SADRI RAMABAJA: ËSHTË KOHA QË PRISHTINA TA KETË ADEM JASHARIN DHE PJETËR BOGDANIN NË BRONZ

Prishtinë, 20. 03. 2014 – Me këtë veprim, duke i dhënë vendin meritor në kryeqytet Adem Jasharit dhe Pjetër Bogdanit, Kuvendi i Prishtinës nderon dy personalitete të kombit tonë. Prishtina me këtë rast do të përfitonte pamje të veçantë edhe në planin sociestetik, duke i sjellë aty, në zemrën e saj, të skalitur në bronz, dy figura nga më të jashtëzakonshmet të historisë së kësaj pjese të Shqipërisë.
– Kauza për çlirimin e Kosovës nuk ishte produkt i një klike politike, siç pretendohet të promovohet nga qarqe të ndryshme politike edhe sot e kësaj dite. Përkundrazi, për një periudhë prej pothuajse një shekulli shqiptarët në këtë pjesë të Shqipërisë së pushtuar nga Serbia, nuk kishin arritur dot të krijonin një elitë legale dhe legjitime që do t’i dirigjonte proceset. Këtë mision historik e mori kripto-elita. Ajo që veproi nga pozitat e ilegales së thellë. Kjo kripto-elitë, sipas Arbër Xhaferit, krijohej nga atomet e vetëdijësuara kombëtare që kanë një intencë të brendshme, që instiktivisht i vë në veprim në vijë të artikulimit të interesit kombëtar. Adem Jashari nuk e nisi luftën fillimisht për shkak të një projekti sekret kombëtar, por për shkak të një instikti që Platoni në veprën e tij “Shteti” e quan timos, pra një instikt që vë në veprim individin për të arritur trajtesën e barabartë.

– Pjetër Bogdani dhe Adem Jashari –

Kuvendi i Komunës së Prishtinës i ka borxh moral këtij brezi të kripto-elitës, brezit që ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës dhe sidomos komnadatit të UÇK’së, Adem Jasharit.
Ka një mundësi reale, të mirë, që udhëheqja aktuale, këtë borxh moral ta shlyej në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë vendim për shndërrimin e hapësirës përballë Kuvendit të Republikës në një park, ku do të duhej të ngrihej madhështore shtatorja e Adem Jasharit.
Grupet e asamblistëve, nëse jo të gjithë, shumica e tyre, më në fund do të duhej të ishin në unison: të mos e votojnë propozimvendimin për faljen e hapësirës publike biznesit të LDK. Ndërkaq, krahas kësaj të parashtrojnë kërkesën në prcedurë të rregullt që të sillet vendimi në Kuvend për aprovim për shndërrimin e asaj hapësire në park, ku do të ngritej shtatorja e kryeherojit të UÇK-së, Adem Jasharit.
Në nderin e këtij Kuvendi do të ishte që ky vendim të miratohej në një seancë solemne.
Jam i bindur se po t’ju sqarohet si duhet edhe pronarët e ish lokaleve dhe grupet e interesit, do të duhej ta tumirnin këtë vendim pa hezitim.
E vetëkuptueshme, pronarët e ish lokaleve, sot parcelave të përimtuara me numra përkatës katastral, pa hezitim, do duhej të kompenzoheshin.
Por përse ky insistim i LDK për ta sjell në rend dite vendimin për faljen e hapësirës publike në emër të shkëmbimit?
Përsëri në materialet e rendit të ditës që i janë dërguar asamblistëve, me insistim të përfaqësuesve të LDK në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa, na serviret propozimvendimi me gjasë i pregatitur në kabinetin e Isa Mustafës dhe në zyrat e biznesit që pretendon ta ngre aty qendrën tregtare!
Këtyre veprimeve makiaveliste Kuvendi do të duhej t’ju jipte fund.
Propozimi im për shndërrimin e kësaj hapësire në park, lidhet dhe me një fakt tjetër.
Varri i njërit prej korifejve të mendimit filozofik dhe autorit të “Çetës së Profetëve”, që nga studjuesit me të drejtë është cilësuar si bazament i fuqishëm i kulturës oksidentale të shqiptarëve, Pjetër Bogdanit, ka qenë aty, fare afër xhamisë.
Për një kategori qytetarësh tanë që tashmë duhet t’i shohim si qenie të tejtërsuara, po sjell vetëm një konstatim përmbledhës mbi vlerësimet që i janë bërë nga shkenca e albanologjisë Pjetër Bogdanit.
Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare.
Mendoj se brenda këtij parku, në cepin e skajshëm, jo larg nga vendi ku mendohet se ka qenë varri i tij, do të mund të ngrihej më pas, edhe shtatorja e Pjetër Bogdanit.
Me këtë veprim, duke pregatitur terrenin për trajtim meritor për këto dy personalitete tona që i bëjnë nderë civilizimit modern, Prishtina do të përfitonte një park në zemrën e saj, por edhe do t’i kishte aty, të skalitur në bronz, dy figura nga më të jashtëzakonshmet të historisë së kësaj pjese të Shqipërisë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura