakicës serbe është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës. Ajo që vlen për Serbinë, patjetër dhe domosdoshmërisht do të duhej të vlente edhe për shqiptarët dhe të ardhmen e tyre politike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura