GAZETARËT, SI ATA SKLLEVËRIT NË ANIJET ANTIKE TË LUFTËS!

Gazetarë?! Më parë skllevër, në galera!

E ju më flisni për liri të shtypit, për të drejta të gazetarëve, e broçkulla të tilla! Pushoni, aman!

Nga Dush Gashi

Kam pasur qasje para do kohe në një portal lajmesh. Në dy tavolina të ngjitura, punojnë shtatë a tetë gazetarë, ndoshta edhe dhjetë.

Qëmtojnë për lajme, kudo që mund t’i gjejnë, nga agjencitë e lajmeve, nga kumtesat e institucioneve, duke i kopjuar apo edhe duke i shkruar vetë, pasi që më parë nëpërmjet postës elektronike e kanë pyetur diçka ndonjë zyrtar.

Nëse nuk e përcjell pak më gjatë atë portal, e ke të vështirë ta kuptosh çfarë dreqi u duhet, deri sa po ato lajme mund t’i gjesh edhe në dhjetra portale tjera. Ndoshta me kohë e vëren njëfarë koncepti redaktorial, po edhe pas kësaj përsëri pyetesh a ia vlen.

Gazetarët punojnë tetë orë dhe edhe po qëndrove fare shkurt, e kupton se nuk e duan atë punë. Nuk është punë gazetarësh të rrijnë në zyrë dhe të radhisin lajme në një faqe, kryesisht lajme të huaja.

Por, ajo që më pat bërë përshtypje në këtë portal është se, në messenger-in grupor, pronari i tij orë e çast u shkruante vërejtje: ndryshoje atë titull, korrigjoje atë fjalë, hiqe atë “ë” apo shtoje një “ë”…

Pronari!

Natyrisht, asnjë pronar nuk ka dëshirë t’i dalin gabime në lajme. Por, t’u drejtohesh personalisht gazetarëve është përçmuese sa s’ka! Ai do të duhej ta zgjidhë këtë problem me redaktorët, apo me kryeredaktorin, e jo t’u qëndrojë ashtu mbi kokë e t’i fyejë tërë ditën!

Pronari, i cili është edhe milioner! Që do të duhej të jetë “zotëri”!

A dini si më dukeshin ata “gazetarë”? Si ata skllevërit në anijet antike të luftës, siç e kemi parë në filma, të cilët janë të lidhur për lopata, në mënyrë që në rast rreziku të mos ikin nga “vendi i punës”!

Skllevër në galera!

E ju më flisni për liri të shtypit, për të drejta të gazetarëve, e broçkulla të tilla! Pushoni, aman!

______________

PSIKOPATËT NË POLITIKË

https://pashtriku.org/psikopatet-ne-politike/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura