KEQKUPTIMI I SHTETIT

KEQKUPTIMI I SHTETIT

(Mbi paternalizmin negativ)

Nga Rexhep Kasumaj, Fundqershor, 2022 Berlin

1.

Ka, gati, njëlloj skeme të rrallë ndër popuj të qytetnisë. E njohur tash mbi një shekull terr e përpjekje titanike për copën e diellit në votër. 

Në fakt, gjithçka vete përtej saj. Është reale sa vetë fatkeqësia që ajo riqarkullon ndër vite.

Çdo lëvizje politike serbe drejt Kosovës përceptohet si një hile planfshehtë dhe me rrezik jete për shqiptarët. Madje, edhe kur vjen një fjalë e matur për ndonjë krah a figurë të Prishtinës, e tillë ngjan: taktikë e përbetim i largët!

Ndaj tani edhe sikur të kursejë stigmën, apo, e kundërta, të hargjojë shumë pështymë për t’i përlyer kryeparët e Kosovës, shqiptarët, ata të thjeshtët, s’kapen në beft asnjëherë.

Në rastin e parë, identifikojnë mashtrimin dhe në të dytin, tërbimin. Të ligën që, ditë e natë, kujdestaron në Belgrad!

Degjenerimi politik serb, me kohëzgjatjen dhe, njëkohësisht, indin konstant, vete atje ku s’ka mbërritur ende askush.

Gjermanët u vetëdlirën. Jo veç  me letra a komision denacistifikimi. Por bënë lirshëm katarsisin e vërtetë. Madje, si pezmatohet Houllebecq për teprinë, do t’a shpinin deri në kufijtë e vetëzhbërjes.

Vetëm programi i ekspandimeve serbiane me gjak e terror, i mbijeton kohët. Latohet, mbruhet, adaptohet e gatitet për një përftesë të re historie…

Emerson flet bukur për “qeverisjen e deshpërimit”, të dhimbjes njerëzore.

Traktatet e trashëguara të serbëve bëjnë, porse, të kundërtën: jo menagjimin e deshpërimit që ruan në substancë pëndesën njerëzore. Aspak. Ato rrëfejnë mesianisht vazhdimësinë e terrorit shtetëror kundër lirisë së tjetrit në shkallë e formë testamentore.

Dhe skema e dyshimit absolut për çdo ide a nismë serbiane, është prandaj krejtësisht natyral dhe legjitim.

2.

Po besuam Nostradamusin, si thotë “Enigma” (e zgjidhur) e R. d’Angely, shqiptarët ende s’kanë mbaruar së luajturi tërë kartat dhe të habisin gjithë botën.

Ndoshta tani është apo do vijë ky mot i madh…

Por, sidoqoftë, serbët, dora e tyre e shkurtuar, mbase s’do arrijë të prejë më degët e trungut etnik shqiptar.

Anipse ndesh bien, sërish parimi i sui-generisit, që përligjte intervenimin  perëndimor, poaqsa parimi i simetrisë, i hedhur tani në arenë nga rusi Putin, shuajnë ëndrrën serbe për kthim në Kosovë.

Mirëpo, duke bërë zellshëm lojën e Kremlinit, serbët përpiqen të gjejnë paralelen e vet. Të legjitimojnë, ashtu, shkëputjen e Veriut: me forcë në terren apo me negociata në Bruksel.

Tashmë kanë ikur stinët e zymta kur një lëvizje pene ose një ndërhyrje puçiste me tanke e të vrarë, ndrronte Kushtetutë dhe elita politike në Kosovë.

Rrjedhimthi, meqë udha e forcës është e pasigurtë dhe pozicioni bisedimor i palës shqiptare i palëkundshëm, aherë presidenti i tyre ka aktivizuar një përbetues të jashtëm aventuroz.

Është kryeministri i Shqipërisë që, njëj paternalizmi negativ, do të sipërmerrte misionin jetësor të tij: rrëzimin e qeverisë legale të Kosovës!

Prapaskenat, demagogjinë dhe mjetet i kanë të mjafta të dy: i përkasin të njëjtës shkollë të Kgb-së, aq e pranishme në orët e brishta të paqes ballkanike.

Veteranët dhe partia e tyre e “luftës” e dinë se zgjedhjet e reja, ose, madje, ekuacioni i sprovuar parlamentar i një Hoti të dytë, nuk do t’i sillte të lirë në shtëpi burgëtarët e Hagës.

Tehu, që këtej, godet diku tjetër: rikthimi i politikës nga konstelacioni i vjetër i Ramës e Thaçit me Vuçiqin në mes. Veçse tani rrethi është zgjëruar. Në këtë rreshtim kanë hyrë ultas dhe të tjerë që dikur qëndronin në anën përballëse. Dhe kishin gjyq të hapur me sundtarin e Tiranës.

Ç’i bën vallë tani kaq dashunisht të zjarrtë?

As ndjesa e burgut, as kufiri, as tokat që falen e as alternimi pushtetar, gjithmonë i natyrshëm në demokraci.

Jo. Jo.

Është mbrojtja e kamjes përrallore nga një prirje e re e shtetit të së drejtës në Kosovë: konfiskimi i pasurisë së paligjshme të oligarkëve politikë. Sigurisht, n’se janë, dhe të atyre që tani, për një kohë, banojnë në vetmoret e Hagës!

Rama, ndërkaq, ka në sirtar e, mbase në shpirtin e truar politik, një katalog suplementar interesash të tjerë!

Politikë? Shtetërorë? Mbarëkombëtarë?

Vështirë!

Vështirë, pra, sepse si mund të përfill jetikisht këtë interes shqiptar një kartë, një memorandum a doktrinë që, si dihet, është hartuar në Serbi?!

Megjithatë ky, Kalorsi i mësimnxënjes përfekte, është betuar t’i shkojë deri në fund marrëzisë.

Është vetëm vdekja nga Zoti, ose pëmbysja nga robi që mund t’a ndalojnë.

3.

Një ditë e veçantë afrohet në Bruksel.

Druaj se në Kosovë prapë do të pjalmojë mërzi. Dhe ndjenjën e shpërdorimit të saj në pragun e ftohtë të kalkulimeve t’mëdha.

Për të shmangur anëtarësinë në Këshillin e Europës që tronditë e trishton serbët, kushedi ndoshta i hapin dyert e hekurta për lëvizjen e lirë.  

Dhe po ndodhi liberalizimi i vizave, s’mund t’mos thuhet se është pak meritë e Kurtit (qeveri që nuk vjedh, lufton korrupsionin, hovëzon ekonominë…). Gjithnjë pa mohuar dot kurrë dhe punën e pararendësve të tij.

Por, më parë se merita që nuk errësohet dot, është  gjeopolitika që, ashtu siç ushtronte refuzimin kronik, do t’i printe hyrjes së mundshme të Kosovës në Shëngenin e Europës.

Tash një kohë, Shqipëria e Ramës nuk flet më për izolimin e njeriut të pafaj kosovar. Dhe, për pasojë, nuk do t’a çmojë vital këtë akt daljeje nga ngujimi në zemrën e Europës. 

Sepse, si do t’mendojë Udhëheqësi i pagabueshëm, shqiptarët kanë tashmë një Shëngen të tyrin. Shëngenin e Ballkanit të hapur me seli dhe frymë hegjemoniale në Belgrad. I tillë, a s’është më afër, më i vogël e pra më i përballueshëm, më paqesjellës, e pastaj harrestar i “rrëmujës” së quajtur luftë dhe promotor i vllaznisë së re me serbët e mirë?

Ndoshta bëhet vonë, shumë vonë, kur shqiptarët ngado janë përreth, të kuptojnë tejpamësinë e Prijësit të iluminuar.

Gëte i thërriste kohës “ndalo, je kaq e bukur”! Kurse unë i them: nxito, ik rrëmbimthi që të mësojmë më shpejt gjenin e tij!

***

Fokus fundjave, qershor Berlin

EUROPË E RE, EUROPË E VJETËR

Një populli në zjarrishtë lufte i duhen bukë e armë, e aspak shprehje të ngrohta kortezie. Dhe, hiç akoma, zotime për të ardhmen plot dritë. Por të largët përtej ëndrrës…

Ndaj dhe, më parë armë, e më pas ofertë bujare për integrime në vllazninë politike.

Vërtetë, ç’procese integrimi mund të ndjekë një vend i pushtuar? I rrëzuar përdhé?

Që këndej dhe ironia therëse e Treshes disonante të Europës që u shfaq bujshëm në kryeqytetin e shfytyruar.

Njëri, Macron (kam shkruar shpesh së fundmi për pabesinë e nënujshme të tij) i flet Selenskit të gjorë në vesh. Kushedi, mbase i pëshpëritë se Rusia nuk mposhtet dot. E, nënkuptueshëm, fillo bisedimet për të shmangur asgjësimin. Pra, mos dëgjo ata që ju inkurajojnë sepse, thjeshtë, për interesa vetjake e kanë dhe aq iu bën morti yt…

Tjetri, italiani, plotësonte tutje vetëm simbolikën e pranisë.

Ndërkaq, Kancelari zëmekur Scholz, që sikur duket i penduar njëkohësisht për çdo fjalë që thotë, premtoi negociim të ngutshëm të Ukrajinës me Europën e bashkuar. Në fakt, ky ngjante një si trill, një shfajësim a kompensim taktik për mosdërgimin e armëve që Kijevi kërkon me alarm.

Dhe u kthyen. Pas lanë po atë luftë, po atë agresion fashist rus e po atë vdekje!

Ja, kjo është Europa. Sa e re, poaq dhe e vjetër!

***

Qershor 2022, Berlin

TRILLI EROTIK SPANJOL…

(Mbi një shtysë të re biznesore)

1.

N’se kujtesa s’më gënjen, Migjeni flet diku për çlirim epshi të panatyrshëm, që, disi, ishte pasojë e miljeut social që ndrydhte dashurinë.

Vargorët patriarkalë shtrëngonin atëherë deri në dramë. Dhe sfida kundër tyre përtokej në kufi dorëzimi pa asnjë xixë shprese në horizontin e mugët.

Ndaj, Poeti vuante dhimbjen sfilitëse për popullin. Për dregëzat e prapambetjes së tij. Veçse, në fakt, e panatyrshmja nuk ishte krejt e tillë. Natyralja pati pjesën e saj, si mbi gjithçka e kurdoherë, në rravgimet e botës

Por, pastaj, vite më vonë, përçudnimet mondane do dilnin të shplara: pa ndjenjën e masës apo bukurinë e të fshehtës.

2.

Në Spanjë, një zonjë, Erika Lust nga Fun Factory, do t’u bënte nëpunësve të saj ofertën e rrallë. (Njatë formën që trishtonte Poetin e mjerimit). Ata gëzojnë tani, si askund, të drejtën e pauzës së masturbimit.

Justifikimi i nismës është pragmatik. Tash një vit sprove, indeksi i produktivitetit shënon rritje, mandej është vënë re se njerëzit s’janë agresivë si më parë dhe harmonia jep tingujt e saj romantikë gjithë kohën…

Meqë mënyra risimtare bën mrekullinë, zonja zotohet të vijojë tutje alkiminë erotike për flatrime biznesore në vitet që vijnë.

3.

Mirëpo, asgjë nuk mbetet e frytbartëse përherë e pa fund. As gjetja ingjenioze e zbulesëtares spanjole.

Ndaj, po ndodhi të ngecin punët, aherë ç’ide e re gjeniale do lansojë apo do zhvillojë mëtej eksplorimin e dëshmuar erotik…

Tashmë përtej vetëshkarkimit, ajo, mbase, do inaugurojë trajtën e dyzimit, një funksion bordeli me prodhimtari lartëngjitëse.

Parashfaqje diskrete vërehen përherë e më qartë kudo. Dhe Landet e arbërit nuk besoj të jenë përjashtim i artë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura