AGJENDA E KRIZAVE POLITIKE NË KOSOVË (2010 – 2013)

Pa e njohur të kaluarën nuk mund të ndërtosh mirëfilli të sotmen, as të projektosh të ardhmen.

Parashikimi i krizave me të cilat po përballemi sot

AGJENDA E KRIZAVE POLITIKE NË KOSOVË (2010 – 2013)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 11. 10. 2013

HYRJE

Ashtu sikurse në ekonomi që çdo zhvillim ekonomik planifikohet, edhe në politikë, të gjitha krizat politike planifikohen. “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftëse diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë” – ka thënë Presidenti i 32’të i SHBA’ve Franklin D.Roosvelt (30 janar 1882 – 12 prill 1945).

Ndërkaq shkrimtari austriak Stefan Zweig (28 nëntor 1881 – 22 shkurt1942) në një shkrim ka theksuar: Në jetën e vërtetë, reale, në fushën e veprimit të forcave politike rëndësi vendimtare nuk kanë, mendjet e ndritura e as bartësit e ideve të kulluara, por një racë shumë më e ulët e shumë më e shkathët – që janë njerëzit e prapaskenave. Kjo duhet theksuar patjetër për t’u ruajtur nga të gjitha llojet e naivitetit politik. Në filozofinë politike kushtuar krizave politike ekzistojnë dy parime: „rregull nga shkaktimi i krizave“, dhe „fitore përmes konfliktit“. Këto parime karakterizojnë plotësisht doktrinën e filozofit gjerman Georg Fridrih Vilhelm Hegel (1770 – 1831), “Teza (problemi) – antiteza (reagimi) dhe sinteza (zgjidhja)”.

Pra, për të ndryshuar një gjendje politike në një vend, kërkohet shkaktimi i një krize politike dhe kjo krizë pastaj eskalon dhe zhvillohet nën menaxhimin e faktorëve politik, (nga njerëzit e prapaskenës, siç ka thënë Stefan Zweig), sipas doktrinës hegeliane.

Duket që Hegeli ka identifikuar procesin universal me anë të të cilit të kundërtat, të cilat ai i quante “tezë apo problemi” dhe “antitezë apo reagimi”, bashkohen gjithnjë në një kompromis të nivelit më të lartë, që quhet „sintezë apo zgjidhja“!

Kjo dialektikë (trinomi) hegeliane, për fat të keq është provuar të jetë e përdorur gjatë shek.XX nga politikbërësit e pamëshirshëm për manipulimin e ngjarjeve në dobi të agjendës së tyre!

MENAXHIMI I KRIZAVE NË KOSOVË SIPAS  TRINOMISË SË HEGELIT

Duke pasur parasysh këtë filozofi të shkaktimit dhe menaxhimit të krizave, me lehtësi mund t’i zbardhim edhe krizat e shkaktuara politike në Kosovë, sipas agjendave të përcaktuar nga njerëzit e fuqishëm të prapaskenës.

Në vazhdim po ju sjellë në kujtesë disa zhvillime që kanë derivuar kriza politike në Kosovë:

APELI IM

Më 5 dhjetor 2010 (vetëm një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit) kam bërë këtë APEL “Mos u gëzoni as mos u hidhëroni për fitoren apo humbjen e tyre”, e kisha fjalën për këtë soj politikanësh, që i shihni në foto! Në këtë apel kam pasqyruar arsyen e shkaktimit të krizës institucionale dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme duke parashikuar edhe Negociata dhe marrëveshje të reja me Serbinë, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve 2011 – 2013, fillimisht midis Edita Tahirit – me Borko Stefanoviqin dhe nga fundi i vitit 2012, midis Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, me ndërmjetësimin e BE-së!

Lexoni me kujdes APELIN poshtë në foto:

Duke u nisur nga ky APEL: “MOS U GËZONI AS MOS U HIDHËRONI PËR FITOREN APO HUMBJEN E TYRE!”, tani mund të reflektojmë mbi të gjitha krizat politike të skenuar nga njerëzit e fuqishëm të prapaskenës politike, para dhe pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010 në Kosovë, e të cilat u zhvilluan sipas parimit “rregull nga shkaktimi i krizave”, bazuar në doktrinën e Hegelit: “teza (problemi) – antiteza (reagimi) dhe sinteza (zgjidhja)”.

Me këtë rast po i veçojë disa kriza politike (2010 – 2013):

1. KRIZA QEVERITARE PDK-LDK…

– TEZA (PROBLEMI):  acarimi i raporteve midis koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe vendimi i gjykatës kushtetuese për paligjshmërinë e mbajtjes së dy posteve nga presidenti Fatmir Sejdiu…

– ANTITEZA (REAGIMI): Dalja e LDK-së (dhe ministrat e saj) nga koalicioni qeverisës me PDK-në dhe dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga pozita e Presidentit të Republikës, më 27.09.2010. (Fatmir Sejdiu u zgjodh president i Kosovës me 10. 02. 2006, pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, më 21.01.2006)

– SINTEZA (ZGJIDHJA): Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 12 dhjetorit 2010!

***

2. KRIZA NË LIDERSHIPIN E LDK-së

– TEZA (PROBLEMI): Acarimi i raporteve brenda kreut të LDK-së pas daljes së partisë nga koalicioni qeverisës me PDK-në, dhe dorëheqja e Fatmir Sejdiut.

– ANTITEZA (REAGIMI): Akuzat dhe kundër’akuzat midis kryetarit të LDK-së Fatmir Sejdiut dhe Bujar Bukoshit dhe përpjekjet e këtij të fundit për ta marrë timonin e LDK-së.

– SINTEZA (ZGJIDHJA): Mbajtja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së (më 07 Nëntor 2010) dhe zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të partisë.

***

3. KRIZA NË VERI TË KOSOVËS – INTERVENIMI I NJËSISË SPECIALE ROSU, MË 25 KORRIK 2011

– TEZA (PROBLEMI): Intervenimi i njësisë speciale të Kosovës (ROSU) në Veri (në mbrëmjen e 25 korrikut 2011) për të marrë gjoja nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31, tërheqja e kësaj njësie në orët e mëngjesit të 26 korrikut dhe vrasja e policit Enver Zyberi…

– ANTITEZA (REAGIMI): Intervenimi i Beogradit përmes strukturave të saja në veri të Kosovës, fillimisht me bllokimin e dy rrugëve kryesore që të çojnë në pikat kufitare 1 – 31 dhe barkadimi i të gjitha rrugëve tjera gjatë muajve në vijim…

– SINTEZA (ZGJIDHJA): Ndërmjetësimi i gjeneralit gjerman të KFOR’it Erhard Buhler dhe faktorëve tjerë në Bruksel, SHBA etj., takimet e tij me Hashim Thaçin dhe Borko Stefanoviqin dhe arritja e një marrëveshje kalimtare prej 10 pikash me qëllim të uljes së “tensioneve dhe normalizimit të gjendjes”, në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi pas një kohe përmes dialogut të arrijnë marrëveshje afatgjate politike – e jo teknike!

A. Vazhdimi i dialogut të ashtuquajtur “teknik” gjatë vitit 2011, midis Prishtinës (Edita Tahirit) dhe Beogradit (Borko Stefanoviqit), për arritjen e disa “marrëveshjeve teknike”. Protestimi i Lëvizjes Vetëvendosje kundër dialogut!

B. Ngritja e bisedimeve në nivel politikë, pas miratimit të rezolutës së PDK-së në Kuvendin e Kosovës (më 18 tetor 2012) me moton manipuluese “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” – (me këtë Serbi që nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për më tepër atë e konsideron si pjesë të saj edhe me Kushtetutë), dhe kundërshtimi i këtyre bisedimeve nga Lëvizja Vetëvendosje.

C. Vazhdimi i bisedimeve – negociatave politike “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” midis Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit në Bruksel – me ndëmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshës Catherine Ashton.

Ç. Emrimi i nënkryetarit të AAK-së Blerim Shala (më 22 nëntor 2012) nga presidentja Atifete Jahjaga si koordinator politik për dialogun Kosovë – Serbi!

D. Dalja e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj nga burgu (më 29 nëntor 2012), relaksimi i skenës politike dhe paralajmërimi i Ramush Haradinajt për t’ju bashkuar koalicionit qeveritar në krye me Hashim Thaçin, dhe për t’u bërë pjesë e negociatave politike Prishtinë – Beograd, të cilat do të rezultojnë me një marrëveshje politike, e cila do ta finalizojë përfundimisht gjashtë pikëshin e Ban Ki Munit – me një statusi të veçantë – autonom, për Veriun e Kosovës!

DH. Marrëveshja e 19 prillit 2013, në të cilën përfundimisht krijohet bashkësia etnike serbe e ashtuquajtur “BASHKËSIA E KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE NË KOSOVË”! Kjo marrëveshje u ratifikua edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në takimet tjera të Thaçi – Ashton – Daçiq ajo u negociua (u modelua), dhe si rezultat kemi:

1. Miratimin e ligjit për amnisti në Kuvendin e Kosovës, për të gjitha strukturat politike, shtetërore e ato të sigurisë – të Republikës së Serbisë që kanë vepruar për rreth 14 vjet në veri të Kosovës (por jo vetëm atje), dhe integrimin e tyre brenda strukturave shtetërore të Kosovës;

2. Dërgimin e Ligjit për amnisti në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje;

3. Përcaktimin e datës së zgjedhjeve komunale në Kosovë – më 3 nëntor 2013 (i propozuar nga kryeministri serb Ivica Daçiq);

4. Heqjen e simboleve shtetërore (stemën etj) të Republikës së Kosovës nga Fletëvotimet për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit 2013;

5. Pjesëmarrja e Republikës së Serbisë në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 me listën e përbashkët të partive serbe “SERBIJA”, më pas të modeluar me emërtimin “Listat e përbashkëta serbe”;

6. Dhe përfundimisht Marrëveshja e arritur (Thaçi – Daçiq) më 7 tetor 2013 në Bruksel, ku lejohen zyrtarët shtetëror e partiakë të Republikës së Serbisë të vijnë në Kosovë për të bërë fushatë elektorale, shpërfaq qartazi ushtrimin e përgjegjësive politike e shtetërore të Republikës së Serbisë në Kosovë, përmes të ashtuqujaturës “BASHKËSIA E KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE NË KOSOVË” …

E keqja për Kosovën vazhdon, ende s’ka përfunduar!

—————-

Burimi: AGJENDA E KRIZAVE POLITIKE NË KOSOVË (2010 – 2013)! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 11. 10. 2013

________________

Shtojcë

MARRËVESHJA E 19 PRILLIT 2013 PËR ZAJEDNICËN ISHTE PROMOTORI I KRIZAVE POLITIKE NË REPUBLIKËN E PAKOS SË AHTISARIT!

Nga Sheradin Berisha – RKL, 10/09/2013

https://www.radiokosovaelire.com/sheradin-berisha-tashme-eshte-e-qarte-se-kosova-dhe-serbia-organizojne-se-bashku-zgjedhje-ne-kosove/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura