(Shkup, 07.02. 2013) – Sa herë që ndërmerret ndonjë hap për ndryshimin e funksionimit të sistemit paraprak, natyrshëm më lind pyetja: Përse mugullon tani ky ndryshim, duke qenë se ziles për amulli që moti i kishin rënë qytetarët? Aq më e ndërlikuar bëhet çështja ku kalorës të këtij ndryshimi paraqiten admiruesit dhe kultivuesit e atij çrregullimi. Duket se edhe trashësia e pasurisë i ka ardhur në hundë, mbase me pavetëdijen e tyre duan të na tregojnë se tani është koha të dalim kundër vetvetes. Në rregull le të dalin kundër vetvetes, por këtë ta dëshmojnë duke dalë edhe prej grykës që ia kishte mundësuar një pasurim marramendës që t’i merrte edhe mend, madje të kërkojnë edhe falje për veprat e tyre të mëparshme të mbërthyera me kriminalitet. Nuk i lejon rregulli juridik të veprojnë kështu, mbase ai moral në këtë bashkëbisedim duket të ketë marrë azil social për në vendet e treta. Sikur këta kriminel me këmisha të bardha dhe me zemra të murrme t’i kërkonin falje qytetarëve në cilësin e plaçkitësve të tyre të dikurshëm, ata pastaj do të përballen me padi penale për vepra të jashtëligjëshme, ngaqë kërkimi i faljes është edhe pranim i veprës penale. Ndaj këta si ujqër tashmë me gëzof të deleve, do të na ligjërojnë për ndryshimet në Kodin Penal dhe për vlerësimin dhe emërimin e veprave të reja si vepra penale.
Tanimë me ndryshimet e ligjit, vjedhja e energjisë elektrike llogaritet vepër kriminale për të cilën dënimi është me burg. Gjithësesi, prej këtij ndryshimi të ligjit mësuam se shtëpi e ndërtesa tjera të djegura me njerëz të lënduar, është si pasojë e vjedhjes së rrymës elektrike, ngase vjedhësi nuk mundet asnjëherë të jetë më i aftë në vendosjen e rrymës në shtëpi sesa ai që merret dhe është i autorizuar për këtë punë prej ndërmarrjes së caktuar, ndaj si rrjedhojë e kësaj, shkëndijat e asaj parregullësie shoqërohen me djegje dhe dëme të tjera brenda dhe jashtë objekteve të ndryshme. Në tufën e këtij ndryshimi ligjor, mospagesa e rrymës nuk llogaritet si vepër penale, por si kundërvajtje.
Qëkurse kam filluar ta shoh gurrën e vjedhësve të rrymës, mbase edhe krekosjen e tyre me kryelartësi të harbuar, duke e pandehur veten si patriotë, gjoja se po i shkaktuakan dëme të mëdha shtetit armik të tyre, jam brengosur tej mase, duke u munduar kështu t’ia sqaroj kësaj shpure varfanjakësh në kokë, se vjedhësi nuk mund të jetë tjetër gjë pos hajdut dhe nëse dëshironi t’i hakmerreni shtetit armik, atëherë në mundëshit, haptas mohone çdo detyrim dhe privilegj që ka lidhje me shtetin! Ajo ishte vetëm një përpjekje adoleshente për ta arsyetuar një vjedhje të caktuar. Madje disa patën shkuar aq larg, sa në një emision e patën pyetur një hoxhë, nëse është haram vjedhja e rrymës në shtetin që në çdo anë i vjedh qytetarët e tij? Hoxha i nderuar fare nuk e zgjati, vetëm duke i marrë për bazë fjalët në fillim, i tha se është haram të vjedhësh, pavarësisht gjësendit të vjedhur dhe motivit të tij. Këta sikur kishin harruar se tashmë nuk ishte pronar i kompanisë energjetike shteti!
Mirë u bë që kjo vepër u trajtësua me ligj si krim, sepse jemi lodhur prej atyre “patriotëve” sidomos në stinën e dimrit, duke e mbingarkuar centralin elektrik me ngrohje edhe të kafshëve në ahur, ngase ora e rrymës në hyrje të shtëpisë i qëndronte besnik moslëvizjes së numrave brenda saj, edhe pse pas këtij ngazëllimi në letër nuk kam shpresë për ndonjë përmirësim të gjendjes në terren, ngase ata që i mësuan qytetarët se si të vidhet rryma, ende qarkullojnë nëpër oborre të shtëpive dhe të ndërmarrjeve.
Tani për sa i përket anës ligjore dhe anakronizmit logjik të qytetarëve u kuptuam si duket. Megjithëkëtë, si do të bëhet halli i atyre që paga mujore mezi i mbërrin 50 euro, pse jo edhe i atyre që marrin rroga të rregullta mujore, kur dihet mirëfilli i të dhënave të fundit prej Eurostatit se Maqedonia së fundmi është vendi me rroga më të ulëta në Evropë dhe në të njëjtën kohë çmimi i rrymës çdo ditë të lume harliset përpjetë. Nëse Komisioni Rregullator i Energjetikës vijon të brengoset për ecejaket e kompanisë austriake të EVN-së, atëherë kush do të brengoset për qytetarët, të cilët përballë faturave të larta dhe shpesh me gabime, gjenden në një mishmash të ngjeshur?
Fundja përse ende nuk e kemi ndonjë sqarim zyrtar dhe të logjikshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë për sa i përket shënimit: “Kontribut themelor për fuqi të përllogaritur (33, 33 përqind nga marrja e energjisë elektrike aktive) dhe pastaj duke ia shtuar çmimit përfundimtar të shumës së harxhuar edhe 18 përqindëshin e Tatimit të Vlerës së Shtuar. Madje kush do të përgjigjet për ndaljen e rrymës fare pa paralajmërim dhe pa ndonjë arsye të njohur për qytetarët dhe fuqisë së çrregullt në çastin e lëshimit të rrymës, duke djegur kështu pajisje motorike dhe elektrike të shtrenjta shtëpiake dhe njëkohësisht askush nuk çanë kokën për barrën e këtyre dëmeve materiale.