PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) PLANI ZERO … (5)

PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) PLANI ZERO … (5)

Autori: Xhafer Durmishi, Suedi 14 mars 2023

10. Shkrirja-Ngrirja dhe Shuarja totale e Partisë “Komuniste”

Plani i AP dhe OO: “Pas vrasjes së Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, udhëheqjen e organizatës, në mënyrë misterioze, e mori Xhafer Durmishi. Ky emërim apo vetemërim kishte ndodhur pa dijen dhe pëlqimin tim, kur dihet se Sabri Novosella (Mërgimi), emigrant në Turqi, asnjëherë nuk e kishte marrë mundimin për riorganizimin e LNÇKVSHJ-së, por e kishte krijuar (apo ishte kyçur) në një organizatë krejt tjetër, të quajtur „Komiteti Hasan Prishtina“. Prandaj, emërimet e tilla, pa ndonjë marrëveshje paraprake me anëtarët e mbijetuar të kësaj Lëvizjeje, do ta degradonin LNÇKVSHJ-në, duke e shtyrë drejt dobësimit apo shuarjes totale.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 124)

Jusuf Gërvalla: “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare

– Komitetit të Degës “Hasan Prishtina” / RAPORT mbi disa çështje rreth punës së organizatave Grupi komunist “Zëri i Kosovës” dhe Fronti i Kuq Popullor” (31 korrik 1981)

D  O  K  U  M  E  N  T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

(…)

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi (Osman Osmani) doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ). (…)

    Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella) deklaroi:,

   -Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.

   Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.

   Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”.

VENDIM

(…)

6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës” pasi ky emër shpreh zërin e Kosovës,…”

(Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë, 1997, faqe 217-218 dhe www.pashtriku.org, 2008)

Osman Osmani: ”Të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ‘LËVIZJA‘…..”

 Besnik Prishtina: “Megjithatë, pasi PKMLSHJ e realizon bashkimin LNÇKVSHJ e OMLK në LRSSHJ, me 17 Shkurt/15 Maj 1982, vet e PKMLSHJ e ngriu aktivitetin e vet partiak….” (HISTORINË E SHKRUAJNE VEPRAT PRAKTIKE E JO DEKLARATAT TEORIKE, www.zemrashqiptare.net, 13 maj 2010)

Pamvarësisht se a bëhet fjalë për Shkrirjen e të Pabesit apopër Ngrirjen e ‘Besnikut në këtë rast kemi të bëjmë me të njëjtin efekt termodinamik, Shuarjen e Partisë ‘Komuniste’ me vite të tëra para se i njëjti fat t’i gjej partitë ‘komuniste’ të të njëjtit brum, (të ngushëlluara me telegrame nga Abdullahu e Osmani) duke përfunduar aty ku përfundoi Muri i Berlinit.

Lëvizja e Jusuf Gërvallës u shkri në Lëvizje dhe Vërshoi, Zëri i Jusuf Gërvallës i dha rezonancë me amplitudë maksimale Zërit të Kosovës dhe Jehoi, siç do të Jehoi përjetësisht. Ky Vendim, ky Dokument është fakti i përjetësimit të Zërit e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës – LNÇKVSHJ.

11. Vazhdimi i punës nga aty ku e kishte lënë Jusufi dhe vazhdimi i punës aty ku e kishte lënë UDB-a Serbe

Plani i AP dhe OO: “Menjëherë pas këtij bashkimi, nga Turqia për në Gjermani udhëtuan Xhafer Durmishi dhe Osman Osmani. U vendosën në familjen Gërvalla në Untergrupenbach të rrethit të Heilbronn-it. Vazhduam punën aty ku e kishte ndërprerë Jusufi, duke i përfunduar artikujt e përgatitur prej tij.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 126)

Vëzhguesi i Abdullah Prapashticës, Osman Osmani nuk është marrë në asnjë pikë e me asnjë germë të vetme me Zërin e Kosovës, të LNÇKVSHJ, të marsit 1982. As unë e lere më ky far vëzhguesi, nuk kemi përfunduar asnjë artikull të Jusufit, pasi ai nuk ka lënë asnjë artikull të nisur e të papërfunduar. Ka qenë plani që Zëri i Kosovës, i marsit 1982 të del si organ i Lëvizjes për Republikë. Vëzhguesi Osman Osmani ka ndërhy duke thënë se është më mirë të del në emër të LNÇKVSHJ. Plani i AP dhe OO ka qenë që përkundër nënshkrimeve të tyre më 17 shkurt 1982, çështjen e emrit të gazetës dhe të gjitha çështjet t’i shtrojnë prej fillimit, pra t’ia nisin prapë prej zeros në takimin kur do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e OMLK-së.

Në këtë kuptim mund të thuhet se AP dhe vëzhguesi i tij OO ishin të dehur prej suksesit. Ata, brenda dy orëve të vona të 17 shkurtit 1982, kishin arritur t’i ndërpresin-përfundonin dy gazeta të tyre famoze, andaj mendonin se të njëjtin sukses do ta përsëritnin edhe me Zërin e Jusufit.

Plani dhe misioni im ka qenë që me forcat e mia ta vazhdoj punën nga aty ku e ka lënë Jusufi. Plani i Osman Osmanit është përputhur me planin e UDB-së. Plani i UDB-së me vrasjen ka qenë që ne të detyrohemi me ia nis prej zeros. Argumenti “t’ia nisim prej zeros” ishte baza e veprimeve të Abdullah Prapashticës dhe Osman Osmanit.

12. Faqosja e Zërit të Jusufit sipas falsifikatorëve të pa faqe d.m.th. të pafytyrë

Plani i AP dhe OO: “Nxjerrja e këtyre dy numrave, të shkruar dhe daktilografuar nga kjo redaksi, u ndihmua teknikisht (faqosja dhe përgatitja për shtyp) nga “marksist- leninistët gjerman” të rrethit të Stuttgard- it.” (Nuhi Sylejmani, Vrasje e trefishtë, 2010, faqe 126)

Me fjalët Nxjerrja e këtyre dy numrave mendohet në “Zërin e Kosovës” (organ i LNÇKVSHJ) nr.3, mars 1982 dhe “Zëri i Kosovës” (organ i LRSSHJ) nr.1, qershor 1982.

Historia e përgatitjes së këtyre dy numrave është krejtësisht e ndryshme prej njëri tjetrit. Numri i marsit nuk është daktilografuar nga vëzhguesi “komunist” Osman Osmani dhe as nga ndonjë komunist gjerman, por pikërisht nga një firmë kapitaliste gjermane për çmimin prej 1400 DM, prej të cilëve është daktilografuar, radhitur në formën e shtyllave, gjerësinë e të cilave ua kam caktuar unë. Neve, shokëve të Jusufit, na është dhënë filmi i shtyllave (në pllaka plastike) të cilat pastaj janë pre dhe përgatitja grafike e faqeve (faqosja, nëse e përdorim shprehjen e rrencave të pafaqe) në 24 faqe A4 është bërë në shtëpinë e Jusufit nga Suzana dhe unë.

Suzana Gërvalla: “Ne me të vërtetë këtu kemi shoqëri të re dhe përkrahje të madhe por mendët i kemi atje te ju te varrezat e Shtutgardit, se atje i lam ata ma të afërmit. E tash nuk dimë as si duken varrezat e tyre, spati kush me na que asnjë fotografi prej atjehit. Tash unë  më nuk e shof as organin tonë, gazetën për të cilën e ka dhënë jetën burri dhe kunati im e të cilën e punova unë me këto duar pse ska kush me ma que prej atjehit.” (Suzana Gërvalla: Letër nga Tirana për Faridin Tafallarin dhe Nuhi Sylejmanin, 22 shkurt 1983; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 77)

Pastaj është bërë dorëzimi për shtyp në të njëjtën firmë. Letra e mëposhtme e vërteton atmosferën e asaj kohe më së miri.

Xhafer Durmishi (Shpendi): “Organin e dorëzuam për radhitjen e shtyllave na kushtoi 1400 DM. Janë 17 artikuj (pa poezi). S’bashku me fotografitë dhe titujt besoi se do të dal mjaftë material. Pjesa dërmuese e shkrimeve është e Sokolit, megjithëse nga kapuçonët nuk është kthyer as gjysma e materialeve të përgatitura për numër. Organin do ta nxjerrim si numrin 3 të LNÇKVSHJ, por për hir të informimit më të shpejtë, që të mos presim deri tek numri i ardhshëm do të dalim me një fletë të shkapur si te Lajm. Nr. 3, duke e quajtur shtojca e zërit. Artikujt e saj “Një udhëtim në izr…” dhe “Plisi i bardh mbi faqe të zezë” nuk u dorëzuan në radhitje pasi H. e kishte humbur ndërsa të dytin arkatari ma solli me vonesë. Unë i kisha dorëzuar në radhitje për hir të shpejtësisë edhe pse kështu krejtësisht s’na doli, dhe më tepër për shkak të familjes vendosëm që këtë numër ta punojmë në shtypin e qytetit, sepse këta kapuçonët interesohen fortë se ç’po bëhet, e pa rregullimin e shoqes së Sokolit nuk kishim mund t’i largojmë mjetet  e punës siç është një makinë e tillë. Dhe besojë se kjo është e arsyeshme. Kam frikë se organi do të na del me ca gabime gjuhësore jo për fajin tonë, por për shkak të atyre që e përgatisin.” (Letër dërguar Sabri Novosellës, mars 1982. Marrë nga Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme…, Tiranë 2010, faqe 285-286)

Pas daljes së numrit 3 (mars 1982) të Zërit të Kosovës, po kaloj shkurtimisht tek mbledhja e 14 e 15 majit në mes meje, Xhafer Shatrit dhe Vëzhguesit e përfaqësuesit ‘komunist’ të PKMLSHJ, Osman Osmani i cili kërkoi që të ndërprehet, përfundoi “Zëri i Kosovës” i përgjakur nga vrasja e 17 janarit 1982. Se çfarë përshtypje i bëri kjo punë Xhafer Shatrit e tregon kjo letër e shkruar të nesërmen më 16 maj 1982, për Xhafer Durmishin dhe Osman Osmanin ku pos tjerash thuhet:

Xhafer Shatri: “ Po që se ju jepet rasti, ju lutem që t’ia përcillni Kamberit (Sabri Novosellës-shën i Xh. D.) argumentimet tona lidhur me nevojën e ndryshimit të emrit të organit (ndryshmit të emrit ‘Zëri i Kosovës’ me një tjetër, pra me ia fillua prej zeros-shën i Xh. D.) dhe përpiquni të jeni sa më origjinal dhe sa më të arsyeshëm dhe këtë mos e bëni sa për ta bërë, por vetëm pse është shumë e nevojshme.” (Letër Xhafer Durmishit dhe Osman Osmanit, 16 maj 1982. Marrë nga Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 163)

Xhafer Durmishi: “Dje e mora një letër nga Xhafer Shatri. Po ta dërgoj të fotokopjuar. Edhe letrat tuaja të dërguara tek shoku gjerman i mora. Do të veprohet asisoji dhe besoj se do të ndikojë pozitivisht. Momentalisht nuk kemi gjetur banesë por sot do të shikojmë një vend për një dydhomëshe që kushton 400 DM në muaj. Nëqoftëse nuk është e zënë do të bëhet shumë mirë. Këtu po ta dërgoj edhe nga një letër që kam marrë nga Suedia dhe SHBA. Jemi duke punuar në dalje të revistës, por prapë se prapë emri i saj po kontestohet e diskutohet. Prej Ankarasë nuk ka ardhë ndonjë material.” (Letër Sabri Novosellës, 22 maj 1982)

***

Në ditët në vazhdim e kam përgatitë numrin e parë të Zërit të Kosovës, dhe në këtë numër ideologu Abdullah Prapashtica me shokët e vetë nuk kontribuoi me asnjë germë të vetme. Të vetmin kontribut që Osman Osmani e ka bërë për këtë numër ka qenë daktilografimi i dy shkrimeve të mija dhe kërkesa e tij që të hiqet citati i Jusufit: “Në ballë të këtij populli dhe tek këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.”

Kërkesën e tij, me arsyetimin se mos Jusufi po përjetësohet më shumë se sa duhet dhe atë në kurriz të Abdullahut dhe jo për shkak të meritave të veta, e kam pranuar dhe e kam hequr këtë citat. Efekti i këtij “kontributi të anëtarit të redaksisë” ishte i asaj natyre sa ky Vëzhgues u bë i padurueshëm në rrethin e Jusufit dhe u detyrua më vonë të gjej ndonjë mes tjetër për ta bërë objekt të vëzhgimeve të tija. Befasia e rrethit në Shtutgart nga kërkesa e Osman Osmanit e Abdullah Prapashticës dukej edhe më interesante në dritën e insistimit të tyre të marsit, kur me  çdo kusht kishin kërkuar të del Zëri i Kosovës, si Zëri i Jusufit, në emër të LNÇKVSHJ (përkundër bashkimit e nënshkrimeve të 17 shkurtit 1982) me arsyetimin që UDB-ja të mos mendoj se ia ka arritur qëllimit.

Përveç heqjes së citatit, Osman Osmani ma përcolli edhe një porosi rigoroze nga Abdullah Prapashtica, që ta kam në mendje gjatë publikimit të artikujve të shkruajtur nga unë. (Skender Skënderi=Xhafer Durmishi)

***

Osman Osmani:  Në asnjë pikë nuk guxon të devijohet nga kërkesa “Kosova-Republikë!”, apo të bëhen aludime tjera.

Skender Skënderi: Pse po u kërkuaka ky rigorozitet pikërisht në këtë numër? 

Osman Osmani: Sepse ky do të jetë numri i fundit i Zërit të Kosovës, dhe i Lëvizjes për Republikë!

Skënder Skënderi: Si është e mundur kjo?

Osman Osmani: Është e mundur sepse Partia jonë Komuniste ia ka dërgua një Notë Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, që ta shqyrtojë në Kongresin XII, që do të filloj më 26 qershor 1982.

Skender Skënderi: Cilat do të jenë rrjedhimet nga kjo?

Osman Osmani: Partia jonë Komuniste i ka dërguar ultimatum Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

Skender Skënderi: Çka thuhet në ultimatumin e Partisë tuaj Komuniste?

Osman Osmani: Thuhet kjo: PKLMSHJ, autore, ideatore dhe organizatore e kërkesës Kosova-Republikë, pret nga Kongresi XII i LKJ ta aprovoj kërkesën e PKMLSHJ-së Kosova-Republikë. Nëse kjo nuk ndodh, PKMLSHJ do të heq dorë nga kjo kërkesë dhe do të kalojë në kërkesën për bashkim kombëtar, dhe do ta formojë Armatën e Kuqe Shqiptare. Të gjitha pasojat e pakëndshme të kësaj pune do të bien mbi LKJ-në.

Skender Skënderi: Përveç taksiratit që po i ndodhka LKJ-së, çdo do të thotë kjo konkretisht këtu për ne në muajt më të afërm?

Osman Osmani: Kjo do të thotë se do të bëhet e qartë për ty dhe për të gjithë të tjerët se jetoni në epokën e Abdullah Prapashticës, dhe jo të Jusuf Gërvallës apo tjetër kujt. Jusuf Gërvalla dhe të tjerët nuk janë vizionarë të kalibrit të Abdullahut. Partia jonë Komuniste e ka gjykuar mirë se kur duhet luftuar për Republikë në kuadër të RSFJ dhe kur nuk duhet.

***

Në këtë kohë unë, Haxhi Berisha dhe Naim Haradinaj, momentalisht banonim në Bitigheim-Bisingen, në katin e epërm të një restoranti. Kushtet për punë të cilën e bënim nuk ishin të mira. Për këtë arsye Haxhi Berisha e pyet Hasan Veselin, i cili ishte afruar me ne, se a mund ta vendosim makinën në shtëpinë e tij. Duhet cekur mirë se në këtë kohë disa shokë kanë qenë shumë të gatshëm me na ndihmua në mënyrë shoqërore në atë që quhet sferë shoqërore, por kanë dashur (gjë që është shumë normale) që sferën private ta kenë vetëm për vete. Hasani i gjendur ngushtë, tha se në banesën time nuk ka mundësi, por e kam një të afërm në Ulm, ku ndoshta ka mundësi më të mira. Për shkak se ne gjendeshim në një pozitë më të vështirë se sa mund të mendohet (pasi Jusufi nuk kishte lejuar asnjë shok nga rrethi i vetë të kërkoj azil) ne i thamë se bënë me shkua e me e pa. Në Ulm udhëtuam unë, Osman Osmani e Hasan Veseli. Kur e mori vesh i afërmi i tij se me çka merremi, ai u frikua, pasi nuk banonte aspak vetëm, por puna jonë mund të vërehej edhe prej disa të tjerëve. Jemi kthyer menjëherë, vetëm sa kemi pi nga një kafe. Menduam të punonim në lokalin e librarisë të Partisë Komuniste Gjermane në Shtutgart, në adresën: Hausmannstr. 107, 7000 Stuttgart, por edhe në këtë lokal nuk qëndruam më shumë se një pasdite.

Puna kryesore u bë dhe u përfundua në konviktin e Studentëve në: Studentenwohnheim

Adress:Eduard-Spranger-Straße 7

71634 Ludwigsburg

në të cilin u vendosëm pas disa ditësh.

Të kthehemi edhe njëherë te citati i shkollës së UDB-së, tek faqosjet e të pafytyrëve.

 Plani i AP dhe OO: “Nxjerrja e këtyre dy numrave, të shkruar dhe daktilografuar nga kjo redaksi, u ndihmua teknikisht (faqosja dhe përgatitja për shtyp) nga “marksist- leninistët gjerman” të rrethit të Stuttgard- it.” (Nuhi Sylejmani, Vrasje e trefishtë, 2010, faqe 126)

Shtrohet pyetja: pse Plani i AP dhe OO e bënë këtë gënjeshtër e fyerje të Jusufit dhe shtëpisë së tij? Sipas Planit të AP dhe OO, në atë shtëpi ku ka dalë revista Lajmëtari i lirisë, numri i fundit i gazetës Bashkimi, tre numra të revistës Liria dhe dy numra të Zërit të Kosovës për të gjallë të Jusufit, me atentatin e vdekjen e Jusufit vdesin edhe të gjitha njohuritë se si luftohet kundër UDB-së Serbe, vdesin të gjitha njohuritë se si përgatitet teknikisht një gazetë.

Siç do ta shohim në ndonjë rast tjetër nuk është vetëm Plani i AP dhe OO të cilit i pëlqen ideja apo shprehja se me vdekjen e Jusufit shuhet çdo gjë, dhe se pas tij kemi qenë të detyruar me ia fillua prej zeros. Kulmi i gjithë kësaj djallëzie na del, se sa më shumë që të themi se me Jusufin vdes e shuhet çdo gjë aq më shumë nderohet e lartësohet puna e tij madhore, e cila na del aq madhore sa menjëherë pas vdekjes shuhet e bëhet e mundshme të merret nëpër këmbë prej kujtdo qoftë duke përfshi edhe Abdullah Prapashticën dhe Osman Osmanin.

E vërteta është se kështu nuk ka ndodhë më 1982, as më 2009, as 2010 dhe as nuk do të ndodhë kurrë.

(VIJON …)

_____________

PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) JUSUFI NUK ISHTE MBRET! DINASTIA PRAPASHTICA (4)

Autori: Xhafer Durmishi, Suedi 13 mars 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura