Në 42 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981
PJESËMARRJA E GRUAS SI ORGANIZATORE DHE VEPRIMTARE NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË DHE NË MËRGIM
Më 06 mars 2011 në Neuenhof të Zvicrës u mbajtë tribuna shkencore kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 të organizuara në Kosovë dhe mërgatë. Në këtë tribunë, shumë veprimtarë e veprimtare të kësaj periudhe të lavdishme historike, kanë lexuar kumtesat e tyre, dhe me këtë rast faqja www.pashtriku.org për lexuesit ka botuar:
SAIME ISUFI: PJESËMARRJA E GRUAS SI ORGANIZATORE DHE VEPRIMTARE NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË DHE NË MËRGIM
Përshëndetje
Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëveprimtare të organizimit ilegal në Kosovë!
Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëveprimtare të rrugëtimit të përbashkët plot tridhjetëvjeçar në aktivitetet e pandërprera nëpër metropolet e Evropës!
Të nderuar pjesëmarrës e pjesëmarrëse të tribunës kushtuar demonstratave popullore të Pranverës së vitit historik 198!
Ndjehem shumë e nderuar që pata fatin të jem pjesë e organizimit të përvjetorit jubilar të demonstratave të vitit 1981, këtu në Zvicër, ashtu siç jam ndjerë krenare kur kam qenë pjesë e veprimtarisë së një organizate ilegale me një jetëgjatësi të madhe dhe me një veprimtari të bujshme e me plotë suksese në Kosovë dhe në Perëndim. Jam krenare gjithashtu që pata fatin që si studente të jem pjesë e angazhimit në demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe që nga fundi i vitit 1981, të vazhdoj veprimtarinë e nisur në Kosovë bashkë me dëshmorët: Kadri Zeka, Zijah Shemsiu e Nuhi Berisha, poashtu me veprimtarët që nuk janë më në mesin tonë, por të cilët i kujtoj e do t’i kujtoj gjithmonë me respektin më të madh si: Hasan Kadriu, Rexhep Halimi, Shahin Hajdini, Nexhmedin Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tjerë të veprimtarisë patriotike e atdhetare që sot janë e edhe për shkaqe objektive nuk ndodhen në këtë tribunë, me të cilët bëmë tubime, protesta, demonstrata, fjalime e shkrime të pafund, deri me pushimin e aktivitetit të Lëvizjes. Jam gjithashtu e lumtur që si gjithë populli shqiptar në mbarë globin ta shoh dhe ta prek Kosovën e pavarur, ëndërr e jona kjo që nga dita kur dhamë betimin solemn para më shumë se tri dekadash se „do të luftoj deri në pikën e fundit të gjakut për lirinë e atdheut…“ Këtë betim u përpoqëm ta mbanim dhe punuam aq sa mundëm për lirinë e atdheut të gjithë bashkë dhe secili në mënyrën e vet, por një respekt të veçantë, nder e përulje për ta, për ditët që po gëzojmë, meritojnë dëshmorët; ata që dhanë maksimumin për ditët e sotme. Ata që derdhën gjakun dhe e vulosën lirinë e shenjtë, të cilën na e lanë amanet, e të cilin amanet duhet përmbushur patjetër. Rrota e historisë nuk kthehet prapa, ajo ecën vetëm përpara, pavarësisht që këtyre rrotave po u vihen nganjëherë gurë aq të rëndë sa të na duken madje edhe të pakapërcyeshëm.
Hyrje
Për këtë tribunë, që i kushtohet Pranverës së vitit 1981, kam zgjedhur temën për gruan, sepse jo rrallë kjo pjesë vitale dhe shumë e rëndësishme, gjysma e popullit, po lihet me dashje ose pa të, nën hije. Historia jonë e deritanishme kontributin atdhetar të gruas shqiptare, në rastin më të mirë e ka parë si një plotësim të aktivitetit të burrit, pa një peshë të mirëfilltë përmbajtësore për proceset historike, si një vlerë dekoruese dhe gjithnjë në funksion shoqërues por asnjëherë në atë qendror, ani se ajo kontribuoi për një vlerësim më ndryshe. Rrjedhimisht piedestali i saj ngrihet ose kufizohet në stereotipat si: „Grua burrnore“, „shoqëruese besnike“, „krahu i djathtë i burrit“, pastaj në formulimin denigrues se si „prapa një burri të suksesshëm, qëndron një grua e suksesshme“ etj. Pra, ajo afirmohet dhe hyn në historinë tonë në një mënyrë të çuditshme – falë burrit, pas burrit, nëpërmjet burrit, pastaj si shoqëruese besnike e tij, kurrë në saje të vlerave të saja që realisht i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë. Mendoj se do të duhej një vetëdijësim i dyfishtë gjinor: fillimisht i burrave për atë se nuk kanë kapacitet më të madh kundruall grave, por dhe është i domosdoshëm vetëdijësimi i grave për vetë faktin se potenciali i tyre nuk është më i paktë se ai i burrave.
* * *
Tani po i kthehem temës të cilën jam përpjekur ta bëjë me përkushtimin më të madh, për të dëshmuar atë që e thashë më herët se kontributi i jashtëzakonshëm që ka dhënë gruaja shqiptare në të gjitha etapat e luftës për liri e emancipim, është dëshmuar në vazhdimësi. „Pjesëmarrja e gruas në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe në Mërgim“ Kam zgjedhur këtë temë, siç kam shkruar edhe më lart, së pari, se e kam për zemër, dhe së dyti, pasi mendoj se e njoh mirë, duke qenë edhe vetë pjesë e disa ngjarjeve të rëndësishme, siç janë demonstratat e pranverës së vitit 1981 dhe kontributin e gruas në këto demonstrata si brenda në Kosovë, poashtu edhe në mërgim.
PJESËMARRJA E GRUAS SI ORGANIZATORE DHE VEPRIMTARE NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË
Kontributi i gruas shqiptare në të gjitha ngjarjet e vogla e të mëdha kombëtare e shoqërore është i rëndësishëm dhe shumë i çmuar. Nuk ka asnjë ngjarje të rëndësishme të etapave historike ku ka kaluar populli ynë ku të mos ketë dhënë kontribut edhe gruaja shqiptare. Pa pjesëmarrjen e saj direkte e indirekte, nuk ka ndodhur asnjë lëvizje. Por roli dhe rëndësia e pjesëmarrjes së vajzave e të grave shqiptare në Pranverën e Madhe të vitit 1981 është i përmasave të papara ndonjëherë. Pranvera e vitit 1981 ishte vazhdimësi e përpjekjeve çlirimtare, shtetformuese e progresive. Pranvera e vitit 1981 dhe rezultatet e saj nuk janë vetëm meritë e një brezi as edhe e disa brezave, por është rezultat i përpjekjeve shekullore të të gjithë brezave atdhetarë që nga mbretëresha Teutë te Mamicë e Donikë Kastrioti, nga Elena Gjika e Bubulina tek Nora e Kelmendit e Tringë Smajli; nga Motrat Qiriazi e Shotë Galica tek Bije Vokshi, Ganimete Tërbeshi e Hyrije Hana. Ndërkaq plejada e nëntorit pranveror e vitit 1968 si: Mejreme Berisha, Elhame Shala, Eshrefe Halimi, Emine Rakovica, Vahide Hoxha, Mynevere Kastrati, Vildane Ahmeti, Fetije Bajrami etj., i dhanë shtytje të re luftës për liri, me këtë edhe zgjimit të ndërgjegjies kombëtare por edhe shoqërore për emancipim e gruas dhe të shoqërisë.
I hyra këtij historiku të shkurtër të kontributit të gruas gjatë historisë, duke sjellur edhe emra e mbiemra, për të treguar me fakte se në çdo ngjarje të rëndësishme historike, gruaja jo vetëm që ishte pjesëmarrëse në to, por qëndroi në ballë të tyre. Emrat e lartpërmendur e dëshmojnë këtë më së miri.
Por po vazhdoj me historikun.
Duke filluar prej demonstratave të vitit 1968, shtohet numri i femrave të organizuara në grupe të ndryshme ilegale, me një fjalë, në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim.
· Në vitin 1974, me formimin e „Grupit Revolucionar“, në të janë futur edhe dy anëtare të këtij grupi: Haxhere Syla dhe Hidajete Osmani.
· Në Gjilan në këtë kohë formohet Grupi „Shqiponjat e arta“ në të cilin bëjnë pjesë disa vjaza, ndër to: Sanije Osmani, Ilmije Korça dhe Saime Isufi.
· Në Kamenicë formohet Grupi i ashtuquajtur „Kenzara“, në përbërje të vajzave: Zymrije e Kumrije Fazliu, Mihane e Minire Sadiku e Hasije Selishta e kështu me radhë.
Grupet sa shkonin e shtriheshin në të gjitha territoret e okupuara shqiptare. Që nga viti 1978 e këtej numri i tyre rritet, ashtu siç rritej edhe numri i gupeve ilegale dhe i burrave që merrnin pjesë në to. Nuk ka grup që nga ajo kohë e më vonë ku të mos ketë qenë prezente me aktivitete edhe gruaja shqiptare. Është e rëndësishme të përmendet se në grupet ilegale bënin pjesë edhe veprimtaret si:
· Drita Kuçi në „Komitetin e Deçanit“;
· Teuta Hadri, Teuta Bekteshi, Remzije Limani, Naime Maçestena, Shukrije Gashi, Qefsere dhe Shyhrete Malaj, të cilat vepronin në Prishtinë;
· Lumnije Musa, Zyrafete Kryeziu, Shemsije Elshani e Kada Berisha vepronin në Suharekë;
· Mejreme Krasniqi, Mehrije Krasniqi, vepronin në Rahovec.
· Mira Kuqi, Zade Kelmendi e Xhyle Berisha, vepronin në Malishevë.
· Xhevë Krasniqi – Lladrovci, Xhyle Hyseni dhe Sevdije Krsniqi, vepronin në Drenicë;
· Saime Isufi, Kadrije Sejdullahu, Hanife Malaj, Rexhije Malaj, Saime Limani, Xhezide Osmani, Suzana Basha e shumë të tjera vepronin në Gjilan.
· Hafide Topalli, Nazife Xhemaili, Shadije Xhemaili, Minire Ramadani, Florije Ramadani, Elmaze Grainca, Shadije Lohaj dhe Lumnije Morina, vepronin në Ferizaj;
· Lumnije Musa, Burbuqe Hadri, Elida Zherka, Iliriana Nura, Sakibe doli, Lemane Dobruna, Xhemile Hoti, Sevdije Zeqiri, Fiqerije Zeqiri, Nora Zherka, Iliriana Bytyqi, vepronin në Gjakovë.
· Remzije Maxhuni, Ajshe Osmani, Hatixhe Morina, vepronin në Mitrovicë.
Natyrisht që ka patur edhe grupe të tjera, por për shkak të vepritmarisë ilegale të tyre, nuk janë nxjerrë akoma në dritë. Është dhe mbetet detyrë e historianëve që ta bëjnë një gjë të tillë. Pak muaj para shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, kur gjaku ynë vlonte për liri, pata shkruar një poezi kushtrimtare, me të cilën si e re dhe plot entuziazëm për ditët që po vinin, në mënyrën time, përmes poezisë pasuese, doja të ftoja motrat kosovare në luftë për liri:
MOTRAVE KOSOVARE
Të ngirtemi në këmbë!
Motra trime, kosovare!
Në luftë për lirinë!
Për tokën tonë shqiptare!
Të këpusim pranga e zinxhirë!
Të zhdukim terrin e zi!
Mjaft në shtypje e mjerim!
Gjer kur në robëri?
Mbi të gjithë rëndon robëria,
Por shumëfish më rëndë,
Prandaj pa forcën e luftën tonë
S’ka liri as botë të re.
Duart tona punëtore
Janë më të forta se çeliku
Kur, të bashkuara i ngrejmë grushtet
Tmerr frikë mbushet armiku.
Për ne, motra, s’ka rrugë tjetër
Përveç luftës çlirimtare;
Me duar tona do ta bëjmë
Të lirë Kosovën e gruan shqiptare.
(Botuar në „Këngët e lirisë“, 1980)
Nga ky numër i madh i grave dhe vajzave të inkuadruara në grupe të ndryshme ilegale, por me qëllimin e përbashkët: çlirimin nga zgjedha pushtuese e serbomëdhenjve dhe bashkimin me Shqipërinë amë, del konkluzioni se ato bashkë me burrat e djemtë e grupeve që u përkisnin, u kalitën e u përgatitën për shpërthime të revoltës e të pakënaqësisë, duke filluar me kërkesa për kushte ekonomike deri tek ato politike. Dihet mirëfilli se anëtarët e grupeve ilegale, ishin në vazhdimësi duke u përgatitur teorikisht, me leximin e studimin e historisë së vërtetë kombëtare, të botuar në shtetin amë, por edhe vepronin praktikisht duke shkruar e shpërndarë trakte e pamflete, literaturë „të ndaluar“ e gazeta si: „Liria“, Lajmëtari i lirisë“, „Bashkimi“ etj., në këtë mënyrë ata po përgatisnin masat popullore për shpërthime të mëvonshme, duke i ndërgjegjësuar dhe vetëdijësuar ato se kush ishin armiqtë e popullit tonë, që Kosovën e pasur me flori e kishin shndërruar në shtëpi të varfër të Evropës, duke ia vjedhur pasuritë, mbi të cilat po flinte ajo.
Para shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, më kujtohet se në mesin e studentëve në konvikte shpërndahej e lexohej me ëndje literatura e ndaluar. Leximi dhe shpërndarja e literaturës ilegale sikur u bë modë dhe në njëfarë mënyre shpërndahej e lexohej pothuajse fare hapur. Dhe kush e bënte këtë? Natyrisht këtë e bënin anëtarët e organizuar në grupe e organizata ilegale, të cilët e kishin për detyrë zgjerimin e radhëve me anëtarë të rinj; me këtë dhe shpërndarjen e literaturës dhe përgatitjen e simpatizantëve të cilët, futeshin më vonë në grup a organizatë. Poashtu në mesin e studentëve në këtë kohë këndoheshin këngë patriotike e luftarake. Rinia studentore po piqej. Rinia studentore po ndizej. Me këtë po piqeshin rrethanat për veprime të hapura kundër padrejtësive. Në grupet ilegale diskutohej gjatë nga anëtarët si e si të bëheshin organizime të protestave e demonstratave. Në një mënyrë, dukej sikur koha nga dalja prej lëvozhgës së organizimit ilegal, po kalonte. Diskutohej për format legale të veprimit. Për veprim të hapur dhe të drejtpërdrejtë kundër pushtuesit, në organizatën tonë, ka qenë diskutuar shumë herë. Me këtë dua të them se është diskutuar gjatë dhe shumë herë se nga veprimtaria ilegale, duhej kaluar në aksione të hapura, në veprim legal. Nga shkrimi i parullave, shpërndarja e trakteve dhe literaturës së ndaluar natën, ose shpërndarja ndërmjet shoqeve e shokëve të besueshëm, u fillua të flitej hapur kundër padrejtësive; pos kësaj, u diskutuan format e protestave dhe dalja hapur në demonstrata. Duhej një shkëndijë, që zjarri të përflakte gjithë Kosovën. Dhe kjo siç është e njohur ndodhi më 11 mars 1981, në Mensën e Studentëve. Në mensë atë natë ishin grumbulluar shumë studentë, të cilët ishin në pritje të një ndeshjeje futbollistike dhe shpejtonin të hanin sa më shpejt darkë, për të patur kohë ta ndiqinin ndeshjen. Ky rast i grumbullimit të studentëve u shfrytëzua nga anëtarët dhe simpatizantët e grupeve të organizuara, të cilët u shpërndanë në mesin e studentëve, në radhët e pritjeve, duke bërë zhurmë e duke krijuar parregullsi, për ta shfrytëzuar rastin dhe nxitur revoltën e mbledhur. Ndër ta u shqua studenti Abdullah Tahiri, sot dëshmor i Kosovës, i cili ishte i organizuar dhe me të edhe Bahrije Kastrati, të cilët i përplasën tabakët e bukës duke thënë: „Kështu nuk durohet!“.
Në Konferencën Shkencore rreth Veprimtarisë së Gruas në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim, mbajtur në Prishtinë, më 2-3 prill 2010, Bahrije Kastrati – Bislimi rreth protesës së 11 marsit 1981, në fjalën e saj, theksoi: „…Kontributin tim dua ta ndërlidh me librin e historianit dhe shkrimtarit të njohur dhe të çmuar anglez Noel Malcolm: „Kosovo: A short history“ („Kosova një histori e shkurtër“)… për shkak të mungesës së informacionit të duhur lidhur me zhvillimin e ngjarjeve të datës 11 mars 1981, në Mensën e Studentëve në Prishtinë, ky autor, mes tjerash, kishte shkruar se si një sutdent e kishte përplasur pjatën për shkak se në ushqim e kishte gjetur një insekt. Duke marrë shkas nga kjo e dhënë, qëllimi i kumtesës sime është që të tregoj me saktësi zhvillimin e ngjarjes së 11 marsit të vitit 1981 në Mensën e Studentëve, e cila ishte katalizatore e demonstratave të mëdha studentore dhe popullore të këtij viti.
Ndonjëherë, modestia duhet lënë anash, për hir të së vërtetës. Prandaj do ta tregoj realitetin e asaj date në mënyrë që të mos bëhen gabime të tilla gjatë shkrimit të librave në të ardhmen në mungesë të informacionit
Realiteti është ky:
– Nuk ishte student ai që e hodhi pjatën e ushqimit, por ishte studente dhe kjo isha unë, Bahrije Kastrati, tani me mbiemrin Bislimi.
– Nuk ishte insekti arsyeja e hedhjes së pjatës, por e gjitha ishte një skenar i përgatitur nga studentët që vepronin ilegalisht për çështjen kombëtare e të cilët ishin: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Agim Paçarizi, Teuta Hadri, Bahrie Kastrati, Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Jonuz Jonuzaj, Ajete Lloluni, Shemsi Syla e të tjerë, të cilët kontribuan e që hëpërhë nuk më kujtohen, pasi që kanë kaluar 29 vjet nga ajo kohë.
Skenari ishte përgatitur më herët që ta bëjmë konkret aktin e shpërthimit të revoltës në mënyrë demonstrative dhe të drejtpërdrejtë, ashtu që të fillojë protesta për të cilën ishim të bindur se do të gjente përkrahje te të gjithë studentët si dhe tek i gjithë populli.
- Për këtë akt kemi diskutuar për një kohë të gjatë me Xhevën, Agimin dhe Babën Dyl (është fjala për të ndjerin Avdyl Krasniqi – babanë e Xhevës) për formën e fillimit të protestës, mënyrën, momentin dhe kohën e përshtatshme që ky demonstrim të jetësa më i fuqishëm dhe i suksesshëm për arritjen e qëllimit tonë, i cili fillimisht do të shpalosej si protestë për përmirësimin e kushteve të studentëve në universitete dhe në mensë.
Tani dua të vë në pah momentin kyç të fillimit të demonstratës në mensë.
Ishte ora 18.00, ndërsa në Mensën e Studentëve ndodhej një numër shumë i madh duke pritur për të ngrënë atë bukë të paktë që na jepnin. Pa ekzagjerim them se studentët prisnin me orë për t’u ushqyer. Pas pritjes 50-minutëshe erdhi edhe radha ime për ta marrë tabakun me ushqim. Në atë moment, me një guxim që as sot e kësaj dite nuk e di se si më erdhi, e përplasa tabakun e ushqimit përtokë. Ky, zonja dhe zotërinj, ishte moment kyç pas të cilit studentët e tjerë filluan t’i përplasin të gjitha tavolinat e mensës si dhe të brohorasin parullën: DUAM KUSHTE MË TË MIRA!“. Pra, ky qe momenti i cili edhe nxiti organizimin e demonstratave të tjera në vijim“. („Veprimtaria e Gruas në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim“, F. 369, 370, 371) Ndërkaq dëshmori Nuhi Berisha, i organizuar në OMLK dhe pjesëmarrës në demonstratën e 11 marsit 1981, për këtë ngjarje shkruan në librin: „Pranverë e luleve të kuqe“: „…në mensë kishte shumë studentë…disa studentë kundërshtuan për ushqimin e dobët… Pasi erdhën disa punëtorë të Qendrës së Studentëve për të biseduar me ne na thanë: „Në daçi merreni këtë ushqim, në daçi lëreni, tjetër ushqim nuk ka!“ Atëherë një student i mëshoi tavolinës dhe u kthye nga studentët që hanin bukë, duke u thënë: „Ngrehuni, çfarë po prisni, asnjë të mos e marrë këtë ushqim!“ Filluan të përmbysen karrigat dhe një vajzë e hodhi lart tabakun e ushqimit…“
Shkëndija e parë plasi. Dhe mjaftoi kjo shkëndijë që në fillim u duk e vogël, por mjaftoi kjo, që të veprohej më tutje, për organizimin e protestave të reja edhe më të fuqishme. Flitej kudo për protesën e 11 marsit. Punohej në mesin e studentëve të organizuar, për organizimin e demonstratave të ardhshme. Ndodhi demonstrata e 26 marsit. Përsëri studentët në ballë të organizimit e në ballë të demonstrimit. Studentët u bashkuan në oborrin e konvikteve me flamur dhe parullat e shkruara në çarçafët e tyre: „Duam kushte!“, „Duam shokët!“ „Duam liri!“ „Poshtë tradhtarët!“ „Trepça është jona!“ ndërkaq më vonë, më e madhja nga të gjitha u duk parulla: „Kosova Republikë“. Studentët marshuan drejt qytetit. Por para mensës, policia nga frika dhe për t’i ndaluar studentët, hodhi gaz lotsjellës mbi ta. Protesta vazhdonte, përkundër barrikadave me gaz lotsjellës, me kërbaç e kërcënime. S’kishte forcë ta ndalte rininë tonë heroike, të cilës iu bashkua edhe masa e nxënësve e më pas edhe masa populore. Studentët u përleshën me policinë e armatosur. U rrahën e u burgosën. Revolta rritej dhe ajo çoi në shpërthime më të mëdha. Shpëthyen demonstratat gjithëpopullore të 1-2 e 3 prillit. Në ballë të tyre si gjithmonë dolën studentët si dhe vepritmarët e organizatave të ndryshme. Në ballë të tyre si gjithnjë edhe vajzat shqiptare. Në këto demonstrata edhe ajo i pëson të gjitha pasojat e pjesëmarrjes. Ajo përndiqet, ajo merret në të ashtuquajturat biseda informative; ajo vritet, është akuzuar për nacionalizëm dhe irredentizëm; ajo përjashtohet nga puna; është nxjerrë në gjyq dhe është dënuar si:
Teuta Hadri,
Myrvete Dreshaj,
Ajshe Gjonbalaj,
Hava Shala,
Zyrafete Muriqi,
Drita Kuçi,
Hidajete Kelmendi,
Zoge Shala,
Safete Krasniqi,
Trëndelinë Labënishti,
Gjyle Krasniqi,
Shahide Kabashi,
Shukrie Rexha,
Naime Maçastena,
Flora Brovina,
Zyhrije e Lejlie Mujota,
Nazlie Zogaj,
Elmaze Grainca,
Hafide Topalli,
Nazife Xhemaili etj.
Kur shokët e shoqet tona na i rrahën, na i vranë, na i burgosën e na i dënuan, në konvikte dhe në oborret e tij nuk pushonte kënga, nuk pushonin protestat. Autoritetet na i mbyllën shkollat e univeristetin; na larguan edhe nga konviktet. Për ditën e largimit nga konviktet në njërin nga fletët e ditarit tim kam shkruar atëbotë:
18 maj 1981… Konviktet e studentëve u mbyllën…
Të gjithë tashmë dinë për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë; shpërthimin e demonstratave, arrestimin dhe burgosjen e shoqeve dhe shokëve tanë; ndrydhjen e zjarrit tonë revolucionar që shpërtheu në tërë Kosovën gjatë muajve mars e prilli të këtij viti. Pas ngjarjeve të 11 marsit, 26 marsit dhe të fillimit të prillit, kur konvikteve tona u vinte akoma era helm të gazit lotsjellës, kur akoma oshëtinin në veshët tanë zhurmët e pushkëve dhe automatikëve, nuk kishte më gjendje mësimi e qetësie për ne. Për çdo natë tuboheshim para konvikteve dhe kërkonim shoqet e shokët tanë të vrarë e të burgosur; thërrisnim parulla dhe brohorisnim për republikën tonë. Mirëpo kërkesat tona nuk përfilleshin. Aktivistët e Lidhjes Komuniste që qëndronin më të gatshëm se kurrë për të vepruar, ishin në lëvizje të vazhdueshme; por edhe ne kishim vendosur që pa realizimin e kërkesave tona, të parashtruara që në fillim të prtoestave, të mos qetësoheshim. Përpjekjet e kujdoqofshin ato për qetësimin tonë ishin të kota. Edhe për krijimin e një gjendjeje normale në konvikte, ishte e pamundur. Situata po ashpërsohej nga dita në ditë. Ne ishim të vendosur të mos shkonim në ligjërata. Po përgatitej të shpërthente përsëri revolta jonë. Dhe nga kjo frikë, universiteti u mbyll, duke na larguar kështu edhe ne studentëve një muaj para afatit të rregullt nga konviktet (pikërisht në gjysmën e muajit maj të ’81-shit), me shpresë se do të « mblidhnim mend » dhe t’i harronim shpejt ato ngjarje të përgjakshme e heroike. E kush s’do të çuditej nga një parashikim i tillë anormal?! E si mund të harronim gjakun e shokëve e shoqeve tona të derdhur rrugëve të Prishtinës e qyteteve tjera të Kosovës ; si mund të harronim shokët e shoqet tona të arrestuara ; ata, të cilët kishin lënë bangat e zbrazëta në fakultet ?! …Gjithçka ndoshta mund të harronim, por ato ngjarje nuk do t’i harronim kurrë !…
Gratë – veprimtare të viteve 80’të në Kosovë dhe mërgatë.
Atë vit na vranë, na burgosën e gjakosën, na zgjatën « pushimet » për një muaj më shumë, por për çudi (gjë që s’kishte ndodhur kurrë deri atëherë) për ne ishin siguruar edhe autobusë special, të cilët do të na bartnin nga konviktet deri në qytetet apo fshatrat tona. Lëre se na i sillnin autobusët, por ata për herë të parë në jetën tonë studentore i kishin organizuar të na barnin falas dhe në oborrin e konvikteve. Shumëçka na dhanë atë pranverë të përgjakshme falas: plumba, helm, shqelma, grushta, kërbaçë, fyerje, sharje, burgje, varre…e edhe autobusë! Tri ditë rresht autobusët po bartnin studentët. Unë shkova e fundit t’i mblidhja plaçkat që i kisha në dhomë. Me mua ishin edhe dy shoqe që kishin ardhur për të më ndihmuar. Arritëm para konvikteve. Ç’të shihje! Heshtje varri. Para konvikteve qëndronte një veturë policie e gatshme për të futur brenda çdonjërin nga ne, për zërin më të vogël që mund të lëshonim. „Aktivistët“ aty-këtu i drejtonin studentët për në theqafje, në mënyrë që të mos u linin hapësirë të silleshin rreth konvikteve ose fakulteteve. Të shkonin ku të donin, ama ku të donin, vetëm larg e më larg vatrës së zjarrit…
Desha të hyja bashkë me shoqet në konvikt, mirëpo „rojtari“, të cilin nuk e kisha parë kurrë, nuk më la të hyja, ashtu siç kisha hyrë gjatë tërë vitit. Bile ky „rojtar“ më kërcënoi se nëse do të bëja fjalë, nuk do të më linte të hyja fare dhe se konvikti ishte mbyllur dhe s’lejohej të hynte njeri brenda. Megjithatë, unë këmbëngula se do të merrja plaçkat e mia dhe ai nuk rezistoi më por u zbraps. Më kërkoi librezën e konviktit dhe letërnjoftimin. Shoqet që ishin me mua, nuk i la të hynin. Më dha me vete një shoqëruese (shërbëtore), e cila me përtesë të madhe m’i hapte dyert njërën pas tjetrës. S’më dukej ai konvikt që kisha njohur për katër vjet me radhë. Ai ngjante me një burg të vërtetë. Me një burg ku orë e çast dëgjohet tringëllima e vrazhdë dhe e rëndë e çelësave të ashpër, tek hapin e mbyllin dyert. Shërbëtorja u mërzit duke hapur e mbyllur dyert, sa në një çast shpërtheu nga inati : « Sikur t’i kishin mbushur lira këto konvikte, e kanë frikë se mos ua merr kush ! » E shkreta nuk kuptonte, se këto konvikte kishin mbajtur brenda tyre njerëz me vlera më të mëdha se sa lirat që përmendi e shkreta!
Hyra në dhomë. Dhoma ishte e shkretë. Shoqet e dhomës kishin mbledhur plaçkat dhe ishin larguar… Nuk isha përshëndetur me to…Nuk na lanë kohë të përshëndeteshim… E ku e dija unë se do të ndahehsha nga shoqet në atë mënyrë?!… Secila nga to më kishte lënë një gjë të vogël në shenjë kujtimi, sepse nuk i dihej jetës… Mblodha plaçkat dhe shumë e mërzitur dola nga konvikti. Autobusi po na priste. Na urdhëruan të largoheshim sa më parë nga këtu. Kishin frikë se mos shpërthente prap ndonjë shkëndijë revolte. Hipëm në autobus. Për çudi nuk njihnim asnjërin nga studentët. Një shoqe imja nuk deshi të hynte në autobus nga frika se nuk do të na na shpiente në qytetin tonë. I thashë me zë të rreptë dhe nga zemërimi që më kishte kapluar në ato çaste : « Hyr e mos bë fjalë, se s’kanë ku na çojnë përveçse në Kosovë!» Ajo u bind. Hipi pa bërë fjalë në autobus. Autobusi u nis… Unë ktheva kokën prapa të vështroja konviktet e mbetura shkret. Vështroja me dhimbje oborrin e atyre konvikteve, ku kishim kaluar atë pranverë me netë të tëra pa gjumë ; aty ku kishim filluar demonstratën e 11 e të 26 marsit ; të 1-2 e 3 prillit; aty ku ishim përleshur me ushtri e polici speciale; aty ku shoqet e shokët tanë kishin lënë dorën, këmbën, syrin e veshkët ; aty ku gjaku ishte derdhur lumë ; aty ku agimet na kishin gjetur zgjuar… tani oborri dukej si një varr i vërtetë ; si një varr i lënë në harresë dhe mbi të pa mëshirë shkilte pa mëshirë këmbë e huaj… Ndërsa qëndrimi i veturës së policisë në oborrin e konvikteve, ishte shenja më e pështirë me domethënien e saj të pështirë e të urryer, për çdo njeri se çdo lëvizje ishte nën kontroll, se diçka e madhe kishte ndodhur, dhe pritej të përsëritej në atë oborr…
* * *
Pati edhe të atillë që u mashtruan se duke na larguar nga konviktet, çdo gjë do të përfundonte me kaq, por e patën gabim : lufta veçsa kishte filluar… Nga ato që kam përshkruar më lart për kontributin e gruas në demonstratat e vitit 1981 janë një dëshmi se gruaja ishte po aq aktive dhe po aq pjesëmarrëse në demonstrata sikurse edhe burri. I përjeton të gjitha pasojat siç i përjeton edhe burri. Prandaj e ka dhe do ta ketë vendin e saj në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare për Çlirim. Pra nga ato që thashë më lart, dhe që ka mbetur shumë pa u thënë, kam përmendur emra e mbiemra, e them me përgjegjësi se demonstratat e vitit 1981 pa dyshim kanë qenë të organizuara dhe të udhëhequra nga veprimtarët e grupeve ilegale që vepronin atë kohë në Kosovë. Prandaj çdo përpjekje për të shtrembëruar dhe vënë në dyshim organizimin e tyre dhe pse, kush e si i organizoi ato, me përbuzje bien poshtë dhe janë gënjeshtra me bisht.
PJESA E DYTË
PJESËMARRJA E GRUAS NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË MËRGIM
Aktiviteti i gruas në mërgim në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në shtetet e Evropës Perëndimore, ishte padyshim i pranishëm dhe s’mund të ndodhte ndryshe, ashtu siç është e njohur nga historia jonë, ku nuk ka ndodhur të jetë zhvilluar ndonjë ngjarje historike, kombëtare e atdhetare, ku të mos ketë qenë pjesëmarrëse edhe gruaja. Por specifikë e veçantë në këtë kohë ka qenë ndoshta numri i vogël i pjesëmarrëseve nga ana e grave shqiptare në aktivitetet në mërgim, në protesta e demonstrata, sepse edhe numri i tyre ishte shumë minor në krahasim me burrat. Atëbotë ishin burrat ata që kishin mërguar, ndërsa gratë mbanin shtëpinë e rrisnin dhe edukonin fëmijët e tyre në Kosovë, një anë kjo që ka vlerat e saja të çmuara, sepse edhe në këtë formë ajo ruajti vitalitetin dhe trashëgiminë e popullit tonë. Ajo vuajti mungesën e burrit, të vëllait e të babait. Por, edhe ai numër i paktë i grave që ndodhej në mërgim iu bashkangjit pa hezitim vargut të bashkatdhetarëve në protesta e demonstrata të organizuara kudo në Evropë.
E veçanta e demonstratave në mërgim, në krahasim me ato në Kosovë ishte se në këto të fundit kontribuan drejtpërdrejtë përveç miqve edhe mikeshat tona të paharruara zvicerane. Që në kërkesën e parë drejtuar organeve zvicerane, për demonstrim më 11 prill 1981 në Bernë, demonstratë e organizuar nga Kadri Zeka me bashkëpunëtorë, figuron emri i një gruaje, e cila që nga demonstrata e parë e deri te ajo e fundit, punoi e kontribuoi bashkë me ne për çështjen e Kosovës. Eshtë fjala për zonjën Kathrin Asal. Përveç Katrinës, në demonstratën e parë e më tutje kontribuoi edhe zviceranja tjetër, Sara Gretler, e cila shkroi parullat e para në gjuhën gjermane, për opinionin zviceran me këtë përmbajtje: „Kosova Republikë“, „Ne jemi me studentët“, „Liri për Kosovën“, „Internacionale, solidaritet“, „Beogradi vrasës“ etj.
Ndërsa sa i përket aktivitetit të gruas shqiptare në mërgim, duke qenë larg vendit, me mallin e pashuar për të dhe njerëzit e saj, ajo iu bashkangjit të gjitha protestave e demonstratave, duke dalë edhe në ballë të tyre me flamur e parulla. Në kohën që në në Kosovë Beogradi po bënte gjëmën mbi vëllezërit e motrat e saj, mori pjesë që në thirrjen e parë për demonstratë, më 11 prill 1981 në Bernë, duke ngritur zërin e saj protestues si nënë, motër e bashkëshorte, në përkrahje të demonstratave dhe kërkesave të rinisë studentore e të popullit të Kosovës. Pas Bernës, ajo vazhdoi të protestojë edhe në demonstratat tjera të organizuara gati në çdo fundjavë gjatë pranverës dhe verës së vitit 1981 në Perëndim, si në atë: të Cyrihut, të Shtutgartit, të Dyseldorfit, të Mynihut, të Gjenevës, të Brukselit etj. Për fat të mirë ekzistojnë edhe pak dokumente në fotografi si dëshmi të asaj kohe, për pjesëmarrjen e gruas në radhët e para të demonstruesve. Gratë paraqiten zakonisht me plis në kokë, duke emetuar kështu heroinën tonë, Shotë Galicën, apo me veshje kuq e zi, me ngjyrat tona simbolike.
Gruaja shqiptare u shqua jo vetëm për pjesëmarrje në demonstrata, por ajo mbajti edhe fjalë të zjarrta në këto protesta. Vlen të përmendet fjalimi i një demonstrueseje (S.I.) në demonstratën e Dyseldorfit, në Gjermani, të mbajtur më 8 maj 1981. Në fjalën e saj ajo ndër të tjera thotë: „…Tani e dimë se jo vetëm shqiptarët, por tërë botën e kanë tronditur ngjarjet tragjike që po ndodhin në Kosovë. Popullli ynë trim, punëtor, paqedashës e i etur për liri dhe pavarësi, në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe politike gjeti rrugën më të përshtatshme për të kërkuar të drejtat e veta (borxhin e vjetër) nga qeveria jugosllave.
Qeveria jugosllave, që popullin kosovar e ka mbajtur dhe e mban gjithnjë në shënjestër, nxitoi me tanke e helikopterë, vrau, burgosi e therri lulen më të bukur – rininë e Kosovës. Kështu udhëheqësit jugosllavë e treguan edhe njëherë fytyrën e tyre të vërtetë të pushtuesit, vrasësit e fashistit gjakatar. Tani kjo udhëheqësi kot përpiqet me fraza të thata, me shpifje e trillime, t’i mashtrojë popujt e botës për krimet që po bën mbi popullin tonë në Kosovë. Turp i botës. Tragjedi e shekullit XX, e vetëquajtur socialiste e të lëshohet mbi një popull të shtypur me shekuj si bishë e çartur, ta vrasë, ta dhunojë e më në fund edhe ta akuzojë.
Ne jemi një popull i vogël përballë një bishe të madhe, por jemi të fortë e të pamposhtur, sepse në zemrat tona kemi indinjatë e urrejtje të thellë për ata që na i shkelën vatrat dhe na i grabitën pasuritë“. Kjo e re vazhdon të flasë më tutje për kohën e errët të Rankoviçit, të Titos e të Kolishevskit, duke theksuar se: „Klika revizioniste jugosllave gjithmonë ka dënuar e vrarë, por kurrë s’na ka mposhtur. Kjo klikë renegatësh e preku popullin tonë në gjërat më të shenjta e më të shtrenjta. Ajo në të kaluarën e afërt (në kohën e gjakpirësit Rankoviç) vrau e zhduku mijëra shqiptarë, dhe jo vetëm kaq. I emigroi , u hyri në familje, cënoi me dhunë moralin e gruas shqiptare, pse ajo kishte qëndisur një shami kuq e zi, apo pse në pajën e saj kishte punëdore me ngjyra simbolike. Pra edhe paja e vajzave shqiptare i hynte në politikë renegatit Tito, Rankoviç, Kolishevski, të cilët edhe sot po e tregojnë hijen e vet dhe hujin e ujkut të etshëm për gjak shqiptari. Edhe sot bota e quajti me të drejtë Kosovën, „Shtëpia e varfër e Evropës“, të cilën udhëheqja jugosllave e la të tillë me qëllim dhe tani kërkon t’ia shtjerë flakën dhe dëshiron ta djegë me fëmijë në djep, me të rinj e të reja, me gra e burra. Por, s’e djeg dot.
Kosova prap do të ketë fëmijë, prapë do të ketë rini, sepse vetë është e re. Kosova do të ketë liri, se për të po lufton e po derdh gjak sot. Ne gratë shqiptare nuk i lindim fëmijët në epruveta, ne lindim shqiptarë me armë në brez, ne do të lindim e rrisim gjithmonë nipa e mbesa të Shotës dhe të Azemit, Isa Boletinit e Bajram Currit, të Emin Durakut e Çerçiz Topullit. Dhe do të mburremi para botës dhe brezave të ardhshëm me historinë tonë. Çfarë u prish punë revizionistëve jugosllavë pse jemi popull patriot?… Çfarë mëkati bëri populli ynë që kërkoi statusin e republikës? Kush janë irredentistët? Po pushtuesit? Kush kujt ia turbullon ujtë?… Ne do të fitojmë. Por fitoret arrihen e mbrohen me përpjekje e sakrifica. Me luftë e djersë. Betohemi me mendje, me zemër e grushta të bashkuar për tokën, popullin, gjakun e derdhur e lirinë… Poshtë tradhtarët e atdheut! Nuk duam jetë pa liri! Lavdi dëshmorëve të rënë për atdheun! I qofshim falë atdheut tonë të dashur, Kosovës sonë të shtrenjtë!
Pra gruaja shqiptare në mërgim e indinjuar tej mase për atë që po ndodhte në Kosovë, u rreshtua përkrah burrit të saj në çdo aktivitet për Republikën e Kosovës. Ajo ndihmoi, inkurajoi e bashkëpunoi me burrin për ta çuar çështjen përpara. Ajo nuk i la fëmijët në kopshte e çerdhe, por i mori me vete në protesta e demonstrata, në kohë me shi e me borë, me rrebesh e furtunë, vetëm e vetëm për t’ua mësuar atyre rrugën e vështirë drejt lirisë së Kosovës; rrugë të cilën këta fëmijë e mësuan mirë dhe s’e harruan e s’do ta harrojnë kurrë. Pjesëmarrja e gruas bashkë me fëmijët në ballë të protestave e demonstratave i la pa gojë gazetarët e shumtë zviceranë, gjermanë, belgë, francezë etj., si dhe autoritetet vendore, të cilët shtruan pyetje rreth këtij fenomeni të paparë ndonjëherë. Pyetën prindërit se ç’donin fëmijët në këtë mes? Por nënat tona të indinjuara me atë që po ndodhte në Kosovë ditën t’u përgjigeshin: „Të gjithë jemi ngritur në këmbë dhe do të qëndrojmë në këmbë, derisa të pushojnë dhuna e terrori në Kosovë, deri sa të fitojmë të drejtat tona!“
Gruaja shqiptare kontribuoi edhe në shkrimin e parullave. U përkujdes për to duke i mirëmbajtur, bashkë me flamurin e shenjtë kombëtar. I lau e hekurosi dhe i barti nga demonstrata në demonstratë. Gruaja strehoi, mbajti e ushqeu shumë të rinj të larguar nga dhuna e terrori në Kosovë. Emrat e tyre janë shumë, por unë po përmend disa prej atyre, ato që s’u ndalën asnjëherë që nga demonstrata e parë: Zahide Avdullahu, Sabrije Kelmendi, Zade Tafallari, Vezire Muja, Ismije Beshiri me nënën e saj, Remzije Musliu (e ndjerë) e plot të tjera, por që në një studim të veçantë do duhej të përfshiheshin emrat e tyre. Viti 1981 për gratë mërgimtare, ashtu si për punëtorët tanë, ishte një vit plot aktivitete, me protesta, tubime e demonstrata të përjavshme. Ishte një vit i mbushur me suksese në sensibilizimin, mobilizimin, shtimin e numrit të demonstruesve nga demonstrata në demonstratë; si dhe në zgjerimin dhe rritjen e numrit të simpatizantëve dhe miqve të huaj në përkrahje të kërkesave të shqiptarëve për liri dhe Republikën e Kosovës.
Përfundim
Shikuar në aspektin e aktivitetit kombëtar edhe gruaja shqiptare në mërgim ka dhënë kontributin e saj, që nga demonstrata e parë në mërgim e deri tek demonstratat e fundit; deri me daljen në skenë të partive politike në Kosovë. Për kontributin e saj, në interes të atdheut të vet, ajo ka marrë edhe çmime në vendet nikoçire. Ajo vazhdoi dhe vazhdon të japë edhe sot kontributin e saj në aspekte tjera, me vepritmari e projekte të shumta si: në çështjen e mësimit të gjuhës dhe kulturës amtare për fëmijët shqiptarë; në projekte të ndryshme integrimi të komunitetit shqiptar në diasporë, në aktivitete kulturore, sportive etj. Në këtë kumtesë të kufizuar për aktivitetin e gruas, jam përpjekur të jap kontributin tim sa i përket aktivitetit të gruas në Kosovë dhe në mërgim, i cili është mjaft i gjerë dhe përfshinë një vit të mbushur me demonstrata (në vitin 1981 u mbajtën nëntë demonstrata në shtetet të ndryshme të Evropës), ku gruaja ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm. Mbetet për t’u thënë më shumë në të ardhmen rreth asaj që ka bërë vazhdimisht gruaja shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare.
Saime Isufi,
Neuenhof, 06. 03. 2011
(Kumtesë e lexuar në tryezën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë, mbajtur në Neuenhof të Zvicrës, më 06 mars 2011)
© Pashtriku.org
__________
SAIME ISUFI: VLERAT HISTORIKE, STUDIMORE E SHKENCORE TË LIBRIT ‘HISTORI E NJË ORANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981’