DIKTATURAT BIEN …

Edvini i lëmon imazhin Belgradit!

Nga Rexhep Kasumaj

Tetor 2022, Berlin

Diktaturat bien…

1. Përsiatje

Athua të jetë vetë qenia, natyra njerëzore që rrafshon, e sërish qarkullon diktaturat si një çelës baraspeshe mes të mirës dhe të keqes?

Megjithatë ato rrokullisen n’pluhnajë. Por asnjëherë vetëm nga kalbja apo fishkja e tyre e ngadaltë si qiriu në errësirë.

E keqja duhet hequr me dorë, fliste (siç kam shkruar qëkur) Profeti Muhamed. Kjo, porositte ai, është shkalla më e lartë e besimit njerëzor.

E zbërthyer më qartë, urtia nënkupton largimin e saj me fuqinë vullnetit dhe shpirtin e rebelimit. Është, që këtej, shkollë e parë e kulturës aktive të rezistencës…

2. Hazjajini në thurimë…

Një atmosferë, akoma jo krejtësisht tipike, rrethon Putin Groznin e pafat.

Betejë në fushat e Ukrainës dhe betejë në kullat e Kremlinit! E para humbet,  kurse e dyta tashmë ngjizet kthinash oborrtare. Turbull gjithnjë, veçse konturat e saj shfaqen që larg në horizontin e mugët.

Si mund të aneksojë, vërtet, dikush, territoret që nuk i kontrollon dot? E, rrjedhimthi, të mos di deri ku shtrihen kufijtë e shtetit që presidon! E, mbanë tjetër, si do arrij të përvijohet Putin labirinthesh të errëta mes klanesh zëngritur?

Ndaj dhe tre fronte paralelë ngushtohen për t’i hapur sundtarit derëzen e vogël të thurimës.

Blogerët ushtarakë, të parët, mbështesin vijimin e po kësaj mënyre, të deritashme, të përpjekjeve  në Ukrajinë.

Të dytët, silovikët, një elitë e deshpëruar militare, kërkon taktikë e stil të ri, modern të luftës.

Dhe, të tretët ose të fundmit, veteranët nostalgjikë ngulmojnë për rikthimin e strategjive të vjetra të lavdisë fitimtare…

Mirëpo më parë se hartat, skicat, taktikat e gjeneralët, i gabuar ishte një faktor tjetër: tabela e armiqëve që përvëlonte Kremlinin për ndërhyrje force në Ukrainë. Në krye të saj (ose t’mos figuronte fare), nuk duhej të ishin perëndimorët. Nëse jo E gjithë gjeografia, kultura ruse është Europë. Kina pra, vetëm ajo, mund të piketohet armiku real e i pritshëm i saj. Që tani në kërkim të një Lebensraum-i të pasur, miliona kinezë punojnë stinërisht në hapsirat e zbrazëta siberiane…

A nuk është kjo gjurmë e një gjeopolitike të re që bën rojë në rastin e parë?

Ky ftillim, ndërkaq, shqetëson dhe atllantistët që, po të shpërbëhej Russia, i druajnë një ekspandimi të furishëm kinez në kërkim të një “terra nullius”, toke të askujt dhe të lirë!

Porse kalkulimet e tilla dramatike janë, mbase, akoma të hershme. Megjithëse Harold James, një njohës i logjikës historike, përhap lehtas një optimizëm fluturak, asgjë nuk është aq lehtësisht e zbërthyeshme.

Fitorja, ashtu si disfata e tij në luftë, rrezikojnë botën. Fitorja, sepse do të prishej arkitektura e sigurisë dhe disfata, sepse njerëzimi mund t’i afrohet  Armagedonit më shumë se në Vitin e mnershëm e të largët të Kubës…

3. Hipokrizi gjithandej

Tek “Letër babait” (e Kafkës), në pyetjen e të atit se përse frikësohet prej tij, i biri gjegjet: frikësohem ta them!

Dhe përgjigje më e saktë e, njëkohësisht, e trishtë, s’mund të jepej dot. Vetë frika e fjalës shpjegonte lëndueshëm arësyet e saj.

Ndërsa lexoja këtë fragment, kujtoja skenën tipike diktatoriale, të jetuar tashmë në një rrafsh të epërm e kolektiv kombëtar.

Kush do t’a besonte një përpjekje, natën e gjatë të syve, në një kohë të dytë? Dhe në mes të qytetnisë së re demokratike të Europës?

Ankesa e heshtur “ky njeri nuk di të vdesë” (tek “Udhë e mbarë z. President”) ndërkalon natyrshëm në temën e madhe, ekzistenciale. Që këtej them: përse tirania nuk di të vdesë në Ballkan, në rrezen otomane të tij? E veçanërisht në Tiranë?

Ndryshimi i vetëm është se ne (për dallim nga djaloshi i Kafkës), marrim kurajo t’i themi arsyet e frikës. Por, mjerisht, asgjë më shumë. Fjala nuk gërvish lëkurëtrashën dhe as nuk lëvizë themelet e saj.

Premieri udhëhumbur shqiptar Rama, personifikon në plotësi këtë raport të pashpresë. Korrupton, shtyp despotshëm, shpif, gënjen, kolaboron, pastaj fyen, godet pas krahëve e poshtëron gjysmën e kombit (me aleancën serbe) dhe sfidon të gjithë. Madje dhe Europën e lirë.

“Bota përmbyset kur viktimat kthehen në fajtorë” thërret ai në Strasburg, duke aluduar në të pandehurit e Hagës.

Dhe, ja hipokrizia e tij e neveritshme që fton pyetjen: a nuk përmbyset bota edhe kur fajtori kthehet në viktimë?

Për hirin e sindromit serb, shqiptari Edvin i lëmon imazhin Belgradit,

shfajson kriminelin e luftës Aleksandër (si e quan intimisht), mirëkupton aleancën e tij me Rusinë dhe hap vendin e vet për projekte të frikshme që inaugurojnë hegjemoninë serbe në Ballkan

Më keq ende. Pikërisht me filozofinë e sipërthënë,

ridefinon ai njëj cinizmi ultësor arenën e përgjakur të fundshekullit të ikur. Pushtimin, luftën, dëbimin kolektiv dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët në Kosovë i cilëson thjeshtë “rrëmujë”! Pa asnjë ndjeshmëri nacionale dhe, madje, pa dhimbje njerëzore universale.

Është pra, ky vetë që bën poashtu përmbysjen morale të botës. Më poshtërisht se askush. Dhe rrotullimi fatkeq shkon përtej morales. Prek qendrën e dinjitetit dhe interesit kombëtar!

4. Ashtu foli autori i “Zajednicës”…

Natyrisht që madhnori Niçe, nga mora të përshtasja këtë mestitull, është i largët si yjet për firmatarin e kobshëm.

Por thundrat e përdhéshme i dhanë vulën e një autorësie të vogël negative terrinave që do vinin pas tij.

Në fakt, kronikat e kohëve rrëfejnë se çdo politikan, madje dhe motesh të qeta, prozaike e asgjëthënëse, ka një ëndërr: të bëj një vepër madhore që i siguron hyrjen në kalendarin e kujtesës.

Ndërkaq, vepra politike e Isa M., është e bukura, sfidantja dhe historikja “Zajednicë”! Arma e tij e artë në betejat e përflakura për anën e errtë, zymtore të saj. 

Ndaj dhe, ndërsa një grimë kohë kishte heshtur, shpalli goditshëm verdiktin shtegprijës. Bisedat e Brukselit duhet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë. Ndryshe, tha ai, nuk kanë asnjë kuptim.

Por jo. Autori i famshëm nuk është harrestar. Mbamendja e tij (aq më pak kolektive), nuk e arkivon dot veprën epokale, viti 2015, në Bruksel. Aty ku, gjithë shend e lumni, hidhte një gur të ri si theror në kalanë e karrierës: firmoste marrëveshjen fatale për akomodim statusor të serbëve në veri të Kosovës. Një brejë që konsumon gjithnjë energji politike dhe që, po me atë gurin e tij të karrierës, shenjon kufindarjen me tokën poshtë lumit Ibër. Lumit të heshtur e truar deri në besëprerje legjendare…

Shkelja e kushtetutës, me ç’dihet, djeg ose do të duhej të digjte çdo figurë dhe mandat politik. Sejdiu e Pacolli shkelën atë dhe u dorëhoqën. Vetëm ky, Isa M., ndonëse shkelte aktligjin themeltar, do të gëzonte privilegjin e të paprekshmit. E sovranit që njëjtësohej me ligjin vetë.

Plani i Dyshes franko-gjermane mund të bëj një nyjëtim mes njohjes së realitetit juridik e politik të Kosovës dhe “Zajednicës” së bekuar. Sepse është pikërisht “vepra e tij” që i ka bërë gropën njohjes së dyanshme klasike. Prandaj hedh zarin në emër të të gjithë opozitës: njohje reciproke ose refuzim!

Tani përveç një spekulimi të lig pushtetar, si bosht i kartave të myshkura opozitare, çfarë e mëson ekperienca e vjetër që shantazhon papritur dërgatën e Kosovës në Bruksel?

E ajo, me gjasë, i sugjeron se Premieri Kurti do gjendet shpejt në zjarr. Dhe ose nuk firmos e rrëzohet, ose firmos e kompromitohet! 

Dhe daullet e triumfit barbar janë gatitur për orgjinë e saturnaleve të tyre…

Suksesi im më i madh në jetë është që ia kam dalë t’më harrojnë, thotë Presidenti i rrëzuar i Markezit.

Rreze e bëmave të tij është e largët, ndaj, ndryshe nga ai, kryeqeveritari i alternuar pas 50 vitesh pushtet, Isa M., nuk do të harrohet kurrë. Është kryevepra politike që do t’a ruaj të gjallë në mendjen e brezave shqiptarë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura