Mati, kryeqendra kombëtare e poezisë
Nga Hamdi Hysuka – kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”
Më 2 shtator 2023, për të shtatin vit me radhë, Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat organizoi Festivalin Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Morën pjesë dashamirë të fjalës poetike, shkrimtarë, poetë, artistë nga trojet shqiptare, brenda e jashtë kufinjve të Shqipërisë: nga Mati, Durrësi, Tirana, Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, Fieri, Korça, Devolli, Prishtina, Gjakova, Prizreni, Podujeva, Deçani, Tetova, Kërçova, Gostivari, Suedia dhe Italia… Nderuan me praninë e tyre prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Myrteza Mara, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë; Adem Xheladini, drejtues i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë “Penestia” dhe i takimeve poetike “Hyjnesha Ilire Thana”, Kërçovë; Meçan Hoxha, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Durrës; Berat Batiu, nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Fidani”, Prizren; Vera Istrefaj, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dega Kukës; Trandafile Molla (Baja), kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” në Novara, Itali; Hekuran Koka, kryetar i Klubit të Letrave “Ndoc Gjetja” në Lezhë; znj. Flora Brovina, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe e të drejtave të grave, ish-deputete e Parlamentit të Kosovës; Albi Lushi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; Aleksandër Çipa, gazetar, analist dhe poet, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë; Altin Bojni, kryetar i Këshillit të Bashkisë Mat; Hasan Pasha, Nënprefektura Mat; Fiqirete Kurti, Biblioteka “Pjetër Budi” Burrel; përfaqësues të Fondit Amerikan Popullor, sponsor të festivalit. Gjithashtu morën pjesë studiues, përfaqësues të arsimit e kulturës, medias së shkruar e vizive, të rinj e të reja, dashamirës të poezisë etj. Himni kombëtar ishte mirëseardhje për të gjithë pjesëmarrësit.
Ndërkohë vitet rrodhën e jeta bëri të sajën. Më 8 mars të këtij viti, në moshën 69-vjeçare, ndërroi jetë poeti i shquar Hamit Aliaj, “Mjeshtër i Madh”, autor i 7 librave poetikë të vlerësuara me çmime kombëtare dhe i mbi 200 tekste këngësh, kryetari i parë i jurisë së Festivalit tonë të Parë Kombëtar “Muza Poetike Budiane”. Më 25 qershor, në moshën 83-vjeçare u nda nga jeta dhe shkrimtari, poeti, gazetari e publicisti prof. dr. Nikolla Spathari, “Mjeshtër i Madh”, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, Durrës, pjesëmarrës në të gjitha festivalet “Muza poetike Budiane”. Ndërsa më 22 korrik 2023, në moshën 87-vjeçare, ndërroi jetë Fride Kurti, emblemë kombëtare e muzikës lirike, ikonë e këngës popullore matjane. Në nderim të tyre u mbajt një minut heshtje.
* * *
Takimi letrar filloi me promovimin e dy librave të rinj, vëllimin me poezi “Hije ëndrre” i poetes matjane Adivije Hoxha, për të cilin foli z. Shpendi Topollaj, poet, shkrimtar e publicist dhe udhëpërshkrimin “Jehona e valëve të jetës”, e poetes Trandafile Molla (Baja). Për këtë botim special u lexua recensioni i kritikut e poetit Fatmir Neli. Vepra e poetes durrsake me banim në Novara të Italisë u çmua për pjekuri artistike, larmi tematike dhe elemente të tjerë publicistikë.
Më pas u zhvillua festivali i poezisë, në të cilin me poezitë e tyre u paraqitën autorët Vladimir Muça, Adivije Hoxha, Bajram Canameti, Adile Baleta, Lulzim Hajdari, Monika Muzikanti, Rajmonda Qose, Setki Jashari, Rubjana Nika, Fatbardha Kaçi, Sokol Hoda, Ermal Lala, Bajramalí Selimi, Andris Lleskai, Kadri Tarelli, Shire Caka Kasapi, Faik Xhani, Merita Kuçi, Valbona Xhepi, Xheladin Mjeku, Shpendi Topollaj, Ajne Ibërhysaj, Kasam Shaqirvela, Valentina Kurti, Agim Bajrami, Adem Xheladini, Shefqet Merra, Haqif Heta, Trandafile Molla, Migena Arllati, Naim Aliaj, Ernest Marku, Berat Batiu, Mevlud Buci, Basir Bushkashi, Zyrafete Kryeziu, Odise Plaku, Ramë Oraca.
Pas konkurimit të poetëve, juria e festivalit ndau çmimet letrare. Çmimi i tretë për poezitë më të mira iu dha poetëve Zyrafete Kryeziu, Lulzim Hajdari dhe Mevlud Buci. Çmim të dytë merituan poetët Haqif Heta dhe Rajmonda Qose. Ndërsa Çmimin e parë “Muza Poetike Budiane” 2023 e fitoi poeti Shpendi Topollaj. Me votim të vetë poetëve konkurues “Çmimi i poetëve” iu dha znj. Migena Arllati. Çmimin Letrar “Pjetër Budi” e fitoi Ramë Oraca, ndërsa Çmimi “Zëri i ri poetik” ishte për poeten Rubjana Nika. Poetet Adivie Hoxha dhe Adile Baleta u vlerësuan me “Çmimi i karrierës”. Për herë të parë në këtë festival u nda Çmimi “Anëtar Nderi i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, të cilin e meritoi prof. dr. Ejup Hajdini.
-Një organizim shumë i mirë nga bartësi i veprimtarisë, i përkrahur nga struktura të ndryshme shoqërore, -u shpreh prof. dr. Shyqri Galica. Pjesëmarrja e gjerë qe dëshmi e integrimit kombëtar e kulturor dhe e angazhimit vetëmohues të Klubit Letrar “Pjetër Budi”.
Në përshëndetjen e tij, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, Myrteza Mara, anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, theksoi:
-Kisha dekada pa kaluar në Burrel dhe ruaja kujtime nga imazhet e kohës. Por befasia e këndshme e pamjes së këtij qyteti, simetria urbane, pastërtia dhe qetësia ishin dekor i bukur që i shkonin për shtat festivalit letrar poetik. Mikrpitja dhe organizimi nuk linte kohë e vend të mendoje, veçse respekt e mirënjohje. Thjeshtë dhe bukur! Bukur dhe thjeshtë! Vlerësimi dhe pjesëmarrja e poetëve nga trevat shqiptare ishte në funksion të drejtë me misionin e këtij festivali, kthyer në traditë.
Sipas analistit, poetit dhe gazetarit Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, pozitive ishte përfaqësimi gjeografik nga gjithë trojet shqiptare. Erdhën autorë që janë shumë aktivë në botën letrare, poetë nga diaspora, nga emigracioni shqiptar, nga trojet shqiptare amtare dhe nga hapsirat administrative shqiptare, përkatësisht Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe viset e Shqipërisë administrative. Në mënyrë evidente pati një konkurim antologjik të poetëve, ku dominoi vjershërimi tradicional, por dhe elementë të poezisë eksperimentale, të cilat bënë të mundur që ky tubim poetësh të pasurojë atë që konsiderohet kalendari i takimeve dhe tubimeve poetike shqiptare.
-Me matjanët jam takuar dhe më herët përmes shkrimeve dhe poezisë, përmes historisë, por është hera e parë që vij në Mat, -tha znj. Flora Brovina, shkrimtare, ish-deputete e Parlamentit të Kosovës. Ishte nder dhe kënaqësi të jesh pjeëmarrës(e) në këtë bashkim kombëtar kulturor, ku na bashkon gjuha, kultura, letërsia, tradita dhe bukuria magjepse e atdheut anembanë…
-Qe një atmosferë mbresëlënëse, mes motrave e vëllezërve poetë, që me krijimet e tyre e duan Shqipërinë edhe më të bukur, edhe më të begatë, edhe më evropiane, -theksoi shkrimtari dhe studiuesi, Shpendi Topollaj. Ishte takim i organizuar aq mirë, nga ata që dukej se kërkonin të pohonin drejtësinë e asaj thënies së mençur se “Shoqëria njerëzore ka nevojë për poetët si nata për yjet”.
Poeti durrsak, Kadri Tarelli, Festivalin Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane” e cilësoi Kuvend poetik.
-E dinim, -tha ai, -se gjithçka do të shkonte më së miri, të bindur nga serioziteti dhe përkushtimi i drejtuesve të këtij klubi. Kënaqësia jonë ishte se, krahas paraqitjes së poezive tona, takuam plot nga miqtë tanë poetë dhe u njohëm me shumë të tjerë të ardhur nga të gjitha trevat ku flitet shqip, madje edhe nga diaspora.
-Kjo ditë i ngjante një feste të vërtetë, -tha shkrimtari Luftar Pepmarku. Një atmosferë e tillë vihej re në fytyrat e qeshura të pjesëmarrsëve, ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit dhe trevat shqiptare, të mbetura jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë shkëlqeu mikpritja tradicionale e trevës dhe përkujdesja e organizatorëve…
* * *
Festivali Kombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane” bashkoi më të mirët e fjalës së bukur dhe arriti të përkrahë e motivojë krijuesit e të gjitha moshave. Ndjesia e parë në atë skenë poetike ishte gjeografia e pjesëmarrjes, thjeshtësia, vërtetësia, forca e mesazheve që japim e marrim. U ndjeva i privilegjuar që isha i përfshirë në ato emocione të shumëfishta. Nder dhe mirënjohje për nisiativën dhe kordinimin e Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm Vijues i Pensionistëve të Shqipërisë”, personalish për z. Faik Xhani, që me Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, afruan mbështetje financiare.
Poetë të të gjitha trojeve shqiptare, Mati është shtëpia juaj!
Në Athinë, me autobusin urban
Ku veje greke atë natë,
kur unë kërkoja mikun tim,
asfalti i rrugës shumë i gjatë,
do desha të mos kish mbarim.
Nuk kisha qenë asnjëherë
në ato vende si përrallë,
qytetit pa fund të gjerë,
i jepje ti një nur të rrallë.
Pa tjetër nimfën kisha ndeshur,
kur ty të pyeta në anglisht,
më erdhe pranë me sy të qeshur,
dhe m`u përgjigje miqësisht.
Veç në statujë, një vajzë si ti
unë në Akropol kisha parë,
dhe kisha rënë në dashuri,
sido që koha na kish ndarë.
Ti kishe ikur nga muzeu,
se të kish ngjallur dashuria,
por unë si të qesh Orfeu,
Euridikën pas do lija.
Dhe në stacion dorën ta dhashë,
trishtuar në asfalt u hodha,
dy fjalë zemre vërtet` s`t`i thashë,
por kisha zjarrin që të vodha.
Shpendi Topollaj
Pentagrami i muzës sime
Më përkundi liqeni me valë,
herët që në fëmijëri,
të kemë kujdes në çdo fjalë,
me njerëzit veç në harmoni!
E fillova pentagramin të ndërtoj,
të hidhja fjalët nota në fusha e vija,
çdo fjalë thellë ta mendoja,
që e ëmbël të dalë melodia.
I këndoja në vija e në fusha,
duke ruajtur masën e ritmikën,
një pëllumb i bardhë më rrinte te gusha,
dhe më qortonte për poezi muzikën.
Eh, lirikat nga zemra më buronin
si bregliqenas, doja të ngjaja me Lasgushin
doja, që me ato që më lexonin
kohën me dashuri ta mbushnin.
E fluturova në qiellin blu,
të thërrisja me gëzim pranverën,
për Matin tim shkruajta gjithashtu,
e fillova të trokas me erën.
Shikoja lindjen dhe perëndimin e diellit
në Matin tim, themel i historisë
e vazhdova të shkruaj të pathënat e qiellit,
që mos t’i ndahem tërë jetën poezisë.
Për Matin, kryeqendrën e Arbërisë
për burrat e dheut që i bënë kombit nderë,
që ia lartësuan nderin Shqipërisë,
pena ime s’do pushojë asnjëherë!
Haqif Heta
Homos Sapiens
Të vdekur me frymë kemi ardhur në jetë,
me sy që s’shikojmë, me gojë që dot s’flet
me britma kraharorësh që mbyten në dallgët e heshtjes,
me veshët që dëgjojnë marrëzitë e gënjeshtrës.
Kemi ardhur pa jetë në këtë botë,
që nuk jetojmë, por veç frymojmë
ku edhe ajri jepet me pikatore,
e diellin e mbulojnë ca re të zeza mizore.
Orët e ditës i mbyt errësira,
lëvdohet e keqja, përbuzet e mira.
Jemi manekinë që na tërheqin zvarrë
ca duar të pista,
mbi buzë vizatuar buzëqeshjen fals,
me fjalë na veshin e zhveshin,
pastaj hipokrizisht na ftojnë në vals.
Në rresht ndjekim ritmin amorf të marshit funebër,
si homos sapiens nga një epokë e vjetër.
Të vdekur jemi lindur, qysh kur erdhëm në jetë
qëkur tokës iu larguan engjëjt,
dhe djajtë pushtuan këtë planet.
Rajmonda Qose
Ëndërr zhveshur erdhi vjeshta
Ëndërr zhveshur erdhi vjeshta,
vesa preki shpirtin tim,
dritën e hënës e mori agu,
rrezja e diellit ra n’perendim.
Bulza uji mbushur degët,
sikur loti në harrim,
po lag gjethen e këputur
që ra sipër unit tim.
Fati i thyer gjatë degdisi
nëpër brigjet e pafund,
thinjur, rrudhur, sa u mplaka
rob i lodhur pa u ndal kund.
Lulzim Hajdari
Sa e shkurtër është jeta!
Një zë fort kumbon, zëri i dritëlirisë
një këngë uragan, këngë e bardhësisë
një valë drite plot rreze altari,
ka shpirt kristal dhe fllade behari.
Le të burojë së thelli oshëtimë e këngës,
le të flasin sytë dhe dëlirësi e zemrës,
le të flasë mirënjohja, e drejta, e vërteta
o njeri i Zotit, sa e shkurtër është jeta!…
A e keni parë bletën mbi një fije bari,
a i keni parë lulet ku mblidhet nektari,
mundohu, o njeri, me pasion porsi bleta
lufto për parajsën, e shkurtër është jeta!
A i keni parë si shndrit lot i syrit,
a i keni parë të urtët, gen i xhevahirit
a i keni parë karrieristët që lëshojnë trumpeta,
kujdes o njeri, e shkurtër është jeta!
Dikush i lindur për kurthe, për dredhi
dikush i lindur për shpifje e zili,
dikush i marrosur për pozita e kuleta,
kujdes o njeri, e shkurtër është jeta…
Na ndrit vllaznimi, mirësia, natyra
lum kujt në jetë nuk i skuqet fytyra,
kur kthen kokën pas, të krenon e vërteta
pra, mendo o njeri, sa e shkurtër është jeta!
Kujto tokën, gurët, dheun dhe plisin
kujto babë e nanë, miq, shokë e fisin
mendo e vepro për botën e amshuar,
harmonia në jetë, parajsë e shenjtëruar.
Një diell na ngroh në këtë jetë provizore,
lum kush në shpirt ka dritën hyjnore,
njerëzit e mirësisë si shqipe në shkrepa,
kujto o njeri, sa e shkurtër është jeta!…
Mevlud Buci
Të rrëfehem ty, Burrel!
Po vij te ti me hapa të lodhun, Burrel
veç ruajma besën e shekujve,
se do të ma kthesh sofrën e ngrohtë
me pogaçe prushi.
Sot po vij te ti Burrel, me shpresat e mëdha
se e mira do të na ndritë ballin ty e mua,
se eshtnat na kërcitnin nga të zanunit ngushtë,
me dertet e hallet ngarkuar supeve.
Po vij te ti me i vra dhimbjet, Burrel
e me ngjy pikën e lotit deri në tharje,
me ja hap rrugën dritës së diellit,
e me ngroh pak shpirtin
e mërdhirë nga ditët e rënda,
që i përcollëm me humbje.
Burrel, ngrohma ballin, pash sfidat e të prangosurve
gjakun e të rënëve,
dhe shtroma sofrën pa hile,
me agun e stinëve të gjelbrume,
që nga bari i njomë të njomësohemi.
Ah, bre qytet i rrënjëve të lashtësisë
sa përmallshëm po nisem kah ti,
veç shpresa po më mban,
se do të të gjej të lirë, siç di të frymosh ti.
Zyrafete Kryeziu (Manaj)
Ka ende shpresë
Diku larg një melodi,
një pogonishte, një tallavá
atëherë mendja u kujtua,
sa mirë që dasma akoma ka…
M’u ngroh zemra, u qetësova
akulli i heshtjes u shkri nga pak,
jo, s’ka mbet bosh qyteti im
do gjallërohet, do mbushet prapë
Bashkë me pranverën shkrihen akujt,
vijnë dallëndyshet, çdo gjë lulëzon
Ka ende shpresë ku ka njerëzí,
kur vendin duam, e puna vlon.
Ka ende shpresë për qytetin tim,
për shqipen tonë të shumësprovuar,
nëse lemë pas grindjet, mëritë
e duart fort mbajmë shtrënguar.
Rubjana Nika
Atdheu
Provoj ta gjej veten, vetëm mbetem
gjirin ma përvëlon një mall i rrallë,
nga mërzia për atdhenë lotoj, tretem
s’jam asgjë tjetër, një mërgimtar.
Provoj të kthehem, mundësi s’kam
fëmijëve duhet t’ua siguroj një kafshatë,
i thyer, i lodhur, në shpirt i dërrmuar jam
familjen vetë, vetë gruan e ngratë.
Një djersë e ftohtë ballin ma përshkron,
një buzëqeshje e ngrohtë më shpërndahet në fytyrë,
jetoj me shpresë se çdo gjë kalon,
të kthehem në atdhe do të gjej mënyrë.
Më prit, o frymë, o dhé
të kam, të paça përherë, o Atdhe!
Valëza Fusha, Podujevë
Kisha dashtë!
Kisha dashtë me e dashtë jetën, njejt sikur fëmijë
kisha dashtë me e dashtë veten, më shumë se sa ty!
Kisha dashtë me i ngjá kohës e me t’mbulú harresa,
kisha dashtë me kánë veç andërr e me t’harrú kujtesa!
Kisha dashtë mos me t’njoftë e takimet mos me ndodhë kurrë,
kisha dashtë, që në vend të zemrës të kisha një grusht gur!
Kisha dashtë me vra vetminë e me kánë e lumtur,
kisha dashtë, që pa ty, mos m’u ndih e humbur!
Kisha dashtë veç me m’dashtë, asgjë më shumë
kisha dashtë, ty mos me t’dashtë askush si unë!
Leonor Berisha, Prizren
Mësuesi i juaj
Luftë, ku janë sytë e mi
edhe pse nuk e shoh dritën,
shoh Brçkon, Tuzllën, Maoçën
a nuk e shoh babain, nënën, motrën!
Bosnjë, ku janë nxënësit e mi
gjymsa në vorre, gjymsa invalid
a ku është ditari im dhe librat,
në Klladushën e madhe, te Muja dhe Halili!
A ku jam unë, mësuesi juaj
në Kosovë, në qiellin e Prizrenit
pse Kosovën si shtet nuk e pranon,
kur tog kemi qenë në luftë
prej Brçkos deri në Sarajevë!
-Bosjne, i vjetër jam
për lirinë e juaj kam fjetur maleve,
i kam humbur sytë si shqiptar,
nga Kosova të shoh Bosnjë, veç me shpirt!
Nëse ma pranon Kosovën si shtet,
dhe mua do të më vjen të pamurit,
Zoti do të japë fat ty,
a shikimi im do t’i shembë muret e burgut! Husein Imeri, Brčko Bosnja