NJË DËSHMI E MUNGUAR PËR „BASHKIMIN“ E 17 JANARIT 1982!

NJË DËSHMI E MUNGUAR PËR „BASHKIMIN“ E 17 JANARIT 1982!

“Historia përbëhet nga ngjarjet dhe datat. Ajo nuk është një pikturë e vjetër a një ikonë që mund t’i shtosh disa penelata zbukurimi apo ta restaurosh. Jo! Historia ka lidhje me kohën dhe me veprat. Koha nuk mund të kthehet pas dhe veprat nuk mund të ribëhen me zbukurime”. (Lufta shqiptaro – turke, 1370 – 1530, SHB Helga’s Secrets, Tiranë 2016.)

Nga Sheradin Berisha, facebook 29 Janar 2023

I nderuari Ibrahim Miran Kelmendi

Miku ynë Fatmir Lekaj në një shënim përmbajtësor i shpërfaqi disa të dhëna tashmë të njohura për rrugëtimin e Lëvizjes ndër vite, duke u bazuar në parimet shkencore, ndërsa ti pa hezitim e sulmon atë. Kështu nuk shkon kur bisedojmë me një studiues.

Historia e „bashkimit“ të 17 janarit 1982 dhe emërtimi i këtij bashkimi (LNÇKVSHJ – OMLK’FKP) si “Lëvizje për Republikën e Kosovës” është një rrëfim yti, por mungojnë dokumentet bazike (programi, procesverbali etj) të cilat e bëjnë të faktuar (të kryer)  edhe në aspektin shkencor këtë “bashkim”.

Ti vazhdimisht thua se materialet e “bashkimit të 17 janarit 1982” duhet të jenë të arkivuar në organet e policisë gjermane, ndërsa familja Gërvalla ka deklaruar se të gjitha gjërat (me dokumente, letra, libra etj.) që janë konfiskuar (pas atentatit) i ka kthyer policia. Tashmë kaluan 41 vjet dhe këto dëshmi arkivore, nuk janë bërë publike dhe si të tilla nuk ekzistojnë! Nëse një ditë publikohen ato, do të gëzohemi të gjithë!

Rrjedhimisht në këtë situatë studiuesit e historisë nuk mund t’i marrin si fakte shkencore rrëfimet tuaja për këtë ngjarje, e aq më pak ato rrëfime të cilat për të njejtat ngjarje kanë shpërputhje njëra me tjetrën.

Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK, (nga fundi i korrikut 1993 si LPK) në periudhën 1982 – 2007 në historikun e vet gjithmonë e ka festuar 17 shkurtin 1982 si ditë të themelimit. Atë datë kur u bë bashkimit i LNÇKVSHJ – PKMLSHJ-së dhe më 15 maj 1982 edhe Bashkimi i OMLK-së, në LR(S)SHJ.

***

Ibrahim sa e di unë historinë e “bashkimit të 17 janarit 1982” për herë të parë e keni trajtuar në librin “ATENTATET” të botuar në vitin 2007.

Përiudha, janar 1982 – 2007 përfshin plotë 25 vjet.

Tani me lejoni (si një studiues me plotë kureshtje) të shpaloj duke parashtruar disa të dhëna themelore për rrugëtimin e Lëvizjes… nëpër të cilën ke lënë gjurmë, për të kërkuar prej jush një dëshmi të shkruar apo inçizim arkivor për “historinë e Bashkimit të 17 janarit 1982”.

I. Më 15 janar 1983, në qytetin Ludwigsburg, pas homazheve në varrezat e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës (në një vjetorin e vrasjes) u formua Qendra Ekzekutive (QE) e LR(S)SHJ-së e përbërë prej pesë anëtarëve, të cilët morën edhe pseudonime.

Pseudonimet:

 – Xhema= Xhafer Shatri

 – Plaku= Hasan Mala

 – Fahriu= Faridin Tafallari

 – Salihu= Xhafer Durmishi

– Iljazi = Ibrahim Kelmendi

Qendra Ekzekutive pushoi së vepruari më 3 mars 1984 në Gjenevë, kur u vendosë formimi i Komitetit Qendror (KQ), që në korrespondencën tuaj do të identifikohej me emrin “Dukagjini”.

Në vitet 1982 – 1984’85 (pa përjashtuar qëndrimin tuaj në SHBA në gjysmën e dytë të vitit 1982) duke qenë veprimtar shumë aktiv i LR(S)SHJ-së, dhe njëkohësisht anëtar i Qendrës Ekzekutive (QE), a ke rrëfyer ndonjëherë në mbledhjet e mbajtura, për “bashkimin e 17 janarit 1982 (LNÇKVSHJ – OMLK’FKP) me emërtimin si “Lëvizje për Republikën e Kosovës”? Nëse po, mund t’i publikosh dëshmitë arkivore këtu?

(Me këtë rast nuk do të shkruaj për grupimin politik PKMLSHJ të kryesuar nga Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli, sepse përveç Osman Osmanit me të cilin ke qëndruar pak ditë në shtëpinë e Jusuf Gërvallës, gjatë ditëve të zisë (ngushëllimeve) pasi ishte kthyer ai së bashku me Xhafer Durmishin nga Turqia (më 21 shkurt 1982), nuk ke bashkëvepruar me ta. PKMLSHJ vepron e veçuar (por jo e izoluar) në këto zhvillime pas marsit të vitit 1983 kur ky grupim e mbanë Kuvendin e parë të Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës (BPK) dhe vendosin të nxjerrin organin e BPK-së: “Punëtorët”, fletushkën e grave të organizatës “Kosovarja e re” si dhe të hartojnë një “platformë politike” për organizimin e tyre të brendshëm.)

II. Gjatë kësaj periudhe (1982 – 1984’85) si anëtar i QE (nga mbledhja e 3 marsit 1984, si Komitet Qëndror, KQ) të LR(S)SHJ-së ke shkruar shumë materiale propagandistike si: Komunikata, Qarkore etj., dhe nëse në këto materiale ke trajtuar ndonjëherë “bashkimin e 17 janarit 1882”, kërkoj t‘i publikosh ato këtu?

III. Gjatë kësaj periudhe (1982-1984’85) në kuadër të aktiviteteve bashkëvepruese keni shkëmbyer edhe letërkëmbime me anëtarët e QE (KQ) të LR(S)SHJ-së: Xhafer Shatrin, Xhafer Durmishin, Sabri Novosellën, Faredin Tafallarin etj.,

Me këtë rast po t’i rendisi disa letërkëmbime:

1. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 8 prill 1982

2.Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1982

3. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1982

4. Kush është vojvoda Ramë Nikçi?

5. Letër-shkresë e Ibrahim Kelmendit, 17 qershor 1982

6. Letrër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive, 14 prill 1983

7. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1983

8. Letër e Ibrahim Kelmendit për (Xhafer Durmishin) dhe Qendrën Ekzekutive, 4 maj 1983

9. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive, 7 maj 1983

10. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin dhe QE, 3 qershor 1983

11. Letër e Ibrahim Kelmendit për Xhafer Durmishin dhe QE, 3 qershor 1983

12. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 17 qershor 1983

13. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 30 qershor 1983

14. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 12 gusht 1983

15. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 25 gusht 1983

16. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 15 shtator 1983

17. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 10 tetor 1983

18. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 3 janar 1984

19. Qarkore e shkruar nga Ibrahim Kelmendi, x. Janar 1984

20. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, (rreth mesit të) janar 1984

21. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 11 janar 1984

22. Letër e Ibrahim Kelmendit për Sabri Novosellën dhe QE, 17 janar 1984

23. Letër e Ibrahim Kelmendit për Qendrën Ekzekutive (QE), 19 janar 1984

24. Letër e Ibrahim Kelmendi për Komitetin Qendror (“Dukagjinin”), 19 mars 1984

25. Letër e Ibrahim Kelmendi për Komitetin Qendror (“Dukagjinin”), 22 qershor 1984. (…)

A e keni trajtuar historinë e “bashkimi të 17 janarit 1982”, në këtë letërkëmbim, nëse po mos hezito t‘i sjellësh këtu ato dëshmi për t’i dhënë fund kësaj dileme të krijuar prej teje?

***

IV. Gjatë kësaj periudhe (1982 – 1984’85) bashkë me anëtarët e QE (KQ) të LR(S)SHJ-së keni mbajtur shumë tubime festive e përkujtimore me mërgimtarët si dhe takime të ndryshme me veprimtarë e simpatizantë të LR(S)SHJ-së në Gjermani, Zvicër etj.

A të kujtohet ndonjëherë të kesh rrëfyer në këto mbledhime për “bashkimin e 17 janarit 1982”? Nëse po, mund të publikosh dëshmitë e shkruara apo ndonjë inçizim të arkivuar?

V.  Në shkurt të vitit 1985 përmes një njoftimi të lëshuar nga mbledhja e KQ i LRSSHJ-së, informoheni për përjashtimin tuaj dhe të Xhafer Shatrit nga KQ.

Në vijim sjellë dëshminë:

PROCESVERBAL I LRSSHJ PËR LARGIMI I XHAFER SHATRIT DHE IBRAHIM KELMENDIT NGA KQ, MË 10. 2. 1985

N J O F T I M

Njoftohen shokët Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi për mbledhjen e fundit të KQ të LRSSHJ.

Më 10.2.1985 KQ mbajti mbledhjen e vet të rregullt.

Rendi i ditës ishte:

1. Analiza e Organit Qendror dhe shqyrtimi i propozimeve të Redaksisë për ndryshimet e “Zërit”.

2. Raportimi për punën e forcave të organizuara në Kosovë.

3. Shqyrtimi kritik lidhur me sjelljet dhe punën e Xhafer Shatrit dhe Ibrahim Kelmendit.

Në mbledhje nuk ishin prezentë shokët Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi.

Duke pasur parasysh situatën e krijuar në KQ të cilin e ka kapluar fryma e grupeve, frymë e cila është e reflektuar edhe te forcat e tjera të organizuara jashtë dhe në Kosovë, andaj është e domosdoshme të bëjmë spastrimin e radhëve nga shokët të cilët janë të ngarkuar me këtë frymë përçarëse dhe të cilët po i shkaktojnë dëme luftës sonë.

Shoku Xhafer Shatri pas ardhjes në Zvicër i hyri punës më të madhe, duke kontribuar shumë në nxjerrjen e Organit qendror “Zëri i Kosovës”. Vazhdimësia e daljes së “ZK” është e lidhur drejtëpërdrejt me Xhafer Shatrin. Puna organizative e forcave të organizuara në Kosovë dhe fryti që del prej tyre është i lidhur edhe me Xhaferin. Por, në punën e tij Xhaferi bëri edhe mjaft gabime e lëshime politike, duke krijuar edhe frymën e mosbesimit ndaj njerëzve. Duke parë situatën e krijuar, Xhaferi dha dorëheqje me shkrim.

Derisa shoku Xhafer në punën e tij që bëri e përcollën edhe gabimet, në anën tjetër shoku Ibrahim Kelmendi nuk punoi fare, por u muar drejtpërdrejt me përcjelljen e punës dhe gabimeve të Xhaferit; u muar me thashë e thëna në mesin e punëtorëve. Bëri edhe dekonspirime të sekreteve të KQ të LRSSHJ-së. Keqpërdori ndihmat për Kosovën, duke mos sjellur në fond asnjë qindarkë. P.sh. të përmendim vetëm rastin e Suedisë në praninë e katër vetave një familje shqiptare i dha ndihmë luftës sonë prej 50.000 korona, prej të cilave nuk solli asnjë qindarkë, si dhe ndihmat që dhanë familjet e tjera në Suedi; mbjellja e frymës përçarëse në vetë KQ; mospërgjegjësia ndaj punës; prishja me miq zviceranë; mosaktiviteti me të huaj dhe krijimi i ftohjes së tyre ndaj luftës sonë dhe organizatës sonë; qëllimi pretendues i formulimit të fjalisë: “Vërejtjet, sugjerimet e propozimet që do të vinë pas fillimit të dhjetorit të këtij viti do të kenë vlerën e vet, por nuk do të mund të merren parasysh, pasi në ndërkohë KQ dhe Komitetet e rrtheve do të mbajnë mbledhjen për të aprovuar Programin e Statutin e LRSSHJ-së” me të vetmin qëllim që të sabotojnë punën e diskutimit dhe shqyrtimit të PP dhe PS dhe në anën tjetër për të shfrytëzuar tubimin e zgjeruar për diskreditimin e Xhaferit me gabimet që ka bërë. Në KQ nuk qe vendosur të thirrej tubimi i KQ me komitetet e retheve të cilën gjë shoku Ibrahim Kelmendi e bëri pa dijen e shokëve duke u thirrur se gjoja qenka vendosur në mbledhjen e KQ, gjë e cila nuk ishte e vërtetë. Qëllimi i gjithë kësaj ishte ai që cekëm më lart, diskreditimi i Xhaferit para një tubimi më të gjerë. Kjo tregon se si disa njerëz veprojnë pas shpine pa u konsultuar me shokë, e këtë e bëri shoku Ibrahim Kelmendi.

Për shkak të krijimit të mosbesimit ndaj njerëzve, lëshimeve dhe gabimeve politike si dhe mbjelljes së frymës përçarëse KQ vendosi që të ndërmarrë masa për nxjerrjen e KQ nga situata e krijuar dhe të bëjë spastrimin e radhëve nga mospunëtorët dhe përçarësit.

Kështuqë KQ i LRSSHJ me shumicë votash 4:1 (katër me një) vendosi që shokët Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi përjashtohen nga KQ i LRSSHJ-së, përderisa të mos e vërtetojnë të kundërtën me aktivitetin e tyre.

10.2.1985, Zvicër

KQ i LRSSHJ-së

(Burimi; Faridin Tafallari: Terror, dhimbje, qëndresë 1996, faqe 253 – 254)

VI. Gjatë  vitit 1985, pas dërmimit të brendshëm të LR(S)SHJ-së me akuza e kundërakuza, dorëheqje e përjashtime nga kjo lëvizje, (ti edhe pse i përjashtuar nuk e dimë si u kyqe sërish) veprimtarët e mbetur të KQ të LRSSHJ duke u bazuar në “Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” (të verës 1981) që i kishte nxjerrë OMLK-ja në Kosovë (e që ishin trajtuar në gjysmën e dytë të vitit 1981 nga Kadri Zeka në perëndim), në shtator të atij viti e shndërruan LRSSHJ-në në “Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës” (LPRK), ndërsa Komitetin Qëndror (KQ) e shndërruan në Këshill të Përgjithshëm (KP).

Edhe organi i LRSSHJ-së “Zëri i Kosovës” u shndërrua në organ të LPRK-së. Drejtuesit e LPRK-së e hoqën stemën me shqiponjë që ishte në krahun e djathtë të ballinës dhe e vunë flamurin Kombëtar në krahun e majtë (të ballinës). Fillimisht në disa numra shtiza e flamurit ishte pushka, ndërsa më pas në vend të  pushkës u vendos një shtizë druri! Fillimisht në ballinën e “Zërit …” ishte një citat i Jusuf Gërvallës, pastaj u vendos edhe një citat i Kadri Zekës, dhe pas disa numrave u hoqën ato citate!

Në janar të vitit 1986 drejtuesit e LPRK-së (Mustafë Xhemajli, Fazli Veliu …) përgaditën një raport informues me 23 faqe, me titull: “Vetëm me organizim të mirëfilltë parimor të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës do të fitojmë statusin e Republikës”.

Në këtë raport, pa përmendur iniciale, pseudonime apo emra të përveçëm u kritikuan tre krerët e bashkimit të tri organizatave: Sabri Novosella (LNÇKVSHJ) + Abdullah Prapashtica (PKMLSHJ) + Xhafer Shatri (OMLK) = LR(S)SHJ.

Në Turqi, më 17 shkurt 1982 u bë Bashkimi i LNÇKVSHJ – PKMLSHJ në LR(S)SHJ, ndërkaq në Zvicër, më 15 maj 1982, LR(S)SHJ-së iu bashkua edhe OMLK.

Në raport bashkimi i 17 shkurtit dhe 15 majit 1982 u cilësua si bashkim i krerëve, e jo bashkim i masave popullore. Vija teorike – politike e LR(S)SHJ-së ishte “vijë e imagjinuar dhe e imponuar” nga tre krerët thuhet në raport.

Gjatë vitit 1986 e veçanërisht në vitin 1987 për shkak të mospajtimeve programore (jo ideologjike) LPRK-ja u nda në dy grupime: nga LPRK me adresë (në Biel Biene), u përjashtuan Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Mustafë Xhemajli, Ibrahim Kelmendi etj., të cilët ndërkohë themeluan LPRK-në pa adresë. Lëvizja pa adresë kishte si synim programor “Republikën e Kosovës me Vise”, ndërsa Lëvizja me adresë synonte Republikën e Kosovës pa Vise (në kufijtë e sotshëm të Kosovës). Kjo ndarje shkaktoi edhe nxjerrjen e dy “Zërave të Kosovës” njëkohësisht.

Ti Ibrahim i ke takuar LPRK-së pa adresë (me OMLK-në si pararojë), ku bënin pjesë: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Mustafë Xhemalji, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Avni Dehari etj.

Ndërsa LPRK-në me adresë (me seli në Biel – Biene) e kryesonin: Hasan Malaj, Saime Isufi, Faredin Tafallari, Nami Ramadani, Ali Malaj, Ismet Rashiti, një kohë Agim Sylejmani etj.

Pas definimit të rrugëve (të të dy krahëve të LPRK), Lëvizja pa adresë në korrik 1987, në St. Gallen, Cyrih dhe Delemont të Zvicrës, ka mbajtur Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LPRK-së. Kjo Mbledhje zgjati 3 ditë dhe aty u aprovuan Programi dhe Statuti i LPRK-së etj. U zgjodh Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e KP. Kryetar u zgjodh Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, sekretar, përgjegjës fianciar Gafurr Elshani, ndërsa anëtarë kryesie: Avni Dehari, Ernest Jurstver, Xhavit Haliti dhe Rexhep Halimi.

Këshilli i Përgjithshëm (KP), përbëhej prej 21 anëtarëve (anëtar i së cilës ishte edhe ti), kurse OMLK (si pararojë e Lëvizjes) drejtohej nga Komiteti Organizativ apo Sekretariati siç shkruhet në disa materiale të OMLK-së. Ndërkaq redakori i parë i “Zërit të Kosovës” u emërua Mustafë Xhemajli.

Programi dhe statuti i LPRK-së pa adresë u aprovuan në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LPRK-së në korrik 1987. Programi për herë të parë u botua në organin, “Zërin e Kosovës”, nr.7, 1987 …ndërsa në qershor të vitit 1988, nga Kolegjiumi i Redaksisë së “Zërit të Kosovës”, Programin bashkë me Statutin u publikua si botim i veçantë (broshur).

Në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme të LPRK-së (pa adresë), të mbajtur në Baden dhe Olten të Zvicrës (në tetor 1989) bëhen disa ndryshime në Program dhe në dhjetor 1989 Kolegjiumi i Redaksisë së “Zërit të Kosovës” sërish e publikon vetëm programin si botim të veçantë për anëtarësinë e Lëvizjes.

I thash të gjitha këto (telegrafisht) për t’iu vënë në dijeni dhe për t’iu pyetur njëkohësisht se, gjatë kohës së shndërrimit të LRSSHJ-së në LPRK (1985 – 1986) a e ke trajtuar personalisht në mbledhje e takime të organeve të kësaj Lëvizjeje,  “bashkimin e 17 janarit 1982” si ditë themelimi të “LËVIZJES për REPUBLIKËN e KOSOVËS”?

Nëse po, të lutem silli këtu dëshmitë e shkruara apo ndonjë inçizim të mundshëm që keni arkivuar?

VII. Nga muaji korrik 1987 deri në prill 1998, LPRK-ja (pa adresë – nga korriku 1993 si LPK) ka pasur (me pak ndryshime) të njejtën kryesi me kryetar Fazli Veliun. Janë mbajtur tri Mbledhje të Përgjithshme, shumë mbledhje të Kryesisë e të Këshillit të Përgjithshëm, pastaj dhjetra protesta e demonstrata e qindra tubime përkujtimore – festive dhe jo vetëm, me bashkëatdhetarët tanë.

Gjatë kësaj periudhe mbi 10 vjeçare a e ke shpaluar ndonjëherë (në këto mbledhje, tubime, takime etj) historinë e “bashkimit të 17 janarit 1982 me emërtimin LPK”? Nëse po, mundësisht silli dëshmitë e shkruara apo ndonjë inçizim të mundshëm?

VIII. Nga viti 1993 – maj 1995 ke mbajtur pozitën e Kryetarit të Nëndegës së LPK për Gjermani; nga qershori 1995 – shkurt 1996, kur Mr. Hasan Ukëhaxhaj ishte Kryetar i Kryesisë së Përkohshme të Nëndegës së LPK për Gjermani, ti ishe anëtar i kësaj kryesie, dhe nga shkurti 1996 – mars 1998, kur Fehmi Lladrovci ishte kryetar i Nëndegës së LPK për Gjermani, ti ishe Sekretar i kësaj kryesie, ndërsa anëtarë të kryesisë ishin gjatë gjithë kohës (me pak ndryshime e plotësime): Sabri Kiçmari, Xhemajl Fetahu, Begzat Gashi, Isa Elshani, Rexhë Ibërdemaj (ishte edhe anëtar i KP Dega J.V), Hasan Ukëhaxhaj dhe Bedri Islami (në kryesinë e fundit si këshilltarë), Islam  Rafuna, e të tjerë. Gjatë këtyre viteve (1993 – mars 1998) sa ishe pjesë e Kryesisë së Nëndegës, a e ke shpaluar ndonjëherë (në mbledhjet e kësaj kryesie ku mernin pjesë edhe anëtarë të kryesisë së Degës JV, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, apo ndonjë tjetër) “historinë e bashkimit të 17 janarit 1982” si “ditë themelimi të LËVIZJES për REPUBLIKËN e KOSOVËS”? Nëse po, atëherë sillli këtu dëshmitë e shkruar nga procesverbalet e këtyre mbledhjeve.

IX. Në Mbledhjen e gjashtë të Përgjithshme të LPK-së, Dega J.V, që u mbajtë në maj 1998, Ti u zgjodhe anëtar i Kryesisë së LPK-së Dega J.V, në kryesinë e përbërë: Bedri Islami, Jashar Salihu, Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, Sejdi Gega dhe Agush Buja. Njëkohësisht ishe edhe udhëheqësi kryesor i Fondit “Vendlindja Thërret” në Gjermani. Dhe në këto pozita ishe deri në përfundim të luftës, saktësisht deri në Kuvendin e Prizrenit që e organizoi një pjesë e LPK-së më 27 qershor 1999 (pa e përfshirë këtu edhe angazhimin tuaj të përkohshëm në transformimin e kësaj pjese të LPK në PPDK, si paraardhëse e PDK-së).

Gjatë kësaj periudhe 13 mujore (maj 1998 – qershor 1999) sa ishe anëtar i Kryesisë dhe drejtues i Fondit “Vendlindja Thërret” me seli në Bonn të Gjermanisë, janë mbajtur shumë mbledhje të kryesisë së LPK-së Dega J.V, të Fondit “V.Th”, takime të tjera pune me struktura të nëndegëve, të KRR, Këshillave Popullor të LPK, të Fondit “V.Th”, si dhe qindra tubime me bashkëatdhetarë për fuqizimin dhe financimin e UÇK-së.

Si pjesëmarrës aktiv në të gjitha këto mbledhje, tubime e takime a e keni shpaluar ndonjëherë “historinë e bashkimit të 17 janarit 1982” si “ditë e themelimit të LËVIZJES për REPUBLIKËN e KOSOVËS”? Nëse po, atëherë bëje publike dëshminë apo dëshmitë arkivore të kësaj historie.

Dhe krejt në fund!

X. Nga korriku i vitit 1999 deri në vitin 2007 nuk e di se ke ushtruar ndonjë post publik partiak (përveç fillesës në PPDK) apo ndonjë pozitë shtetërore (përveç atyre 2 milionë DM të Fondit “Vendlindja Thërret” që i ke shfrytëzuar në një aktivitet privat fitimprurës të telefonisë satelitore të quajtur “Tele Point”, korrik 1999 – 2003).

Në këtë periudhë kohore (1999 – 2007), saktësisht deri në botimin e librit “ATENTATET” në vitin 2007, kur dhe për herë të parë keni shpalosur historinë e “bashkimit të 17 janarit 1982”, nuk më ka rënë të lexoj të paktën një shkrim tuajin ku është trajtuar kjo  “histori”.

Nëse gjatë viteve 1999 – 2007 keni shkruar publikisht për “bashkimin e 17 janarit 1982”, atëherë është mirë të na sjellësh faksimilin e gazetës fizike ku është botuar, apo linkun e portalit elektronik ku është publikuar.

Të gjitha dëshmitë e periudhës 25 vjeçare (1982 – 2007) që mund t’i sjellësh këtu pa dyshim se do të kenë vlerë dhe si të tilla do të jenë referenca të mirëfillta shkencore për studiuesit e historisë së Lëvizjes, me të gjitha ato emërtime në rrugëtimin e saj.

Paraprakisht të faleminderoj për kontributin tuaj që mund ta sjellësh në këtë drejtim 🤝

Ludwigsburg, 29 Janar 2023

___________________

“RILINDJA”, ISH ZËDHËNËSJA E TANJUG-ut TË BEOGRADIT – JANAR 1982! VRASJET E VËLLEZËRVE GËRVALLA DHE TË KADRI ZEKËS I CILËSOI SI “QËRIM HESAPESH MIDIS EMIGRANTËVE TË NËNTOKËS”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura