ABDULLA MEHMETI: OPINIONI ME TË DREJTË KËRKON TË DIJË PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR THEMELIMIN E “USHT’së”

Tetovë, 25. 01. 2016: – Duke marrë parasysh faktin se, edhe një muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, opinioni nuk është njoftuar sa duhet me përmbajtjen, pasojat dhe implikimet që mund të krijohen me sjelljen e këtij Ligji;
– Duke konsideruar se heshtja e organeve më të larta të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Senatit të Universitetit, Këshillit të Rektoratit dhe organeve drejtuese të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të këtij Universiteti, krijon përshtypjen se ky Universitet plotësisht i është nënshtruar ndikimit politik, duke konsideruar se kjo dukuri nuk korrespondon me vlerat demokratike, lirinë akademike, lirinë fjalës dhe të mendimit;
– Duke marrë parasysh se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe organet drejtuese të Universitetit Shtetëror të Tetovës nuk e kanë parë të arsyeshme, as pas një muaji nga sjellja i këtij Ligji, të japin sqarime të nevojshme, edhe përkundër apelit nga disa mediume, nëse është shkelur ose jo Ligji për arsimin e lartë, dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe konventat ndërkombëtare, që e garantojnë autonominë e universiteteve dhe lirinë akademike;
– Të bindur se, me heshtjen edhe të mëtejshme të këtyre organeve, në lidhje me Ligjin në fjalë, krijohet presedan në praktikën e sjelljes së ligjeve me procedurë të përshpejtuar, vetëm përmes vullnetit të imponuar politik nga koalicioni aktual qeveritar, me çka cenohet e drejta për arsimim në gjuhën amtare në Republikën e Maqedonisë, autonomia e universitetit dhe liria akademike;
– Të shqetësuar në lidhje me pasojat që shkakton sjellja e këtij Ligji ndaj Universitetit Shtetëror të Tetovës, si institucion i vetëm shtetëror për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë;

– Duke marrë parasysh e, nuk është hapur debat publik para miratimit të këtij Ligji, as në USHT dhe as në institucione të tjera, as pas sjelljes së këtij Ligji nuk janë prononcuar organet kompetente të Universitetit, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë;
E njoftoj opinionin e gjerë dhe mediumet në gjuhën shqipe, në cilësi të ideatorit për themelimin e Universitetit të Tetovës, se:
– në bazë të obligimeve që dalin nga Vendimi për zbatimin e Platformës për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, nr. 02-6/1, të datës 1 shkurt 1994;
– duke e respektuar amanetin e Rektorit të parë të këtij Universiteti, Prof. dr. Fadil Sulejmani;
– përkushtimin e drejtuesve të organeve dhe profesorëve të parë të këtij Universiteti;
– përpjekjet e gjeneratës së parë të studentëve;
– gjakun e dëshmorit Abdylselam Emini dhe të dëshmorëve të tjerë, studentë të këtij Universiteti, të rënë në konfliktin e vitit 2001;
– mundin dhe sakrificën e banorëve të Tetovës, popullit shqiptar në Maqedoni dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, të dashamirëve të arsimit dhe të këtij institucioni të vetëm kombëtar të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë;
– në interes të informimit të drejtë të opinionit se çka përmban Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e i USHT-së dhe cilat janë pasojat që sjell ky ligj ndaj arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, me:
1. Ndryshimin e emrit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në Universiteti në Tetovë;
2. Ndërprerjen e punës së Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, një ndër fakultetet më të rëndësishëm të këtij Universiteti, me 6 (gjashtë) programe studimore, dhe transferimin e këtij fakulteti në Universitetin ,,Nënë Tereza” në Shkup, i cili është në formim e sipër;
3. Shkeljen e autonomisë së Universitetit, të garantuar me Ligjin për arsimin e lartë, Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë (neni 46), dhe konventat ndërkombëtare;
Unë, Abdulla Mehmeti, si palë kundërshtuese e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, u bëj APEL PUBLIK, për debat në cilindo televizion të vendit, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë dhe Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, me pjesëmarrje edhe të një ose dy ekspertëve të fushës juridike, duke konsideruar se, nga ekspertët më kompetent që mund të kontribuojë në këtë debat është Prof. dr. Osman Kadriu, dekan i parë i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës.
Mediumi i interesuar për realizimin e këtij debati obligohet që të sigurojë kushte optimale për debat, t’i ftojë personat të cilëve u drejtohet ky apel, të sigurojë termin të përshtatshëm dhe kohë të mjaftueshme për trajtimin e kësaj çështje, si dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të publikut në këtë debat, përmes pyetjeve të parashtruara në lidhje me këtë çështje.

Me respekt, Abdulla Mehmeti
Numri i telefonit dhe adresa për kontakt:
++ 389 70 829 535; [email protected]
Tetovë, 23 janar 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura