Koha për ndryshim!
POPULLI I VARFËR DHE POLITIKANËT E PASUR!
Nga Sheradin Berisha, Facebook 16.01.2019 – Pashtriku 16.01.2023
“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin…”
(Migjeni ‘Poema e mjerimit’)
***
Faik Konica, diplomati dhe personaliteti më në zë i kulturës dhe letërsisë shqiptare, në vitet 30 të shekullit të kaluar (pikërisht në kohën e Migjenit), duke e parë Shqipërinë të katandisur në varfëri e mjerim, parlamentarëve të oborrit mbretëror, u kishte thënë: “Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa po ikni me pasuri përrallore”!
Pas gati 90 vitesh, duket se këtë rrugë po e ndjek edhe oborri i politikanëve të sotëm! Aktualisht njerëzit më të pasur në Shqipëri e Kosovë janë politikanët! Këtë fakt e thonë shumë raporte ndërkombëtare, por edhe institucionet përkatëse vendore kundër korrupsionit etj.
Vlerësohet se të gjithë politikanët që kanë:
– pozita legjislative (deputetët),
– ekzekutive (kryministrat, ministrat, zv’ministrat…) dhe
– kryetarët e qarqeve (në Shqipëri) e të komunave (në Kosovë), kanë pasuri përrallore – (të tundshme dhe të patundshme), ndërsa shumica prej tyre (veçanërisht ata të ekzekutivit) janë milionerë, ndërkohë që rreth 60% e popullsisë jetojnë:
– pa punë,
– në kushte të rënda ekonomike,
– në varfëri të skajshme, dhe për pasojë mijëra familje shqiptare po largohen nga vatrat e tyre!
Rrjedhimisht kjo klasë politike, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, më shumë ka bërë për mirëqenjen e tyre, e shumë pak për mirëqenjen e shqiptarëve. Prandaj ka ardhur koha e zgjimit dhe këndelljes sonë, për ta ndryshuar substancialisht këtë gjendje të rëndë!