(Prizren, 07. 02. 2013) – Librin, E kam pasur inat që i vogël. E kam çuar zët pa hesap që para se të futesha në klasë të parë. E shihja vëngët. Budallepsesha kur më dilte para. Kështu më mësoi ta shihja vëllai. Atë e turturonte. Ishte i detyruar nga im at, ta mbante në dorë plotë 4 orë në ditë. E mbante i gjori edhe pse nuk e honepste. Sa herë që gjindesha përballë teksa bënte sikur lexonte më shihte mua mrrolshëm. Sikur donte të më thoshte, bëj diçka. Të lutëm ma hiç nga dora. Po çfarë mund të bëja unë. Isha vetëm një çunak, i imët. Dhe në moshë dhe me trup. Sa i imët. Si një mij i kequshqyer. I pafuqishëm që ta merrja babin dhe ta hidhja tutje bashkë me librat e tij që më tururonin lalin. Sa gjynah më vinte. Më dukej sikur po i plaste shpirti çdo ditë e nga pak nga kjo gjëmë që i kishte rënë për hise. Sikur donte të më thoshte se ky që po mbajë në dorë është armiku im. Avazi vazhdonte. Edhe nesër, pasnesër… çdo darkë me libër në dorë dhe vetullë lëshuar, herë shihte librin, herë mua. Kështu u rritëm.
Mezi prisja të ngrija shtat dhe të ndihmoja vëllain tim, që dilte nga ky siklet që kalonte çdo natë. E kam përpara syve akoma atë imazh. Sa herë që babai dilte në dhomë tjetër, fletët e tij përplaseshin mbi murin e shtëpisë së vjetër. Fletët e llomitura nga pluhuri i murit të bërë nga kush e di cili murator llaçi, i mblidhja. Jo se ndjeja respekt për fletët dhe pluhurin që dilte nga muri, por se nuk doja që lali që e doja aq shumë të hante ndonjë shpullë të nxehtë nga dora e rëndë e babait, nëse do e shihte katrahurën e “gatuar”. Plotë neveri dhe përplasje dhëmbësh shaja nën zë fletët e librit. Shaja atë që kishte bërë librin. Në atë kohë, nuk e dija se ishin disa. Por ç’rëndësi kishte sa ishin. Për mua dhe tim vëlla ata që bënin libra ishin katil. Keqdashës, Turturues fëmijësh. Ata privonin kalamanjtë të luanin. I ndalonin të bërtisnin kur i bërtitej. I ndalonin të vraponin. Libri dhe njerëzit që i bënin librat më dukeshin mizorët më të mëdhenj që jetonin mbi tokë. Ata mua dhe tim vëlla dhe jo vetëm, na ndalonin të fluturonin, të ëndërronim… Kështu i shihja në atë kohë. Jo se sot kam ndryshuar mendje për ata dhe librin… vazhdon të jetë një send i mërzitshëm për mua. Nuk po them i pa vlerë, por i bezdisshëm po. Historia e raporteve të këqija me librin më ka shoqërua edhe më tej. Vetëm se tashmë vëllai im e ka hequr qafe. Ai e kreu shkollën e mesme me njëqind e një telashe dhe tani është zanatli. Rezultati i kënaqshëm. U bë mjeshtër i mirë. I shpëtoi njëherë e përgjithmonë librit. Ndërsa unë jo. Vuajtja për mua sapo kishte nisur. Por dalja në “pension” e lalit ishte gjysma e të keqës. Tashmë unë isha protagonisti. E kisha zëvendësuar. Më duhej të mbaja 4, 5 orë apo dhe më shumë librin çdo natë. Ndryshe nga lali im, unë kisha nerv. Edhe pse se duroja, nuk e hipja veten para të tjerëve. I gënjeja të gjithë. Isha tinzar. I thoja se e doja shumë. Bëja sikur lexoja. Në rreshtat e librit të biologjisë dhe matematikës unë shihja topin e futbollit. Kisha një aftësi të pa imagjinuar të luaja me top pa pasur top. Luaja top plot 3, 4, 5 orë apo dhe më shumë mbi libra. Nuk mërzitesha, as më dridhet çerpiku. Kështu po ecja drejt suksesit. Futbollisti më i mirë i shkollës. Që në klasë të pestë kampion shkolle. Ndërsa në mësime, rroft topi dhe një shoku im i bankës. Ai më bënte detyratë. Unë e mësoja të luaja top. U rritëm me të. Ai nxënësi më i mirë i klasës e unë topisti më i mirë. Ai bënte gola sepse ia hedhja topat unë para portës, ndërsa unë merrja herë 4 e herë 5 se ai më bënte hartimet, detyratë e ç’të mundej. Edhe sot e takojë. E kujtojmë atë kohë. Ja di për nder, e ma di për nder.
Më iku filli.
Po kthehem te libri se më duket se fillova të bëhem nostaligjik. Ati im ishte me shkollë të lartë. Ai e donte librin. Na thoshte deri ne bezdisje të lexonim. Por kurrë nuk është ulur të merrej me mua. As edhe njëherë në jetë. Ishte i zënë me punë i shkreti. Kishte 9 anëtarë për të ushqyer. Ndërsa nëna, edhe po të donte nuk kishte haber nga shkolla. Grua e ndershme si gjithë nënat e atij brezi. Rrëzik as shkrim dhe këndim nuk di siç duhej. Si shumica e nënave të atij brezi që nuk dinë por nuk e pranojnë. Kështu u rrita me trysnin se duhet lexuar libri. “Libri është shoku më i mirë”. “Ai të ndriçon mendjen”. Këto ishin disa nga frazat që mund t’i kem dëgjuar më shpesh se sa “mirëmëngjes” apo “natën e mire”. Sepse Këto thuhen një herë në ditë, ndërsa për librin flitej të paktën një çerek ore në ditë. E di çfarë më pat mbetur peng, dhe që nuk arrita ta kuptoj asnjëherë. Pse prindërit nuk i kam pa asnjëherë me libër në dorë. Asnjëherë. More të paktën njëherë. Sot jam 31. Dhe deri më sot nuk i kam pa. Sa e tmerrshme më duket kur e mendoj. Mirë nëna se është amvise po as babai.
Si ka mundësi?
Ai që na ka predikuar kaq shumë për librin. Ai që na ka qarë kaptinën për librin nuk e kam parë kurrë me libër në dorë. Po ju a e keni parë ndonjëherë prindërin tuaj duke lexuar libër? Por, thoni të vërtetën ama. E di se disa nga prindërit tuaj edhe mund të kenë lexuar në të rrallë. Por jam kurioz të di se a ju kanë rrëfyer ndonjëherë atë që kanë lexuar? Ja ku po ju them unë që nëse po mundoheni të thoni të kundërtën po gënjeni. Veten po gënjeni. E ku ka prind në Kosovë që na paska rrëfyer romanin që ka lexuar. Edhe ata që e kanë lexuar, e kanë treguar si përrallë. Kaq kanë ditur ata. Ti tregojnë gjërat o si përralla o si mesele. Kush ka ditur të rrëfej, të bëjë kritikë, të dërdëllis bukur për librin? Akoma dhe sot nuk ka. Vetëm se sot janë shtuar prindërit që mbajnë nën sqetullë libra. Por jo. Asnjë prej tyre dhe sot nuk di ti tregojë të birit, atë që thuhet përtej përrallës. Të më ndjeni prindër. Dhe unë jam një prej jush sot. Fatkeqësisht jam dhe unë si ju. Kam lexuar ca libra, por asnjë nuk kam arritur t’i rrëfej tim biri. Nuk kam kurajo. Nuk dua t’i rrëfej përrallën. Kritikën nuk jam në gjendje t’ia bëjë librit si duhet. Prandaj nuk do i rrëfej kurrë. Le të ecim në kohë.
Në shkollën e mesme krisi lufta. Nuk luaja top. Fushën na e kishte zënë armiku. Por në këtë rast, armiku prej vërteti kishte stacionuar sipër fushës artilerinë dhe nuk na e mbante të luanim. Libri tashmë edhe pa trysnin e prindërve ishte varianti më i mirë për të kaluar kohën. Prania e madhe mbi libër në shkollën fillore pa dëshirën tonë na ishte bërë ves. Kur nuk kishe çfarë të bëje duhet të lexoje, në mos libër shkollor ta paktën një roman. Ishin 10 romane që qarkullonin në të gjithë shkollën dhe nëse nuk ke lexuar disa prej tyre konsideroheshe ngelës në klasë. Ja dhe shkolla e mesme mbaroi. Gjysmën e mbaruam para lufte dhe gjysmën pas lufte. Merreni me mend, sa mund t’i thuhet shkollë. Disa prej jush krenoheni me këtë shkollë. Unë jo. Ajo ishte një shëtitje në kohë lufte ose pas lufte. Gjithçka ishte që bëmë në atë kohë përveç shkollës. Romanet dhe libri ishin një detyrim. Asnjëri nga ne nuk lexonte se e dinte vlerën e vërtet te librit. Gati për krejt për ne ishte një turturë kontakti me librin. Edhe pse nuk studionim libër, ne kalonim me nota 4 e sipër. Me këtë avaz mbaruam edhe shkollën e lart. Mbanim nën supe libra me shumicë dhe më të trashë se ata të shkollës së mesme. Vetëm për t’u dukur. Po, po, vetëm për të na parë shoku, pedagogu… Jo se i kemi pasur përzemër. E kush mund të thotë të kundërtën. Një gënjeshtar. Djali i mësuesit të shkollës fillore. Ai mund ta thotë. Ose djali i doktorrit të fshatit tim. Ata mund të thonë ç’të duan. Po unë e di, njësoj si ata, se ata njësoj si unë, kurrë nuk e kemi dashur librin. Dhe të gjithë, vazhdojmë të mos e duam. Edhe shoku im i bankës. As ai, kurrë nuk e ka dashur. Se po ta kishte dashur do të mësonte të më rrëfente, të paktën një libër. Asnjë nuk di më shumë. Të paktë ata që kam takuar në jetë. Asnjë. As unë. As ata që na kanë dhënë mësim në fakultete dhe që janë shtirrur për plotë 60 vjet që gjasme e kanë dashur librin. Kur të më gjeni një që di të rrëfej një libër, më thoni. Do ia sjell bibliotekën time. Desh harrova e ku kam unë bibliotekë. Nëna ime dje ka bërë gjënë më të mirë, kuptohet pas lindjes time. Ka hedhur në kosh të plehrave 500 librat e mi që kam blerë që kur kam nisur shkollën. Kush i do librat mund të shkojë t’i marrë te Kepi i Begës. Është vendi ku hidhen plehrat e fshatit tim. Atje i keni.
=====================================