DR.JAKUP KRASNIQI: ME GJYSMË TË VËRTETA NUK BËHET SHKENCA(I)

 (Prishtinë, 27. 01. 2013) – Kohë më parë, po me këtë titull, reagova për disa të meta të librit të Oliver Jens Schmittit: “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, botim i kompanisë “Koha”, 2012. Reagimi kishte të bënte kryesisht për kapitullin e parë të librit. Duhet kuptuar që në fillim se se qëllimi im, si njohës i historisë së popullit shqiptar, të shkruar edhe nga autorë të huaj, nuk ishte e as që është të bëhesha zëdhënës i anëve të mira të librit, se shkenca nuk e ka këtë qëllim (shkenca është debat dhe diskutim mes të barabartëve, gjithnjë me forcën e argumentit e jo përkatësisë së shkencëtarit-historianit, qoftë ai shqiptar, gjerman, zviceran, sllav apo grek, etj.), por të merresha në radhë të parë me konstatimet e paqëndrueshme të autorit dhe të tilla, fatkeqësisht, ka shumë në librin që kemi në shqyrtim. Ato nuk i bëjnë nder as autorit, as shkencës, as çështjeve ende të pazgjidhura objektivisht të supremacionit etnik e politik.
Unë, sigurisht që nuk jam një nga ata që mendojnë se Oliveri ua hoqi bishtin shqiptarëve, se njerëz të tillë as që kanë ekzistuar, por nëse është dikush ai që ua hoqi bishtin shqiptarëve në sytë e Evropës, ai është pikërisht Fan S. Noli, i cili në Konferencën e Paqes në fund të vitit 1920 i sqaroi bukur pretendimet sharlataneske pseudshkencore, të cilat në gjeostrategjitë e kohës shiteshin si sapuni për djathë. Pra për “bishtin”, nëse duhet falënderuar dikë, këtë meritë e ka populli shqiptar që ishte si gjithë të tjerët, dhe, Noli ynë si përfaqësues i denjë i tij. Edhe pse për atë fenomen, ndoshta as që ia ka vlejtur si dje, si sot të flitet, pasi ka qenë “zbulim” i një politike të dëshmuar të egër e raciste. Pastaj po të kishte ekzistuar bishti dhe po ta heqnin me “dashamirësi” të tjerët nuk do t’ia vlente edhe aq të shprehej, si mirësjellje, ndonjë falënderim.

Autori Oliver Schmitt, thuhet se është shkencëtar i mirë, historian i mirë dhe se ka shkruar libra të mirë dhe, njëri nga ta, është edhe libri në fjalë, ndaj sipas një logjike, kryesisht lavdëruese, autori sikur ka dhënë aksioma matematikore për historinë e Kosovës që nuk mund të ndryshohen, diskutohen apo përgenjeshtrohen! Analiza ime, si një diskutim dhe debat shkencor, nuk mohon kualitetet dhe as veprën e autorit, por disa teza, përfundime apo shkarje të autorit në librin e tij për Kosovën. Ndoshta autori nuk ka faj, pasi ka mundësi që disa informacione që i ka pasur, apo edhe vetë premisat prej nga është nisur, e kanë çuar autorin në disa përfundime të gabuara. Pasi autori niset nga qëllimi për t’i pajtuar dy gjëra të papajtueshme:
1. “konceptin serb të historisë për Kosovën” dhe
2. “imazhin shqiptar për Kosovën”.

Përse njërën e quan “koncept historik” e tjetrin “imazh”, është çështje e autorit, e shkollës së tij të formimit historik apo ndoshta, le ta themi pa ekuivok, edhe politik. Nuk ka më vështirë sesa të gjesh një mes të artë në mes “konceptit serb të historisë për Kosovën” dhe “imazhit shqiptar për Kosovën”. Sigurisht se është e pamundshme dhe aq më pak mund të jetë e përkryer një përpjekje e tillë. Ndoshta, edhe pala serbe ka shumë arsye të jetë falënderuese për ato përfundime të autorit. Unë nuk e vlerësoj si arritje angazhimin e autorit për të barazuar politikën serbe të shfarosjes për shqiptarët me përpjekjen e shqiptarëve për mbijetesë. Por, njëkohësisht e vlerësoj për shumë përfundime të qëndrueshme e të njohura për historinë e shqiptarëve, të cilën gjë ndoshta ne shqiptarët do ta kishim vështirë ta bënim.
Libri në fjalë, për njerëzit që e dinë se ç’është shkenca, nuk është krejt shkencë e as krejt i papajtueshëm me të dhënat shkencore. Ndoshta më shumë është një ligjëratë politike, siç e cilëson edhe vetë autori (për studentët serbë e shqiptarë), e ngritur mbi bazë të dijeve shkencore të përziera, sesa një libër i mirëfilltë shkencor, të shumtën mund të jetë një publicistikë shkencore. Në analizën time të dytë do të merrem kryesisht me kapitullin e dytë dhe më pas edhe me të tretin, gjithnjë duke ndjekur të njëjtën metodologji të punës si të kapitullit të parë si dhe duke i krahasuar vlerësimet e Schmittit me ato të autorëve tjerë të huaj, që kanë shkruar po për atë/ato periudhë/a.
Në faqen 141 të librit, në nëntitullin “Administrata serbe dhe malazeze e Kosovës (1912-1915)”, autori e fillon mirë duke na përkujtuar një proklamatë të mbretërisë serbe, e cila ishte në frymën e shumë planeve e projekteve nacionaliste serbe, por këtu nuk është problemi. Problemi është se në vazhdim, autori jep konstatime të gabueshme kur të gjitha politikat e qeverive serbe, nga viti 1912-1999 (ku e përmend edhe Arkanin), i shfajëson të gjitha (qeveritë serbe) dhe fajet ua ngarkon paramilitarëve serbë të të gjitha kohërave. Schmitt “arsyeton” kështu: “Serbia kishte vështirësi të mëdha (ia qan hallin kalorësit! – nënvizimi im, J.K.), të rekrutonte numër të mjaftueshëm të zyrtarëve të administratës, aq më tepër që puna në Kosovë, e cila ishte jopaqësore, konsiderohej si e rrezikshme”. Shkuarja në tokë të huaj Z. Schmitt gjithnjë e kudo është me rrezik dhe është mirë që është kështu! Kërkoj nga lexuesit që të jenë të vëmendshëm sesi autori i arsyeton dhe amniston politikën zyrtare serbe, duke ia hedhur të gjitha fajet nëntokës së Beogradit.
Autori vazhdon:
“Derisa zyrtarët e kualifikuar preferonin të rrinin në Serbinë Qendrore, në funksionet e larta në Kosovë u ngjitën shumë avanturierë, si dhe kriminelë nga nëntoka e Beogradit; paramilitarët frikësonin popullsinë. Kosova dhe Maqedonia e Vardarit, e cila po ashtu ishte (të cilat po ashtu ishin – J.K.) pushtuar nga Serbia, qeverisesishin nga një shtresë zyrtarësh të korruptuar, ndërsa popullsia joserbe terrorizohej prej njësive të parregullta. […] Korrupsioni dhe keqmenaxhimi(sic! – J. K.) nga ana e administratës serbe në territoret e pushtuara morën përmasa groteske dhe bashkë me krimet e luftës ishin tallje ndaj pretendimit se në Kosovë po sillej civilizimi.” (Faqe 142).
Për autorin, krejt ajo që ndodhte gjatë viteve 1912-1999 e quante “yshtje të dhunës kundër joserbëve” (po aty). Bindja ime është se autori me këto konstatime është përpjekur t’i amnistojë regjimet e dy jugosllavive, politikat e tyre të dominimit e të shfarosjes se joserbëve (shqiptarëve, – J.K.) në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore. Me këtë Oliver Jens Schmitt ka amnistuar të gjitha pushtetet që ishin në shërbim të atyre politikave shfarosëse, si të qeverive, të gjykatave, të fesë, të ASHAS-së dhe të mediave serbe gjithë deri në ditët tona. Dhe kësaj unë nuk mund t’i them shkencë e as ta falënderoj autorin. Përse politikat qeveritare serbe e jugosllave “nuk mund” të gjenin administratorë të mirë, çka nuk ishte qëllimi i tyre dhe as kolonizatorë të mjaftueshëm për t’i dominuar shqiptarët në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore, nuk mund të mohohet qëllimi i tyre programor që as autorët serbë nuk e kanë mohuar asnjëherë deri më sot. As korrupsioni si fenomen nuk e kishte formën që ka sot, ndonëse ai nuk mungonte. Policia e tyre, kufitare e rrugore, edhe sot e gjithë ditën i plaçkisin udhëtarët shqiptarë kur kalojnë nëpër Serbi, pavarësisht faktit nëse kanë apo jo nënshtetësi zvicerane, gjermane, suedeze, shqiptare, madje edhe pashaporta serbe!
Në faqën 143 të librit autori jep një konstatim të gabuar kur thotë: “Pas vitit 1918 Serbia kërkoi çmimin për meritat e saj, ndërsa fuqitë e mëdha i konsideronin shqiptarët e Kosovës si grup armiqësor”. Më saktë do të ishte po të thuhej, Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore. Por, edhe këtu ka një përparim, emri i shqiptarëve nuk shoqërohet me cilësorin musliman. Gjersa në faqen 145 jep një të dhënë krejt të gabuar kur thotë: “Në vitin 1918 serbët në Kosovë përbënin një të tretën e popullsisë”. Për të njëjtën gjë, Noel Malcolm në librin “Kosova – një histori e shkurtër”, në faqen 293 shkruan: “Gjorgje Kërstiqi, një zyrtar serb, duke paraqitur, më 1928, programin e kolonizimit si një ‘sukses’ të madh demografik, pohon: ndërsa, ‘ne’ ishim vetëm 24 për qind e popullsisë së Kosovës, më 1919, tashti numri ynë është shtuar në 38 për qind.” Pra, Z. Schmitt, cila është e vërteta?
Po ashtu, e konsideroj një pasaktësi jo të vogël të autorit Jens edhe kur thotë: “Pas vitit 1920 kaçakët sulmuan fshatrat serbe, por edhe shqiptarët, të cilët bashkëpunonin me autoritetet (e pushtetit – J.K). Pasojë e këtij konflikti ishte një polarizim enorm etnik”. Konsideroj që këtu ka shumë pasaktësi, duke qenë se kaçakët kanë zhvilluar luftime mbrojtëse dhe kryesisht kundër forcave policore e ushtarake serbe, gjithnjë në mbrojtje të familjes e të pasurisë familjare dhe sigurisht edhe për bashkimin me Shqipërinë, që ishte aspiratë e popullit shqiptar. Luftërat e shqiptarëve të Kosovës në asnjë kohë nuk kanë qenë kundër serbëve të Kosovës pasi ata gjithnjë ishin pakicë, por kundër politikave pushtuese, dëbuese e shfarosëse të Beogradit. Ndërsa për sa u përket bashkëpunëtorëve të armikut në atë kohë e as më vonë, as në Evropë nuk ka pasur ndonjë mirëkuptim që meriton vëmendje dhe se “sulmi mbi bashkëpunëtorët e autoriteteve” as që mund të konsiderohet specialitet i kaçakëve të Kosovës.
Për Lëvizjen Kaçake, Noel Malcolmi në librin e përmendur më lart, në faqën 289 shkruan: “Në një sulm të papritur në fshatin e tij (në Galicë, fjala është për Azem Bejtën, – J.K.), u vranë pothuajse të gjithë bashkëluftëtarët e tij, kurse Azem Bejta i plagosur rëndë, iku në një shpellë në male, por vdiq atje më 24 korrik.” Sulmi ishte bërë pas një marrëveshjeje armëpushimi mes pushtetit të Beogradit dhe Azem Bejtës, shkruan autori i përmendur. Si përfundim të luftës së kaçakëve, Noel Malcolmi konstaton: “Kaçakët arritën vetëm dy gjëra: së pari, ata bënë një demonstrim simbolik të faktit se shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk e pranonte legjitimitetin e sundimit serb ose jugosllav dhe, së dyti, ata, në të vërtetë e penguan mjaft realizimin e programit të kolonizimit deri në atë shkallë saqë as kolonistët eventualë nuk kishin dëshirë që të shkonin në Kosovë, kurse shumë të tjerë u kthyen në shtëpitë e tyre” (faqe 290). I mbetet lexuesit t’i bëjë krahasimet mes këtyre dy autorëve të huaj, gjithsesi dashamirës ndaj shqiptarëve.
Oliver Jens Schmitti vazhdon të ketë një shpjegim të paqëndrueshëm edhe për sa i përket demonstratave të shqiptarëve të vitit 1968, për të cilat shkruan: “Pasi ishte lejuar përdorimi i flamurit shqiptar, në shumë qytete të Kosovës u zhvilluan demonstrata nacionale shqiptare, të cilat u shoqëruan me aksione të dhunshme” (faqe 180). Në atë kohë në shumë vende (qytete) të Evropës janë zhvilluar demonstrata, madje edhe në Beograd dhe sjelljet e demonstruesve kudo kanë qenë pothuajse të njëjta, por askund nuk është përdor dhunë nga pushtetmbajtësit si në Kosovë dhe kjo nuk është e paditur për shkencën apo edhe për politikën. Schmitti nuk ndalet shumë në kërkesat bosht të shqiptarëve e të cilat ishin: Kosova Republikë, kërkesa për Universitet dhe Kushtetutë, por për t’i devalvuar apo minimizuar ato demonstrime, si “mëkat” ua mvesh atyre brohoritjen për Enver Hoxhën, që edhe mund të këtë qenë një brohoritje sporodake dhe thuaja periferike në instancë të fundit meqenëse kërkesat ishin për avancimin e statusit politik të shqiptarëve në kuadër të Federatës Jugosllave dhe nuk ishin për bashkimin me Shqipërinë, ndonëse për ilegalen shqiptare, aspirata për bashkim nuk ishte e huaj.
E përmenda këtë fakt, se autori të njëjtën gjë do ta përsëritë për Demonstratat e vitit 1981, ku shkruan: “Dhjetëra e mijëra shqiptarë të Kosovës (dhe lehtë mund të thuhej: qindra mijëra! – J.K.) demonstruan pjesërisht dhunshëm, kërkuan statusin e Republikës për Kosovën dhe i brohoritën diktatorit shqiptar Enver Hoxha”. Për të njëjtën ngjarje Misha Glenny në librin e tij Historia e Ballkanit 1804-1999, në faqën 624, shkruan: “Ajo çka kërkonin kosovarët (lexo: shqiptarët, – J.K.), ishte barazia me kombësitë e tjera në Jugosllavi dhe lëvizja e tyre në thelb ishte një rilindje e çelur vonë, ata nuk kërkonin vetëvendosje për krahinën, por këmbëngulnin që Krahina Autonome Socialiste e Kosovës të bëhej republikë”. Ngjashëm, një vezhgues më i afërt i atyre ngjarjeve, gazetari Victor Meier në librin e tij “Fundi i Jugosllavisë, goditja në Kosovë” shkruan: “Por nga ana tjetër, protestuesit në Kosovë nuk shprehnin ndonjë simpati të madhe për regjimin e Enver Hoxhës; për ta, në plan të parë vinte çështja kombëtare” (faqe 52). Ndërsa, për kërkesat e shqiptarëve, N. Malcolmi thotë se ishin: “I duam shokët”, “Për kë punon Trepça”, “Kosova Republikë”, “Ne jemi shqiptarë – nuk jemi jugoslavë!”, “Duam të bashkohemi me Shqipërinë” dhe “Roftë Adem Demaçi” (faqe 348 – 349).
Ndoshta më larg se të gjithë, për demonstratat e vitit 1981 shkon Serge Metais, në librin “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Ai konstaton: “Madje mund të thuhet se, më 1981, qendra e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, ashtu si më 1878 apo si në pragun e pavarësisë së konfiskuar më 1912, nuk ishte në Tiranë dhe në Shqipërinë bregdetare, por pikërisht në Kosovë. Pikërisht andej po vinte kushtrimi i luftës për lirinë e shqiptarëve. Sigurisht, thotë ai, Tirana kishte dhënë ndihmesën e saj, por padashur” (faqe 347).
Por, të njëjtat ngjarje, Schmitti i vlerëson krejt ndryshe, derisa në faqen 233 shkruan: “Trazirat e vitit 1981 paraqesin fillimin e krizës politike dhe socioekonomike të Kosovës, e cila zgjati më shumë se një çerekshekull. Nxitësit dhe përkrahësit e trazirave janë bashkëpërgjegjës për ashpërsimin e gjendjes në vitet tetëdhjetë. Ata dëshironin të impononin dominimin shqiptar në Kosovë”. Për Victor Meierin “terrori i ushtruar kundër ‘nacionalistëve’ ishte i natyrës ofensive, që do të thotë se armiqtë e popullit jugosllav kërkoheshin në menyrë aktive, dhe aty ku nuk gjendeshin, krijoheshin” (faqe 56). Po i njëjti autor, duke folur për Memorandumin serb të ASHAS-së dhe për politikat e tij nacionaliste thotë: “Në dorën e një politikani të shkathët dhe brutal si Millosheviçi, memorandumi u shndërrua në veglën e përkryer të torturës etnike”. (faqe 84) Zhvillimet e mëvonshme që ndodhën në hapësirën e Federatës Jugosllave e konfirmojnë katërcipërisht konstatimin e Meierit.
E gjithë qasja e autorit, Oliver Jens Schmitt për ngjarjet e vitit 1981 është pothuajse në të njëjtit binar me qasjen e politikës historiografike serbe. Për shembull, ai në faqën 236 shkruan: “Pa dyshim shoqëria fshatare e Kosovës (çfarë ndarjeje u bën qytetarëve të Kosovës?! Sikur të ishte gjakovar i viteve të ’70-ta! – J.K), nuk mbeti e paprekur nga etnizimi. Sulmet kundër bujqve serbë dhe pronës së tyre u shtuan që nga vitet e shtatëdhjetë. Krahas shkaqeve ekonomike këto sulme hynë në mesin e shkaqeve të shpërnguljes. Po ashtu shumë serbë ishin të pakënaqur me dominimin politik të shqiptarëve të Kosovës dhe e ndienin veten të lënë pas dore”. Nuk e di si dhe pse vjen në përfundime të tilla një shkencëtar siç është Oliver Schmiti?! Po për këtë çështje, autori Raymond Detrez në librin “Kosova – një luftë e shtyrë”, shkruan: “Kuptohet që të gjitha këto ndodhnin në të vërtetë, por ishin ngjarje sporadike dhe nuk kishin një karakter sistematik”. (Faqe 73). Ndërsa për ndjenjën e pasigurisë autori do të thotë: “Ndjenja e pasigurisë si motiv emigrimi, ishte padyshim, më reale se vetë pasiguria”. (Po aty). Në faqen vijuese, autori për emigrimin, shkruan: “Së pari, emigrimi në masë nga fshati në qytet, ishte një fenomen që ndodhte në tërë Jugosllavinë. Serbët e Kosovës largoheshin për në Beograd. Së dyti, shumica e emigrantëve serbë nga ato troje në Kosovë, ku serbët përbënin shumicën ku edhe presioni shqiptar ishte minimal. Së treti, vetë shqiptarët në shifra relativisht të mëdha largoheshin për të njëjtat arsye nga Kosova”.
Sa i përket luftës për të drejtat e serbëve, autori me të drejtë thotë se “… ajo që kërkonin serbët, ishte ruajtja jo e të drejtave, por e privilegjeve të tyre të vjetra, me të cilët kosovarët (lexo shqiptarët, – J.K), “paguanin” autonominë e tyre”. (faqe 74). Ashtu siç po e paguajnë sot pavarësinë e Kosovës, duke i ruajtur privilegjet e jo të drejtat e tyre njerëzore e etnike. Ndërsa për dhunimet e grave e vajzave serbe që ishte një akuzë tjetër serbe në drejtim të shqiptarëve, historiani britanez, Noel Malcolm thotë: “E vetmja analizë serioze e kësaj çështje u bë nga një komitet i juristëve serbë dhe i ekspertëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, më 1990. Duke i analizuar të gjitha statistikat e dhunimeve dhe të përpjekjeve për dhunime të viteve ’80-të, ata konstatuan, së pari, se shpejtësia e këtij krimi ishte shumë më e ultë në Kosovë sesa në pjesët të tjera të Jugosllavisë; së dyti, ndërsa në Serbinë e ngushtë, mesatarja ishte 2.43 raste në vit në çdo 10.000 banorë, shifra për Kosovë ishte 0,96. Përos kësaj, ata konstatuan se në shumicën e rasteve në Kosovë (71%), sulmuesi dhe viktima ishin të po të njëjtit komb. Numri i përgjithshëm i rasteve, ku shqiptarët kishin bërë dhunime, ose ishin përpjekur të dhunonin femra serbe, ishte vetëm 31, gjatë tërë periudhës prej vitit 1982 deri më 1989; një mesatare nga më pak se 5 raste në vit”. (Faqe 353). Edhe për sa i përket natalitetit të shqiptarëve, qëndrimet e Oliver Schmittit nuk dallojnë shumë nga qëndrimi zyrtar i politikës serbe, i cili qëndrim ishte më shumë se përbuzës, por për atë nuk do të ndalem më shumë, pasi kjo periudhë, 1981-1990, ka dobësi të shumta ose thënë më se buti është e përmbysur me kokë poshtë.
Jam i bindur se sikur autori, historiani, studiuesi Oliver Jens Schmitt, të kishte shfletuar shtypin e vendeve gjermanfolëse të kohës (të Gjermanisë, të Austrisë e të Zvicrës), nuk do të vinte në këto përfundime joshkencore dhe të gabuara, qofshin edhe vetëm këto konstatime që u cekën në këtë analizë. Përpjekja për të mbajtur balanca në çdo gjë dhe me çdo kusht, nuk mund të mos çojë në përfundime e konstatime të gabuara. Ndërsa, krejt në fund, lexuesit ia kujtoj se për periudhën që kemi në shqyrtim, kam shkruar dy libra, dhe asnjë citim nuk solla këtu nga të dhënat e shtypit të kohës, i cili për “tezat” e Schmitit edhe nuk do të ishte fort i këndshëm. Kryesisht jam përqendruar, duke shkëputur vlerësime nga autorët e huaj, edhe për të mos u zgjatur, çfarë nuk ishte qëllimi im, edhe për të bindur Z. Schmitt se diçka nuk është në rregull me “shkencën balancuese” të tij…

VIJON…
– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura